Prof. KOL PRELA - Deputeti martir i Dukagjinit

KUSH ESHTE Prof. KOL PRELA I DUKAGJINIT


Profesor Kolë Prela lindi në Shosh, më 19 tetor 1916 në një trung të vjetër atdhetarësh të martirizuar (Lulash Bala i internuar dhe i pushkatuar nga turqit në Torobullus, Mark Milani luftëtar kundër turqve e malazezëve në vitet 1910, 1911, 195, u martirizua si Fanolist dhe është një nga martirët e besës shqiptare pasi shkoi në litarë vetëm për të mos shkelë besën që i kishte dhënë shokut të prangave Zef Delia). Serbo-malazezët gjatë Luftës së Parë Botërore, babait të Kolë Prelës i dogjën shtëpinë, prandaj detyrohet të shpërngulet në qytetin e Shkodrës së bashku me familjen e djalin e mitur. Në vitet 1923-1928 Kol Prela vazhdoi Kolegjin Saverjne, nxënësi i Mjedës e përfundon kolegjin duke marrë pikët maksimale.

Nga vitin 1929-1936, përfundon shkëlqyeshëm Liceun e Shtetit "28 Nëntori", përfiton të drejtë studimi në Itali dhe në vitet 1936-1940 përfundon Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë në UT Torinos duke u laruar Doktor i Shkencave letrare. Nga vitin 1940 deri në qershor 1943 ka punuar si profesor i letërsisë, latinishtes dhe greqishtes së vjetër në Liceun e Shtetit "28 Nëntori" Shkodër. Ka qenë koleg dhe mik i Skënder Luarasit, Gaspër Palit, Qemal Draçinit, Ernest Koliqit, Gjergj Kokoshit, Simon Rrotës, Zef Kolombit, Ndue Përlucës, Safet Butkës. U shqua si mësimdhënës, metodist, përkthyes, publicist dhe kritik arti. Ka qenë Drejtor i Normales së Elbasanit , ka bashkëpunuar me revistat "Hylli i Dritës", Leka, "Zani Shnanout", "Fryma" Cirka","Kumbona e së Dielës" etj. Ka shkruar shumë artikuj studimorë si "Shqypja Ilire","Tokë e madhnume","Nacionalizma shqiptare" ,"Dom Ndre Mjeda dhe klerikët", "Çështje filozofike","Çështje e të mësuarit","Mbi Njohjen e botës","Rrymat e jetës shoqnore" etj. Artisti i Popullit Çesk Zadeja, Profesorët Shefik Osmani, Çun Jonuzi , Androkli Kostallari , heronjtë e popullit Tomë Kola, Nazmi Rushiti, Bardhok Biba , intelektualët Lorenc Shiroka, Luigj Sheldia, Angjelin Zojzi, Caf Jonuzi, Gjovalin Çerkaxhia, Jorgji Sota, Tonin Kiri, Çesk Bazhdari etj, kanë qenë disa nga ish nxënësit e Kolë Prelës. Profesori ka qënë një nga organizatorët e demonstratës antifashiste të 22 shkurtit të vitit 1942, ai ishte një nga nacionalistët e parë indipendent që përqafoi platformën politike të Konferencës së Pezës, hyri në FNÇ dhe së bashku me Riza Danin, Dom Luigj Picin, Xhemal Brojën, Rexhep Hakën, Sadik Bekteshin, Shyqyri Hafizin , formuan Këshillin e parë Krahinor Nacionalçlirimtar të Qarkut të Shkodrës me në krye major Sabri Gjonin. Profesor Kolë Prela në qershor vitit 1943 doli ilegal në malet e Dukagjinit për të organizuar lëvizjen antifashiste, atje ngriti Çetën partizane territoriale të Dukagjinit, koordinoi veprimtarinë antifashiste mes Shkodrës-Dukagjinit dhe Malësisë së Gjakovës. Në dimrin e vitit 1943 strehoi në Dukagjin dhe siguroi kalimin e Batalionit "Përlat Rexhepi" në sektorin Bogë-Thethë-Vuthaj.

Ishte largpamësia e Profesorit toleranca dhe dialogu që bëri me grupacionet e tjera politike që gjatë kohës së Luftës nuk pati as një konflikt të përgjakshëm në Dukagjin mes forcave të Fronit nga njëra anë dhe ballistëve e zogistëve nga ana tjetër.

Në zgjedhjet e vitit 1945 zgjidhet deputet i zonës nr 11 në Nënprefekturën e Dukagjinit, Kolë Prela e Riza Dani ishin deputet i vetëm nacionalist dhe nga opozitarët e parë të Shkodrës së bashku më Hysen Pejën dhe Zef Haxhinë në Kuvendin e parë pas Luftës së Dytë botërore Si opozitar me diktaturën kërkoi ndërprerjen e terrorit politik .Në Asamblenë Kushtetuese kërkoi hapur pluralizmin politik e ideologjik dhe orientimin pro perëndimor të Shqipërisë. Kundërshtoi projektin e Kushtetutës së vitit 1946 dhe votoi kundër saj, duke e quajtur si një akt plot ngjyra ideologjike si politikisht ashtu edhe nga pikpamja social politike .Demokracia e lirë që kërkojnë deputetët Riza Dani, Kolë Prela, Hysni Peja etj nuk është veçse demokracia borgjeze shkruan gazeta "Bashkimi" me 17 mars 1946. Profesor Kolë Prela u arrestua me 14 shtator 1946. U akuzua se ka qenë anëtarë i Komitetit Qendror të Parisë Demo-kristiane dhe në bashkëpunim me organizatën terroriste të Klerit Katolik ka luftuar për përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri. Për të gjitha këto dënohet me vdekje si tradhtar i popullit në prill të vitit 1948, pushkatohet në livadhe të Shkodrës , nuk dihet se ku i përfundoi trupi pasi akoma edhe sot nuk ka varr.


