At Dioniz Maka - dëshmi e gjallë e historisë


Nga Fritz RADOVANI:

94 VJET JETË E AT DIONIZ MAKËS,

100 VJETORIN E LINDJËS TIJ…

Ndoshta, tham ndoshta, mbasi besoj se askush nuk e kujton pa zhgun dhe konopin e Shën Françeskut fratin e thinjun që në moshen e Tij të re, me tipare të theksueme burrnore e gjithnjë i zbathun me sandale që shkonte në drejtim të rrugës së vjeter shkodrane Rus. Ishte i familjes së njohtun Maka që banonin në rrugicën Pogej. At Dioniz Maka O.F.M. asht le me 10 Qershor 1910 në Shkoder nga prindët Dodë e Çile Maka, ku mori mësimet fillestare në shkollen françeskane, per me vazhdue të lartat teologjike në Romë dhe me u shugurue Meshtar në vitin 1936, me 15 korrik. Posa kthehet në Shqipni, pa ma të voglen kreni, i formuem me një kulturë të gjanë dhe i përvujtë si vllaznit e vet, merr rrugat e malësive tona dhe fillon me përkushtim të veçantë detyren e famullitarit në Nikaj – Merturë. Gjurmët e Tija janë edhe sot në ato male e bjeshkë, ku, Ai punoi si famullitar dhe pajtoi sa gjaqe të trashigueme brez mbas brezi, një plagë aq e mnershme e rranuese e atyne viseve me tradita aq të mbrekullueshme që ka Shqipnia. Edhe pse ishte i ri fjala e At Dionizit ze vend në votrat e malësorve, aqsa koha kurr nuk veniti dhe as nuk i ndryshoi vendimet e veprat e Tij bamirse. Jeta dhe veprat e Tij janë një vazhdim dinjitoz i Formulës “Fe e Atdhe”. Me datën 17 Janar 1945, bashkë me At Gegë Lumen, janë klerikët e parë që arrestohen nga komunistët që posa kanë marrë pushtetin me 29 nandor 1944, me urdhën të komandantit të pergjithshëm gjeneral kolonel Enver Hoxhës, për me fillue Kalvarin e pafund të Genocidit të tij barbar e të pashembullt në histori. Me 2 Shkurt 1945 edhe në Shkoder arrestohet famullitari i Shkodres Don Mikel Koliqi, At Giacomo Gardin SJ. dhe xhakoni Gjergj Vata, të cilët, të gjithë bashkë vazhdojnë hetuesinë në organet e ndjekjes në Shkoder. Nga ky grup kur zhvillohet gjyqi me 20 korrik 1945, me kryetar Mustafa Iljazin, anëtarë Namik Qemalin e Pjeter Darragjatin dhe prokuror Aranit Çelen, u veçue Don Mikel Koliqi, per me e dënue pak ma vonë e mos me dalë ma deri në vitin 1987. Grupi përbahej nga 16 vetë, ku klerikët zenin kryet e vendit... At Dionizi nuk pranon asgja nga akt akuza, madje, edhe mbron qendrimin atdhetar të At Anton Harapit si dhe të provinçialit At Mati Prennushi, të cilit gjatë kontrollit të bamë në ditët e para të janarit 1945 nga komandanti Sheuqet Peçi, i asht gjetë një leter që At Dionizi i ka dergue pak ditë para 29 nandorit 1944, në të cilen At Dionizi pyet At Matinë, çfarë me ba me armen personale që At Dionizi mbante gjatë udhtimeve të gjata e të frikshme nder male e pyje. Në gjyq Ai deklaron burrnisht se “Kisha ne na ndalon me vra njeriun” dhe, se akuza asht ndertue nga të dhana të hafijeve (spijunve) që ishin në Sigurimin e shtetit komunist por, jo, mbi fakte. At Dionizi u dënue me 8 vjet heqje lirije, të cilat i bani ditë në ditë të gjitha. Mbas daljes nga burgu vazhdoi detyren e famullitarit në Iballe të Pukës, Berishë, Fierzë e Pukë deri në vitin 1967, kur “Revolucioni Kultural” mbylli të gjitha Kishat dhe shkatrroi pothuej të gjitha veprat e kultit. Rikthehet në Shkoder dhe jeton pranë nipit vet në rrugen Pogej. Asht edhe Ky nga ata klerikë që survejohet nga sigurimi i shtetit, ndonse, në dukje ishte pothuej i “heshtun”, gja e cila e ka mbrojtë nga arrestimi i asaj periudhe aq të rrezikshme për kler e çdo njeri që besonte në Zotin. Po, duhet theksue e vërteta se At Dionizi, ka krye çdo sherbim fetar pa iu ndigjue zani dhe, asnjëherë nuk ka refuzue me krye detyren e Meshtarit nga frika. Ajo që ngritë figuren e Tij asht Burrnia dhe Fisnikia e Tij ndaj shokve të vet klerikë dhe të gjithë të njohtunve ndër fshatrat ku ka sherbye, të cilët, edhe sot e kujtojnë At Dionizin si një Meshtar i vertetë që çdo fjalë apo bisedë delikate me Te ishte “Rrëfim” dhe, humbte përgjithmonë... Para vitit 1991 pothuej nuk kam pasë rasen me u njohtë afer me At Dionizin, ndonse, kur kam pasë ndigjue emnin e Tij, gjithmonë e kujtoj për mirë. Ai respekt i ruejtun prej meje më ka shtye që në vitin 1993 me u takue me Te, mbasi më interesonte mendimi i Tij në lidhje me atë ngjarje aq shumë të përfolun në Shkoder në vitin 1958, kur u zhvillue gjyqi i priftit Don Ejëll Kovaçi, sepse At Dionizi ishte ndër të paktit klerikë që vazhdonte me shetitë dhe me sherbye prap mbas vitit 1991, ndër ata fshatra të Pukës ku asht zhvillue ngjarja e veshun nga sigurimi i shtetit për veladon e paster të Don Ejëllit. Sigurisht, kishe bindje se At Dionizi e ka gjurmue të vërtetën e asaj ngjarje të sajueme nga komunistë dhe po aq tragjike sa veprat e tyne kriminale. Në vitin 1993 jam takue me Te dhe mbasi u hap biseda e gjyqit Don Ejëllit, At Dionizi më ka tregue se skenari asht pregatitë nga Ministria e Mbrendshme në Tiranë në bashpunim me terroristin Hilmi Seiti, kryetar i degës së mbrendshme në Shkoder në vitin 1958. Ishte koha kur kleri kishte nënshkrue Statutin e Kishës që në vitin 1951. Ndër të paktit klerikë që nuk e ka nënshkrue atë Statut, ishte edhe Don Ejëll Kovaçi me Don Dedë Malaj e At Konrrad Gjolaj, që edhe Ata pasojnë shumë shpejt Don Ejëllin. Ato ditë ka ardhë nga Tirana në Shkoder koloneli i ministrisë Mehdi Bylbyli dhe bashkë me Hilmi Seitin kanë shkue në Pukë, dhe prej atje kolonel Bylbyli ka shkue dhe asht lidhë me Markun, kryetarin e këshillit popullor, gjoja me ndjekë disa të arratisun të cilët, kur po ecshin bashkë, tue kalue pranë bregut të lumit, koloneli aty e ka vra Markun dhe prej atje e ka çue tek çela e priftit, kohë në të cilen Don Ejëlli nuk ishte fare aty. Kjo ngjarje e zhvillueme naten u ba objekt i gjyqit që naten e “bante” ditë e të kunderten. Hetimet e zhvillueme në Shkoder nën kujdesin e Hilmi Seitit, sollën dramen e Priftit, i cili, pa pikë faji u pushkatue tue u njollosë nga sigurimi i shtetit me akuzat ma të pabesueshmet prej Popullit të Shkodres, të cilat, i denoncoi aty në prani të Hilmi Seitit, motra trime e Don Ejëllit, Angjelina, tue ia përplasë të vërteten per surrat në sallë të gjyqit kur gjithë Shkodra ndigjonte në altoparlanta fjalen e Saj. Angjelina tregoi sesi Hilmia gjatë hetimeve firmat e Don Ejëllit në proces ia ka marrë me revolver në gojë: “O firmo, ose të holla trutë në erë...”. E ky episod i atij gjyqi bani që Angjelina fitoi mbi shpifjet e kurdisuna kunder Priftit, Vëllaut të Saj pafaj nga sigurimi i shtetit, edhe pse Ai u pushkatue e Kjo vuejti shumë e shumë vite burg!

