EDHE UNË KAM ME DALË ME JU ME E MBROJTË PIRAMIDËN

Shtypni figuren link per te pare masakrat e komunisteve mbi shqiptaret: http://youtu.be/jJ2mnTG6dPE

EDHE UNË KAM ME DALË ME JU ME E MBROJTË PIRAMIDËN

Diktatorë gjithfarllojit ka pasë krejt Lindja, po kërkush prej tyne s'guxoi me shkue aq përtej në histori e në delir, sa me u krahasue me egjiptasit e tremijë vjetve ma parë, apo aztekasit e mavonshëm... Ne po! Sigurisht, jo vetëm guxuem po tashma edhe ia mbrritëm guximshëm kësaj "lavdie"... Tutankhamoni i Tiranës kish mbjellë aq shumë pionerë, flamurtarë e ndjeksa, sa s'e kish pá t'arsyeshme me ia ba vedit piramidën... i sigurt se ajo farë piramidale e derdhun mbas tij, kish me e tejkalue edhe atê... E kam pá at piramidë në ditët e saj ma të lavdishme dhe gjithnji kam mendue se mashtrimi dhe frika sado me zgjatë s'munden me sundue në përjetsi...

10.08.2011

JOZEF RADI

Piramidën kam pasë rast me e pa ndër të parat ditë, kur andrra e vazhdimsisë vërtitesh si nji skifter i panginjun mbi kokat e lodhuna të nji populli, që prej kohësh e kishte humbë pusullen nga duhej ecë e nga mundej me u projektue e ardhmja e tij. Me pak fjalë, kur u shfaq piramida, partia prej kohësh e kish zhytë krejt nji popull drejt bjerrjes së plotë të respektit ndaj vetvetes...

Si vizitor i edukuem me pa përtej asaj çka dukej... s'mundem me e mohue as madhështinë fillestare t'asaj vepre, as at shkëlqim lëbyrës e të mermertë aty mbrenda saj, as at konceptim djallzor ku ishte jo veç diktatori, tashma fantazëm e mermertë, por edhe e shoqja me krejt institutin e saj famzi, edhe ndjeksi e mkambsi i tij ma i zelltë me at zanin e hollë si violinë e dytë, edhe e bija arkitekte "që aty nisi, aty mbaroi...", edhe dhandrri kolanecas, të tanë të mbledhun aty kokmëkok, me qitë në dritë nji vepër ku lavdia dhe frika ishin në kufijtë ma të epërm të tmerrit, bash aty në qendrën e kryeqytetit ma të terrorizuem e ma të gjymtuem të Lindjes...

Diktatorë gjithfarllojit ka pasë krejt Lindja, po kërkush prej tyne s'guxoi me shkue aq përtej në histori e në delir, sa me u krahasue me egjiptasit e tremijë vjetve ma parë, apo aztekasit e mavonshëm... Ne po! Sigurisht, jo vetëm guxuem po tashma edhe ia mbrritëm guximshëm kësaj "lavdie"... Tutankhamoni i Tiranës kish mbjellë aq shumë pionerë, flamurtarë e ndjeksa, sa s'e kish pá t'arsyeshme me ia ba vedit piramidën... i sigurt se ajo farë piramidale e derdhun mbas tij, kish me e tejkalue edhe atê...

E kam pá at piramidë në ditët e saj ma të lavdishme dhe gjithnji kam mendue se mashtrimi dhe frika sado me zgjatë s'munden me sundue në përjetsi...
Mbas ma pak se tri dekadash, sot Piramida e Tutankhamonit të Tiranës asht nën shenjën e gishtit poshtë... Kjo ngjarje që ka zgjue guximin e shumë prej atyne që e kanë dashtë Tutankhamonin e Tiranës e që sot me plot të drejtë kërkojnë me e mbrojtë atë... Nëse nisemi nga dhimbja për mundin dhe djersën e derdhun në at mbrapshti të historisë, edhe unë i bashkohem idesë me e lanë njâshtu në kambë, pa harrue se ma shumë se djersë e mund, aty âsht derdhë gjak, eshtna e dhimbë njerzore. Asht pikrisht ky gjak e kto eshtna, që po luftohet me u harrue gjithqysh, e që e bajnë kët hukubet të mbetun në kambë midis Tiranës, dëshminë ma sublime të poshtnimit të vetvetes në vazhdimsi...

Po unë sot s'due me marrë përsipri zhguljen e kësaj mostre, unë jam gati me u bashkue me mbrojtësit ma t'flakruem të saj dhe dëshiroj me e çue zanin deri në kupë të qiellës me e mbrojtë me gjithë mjetet e mundshme legjitime kët makabritet të vazhdimësisë... me nji kusht të vetëm që: Gjithë kështjellarët e kësaj vepre, - që tash na ka mbî ndër sy shëmtueshëm, (degradim arkitektural i së keqes e dëshmi e asaj çka s'duhet harrue), - me mbrojtë së bashku, edhe nji barakë, në nji ish-kamp internimi... E pse jo!!! E keqja âsht bashkudhtare e jetës njerzore... ajo rrezikon gjithnji me u përsëritë në përmasa edhe ma tragjike... prej indiferencës...
...edhe unë kam me dalë me JU me e mbrojtë piramidën... me të gjithë JU që flakëroni prej idesë së mbrojtjes së saj, sikur ndonji prej jush, prej atij grupi të pafund shkrues-folësish të përditshëm, të bashkohesh me mue për me e mbrojtë kët barakë të randomtë internimi, hjedhun midis baltës së Myzeqesë...
...edhe unë kam me dalë me JU me e mbrojtë piramidën... po të bashkohesh kush me mue me e mbrojtë kët qoshe barake në Savër, ku asht përkthye "Orlando i çmendun" i Ariostos prej përkthyesit Guljelm Deda... ku kaloi ditët e fundit të jetës figura historike e Çamërisë, Rexho Plaku, së bashku me të shoqen Mirushen, motrën e Teme Sejkos, nji grue që rrallëkush ka shpërnda mirësi dhe fisnikëri si ajo.
...edhe unë kam me dalë me JU me e mbrojtë piramidën... po të vinte qoftë edhe nji ditë të vetme Artan Lame i arkivave, e me e fotografue për arkivën e vet historike, edhe kët qoshe barake, ku malësorja heroinë Gjylije Kolgjini, e shoqja e Tahir Kolgjinit, rriti katër vajza dhe djalin e vetëm, Ahmetin, të cilin pa i mbushë njizet vitet ia futën në burg... at qoshe barake që s'ka ndie ndonjiherë festë ma të madhe se martesa e atij djali të imtë, të vetëm, e jetim me babë gjallë, mbas daljes prej burgut të parë...
...edhe unë kam me dalë me JU me e mbrojtë piramidën me mish e me shpirt... nëse merobazet do të kishin qoftë edhe nji qindarkë dinjitet me çue zanin me e shpëtue kët qoshe të mjerë e të katandisun, ku ndrydhën rininë e tyne djemtë e vajzat e familjeve Dukagjini, Kalivioti, Kulla e Hoxha. E ku ngrysi ditët e mbrame mbas daljes nga burgu i gjatë, burri fisnik e fjalëpak, Anton Dukagjini...
...edhe unë kam me dalë me JU me e mbrojtë piramidën... sikur shtypi dhe mediat të kishin kurajo me e sensibilizue opinionin, - se në histori s'ka objekte të mëdha e objekte të vogla, ka vetëm objekte... - dhe halli i njasaj piramide që kahera shëmton kryeqytetin e shqiptarëve, e shpërndan gjymtimin dhe duhmën e saj mbarë këtij vendi... s'asht i vetmi objekt i asaj epoke për me u mbrojtë "gjer në pikën e fundit të gjakut"...

Po t'i shofësh si vlera: si Baraka e Atyne që andrronin lirinë, ashtu dhe Piramida e Atij që ia kishte vu thonjtë në fyt lirisë, janë katandisë si mozotmakeq...
Me e mbrojtë kët Barakë prej rrënimit, unë them se ia vlen ma shumë se me mbrojtë at Piramidë. Ajo Barakë mund ta mbronte Piramidën, po deri sot s'ka dalë kush me e mbrojtë kët Barakë, prandaj më thoni, si mundem me dalë e me e mbrojtë Piramidën me Ju!!! Nji zâ bahet koral, nëse shihet përtej vogëlsinave të randomta, përtej simboleve, përtej interesave meskine e t'përkohshme, përtej nostalgjisë për Luigjin XIV... përtej kohës që jetojmë... po larg, larg... diku në t'ardhme...
Për fat të keq, ende ndër ne s'âsht kuptue si duhet fakti se tue e mbrojtë të keqen shkaktuese, kemi mbrojtë burimin e së keqes, e duke mos i mbrojtë të këqijat e shkaktueme, nji ditë kemi me u ba sërish ne e keqja e pësueme në nji botë që shurdhohet përditë e ma shumë...
Ndoshta kjo pamje përmbys e së vërtetës e bân edhe ma të trishtë pamjen e ktyne dy objekteve historike, e ban edhe ma të dhimbshme mbrojtjen tonë mjerane, sepse përditë e ma shumë po këputet lidhja mes të vërtetave historike dhe kujtesës kolektive të nji populli, nji populli që ende çoroditet drejt së ardhmes, nga kanga e Sirenave të Uliksit...
Eh, sa kisha me dashtë edhe unë me JU me e mbrojtë (jo veç) piramidën...

DOM MIKEL BELTOJA 1935-1974 - nga D.Gazulli



DANIEL GÀZULLI

DOM MIKEL BELTOJA - Pushkatimi i fundit
Martir i Atdheut dhe i Fesë
(17 Prill 1935 – 10 Shkurt 1974)

