Nderim për At’ Klement Miraj / nga Lida Fabian Miraj


NDERIM PËR 
AT' KLEMENT MIRAJ

Nga Lida Fabian MIRAJ


At’ Klement Miraj lindi në një familje malësore të Malësisë së Madhe në vitin 1885. Sipas të dhënave rrënjët e kësaj familje kishin 2 degë: njera që në atë kohë ishte e njohur me mbiemrin Mirashaj dhe e transformuar më vonë në Miraj dhe tjetra e quajtur Radotinaj e transformuar më vonë në Tinaj. I ati At’ Klementit, Luc Prela, pati shumë femijë: Zefin, Pjetrin, Palin, Jakun, Ndrekën, Tomën, Franin, Miren dhe Shaqen. Frani, i cili më vonë do të quhej Klement, ishte femija i shtatë dhe më i vogli i djemve. Luc Prela bashkë me të shoqen, Roza, dhe me femijët gjatë dimrit zbritnin nga Malësia e Madhe e dimëronin në Ishull-Lezhë, për të veruar përsëri në bjeshkë gjatë stinës së nxehtë. Ne Malësi, sot e gjithe ditën, thuhet se të shtatë djemtë e Luc Prelës shquheshin për atdhetarë, njerëz të urtë dhe shumë inteligjentë. Mbi të gjithë ata spikaste Frani, dhe që në fëmijëri shfaqi një dëshirë të madhe për t’u shkolluar, por në ato kohë shkollimi ishte shumë i veshtirë, sidomos per një familje malesorësh, që në dimër zbriste në Lezhë dhe në verë ngjitej në Malësi.
Në fakt ishte qyteti i Lezhës ai që i krijoi Franit mundësine e shkollimit në Kolegjin e Françeskanëve. Aty, sipas kodit fetar, atij ju ndërrua emri nga Fran ne Klement. Emri i ri lidhej qartë me origjinën e tij nga Malësia e Kelmendit. Ne librin e tij “Rrno vetëm për me tregue” At’ Zef Pllumi e quan disa herë At’ Kelmend e disa herë të tjera At’ Klement. At’ Klementi ndryshoi edhe mbiemrin e familjes nga Mirashaj në Miraj. At Klementi mbaroi studimet me rezultate të shkëlqyera dhe në bazë të arritjeve të tij ai u dërgua në Shkodër për të vazhduar Shkollën e mesme. At’ Klementi ishte i etur për dije dhe duke patur rezultate të shkëlqyera të shkollës së mesme, ju krijua mundësia të shkonte për të studiuar Filozofi-Teologji në Universitetin në Graz të Austrisë. Atje edhe u diplomua si student honoris. Pas diplomimit, në vitin 1920, u kthye në Shkodër ku filloi apostolatën e vet. Duke qenë njeri i niveleve të larta kulturore, si edhe shumë i apasionuar në arkeologji, ai u emërua drejtor i Koleksionit Arkeologjik të Kolegjit të Franceskanëve, koleksion që At’ Shtjefen Gjeçovi, themeluesi i Arkeologjisë Shqiptare, kishte mbledhur me një dashuri e passion të veçantë. Aty punoi pak vite dhe më pas, me vendim të udhëheqjes së Kuvendit të Gjuhadolit, u dërgua që të shërbente në Kosovë si famullitar i Pejës. Atje ai ushtroi një veprimtari të madhe patriotike dhe fetare së bashku me At’ Shtjefën Gjeçovin. Si pasojë e kësaj veprimtarie, të dy bashkë u persekutuan, u burgosën dhe u torturuan nga serbët. Pasi dolën nga burgu, At’ Shtjefen Gjeçovi dhe At’ Klementi, u larguan nga Kosova. Pas kthimit nga Kosova, At’ Klementi, u emërua famullitar në Rubik, ku punoi për pak kohë dhe At’ Shtjefën Gjeçovi u rikthye në Kosovë, ku dhe e vranë në afërsi të Prizrenit, në vitin 1930.
Nё Arkivin Qёndror tё Shtetit në Tiranë ndërmjet shumё dokumentave gjёndet nje letёr, nё tё cilin thuhet se mё 13 Korrik 1927, zoti Ugo Sola, Ministёr pranё Ambasadёs Italiane nё Tiranё, disa kopje tё librit tё parё , “Albania Antica”, tё arkeologut Luigi M. Ugolini, ja dhuronte me dedikime personaliteteve shqiptare pёrfshirё Rektorin e Jesuitёve dhe At’ Gjergj Fishtёn nё Shkodёr, At’ Shtjefёn Gjeçovin, i cili nё atё kohё ishte nё Kosovё, e tё tjerё. Njё nga kopjet e kёtij libri i ishte dёrguar edhe At’ Klement Miraj, famullitarit tё Rubikut, qё ishte edhe kurator i koleksionit arkeologjik tё Gjeçovit. Nё Arkiv ruhet letra me konsideratat e mendimet personale qё At Klementi i drejtonte z. Ugo Sola, pasi kishte lexuar me kujdes librin “Albania Antica I” tё Ugolinit.