At Dionizi, për disa kohë kishte shkue ndër shtëpijat ku sigurimi dhe Hilmi Seiti aso kohe kishin ba presion me publikue ngjarjen e sajueme prej tyne si të vërtetë, madje, At Dionizi kishte takue dhe familjar të Markut, të cilët, i kanë tregue emnin e kolonel Mehdi Bylbylit, që ka vra Markun atë natë kur ishte me te tue shkue bregut të lumit. Një fshatar i kishte tregue mënyren sesi kufomen e Markut e kanë bajtë e çue tek çela, por At Dionizi atë fshatarë nuk e tregonte, mbasi ai ishte pendue per shpifjet ndaj Don Ejëllit, po të vërtetën ai ia kishte tregue në rrëfim. Po kështu, ka ngja edhe me At Leonard Shajakun në sallen e gjyqit po per këte çeshtje. At Leonardi dinte zhvillimin e vërtetë të ngjarjes që në kohen e vrasjes së kryetarit të këshillit, por as Ai nuk mund të thonte asnjë fjalë mbasi “tregohej” sekreti i rrëfimit, gja për të cilen Ai u denue me 5 vjet heqje lirije dhe u interrnue kur deklaroi në gjyq, se: “Duhet ta dini se Kisha nuk njeh asnjë Meshtar që ka kallxue Rrëfimin, prandej, mos e kërkoni këte, se nuk do ta gjeni as ju tek unë!” (Dosja 2229 Arkivi M.Mbrendshme, Tiranë).

