AT FRANO KIRI O.F.M.


Nga Fritz RADOVANI:


“KASAFORTA” E PRIVINÇIALIT…AT FRANO KIRI O.F.M.


Janë ba plot 110 vjet, që ka lé, me 16 qershor 1901, një nga Fretnit që porsa e ké pa me sy, jé topitë prej asaj pamje Burrnore, të paisun me të gjitha tiparet dhe të gjitha virtytet që personifikojnë Shqiptarin, tue fillue nga pervujtnia e françeskanit t’ Asizit, thjeshtësia, dhe deri tek trimnia e guximi i pashoq, që në emnuesin e perbashkët kishin inteligjencën e persosun. Ky ishte At Frano Kiri OFM. (1901–1986).

Pamja e Kuvendit të Fretenëve në Gjuhadol të Shkodres, ka mangut në oborrin e vet një Kryq në të cilin asht Kryqzue dhe salvue në mënyren ma mizore çdo klerik që ka jetue në secilen dhomë, që shihni mbi këta harqe, mbas dates 16 nandor 1946, kur kuvendi u kthye në burg nga komunistët, tue dashtë me e njollosë, simbas metodes së tyne, me akuzen fallso, tashma të njohun, “futjen e armëve nën Elterët e Kishës së Tyne”. Një nder ma të torturuemit në këte burg asht kenë At Frano Kiri. E kam njohë në vitin 1961 kur kam shkue në spitalin ekstrapolmonar të Ujit të Ftohtë në Vlonë për arsye shndeti. Asht kenë dënue me 10 vjet burg, të cilat i ka kalue në Burgun e Burrelit dhe në kampet e punës. Kur ka përfundue dënimin, ka vazhdue me kenë i interrnuem në Gramsh të Elbasanit dhe në Kuq të Vlonës, deri në vitin 1964, që asht lirue nga spitali ku ishte i sëmurë me spondelit. Asht shugurue shumë i ri, sa ka mbarue studimet, mbasi pritej se vdes dhe mendohej nga eprorët të ishte i shuguruem për kënaqësi shpirtnore. Ka vdekë ndër të fundit fretën të kohës së tij. Një burrë me kulturë të gjanë, matematicien, profesor i Gjimnazit të Fretënve, teolog dhe njeri me humor të hollë, që mbulohej nga një fizionomi shumë tërheqëse, një portret i skalitun nga mjeshtrat e fiseve Ilire, shqiptar i vërtetë në dukje dhe në formim shpirtnor. Thonte se i përkiste fisit Kiri, por them se fisi Kiri i maleve të ashpra e të thella të Dukagjinit i përket At Franos. Trim, guximtar dhe jo vetem i vëndosun, po edhe i pathyeshem. Asht konsiderue miku ma i afërt i Provinçialit At Mati Prennushi, prandej edhe asht masakrue si rrallë njeri në hetuesi. Kërkohej me dëshmue se armët në Kishë i kemi futë bashkë me fretnit tjerë dhe se asht kenë në dijeni Provinçiali, mbasi akuzohej se edhe ka kenë krahu i djathtë besnik i At Matisë, gjoja në formimin e Partisë Demokristjane. “Kisha vendosë me e pa vedin copa copa e kurrë e në dynja mos me pranue një shpifje asisojit kundër Kishës dhe shokëve të pafajshëm!”, – më thonte, në një bisedë rreth asaj ngjarje në vitin 1961, kur po më fliste për At Matinë. Më tregonte se një natë shumë të ftohët dimni e kishin lidhë pranë një dritares dhe po ngrihej nga era që e rrahte në shpinë. Kalon andej krimineli Pjerin Kçira. Ky e shikon dhe i jep shenjë se do me i thanë dishka...Ai afrohet dhe ky, mbasi shikon gjoja mos me e ndigjue njeri, i thotë: “Pjerin, unë jam i pafajshem, po nuk mund të duroj ma torturat. Sonte kam vendosë me ra nga dritarja...e mos i mbetni kujt në qafë per këte që kam vendosë!” Pa kalue as dhjetë minuta, tregonte se erdhën dy polic me drrasa e gozhda dhe mbyllen dritaren, per me i evitue vetvrasjen...Qeshej kur e tregonte kujdesin e Pjerinit...që kush e di sa herë e kishte çue pa ndjenja në dhomë. Më tregonte z. Drita Kosturi sesi e lidhnin në një shtyllë druni dhe e linin gjithë diten në diell e naten të varun pa pi ujë...Kur e zbritnin, perplasej shtylla për tokë e gjakosej nё ftyrё At Frano, sa nuk njihej ma se kush ishte!