Nё librin e Ugolinit njё vend mjaft tё rёndёsishёm zinte edhe pёrshkrimi i Seksionit Arkeologjik pranё Muzeut Historiko-Gjeologjik tё Jezuitёve nё Shkodёr, i Koleksionit Arkeologjik tё familjes Vlora ekspozuar nё pallatin e tyre nё Vlorё, si edhe pershkrimi i Koleksionit Arkeologjik në Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, të mbledhur me kujdes nga At’ Shtjefёn Gjeçovi.
Më vonë At’ Klementi u transferua në Laç të Sebestes. Aty punoi dhe jetoi për shumë vite. Banorët e atjeshëm e donin dhe e respektonin famullitarin e tyre, sepse ai i qëndronte pranë dhe i donte të gjithë banorët e zonës dhe të fshatrave përreth: Laç, Zhej, Mamurras, etj. Ne Laç ai ndërtoi Kishën e re si edhe bëri riparime të shumta në Kishën e Shna-Ndout.
Gjatë kësaj kohe At’ Klementi, me një kapacitet të lartë, shkruante vazhdimisht në shtypin e kohës artikuj, që ruhen edhe sot e gjithë ditën, të botuara tek revista Hylli i Dritës, etj. Një nga këto artikuj është për të vërtetën e Kurbinit (1937). At’ Klementi ishte edhe mbledhës folklori, materiale të cilat ai gjithashtu i botoi në shtypin e kohës.
Në të pestin Provincial Shqiptar, me 17 Qershor 1938, At’ Klementi u zgjodh një nga 4 Definitorët e Provincës Françeskane, së bashku me Provincial At’ Çiprian Nika. Viti 1944 At’ Klementin e gjeti të emëruar famullitar në Bizë të Ishmit. Aty ai i qëndroi shumë afër banorëve, duke i ushqyer dashuri, paqe e vëllazërim, dashuri për njeri tjetrin, dhe kjo ide e tij ishte jo vetëm për të krishterët, por edhe për ata të besimit musliman.
Gjatë luftës, duke qenë gjermanisht folës, ai mundi të shpëtonte mbi njëzet burra të fshatit, të arrestuar dhe të dënuar me pushkatim nga pushtuesit gjermanë.
Veprimtaria e Fratit të mençur ishte e orientuar ne dy drejtime: per Fe dhe për Atdhe, që ishte parimi i të gjithë Françeskanëve në Shqipëri.
Biza, Laci, Shkodra e Kosova e kanë nderuar dhe e kanë respektuar At’ Klementin për shërbesën fetare, që ai ju bëri, për devotshmërinë e tij në detyrën misionare, për diturinë dhe për mirësinë e tij.
Por diktatura komuniste nuk mund ta linte të lirë Fratin e nderuar. Me vendim të Gjykatës Ushtarake, Durrës, nr. 62, date 24. 06. 1952, mbështetur në nenin 8 te ligjit nr. 372, At’ Klement Miraj u arrestua dhe dënua me 8 vjet burg për agjitacion e propagandë.
Çfarë veprimtarie armiqësore kishte bërë frati i nderuar, At’ Klement Miraj, për t’u dënuar?
Natyrisht asnjë veprimtari të tillë, përveçse kishte shërbyer me devotshmëri e atdhetari. Natyrisht regjimi komunist nuk i falte priftërinjte katolikë dhe At’ Klementi, si një nga priftërinjtë e shërbimit katolik, u arrestua me një vendim Arbitrar të Gjykatës Ushtarake të Durrësit, Gjykata nxorri vendimin për ta dënuar në mungesë për agjitacion e propaganda, kur ai ishte në moshën 67 vjeçare. Prangat ju vunë në Bizë te Ishmit nga ish punonjësi i sigurimit te shtetit ne Durrës, R. Domi. Gjykata ushtarake e dënoi me 8 vjet burg. Ndën pranga Frati i nderuar u dërgua në burgun e Tiranës dhe pak më vonë u transferua në burgun e Burrelit ku edhe vdiq. E tmerrshme është që deri më sot ende nuk i është gjendur as varri.
Gjon Vlashi, me profesion avokat, i ka dëshmuar, në Janar të vitit 1994, babës tim shumë të nderuar, Fabjanit, se e ka njohur At’ Klementin në burgun e Burrelit, gjatë kohës kur kanë qenë të bashkëburgosur dhe sipas dëshmisë së tij, të lënë me shkrim, At’ Klementi ka vdekur me 21 Nëntor 1956.
At’ Klementi vdiq ose më saktë e vdiqën, kur ishte 71 vjec, 4 vjet pasi ishte arrestuar. Vdiq duke mos perballuar dot kushtet e burgut ose nga ndonjë rrethanë tjetër. Natyrisht që janë fare të panjohura dhe nuk dihet asgjë për rrethanat e vdekjes së tij. Ai vetë vdiq pa e kuptuar kurrë se përse u dënua dhe përse duhet të vuante në ditë të pleqërisë, kur gjithë jetën e tij ja kishte dedikuar njerëzve, kur kishte punuar vetëm me dashuri, devotshmëri e patriotizëm, për Fe dhe për Atdhe.
