AT PJETËR MESHKALLA S.J.- nga Fritz Radovani




















____________________________________

FRITZ RADOVANI – de ANGELI
AT PJETER MESHKALLA S.J.
Melbourne 2004

Falnderim: Jam mirënjohës ndaj të gjithë atyne që më kanë ndihmue me materialet arkivore, me dorshkrimet origjinale si dhe, ata, që me sponsorizimin e tyne, kanë ba të mujtun daljen në dritë të kësaj pune modeste.
Autori
FRITZ RADOVANI – de ANGELIIS

Shenim: Portreti i At P.Meshkallës në kopertinë asht grafikë e
Autorit të librit, F.Radovani, punue në 1993.


“Na nën dhè
na jemi ma të fortë se ju!”

AT PJETËR MESHKALLA S.J.

Botim i dytë
Melbourne 2004

AI ISHTE !

E njohta… Ai ishte!…
E pashë atë ditë tue predikue, me 29 prill 1967, ora 17.00.
Ai foli e na ndigjuem se shka don me thanë me kenë në Fé të Krishtit!
Ai ishte që tha: “Unë jam Katolik!”... E kapën, e lidhën... Ai ishte që shputë i ranë Fëtyren me ia marrë...Në vargoj e lidhën pse në Kryqin besoi. Ai ishte...e pashë në mes të tyne, në karvan të pafund... i lidhun përdore me Don Ndré Zadêjën, At Gjon Shllakun, At Giovani Faustin, At Daniel Dajanin, Don Alfons Trackin, Don Dedë Malaj, Imzot Gjinin e Bonattin, Etnit Mati Prennushi, Çiprian Nika, Bernardin Llupi e, sa e sa Martirëve të rreshtit pafund...
Përbindshit ma hovin s’ia pret asgja, veç vret, veç pret panumrim.
Edhe ndër muret e akullta të kështjellës së “lavdishme” të komunizmit të Burgut të Burrelit, do të shkruhej se, Ai ishte këtu!... Me ata hekra të ngjyme në gjak do të shkruhej Epopeja e Atyne Martirëve të pafajshëm, që bashkë me Ata Atdhetarë, pranguan edhe të Madhin At Pjetër Meshkalla S.J., vetëm, se, Ai ishte Meshtar i vëndosun për Fé, Atdhé e Përparim.
Prej melodisë së lehtë të zanit të Tij, ruhën prap këta tinguj:
“Vëllazën me të gjithë, pa dallim Feje!”. Bashkë me né kjo muzikë do të zbuste qindra e mijra zemra djelmësh të rinjë, që gjakun kisht fillue me ia turbullue disprimi. Asht Ati i Madh, Ati i të gjithëve, Myslimanë e të Krishtenë, me Fé e pa Fé, që hapte krahët e u thonte: “Eni, eni, djelmët e mijë, durim, durim, të lutemi për ta dhe ti falim!...” e, sëbashku me të gjithë vazhdonte vuejtjen, dhunën, mjerimin e pakufi, gjithmonë si Feja e pat mësue tue pritë delën e humbun... E, kur, tirani me sy të ngërthyem si mordja na dukëj në atë skëterrë që me plot lakmi shihte Rininë Shqiptare, kah gjak në vetull vëllau vëllaut po i merrte, si të ishte i huej që Atdheun po i shklet; i Madhi Meshkalla, veç brofte në kambë e zani si prej vorrit naltohej deri në qiell: “Na nën dhé e, ju mbi dhé, por na jemi ma të fortë se ju!”.
Ushtria mbas Tij veç shkonte, ndër shtigje të tjera që frymën ta merrnin, por Trimi ka orën çuet!... Ai printe përpara!
Kur bishat vërriten me djegë Ungjillin – vetëm një za u ndigjue: “Inkuizicion!...” e, Ati u tha: “Digjeni, digjeni, po deshët, se, as ju, nuk keni me ia dalë, ashtusi paraardhësit tuej, që tash 2000 vjetë veç djegin Ungjijtë e Fenë e Krishtit nuk kanë muejt me e zhdukë!”.