nga Prel Milani, gazeta "Ndryshe"


____________________________________________________


Dy deklarata historike të profesor Kolë Prelës

Deklaratë në mbrojte të Patër Gjon Shllakut dhe grupit të klerikëve të Shkodrës me 1946


Unë i nënshkruemi Kol Prela, profesor në liceun e shtetit Shkodër dhe Përfaqësues i Dekretuem në Asamblenë Kushtetuese, përsa i përket të pandehurit Patër Gjon Shllaku, Françeskan nga Shkodra deklaroj sa më poshtë vijon:
P.Gjon Shllakun e kam njoftë për herë të parë në verën e vjetit 1940, sskur u ktheva prej Italijet pasi mbarova studimet e larta.
Qyshë në takimet e para që kam pasë me të, kam mujtë me konstatue se ai ishte një element anti- italjan dhe anti fashist.
Kudo që kishte rastin e mundësinë , demaskonte dhe dis-aprovonte ardhjen e Italisë këtu të njajtën gja bante edhe me përkrahësit e Italisë e me tradhtarët vazhdimisht ktu. Ka qënë kundër artikullit denigrues për popullin shqiptarë, që P. Fulv Cordignano pat botue në revistën "Albania.Madje, në këtë rastin e fundit nuk u kondenue vetëm me dizaprovue, por edhe punoi për përpilimin e broshurës "Cordignanmo", "Një gjyq përpara botës", tue gjetë gati gjithë biblografinë, tue përkthye gjithë copat e autorëve gjerman, që nevojiteshin për atë përgjigje. Nuk e vuni emrin në fund mbasi broshura dilte në emën të grupit të profesorëve të Liceut të Shtetit Shkodër e ne emën edhe ky, do të dukej , se profesorët e një instituti shqiptar, mos të ishin në gjendje me shkruejt një artikull, pa kërkue ndihmën nga jashtë rrethit të tyre. Këtë, mund ta dëshmojnë edhe profesorët Mark Ndoja dhe Simon Deda, të cilët në atë kohë kanë kenë në kontakt të vazhdueshëm me të pa ndehurin. Këtë qëndrim anti-fashist ka vazhdue t?a mbajë gjatë gjithë kohës që kam qënë në kontakt deri në qershor 1943 datë në të cilën jam ilegalizue, mbas të cilës nuk kam pasë rast me ra në përpjekje me të derisa asht çlirue Shqipnia. Mbas çlirimit , dihet prej të gjithëve, se P.Gjoni, ka dhanë kontribut në lamën ku ashtë ma i përgatitun, d.m.th në atë të kulturës. Ka ba konferencën për inaugurimin e Shtëpisë së Kulturës në Shkodër, në të cilën ka thanë këto fjalë: Ashtë hera e parë që Shqipnia çlirohet me gjakun e bijve të vet. Independenca e Shqipnisë sot nuk asht një dhunti, por asht fryt i përpjekjeve të popullit shqiptar" Përmbajtën e kësaj deklarate, jam gati me vërtetu edhe përpara Gjyqit të Popullit "V.F.L.P". Shkodër,14.02.1949. Deklaruesi: Profesor Kolë Prela d.v.

Fridz Radovani "Një munoment nën dhe" De angelës .Zagreb 2004, fq 101.(Marrë nga Arkivi Ministrisë së Punëve të Brendshme.)



Letër drejtuar Mehmet Shehut për ndërprerjen e operacionit të dhunshëm në Dukagjin 1945

Fort i nderuemi Gjeneral!

Jam i detyruem t'u informoj në mënyrë të menjëhershme, pasi vartësi juaj Ndreko Rino në Rrethin e Dukagjinit, ka fillue një operacion represiv krejt të panevojshëm dhe ma do mendja i paautorizuar të përdori dhunë ushtarake, pa ditë me ba dallim mes të fajshmit dhe të pafajshmit. Si Përfaqësues i Dekretuem në Asamblenë Kushtetuese i zgjedhur nga zgjedhësit e kësaj zone dhe organizator i lëvizjes nacionalçlirimtare nga fillimi e deri sot, deklaroj se lëvizjes sonë askurrkush në Dukagjin nuk ju kundërvu me armë. Madje as tani nuk paraqitet asnjë rrezik për nji gja të kësaj natyre. Operacioni i Ndreko Rinos ka ngjallur tmerr, pakënaqësi, e pasiguri, njerzit nga friga po arratisën e marrin malin, jo për t?u bashkuar reaksionarët të cilët nuk e di se ekzistojnë por për hir të së vërtetës duhet thanë se ne po i krijojmë me duart tona. Po të arrestojmë e pushkatojmë për një fishek, për një pushkë , për një allti nuk mbetet njeri pa u vra ose burgosë në gjithë Dukagjinin. Malsori ma parë pranon vdekjen se sa hunin e pa kursim që po i epet për shpinë. Si deputet i kësaj zone, unë hy dorzanë për të dorzue të gjithë të frigsuemit e të pa qartsuemit, me kusht që të lihen të lirë të shkojnë në shtëpijat e tyre pasi nuk kan ba asnjë vepër kriminale as ndaj qeverisë as ndaj Luftës Antifashiste.

