At KONRRAD GJOLAJ


Nga Fritz RADOVANI:

“O TË QITEN JASHTË VAGABONDAT E AVENTURIRËT..,

O E MORI LUMI SHQIPNINË!” At Gj. Fishta (1921)

Ishte organizue një ceremoni e 80 vjetorit të revistës “Hylli i Dritës” në teatrin “Migjeni” të Shkodres, ku, përveç të ftuemve të tjerë, në tavolinën drejtuese ishte edhe një nga françeskanët e vjetër At Konrrad Gjolaj O.F.M. E kam njohtë që në vitin 1955 po nuk kam pasë asnjë lidhje me Te edhe pse halla eme moter Gjyzepina Radovani, mbas daljes së saj në pension ka sherbye në çelen e Tij, kur At Gjolaj ishte në Pëdhanë. Mbas referuesit kryesor për revisten e mori fjalën edhe At Konrradi, i cili tha: “Hylli i Dritës ka le në vitin 1913, viti ma kaotik për Shqipninë, viti i përpjekjeve, i xhonturqve, i Esad Pashë tradhtarit, Ismail Qemal frikacakut dhe i Princ Vidit pa pushtet...” dhe, vazhdoi me shpjegue veprimtarinë letrare dhe atdhetare të asaj reviste që u pat thëmelue nga i madhi At Gjergj Fishta. Posa At Konrradi zuni në gojë Ismail Qemalin, në sallën e teatrit pat reagime...ndonjë person qeveritar doli nga salla. Mbasi u mbyll mbledhja posa dola në Fushen e Çelës, më ndaloi në rrugë Marian Skanjeti dhe Lec Gjeka, të cilët kerkonin me ditë mendimin tem për epitetin që At Konrradi i vuni në diskutimin e Tij, Ismail Qemalit. Unë tue ditë arsyen për të cilën At Konrradi e tha publikisht ate që ndoshta pak kush e dinte për ditën e ngritjes së Flamurit Kombëtar në Vlonë në 1912, i thashë dy zotnive që prisnin përgjigjen teme: “Asht koha me folë haptas dhe me shkrue historinë e vërtetë ashtu si janë zhvillue ngjarjet. Po të kishe thanë unë ate shka tha At Konrradi, gjithë Shkodra do të thonte se asht çmendë Fritzi, por kur e thotë një frat i moshuem dhe i kulturuem si At Gjolaj, ndokush do ta quejn matuf, ndersa ata që e njohin Ate, kanë me kerkue arsyen e thanjes së Tij, gja e cila lidhet me faktin historik të ditës së 28 Nandorit 1912, por fakt i paditun dhe i panjohtun nga shumica e popullit tonë... Mendoj, se asht ma mirë me u mësue e vërteta se me vazhdue historina me rrena e shpifje.” Fjala ka kambë. Kështu e kam titullue këte ngjarje...para disa vitesh. Ishe tue pi një kafe në shtëpinë teme, kur shoh në oborr një Burrë...të cilin, mbasi e njohta dola dhe e ftova me hy edhe Ai për kafe. Ishte At Konrrad Gjolaj, të cilit i kishte mërritë në vesh fjala eme për Te. Më përshëndeti dhe hyni mbrendë. Mbasi më tregoi sesi ishin zhvillue ngjarjet më ftoi me shkue tek Ai me pa disa shenime historike të cilat mendonte me i botue në një liber, mendim i cili u realizue prej Tij në librin “Çinarët”, në vitin 1997. Mosha dhe vuejtjet e kishin ba punën e vet vetëm në një dridhje duersh që vështirsonte shkrimin me dorë, ndërsa, mendja, truni, kujtesa dhe saktësia e fakteve e datave më ka lanë mbresa të veçanta. Ai më diktonte dhe unë vetem shkruejshe në makinë shkrimi shka Ai fliste, po, kur përsëritshe leximin e frazës që kishe shkrue, shumë rrallë ka ba korigjime të vogla nga ana e Tij, se mendimet ishin të sakta dhe të kjarta për lexuesin në të gjitha drejtimet. Nuk diskutoj fare vërtetsinë e tyne, mbasi Ai nuk dinte me folë ndryshej, vetem të vërtetën. Librin Ai ia kushtonte Mësuesit të vet Don Alfons Trackit, misionar nga Breslau i Polonisë dhe i ardhun me u martirizue në Velipojë, dhe shokut e mikut të vet të përjetshëm Don Dedë Malaj, me të cilin u bashkuen në bankat e shkollës së Don Alfonsit në Velipojë, për mos me u nda ma kurr as në seminar për priften, as në sherbim të fesë ndër balta e skam të fshatrave të bregut Bunës, as në ditën e arrestimit, as në vuejtje e tortura të mnershme të sigurimit komunist, as në bankat e gjyqit të paharrueshëm në kinema “Republika” të Shkodres e, deri me 10 Maji 1959, kur në orët e para të asaj dite të zezë, xhelatët komunist e morën Don Dedën dhe At Konrradi nuk e pau me sy e as nuk i ndigjoi zanin kurrma...Histori, e cila përsëritej prej Tij me lot përfaqe... dhe, shpesh më thonte se, “malësori nuk duhet me kja kurr...por, kjo më ngjet nga dhimbja e madhe që kam për Te, mbasi Ai ishte krejt i pafajshem e torturohej barbarisht ma keq se kafshët nga kriminelët Nevzat Haznedari e Xheudet Miloti vetem se ishte prift, aqsa edhe pse i epnin medikamente me e topitë kur e sillnin në qeli, kur Ai binte me fjetë në çimento ndigjohej tue vrritë nga dhimbjet e kockave dhe të trupit që ishte si azgan...”