Burgu e vdekja e ndanë nga njerëzit, por ata asnjëherë nuk e harruan famullitarin e ndershëm, njeriun e mire dhe të kulturuar.
Më kujtohet, kur isha e vogël, në shtëpinë tonë vinin jo rrallë fshatarë nga Biza dhe zona përreth, për të takuar babën tim, e për t’i sjellë atij, si nipi i At’ Klementit, natyrisht me zë të ulët, përshëndetjet e bashkëfshatarëve në mirënjohje të priftit të tyre, të cilin ata nuk e harruan asnjëherë.
Nga familja e At’ Klementit kanë dale 4 Fretën Françeskane, 3 nga të cilët nuk janë më, dhe i katërti, At’ Gazmend Tinaj, është sot e gjithë ditën në Provincën Françeskane të Zojës Nunziatë, në Shqipëri.
At’ Mhill Miraj, ose Rrok Pjetri siç ishte quajtur në fëmijëri, Mjeshtër në Klerikat, në vitet 1938-1939, professor i matematikës në Liceun e Shkodrës, njeri i kulturës e dijes, u dënua me 10 vjet burg nga Gjykata Ushtarake, në 13 Janar të vitit 1948 bashkë me 10 Klerikë të tjerë dhe u torturua me mënyrat më çnjerëzore në burgjet e asaj kohe. At Zef Pllumbi në librin e tij “Rrno vetëm për me tregue”, dëshmon për torturat e rezistencën e At’ Mhill Mirajt, në ato burgje të ferrit komunist.
Baba im, i ndjeri e shumë i nderuari, Fabian Miraj ose Tomë Zefi, siç ishte quajtur në fëmijëri, njeri shumë i kulturuar, specialist i shkëlqyer në fushën e ndërtimit e restaurimit të monumenteve të kulturës, ishte gjithnjë i palodhur në punë. Ai në fakt pasi kishte mbaruar Kolegjin e Françeskanëve në Shkodër kishte shkuar për studime në Itali. Ai ishte diplomuar për Teologji në Universitetin Antoniana në Romë. Në fund të vitit 1945, menjëhere pas diplomimit, u kthye në Shqipëri, kur ishte vetem 25 vjeç. Kthimi i tij lidhej jo vetëm me çlirimin e Shqipërise, por edhe me faktin që kishte mbaruar Lufta e Dytë Botërore. Sa herë e pyetnim na thoshte se u kthye nga dashuria e madhe për vendin, për prindërit e për të afërmit. Shqipërinë e gjeti ndryshe nga ç’e kishte menduar. Që në fillim u përball me kurthe, presione e kërcënime dhe, pasi u burgos për disa muaj, u detyrua që në vitin 1948 të ndërpriste veprimtarinë e shërbesës fetare dhe të largohej nga rrethi i Shkodrës, ku ai njihej si frat ose si njeri i shërbimit katolik. I ri dhe me vitalitet vendosi të regjistrohej vullnetar në ndërtimin e hekurudhës. Në kohën e punës në hekurudhë jeta e tij mori drejtim tjetër. Vendosi të mos ketë miq të afërt dhe të mos flasi me askënd për mendimet e tij ideologjike dhe politike. Nuk foli as me ne deri kur ndodhën ndryshimet demokratike, sepse mendonte se vetëm duke heshtur do të mbronte vehten, familjen dhe gjithë të afërmit.
Këtë vit mbushen 67 vjet nga vdekja ose martirizimi i At’ Klement Miraj dhe, me këtë rast, dëshiroj të nderoj edhe të ndjerët At’ Mhill Miraj, Fabian Miraj si edhe gjithë fisin tim të nderuar, jo vetëm ata malësore që jetojnë edhe sot në Kelmend, por edhe ata që kanë zbritur e jetojnë në Shkodër e Lezhë, Laç, Mamurras e kudo qofshin.
Një nderim shumë të veçantë për të gjithë Fretenit e Provincës Françeskane të Zojës Nunziatë në Shqipëri, të cilët me përkushtim vazhdojnë rrugën e At’ Gjergj Fishtës, At’ Shtjefën Gjeçovit, At’ Klement Miraj, At’ Zef Pllumit dhe të gjithë Fretënve të martirizuar në forma e mënyra të ndryshme nga ai regjim aq i egër, që për fat të keq zotëroi Shqipërinë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.
I përjetshëm qoftë kujtimi i At’ Klement Miraj. I përjetshëm qofte kujtimi i Fabian Miraj dhe At’ Mhill Miraj. I përjetshëm qoftë kujtimi i të gjithë Fretënve Françeskanë, që ja kushtuan jetën parimit të rëndësishëm: ‘Për Fe dhe për Atdhe’.