V.F.L.P


Me nderime e konsiderate të lartë
Deputeti i Dukagjinit Profesor Kolë Prela.(d.v.
Kodër Shëngjergj 25.12,1945.)
Dosja 2293 Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme Tiranë.

_______________________________________________


Ubi spiritus Domini, ibi libertas.

Ku âsht shpirti i Zotit, aty âsht Liria.

Atje kú e ka zanafillën madhështia e Alpeve shqyptare, atje ku buron uji i freskët, atje ku shtegtari e bujtësi e shuejn etjen me ujin e kulluem që del nga rreshpja, atje ku zogjtë e malit k’ndojnë hareshem kângën e tyne të lirise hapsinore, atje ku i krishtëni në t`zbardhun drit's i nalton uratën e vet shelbuesit të botës, atje ku dinamizmi i bukurisë së natyrës harmonizohet në mënyrë lineare të mrekullueshme me bukurinë shpirtnore, atje ku miku madhengjehet prej tingujve emocionues të lahutës, atje ku neper stane ndigiohet zâni kumbues i fyellit të çobanëve, atje ku burri e fmija i vnojnë pushken anmikut, atje ku koçaku ruhet prej burravet e ushqehet me buken e mrume prej grave sojnike-burrnesha , atje ku feja, burrnija e trimnija janë si me kënë motra t`nji nane, atje e rriti shtatin aj që quhet i dukagjinas, atje e formoj karakterin t`ashper si vetë shkrepat, atje malcori me bukë ibrid, me tâmel dhísh, e me mishin e thatë të varun nder trena e të terun në ajrin e pastër të natyres e formoj fizikun e tij xhigand, trunin e tij të mprehte per çdo lloj çeshtje e problemi intelektual e burrnor, atje, pikërisht atje u rrit kjo qënie njerzore që i dhá shije e bukuri vetit n`rradhë të pare, gjytetit të tij e kombit të tij. I dukagjinasi...
Per me bâ edhe mâ të njohtun per lexuesit, unë, i dukagjinas, ketu po i paraqes disa dishmi shumë me vlere për jetën dhe fundin tragjik të Profesor Kole Preles, qe trashigoi gjakun e paster te Burrit trim te Dukagjinit, i gatuem ne bankat e shkollës së kolosëve françeskan me virtytet e nalta, të Fese, t`Atdheut dhe perparimit evropjan Perendimor.
Kjè viti 1945, at'here kur komunistët nisin zhgatrrimin dhe shfarosjen e inteligjences shkodrane të formueme me aq vështirsi në Evropen Perendimore. Burgjet stërmbushen plot e përplot me klerikë, me intelektual e me njerz të thjesht të moralshem. Ja dishmia e njènit nga ata bashk'vuejtës te atyne ditëve të errëta për popullin e mjerë shqyptarë. Ky âsht Prof. Sami Repishti, i cili me shumë dashamirësi dhe dhimbje shprehet per profesorin e tij të gjimnazit Kolë Prelen e Pepsumajve (material që mâ nisi me e-mail me dt 20/11/ 2006):
“Kujtimi i dites se arrestimit me sjelle me force para syve te mij pasqyren e gjendjes se tmershme fizike e psikologjike te popullit dhe vendit tim te lindjes, Shqiperise sime, te prindeve, gjysheve dhe stergjysheve te mij shqiptare. Me kujtohet arrestimi dhe ajo dite shiu te parreshtun per disa dite (si shiu i Shkodres!), rruget e mbushuna me uje, lumejt e fryme, Drini, Buena e sidomos Kiri qe shpesh vershon mbi qytet, dhe frika e qytetareve nga inondacioni. Por ate dite, frika e arrestimit dhe hymja ne qelite e Sigurimit ishte per mue mbizotenuese.
Me kujtohen konditat e qelive perdhese ose nentokesore, lageshtia, te ftohtit dhe era e qelbet qe mbushte ajrin e pamjaftueshem ne ato varre te gjalla per ne, te rij e te vjeter, qe kishim gjete guximin me i thane Jo! murtajes se kuqe. Me kujtohen fatzezet e arrestuem para meje, zanet e tyne te mekuna , denesat e pafund, thirrjet qe i bajshin rojeve, shamjet dhe mallkimet. Mandej vinte heshtja e plote. Sikur te rifillonte me nji urdhen misterioz, kori mortor i atyne qe i kercenonte vdekja, mbushte kete qender lotesh dhe gjaku te derdhun pa faj.
Mbas nji séance dy oresh ne torture, me vendosen ne nji korridor te erret, gjate te cilit dy nevojtore te vogla sherbejshin si qeli per te burgosun. Zane te dobta memzi vijshin ne veshin tim, zane te mekuna nga lodhja, pagjumesia, ose smundja e qe une nuk isha ne gjendje me i dallue. Ma ne fund ndigjova nji pyetje: “Kush je ti?”
U trondita! Pyetja u perserit. Nuk pata guxim me pergjegje. Tronditja e forte e arrestimit dhe e tortures se pare me mbante me goje te mbyllun. Perseri nuk pergjegja. Mbas pak minutash zani i mekun qe vinte nga erresina e fundit te deres se nevojtores tha: “Une jam Kole Prela…deputet i Dukagjinit!”