Tri ditë e kishin lidhë me një të vdekun në tortura ftyrë per ftyrë, derisa ka fillue me kullue langje i vdekuni e At Frano kishte mbetë pa ndjenja...Ujë pinte nder rrasa të nevojtores kur kishte “fat” me mbetë nga urina që nuk e thithte vrima e nevojtores së burgut! Në gjyq kur e akuzojnë për krijimin e Partisë Demokristjane në Shqipni, At Franoja, i kishte kërkue gjyqtarit që me e botue në shtyp akuzën. Kur e pyeti ai: “Pse e kërkon botimin e kësaj që ke bërë për formimin e Partisë Demokristjane?”, – ky u ishte përgjigjë: -“Kishe me dashtë me e marrë vesht gjithë bota se një prift shqiptar, At Frano Kiri në Shkodër, ka formue Partinë Demokristjane Shqiptare 3 vjet para De Gasprit në Itali, pra, simbas jush, unë jam ma i madh se De Gaspri që njen bota!..”.

Nё gjyq, nё Burrel dhe kampe, bashkvuejtёsit e kujtonin pёr qendrimin burrnorё tё Tij e dashuninё e Françeskanit tё vertetё, qё nuk harrohej kurrё prej tyne nga sandalet dhe kambёt e zbathuna edhe pse nga gjendja shndetsore gjithnjё kishte probleme.

Luente shah dhe domino me kalue kohën. Tue lujtë domino, u bante ortak me një tiranas që quhej Beqir, ndërsa unë me Seitin, edhe ky tiranas.. Kur u ulëshin gurtë me u numërue pikët, aty ishte bukuria e lojes e sidomos kur At Franoja, i shihte pikёt e shumta në dorë të Beqirit. At Frano ishte frat matematicien e Beqiri ishte polic nё Tiranё...

Në vitin 1964 drejtori i spitalit të Vlonës, dr. Angjelis, njё mjek qё interesohej fort pёr At Franon, e kishte njoftue se duhej me dalë nga spitali... mbasi ashtu e kishin urdhnue dhe ai i kishte dhanё 15 ditë afat At Franos, me u interesue ku do të kalonte pak muej internim që i kishin mbetë, për të cilat, At Frano, kishte frikë se mund t’i persërisin edhe vite të tjera, si zakonisht vepronte ministria e mbrendshme me t’internuemit.

At Frano i shkruen një leter ministrit Kadri Hazbiu: Me kenë se kam edhe kater muej me plotsue denimin dhe jam i smurë në spitalin e Vlonës, po me që më duhet me dalë nga spitali, a ka mundësi këta pak muej me i kalue në degen e mbrendshme të Vlonës ose në kuvendin e motrave të Vlonës, që ishte i vetmi kuvend në Shqipni, për me kenë ma afer mjekëve... Mbas tri ditësh ministri i jep përgjegje: “Mund t’i kaloni ku të dishroni mbasi jeni i lirë...”. Kёshtu, At Frano u lirue.

Erdhi në Shkoder dhe shkoi në Kuvendin e Arrës së Madhe...Ishte një gëzim i madh për të gjithë ata që e njihnin! Ishte edhe e papritun ardhja, po kur më tregonte se si kishte veprue, qesheshim se ku i kishte shkue mendja se çka me i shkrue ministrit...”sikur At Frano e kishte të sigurt lirimin, po kishte problem ku me kalue edhe muejt e fundit...”! Në vitin 1967 u rrezikue me u arrestue me “Revolucionin Kultural”...por shpetoi për mrekulli, mbasi siç më ka tregue Ai vetë, e ka shpetue ardhja e Pjeter Kostës në Shkoder, të cilin e kishte shpetue nga interrnimi në kampet gjermane në vitin 1944...Ashtu si kishte shpetue edhe Lef Nosin nga partizanët kur me urdhën të At Matisë e ka çue me njerëz deri në Milot, në nandor tё vitit 1944. Kalimi i Lefit asht kenё me rrezik koke sidomos nё Lezhё, mbasi kudo kalimi ishte veshtirsue nga permbytjet e mёdha rreth Shkodres.

At Frano Kiri e mbylli jeten tek nipat e vet në Shkoder...nё vitin 1986.

Po kujtimet e Tija të Martirizimit të pashoq per ne janë të paharrueshme!

Melbourne, Nandor 2011.