Nuk do të hyj fare në komentin e ngjarjeve të shkrueme në liber, mbasi tashma lexuesit e kanë formue idenë e plotë të përmbajtjes së tij. Edhe pse kanë kalue mashumë se 15 vjet nga ajo kohë kur unë ndigjojshe me vemendje nga goja e Tij, zhvillimin a atyne ngjarjeve që Ai jo vetem i kishte jetue, por i shpjegonte me aq saktësi sa, kur, mbas katër vjetësh unë i kam lexue në arkiv dhe pikërisht në dosjen e Tij ato ngjarje kam mendue me vete: “Si mundet me ndodhë, që mbas 35 vjetësh njeriu me ruejtë në kujtesë saktësi të imta dhe në dukje krejt “të parandsishme”, por shumë me kuptim dhe domethanse, që koha nuk i venitë kurr...ndonse, interesi për ato ngjarje asht mjaft i paktë nga shumica e fatkeqsisht nga rinia...e cila, nuk do me ditë (sigurisht me perjashtime), por gjithmonë tue mos u kujtue se rruga që po ecë Populli Shqiptar, do ta çojë pa asnjë dyshim në një përsëritje të asaj fatkeqsije 50 e sa vjeçare, që “na u duk se kaloi”... Kur i kam tregue se edhe unë do të shkruej një liber për Shkodren e masakrueme dhe se do ta titulloj “Një Monument nën dhe”, At Konrradi më dha dy porosi, “shkruej, po shkruej të vërteten dhe shkrueje Gegënisht”. Të dy porositë e Tija unë i kam mbajtë. Ai ngulte kambë se Gjuha e jonë e Gegënisë, do të vijë dita dhe do të “rikthehet” në shkollat tona, mbasi “Shqipnia pa At Fishten asht si Greqia pa Homerin, Anglia pa Shekspirin, Italia pa Danten...” dhe, qeshej e i bahej qejfi kur unë plotsojshe në thanjen e Tij: “Skenderbeu i hokati Shqipnisë e Ajo u ba Shtet ndersa, At Fishta, i hokati Shtetit Shqiptar e Ai filloi me folë...” Një ditë kujtoj se kishim harrue se kanë kalue mase kater orë që po bisedonim për një nga ngjarjet ma të shemtueme të kohës komunizmit, kur edhe vetë sigurimi nuk kishte ma “variante” anmiqsore me akuzue klerikët dhe filloi me krijue ngjarje me imoralitete aty nga viti 1957 – 58. Kujtoj si tashti një rasë për të cilin e pyeta dhe ishe i sigurt se At Konrradi, di saktsisht me më tregue të vërteten për një prft tjeter. Posa mbarova pyetjen më tha: “I janë shpifë, nuk asht e vërtetë asgja për atë prift!” po, ishte aq i premë në fjalë sa nuk lente shteg diskutimi, mbasi ky foli me siguri të madhe për te. Unë përsërita se ka pasë shumë thashetheme për te në lidhje me një grue që pat ardhë nga Tirana dhe i shërbente atij, dhe shtova se po të besoj, por nuk po mund të kuptoj sigurinë e përgjigjes Tande në këte çeshtje, mbasi po më dukesh shumë i sigurt në thanjen Tande. Ai shtoi: “Ashtu si tham unë asht, se prifti X asht kenë i paaftë, impoten-te (ital.) gjithmonë!..” ose anglisht: ‘man who is sexually impotent’(shen.em) E, pra, aq shumë asht përgojue Ai prift sa pak kush mund të kenë mbetë pa folë dikur për moralin e Tij...Ndersa, mbas arrestimit sa për të gjithë ata që kanë shpifë për te, ka shkrue në dosje krimineli Xheudet Miloti. Kjo bisedë më bani me besue pa pikë dyshimi At Konrradin, mbasi thanjen e vet e dokumentonte edhe me bisedat përsonale që kishte zhvillue me atë prift Ai vetë... atëherë, kur flitej për te. Prej At Konrradit kam mësue një veprim që shpesh kur shkruhet dishka që nuk pelqehet nga shumë njerzë, autori i librit vetem me një kundershtim të lehtë e fshinë nga libri mendimin e tij, ndersa, At Konrradi në librin e vet nuk pranonte me fshi apo me zevendsue një fjalë të ashper me një tjetër ma të butë kur ishte e verteta ashtu si e kishte shkrue Ai, ndersa, kur bahej fjalë për njerzë në poste shtetnore apo fetare nuk pranonte as me diskutue ndryshimet.