Ali Xhunga dhe kriminelët komunistë në Shkodër/ Dëshmon Ana Daja

 


ANA DAJA 
DËSHMI E GJALLË E KRIMEVE TË KOMUNIZMIT NË SHKODËR 
 
Lexoni dhe rënqethuni. Asnjë kriminel nuk u dënua. Ali Xhunga dhe tërë kopeja e kriminelëve të diktaturës: Ana Daja, ish gjimnaziste 18 vjeçare tregon: hetuesi 🔻Ali Xhunga më futi një copë leckë në gojë, duart m’i lidhi mbrapa dhe më shtriu në çimento…”

 
Zonja Ana Daja gjatë bisedës për vitet e rinisë së saj,  rikujton historitë e saja, të dhimbshme, plot vuajtje, me shumë tortura, me një kujtesë të mrekullueshme. Tregon çdo gja, çdo detaj dhe emrat e bashkëvuajtësve, por edhe të atyre që e torturuan. E lindur në Shkodër në vitin 1928, në një familje punëtorësh, babai punonte teneqexhi-llamarinist dhe ata kishin një gjendja ekonomike disi të mirë. Ajo vazhdoi shkollën fillore e gjimnazin, në shkollën shtetërore në Institutin “Donika Kastrioti”. Në vitin 1944, ajo ishte në vitin e pestë të shkollës, mësimi ishte i mbyllur, pasi u bë vetëm tre muajt e verës. Në vitin 1946, ajo kaloi në gjimnazin shtetëror “28 Nëntori” të qytetit të Shkodrës.


                     *      *      * 
 
PYETJE: Znj. Ana, si e kujtoni Shkodrën në vitet 1945-46 e në vazhdim? 

ANA DAJA: Isha vet e dyta në pjacën e qytetit tonë, kisha dalur me ble një copë për fustan. Unë kisha distinktivin e “Bijave të Zonjës”, ndërsa shoqja ime, Marije Prendushi, atë të “Veprimit Katolik”. Në këtë kohë po kalonte grupi i ‘Grave Komuniste”, që bërtisnin: – “Plumbin ballit e litarin fashistëve dhe reaksionarëve”. 

PYETJE: Çfarë ndodhi me ju në fundin e vitit 1945? 


ANA DAJA: Në këtë moment, del nga turma Marije Ndoja, e cila erdhi të më hiqte me forcë distinktivin. Unë i’u kundërvura dhe s´e lashë në asnjë mënyrë, të ma merrte atë. Të nesërmen në shkollë na nxorën në karikaturë, duke na tallur me fjalë fyese. Në vitin shkollor 1946, u bënë shumë sabotime nga antikomunistët. Unë dhe Ernest Përdoda, shpërndanim trakte. Më përjashtuan tre dite nga shkolla, se kisha grisur gazetën e shkollës, ku më tallnin me fjalë fyese. Në atë periudhë vdiq Dom Gaspër Thaçi – Argjipeshkvi i Shkodrës, unë mora pjesë në funeralin e tij. Gjatë funeralit, makina e policisë, kishte bllokuar rrugën, për të mos kaluar karrocat që shoqëronin funeralin, por rinia, që kishin lanë mësimin, e mbartën karrocën me arkivolin dhe e çuan përpjetë, pa pasur nevojë për kuajt dhe vazhduan funeralin. Në atë kohë në sallën e gjimnazit B.R.A.SH.-it (“Bashkimi i Rinisë Antifashiste Shqiptare”), organizonte konferenca kundër fesë dhe ato i kryesonte Satber Jubani. Unë gjithmonë i kam kundërshtuar, dilja në mbrojtje të njerëzve të fesë dhe të besimit fetar. Një here u bë një mbledhje e madhe, në palestrën e gjimnazit dhe vjen përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit, Spiro Pano, për veprimtarinë antikomuniste, që u zhvillonte në gjimnaz. Na përjashtuan nga shkollat e të gjithë Shqipërisë, mua, Faik Lulin, Njazi Barbullushin, Sandër Gerën, etj. 

PYETJE: Ç’ndodhi tjetër me ju në 26 qershorin e vitit 1947? 