Viti 1966, Kongresi V famëkeq i PPSH, do të shënonte një ndër periudhat ma të zeza të jetës politike e shoqnore të Shqipnisë, thuejse si në vitet e përgjakëshme 1944-1949. Mbas tij erdhën si fortunë shkatrrimtare lufta kundër fesë, shkatrrimi barbar i Kishave e i Xhamive dhe kthimi i tyne në depo armatimesh apo prodhimesh bujqësore; kundër kulturës e artit ma të mirë kombtar e ndërkombtar; denigrimi i çdo tradite të shëndoshë shqiptare; militarizimi politik i shkollës; kthimi i grues në një robot sfilitës nëpër aksione (punë pa pagesë), stërvitje ushtarake e shpërfytyrime të tjera në emën të të ashtuquejtunit emancipim; tjetërsimi i rinisë; kallja e frikës tek të gjithë nëpërmjet riakutizimit të luftës së klasave, e sa e sa shëmtimeve të tjera.
Nuk kanë qenë të shumtë ata që mundën t’i banin ballë një presioni të tillë politik, social, ekonomik, psikologjik, e deri thjeshtë policesk. Ata që i rrezistuen pa u lëkundë një çast në udhën e një jete kalvar, ishin thjeshtë heroj. Mjaft të kujtojmë dy prej tyne: Të madhin At Pjetër Mëshkalla dhe stoikun Dom Mikel Beltoja.
Për njenin prej tyne, për të thjeshtin, por madhështorin, të paharrueshmin Dom Mikel Beltoja do të përpiqem të them dy fjalë.
Me pushkatimin e legjendarit Dom Dedë Malajt e të Dom Ejëll Kovaçit, sidhe dënimin me 20 vjet burg të At Kondrad Gjolajt, si të thuesh, ishte mbyllë cikli edhe i eliminmit fizik të Klerit Katolik Shqiptar. Tashma kundërshtari ma i vendosun e i nivelit ma të naltë të komunizmit ishte eliminue thuejse krejtësisht. Terrori psikologjik ndërkohë kishte ba punën e vet: Ata të paktë meshtarë që kishin ngelë ende gjallë, dhe ende “të lirë”, duhej të mësoheshin të heshtnin.
Në këto rrethana, e mbas izolimit të plotë nga bota perëndimore, veçanarisht nga Vatikani, Imzot Çoba u përpoq të zëvendësonte numurin e reduktuem të meshtarëve pothuejse në zero tue hapë pranë Arqipeshkvisë në Shkodër një kurs teologjik e filozofik të drejtuem prej atij vetë, që të mund të përgatiste edhe ndonjë meshtar të ri. Në atë kurs morën pjesë kryesisht ish studentë të Seminarit Papnor të Shkodrës, mbyllë në vitin 1946. Përjashtim bante vetëm një djalë i thjeshtë nga Beltoja, Hilë Gjergji, i njohun ma vonë me emnin Dom Mikel Beltoja.
Ata që ndiqnin atë kurs ishin të vetëdijshëm çfarë mund t’i priste: si paraardhësit e tyne – burgjet, pushkatimet, persekutimi i gjithëfarëllojshëm.
Por ndërsa të tjerët, në fund të fundit, e kishin pasë me kohë vokacionin drejt meshtarisë, ishin pra të përgatitun edhe shpirtnisht e psikologjikisht me përballë çfarëdo rreziku, çfarë e kishte shty atë djaloshin fshatar nga Beltoja me marrë në sy ashtu rrezikun?
Hilë Gjergji kishte le me 17 prill 1935 në një familje të thjeshtë fshatare, por të devotëshme ndaj fesë. U rrit në një mjedis ku thjeshtësia e një jete gati biblike dhe atdhetarizmi kishin rrajë të lashta: në ato treva historia shqiptare ishte shkrue me shkronja të arta, ashtu siedhe ruente në kujtesën e vet historike tradita të shqueme të katoliçizmit.
Një ndikim të veçantë në edukimin e djaloshit të ri pat edhe ishseminaristi Pjeter Gjoka, një prej studentëve të fundit të Seminarit Papnor të Shkodrës, i cili ishte dënue me 10 vjet burg në gjyqin famëkeq kundër At Gjon Shllakut, At Giovanni Faustit, At Daniel Dajanit e themeluesit të së parës organizatë demokratike dhe antrikomuniste në Shqipni, semianristit Mark Çuni, të katërt të dënuem me vdekje.
Vitet e para të jetës së Hilës së vogël nuk kanë asgja të veçantë për t’u shënue. Ai kreu shkollen e detyrueshme, 7-vjeçaren, si i thonin atëherë, punoi në kooperativë bujqësore ndër punët ma të randa për moshën e tij të njomë, kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Asgja për t’u shënue në jetën e tij të përvuejtë, por me një devotshmëni shembullore ndaj fesë.
Paraqitja e Hilë Gjergjit në Arqipeshkvi për t’u regjistrue në kursin e meshtarisë ishte befasuese për të gjithë: për bashkfshatarët, që pyesnin, “po ky, a e di se çfarë do ta gjejë”; për vetë Imzot Çobën, i vetëdijshëm për nivelin e ultë arsimor të djaloshit, por i befasuem për kthjelltësinë dhe vendosmëninë e tij për të marrë rrugën e meshtarisë. Sa fillonte pyetjen Imzot Çoba për ta paralajmrue se çka mund ta priste e nëse ai ishte i përgatitun me i përballue vështirësitë, Hila i ri i përgjigjej pa mbarue: “Po, e di. Edhe Jezusi e dinte se do të shkonte në Kryq. Çka jam unë para Tij?!”
Mbas tre vjetësh përgatitje intensive, ditë e natë mbi libra të shejta, Hilë Gjergji u shugurue meshtar me datë 08/12/1961. Andërra e tij me u ba shërbëtor i fesë së Krishtit e mos me lanë të krishtenët pa bari, ishte ba realitet.
Ata që e njohën nga afër do të kujtojnë se Dom Mikel Beltoja nuk dallohej për ndonjë gja të veçantë: Nuk ishte erudit si paraardhësit e tij; nuk shfaqte ndonjë mprehtësi të jashtëzakonëshme as në shtjellimin e predikimeve; nuk ishte ndonjë orator i shquem si përmendeshin At Anton Harapi, Dom Ndre Zadeja, Dom Kolec Prennushi etj.; por në vendosmëni e përkushtim ai nuk i lëshonte radhë askujt.
Po në fund të fundit edhe ato vite të pakta meshtarie, pse më 1967 u mbyllen Kishat, nuk asht që lanë ndonjë gjurmë të veçantë ndër besimtarë gjatë shërbimit të tij në Dajç të Bregut të Bunës, Shllak e Barbullush.
Kur famëkeqi revolucion kulturor çoi në mbylljen e Kishave, Dom Mikeli u tërhoq në Beltojë pranë familjes. Kishte fillue arrestimi në masë i atyne pak meshtarëve që ishin ende në shërbim (shumica e të cilëve e kishin provue burgun të paktën edhe një herë ma parë). Dom Mikeli u tërhoq në Beltojë, por nuk u tërhoq për anjë çast nga shërbimet fetare që ia kërkonin besimtarët. Ndërsa meshtarët tjerë, ende “të lirë”, ishin strukë të tmerruem në ndonjë barakë apo pranë ndonjë të afërmi, ai shkonte kudo e thërriste detyra: prej Barbullushit deri në Shllak, atje ku njerëzit kishin nevojë ma shumë të besonin se ky nuk mund të ishte fundi. Ai vinte kunora martese (tinëz, natyrisht), pagëzonte e krezmonte fëmijë, pa pyetë se cilat do të ishin rrjedhojat.
Prifti fshatar, i heshtun, por edhe i ambël, i thjeshtë deri aty, por edhe trim deri aty, nuk desht t’ia dinte si e ndiqte rrjeta e merimangës së zezë, Sigurimit të Shtetit. Kur ndokush e paralajmronte se çka po i përgatiste vetes, ai i përgjegjej buzëgaz: “Mirë, kështu thanka partia? Po ligji? A asht kund e ndalueme me ligj me pagëzue fëmijtë?”
Prangat e zeza, të trashëgueme pa numur qysh kur punët me Jugosllavinë ishin grunë, e “dhurue” me zemërgjansi për duer të shqipatrëve, ranë edhe mbi duert e ndershme të priftit fshatar. Ishte data 19 prill 1973.
Motivi? Agjitacion e propagandë kundër partisë. Ia dëshmuen dhe ai e pranoi se kishte thanë: “Dashnia e Zotit asht e përjetëshme, drejtësia (padrejtësia) e njerëzve asht e përkohëshme... Bashkë me bukën e përditëshme duhet t’u jepni fëmijëve edhe virtytin. Atdheu forcohet nga virtyti i bijëve tuej. Dëvotshmënia ndaj Zotit asht dëvotshmëni ndaj Kombit.”
Ja, pra, “agjitacioni e propaganda”, për të cilat dënohej deri në 10 vjet burg: “Atdheu forcohet nga virtyti i bijëve tuej. Dëvotshmënia ndaj Zotit asht dëvotshmëni ndaj Kombit.”
Prokurori kërkoi shtatë vjet burg e poaq i dha edhe trupi gjykues.
Por pikërisht atëherë, në fjalën e tij të fundit, aty në sallën mjerane të Kandit të Kuq (si quheshin atëherë disa godina gjoja për “edukim e argëtim”), para bashkëfshatarëve të tij, Ai, i thjeshti Dom Mikel Beltoja, u ngrit me tanë madhështinë e tij dhe tha: “Këtu, në bankën e të akuzuemëve duhej të ishte Enver Hoxha, jo unë!”
A mund të parafytyrohet sot si iu hodhën bishat sipër, si ia shpunë trupin me biza, aty në sallë, para trupit gjykues e bashkëfshatarëve, a mund të parafytyroni se si gjaku i të pafajshmit Dom Mikel Beltoja shndriti mbi rrobat e tij e deri mbi dyshemenë e pistë të sallës, ndërsa Ai, kafshonte dhimbjet dhe lutej: “Fali o Zot, vëllaznit e mi, se nuk dinë çka bajnë!”.
Kanë kalue vetëm shumë vjet nga ajo ditë. Janë ende gjallë mjaft ata që u gjenden të p.ranishëm para atij masakrim
Gjykata vetë (jo Prokuroria) iu drejtue Gjykatës së Naltë të ”lejonte” zhvillimin e një gjyqi tjetër “plotësues”. Bashkë me kërkesën e saj, Aranit Çelës i arrinte edhe një relacion i Degës së Punëve të Mbrendëshme të Shkodres nga kryetari i saj Tomas Beqari dhe një shënim nga katili Feqor Shehu, ku kerkohej ndryshimi i denimit "për ta pushkatuar".
Aranit Çela, që kishte firmosë pushkatimin e sa e sa klerikëve, nuk kishte si të mos e pranonte këte kërkesë.
Nuk vonoi edhe gjyqi i dytë. Me datë 04 shtator 1973 Dom Mikel Beltoja dënohet me vdekje me pushkatim.
Ç’fakte të reja u sollën në gjyq, që të përligjte ndryshimin nga shtatë vjet burg në pushkatim? Asnjë. Nëse “e re” nuk do të konsiderohej fjala e tij e fundit në gjyqin e parë: “Këtu, në bankën e të akuzuemëve duhej të ishte Enver Hoxha, jo unë!”
E Ai nuk pranoi as të bante ankesë, as kerkese për falje jete dhe as të shprehte pendim. Për çfarë pendim? Po, “jam i penduem se nuk kam mundë ma ba gja nga ajo qe duhej me ba po, jo se kam krye ndonjë vepër”.
Në pritje të “miratimit” të pushkatimit, Dom Mikeli provoi një ndër kalvaret ma ngjethëse në burgun e Degës së Mbrendëshme në Shkodër.
Ato ditë ishte arrestue edhe gjashtëmbëdhjetëvjeçarja shkodrane Laura Keçi, që do të ishte fqinje qelie me Dom Mikelin e që ka shkrue në një letër të Saj këte dëshmi . Ja disa fragmente nga kujtimet e saj:
“Kur isha ende pa u arrestue, kisha ndigjue se një prift i ri predikonte pa frikë për Jezu Krishtin dhe bante shërbime fetare .................. prandej edhe e dënuan me vdekje. Populli i Shkodrës u trondit shumë nga ky vëndim kundrejt një njeriu të pafajshëm, që me qëndrimin e tij burrnor, ringjalli në opinionin publik edhë njëherë kujtimin e Martirëve të Fesë.
Isha 16 vjeç kur u arrëstova dhe shprehja e parë që ndigjova porsa më futën në hetuesi, ishte: “Ç’ti bësh, po të ishte pak më e madhe në moshë, do ta pushkatoja pa mëshirë me priftin që sonte...” - dhe, më futën në një birucë aty afër tij.
Dua të tregoj si e torturonin njeriun e Zotit: Komandanti Basri Temja nga Lushnja i sillte gjellën Don Mikelit, që ishte i lidhun kambësh e duersh me zingjir në birucën e tij tue pritë vëndimin e Tiranës për pushkatim. Gjella si dukët ishte shumë e ngrohët, mbasi nga djegëja e saj ndigjohej britma e Priftit, që nuk mund ta kapërdinte. Kur mbyllte gojën, dëgjohej krisma e tasit të aluminit, që rrokullisej nëpër çimento, mbasi ia hidhte fëtyrës “supën” përvluese. Kjo ishte një torturë që përsëritej gati çdo ditë, ose edhe dy herë në ditë. Një polic i birucave me emnin Shefik, vinte me çizmët e tija të randa, hapte birucën e Don Mikelit, e veç kur ndigjohej krisma e kockave të kupave të gjunjëve nga shqelmat që i binte të shkretit Prift. Goditjet ishin aq të forta, sa që, betohem, se kam ndigjue me veshët e mi kockat e Don Mikelit tue u thye...
Një ditë, përsonaliteti dhe vëndosmënia e tij e friksoi antikatolikun Shyqyri Qoku, i cili shfreu dufin e tij patologjik prej sadisti tue e torturue aq shumë fizikisht Don Mikelin, sa, kur më mori mue fillë mbas tij në zyrën e hetuesisë, u tmerova dhe gati nxora zorrë e mushkni nga goja kur pashë një bluzë të bardhë me të cilën na mbështillnin gjatë torturës, të lame me gjakun e pastër të Martirit dhe me njolla ngjyrë jeshile të bame nga vjelljet, prej shqelmave të tyne... E mbajta vedin, u kapërdiva dy-tre herë për mos me kënaqë xhelatin e përbashkët tonin dhe komandantin që ishte aty me te. Kur i pashë fëtyrat e tyne të zverdhuna, si fëtyra të vdekunish, që zbulonte ndërgjegjën e tyne të randueme me krime, që shpesh edhe i kalonte në bisha të pavetëdijshme, m’u duk sikur po analizonin pafajsinë e Don Mikelit dhe peshën e randë të “fajeve” të mija, që nuk isha aspak ma shumë se 16 vjeçare... mora zemër nga qëndrimi i mpimë i këtyne dy kafshëve të tërbueme, e u thashë: Shihni vehtën në pasqyrë!... Shihni si jeni ba!... Moralisht jeni të dy të mposhtun nga Don Mikeli ...... Ai ka fitue mbi ju, edhe pse fizikisht ndoshta Ai asht i shkatrruem, ju jeni të shpartalluem në ndërgjegjën tuej, mbasi nuk dini se për çka e torturoni. Kjo asht dishmia ma e kjartë e fitorës së Jezu Krishtit, përmes dyshepullit të tij Don Mikelit ............
Përgjigja e tyne kje vetëm kjo: “Prandej asht tue ju ndihmue...”
Kur pashë gjunjëzimin e tyne, mora edhe njëherë zemër dhe u thashë: “Pse, ndihmë e vogël ju dukët ju lutja e tij, ju e torturoni dhe Ai lutët për shpirtin tuej ....... Pse, a ndihmë e vogël ju duket ju, që unë një vajzë e re nuk frigohëm aspak para jush?...
Veç një virrëm qeni ndigjova: “Dil jashtë!... Jashtë!...” Aq shumë ishte torollosë, sa kishte harrue se unë nuk kisha si me lëvizë, se isha e lidhun për karrige. Kur u kujtue komandanti, më zgjidhi, urdhnoi policin që ishte mbas dere me më çue në birucë. U shtrina përtokë si zakonisht, por e kënaqun ... fjeta ...
Mbas pak kohe më doli gjumi nga zani i fuqishëm i predikuesit të Ungjillit. Dom Mikeli ishte zgjue para meje dhe po bante lutjen e përditëshme për shpëtimin e shpirtit të torturuesve të tij: “Mos torturoni vëllaun tuej... Jam tue u lutë për shpëtimin tuej edhe pse ju më torturoni mue, kërkoni falje Jezusit, se, Ai asht aq i mëshirëshëm, sa ka me i falë mëkatet tueja...........
Tregoni edhe Hoxhës e Shehut, se ndëshkimi i Zotit asht aq i madh për krimet që kanë ba, sa fundi i shekujve nuk ka me i shpëtue ....... Tregoni atyne që me krimet që kanë ba, kanë shkretnue familjet shqiptare dhe kanë vorfnue kombin tonë... Hiqni dorë nga vrasjet e djelmëve, vëllazënve tuej, mos vishni në zi nanat, motrat e gratë shqiptare, që tash sa vjet nuk i kanë hjekë rrobat e zisë.............
Ndigjova se u hap biruca numur 3, ku ishin dy përsona për çështje ordinere dhe u futën në birucën ku ishte tue predikue Don Mikeli. Filluan me i ra me shqelma, mbasi torturat që i banin ata Priftit, ishin mjet lehtësues për vuejtjen e tyne ...
Kishin kalue disa muej që Ai vuante pandërpremje e bashkë me të edhe unë, që ndigjojsha me veshë dhe shpesh, nga një vrimë e vogël e derës e shihja tue e marrë rrëshqanë për me e çue në tortura, ose tue e këthye nga zyrat e tmerëshme të hetuesisë, ku vuejtjet ishin ma të mëdha se ata të fundit të ferrit. Asnjëherë nuk e pashë atë njeri tue u këthye me kambët e veta në birucë...por gjithmone zharg...
Jam kenë interesue se çka u ba me Don Mikelin mbasi e morën atë natë, nga një roje që ndryshonte pak nga të tjerët me emnin Ndue. Ai më pat tregue se janë nisë për Tiranë, dhe rrugës i kanë ba një inxheksion dhe ka vdekë. E kanë çue të vdekun në Ministrinë e Mbrendshme dhe prej aty e kanë futë në një kasetë frigoriferike me nr. 7 (shtatë). Mendonte se ai asht coptue nga mjekët e besueshëm qeveritarë për studim, nga studentët e fakultetit të mjeksisë së Universitetit të Tiranës. .....
Gjithmonë kam besue se Don Mikeli asht Shenjt i pashpallun në Mbretninë e Qiellit!
Ai asht i përjetëshëm në kujtimet dhe lutjet e mija!
Shkodër, 15 shtator 2000 Bashkëvuejtësja e Tij, Laura Keçi d.v.