Asht pikërisht ajo kohë kur Hilmi Seiti, tue pa deshtimin e vet dhe të sigurimit të shtetit e PPSh që drejtonte sigurimin përballë klerikve katolik, që vetsakrifikohen heroikisht po nuk tregojnë sekretin e sakramendit të rrëfimit, interrnoi edhe françeskanin At Marjan Prela, një tjeter figurë e një Meshtari Atdhetar, edhe Ky figurë shumë e njohtun në Shkoder.

Po kështu i ka ngja edhe Don Kolec Prennushit kur asht arrestue në vitin 1948. Sigurimi i kerkonte me ditë se “pse para se të arratisej mësuesi i Samrishit Ndue Prendushi, ka ardhë e asht takue me Don Kolecin?”, po, Don Koleci pranon se ai i ka kthye “një borxh” që Ndou i kishte gjoja Atij, ndërsa, e vërteta ishte se Ndou kishte ardhë me u rrëfye para se të arratisej, tue pasë frikë se edhe mund të vritet kur mendonte me kalue në Jugosllavi, tue pre me not lumin Buna. Sakramendi i rrëfimit asht një temë tjeter e veçantë ku sakrificat e klerikve perballë atyne torturave të mnershme që ka ushtrue sigurimi i shtetit mbi trupat e priftenve ishin pa rezultat, se në 46 vjet të sistemit komunist në Shqipni, ASNJË klerik nuk ka nxjerrë një sekret rrëfimi, madje kjo nuk ka ngja as edhe prej atyne pak klerikve që edhe i kanë sherbye sigurimit. Ata kanë pranue me “shpifë” por jo me nxjerrë sekretin kjoftë edhe të një rrëfimi, gja që e ngritë edhe ma lart vleren e Klerit Katolik Shqiptar, përballë genocidit komunist të Enver Hoxhës e Ramiz Alisë.

At Dionizi kishte një memorie të shëndoshtë dhe shumë të saktë. Më tregonte aty nga viti 1994, gati mbas 50 vjetësh se gjyqi ndaj Tij në 1945 po zhvillohej i rrebtë, mbasi mendohëj nga Sigurimi me hjedhë thëmelët e një “Partisë Demokristjane”, që as nuk i kishte ndigjue zanin se asht formue në Shqipni. Flitëj për vitët 1943-44. At Gega vazhdonte me mohue para gjyqit akuzat false në drejtim të tij. At Gardini, në krahun tjetër nuk pranonte se ka ardhë në Shqipni për qëllime spijunazhi ndërsa, At Dionizi, qëndronte në të tijën, se nuk asht marrë me politikë. Njëfarë Nuri Llazanit spijun i sigurimit komunist, akuzon At Gegën, se ky i kishte ndjekë me kalë, kur ai ishte kenë me një grup partizanësh... At Gega mohon tue kërkue dëshmitarë tjerë që janë kenë me te mbasi ishte i sigurt se ngjarja nuk asht e vërtetë, por asht trillim i Nuriut. Por, Nuriu, jo vetëm ngulë kambë se asht ashtu si thotë ai, por edhe kërkon nga trupi gjykues që At Gega me shokët e tij në bankën e të akuzuemve, jo vetem të dënohen por të marrin dënimin ma të randë nga gjykata. At Gega aty për aty çohët në kambë dhe, i thotë: “Po më vjen marre mue, sësi nji turk Shkodrët akuzon në rrenë nji klerik katolik, pa kenë kurrgja e vërtetë!”. Fadil Kapisyzi që do të dëshmonte për At Dionizin, e zbutë “dëshminë” e tij, tue pasë frikë se edhe ai po merr një përgjigje si Nuriu, prej At Dionizit. Kjo thanje e At Gegës, më tregonte At Dionizi u ba shkak që na me marrë dënime të lehta, mbasi fjala e At Gegës mori dheun... Nder bishat e vërteta të sigurimit At Dionizi, kujtonte edhe kriminelin kolonel Merkur Çelo...

At Dionizi asht i paharrueshem edhe pse me gurët e thëmeleve të sa e sa Kishave të reja të rindertueme mbas vitit 1991 që, Ai ka vendosë anë e kand Shqipnisë, Ai ishte një Misionar i Madh që punoi me zellë për forcimin e Besimit në Zotin, pikërisht aty ku Feja Katolike pothuej ishte tue u shue nga genocidi komunist i pashembullt që ka provue Populli besimtar Shqiptar. Edhe At Dionizi ishte një galeri e pafund ngjarjesh...vertetë tragjike, po të lavdishme!

Ai vdiq me 30 Dhetor 2004, në moshen 94 vjeçare po, për ne që e njohtëm fjala e Tij dhe gjykimi i freskët na bajnë “me dyshue” nëse ishte apo jo Ai Burrë, që u arrestue i pari me At Gegë Lumen në 1945 dhe, vdiq po thuej, ndër të fundit françeskan në Mijvjeçarin e tretë?

Vepra e tyne per Fe e Atdhe, Ata i i bani të Pavdekshem ...

Melbourne, Gusht 2010.