ANA DAJA: Në pasditen e 26 qershorit 1947, trokitën në derë, Dylaq Lekiqi me dy policë, të cilët erdhën të më arrestojnë, por me pretekstin se gjoja donin të më merrnin në pyetje. Tek shtëpia e Çurçive, ishte Dega e Punëve të Brendshme dhe aty më futën në një dhomë e më lanë në çimento, ku dhe kalova gjithë natën. Kryetari i Degës së Shkodrës, ishte Zoi Themeli. Nga dritarja e dhomës, pas mesnatës, kam parë Padër Mati Prendushin, me një fanellë gjysëm të shqyer e mbathje të gjata të lidhur me duar mbrapa, në një pemë, mbasi e kishin torturuar. Filloi një shi i madh dhe atë e lanë të lidhur. Natën e dytë, më futën nën shkallë, në një birucë të vogël. Më thotë Dul Rrjolli: Tash ta kemi gjetur vendin e përshtatshëm. Në atë birucë kishte minj dhe insekte. Ishte një tmerr. Më futën në hetuesi ku gjeneral Zoi Themeli e Fadil Kapisyzi, më thanë: – “Ke organizuar nxënësit e gjimnazit, kundër pushtetit popullor”. Unë i’u përgjigja: Ne jemi pak vajza tashti, sapo jemi bashkuar me gjimnazin dhe s’pata kur me u njohë me to. Mandej unë kam kohë, që e kam braktisur shkollën, nuk e kam frekuentuar më gjimnazin. Pa mbaruar ende fjalën, ata më thanë: “Ke organizuar funeralin e At Gaspër Thaçit”. Unë u thashë se ato tre ditë, kam qenë e përjashtuar nga shkolla. Pas kësaj, Zoi Themeli më ra me grusht në fytyrë dhe gishti i vogël i tij më hyri në sy, më dha dhe një shqelm dhe më rrëzoi për tokë. Mandej më çuan në dhomën e izolimit. Më 15 korrik 1947, u ri konstruktua Dega e Punëve te Brendshme, e cila ishte shtruar me çimento dhe mbi atë çimento të lagur, u shtruan dyshekët. Çdo gjë ishte e lagur, e patharë, aty gdhenda në mur datën 15.07.1947. Birucat ishin pa dritë, pa ajër. Dy herë në 24 orë, na lejonin me kryer nevojat vetjake, ujë na jepnin vetëm një herë në ditë. Një javë më lanë mbi çimento. Më solli familja rrogosta. Muret e dritaret ishin të mbuluara me jorganë, që të mos dëgjoheshin zërat e të torturuarave. Një ditë, hetuesi Fadil Kapisyzi më tha: – “Të tregohesh e gatshme për të treguar krimet që ke bërë kundër Pushtetit Popullor, ndryshe, do të të bëjmë provë korrentin elektrik”. Unë s´fola, s´dhashë asnjë përgjigje. Atëherë hetuesi Fadil Kapisyzi, më vuri korrentin në të dy veshët. Ishte një tronditje e tmerrshme. Pas kësaj, ai më tha: “Ke dashur me vra Dulaqin”. Si kam dasht me e vra…?! As kam dashur, as më ka shkuar ndër mend që ta vras. Me çfarë ta vras? S’kam ndonjë mjet, iu përgjigja unë. Në pyetje me merrnin gjithmonë në mbrëmje. Një natë, polici Ismail, që ishte i ri, si egërsirë, injorant, i mungonte gishti i madh i dorës së djathtë, më thotë: – “Ngrihuni” dhe më dërguan në një dhomë tjetër, ku sa kam hyrë brenda, më ra të fikët. Banaku dhe dyshemeja ishte e mbuluar me gjak të mpiksur. Erdh P. K. (përgjegjësi i burgut); ai grisi proçes- verbalin e kapiten Kapisyzit dhe më tha: “Tash e tutje ke me pasur punë me mua”. Ai më pyeti: “Ti ke organizuar funeralin”? Unë i thashë se kam qenë tre ditë me pushim. Ai vazhdoi duke më thënë: “Na trego emrat e nxënësve të shkollës. Duhet ta pranosh akuzën”? Por unë i thashë se s´i njihja ata. 

PYETJE: Ç´të bëri më pas Pjerin Kçira? 