Mbetë e paharrueshme per mue një drekë në shtëpinë e At Konrradit, aty nga fillimi i janarit të 1997, posa libri i Tij doli nga shtypi. Atë ditë u njohta edhe me At Daniel Gjeçaj që kishte ardhë nga Roma. Në 24 orë panderpremje At Danieli kishte lexue librin “Çinarët” dhe, i kishte kerkue At Konrradit me njohtë autorin e parathanjes së librit. At Konrradi për kete gja kishte organizue dreken... Aty u hap biseda sesi na u lidhëm sëbashku dhe sesi doli nga salla një autoritet i lartë i shtetit, kur At Konrradi tregoi vlerat e “Hyllit të Dritës”...dhe, shtoi: “Per pak kam kenë tue persëritë thanjen e At Fishtës në 1921: “O të qiten jashtë vagabondat e aventurët.., o e mori lumi Shqipninë!”...dhe, shtoi: “Ata që janë shkaktarë të gjendjes së sotme dhe fajtorë, në vend që të japin llogari, duen me marrë frenat drejtuese të lame me gjak, tue u mbrojtë prej padronve të djeshem, që po tregohen përherë e ma aktivë nder afarizma të flliqta...”

Nuk mora vesh a kje drekë apo darkë ajo ditë e 4 janarit, kur unë ishe në një tavolinë të thjeshtë me dy nga Françeskanët e fundit kolos që janë shugurue Meshtarë në Shkoder, në prag të robnisë komuniste dhe kemi dalë nga ajo shtëpi nga ora 18 e darkës. At Danieli ishte Ai që posa Qeveria Demokratike Shqiptare fitoi në vitin 1992, i pat ba thirrje nga Vatikani me ndjekë një Program me disa pika (nuk gaboj rreth 20 pika), që Qeveria e re e Presidentit S.Berisha, me u tregue vertetë demokratike tue hapë të gjitha rrugët me shkue drejtë Europës së qytetnueme. Pra, ndonse kishin kalue 5 vjet unë e pyeta At Danielin, sesa nga ato pika që i keni tregue Ju atëherë janë realizue... Ai u habit sesi unë i kujtojshe ato pika po, përgjigja “vetkuptohej”...

Të nesërmen Ai u takue me Presidentin Berisha, por nga ai takim kishte kuptue vetëm ate që sollën muejt pasues... I kishte mbetë në mend një veprim i Presidentit: “...Gjatë gjithë kohës që kemi bisedue vetem për Shqipni, për mase një orë, rrinte tue i tretë sytë sa andej këndej por asnjëherë ai njeri nuk më shikoi drejtë në sy...”

Kujtoj një mbyllje bisede të Atyne dy Burrave, kur ishim çue në kambë e po delshim...

At Konrradi i tha At Danielit: “Asht koha që duhet ta dinë ata dhe të gjithë të tjerët që mendojnë për ne si komunistët, se françeskanët ashtu si pjesa ma e shëndoshët e Popullit Shqiptar, përkohsisht u thyen kur pushtetin e kishin në dorë komunistët, por kurr nuk u përkulën.” At Danieli e shikoi në sy dhe e rroku tue tokë kokën me Te, i tha:

“Qe besa Ty, as nuk të paskan thye as nuk të paskan perkulë...”

Me datën 20 Korrik 2000, At Konrrad Gjolaj në moshen 82 vjeçare ndrroi jetë. Kujtimet e Tija të pashlyeshme me kohën erdhën tue u ba edhe ma të vlefshme per mue. At Konrrad Gjolaj vazhdon me jetue në mendjen teme...e, besoj, se edhe ata që e njohën Atë Burrë, nuk do të harrojnë kurr Modelin e Fratit t’Asizit, të zbathun me zhgunin e Tij... Por, gjithmonë At Gjolaj do të kujtohet nga të gjithë Shqiptarët... Edhe përsa shekuj të tjerë që do të rrojnë “Çinarët” e Rrëmajit...

Melbourne, 2010.