Dosja e Dom Mikel Beltojës, edhe pse ishim në vitin 1974, asht ndër ma të paplotat. Duket se fashikuj të tanë janë heqë prej saj.
Asgja nuk shënohet për rrethanat e pushkatimit të tij, nuk thuhet cili ishte prokurori që mori pjesë (nëse u pushkatue, apo u shkye gjymtyrësh, apo u vra gjatë rrugës për në Tiranë, ku ua kishin kërkue trupin e tij për studentët e mjeksisë).
Mjeku S. Rr. deklaron: “Na shumicën e herës as e dinim i kujt ishte trupi … Na thonin që ishte i një të pushkatuemi …. E mbaj mend mirë atë trup të gjymtuem para se të na e sillnin ne …. Por nuk e dinim i kujt ishte”.
Ku përfundoi trupi i masakruem i Martirit Dom Mikel Beltoja? Ku?!
Pa varr, si sa e sa Martirë të tjerë. Vetëm pse kishte thanë “Këtu, në bankën e të akuzuemëve duhej të ishte Enver Hoxha, jo unë!”
Pa varr. Por në Pavdeksi.

Një monument nën dhé Nr. 8 nga Fritz Radovani



Fritz Radovani de Angeliis

Një monument nën dhé

DERA QË PO HAPET

“Duhët të kërkojmë bashkimin e Kosovës me një Shqipni të ardhshme e, jo, me të sotmen!“
Maria Shllaku

Shkodra nuk i harron kurrë ata që vdesin për Fé, Atdhé e Përparim!
Neroni që pat djegë Romën, po të shihte çka bahëj në Shqipni mbas vitit 1944, me zili do të thonte: “Shqiptarë, ma keni kalue edhe mue!” Në nandorin e 1944, na dukej se vazhdonin me u shkrepë armët e fitorës, kujtonim se mbaroi lufta, por, po përsëris, kishte fillue një tjetër luftë që për né shqiptarët asht kenë ma e përgjakshme, ma shfarosëse dhe ma shkatrruese, se Lufta e Dytë Botnore. Ishte lufta vëllavrasëse 50 vjeçare e “fitorës” së komunizmit. Kur pritej çlirimi nga okupatorët dhe dalja e Shqipnisë në dritën e demokracisë së vërtetë, forcat nacionaliste e përparimtare morën malet, tue mbetë vendi nën thundrën gjakatare komuniste.
Shqipnia u la nën kujdesin e Titos, me mbikqyrjen nga Bashkimi i “lavdishëm” Sovjetik, ku të drejtat dhe liritë e njeriut për “vetvëndosje”, “mbroheshin” nga Stalini i “Madh”. Në “Demokracitë Popullore” mbizotnonte frika, terrori, pushkatimet pa gjyqe e me gjyqe, intërrnimet dhe propaganda komuniste: “Shpif e shpif... se diçka mbetë!” Burrnisë e besës ndër shumë votra ia zuni vendin trathtia. Jemi në atë kohë të historisë kur Tivari e Ulqini laheshin me gjak kosovarësh të premë në besë. Ishin sjellë si karvan mbi 12000 vetë, burra të çarmatosun, gjoja me u organizue në Shqipni për me çlirue Kosovën dhe, kur mërrijtën në Tivar nuk ishin as 2000 vetë. Të gjithë u zhdukën rrugës gjoja si dëzertor. Ata që mbetën gjallë tue kujtue se vrasjet i ban Tito, filluen me ikë, tue kalue Bunën në pikën e dimnit, me mendimin me shpëtue kokat në tokën nanë. Pa dijtë ku vunë kambën, ranë në kurthën e komunistëve shqiptarë që ishin veglat ma besnike të “druzhe” Titos. Ikën nga shiu dhe ranë në breshën. Tue lexue librin “50 vjet kujtime” të Z. Lekë Harapit, në faqën
108, Dan Hasani tregon: “Riza Dani (aso kohe Kryetari i Komitetit të Shkodrës), i kërkon mendim dr. Omer Nishanit, si President, për me shpëtue ata kosovarë që kanë kalue në tokat tona, tue i angazhue me partizanët që shëtisnin nga një katund në tjetrin si “çlirimtarë”. Dr. Omer Nishani, mbasi konsultohët me Enver Hoxhën dhe Koçi Xoxën, i përgjigjet: - Ata janë të gjithë kriminela dhe duhët t’ia kthejmë sa ma parë Jugosllavisë që të mos na zemrohet Tito”. Këto ishin fjalët e Presidentit dr. Omer Nishani, që u dekorue në vitin 1993 nga Tirana “demokratike”.
Si mendoni ju, të lëshonin karrigat e tyne udhëheqësit tonë për hirë të disa mijra kosovarëve? Këtë, nuk besoj se e kërkonin as kosovarët, për derisa shumë nga bijtë e atyne kosovarëve që ushqyen ushujzat e kënetave të Velipojës, për vite me radhë në dhomat e tyne në Kosovë, mbanin fotografinë e terroristit Enver Hoxha. Një mëkat që nuk rrëfehet as në ditën e vdekjes!
Asgja nuk ishte e papritun, madje, ishte vazhdim i asaj vepre të fillueme nga serbët me At Paliq e Gjeçovin, me At Lorenc Mitroviq e Leonard Targaj, asht krimi i shëmtuem mbi fratel Gjon Pantalinë e pavdekshëm, asht dëshmia e shfarosjës ndër burgjet komuniste e At Pal Dodës, asht krimi i pashoq i bamë mbi Don Shtjefën Kurtin, që, “për një Pagëzim fëmije” u ba masakra ma e madhe që njeh historia moderne e, që do të shtrihet në trojet shqiptare; pra, asht “komunizmi”. Vetëm ndër Alpe kishte ndonjë çerdhe shqipesh ku kishin zanë vend bijtë e saj.
Krahas atyne trimave që nuk duronin dhunën komuniste në të dy anët e asaj ndarje të turpshme të 1913, që thirret kufi, dy vajza shkodrane luftojnë për liri. Ndër rrethina të Shkodrës asht Maria Zojzi, e ndër malët e Kosovës asht Maria Shllaku. Historia përsëritet, ndër ato male asht edhe sot gjaku i plagve të Norës Ded Gjo’Lulit, e prap ma ndejë vazhdon me vlue gjaku i Shote Galicës e Maria Tucit me shoqe. Prandej toka shqiptare asht thirrë e paprekshme nga armiqtë shekullor.
“Unë, MARIA SHLLAKU, e lindun më 22 tetor 1922, në Shkodër, jam bija e Mark Simon Shllakut dhe e Dila Shllakut. Jam shqiptare, me nënshtetësi shqiptare, e pamartueme, studenteshë e filozofisë në Romë, flas dhe shkruaj shqip, latinisht, italisht, frengjisht, gjermanisht, greqishtën e vjetër dhe pak serbisht” Kështu fillon deklarata për biografinë e bame në hetuesi të Prizrenit. Vetëm njohja e disa gjuhve tregon horizontin e kulturës së saj! Fillon hetimet me spijunin serb Nazmi Kursani dhe i vazhdon me Mazllom Nimanin dhe Misho Popoviq, nga data 19 dhetor 1945 e deri nga mesi i qershorit 1946.
Muhamet Vokshi në librin “Shqipëria e Marije Shllakut”, me autorë Ramiz Kelmendin dhe Viktor Gashin, botue në Pejë në 1995, libër i cili më ka dhanë shtysën me dijtë për rezistencën që asht ba në trojet shqiptare të Kosovës kundër komunizmit, ka një përshkrim të bukur të portretit të kësaj luftare trimneshë: “Edhe pse e zbetë dhe e dërmuar nga shumë plagë, ajo kish një fytyrë shumë të këndshme, kish flokë të gjatë, të lëshuar, një hundë të mprehtë, me buzë e faqe të skuqura. Ishte inteligjente, impresive, e bindshme.” (fq. 90). Maria në vitin 1943 shkon me punë në Kosovë si arkëtare në një degë finance. Në fund të vitit 1944, kur komunistët marrin pushtetin pak ditë para 9 nandorit, ajo merr malët me luftue për liri. Qëndroi disa ditë në shtëpi të Zefit të Fanës, në fshatin Polec, i cili ma vonë aty nga gjysa e dhetorit 1944 për arsye të mungesës së sigurisë, e përcolli tek shtëpia e Dan Pjetrit (Berisha), në Dobërdol. Aty u mirëprit nga gjithë rrethi i Danit, Pjetri, Pjetri i axhës Tomë, Martini etj. Në gjysë të qershorit të vitit 1945, forcat e OZN-ës, rrethojnë kullën e Dan Pjetrit dhe Maria e shoqnueme nga njerëzit e Danit, Martin Pjetri e Pjetër Toma mundën me ça rrëthimin e të gjithë bashkë dalin në mal. Më 3 gusht 1945, në Dobërdol, në vendin e thirrun Lluga e Madhe e Dan Pjetrit, u mblodhën mbi 200 luftarë në Kuvendin e Dobërdolit.
Alush Smajli i Llazicës i bante roje Flamurit me shqiponjën dykrenare, që valvitej mbi kokat e luftarëve të lirisë. Kuvendi kryesohej nga burri i njoftun Prof. Ymer Berisha, ndërsa, proçes-verbali mbahej nga luftaria e vetme Maria Shllaku. Më 12 shtator 1945, forcat partizane mërrijnë me ra ndër gjurmët e luftarëve dhe mbas një përpjekje të fortë e të rrebtë, ku Maria u dallue për trimninë e saj, çanë rrëthimin me vështirsi, mbasi kishte marrë shumë plagë, por edhe kishte humbë njeriun besnik Pjetër Tomën, i cili iu gjet kudo ku rreziku i jetës për Marijen kje i madh. Kur hyni ndër fushat e misrit të fshatit Açarevë nuk mujti me vazhdue rrugën nga hemoragjia e madhe, prej plagve që kishte marrë. Nga mungesa e mjekimit humbi ndjenjat. Njëfarë Rexhep Selimi, spiju serb ia dorzoi OZN-ës.
Në dhetorin e 1945, në Prizren u formue Komiteti i NDSH (Nacional Demokratike Shqiptare), për Kosovën me kryetar Hajdar Pllaneja, prof. në Gjimnazin e Prizrenit, mik i Mit-hat Frashërit, Kol Parubit, Gjergj Martinit, Muhamet Vokshit etj. Marsel Vuçaj vepronte në Pejë. Kjo organizatë ka një veprimtari shumë të gjanë mbasi ishte e organizueme mirë, por për fatin e keq të trojëve shqiptare që nuk u ndihmuan nga asnjë fuqi e jashtme, përfundoi me humbjen e bijve të saj, që shumica u vranë në luftë për liri ndër male. Disa nga këta u arrestuan dhe kështu filloi proçesi në të cilin pa diskutim përfshihej edhe Maria Shllaku, edhe pse nuk ishte kur u krijue Komiteti.
“Gjyqi i Popullit” filloi më 29 qershor 1946 dhe vazhdoi deri me 11 korrik 1946, në Prizren. Trupi gjykues përbahej nga: Kryetari i gjyqit të Qarkut Dragutin Janjiqin, antarë: Ismet Mula dhe Selajdin Ahmeti, prokuror Ali Shukriu dhe sekretar Branisllav Kijariq. Mbrojtës i të akuzuemve Bozhidar Zyleviq, si ndihmës sekretar, ndërsa i vetmi avokat ishte rusi Vlladimir Znamenski, nga Gjakova. Në bankën e të akuzuemve ndodhëshin 27 “anëtarë të Organizatës” NDSH- Nacional Demokratike Shqiptare: MARIA SHLLAKU, AT BERNARD LLUPI, KOL PARUBI, GJERGJ MARTINI, MARSEL VUÇAJ, ISA CAVOLLI, MASAR BEGOLLI, HAMZA BEGOLLI, JUSUF HAXHIYMERI, MUHAMET VOKSHI, VIKTOR GASHI, FRANO CIVLAKU, JAK KRASNIQI, OSMAN BASHA, SKËNDER RIZAJ, ENGJËLL BERISHA, SHEFQET KELMENDI, RAMIZ KELMENDI, KAMBER PAJAZITI, SEBË MATEJA, JAK SHAHINI, GITA MJEDA, LUÇIJE LEKA, SEBË KOLA, MIFTAR BALA, BINAK DEMA dhe GJERGJ DEDA.
Nga këta persona unë kam njohtë përsonalisht Zotni Shefqet Kelmendin, i cili arratisët nga Kosova dhe arrestohët prap nga Sigurimi i Enver Hoxhës, në Shqipni. Mbasi doli nga burgu rreth vitit 1990, kam pasë fatin me bashkpunue me të, në lidhje me “Katër Martirët Shkodranë” në vitin 1996, në kumtesën e mbajtun në Teatrin “Migjeni” në Shkodër, për 50 vjetorin e pushkatimit të Maria Shllakut. Me këtë rasë njohta dhe autorët e librit Z. Kelmendin dhe Gashin në Shkodër. Edhe sot mbas 50 vjetësh kujtonin me respekt heroinën e palëkundun para gjyqit serb. Maria në seancën e parë të gjyqit mohon proçesin e hetuesisë, mbasi kur asht ba ai, asht rrah dhe torturue. Të vërteta ajo quan vetëm deklarimet para gjyqit. Ajo pranon se dishronte një Shqipni të lirë e demokratike: “Deri në vitin 1944 kam kenë për Lëvizjen N. Çl., mirpo kur erdhën partizanët në 1944 me flamurin e tyne që kishte drapnin me çekan, u bana kundër tyne.”. Kur pyetët nga Kryetari i gjyqit se a ka kenë për Shqipninë e Enver Hoxhës, ajo përgjigjet: “Unë nuk dij shka don Enver Hoxha, po na duam që Kosova t’i bashkohët Shqipnisë. Unë nuk jam për Shqipninë e Enver Hoxhës. Unë jam kundër gjermanëve, por, dua që Kosova t’u takojë shqiptarëve të Shqipnisë së vjetër... ne kemi luftue kundër partizanëve, që t’i rrëzojmë nga pushteti. Unë kam kenë antifashiste e përbetueme, i tillë ka kenë edhe Luan Gashi. Propaganda e jonë në popull ka kenë që populli të qëndrojnë si burrat dhe të kërkojnë bashkimin e Kosovës me një Shqipni të ardhshme e, jo, me të sotmen!”
Maria flet me respekt për Prof. Ymer Berishën, i cili kishte lind në Gjurgjevik të Madh të Klinës në vitin 1912, kishte krye Normalën e Elbasanit. Kishte vazhdue studimet për Shkenca Natyrore në Romë e, mandej edhe Akademinë Ushtarake po aty. Kishte punue si mësues në Krujë, Kukës, Peshkopi, Lushnje, Berat dhe me hapjen e shkollave shqipe në Kosovë, në vitin 1941, kishte shkue profesor i Gjimnazit dhe i Normalës “Sami Frashëri” në Prishtinë. Në vitin 1944 kishte dalë në mal me atdhetarët tjerë me luftue kundër pushtuesvë të rinjë. Asht njohtë si ideolog i platformës politike për mbrojtjën e kufijve Etnike të trojeve shqiptare të Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipninë. Ka formue
Organizatën atdhetare shqiptare “Besa Kombëtare”. Ka luftue kundër forcave komuniste serbe në Kosovë. Asht vra burrnisht në korrik të vitit 1946, në malët e Hereçit të Gjakovës.