ANA DAJA: Ai më ka lidhur në murin mbas dere, m´i lidhi duart me tel, m´i ngriti lart dhe telin e hodhi mbrapa. S´kisha mundësi me lëvizë. Sa herë u hapte dera, më ndeshte e përplasej mbi mua, që isha e lidhur. Në këtë gjendje më mbajtën pesë ditë e pesë netë, pa hëngër e pa pi. Më çuan përsëri në birucë ku më vunë përsëri korrentin. Nga data 1 deri më 15 tetor 1947, më kanë lanë në këmbë, me fytyrë nga muri, pa lëvizur. Kur u rrëzoja, roja më hidhte kovën e ujit të ftohtë, për të më ngritur përsëri në këmbë. Kështu si unë në korridor, ishin dhe Dom Anton Muzaj (ai që zëvendësoi Monsinjor Thaçin) të cilin e kishin vendosur në shkallën që zbriste në katin e parë, koka i takonte pak përmbi dyshemenë e korridorit, ku ishim ne. Ndërsa Padër Frano Kirin, e kishin lidhur në hekura. Sa herë kalonte roja, aq herë e godiste me shqelma (i ngrati Padër Frano – thotë me lot ndër sy Zonja Ana). Ushqimin shpesh herë s´na e jepnin, ia hidhnin qenit. Në vendin ku më kishin lidhur, ndodheshin banjot, ku i sillnin të burgosurit me kry nevojat personale. Shpeshherë të burgosur të ndryshëm, kur u jepej mundësia, më ndihmonin. Isuf beg Sokoli, kur kalonte për në banjo, më solli një herë një gotë kos, ma dha me e pi dhe e fshehu shpejt. Po kështu, mundoheshin me më ndihmuar Zef Zorba, Brahim Sokoli, por mungesa e ujit ishte një tmerr. Një i burgosur i dhomës teme (se ne femrat na kanë lanë në dhoma bashkë me të burgosurit meshkuj), Dodë Zef Tuku, me sillte ujë, ma linte në nevojtore, që të mos e shihte polici. Në mbrëmje, kur polici më liroi duart, që të kryeja nevojat personale, kam pirë ujin me një frymë. Më kanë lidhur me zinxhirë duart dhe këmbët. Më ishin ënjtur këmbët, plasaritur dhe qelbëzuar. Mjeku nuk pranoi të më mjekonte, se desh të më dërgonte në spital. Por s´më dërguan atje. Infermierja vetëm më çau plagën dhe i hodhi jod. Më dërguan në dhomë ku ishin dy burra. Osman Haxhiu (shumë i moshuar) dhe Dom Zef Tuku. Natën këmbët e mia ishin ngjitur në çarçafët, temperatura ime shkoi 40˚C, s´më banë asnjë mjekim. Në këtë moment, më çuan në katin e parë, ku ishte dhoma e torturave, aty më priste Pjerin Kçira dhe Ali Xhunga, ku më morën në pyetje, duke më thënë: “Na trego se si i ke organizuar grupet”? Unë iu përgjigja duke u thën se s´kam bërë asgjë. Pas kësaj më vendosën telat e korrentit në të dy veshët dhe më lidhën duart. Disa herë kam nxjerrë gjak nga hundët dhe goja, në moment më ikte kujtesa, kisha zanë gjuhën me dhëmbë. Me futën në gojë një copë leckë, që të mos dëgjoheshin britmat e mia. Më ulën në çimento, më vendosën korrentin dhe në këto momente, shanin me fjalorin më të ndyrë. Ali Xhunga, sa herë që s´pranoja akuzën, aq herë më godiste me shkelma në shollën e këmbës, që më trondiste të gjithë trupin. Më lodhën aq shumë, sa s´kam qenë në gjendje të eci dhe dy policë me ngjitën në katin lart, për krahësh. Shokët e dhomës kanë qarë, kur më panë në atë gjendje. Përveç torturave të shumta hera-herës, me ndërprisnin ujin, ushqimin dhe thonin: – S´të kanë sjellë gjë familja? Një herë, shoferi Ahmet Sufi, më lidhi duart e këmbët me zinxhirët që përdorin për rimorkim makinash. S´kisha si lëvizja. Kështu më la të gjithë mbasditen. Kur më morën në pyetje, u thashë: – S´jam në gjendje me qëndru në karrige, sepse shoferi juaj më ka lidhur me zinxhirë hekuri. (Ata gjoja luanin rolin e të paditurit, ndërsa shoferi më thoshte: – Kam qenë i urdhëruar). Në dhjetor të vitit 1947, më dërguan tek ish-burgu i Gestapos (ish-shkollë), aty gjej një vajzë mirditore, Marije Frisku, mbesa e Dom Rrok Friskut. Mbas shumë kohësh jam takuar me të, në burgun e madh të Shkodrës. Mbas një periudhe më dërguan tek burgu i Françeskanëve, tek dhoma ngjitur me kompanjelin, pranë kambanës. Roja Hekurani, na kontrollonte ushqimet, por ai ishte i sëmurë me tuberkuloz dhe na i pështynte gjellët. Dyert e dhomës ishin të ngjyrosura më bojë. Aty kam lexuar tre poezi të Padër Donat Kurtit, i lexova, i mësova përmendësh dhe i kam ruajtur. Shpesh komunikonim me njëri-tjetrin me dy trokitje në mur. E më thotë: – Jam Pjetri prej Vjerdhe, kam në dhomë Dom Anton Muzaj, ai qëndronte në këmbë dhe ishte sëmurë. Ai thoshte: – S´jam në gjendje për gjyq. Duan që të mohoj fenë e Krishtin. Për fe e atdhe, un s´pranoj ndryshe. Gjyqi u bë me 12 janar 1948. Grupi i të rinjve: Ana Daja, Liza Pali, Viktor Kujxhija..! Një gjyq kukullash, fallco, s´u mur vesht ç´thonin. Vetëm u lexuan emrat e studentëve…; u bënë duartrokitje nga njerëzit e sallës dhe u dha dënimi…! Mua më dënuan katër vjet burg. Nuk mora vesh se për çfarë më dënuan! 