Zani qe erdhi sikur te ishte nga varri, dhe emni i te burgusnit qe foli, me gozhdoi ne vend. Emni i Prof. Kole Preles per mue ishte ma shume se nji titull zyrtar. Ai kishte qene profesori im i gjuhes dhe letersise shqipe ne Liceun e Shkodres, e nji nga edukatoret ma te respektuem per bindjet e tij anti-okupator e anti-fashiste.
Frika avulloi pa dijte as une se si, e nji ndjenje dhembshurie per profesorin me mbuloi. Prane meje nji viktime e pafajshme e terrorit te kuq perpiqej me dale jashte varrit ku e kishin ndrye, me marre kontakt me boten jashte rrethit vdeksor ku ende jetohej. Per mue, ky kontakt i papritun, pothuejse jashte-tokesor, me terhoqi akoma ma poshte ne boten e nendheshme te ferrit. Nji nderlidhje e pa imagjinueshme vetem nji cast ma pare u ba, si per mrekulli, lidhja e ime e pare dhe ma e thelle, larg shoqnise njerezore qe, pak kohe ma pare me rrethonte e me ushqente si pjesetar i saj.
Me nji za hezitues, por me bindje te plote se ne ate çast po i shtrijsha doren e jetes asaj krijese te nentokes, po ofrojsha nji ure nderlidhese me jeten qe kishte lane mbas dore ate vend te zi si nata e fundit te ferrit, u pergjegja:
“Profesor, jam S.R. studenti i juej ne lice. A ju kujtohet?”
Nji heshtje e shkurte, e ai:
“Mos thuej… O fatzi, edhe ti ketu ne Sigurim?…Pse te kane arrestue?”
U perpoqa te spjegoi gjendjen e Shkodres ne ato dite. I tregova per 28 katundaret e Postribes qe u vrane pa gjyq publikisht, per dhjetra te tjere qe u ekzekutuen para familjareve te tyne, per te arrestuemet ne mase ne qytet e ne rrethet, per shtepiat e katundeve te djeguna tymi i te cilave shihej prej qytetit, per tmerin qe mbretnonte mbi popullsine shkodrane e mbetun krejtesisht pa mbrojtje e ne meshiren e vales se terbueme te komunisteve shqipfoles, qe frymezoheshin dhe veprojshin simbas urdhenave te shokeve jugosllave, dhe sidomos per katastrofen e pandaleshme qe ra mbi koken e klerit katolik shqiptar dhe klases intelektuale shkodrane, te denuem me shkaterrim. Me dukej sikur te gjithe ishin arrestue, torturue, e ishin ne pritje te ekzekutimit, ose te nji periudhe te gjate burgimi…
As une vete nuk e dijsha pse fola kaq shume. Nga frika kalova ne nji gjendje shpirtnore te re ku nevoja me fole, e me fole pa pushim, me dominoi. Ishte mesnate! Kisha kalue proven e pare te tortures dhe e kisha te qarte se çfare me priste neser, mbasneser, dhe ne muejt e ardhem. Flitsha pa nderpremje nga frika qe kisha se diçka mund te me pengonte ma vone, ashtu siç ngjau me izolimin tim te plote.
Profesori viktime nuk me nderpreu. Here mbas here fshante sikur donte me thane:”Te mjeret ne çka na ka gjete…!” pa fuqi me shqiptue fjalen.
Mbandej ra heshtja! Une u struka ne qoshen e murit te korridorit. Profesori priti pak kohe…nji eternitet ne ate gjendje…dhe ma ne fund shqiptoi fjalet qe u ngulen per jete ne kujtesen time:
“Sami, nuk me vjen keq per vehte sepse kam ndihmue ardhjen e ketij regjimi. Zoti e din sa kam dashte lirine e popullit, e sidomos te Dukagjinit tim te vorfen…Po keshtu si morren punet e ndiej vehten pergjegjes per te gjitha viktimat…edhe per ty, studenti im i pafajshem…Edhe une jam i pafaj, por peshen e pergjegjsise se perkrahjes se Levizjes ne Dukagjin gjate luftes kunder okupatorit nuk mund ta shkarkoi…ajo me mbetet ne kurriz per sa kohe qe jetoj…Por ju, more te mjere, ju te rijt e pafaj, viktima te ketij sistemi te pashpirte, te pa Zot…ju pse te vueni?”
Ai heshti. Une nuk pergjegja. Por heshtja nga te dy anet e deres se mbyllun randoi aq shume mbi mue sa nuk isha ne gjendje me e durue ma gjate.
“Profesor!” i thashe. “Ju nuk keni faj…keni ndihmue rezistencen…edhe ju jeni viktime …Kush e mendoi keshtu?”
“Jo, jo,” u pergjegj. “ Dikush ashte fajtor per te gjitha keto…une kam qene prane tyne, u genjeva premtimeve…sikur te me kishte marre Zoti mendt…”
Me pyeti per vellaun, Markun, qe une nuk e njihsha. Me tregoi se ne “nevojtoren-qeli”_ prane ishte Riza Dani, deputet i Shkodres, qe here mbas here shperthente me thirrje te nalta e shamje qe shuheshin menjihere nga rojet e kuqe e shkopi i tyne mbi kurrizin e shtatedhjete vjecarit demokrat.