AT BERNARD LLUPI O.F.M

.
Ka lé në Shkodër me 7 shkurt 1886, prej prindve Filip e Luçia Llupi. Asht pagëzue me emnin Mati, asht vëllai i pestë i Cinit, Zefit, Ejllit e Franos. Vjen prej një familjes së vjetër me tradita qytetare shkodrane. Studimet i ka krye në Insbruk të Austrisë, ku mori medalje nderi si student i shkëlqyeshëm. Shugurohët meshtar në Romë dhe shërben në Palç (Mërturë), Hot, Grudë, Bizë të Durrësit, Vlonë dhe Shkodër. Kur Kuvendi Françeskan ndodhët keq ekonomikisht në atë kohë lufte e zije për bukë, në vitin 1942 dërgohet në Pejë famullitar, mbasi njihej si ekonomat i përkryem. Prej andej ban të mujtun mos shpërndamjen e xhakojve në Shkodër, tue i dërgue vazhdimisht ushqime. Për këtë ndihmë të madhë ekonomike ban fjalë në procesin e tij edhe At Çiprian Nika, rektori i Fretënve në Shkodër. Asht bashkohës i Etënve Harapi, Doda, Prennushi, Cani dhe mik i Don Nikoll Ashtës. Asht ndër misionarët e njohtun që me dinjitet ka bajtë zhgunin e Sh’Françeskut. Autoritar në fjalë dhe i palodhun në pajtime gjaqësh e ngatrresash që kishin kapërthye malët tona. Edhe pse në 1939 asht operue në Padova, ku ka heq një eshkë, asnjëherë nuk i shmangët misionit të tij, madje, shkon me qejfë malësh për me ndihmue çështjen kombëtare dhe niset për Kosovë.
Atje ka shërbye në famullitë e Zllakuçanit, Zym’të Hasit dhe Pejë. Ndihmon shqiptarët që kanë marrë malët për liri nga fashizmi dhe komunizmi, me ushqime dhe medikamente mjeksore. Mban afër Prof. Kol Parubin, Marije Shllakun, Marsel Vuçën, Prof. Ymer Berishën dhe të tjerë luftarë shqiptarë. Porositë fshatarët “me e ruejtë dhe me e ndihmue këtë vajzë atdhetare!”. Theksova fjalët e ti ndër thojza, mbasi me dashtni dhe burrni vlerson virtytet e femnës shqiptare, ashtu si ma parë vëllaznit e tij, Norën e Kelmendit. At Llupi asht “ATI I DYTË” i Marijes. Maria tek Ati i saj i dytë sheh shpresën dhe të mirën, tue i kërkue si vajza e tij: “Lutju Zotit për mue!” Ai lutej për të gjithë shqiptarët pa dallim feje. Kjo asht arësyja që të gjithë e donin dhe e ndigjonin misionarin e përvujtë. Ai njihej si misionar i Atdhetarizmit prandej qela e tij ishte vatra ku delnin shkëndijat e lirisë. Shovenistët serb, shërbëtorët e tyne komunistë dhe trathtarët e shitun të Atdheut nuk e duronin zhgunin e Françeskanit në Pejë, prandej, në marsin e 1946 e arrestojnë si një organizator i “Katoliçeskaja Banda”, organizatë që nuk ka kenë kurrë. Krijuesi i këtyne bandave, organizatave, grupeve terroriste, duerve të zeza, të futjes së armëve ndër Kisha etj, asht një për të gjithë Shqiptarët: Komunistët e shovenistët jugosllavë me qendër Moskën.
Edhe para trupit gjykues At Llupi asht kryenaltë, trim dhe i pathyeshëm ashtusi në tortura të mnershme që i bahën në hetuesi. Nuk pranon asnjë akuzë. Nuk i trembet vdekjes fare, aq sa edhe tallet me prokurorin Ali Shukriu, gjatë procesit gjyqsor kur ai e pyet, se ç’ke menduar kur ke thënë: “Ishalla e pështon Zoti Kosovën!”? - At Llupi përgjigjet: “Kam mendue që të shpëtojë nga sëmundjet dhe hallet e ndryshme!” Kur prokurori e pyet se a i ke dërgue djath në mal, At Llupi nuk i përgjigjet, mbasi nuk kam ardhë këtu për djath. Kur pyetët Maria, edhe ajo përsëritë: “Nuk përgjigjem, nuk kemi ardhë për djath këtu!”. Kur flitët për njerzit e vramë ndër male, At Llupi thotë: “Ata kanë vdekë si trima, si burrat, prandej, duhët të jenë shembull për né të gjithë!”.
Z. Muhamet Vokshi shkruen për At Llupin: “Fliste anglisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, serbisht, latinisht. Ishte komunikativ, modest, shakaxhi. Fishtën e adhuronte. Italianët nuk i donte aspak. i quante “bretkocarë”. e ka dashur vendin dhe popullin e vet pa urrejtur kurrkend tjetër.
E deshti dhe dha jetën për Shqipërinë brenda kufijve të saj etnikë“ Fjala e fundit e At Llupit para pushkatimit ishte: “Vdekja si kjo, vdekja për shqiptarizëm, asht kupë e artë!”. Mbas të shtimeve të automatikve At Llupi, kishte mbetë në kambë edhe pse zhguni i panjollë ishte la me gjakun e këtij martiri... Ai thirri edhe njëherë: “Rrnoftë Shqipnia!”, xhullinjtë iu afruen tue shti mbi tè, derisa Frati 60 vjeçar u shtri mbi tokën shqiptare për të cilën dha jetën.

PROF. KOL PARUBAJ


Ka lé në Pentar të Dajçit të Bregut të Bunës në Shkodër, më 5 dhetor 1905, prej prindve Tomë e Tone Parubaj. Fshati dallohet për banorët e tij me cilësi squtsie. Kola nuk asht indiferent ndaj kësaj cilësie, prandej, mbasi kryen studimet e larta vjen dhe hapë shkollën e Pentarit, ku jep kontribut fetar e atdhetar. Paisë një klasë modeste me banka, libra e fletore, tue ruejtë kontakte me misionarin Don Alfons Tracki dhe priftën tjerë përparimtarë të asaj zone. Asht i paisun me kulturë Përendimore dhe punon që në fillim përveç mësimeve të shqipës, katër blejt e parë të gjuhës italiane dhe njohuni të para të frengjishtës. Asht dallue si njeri i paisun me enfazi konferencieri. Në vitin 1939 tue mos gjetë mundësinë e marrëveshjes me klerin e Shkodrës për me kalue në rritin greko - latin, i këshilluem nga Tracki kalon në tokat e Jugosllavisë, andej Bunës. Ndihmohët nga Kuvendi i rrethit të Uzhicës e Bihaçit. Mbas shumë “peripecishë”, në vitin 1942 emnohet profesor në Gjimnazin e Prishtinës e ma vonë në Pejë. Gjatë kësaj kohë njihët me Riza Drinin nga Shkodra, me At Llupin, tek i cili flenë një natë. Mban lidhje miqësore me H. Pllanejën, Ymer Berishën, Enver Sudin etj. me të cilët edhe punon dhe lufton për çështjen e Kosovës së lirë. Asht njeriu nga i cili hetuesia kërkon shumë, arrestohët në mars të 1946, dhe me 21 të ati moji fillon hetimet i akuzuem si “agjent i fashizmit”, tue e dijtë mirë se ishte antifashist. Ai ishte edhe antizogist, gja që e dëshmon edhe ish nxanësi i tij Gjergj Laca. Përveç kujtimeve të mira që ruen për mësuesin e parë ashtu si Maksut Shehu në Kosovë etj. Gjergji edhe sot mban ndër mend kangën: “Kur sorra bori skjepin”, të cilën ia ka mësue në shkollën fillore Prof. Kol Parubaj, kangë e ndalueme nga regjimi i Zogut. Ndaj vëprimeve kriminale të komunistëve në Kosovë, profesori mban qëndrim kundërshtar. Ai ban një përpjekje për me formue një Komitet Qendror të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare të Kosovës (NDSH), në vitin 1945. Vetëm ky mendim i tij pa krye asnjë vepër e çon në pushkatim. Lidhjet me Enver Sudin konsiderohën gjoja të rekomandueme nga At Llupi. Parubaj nuk i pranon tue hjedhë poshtë të gjitha akuzat në lidhje me Fratin. Lidhjet me Enver Sudin kërkohën shumë në hetuesi, mbasi Enveri ishte pjestar i një bërthame prej tre vetësh që kishin organizue vrasjën e Milladin Popoviqit, të cilin e kishte vra Haki Taha. Kjo lidhje për të cilën ngulë kambë edhe Marsel Vuçaj, se “asht kenë e vërtetë”, i jep dorë trupit gjykues me marrë vendimin e pushkatimit për Prof. Kol Parubaj, me gjithë mohimet dhe qëndrimin burrnor të Kolës. Në fjalën e fundit thotë: “Ma keni kujdes vajzën! Rrnoftë Shqipnia Etnike bashkë me Kosovën!”
Maksut Shehu shkruen: “Ishte i butë!... Granit!”

Add Image

Add Video

Mësuesi GJERGJ MARTINI

Gjergj Martini ka lé në Hot të Shkodrës, më 29 gusht 1917. Ka krye paragjimnazin në Shkodër në Konviktin “Malet tona”, ndërsa të mesmën në Normalen e Elbasanit. Punoi mësues në Kukës dhe në Shkodër. U martue me mësusen Zografe Harodhambi nga Kavaja, e datëlindjes 1920. Ka pasë një vajzë nga kjo martëse. Në vitin 1945 kur ishte Gjergji në Gjakovë, i vdiq grueja tue i lanë vajzën e vogël me ia rritë gjyshja. Nuk u shkëput asnjëherë nga kjo vajzë, mbasi edhe me martesën e dytë që bani me Linën e Simon Shkrelit, u mirkuptue. Ajo u kujdes për vajzën jetime dhe nuk ia prishi zemrën Gjergjit deri në fund.