PYETJE: Për periudhën që ishit në burg, ç’mund të na thoni? 

ANA DAJA: Në burg na mbanin të mbyllura në qeli dhe na linin të ajroseshim një orë paradite e një orë mbas dite. Në burg punonim, bënim thurje me lesh, punim trikosh, çorapesh, i dorëzonim çdo natë punën e bërë gjatë ditës. Në vitin 1949, filluan me marrë të burgosur nga burgu i madh e i çonin në Degën e Punëve të Brendshme. Një ditë më morën dhe mua, më mbuluan me batanije, më lanë në një dhomë ku futën dy burra, atyre u thanë: – Mbasi jeni nevojtarë do t’ju gjejmë punë dhe keni me patur privilegje, vetëm firmosni këtu në deklaratë. Ata (hetuesit) më thanë:- Dhe sa muaj burg të kanë mbetur? Unë u përgjigja se më kanë mbetur edhe 17 muaj. Pas kësaj, hetuesi më tha: “Po firmose në këtë deklaratë, mund të bëjmë që të lirohesh sa më parë, me anë të amnistisë dhe nuk ban jo 17 muaj, por as 17 orë”. Unë u thashë se nuk pranoj në asnjë mënyrë, nuk vej firmë në deklaratë, s´pranoj të bashkëpunoj me ju. Ne, femrat e burgut nuk na kanë dërguar në kampet e punës, por merreshim me pastrimin e ambienteve të policisë. Mbasi e plotësova dënimin e plotë, katër vjet, dola nga burgu. Por më priste burgu i jashtëm, ai i izolimit dhe i survejimit. 

PYETJE: Për shoqet e tua bashkëvuajtëse, ç’mund të na thoni, si i kujtoni ato? 


ANA DAJA: Në burg kisha: 

Adile Hasan Boletini – gruaja e nënkolonel Adem Boletinit (i vrarë në atentat), të cilën e dënuan 5 vjet, për mos denoncim të Jup Kazazit (ishte burri i motrës së saj, që u vetëvra, për të mos i’u dorëzuar komunistëve). Po kështu, Agime Pipa, një vajzë e përkryer në të gjitha pikëpamjet. Shumë e edukuar, e heshtur, e mençur, intelektualja e parë e Shkodrës tonë. E dënuan katër vjet dhe e bëri të plotë dënimin. Kujtoj Vitore Kuka, vajzë e mirë, arsimtare në Breg të Bunës. Kishte vëlla Zef Kukën, anëtar i Ballit Kombëtar – Shkodër, i pushkatuar nga komunistët. U akuzua për agjitacion e propagandë. E dënuan 5 vjet, të cilat i bëri të plota. Kujtoj:
 
Terezina Palin,- një vajzë e zgjuar, burrneshë. Arrestimi i saj u bë në Tiranë, për veprimtari politike agjitacion e propagandë, dajat e saj Dedë Thani, Mark Thani, Pal Thani, vdiqën në tortura nga ato që iu bënë në Sigurimin e Shkodrës. Terezina e Liza Pali, mbesat e tij, e kanë ndigjuar dajën Pal, tuj e torturuar. Sa të vështirë e kanë patur këto vajza…! Terezinën e dënuan 5 vjet, që i bëri të plota. Ndërsa, e motra, Liza Pali, u dënua tre vjet për agjitacion e propagandë. 
 
Gjyste Lazrin, nga Fishta (zonë e Zadrimës) të cilën e akuzuan se kishte ndihmuar të arratisurit, ishte gruaja e Vasë Tomës, i vrarë nga komunistët. E kapën Gjysten, e zhveshën, e torturuan për të treguar lidhjet e burrit të saj. Ajo s’pranoi, ishte shtatzënë. Lindi vajzën në burg. Vajzës i’a vunë emrin Vasilika, por ia morën, e dërguan në Befotrof, e aty i vdiq. E kam lanë në burg. 
 
Dila Zef Doda, - nga fshati Hajmel, ishte mirditore. I’a kishin pushkatuar burrin, kunatin dhe ia kishin djegur shtëpinë. Ishte vajza e Bajraktarit të Mirditës, i kishin bërë kulakë. E kishin dënuar 12 vjet. Fëmijët e saj ia rriti e edukoi e ëma.  