Rrefimi para vdekjes i profesorit tim pasunoi ndergjegjen time me nji dimension te ri, te jashtezakonshem, pothuejse shenjtenor: ate te sinqeritetit te plote, te zanit te ndergje-gjes pa asnji njolle, ate te nji pastertie shpirtenore qe arrijne vetem zemrat e hapuna para vehtes dhe para Krijuesit. Une pata pershtypjen se profesori im ishte “zgjidhe” e rrefehej para Zotit e perulej para Tij si shpirt i dalun nga trupi qe e mbylle, pata pershtypjen qe ai po pergatitej per Gjykimin e Fundit jo si nji i denuem me vdekje qe vajton fatin e jetes mbi toke, por si nji sakrifice e ndergjegjshme e rolit tij mbi toke, me friken qe kishte tradhetue kete rol e qe ai nuk e duronte, …e megjithate, per lehtesim shpirtenor, e pranonte. I ri, i papergatitun per skena kaq tragjike, une u dermova plotesisht ne shpirt. Me dukej se rreth e rrotull meje siellej vdekja qe merrte pa pyete, e korrte pa meshire qeniet e pafajshme te mbetuna ne doren e nji fati te eger qe nuk e meritojshin …si profesori i im qe nuk e pashe ma, e qe u ekzekutue gjashte muej ma vone e gropue ne nji varr pa shenj! (Deputetet Kole Prela e Riza Dani u pushkatuen ne vitin 1948)”. Ktë dishmi ma ka nise nga USA me e-mail me dt .........i nderuemi bashkvuejtes dhe njeheresh nxanes i Kole Preles, Sami Repishti, qe e falenderoj perzemersisht, Zoti i dhashte shnet.
Mesuesi i vjeter shkodrane, Angjelin Zojzi rrefen:
ne femini kje nji fëmijë i brishtë ,i verdhë ,por i urtë ,nji vorrcak i zellshëm ,me qiri para librash e me nji copë bukë të thatë në dorë ,kurse në rini : nji djalë i heshtun që flet pak e mendon shumë ,guximtar e pa entuziazëm rinor ,por që kishte përvehtsue karakterin e shpiptarit malsor , krenar për idetë e tija dhe që luftonte servilizmin .
Ish gjerenali Sadik Bekteshi në intervistën e tij në R.D .thotë : ‘Kol Prela kje i pari partizan që doli në mal në Dukagjin”,pra ai nuk thotë “komunisti i parë”.
Në vitin 1943 ,fill mas Mb.së Mukjes në Tiranë. Pof. Rrok Zojzi kishte takue Prof. Kolën si ilegal ,i cili i kishte thanë :“Kam ba gabim që hyna në Front”.
Gazeta “Fjala e Lirë” e Elbasanit Nr.247 vit 1994 shkruen nën titull “Mos e harroni Kolë Prelën” nga M.Bungo…Në nji takim te Prof. Koles me Q.Draçinin, tue pa neper rruge njerz qi po burgoseshin, vjetin 1946 i pat thanë Qemalit : “Duket se shpejt do na vijne koha edhe ne”
“Mos harro, Drite” – “ me shif nanen” i kishte lane amanet ne burg, i urti Prof. Kole te burgosunes , kur ajo po dilte nga burgu ( R.D dt. 16.2.1991).
Ajo (Kata) në fillim u shtang, por kur e mori vehten bertiti: “Ky asht Kola im, im bir”, e e me krahe hapet iu drejtue ta rrokte, si rroke nana loçken e vet.
Thohet se e ama Kata, per tre net rresht ne baçen e Shulejve Ballabane per ta pa per te fundit here kah e dergojn per pushkatim, por u rrejt. Prof. Kola ne çastin e pushkatimit fshani: “ O Shqipni, po me pushkatojne pse te deshta”... Marrun nga revista Kultura dhe Jeta 1996, Viti III i botimit, fq 1-6.
Prof Kole Prelen e ka njofte bajagí mirë edhe ish sekretarja e komitetit të partisë komuniste të rrethit të Shkodres z.Zina Franja, e cilla ne janar të 2006 në shpinë e vet me tregoj :
Persa i perket pushkatimit të Kolë Preles dihet se Gjipsin e ekzekutuesve te tij dhe të avokat Paulin Palit e kanë ndjekur njerzit deri te Zukth Kashta. Kola sebashku me të vellanë Markun kanë jetue në jerevine e Nush Bushatit në lagjen Giuhadol.
Kola pat jetue edhe te shpija e babait te Zina Franes,Tom Zef Plani, te Semeteja e Vjeter afer Qark Komandantit, Gjon Destanisha nga Gimajt e Shalës.
Dedë Lulashi i Ndrejajve, i biri i bajraktarit të Shoshit në një leter të shkrueme në janar të 2006 posáqe për dishirin tem me njofte mâ mirë Kole Prelen dëshmon:
Kola masi maron shkollen e naltë me rrezultate të shkëlqyeshme, vjen në Shqipni dhe lidhet me forcat nacionaliste çlirimtare, ma vonë krijon çetën në Pepsumaj ku në këtë çetë mueren pjesë disa shoshnjanë, shalnjanë, toplans, pultins e tjere.
Kola vinte disa here të shpija jonë e bisedonte me baben tim Lulash Gjeloshin.
Më kujtohet në 44-en kur Kola erdhi në shpinë tonë e gjatë bisedës me baben tim i thotë: bajraktar banu me mne se jena ka fitojmë, baba ju pergjegj e di se ini ka fitoni por nuk bahem komunist pa dekë se ini të pafe.Kola ju pergjegj bajraktar nigjo pasha Krishtin komunist nuk bahem pa vdekë, atëher nuk ke gja në terezi i thotë baba jem Lulash Gjeloshi edhe biseda vazhdoj.
Zotni Ahmet Bushati, i denuem ne Shkoder ne vitin 1946, deklaron si mâ poshte:
Në burg do të bijshin të dy vëllaznit: Kola, si gjoja i lidhun me grupin e deputetëve, kurse, Marku, si zakonisht në atë kohë, për Postrribën.Mbas denimit me vdekjë të Kolë, thuhet se Katrina tri netë me rradhë ishte qenë ngujue në nji kopsht të lagjes Ballaban, me shpresë që të shikonte për herë të fundit Kolën e saj kur andej ta kalojshin për në zallë të Kirit, vendi ku zakonisht u pushkatojshin të denuemit me vdekje, Për nji dëshprim ma tepër për te, Kolën – siç kemi folë pak ma sipër – do ta pushkatojshin bashkë me Paulin Palin në fushë të Bunës.
Marku i dalë prej burgut mbas dhetë vjetësh, do ta gjente ma në fund pak ngushllim te nji fejesë që pat ba dhe e am, Katia, - siç e thërrisnin për shkurt të kojshi e të afërm – u thonte se qe përtri, por jo për kohë të gjatë, sepse Marku,si të kishin kalue pak muej fejesë e të “kndelluni", do të vdistë papritmas tek punonte si topograf në fushë të Zadrimës.Dikush pat thanë se e helmuen njerzit e Sigurimit, gja që më duket se nuk u provu.Megjithate, Katrina vetë, merr ma të tmerrshmin ndëshkim të fatit, gjallë se gjallë.
Në kohën që Marku vdiste në Fushë të Zadrimës, Katrina me të fejuemen e tij kishin dalë në Thethë te njerzit e tynë e kur, mbas lajmit të marre, të mbrrijshin te shtëpija rreth mesnatë, do të gjëjshin dhomen rreth e rreth me ish-shokë të burgosun të Markut dhe Katrina ende pa ba kambë brenda, me zëmër të coptueme, po e mbajtun fort prej zakonit, do t'ju drejtonte dhomës me nji za burri : “Prej robit burra, apo prej Zotit?” Dokument i marrun nga libri i tij per kujtimet e burgut me titull "Në gjurmet e një ditari" fq 151, por këto dëshmi të shkrueme i nderuemi Ahmet ma tregoj edhe kur shkova me e takue ne shpinë e tij në janar të 2006, bilè për knaqsinë tëme aj shkrou edhe nji fletë posáqe per kujtimet e tij me Mark dhe Kolë Prelen dhe mâ fali me shumë dashtuni.
Nga libri “Një monument nën dhè” i Fritz Radovanit, po i botoj këto fraza me leje të autorit që e kam mik shumë të dashtun dhe një korrespondencë të vazhdueshme me ane të e-mail:
Kolë Prela para trupit gjykues. “Në shkurt jam takue me Paulin Palin, por nuk kemi bisedue gja me rëndësi.Padër Gjonin (bahet fjalë për Atë Gjon Shllakun) e kam pasë mik personal. Padër Franja (bahet fjalë për Atë Frano Kiri) Filipi e Aleksi, kanë ardhë për një deklaratë që i kam dhanë për P.Gjonin.
Me Gjelosh Lulashin jam takue dy herë, në shtator të 1945 dhe, në prill të 1946. Më tha se ban mirë me u ilegalizue, por, unë i thashë, nuk kam ba gja.Mbasi nuk kam marrë pjesë në organizata nuk mund ta quej trathti.”
Kolë Prela ndërroj jetë në 1948. Denimi me pushkatim ju dha prej këtij trupi gjykues: kryetar, kap Misto Bllaci, antarë, kap II Përtef Alizoti dhe nëntoger A.Koroveshi, prokuror kap. Namik Qemali dhe sekretar Shaban Q.Dautaj në seancën gjygjësore të datës 14 janar 1948.
Dosja edhe pse ka mangsite e veta tregon karakterin burrnor te Atyne Burrave qe luftuen per nje Ideal: Shqipni te Lire dhe Demokratike e bashkueme me te gjitha trojet e veta.
Dosja tregon edhe qendrimin burrnor te Ketyne Herojve qe edhe pse jane te besimeve te ndryshme Ata vdesin si vllazen tue ruejt te paster nderin dhe trashigimine e gjakut Shqiptar. Ka nga Ata qe ne tortura u dhunuen e deshmuen per shokun, por para gjyqit kane burrnine me pohue se: “E vertete asht fjala qe po tham ketu dhe jo ajo qe kam deklarue nen dhunen e tortures.” E mos harroni se tortura vazhdonte deri ne momentin e pushkatimit. Ja pra, me fakte sesi kane vdeke katolik e musliman pa dallue asnjehere njeni tjetrin nga besimi te cilin i perkitnin. Ata ishin vetem Shqiptar!
Kolë Prela, Gjelosh Lushi të Pepsumaj, Ndue Kola, Zog Mala e Kole Deda Mollçorë (Pepsumaj), pesë burra të Shoshit dhanë jetën e tynë për lirinë e Dukagjinit e të kombit shqyptar, e sot ata atë liri që e kërkuen gjatë te tanë jetës së tynë e s’muejten me e gjete se rânë fli e rregjimit të pâ shpirt - të paftyrë - tiranist - komunist. Atë e gzojnë sot në qiell të lumnuem në gjirin e engjëjve dhe shënjtënve të Parrizit. Kur njeri ka shpirtin e Zotit, si n'kjofte katolik si musliman, si burr si grue, si f'mi si i rritun , si i bardhe si i zi kalon çdo vështersi jetësore dhe n’fund gëzon lirine e vërtetë të qënies njerzore, burrat e mâ sipërm janë shëmbulli mâ i kjarte i kësaj lirie të vertetë.
At'her të dashtun vllazën e motra le ta kërkojmë edhe nâ këtë liri, që nji ditë të galdojme edhe nâ në lirinë, pagjen dhe dashtuninë e Krishtit shpëtimtarit të rruzullit toksor.Ubi spiritus Domini, ibi libertas.