Edhe Lina ishte grue e kulturueme dhe njihët me Gjergjin kur ishte mësuese në Gjakovë, ndërsa Gjergji ishte drejtor i asaj shkolle. Martesën me Linën e bani ë 18 nandor 1945, dhe në mars 1946 arrestohët. Jetoi me gruen e dytë vetëm 4 muaj. Akuzohët edhe ky si të tjerët për bashkpunim me Prof. Kol Parubin e At Llupin në Organizatën NDSH të Kosovës. Merrët në pyetje vetëm pesë herë dhe vehët në bankën e të akuzuemve, pa dijtë pse asht aty si shumë të tjerë që ishin ndër ato banka. Edhe Gjergji akuzohët nga Marsel Vuçaj njësoj si Parubaj. Dukët se akuzat që u ban shokve të vet e lanë me 12 vjet burg, të cilat ndoshta, si shpërblim shpifje nuk i ka krye në burg. Gjergji në veçansi nuk ka akuzë mbasi “faji” i tij përfshihet ndër akuzat e shokve. Kur flitët për Gjergjin, gjithnjë thohët “janë fajtorë” dhe rreshtohët me At Llupin e Kolën. Paknaqësia e Gjergjit shfaqët vetëm kur asht fjala për nënshtetësinë shqiptare që kishte dhe, nuk i epej e drejta e votës si shqiptar.
Në faqën 132 autorët e librit shënojnë: “Krimet” e tij, që u mbyllën me dënimin më të rëndë, me vdekje, me pushkatim, konsistuan vetëm në faktin se ishte shqiptar, se ishte patriot, se ishte intelektual, dhe se ishte shkodranë (i Hotit) njësoj si tre të parët - Maria, At Bernardi dhe Kola.
Do të ishte e tepërt me kërkue shkaqe të tjera pse u pushkatuan këta atdhetarë.
Zonja Lina Martini shkruen në kujtimet e saja: “Gjergji ishte njeri universal, kishte za të bukur, këndonim duet, ishte shumë i çmuar dhe i respektuar. Unë tash plot gjysëm shekulli, kujtoj ato ditë të pakta e të bukra që jetova me té. I kam ruejtun këtu me xhelozi, e besa edhe me frikë të madhe disa fotografi që i kam prej tij dhe me té; unë dhe Gjergji ditën e kunorzimit. Gjergjin me shokët e tij... me nxanës... që i shikoj përditë tash 50 vjet”
Dr. Pajazit Nushi shënon: ”tue shkrue këta pak rreshta kam në vedi përfytyrimin e një mësuesi të rrallë, që përjetonte vuejtjet e të tjerve si të tijat.” Me të drejtë Mësuesi Gjergj Martini u mësonte nxanësve të vet kangën që ai e këndonte me zanin e tij të bukur: “Po vjen prendimi dhe larg asht dielli”.... Si dukët, ia ndinte zemra largësinë e dritës së diellit!. Me datën 15 korrik 1946, trupi gjykues dha vëndimin për 27 vetë të “Katoliçeskaja Banda”. Ndërsa, më 15 nandor 1946 nga ky grup u pushkatuen:


MARIA SHLLAKU 24 vjeç,
AT BERNARD LLUPI 60 vjeç,
Prof. KOL PARUBAJ 40 vjeç,
GJERGJ MARTINI 29 vjeç.

Z.Viktor Gashi tregon:
Në mbrëmjen e 14 nandorit dikush përshpëriti sikur kishte dëgjuar nga biseda mes dy rojeve se nesër në mëngjes do të pushkatoheshin të dënuarit me vdekje. U tronditëm shumë dhe vëndosëm me i treguar At Bernardit. I thamë në veçanti: Padër, nesër... ndoshta... nuk e dijmë, por... Ai ndërpreu fjalën dhe tha :- Shumë bukur që erdhi kjo ditë dhe mbas pak sekondash iu drejtua Kolës, - Kolë, eja pak këtu! Shkuan në qoshen e dhomës, At Llupi bashkoi dy duart, ndërsa Kola u ulë në gjunjë. Kur Kola desh të fliste diçka, At Llupi i tha: - Kolë, i dij gjynahët tuaja por ban punën e pëndimit, se Zoti do t’i falin të gjitha fajet mbasi ti po lanë me gjakun tand tokën që të ka lindë, ti po shkon tek Zoti jo si mëkatar, por si martir, ti je i zgjedhun prej Atit të Pushtetshëm, me dhanë shembull si duhët me vdekë për të mirën e popullit shqiptar dhe të Atdheut, që po e lamë të robnuem, por shpejt Zoti dhashtë e u bashkoftë dhe Kosova me Nanën Shqipni! Mbas tij shkoi edhe Gjergji. Atë natë nuk fjeti njeri. Biseda mbahej nga At Bernardi, të cilit edhe atë natë nuk i mungoi humori e gazi, sikur të nesërmen po lirohej dhe jo.
Ishin orët e para të mëngjezit, kur u dëgjuan çelsat e randë të dyerve. Mbretroi një heshtje e përmortshme... Menjëherë e mori fjalën At Bernard Llupi: - Ç’keni o burra që heshtët? Mos u shtangni, se vdekja nuk na frikson. Kushdo që lind do të vdes herët a vonë, aqsa ka thanë Zoti. Na po vdesim ballhaptë dhe po shkojmë nga kjo botë të bindun se me vdekjen tonë do ta ndihmojmë çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Atdheun Nanë, Shqiptari shkon në vdekje si në darsëm, sëpse lufton dhe vdes për popull, për liri, për jetë ma të lumtun!” Sakaq u dëgjua zani i ambël i Gjergj Martinit: “Po vdesim për Atdhe, burra, se Atdheu mbrohët me gjak. Kështu me gjakun e shqiptarëve të ramë, krijohët Shqipnia. Gjaku i derdhun s’ka sësi të mos japë frut, tue mbjellë atdhedashtni, mirësi, mirëkuptim, ai do të ngjallë edhe ma tepër ndjenjat kombëtare”: U hap dera me rrëmbim: - Hajde, hajde, brze, majku vam vasu!- briti roja.
At Bernard Llupi, pa iu trembur syri dhe pa u nervozuar fare iu drejtua rojës: - Ndaluni pak, se due të përshëndetëm përherë të fundit me vëllaznit e mijë. Në përqafim nuk muejta t’i mbaj lotët, mos u trego i ligësht, - më tha, - të dijmë si xunxarë, kështu me quanin në burg. U drejtua - Gjergj, Kolë, ejani, të shkojmë krenarë, le ta shohin se nuk ia kemi frigën plumbit! Duhët të jemi të lumtun që po vdesim për idealet e kombit.
Atëherë Gjergji na u drejtua: “Lamtumirë, o vëllazën! Tregoni botës mbarë se Kosova dhe Shqipnia ka trima që japin jetën për vatan dhe nuk ka anmik që na tremb!. Shqiptari nuk përkulet kurrë !”. Roja e shtyri, e ai thirri edhe ma më të madhe: “Rrnoftë Shqipnia bashkë me Kosovën!” Edhe Kol Parubaj me një za të shteruar, na tha: “Lamtumirë vëllazën!... Ma keni kujdes vajzën... Rrnoftë kombi shqiptar!... Rrnofshin shqiptarët!”
Zëri i tij treti dhe nuk u dëgjua më, sëpse roja e shtyri me rrëmbim dhe pas tij u mbyll dera. Të gjithë ne që ishim mbrenda mbetëm të shtangur. Pas pak u ndigjua zëri i thekshëm i Maria Shllakut. Të gjithë vrapuam kah dritarët që ta shikonim në oborrin e burgut dhe pamë hijen e saj, mëqë bënte shumë terr.
Nuk pranonte të dilte nga dera e burgut pa përfunduar këngën që bënte fjalë për Ymer Berishën, dhe luftën për çlirimin e Kosovës. Fjalët e këngës sot nuk më kujtohen, por, zëri i saj ishte tamam pushkë dhe jehoi në tërë burgun.


At Bernard Llupi atëherë i tha me zë të lartë:
“Të lumtë, bylbyli i shqiptarizmës!
Le ta marrin vesht bota si shkon me vdekë femna shqiptare,
me kangë në gojë!”
Maria ia këtheu me za ma të fortë:
“RRNOFTË SHQIPNIA E MADHE!...
RRNOFTË BASHKIMI I SHQIPTARËVE!”
Me të drejtë Miss Durham shkruen:
“Zotnimet e hueja kanë kalue mbi kombin shqiptar, pa lanë në
té kurrfarë gjurmët, si ujë që kalon mbi shpinën e rosës”.


NATË SHËN KOLLI


”Kur të mbarojnë burrat, luftën
do ta vazhdojnë gratë”
Mark Kakarriqi, Vjenë, 1913

