PSE E VRANE MALIQ BAJRAMIN- nga Fritz Radovani

Nga Fritz RADOVANI:

PSE E VRANE MALIQ BAJRAMIN, “BIJTË” E STALINIT..?

Ishim rrethue gjithkah në ujë atëditë kur Shqipnia po mbytej ndoshta, përgjithmonë!

Aty këtu nga dritaret e qelës së fshatit shihej ndonjë shtëpi përreth e zhytun në ujë dhe ndonjë mullar sane që dukej sikur po noton mbi ujë...Edhe mbi gerdhiqe shihej ndonjë krande apo tufë zogjësh që të marrakotun merrnin iken...sikur, edhe ata kishin frikë nga partizanët!

Ishte dita ma e zezë e Popullit Shqiptar, 29 nandori i vitit 1944 kur ishim në fshatin e Dajçit të Bregut të Bunës, tek daja i em Don Kolec Prennushi...Ishim largue nga Shkodra, se pritej hymja e forcave partizane në qytet. Flitej se kudo ku kishin “hy këta”...kishin ba gjak!

Më ka pasë tregue komunisti i vjetër Luigj Filipi, sesi para vitit 1944 kur e kishte pyet At Mëshkalla se, je përzi me komunista, “po, a e di se je ba ushtar i Stalinit?” ky, jo vetëm, nuk mujti me e kundërshtue po edhe vazhdoi me kenë komunist deri sa e kuptoi siç, më thonte vetë:

“Vazhdova rrugën teme tue kujtue se jam ma i mendshem se At Mëshkalla..!”

Besoj, edhe sot, shumë vetë e kujtojnë kangën partizane: “Bijtë e Stalinit jemi ne!”...

Ishte kanga që edhe atë ditë kur partizanët hynin në një qytet... mbasi largoheshin forcat gjermane, posa siguroheshin se ata janë disa kilometra larg, fillonin me këndue këte kangë...

Disa mendonin se kjo asht kangë që lajmëronte “çlirimin” nga të huejtë...po, pak vetë kanë mujtë me e kuptue se nga një okupacion Shqipnia po hynte nën okupacionin tjetër sllavo – komunist të Jugosllavisë së Titos, që shumë shpejtë do të njihej si satelite e Rusisë staliniste.

Mbas hymjes së forcave partizane në fshat, ata sollën me vete dhe një grup “tradhëtarësh” që kishin ndalue në ikje me një barkë, dhe mbasi i kishin çarmatosë i sollën në oborrin e Kishës së Dajçit, që ishte si stom dhe ende nuk ishte përmbytë. I kerkuen Priftit me ju dhanë me hanger, dhe u gatuen disa bukë e mbasi u hapën edhe sheket e djathit, ju shpernda dreka... Mbasi kanë hangër, shkuen me krye nevojët e veta mbas qelës ku ishin edhe dy mullar sane. Na, si fëmijë tue vrojtue në dritare kemi pa me sytë tonë dy nga “robët” e kapun që rane në ujë ashtu si ishin me rroba dhe mujtën me u ikë partizanve. Mbas pak minutash kanë fillue shkrepjet e armëve, me të cilat u ba e ditun se “dikush” u ka ikë... Ata kishin mujtë me not me u largue dikah pa u ditë fare drejtimi i tyne. As fshatarët nuk treguen fare ku gjetën streh ata dy burra atë natë! Para se me u largue nga oborri i Kishës, katër partizan erdhën dhe trokiten në derë të qelës dhe mbasi e pyetën Dajen nëse ke apo nuk ke njeri të huej përveç pjestarve të shtëpisë mbrenda qelës, me i tregue se kush janë ata, Ai u kishte thanë se nuk kam njeri. Atëherë ata hyne mbrendë dhe kontrolluen, po nuk gjetën njeri...E morën Dajën dhe shkuen e kontrolluen edhe Kishën deri tek hatllat e saja... Kaq na hyni frika për palc ne fëmijve sa, kur gjyshja donte me na çue me fjetë...na thonte: “Tash shkoni e fleni e mos bani zhurmë se po vinë ‘partixhanët..!”. Ka vdekë pa ua mësue emnin!...

Bana këte shpjegim për me tregue “burrninë e bujarinë” e partizanve! Mbasi u ngopën me bukë, si “miqë e çlirimtarë”...nuk i besuen fjalës së Priftit, po erdhën dhe kontrolluen edhe qelën edhe Kishën, tue mos u zgjatë me shpjegimet e kontrollit të mullarve e podrumeve...

Kështu, kishin veprue në disa shtëpi të fshatit ku kanë dyshue dhe mandej kanë kalue në fshatrat tjera të bregut të Bunës, kah Mali Kolaj e Velipoja, po me të njajtën mënyrë sjellje...

Mbas disa ditve mësuem se në Malin Kolaj, kur kishin kontrollue shtëpinë e një Burri të njohtun të Malësisë i quejtun Dul Doshi, kur kanë hy në kullen e sanës, kanë gjetë në një qoshe disa funda cigaresh të fikuna...I zoti i shtëpisë nuk u ka tregue se ke kishte aty para se me i shkue për kontroll partizanët, dhe ata kishin marrë e pushkatue për murin e shtëpisë njenin nga djelmët e Tij i quejtun Kir Dul Doshi, që ishte axha i Don Mark Hasit...Mik i Don Kolecit.