Anton Kodrari
Student i Filozofi - Teologjisë



______________________________________________


“NANA KATRINË…”, NANA E PROF. KOLË PRELËS…


Nga Fritz RADOVANI:


Baba na la të vogjel jetima…Mbas një viti që “hyne këta…”, nuk përfituem as pension, mbasi u konsiderue gjithë fisi “reaksionar”…Na shtetizuen dhe një shtëpi që kishim me qera… Të ardhuna tjera nuk kishim. Dajat filluen Kalvarin që në 1945…ndërsa, daja Don Kolec, vdiq në vitin 1950…Na ndihmonte mos me shkue në “preventorium” halla Gjyzepinë, e cila punonte infermjere në spitalin civil të Shkodres…I vetmi burim jetese ishte “shitja e plaçkave” të shtëpisë për me hangër bukë. Mbas shitjes së disa mobiljeve dhe tavolinave…Nana filloi me shitë pajen e vet të prëgatitun me duert e saja qyshë vajzë, sigurisht, me çmime që po ti tregoj me siguri askush nuk do ti besonte, sëpse ishin të qendisuna me gjylpanë nga duert e Saja t’ arta… Nga Nana pata fatin me trashigue artin e pikturës, për të cilin, Ajo, asht kenë dallue në shkollën e Motrave Stigmatine të Shkodres. Një stole që përdorin klerikët e punueme nga duert e Saja, kur ishte 9 vjeç, pra, në vitin 1918, i asht dhurue Papës nga një delegacion që ka shkue në Romë.

Bana këte hymje për me tregue se cila ishte vlera e punimëve që venim kokën sipër kur binim me fjetë… Nana hapte baulen e nusisë dhe i vente synin njenit çarçaf ose sofrabez…që i duhej me shitë. Ato pak pare posa merreshin nga “tallallesha”, shkonin drejtë e tek dyqani i bukës së misrit, o me pague borxhin e ditve ma përpara ose, me ble bukën e freskët si “tullë”…

Kjo ishte gjendja ekonomike e shumë shtëpijave të “prekuna” politikisht në Shkoder… Po, nuk duhet harrue, se kur në 1946 filloi “dera” e burgut, që nuk u mbyll përsa vjet, atëherë, edhe paret e “tallalleshës” hidheshin në pusin e pangopun të burgjeve që të merrnin shpirtin…

Oh, sa me gëzim pritej thirrja e zanit të “tallalleshës” kur, i trokiste derës së shtëpisë…!!

Edhe na si fëmijë vraponim me i hapë derën me shpejtësi për mos me e lanë me pritë mbas dere, e ftonim me hy mbrendë po, Ajo, shumë rrallë pranonte ftesën tonë, se, si na thonte Nana, Asaj i vinte randë me hy për me pi kafe, “mbasi edhe Ti, o Vidë, i ke këto pare për me i çue ushqim tek burgu si unë”, kështu, i thonte Ajo Nanës seme kur iu vente me hy mbrendë…

Ajo ishte një grue e shkurtë, e veshun me një fustan të zi e të gjatë dhe gjithmonë e kujtoj me shami të zezë…kishte zanin pak të trashë, grue shumë e qeshun po me tipare të theksueme malësorje kur fliste…Edhe na mësueme nga Nana jonë emnin e Saj dhe, gjithmonë e kemi thirrë shkurt “Nana Katë..!” pra, Nana Katrinë…Kjo ishte “tallallesha”…që vinte tek na…Kur delte me shkue gjithnjë përsëriste të njajtën thanje: “Në dorë të Zotit…u baftë vullnesa e Tij..!”.

Ma vonë kur filluem me u rritë Nana na shpjegoi se, Kjo “tallalleshë”, që shiste rroba të vjetra e të reja ishte Nana e Prof. Kolë Prelës, që i biri kishte përfundue universitetin jashtë dhe kishte kenë profesor në Gjimnazin e Shtetit në Shkoder, e mbas 1945 ishte edhe deputet i njohtun i Dukagjinit. Ishte arrestue kur po dënohej dijetari At Gjon Shllaku OFM., krejt i pafajshëm. Në atë gjyq prof. Kolë Prela flitej se i ka dalë zot në pafajsinë e Tij, At Gjonit, dhe për atë arësye e kishin arrestue edhe prof. Kolën, i cili, nuk ka dalë ma nga burgu, madje, as në gjyq por, një ditë, Nanës Katë, tek dera e hetuesisë polici i ka thanë: “Mos siell më ushqime… se djalin ta kemi pushkatuar se ai ishte ‘armik i Popullit’..!” dhe, Nana Katë, u ishte përgjigjë: “Po, prandej Populli e pat ba deputet të vetin, pse ishte ‘anmik’ i Tij..?” dhe, ashtu e pikllueme kishte marrë strajcën me plaçka e shkue në shtëpi të vet, e mbasi i kishte hapë në jerevinë ku jetonte, kishte pa njollat e gjakut të djalit ndër ndrresa nga torturat…kishte kja disa ditë mbi ato rroba dhe i kishte futë në një arkë të vjetër ku, Ajo i ruente si rrelike…Mësuem se Nana Katë, jetonte vetëm mbasi edhe djalin tjetër Markun, ia kishin arrestue dhe e kishte të dënuem shumë vite…