Shkodër, më 5 dhetor 1946. Nata e Shën’ Kollit. Një mbramje jo e zakonshme në këtë qytet të lashtë, që gjithmonë ka përcjellë brez mbas brezit doket e zakonet e të parëvet të vet. Edhe pse shumë qytetarë janë largue në krahina të ndryshme të vendit zakonet i ruejnë, ashtusi atë ditë që festohën në Shkodër.
Atë natë të duket sikur qyteti asht prush ose ma mirë me thanë, sikur toka asht ndezë flakë prej dritave që depërtojnë jashtë dritarëve e kafazlijeve karakteristike të qytetit. Rrugët janë paqtue mjaft herët, mbasi secili e ka mendue dishka para se me ra muzgu. Një gjel asht flijue edhe ndër shtëpitë e pazarit të vjetër ndër kodrat përreth Kalasë, sëpse festa ka kohë që ka shkapërcye muret e nalta, të veshuna me shërmashek e lulevile, të shtëpive katolike. Kjo festë kremtohet në të gjitha anët e qytetit. Dugajtë janë mbyllë njëherësh tue urue njeni-tjetrin: „Për shumë mot!“.
Në çdo votër asht vu buzmi, sigurisht jo ma i madhi, mbasi ai ruhet për natën e Këshnellave, por secili oxhak nxjerr tym simbas forcës se asaj natë përzie me erën e gjellëve, që amvisat pregatisin me mjeshtrinë ma të madhe të grave të njoftuna në këtë natë feste. Ajo që e ban ma të veçantë këtë natë asht qiri që ndezet në çdo shtëpi. Qiri i Shën’Kollit asht i pikturuem me lajle e lule shumëngjyrëshe që vëndoset në krye të vendit dhe ndezet nga i zoti i shtëpisë e, festa fillon! Fëmijët janë ma të gëzuemit që me sytë e tyne vezullues kontrollojnë çdo qoshë pa u rrëshqitë asgja. Aty kanë vargjët e fiqve të thatë, arrat e lejthijat që aq shumë ua kande, molla e fruta të stinës, dikund shihet edhe ndonjë ftu e portogal. Gjyshet, prej kohësh ndër kanavetat e tyne kanë ruejt për këtë natë të mbështjellun në letra xhami, qyfterin e derdhun ndër format e bukura të peshkut. Vena nuk i mungon as ma fukarasë. Ulen ndër sofrat e shtrueme me sofrabezat e kuq, fillon urata prej ma të moshuemve dhe mbas saj kanga e Shën’Kollit: “Vjen Shen’Kolli prej Misirit” Vazhdon zani ma i bukur i shoqnuem prej korit të pjestarëve të familjes. Naltohet zani me u ndigjue edhe prej komshive, mbasi asht kënaqësi kur të nesërmen bisedohet prej grave se kujt i asht ndigjue zani ma larg. Prej sofrës së fëmijve vjen lajmi, se kur do të vinë në sofrën e tyne bukfikja e pitegjarpni i bamë me arra e rrush të thatë Selaniku.
Mbas vitit 1942, na e festonim festën tek daja Don Kolec mbasi baba vdiq, atje na mblidhte gjyshja. Në vitin 1949 gjyshja bani një bakllavë të madhe, se atëherë doli edhe daja nga burgu. Kujtoj dajën me një pjatë të madhe në dorë mbasi kishim ngranë bukë, me buzë në gaz si gjithmonë, më vuni pjatën përpara mue. Aty kishte gjashtë kallëpe të mëdhej bakllave e më tha: “Kjo pjatë asht e ytja, ké me hangër sa të mundesh!“. Ai ishte Shën’Kolli i fundit në shtëpinë tonë.
Mbas sofrës, fëmijët e marrakotun për pak kohë vazhdonin laradashat në dhomën e fjetjes, ndër dyshekët e shtruem përtokë. Gaz e hare në atë dhomë, ndërsa në dhomën tjetër bisedohej: “Ku e merr me pasë mendjën e tyne!”. Ma plaku rrëmon zjarmin e në plasat e trungut të lisit, me mashë kërkon me ba xhixha e shkëndia që çohen përpjetë. Krizmat e tyne i kujtojnë fishekzjarret që zbërthejnë në naltësi. Sigurisht shenjë nervoziteti. Gratë i heqin vërejtje: “Boll ma, mos e luej se bukuri tèk asht!” Lodhja e ditës hoqnue me atë të pijes, bajnë punën e vet e, kështu bie qetësia.
Ndërsa, ndër sofra shkrepën gotat e vëndosuna mbi sofrabezat e bukur që sonte kanë sipër gjithë të mirat, ndër mjaft shtëpi asht i treti Shën’Kollë që gratë kanë hapë arkat e baulat e nusisë dhe kanë hjedhë mbrendë, ndoshta, përgjithmonë fustanet e bukura me lloj-lloj ngjyrash, se janë zëvendsue me futat e zeza dhe degërmitë e bardha, ashtusi në shtëpijat e Dedëjakupëve, Kazazëve e sa të tjerave, burrat e të cilave janë pushkatue. Janë mjaft në Seksionin e Mbrendshëm tue u torturue e kushedi sa ndër birucat e qelitë e këtij qyteti, ku çdo ditë djelmët e sa nanave hidhëshin si thasë prej dritarësh, me u thye kokat dhe me u hapë rrashtat ndër kalldramët e oborreve, ku ndihej vetëm era e shfarosjes së qytetnimit shkodran e atij kombëtar evropian, nën parullën e njohtun të komunistëve: “Borgjezëve e reaksionarëve, plumbin ballit!”. Mbas mesnatës ndigjohen vetëm gjurmët e randa të këpucve me thumba të disa patrullave, zhurmat e xhipsit të Sigurimit të Ahmet Sujit e topolinos së Dulaç Lekiqit që merrëshin me arrestime. Punojnë vetëm zyrat e hetuesisë, Seksioni i Mbrendshëm, ndonjë zyrë e qarkorit të Partisë, që vazhdon në ilegalitet tue shpërnda urdhnat e saj me spijujtë e natës. Këto zyra të drejtueme nga Qazim Kapisyzi, Arif Gjyli, Lilo Zeneli, Ndrekë Nallbani, Ali Qorri, Zoji Themeli, Pjerin Kçira, Rasim Dedja, Nesti Kopali etj. nuk i fikun kurrë dritat, mbasi ditë e natë dritarët janë të mbylluna për mos me u ndigjue ndër rrugë virrmat e britmat e të torturuemve për vdekje.
Ka mjaft nana që nuk i zë gjumi, tue mendue se në duert e kujt ka loçkën e zemrës. Një prej këtyne nanave asht edhe Pina, e shoqja e Shtjefën Zojzit, që zemra i ndien diçka... Ajo, atë natë feste rri me sy të ngulun harû ndër gaca, tue vrojtue kah votra, nuk i bahet me u ulë në sofër. Ajo asht e veçantë në të gjithë Shkodrën! Ajo ka në mal vajzën me emnin Maria. Vetë emni të ban me kujtue pa e njohtë, një grue të pastër, besnike dhe trimneshë. Asht grueja fisnike e Pjetrit të Dedëjakupëve që për besën e dhanun një ditë në kunorën Shenjte, kur në gisht vuni rrethin merr malët bashkë me fatin e saj dhe del me luftue komunizmin. Nuk ishte jo hov rinie edhe pse ishte 30 vjeçe, por në zemër kishte mulla urrejtjen e vrasjes së kushrinit nga komunistët ingj. Ludovik Zojzit, arkitekt i vorrëve të Rëmajit. Vllaun e saj prof. Rrok Zojzin, e kishin torturue në Sigurim se kishte guxue me thanë se, sa ka vra Zogu për 15 vjet, komunistët i kanë vra për 15 ditë. Kjo grue zgjodhi rrugën e malit mbasi nuk mund të jetonte pa lirinë e Atdheut, dëshirë e pathyeshme edhe e burrit të saj që nuk kishte pranue bashkpunimin me komunistët. Ata nuk dinin me nda Shqipninë nga familja, ashtusi, dikur burrat e motit bashkë me gratë burrnesha që morën malët për liri. Edukata e saj qytetare e atdhetare ishte brumosë edhe prej dy axhave klerikë të njohtun të familjes Zojzi.
Në heshtjën e natës, kriminelët mendojnë vetëm për krime e vrasje. Këtë punë do ta kryenin ma së miri Zoji Themeli, Toger Baba, Vaskë Koleci, Dulaç Lekiqi, Fadil Kapisyzi, Zenel Cani me shokët e Ndjekjës. Në të dalun të dritës së datës 6 dhetor, rreth orës 04.00 të mëngjesit, në luginën e prronit të Hijes së Madhe, në Meshkallë të Sheldisë, kur Maria e zgjueme doli nga çadra e vëndosun prej tyne në atë vend, u ndigjue një za: “Dorëzou Marije, se nuk të vrasim!” Ajo u përgjigj: “Për së gjalli kurrë, mor qena!”, nxori armën nga brezi, sëpse, e njihte mirë “besën” e komunistëve. Gjuejtjet e automatikëve të katilëve nga pozicionet e vëndosuna gjatë natës, e rrëzuen përdhé. Ajo u vra me pushkë në dorë. Gjaku i pastër i Marijes u derdh në prrue dhe zbriti në Dri, për me përshëndetë ma afër Shkodrën, nanën e vet, për me i tregue Asaj, se kur më linde Ti, bashkë me qumështin gjaku më mori erë baroti, ashtusi më pate mësue, në besë të burrit qëndrova e bashkë me Pjetrin e dashtun, u vramë për liri!
Maria nuk ishte as e para shkodrane e, as e fundit, që doli malësh me armë në dorë, mbas vitit 1944 me luftue kundër komunistëve. Ishte edhe Maria Shllaku, po prej Shkodrët, që zani i saj do të jehonte për 50 vjet ndër malët e Kosovës. Vajza shqiptare u tregue gjithmonë e denjë për armët që mbante në brez. Ajo nuk u përkul as para pushkatimit, as para torturës, as para yllit të kuq. Ajo i provoi burgjet komuniste, ajo provoi malët e Tepelenës, ajo provoi baltat e kënetave të Myzeqesë, ajo nuk iu tremb as presionit moral, shpirtnuer e fizik të hetuesisë, as intërrnimëve, as punës së randë të fermave e kooperativave por, gjithkund mbas burrave, vuejtën për një kafshatë bukë, lindën dhe rritën fëmijë, që një ditë do të ishin ndera e Atdheut.
Vajzat e vërteta shkodrane në ballin e Rozafës vëndosën dafina!
Vajzat e vërteta shqiptare, Shkodra i ka pa edhe më 2 prill 1991!
Ishin vajzat e djelmët e shkollës “Jordan Misja” që me Flamurin e ngjymë në gjakun e djaloshit trim Arbën Broci, marrshuen drejt Demokracisë! Ishin po ato vajza që më 14 janar 1990 i trandën thëmelët bustit të diktatorit të shekullit Stalin. E, prap më 2 prill, do të djegin tankun para diktatorit tjetër, që nuk i la gja mangut atit të tij, tue paralajmërue fundin e veprës së tyne: turpit të shekullit XX. Toka shqiptare i ruen në gjiun e saj Herojtë, edhe pse sot na nuk dimë ku pushojnë shumica e tyne. Fshatarët e Meshkallës e ruajtën për 45 vjetë Marijen në tokën e tyne, me një rrasë të vogël si shenjë nën kaçuba ferrash. Aty çobanët kishin shkrue: “Këtu pushon Maria e Shtjefën Zojzit, besnike e burrit të saj”. Njëditë ata fshatarë bashkë me krahinat e Jubanit, të Gurit të Zi, të Sheldisë e përreth e përcollën për në Rëmaji, Heroinën e tyne. Aty e priti Shkodra, sigurisht, Ajo nuk erdhi me petkun e bardhë të nusisë, por me atë visar që asht ma i shenjti dhe ma i shtrenjti, Ajo erdhi e veshun me Flamurin e Shqipnisë, si një zonjë e randë, me atë Flamur që Maria me gjakun e saj i ka shlye yllin. Edhe Flamuri në shenjë nderimi për Heroinën e vet, në zemrën e tij ka vu portretin e saj: SHQIPËN DYKRENARE.
Ajo sot prehët me nanën Pinë, mbasi burrin e besës komunistët e zhdukën tue e pushkatue për sëvdekuni në Zallin e Kirit, mbasi nuk kishin çka me i ba ma shumë. Edhe Ai asht aty afër Saj, aty, ku janë shumica e Martirëve të Shkodrës. Marije! Më duket se për kërkend ma shumë se për ty.

Shkruen i madhi At Fishta:
“... ju besën
Ka për t’ua dhanë mbi vorr, se kurr për s’ gjalli
S’ ka me e koritun namin t’uej e nderën,
Se ka me dekë p’ r Atdhé si desin burrat
Si diqet, qé, ju për nji Shqipni t’lirueme.”

IMZOT ERNESTO ÇOBA [1913-1980] DHE MARTIRIZIMI I TIJ...


Nga Fritz RADOVANI:

IMZOT ERNESTO ÇOBA DHE MARTIRIZIMI I TIJ...

Në vitin 1913, me 16 Shkurt në Vaun e Dejës, u le Ernesto Luigj Çoba, atëherë kur Shkodra rrahej në top nga Mali i Zi. Me datën 11 Shkurt 1936, Imzot Gjon Della Pjetra SJ., e shuguron meshtar në Kishën e Shën Jozefit, pranë jezuitve, ku Don Ernesto vazhdoi me kenë mësues. Mbas shugurimit të Imzot Gaspër Thaçit, me datën 19 Mars 1936, Don Ernesto asht ndihmës famullitar i Shkodres, deri me datën 30 Prill 1946, që emnohët Zv. Famullitar në Shkoder. Prej datës 16 Dhetor 1946 e deri me 1 Janar 1952 asht Provikar i Arkidioçezit të Shkodres, kohë në të cilën vdes Imzot Gaspë Thaçi, arrestohet Don Mikel Koliqi dhe vdes edhe Don Tomë Lacaj, kështu, Don Ernesto merr titullin e Famullitarit të Shkodres. Me datën 20 Prill 1952 shugurohet Ipeshkev nga Imzot Bernardin Shllaku, Ipeshkëv i Pultit dhe tue kenë i vetëm Ipeshkëv në Shqipni. Imz. Çoba mban detyren e Sekretarit të Pergjithshëm të Kishës Katolike. Nga data 9 Nandor 1956, kur vdes Imzot Bernardin Shllaku, deri me 21 Mars 1957, pret miratimin nga qeveria e Tiranës, e cila simbas Statutit të Kishës Katolike që ishte aprovue në vitin 1951, e aprovon si Kryetar i Kishës Katolike Shqiptare. Menjëherë u gjet para një prove të madhe dhe shumë delikate, mbasi me datën 7 Prill 1858 ishte dita e vumjes së gurit të parë të Kishës Kathedrale të Shkodres, kështu Imzot Çoba fillon detyrën pikërisht në pragun e 100 vjetorit të Asaj Kishë, që gjithmonë asht thirrë Kisha e Madhe. Merita e pregatitjes së asaj festë i përket Imzot Çobës, i cili me punën e madhe të Tij dhe kujtimin që ka lanë në historinë e Shkodres, thohet pa mdyshje se ka mbetë i paharrueshëm në zbukurimin e Kishës dhe zhvillimin e ceremonive të Festës. Imzot Çoba ka dy merita për punën artistike që u ba në ndertimin e Elterit të madh simbas projektit të arkitektit, piktorit dhe skulptorit Kol Idromeno, që ishte dhe daja i nanës së Imzot Çobës, vepër e cila kompletonte edhe tavanin e mbrekullueshëm të Kathedralës që ishte punue nga vetë Kola. Njëkohësisht sfondi i Elterit i punuem nga piktori At Leon Kabashi, kuadri i madh i vendosjes së gurit të parë nga piktori Simon Rrota, punimi i katekizmit ndër shtyllat e Kishës, në mungesën që dihet se nuk mund të botohej asgja për me mësue besimin fëmijët, janë vepra që meritojnë me u quejtë dinjitoze dhe shumë të guximshme tue dijtë edhe luftën e madhe që i bahej Kishës dhe Klerit nga shteti fanatik komunist i Tiranës. Por Imzot Çoba nuk mjaftohet me kaq, Ai njëkohësisht pregatitë në kushte private, përndjekje dhe survejimi disa klerikë të rijë, në një kohë që nuk ka as seminar, as profesora dhe as tekstet e nevojshme që duhen për atë qellim, megjithate ia arrinë me shugurue: Don Simon Jubani, Don Matish Lisna, Don Martin Trushi, Don Ernest Troshani, Don Zef Simoni, Don Ndoc Nogaj, Don Luigj Kçira, Don Ndoc Volaj, Don Kolec Toni etj. si dhe dy Martirët e Kishës Don Marin Shkurti e Don Mikel Beltoja, që u pushkatuen nga komunistët tue lanë vetën të perjetshëm në Historinë e Kishës Katolike Shqiptare. Imzot Ernesto Çoba vazhdon hapjen e rrugës së ipeshkvijve të rinjë, mbasi parasheh edhe përmbytjen e vendit nga diktatura. Nuk ka një familje në Shkoder katolike apo muslimane që ia ka mësye derës së Argjipeshkvisë dhe nuk e ka ndihmue Imzot Çoba, kur ishte fjala për me i çue dishka të nevojshme një të burgosunit apo të interrnuemit në burgje e kampe të shfarosjes. Posa u mbyllën Kishat, sigurimi kerkoi me gjetë shpifës në Shkoder, kundër Imz. Çobës. Besoj se shkodranët nuk e harrojnë fjalën e Burrneshës muslimane Adile Ashikja, në mbledhjen e lagjes së saj, kur i kërkohej me shpifë kundër Imz. Cobës: “Unë kam shkue me lypë tek Ai paret e bukës dhe Ai më dha ma shumë se i kerkova....Ju sot, kerkoni që Buken që më fali, me ia shperblye me shpifje! Ai asht kenë dhe mbetët për mue një Meshtar i Nderuem i Fesë Katolike në Shkoder!”
Përpjekjet e Imz. Çobes janë të vazhdueshme për gjallnimin e besimit, forcimin dhe përhapjen e Tij, kryesisht me fëmijët dhe të rinjtë. Imzot Çoba thonte meshë e sakramend, rrëfente, predikonte fenë dhe gjindëj kudo në rrugicat e qytetit tue shkue me kungue të sëmurët apo të pamujtunit me shkue ndër Kisha që survejoheshin, ndonse, Ai luftohej pa pikë mëshire. Kjo luftë sa vjen dhe bahet ma e rrebtë me “Revolucionin Ideologjik dhe Kultural”, që merr edhe pamjen e plotë të diktaturës komuniste me 19 Mars 1967, ku shteti merr edhe çelsat e Kishës Kathedrale, tue i mbyllë të gjitha Kishat e vendit me dhunë.
Kjo ditë asht fundi tragjik edhe i Imzot Çobes, i cili ndodhët përballë Sigurimit të Shtetit që përfaqsohet me komunistin servil dhe hipokrit Angjelin Kumrija, në kontrollin që ushtrohet në Argjipeshkvinë Metropolitane të Shkodres. Ky komunist dallkauk e spijun arrinë deri aty sa kur kontrollon dhomën e punës së Imzot Çobës, kërkon me ushtrue në mënyrë të paturpëshme kontroll në trupin e Imzotit të Nderuem Çoba, tue e detyrue me çveshë pantollonat, se mos ka mshef gja në....dhe, me të drejtë Don Mark Hasi i ka thanë ato ditë Nanës seme: “Ate që na ka ba atë ditë Angjelin Kumrija nuk na e ka ba as Sigurimi i shtetit!” por, kjo nuk ishte vepra e parë e Angjelinit e “besnikrisë” ndaj Sigurimit.
(F.Radovani, libri “Një Monument nën dhé”, fq. 305, Zagreb 2004).
Po komunistët a u mjaftuen me kaq? – Jo, jo, se porositë e skiles tjetër Ramis Alisë, duheshin çue deri në fund e sidomos, kur bahej fjalë për katoliçizmin kuptohet që nuk kishte asnjë lëshim deri në zhdukje të plotë dhe të dhunshëm të Klerit dhe të Kishës.
Posa u mbyllën Kishat, sigurimi kerkoi me gjetë shpifës në Shkoder, kundër Imz. Çobës. Besoj se shkodranët nuk e harrojnë fjalën e Burrneshës muslimane Adile Ashikja, në mbledhjen e lagjes së saj, kur i kërkohej me shpifë kundër Imz. Cobës: “Unë kam shkue me lypë tek Ai paret e bukës dhe Ai më dha ma shumë se i kerkova....Ju sot, kerkoni që Buken që më fali, me ia shperblye me shpifje! Ai asht kenë dhe mbetët për mue një Meshtar i Nderuem i Fesë Katolike në Shkoder!”
Organizohet një mbledhje në vitin 1967, mbas arrestimit të Sekretarit të Kishës, Don Mark Hasit me 7 Prill 1967, tek shkolla Pyjore për demaskimin e Imzot Çobës. Si kudo ndër ato mbledhje nuk mungojnë as shpifsit, as llafazanët dhe as spijunët ordiner që ishin altoparlantët e PPSH në ato salla, ku mbas “duertrokitjeve” të tyne, klerikve iu venin prangat xhelatët e Sigurimit të shtetit. Por, krejt ndryshej ndodhë me Imz. Çoben, kur asht pregatitë terreni për arrestim në atë mbledhje, çohet në kambë shoferi trim Dedë Gjushi dhe, deklaron: “Sot njëkëtu, nuk guxon kush me i vue prangat Imzot Çobës!” dhe me të vërtetë “nuk guxoi askush!”. Akti i Dedës tronditi edhe ideatorët e arrestimëve, ndonse “ky emën Hero!” nuk zehet me gojë...(F.R. “Një Monument nën dhé”, fq. 304, v. 2004)
Në shfletimet e proceseve të viteve 1957, 1958 e prap ma vonë, nga deponimet false të At Rrok Gurashit, Don Ndoc Sahatçisë etj. dhe një letrës së shkrueme nga Ndoc Nogaj e Gjon Shllaku, në vitin 1958, kur këta dy largohen nga Argjipeshkvia, (letër e cila ruhet në Arkivin e Shtetit Tiranë e jepet lirisht për me u lexue për “përmbajtjen e saj”), mbi këta akte të turpëshme Sigurimi i shtetit krijon mundësinë e arrestimit të Imzot Çobës, dhe “fajsia e Tij” formulohet mbi bazën e shpifjeve e trillimeve, kështu, flet arresti lëshohet me datën 3 Prill 1976 dhe arrestimi bahet me datën 24 Prill, tue u akuzue për “trathti ndaj atdheut dhe agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor...”. Bashkë me te arrestohen edhe priftën tjerë. Një ndër to asht Don Lec Sahatçija, ish Sekretar i Imz. Frano Gjinit dhe ruejtës i dy letrave të Tija, të cilat me këte rasë zhduken, mbasi Don Leci nuk doli ma nga burgu, vdiq i dënuem 25 vjet, por duhet theksue se Ky prift mbajti qendrim burrnor edhe ndaj Imzot Çobës, gja të cilën të tjerët edhe pse ishin shugurue nga duert e Tija, në gjyq nuk e bane, madje, gjatë zhvillimit të gjyqit me dyer të mbylluna edhe e randuene Imzot Çoben me akuza false, për të cilat Ai u dënue 25 vjet burg, por edhe vdiq i pafajshëm i shtrimë ndër çimentot e birucave të qelive të Sigurimit të shtetit. Të tjerët pa përjashtim edhe pse dolën nga burgu endè sot nuk kanë ba asnjë rrëfim publik dhe as nuk kanë kërkue asnjë falje për këte vepër ndaj Imzot Çobës, tue u nisë ndoshta, se ishim nën tortura dhe nuk mujtëm me qëndrue. Ata duhet me dijtë se ma shumë nën tortura asht kënë Imzot Çoba për me pranue akuzat e tyne, por Ai e ka pasë burrninë me qendrue dhe me deklarue edhe para gjyqit fals: “Jam kenë gjithmonë kundër komunizmit, as nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin, kam punue me shpirtë me e zhdukë dhe do të vazhdoj me kenë kundër deri në vdekje!”. (Dosja 3359/1 Arkivi i Min. Mbrendshme Tiranë, 1998).