Mbas disa vitësh, një Mik i emi, mësuesi i Nderuem Gjovalin Prendi, më ka pasë tregue një ngjarje për të cilën as Gjovalini nuk kishte shumë të dhana, përveç faktit të vrasjes pafaj...

Maliq Bajrami, kur ishte fëmijë jetonte pranë qelës ku shërbente Don Kolec Prennushi në Malin Kolaj. Ky djalë i bie në sy Don Kolecit si fëmijë i squtë mbasi Ai kur shkonte me bagti të veta, i merrte edhe Don Kolecit një lopë që kishte ky dhe e kulloste me të vetat. Një ditë Don Koleci i kërkon babës së Maliqit të vogel, që kur këthente në darkë me ardhë tek qela që nuk ishte as 50 ml. larg shtëpisë së tij e rreth 30 – 40 minuta Don Koleci, Atij fëmijë do ti mësonte shkrim e këndim mos me mbetë analfabet. I ati i Maliqit e falnderon dhe mbas dy ditësh Maliqi fillon me ardhë në qelë me mësue. Don Koleci prej natyre kishte një kaligrafi shumë të bukur dhe i binte në sy kujtdo shkrimi i Tij kjoftë edhe në një shenim që mund të shkruente në dukje “pa kujdes”, e për shenimet që kishte në regjistrat e Kishës tue fillue nga fedet e lindjes etj. jam i sigurt se edhe sot me i pa ata mund të dallohen nga dokumentat e të tjervët për shkrimin e bukur.

Kur forcat partizane shkojnë në fshatin e Maliqit tashma i bamë Burrë, madje martue dhe kishte edhe dy vajza të vogla, i kërkojnë me i shkrue një listë fshatarësh të rijë që donin me i angazhue me forcat partizane...Njenit nga “komandantët” partizan i bie në sy shkrimi i bukur i Maliqit dhe e pyet se ku ka studjue që shkruen aq bukur e pa gabime. Maliqi i tregon se para disa vitësh kur ishte prift aty Don Kolec Prennushi i kishte mësue shkrim e këndim, por shkollë tjetër Maliqi nuk ka vazhdue, përveç atyne orëve që e mësonte Prifti. Ai mbet pak i çuditun sesi një Prift katolik i kishte mësue këtij djali musliman me “shkrue aq bukur”!?...

Si duket, në darkë komandanti e bisedon çudinë e vet me “dikend” tjetër...

Të nesërmen e thrrasin Maliqin aty ku ishte vendosë komanda e partizanve ku ndodhej edhe një fshatarë tjetër, të cilit i kërkonin me ditë se ku asht strehue prifti i asaj krahinë Don Alfons Tracki, misionari gjerman që kishte sherbye në Velipojë, po që kohët e fundit ishte në Shkoder dhe prej andej ishte largue edhe Ai në drejtim të maleve.

Maliqi, tue kenë prezent kur pyesin shokun e Tij për Don Alfonsin, fillon me u tregue se Don Alfonsi asht Ai që ka shpëtue disa djelmë të rijë që gjermanët donin me i dergue në kampin e Prishtinës si komunistë. Ata zemrohen dhe fillojnë me akuzue Maliqin se Ky ishte “korrier” i korespondencës mes Don Alfonsit dhe Don Kolec Prennushit, dhe se asht “spijun” i klerikëve katolik... prandej, “ata i kanë mësue shkrim e këndim”. Maliqi, nuk pranon se Don Koleci asht marrë ndonjëherë me politikë dhe se ka shkembye letra kundër lëvizjes nacional – çlirimtare me anën e Maliqit apo ndonjë përsoni tjetër, dhe asaj fjalë Maliqi i qendron deri në fund.

Ata e mbajtën Maliqin aty mbasi donin me e detyrue që Maliqi me akuzue Don Kolecin!

Maliq Bajrami nuk pranoi me akuzue as Don Kolecin dhe asnjë Klerk Katolik!

Të nesërmen Maliq Bajramin dhe disa fshatarë të tjerë i pushkatojnë bashkë me Te!

Këte ngjarje të shpjegueme nga Miku im mësuesi Gjovalin Prendi, s’ e kam gjetë askund të shkrueme, ndonse jam interesue me vite të tana...Përgjigja e arkivave ishte “asht vra pa gjyq!”

Posa, qindra e mijra Shqiptarë Atdhetarë janë vra e zhdukë “pa gjyq”..?

Komunistët injorantë tue mos ditë me shkrue as emnin e “stalinit math”, babës së tyne që shpesh e shkruenin me shkronjë të vogel, se kujtonin se tue shtue “math” mbrapa janë në rregull, vrasin Maliq Bajramin e Pafajshem...tue e akuzue “spijun” vetëm se kishte shkrimin e bukur...

Në vitin 1946 një Murgeshë që shërbente si infermjere në spitalin e burgut, në podrumet e Spitalit Civil të Shkodres, e quejtun nga të sëmurët e torturuem “Engjulli i birucave” (Gj.T.R.), ka thanë:“Si mbas parimit komunist: Sytë që kanë pa duhën verbue e, duhën shurdhue veshët që kanë ndigjue e, pré gjuhët që mund të flasin e, shkurtue krenat që mund të mendojnë”...

Ky asht parimi thëmelor i komunizmit!...që solli data 29 nandor 1944...

Melbourne, 28 Nandor 2010.