Një ditë, në pragun e festës së Pashkve, aty nga viti 1949, Nana më mori me vete dhe u nisëm nga Ara e Pashës, posa dolëm në Ballabane, kaluem në krahun e majtë nga një rrugicë e vogël që quhet Rruga Daijej, dhe pothuej në fillimin e saj, Nana trokiti dhe më tregoi se aty ishte me banim Nana Katë…Ajo doli menjëherë dhe na për mos me na pa kush pse kishim shkue, u afruem tek jerevia ku jetonte Nana Katë, tek dera nxorëm një tas të mbështjellun me mësallë, ku, Nana eme kishte pregatitë për drekë dishka ma tepër me ia çue për Pashkë edhe Asaj.

Kështu, mësova atë vend ku Nana e Prof. Kolë Prelës, kalonte jetën në vetmi dhe në një vorfni të papërshkrueshme…që, askush nuk di me e mendue. Përveç, mureve të hapuna, jerevija nuk kishte as tavan as dysheme, shiheshin hatllat sipër e toka poshtë pa asnjë drrasë si dysheme …ku, në një skutë mbasdere një batani mbi dy drrasa tregonte vendin ku Nana Katë flente…

Kishte një komodin tek koka dhe një fugure të Zojës së Shkodres…pranë kishte një stol.

Aq më bani përshtypje sa edhe sot mendoj me vete: “Si mund të jetojë njeriu në kushte aq të vështira e sidomos në kohë dimni e ngrice që, Shkodres nuk i kanë mungue kurr..?”

E, me gjithë ate…Ajo ishte optimiste, se një ditë djali tjetër Marku, do të lirohet, “se, këta” nuk kanë me kenë gjithmonë…”një ditë… do ti hajë dreqi edhe ‘këta..!”

Shumë vite kaluen. Nana Katë vazhdonte me strajcen e vet me dalë me shitë rroba…

Kushdo që kishte nevojë me ble ndonjë plaçkë kërkonte tek tregu fshatarë një plakë të vjetër, “tallalleshën” e njohtun në Shkoder, mbasi, secili, mendonte edhe me e ndihmue Ate…me dishka të vogël, sëpse, të gjithë e dinin hallin e Saj…e, mbi të gjitha valën e jetës që e kishte përpi e përplasë ndër brigjet ma të pamëshirshme tue i rrembye të dy djelmët si dy lule…

U gëzuen edhe gurt e sokakut, kur u hap lajmi se Nanës Katë ju lirue Marku nga burgu!

I madh e i vogël e ndalonte Nanën që fluturonte nga gëzimi me i ba urimet e djalit…

Edhe kush s’ e njihte do tu ndalonte me i shterngue dorën, toktë kokën me “tallalleshën” për me i urue ardhjen e Markut në shtëpi…e, kush nuk e shihte, do ta ndalonte Ajo tue e ftue për një gotë raki për gëzimin e madh që i kishte sjellë ardhja e djalit tek shtëpia. U dynd Shkodra tek ajo jerevi që i gëzonin edhe hatllat… “Hajde, mirse u ka prue Zoti…!” ndihej deri tek rruga e madhe zani i Burrneshës së Dukagjinit…Shumë shpejtë Zoti e gëzoi edhe me fejesen e Markut…

Por, njeriu që nuk ka fat në jetë, sado i mirë kjoftë, kurr nuk mund të bahet ma i mirë se Nana Katë e, me gjithë ate…nuk mund ti shpëtojë “mjerimit” edhe pse nuk ka krye asnjë vepër të keqe ashtu, si ishte Katërina Prela. Papritmas i vdes edhe djali tjetër i vetëm Marku…

“Asht kenë vullneti i Zotit kështu…!” thonte, Nana e mjerë…Po, lot, jo, kurr nuk kishte përfaqe…vazhdonte traditën e Malëve…Burrneshat nuk kjajnë! Asht vështirë me kuptue forcën e një Nane që kishte mbetë në këte botë pa asnjenin djalë…me një “forcë” të pakuptueshme..!

Një ditë, kushrinjtë e morën me vete e shkuen tek shtëpija e vet në Dukagjin bashkë me Nanën Katë, ku, Ajo gjetë atje “djelmët e Malit” tek të Parët e Trojeve të veta, ku, mbylli edhe jetën e Saj nën kujdesin dhe bujarinë e Tyne…

Jam i sigurt, se, edhe shkrepat e Maleve do të kenë vajtue vdekjen e Nanës Katë…

E bashkë me Ta, këto pak rreshta le të jenë mirënjohja eme ndaj Asaj Nanë që, Shoqet e veta me “shamija të zeza” i ka me mijra edhe sot, në të katër anët e Shqipnisë…

Asaj Nanë…Burrneshë të Alpeve tona, që na mësoi fjalën “qendresë”..!

Shenim: Ju, lutem mos ngatrroni fjalën “qendresë” me fjalët “harrës”,”moskujtesë” etj.

që përdorën sot në institucionet e “Drejtësisë” moderne…të “demokracisë” shqiptare..!


Melbourne, Korrik 2010.