Ky ishte Imzot Ernesto Çoba përballë hetuesve kriminel Ali Xhunga, Xheudet Miloti, etj. dhe, me po aq Burrni asht i patundun në bankën e t’akuzuemve para Kryetarit Sheuqet Muçi, anëtarit Xhemal Gramshi dhe prokurorit të “Revolucionit Kultural”, të njohtunit Faik Minarolli. Ja qendrimi i vërtetë i Martirit Çoba, i cili nuk akuzon asnjë njeri, nuk fyen me asnjë fjalë asnjë nga shpifsit, nuk randon asnjë qytetar nga dëshmitarët e rremë dhe nuk denoncon asnjë nga veprimet jo të mira ose të dobta të shokve të vet klerikë, për të cilët akuzohet se ka heshtë ose nuk ka marrë masa ndeshkimore. Asnjë qytetar apo fshatar i Shkodres nuk asht viktimë e Tij, sëpse Ai gjenë forca me rezistue dhe mos me folë për asnjë njeri e, mos harroni se zyra e Tij asht kenë e hapun për katolik e musliman të të gjitha monstrave e modeleve të Shkodres. Ai asht i vetdijshëm se ndodhët në atë bankë vetem pse asht Klerik Katolik dhe armik i vëndosun i komunizmit, me të cilin asnjëherë nuk ka ba asnjë kompromis në asnjë kohë. Ai asht i pastër moralisht dhe shpirtnisht para shokve, miqve, armiqve dhe mbarë Popullit Shqiptar, të cilve iu ka sherbye si fetar dhe Shqiptar, prandej edhe me gjakftohtësi pret vendimin e “pafajsisë së Tij” tue Ju nënshtrue vullnetit të Zotit, me 25 vjet heqje lirie, tue kenë me një gjendje shëndetsore shumë të randë dhe si pasojë e vuejtjeve me datën 8 Janar 1980, Sigurimi i shtetit e mbytë edhe Këte Martir si shumë të tjerë, në një nga repartet e Spitalit Civil të Tiranës.

Në vitin 1992, më ka tregue oficeri i zjarrfiksave Augustin Sheshi: “Njëditë më tha një shok se do të shkonte në gjyqin e mbyllun të Imzot Ernesto Çobës, ku, më ftoi edhe mue. Shkova. Posa e pashë më bani një përshtypje të madhe pergjysmimi i trupit të Tij të shkurtë dhe lodhja e madhe nga hetuesia. Përnjëheresh mu kujtue kur ishim fëmijë në rrugë të Luigj Gurakuqit, dhe kur luenim me topa leckash që posa kalonte Imzot Çoba, ndalonim lojen dhe vraponim me i puthë unazën...Ai na bekonte dhe mandej kalonte në punën e Tij. Ndaj Atij Kleriku që i donte aq shumë fëmijët e shokët e Tij, disa dëshmitarë nuk lane gja pa thanë për Tè...por, që më ka ba ma shumë përshtypje sesi u shpreh ashtu kundër Tij, asht kenë Gac Cepi, që as sot nuk dij me e kuptue...Ai më ka mbetë në mend n’atë kohë!...”
Në librin “Çinarët”, At Konrrad Gjolaj shkruen: “...Tregonte radiologu i spitalit të Shkodres, sesi një ditë erdhën dy oficera me një thes në radiologji. I kishin thanë me ba një radiografi. Kishte pregatitë aparatin e po priste radiologu se cili don me e ba prej tyne. Kur i ka thanë: “Jam gati”, ata kanë hapë thesin e kanë nxjerrë një fëmijë me fytyrë të plakun... e kanë vue tek aparati dhe, mbasi asht krye radiografia, e kanë futë prap në thes. Mbasi i kanë lidhë grykën, kanë kërkue filmin për me e çue në Tiranë. Radiologu e ka pregatitë filmin shpejtë e ka kërkue me i shkrue emnin e të sëmurit, edhe pse filmi ishte i lagun.
Oficerat kanë ngurrue me i diftue emnin. Ky ka kambëngulë, mbasi, simbas rregullit, nuk lejohej që filmi me u dorëzue pa emen. Ata tue pa kambënguljen e këtij, i kanë thanë emnin: “Imzot Ernesto Çoba”...E shkrova, thonte radiologu, e kishte njohtë ma përpara, por kurrë nuk do ta kishte besue se asht Ai, po të mos ia kishin thanë vetë ata emnin. Për sa kohë nuk m’asht hjekë nga mendja sesa e kishin ba Imzot Çoben.” (fq.130).
Në vitin 1998,...tue dalë nga Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme në Tiranë takova një oficer që kishe njohtë para disa vitësh në Shkoder, YH, por as sot nuk jam i sigurt për emnin e tij. I tregova se po shoh disa dosje në Arkiv dhe se, ato ditë kishe lexue dosjen e Imzot Çobes... më ndërpreu dhe, më tregoi: “Një natë dimri të ftohtë isha dezhur në degën e mbrendshme në Shkoder. Aty nga ora 11.00 e natës, një polic i birucave më njoftoi se Imzot Çoba dridhet shumë dhe duket sikur nuk po e mërrinë mengjezin...Shkova tek biruca ku ishte Imzot Çoba, po, Ai, nuk po jepte as merrte nga të ftohtit, i shtrirë në çimento pa asnjë mbuloje as shtroje, veç me rrobat që kishte veshur. Mora një batani në dhomen time dhe ia çova, hapa deren dhe ia holla sipër...Shkova aty nga ora 3 e mengjezit, por dukej se ishte i gjallë nga frymëmarrja e thellë. Në ora 5.30’ shkova e mora bataninë që i kisha çuar dhe, e pashë, Ai me mirënjohje më buzqeshi...e pyeta se, a kishte fjetur dhe m’u përgjigjë, se po... i thashë: “Imzot, ti je i dënuar, pse të mbajnë këtu? – Nuk e di, m’u përgjigjë... – Po, ke bërë kërkesë për arësyen e mbajtjes këtu? – Jo, më tha, – jam tue pritë çdo ditë me pa fytyrën e Përendisë, Ai vetëm asht Shpëtimtari im. Ate jam i sigurt se do ta shoh shpejtë ... mbylla derën dhe ika në dhomën time... Kanë kaluar sa vite dhe nuk e harroj kurrë sigurinë e Atij Njeriu të shtrirë në çimento, duke pritur për të parë Përendinë!...Ata kishin një forcë të pakuptueshme për të përballuar vuajtjet më ekstreme të atyre vitëve!”...
Fjala e fundit e Tij: “Do të vazhdoj me kenë kundër deri në vdekje”, sigurisht, ishte tiposë në kokat e katilave që vazhdonin me e torturue: Ja, pra, kjo asht arësyeja pse Imzot Çoba që nga data e arrestimit u mbajt pa asnjë batani i shtrimë për 3 vjet e 8 muej në çimento derisa një ditë me të vërtetë e pau Fëtyren e Zotit!...
Një prift i rinj i shuguruem nga Imzot Çoba aty nga viti 1962, takon në rrugë At Pjetër Mëshkallen dhe, i tregon se ato ditë do të hynte përherë të parë me ba ushtrimet e shpirtit me Imzot Çoben, i cili i kishte mësue priftit edhe gjashtë arësyet që njeriu duhet me heshtë... At Mëshkalla i thotë priftit të rinj: “Shko e thuej Imzot Çobës me të mësue gjashtë arësyet që duhet me folë, se, s’asht koha me heshtë ma!”.
(Libri At P.Meshkalla fq. 21, 22. Autori: F. Radovani. Botim II, 2007)
Kur e pata ndigjue këte ngjarje aty nga viti 1964, një ditë ia kujtova At Mëshkallës në një bisedë që po banim me Té, sigurisht qeshëm pak dhe vazhdueme bisedën...
At Pjetër Mëshkalla më ka thanë këto fjalë:
Ai e përfundonte bisedën me respekt për Imzot Ernesto Çoben, kryesisht për mos tolerancën e Tij në çeshtjet dogmatike dhe e mbyllte bisedën me mendimin se:
“Vetëm Imzot Çoba asht fakt, që asht kenë adapt për këte kohë, mbasi asnjë tjetër nuk do të kishte dijtë as muejtë me veprue si Ai, për kushtet që janë kenë në Shqipni!”.

Melbourne, Prill 2009



Materiali ndihmës:
Dosja nr. 3359/1, Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme Tiranë, 1998.
Autor At Konrrad Gjolaj OFM., Libri “Çiinarët”, Bot.I, Shkoder 1997.
Autor F.Radovani de Angeliis, Libri “Një Monument nën dhé”, Zagreb 2004.
Autor F.Radovani de Angeliis, Libri “At Pjetër Mëshkalla SJ., Bot.II, Zagreb 2007).

Atë SERAFIN KODA O. F. M.


ATE SERAFIN KODA O. F. M.

"Mësojeni kohën të mos hajë bijtë e vet".


Martiri nga Janjeva e Karadakut


Duhet thenë që në fillim së është disi e vështirë me përshkrua denjësishtë ketë portret, e për me shumë me pasqyrua thell e qart jetën e vepren e ketij Martiri. Ky misionar i shenjtë meriton të dalë në pah me ato sakrificat dhe dhembje, të cilat i ka përjetuar me kontributin e tij të jashtëzakonshëm, deri në sublim të jetës, si bari i urtë shpirtëror, i cili duhet të zë vend në altarin e merituar.