Bardha Krosaj,- një vajzë e shkolluar, e mirë. Ishte nga Kaçinari, Mirditë. Kjo lajmëronte të arratisurit, që mos të dukeshin në atë zonë, se ishte e mbushur me partizanë dhe njerëz të Sigurimit të Shtetit. Korrieri i ka dhënë letrën, por ai është plagosur nga Forcat e Ndjekjes. Ata i kanë verbuar sytë dhe ia kanë marrë letrën, që e kishte të fshehur në kraharor. Bardha në letër kishte shkruajtur: Zona është e mbushur me njerëzit e Ndjekjes, mos u afroni, se kanë ardhur këlyshët e Stalinit…! Me këtë letër, ka ardhur Aranit Çela dhe hyni në dhomë e pyeti: – “Cila është ajo që ka shkruajtur këlyshët e Stalinit”? – Unë, – iu përgjigj Bardha. Bardha ishte 19 vjeçe, kur e kishin torturuar në Rrëshen, ka ardhur si kufomë në burg. Familjarët nuk e dinin se ku ishte. Bardha ishte shumë e sëmurë me temperatura e lartë, të vjella, e i filloi sëmundja e tuberkulozit. Kishin urdhëruar të mos i jepej asnjë kurë mjekimi. Ashtu të sëmurë e sollën në dhomën tonë të vogël, ku banonin 14 gra e vajza. I shërbenim e ushqenim nga ushqimet tona (që na i sillte familja). Në momentet e fundit të jetës, e veshëm me pallton e bukur, që kishte kujtim dhe ashtu e morën gardianët e burgut. Vdiq ajo vajzë e re dhe e varrosën tek Varret Katolike të Rrmajit në Shkodër. 
 
Marije Friskun, - mbesa e Rrok Friskut, e dënuar 3 vjet. E burgosën me axhën e saj (vdiq në burg). Kemi pasur dhe një tjetër, Nasibe quhej, s´ia mbaj mend mbiemrin. Ajo ishte nga Tropoja dhe pothuaj nuk fliste fare, ishte shumë e heshtur. 
 
Drita Kosturin, - një vajzë e re, që u bë komuniste në moshën 15 vjeçe, por më pas u bë një antikomuniste. I kaloi jeta në burg dhe internime. U familjarizuam, por ishim të rezervuara nga frika e spiunëve, që shpesh ndodheshin edhe aty ku s´e mendoje. Drita Kosturin e kishin lanë në një dhomë me Hafiz Dërgutin e Gjon Serreqin dhe ajo tregonte se sa herë lutej hoxha në ritualin e faljes, aq herë ulej e ngrihej Gjoni, se ishin të lidhur të dy bashkë. 

PYETJE: Zonja Ana, ç’mund të na tregosh tjetër për burgun e Shkodrës? 


ANA DAJA: Në burgun e Shkodrës, Terezina Pali, tregonte se Padër Çiprian Nikën, e kanë dëgjuar duke bërtitur, kur i kanë djegur këmbën me hekur të skuqur dhe i kanë hedhur kripë. Padër Ciril Canin, e kanë rrahur me shkop, saqë ecte me shumë vështirësi, sa me kryer nevojat personale. Profesor Qemal Draçinin e Pal Thanin, (akademist) i kanë rrahur dhe helmuar, e kanë vdekur aty në hetuesi. Myzafer Pipën, avokat, dy këmbët e tij janë djegur me rrëshirën e pishës. E kanë mbytur, sa ai s´ka qenë në gjendje me ecë. E ka vra Elez Mesi. Kolec Dedën (tregtar i njohur), e kanë hedhur nga dritarja, duke thënë që ka vrarë veten (në fakt dritaret i mbanin gjithmonë të mbyllura). Dr. Spanjollin – e kanë helmuar dhe trupin e hodhën në Zallin e Kirit, ndërsa Sigurimi thoshte sikur gjoja ai e ka pirë vetë helmin! Pjetër Zef Saraçin, e dënuan në birucë, vetëm pse tha një shprehje për të qeshur, për humor. E zhveshën, e lidhën këmbë e duar dhe i hidhnin kovat me ujë të ftohtë…! Zoterinjtë Xhevat Dani e Pjetër Saraçi, i shihnim shpesh duke pastruar oborrin me fshesë dhe shumë punë të tjera. 

PYETJE: Ç´ndodhi me ju mbasi dolët nga burgu, si rrodhi jeta juaj? 


ANA DAJA: Unë punova punëtore gjithë jetën në peno-beton. Krijova familje, rrita fëmijë, djalë e vajzë, tashti jam gjyshe. PYETJE: Zonja Ana, në fund të kësaj interviste, ju uroj shëndet e jetë në udhën e pleqërisë. ANA DAJA: Ju falenderoj unë ju zonja Fatbardha, që keni ndërmarrë këtë nisiativë dhe po nxirrini në pah, krimet e atij regjimi, në mënyrë që t’i dinë brezat që do vijnë dhe këto të mos përsëriten ma.

 FATBARDHA MULLETI / poshtë shënim: Vetëm pak kohë pas kësaj interviste me znj. Ana Daja, duket se pleqëria e bëri të sajën, pasi në vitin 2006, ajo u sëmur. E lodhur dhe e drobitur nga ato që kishte kaluar e duruar në qelitë e hetuesisë e burgjeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ajo mbylli sytë me 18 korrik 2007. Jeta e saj është shembulli i gjallë i jetës nën diktaturën komuniste, ndoshta unik në të gjitha vendet e Lindjes Komuniste. 

Nga Fatbardha Mulleti - Saraçi Memoria Al.