Jeta dhe kalvari i dhembjeve


Gjon Serafin Koda i biri i Gaspërit dhe Nënës Ananijeta, u lind më 25 prill 1893, në Janjevë të Kosovës, në një familje me tradita fetare, patriotike e atdhetare, familje e bekuar e Malësisë së Karadakut, zonë e njohur për heroizëm dhe atdhedashuri.

Gjoni kje edukua që në fëmijëri me besim në Zot dhe përkushtim ndaj atdheut. Kështu, falë edhe dëshirës së madhe të prindërve të tij, u bë meshtar. E pikërisht, në vitin 1908, përplotsoi thirrjen që kishte marrë prej Zotit dhe çoi në vend amanetin e prindërve dhe deshirën e zemrës së tij.

Studimet e larta i mbaroi në Austri. Sipas traditës së Fretërve, mori emrin Serafin. Meshën e parë e kremtoi më 30 Korrik 1925. Më pas, Frati nga Janjeva do të vijonte në udhën e bariut të grigjës së Jezu Krishtit.

Ai shërbeu edhe ndër vise të tokës mëmë, Shqipërisë, si në Dushman, Shalë, Prekal, Bushkash, Vukël, Kelmend dhe, së fundi, u caktua në Dioqezën e Sapës së Lezhës.

Kur Atë Serafini mbërriti në qytetin e vjetër të Lezhës, me atë zhgunin Franceskan e një konop lidhur mes trupit, ai meditonte me syrin e një njeriu që po i shkelte për herë të parë ato treva të panjohura për të. Në takimin e parë në Famulli, i patën treguar se në atë kodër të vogël, në perëndim të qytetit të Lezhës, ballëpërballë me kalanë 2500 vjeçare, ku dikur shtrihej qyteti i moçëm Lissus, mespërmes të cilit kalon lumi Drin, në atë bregore ndaloi Shën Francesku, 700 vjet më parë, gjatë udhëtimit pastoral, dhe la një amanet që aty të ndërtohej një kishë. Dhe ashtu u bë. Shën Françesku mbolli një pishë si shenjë e mirë për themelet e kishës. Ndërt imi i ati Tempulli u pasqyrua me vonë në Hyllin e Dritës.

Për më shumë, qyteti ku shërbeu Atë Serafini ishtë dhe toka e "Besëlidhjes së Lezhës", të Principatave shqiptare me në krye Skënderbeun.

Gjithashtu, aty gjenden themelet e Kishës së Shënkollit, ku është varrosur Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Ashtu sikurse gjithë Klerikët dhe Atë Serafini, i përjetoi ditët e shërbesës fetare në Dioqezën e Lezhës, me përkushtim dhe i palodhur, ku akoma edhe sot ndjehet fryma e veprës dhe idealit që ai iu përkushtua, në një kohë kur po përjetohej varfëria e ulur këmbëkryq, në trojet shqiptare.

Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore dhe me vendosjen përfundimisht të rregjimit komunist në Shqipëri, Atë Serafini dhe vëllezërit e tij françeskanë, do të kalonin përmes një kalvari dhembjesh, nga krimet më të paskrupullta të rregjimit, nëpërmjet Sigurimit policor famëkeq shqiptar, i cili vrau ajkën e inteligjencës së klerikëve, e njerëzve të pafajshëm, të cilët u bënë therrorë nga rregjimi Stalinisto-Enverist.


Arrestimi dhe burgosja


Serafin Koda ishte famullitar në Lezhë kur e arrestuan. Kjo ndodhi pasi ata sigurimsa më parë bënë një takim, për të diskutuar rreth problemeve ekonomike, me Fretnit e Kuvendit, por në fakt, aty oficerët e sigurimit u aktivizuan sikur ndonjëherë për t'i dhënë kuptim politik. Ashtu të lidhur e veçojnë në një nga dhomat e Kuvendit, duke e torturuar me metodat më çnjerëzore, psikologjike dhe fizike, me alibi të sajuara, si një ndër kundërshtarët e rregjimit komunist dhe për rrëzimin e pushtetit të tyre. I kërkonin bashkëpunim, për të dëshmuar kundër klerikëve të tjerë, që Sigurimi i Shtetit të arrestonte inteligjencën e klerikëve. Ishte maji i vitit 1947, sapo i kishte lënë të 54 vjetët e pikërisht, sa cituam më lart më 25 prill. Ajo ditë u festua nga ai dhe vëllezërit e tjerë klerikë, dhe ai u shpreh mjaft entusiast se ishte i lumtur që kishte lindur në atë datë që për të ishte simbolike, se përkonte me Ditën e Ungjilltarit, Shën Markut. Kjo datë gjithashtu i ngjallte nostalgji për vëndlindjen, se në Janjevë ishte hapë Shkolla e parë Shqipe në vitin 1671, një letër historike që mbante datën 10 Prill 1683 e vetë shënimi i Pjetër Bogdanit te libri "Çeta e Profetëve", e cila është dërguar aso kohe prej Janjëve.


Hetuesia dhe torturat.


Nuk vonoi shumë e meshtari trim ju nënshtrua pyetjeve nga hetuesit e Sigurimit të Shtetit, dhe torturave nga me çnjerëzoret dhe huligane.

- Hë, po na thuaj o prift Serafin, çfarë komploti armik keni përgatitur kundra pushtetit tonë të pavdekshëm komunist?

- Kurrësesi, jo dhe jo, as unë, madje e asnjë prej shokëve të mi. As nuk kemi menduar, absolutisht, atë çka ju më thoni, shoku Hetues, Jo, Jo Në asnjë mënyrë !

- A e dëgjoni si më thotë ky mua?! Po unë nuk jam shoku yt, more armik i popullit, këlysh i Vatikanit.

- Ju lutem, jo nuk jam armik, unë jam vetëm një meshtar, nuk e njoh urrejtjen, ne jemi për paqe e dashuri. Vetë besimi te Zoti nuk na lejon t'i urrejmë e ofendojmë njerëzit.

- Eh, ja pra po të lëdhatojm me grushtë turinjëve tuaj, ja edhe një tjetër. Nga fytyra e Atë Serafinit po rridhte gjak, nga goja e hunda.

- Kthehu në ujdi me vehten tënde, o Serafin i poshtër, he, po të dëgjojmë, na trego, cili nga juve është prijësi i grupit në atë çerdhen tuaj?

- Personalisht nuk di asgjë, asnjë nga miqtë e shokët e mi, nuk i kam degjuar të shprehen, kunder pushtetit popullor.

- Pa na i trego ato kokat drejtuese aty në "Sapën tuaj", hë përgjigju? Dhe furi grushtesh, shqelma e rrahje u derdhën mbi meshtarin.

- Ne s'kemi as hierarki as të parë të gjithë jemi vëllezër.

- Tani na thuaj ku i keni fshehur armët, se për ndryshe të mbytem në minutë?

- Pasha nderin, pasha të drejtat, ju betohem, për atë Zot nuk kemi armë.

- Ndëgjo mirë pra, keni 3 minuta kohë të tregoni gjithçka dhe në rast se jo, paç vehten në qafë!

- Për atë besë që ka burri, nuk kam asgjë për të thenë!

Të tre hetuesit që e kishin marrë në pyetje, u lëshuan mbi Atë Serafinin, duke e torturuar e rrahur barbarisht, derisa ai humbi ndjenjat. Ashtu i shtrirë në dysheme, i gjakosur, i dërmuar dhe i pavetdijshëm, njëri nga hetuesit i fut duart në fyt, për ta mbytur meshtarin trim. Nga fyti filloi të rridhte gjak. Por bisha komuniste nuk ngopej me kaq. Torturat vazhdojnë edhe për disa orë të tjera. Kur ata ikën Atë Serafini po jepte shpirt në çimenton e ftohtë të dhomës.

Nga mesnata e datës 11 Maj1947, Atë Serafini, i rënduar nga plagët, u përmend vetëm për disa minuta. Vëllezërit e tij klerikë e muarën për ta çuar tek infermierja. Kur po kalonte para trupores se Zonjës, iu lut me zërin e çjerrë, përmes gjakut që i rridhte nga goja: "O Zoja Virgjër, vepro sa më shpejt me shpirtin tim". Sapo e vendosën në shtrat, u lut për herë të fundit, pa mundur të bashkonte duart:

"O Jezus, merre në duart tuaja shpirtin tim, që te jam kushtuar me gjithë zemër".

'Ati ynë që je në Qiell"! - e… dha shpirt… Ia dorëzoi Atit të gjithëpushtëtshem shpirtin e tij te bardhë, që t'i bashkohet korit të engjujve në qiell, ashtu qoftë!


Mbas vdekjes Atë Serafinit


Besimtarët e Famullisë, bashkëkohasit e tij, e deshtën shumë meshtarin trim, që me qëndrimin e tij burrëror u shëndrrua në një martir. Ata humbën jo vetëm një njeri të përkushtuar ndaj fesë, por edhe njeriun e dashur, që kurrë nuk u pat munguar me ndihmën e fjalën e Zotit, në gëzime dhe hidhërime familjare. Ai u kishte shërbyer në të gjitha rastet, duke vizituar të sëmurët, rrëfime, bekime shtëpish, pagëzime, salikimin e të vdekurve. Njerëzit shpreheshin me fjalët më të mira të shpirtit, duke thënë se Atë Serafini ishte një misionar i zellshëm, i përkushtuar, me zemër të madhe dhe i dashur.

Infermierja e atyre viteve Marie Ndoja, e cila mjekonte Atë Serafinin në momentet e agonisë së plotë, bëri të pamundurën ta shpëtonte, por plaga e madhe e dëmtimit të venave e rrjedhja e gjakut nga fyti ia shkurtuan jetën.

Maria e varrosi me mjaft mundim e në fshehtësi të plotë meshtarin trim, poshtë një ulliri, që ishte në oborrin e Kuvendit te Fretërve, në kodrën që populli e thërriste "Kisha e Dom Lleshit".

Edhe sot e kësaj dite s’dihet pse u quajt me atë emër. Ndoshta ndonjë famullitar në atë Kishë ka lënë gjurmë me emrin e tij. Ndoshta, ndoshta, nga pushtuesit Osmanë, ishte ba therror edhe Dom LLeshi, e në kujtim të tij, u quajt Kisha në kodër. Por vitet kanë kaluar dhe asgjë nuk dihet me saktësi. Çmënduria më e madhe e sistemit komunist ka qenë ajo e vëllavrasjes, si edhe ndodhi me Atë Serafin Kodën, meshtarin martir, nga Janjeva e Kosovës, i cili u vra barbarisht nga sigurimi i shtetit komunist.Por përkushtimi, kontributi dhe vepra e Atë Serafinit kanë lënë gjurmë të pashlyera në Lezhë.

Mbas 34 vjetësh u zbulua varri i Atë Serafin Kodës, i cili ishte ruajtur me fanatizëm dhe obligim shpirtëror nga infermierja, një grua humane në shpirt, Marie Ndoja, një besimtare katolike, me një shpirt e mirësi të madhe. Ajo dëshmoi për varrin e Fratit vetëm në vitet e demokracisë. Maria, gjatë kohës së rregjimit komunist, as që guxonte të tregonte veprën e saj të mirësisë, por e ruante peng në zemër. Ajo mendonte gjithmonë për Fratin, i cili të afërmit e tij i kishte në Janjevë, që nuk ia dinin as varrin. Në rast se Sigurimi i Shtetit e merrte vesh, Maria do të dënohej me burg dhe për këtë ajo tregohej e kujdesshme, për ta mbajtur sekret. Mbas rivendosjes së besimit fetar në Shqipëri në vitet e demokracisë, ajo do të tregonte gjithçka.

Madje Infermjerja Marie pati pohuar se atë natë, që e varrosi meshtarin, i kujtohej se si shenjë i kishte veshur vetëm Zhgunin e Fratit, më Uratë në qafë dhe në këmbë një palë këpucë llastiku. Për çudi e të gjithëve, kur e nxorrën nga varri pas 34 vjetëve, këpucët e llastikut u gjetën të paprishura dhe te koka kryqi dhe disa kokrra të uratëve.

Rivarrimi i eshtrave të bekueme të Atë Serafinit u bë mbas restaurimit të Kishës "Zoja Nunciatë", në mauzoleun e saj. Në murin me një gjatësi 90 cm, që përkon me anën e majtë të Altarit, ku dikur celebrohej mesha nga vetë Atë Serafin Koda.

Më 16 Shtator 1994 populli i Lezhës dhe rrethinave, shprehen nderimin e respektin, dhembjen e kujtimin, duke marrë pjesë në meshën që u celebrua në nderim të rivarrimit të eshtrave të Fratit, nga ipeshkvinjë dhe meshtarë. Si për ironi, data 16 Shtator, përkonte me datën e Konferencës së Pezës. Ajo histori u la nga pas, por kujtimi i Klerit të Kombit u përjetësua në histori. Pllaka e varrit të Atë Serafinit flet shumë - aq shumë sa ka se çfarë historia të shkruajë.

Në mbyllje të këtij rrëfimi të dhembshëm e rrënqethës, të mos harrojmë e të mësojmë nga mesazhi që ai përcjell se "Koha i ka hangër bijtë e saj”!

Është nder i madh e shembull fatlum për vendin tonë, që Kisha Katolike, në procedurën e shpalljes martirë, mes të dyzetëve, ka zgjedhur edhe meshtarin Atë Serafin Kodën.

Referencat:

1. Nga website, Kisha Katolike Shkodër: Zyra-për Martirët

2. Prej Homelisë-ditën e rivarrimit, më 16 Shtator 1994, rreth jetës së Atë Serafin Koda

3. P. Bogdani, "Çeta e Profetve", faqe 10


Nga GJETO TURMAJ


Shenim: ky shkrim u botua në Revistën “Jeta Katolikë”nr.1. viti.2009.