Mizorët tërbohen ma zi kur Burri dy pëllambë i shkurtë u thotë: “Unë në Zotin besoj e, do të fitoj, ju më dënoni sa të duani, se unë prap se prap do të dal, ju shoshojnë keni me hangër e aty asht fundi i juej! Feja e Krishtit nuk mbaron kurrë!”.
Profetë! Vërtetë, Ai nuk trembët prej territ, se e din se Zotin do të shohë njëditë... prap në hekra, prap në pranga, i lidhun mbas turmës Ai ecën, nuk ndalët, nuk trembët, nuk përkulët,... mes turmës Ai ecën e, në Veronikën nuk hasë, nuk ka kush Fëtyren t’ia fshijë... e, prapseprap çdo çast Ajo Fëtyrë më dukej ma e pastër...ma e dlirtë se kurrë! E, megjithatë nuk mungoi edhe një grue... që dhimbjen e nanës harroi e zani i saj humbi në një gropë, si grueja që në dhé hin pa Prift. Të gjithë si ishim mbërthyem dhambët e kapërdimë ato pak fjalë, që shumë vjetë i ruajtëm të ndryme në zemër: “AI ISHTE HERO !”.
Vetëm një Burrë, përkarrshi i thinjun, Gurakuqi Trimi, që edhe sot e shoh të zemruem me nofulla të shtërngueme, diçka përshpriti nën mustak e, buzën zuni njak kah pau që zvarrë deshtën me e marrë e gjunjët me gjak me ia bâ, por, Ai, si Lajmëtari drejt Qiellvet flutroi e në prehën të Zotit pushoi!...Ushtuan malët e u dridh toka. Kushtrim ndër Bjeshkët e Nêmuna lëshoi si shkrepë vetima: “O BURRA,....BRE,.. FITOVA !...” Në xhips e futën për terr.... Golgotë përsëri....
Ai ishte që u tha: “Ju, Kishat rranoni, por toka nuk lot, ju prishni Kisha e Xhamija, turp, në truell të Kastriotit çdo gja po shkatrroni, turp, për ju, Ai, Krishtënimin Evropës ia mbrojti!”, por Evropa,... s’kujtohet, s’kujtohet, se e din... se mbrohët: ASHT PJETRI, Meshtari, Juzuiti i Madh, Stërnipi i Gjergjit, që Fenë mbron...Ajo nuk shqimet në SHQIPNI!
Në Shqipni asht Pjetri që Krishtin s’mohon, jo, kurrë, se asht Meshkalla i Madh që e mbron e vedin flijon, për Krishtin veç vdes e,... s’e lëshon!
Kumbonarët heshtin... Dyert e mëdha mbyllën, dritarët me gurë i gjuajnë, ushtojnë kristalet që thehën, shalldanët rrëzohën, metalurgët veç shkrijnë kumbonë, se tingujt e tyne dëspotëve veshtë ua shurdhojnë e, s’mund ti ndigjojnë, kah grizhën ftojnë,... mbas Atit shkojnë e, Ai ishte, që, Kalvarin vazhdon... pa u ndalë...
Ai ishte i urtë, i përvujtë, i palodhun, i dashtun, i pakursyëm, i patrembun, gjithmonë buzagaz...At Pjetri i zdathun, i çveshun, i etëshëm mes vëllazënve të uritun veç, lutej: “Fali o Zot, se s’dinë se shka bajnë!”...
Djelmëve buzën e thame me ujë ua lagë...pikë-pike... buzën e zharitun ia zbutë... “Bariu i Mirë”, At Pjetri, uratën me ta e thotë e, kur, nën Kryq Ai rrëzohët, Ata me vrap e çojnë, e marrin, e Kryqin ia bajnë... e ndihmojnë se Ai ishte që ju prinë...Ai ecte me ta n’errësinë, nuk ndahët, nuk ndalët, janë Bijt’ e Tij, Ai ishte Ati...që, thërriste: “Ecni, ecni, Bijtë e mijë, se Drita s’asht larg” e, Ai vetë ju prinë për mos me ra në greminë... Ajo nuk asht aq larg sa kujtojmë, forca, durim, ecni e të mos ndalojmë... Përpara!...Ecni....Përpara!
Larg shihët një Dritë!...
E, Brezat e ardhëshëm njëditë...
Simbolit Atdhëtarizmës, Fesë, Burrnisë, Trimnisë e Fisnikisë Shqiptare...
...Nderës e Besës ndaj Atdheut e Flamurit që s’vdes...
Tèk I.N.R.I. me shkrojlat e Fishtës daltojnë:

“AT PJETËR MESHKALLA S.J.”


PJESA E PARË

Mos u habitni!...
Kam dishirë me shkrue për një Burrë që thirrej “Pjetër”, që don me thanë “gúr” e, që, me të vërtetë kje gúr, një prej Atyne gúrve të Kishës Katolike Shqiptare, kundër së cilës dyert e ferrit s’mujtën me fitue. Sa do të mundëm me qitë në pàh karakterin e Tij burrnor e fisnik e, mbi të gjitha até atdhetar e fetar e, kryesisht përpjekjet e Tija për unitetin e Atdheut, këte, nuk e di, mbasi unë do te duhëj me pasë një kulturë të gjanë për me e përshkrue Até e, që, mjerisht komunizmi né na la pa atë kulturë.
Ky asht i Nderuemi At (Padër) Pjetër Meshkalla S.J. ose, si e njohti gjithë Shqipnia: PADËR MESHKALLA.
Padër Pjetër Meshkalla S.J. Meshtar Katolik, jezuit shqiptar i “Shoqnisë Jezu – S.J.”, ka lé në qytetin e Shkodrës, me 25 shtator 1901, në një shtëpi përdhese në fund të rrugës së “Daulles”, në krahun e majtë, aty, ku sot banon Zef Alimhilli. Mbas mësimeve të para që mori në vendlindje, shkoi për studime teologjike në Linz të Austrisë. Atjé, në vitin e dytë u sëmue, kështu, në vitin e tretë u bashkue me Don Kolec Prennushin, që ka kenë daja i em dhe sëbashku vazhduan studimet deri në vitin e fundit. Don Koleci, ishte një vit ma i ri (datlindja 1 janar 1902) dhe vdiq i ri me 2 korrik 1950, mbas 11 muejsh hetuesi në Shkodër. Ai vdiq prej zemrës, që, sidukët, iu shkatrrue prej torturave të Sigurimit të Shtetit komunist. Nana e Tij, pra, gjyshja eme që e thirrshim Nana Nine, çdo ngjarje të jetës së Don Kolecit dhe të rinisë studentore të Tij e lidhte me Padër Pjetër Meshkallën, që aso kohe ishte në burg, kohë në të cilën unë nuk e njihja fare, mbasi kur ishte arrestue Ai në vitin 1946, në Tiranë, unë kam kenë i vogël 6 vjeç, në Shkodër.
Gjyshja na tregonte se, kur djelmët ishin në Austri (kështu i thërriste ajo, mbasi i konsideronte të dy të vetët), gjatë Luftës së Parë Botnore, të dy kishin humbë për 10 muaj dhe nuk kishin asnjë dijeni ku ndodhëshin ata. Aq e kishte vuajtë atë kohë, sa për pak javë na thonte gjyshja, më kanë rá të gjithë flokët e kresë, mbasi flitëj se atje gjendja asht shumë e randë dhe e vështirë, madje, ma keq se në Shqipni. Njerëzit vdiqnin urije. As shkolla e as konvikte nuk kishin funksionue mâ. Lufta kishte marrë përmasa përditë e ma të mëdha.
Një mjek ushtarak austriak që, aso kohe banonte në shtëpinë e gjyshit tem Pjetër Prennushit ose, siç njihëj nga rusnjanët Tukja i Kol Dedës, që ishte edhe vëllau i madh i At Mati Prennushit O.F.M. (Provinçial i Fraçeskanve të Shqipnisë, që u pushkatue me 11 mars 1948), i premton gjyshit, se, nëpërmjet ushtarëve austriakë që shkonin me çue informacionet në Vienë, ai mund të dërgonte atje edhe një paketë të vogël me ushqime, rreth 500 gr. ku futeshin dy rriska bukë të thata dhe në mes të tyne edhe dy rriska proshutë për me ia çue Kolecit në Linz. Paketa nisëj çdo dy ditë, por përgjigje nuk vinte ma prej andej mbasi ushtarët nuk këthenin ma në Shqipni. Lidhje tjera nuk kishte.
Kur mbas 10 muajsh të humbun pushoi Lufta, djelmët u kthyen të dobsuem asht’ e lëkurë në Shqipni dhe treguan se kishin jetue në një shtëpi të një austriaku, që nuk kishte pasë bukë as për vedi, por jetesa e tyne ishte kenë dy rriskat e bukës së thatë e proshuta që shkonte nga Shqipnia e, që, njenën e kishte hangër Koleci, ndërsa tjetrën ia kishte dhanë shokut të vet Pjetrit. Ç’ prej asaj kohë e deri në vdekje, Padër Pjetër Meshkalla, ka kenë një Mik i përjetëshëm i familjës sonë, kushrinjve me nipa e mbesa të Don Kolecit.
Mbas këthimit në Shqipni, daja u ba prift. Pjetri, zgjodhi rrugën e Urdhnit Jezuit S.J. Ai vazhdoi plotësimin e moshës 33 vjeçare me studime mbasuniversitare në Poloni, Itali etj. dhe mbas Shugurimit meshtar u këthye në Atdhé, ku filloi punën si mësues në shkollën fillore të Jezuitëve në Shkodër e, ma vonë profesor në Seminarin e tyne.
Kur nana e Tij Agëja, shkonte me e pa P. Pjetrin të mbyllun në kuvendin e Jezuitëve në kohë dimni, pa zjerm e pa ngrohje, u zemronte me të birin dhe i thonte: “Ik mor prej këndej, pse rrin këtu, bukuri Don Koleci, prift e me të gjitha kushtët...”. Ajo bisedonte edhe me gjyshen tême për këte problem, por kot!... Ai nuk këthehëj mâ prej rrugës që ishte nisë, rrugë në të cilën Ai mbylli jetën e Tij plot lavdi, me 28 korrik 1988.
Kishte kënaqësi të madhe kur na të rinjtë i kujtonim vëprimet e nanës së Tij, me detaje ashtusi na i kishte shpjegue gjyshja né dikur... Fëtyra i merrte pamje tjetër, u çilte, qeshte, maparë se çdo pjesë tjetër e fëtyrës i qeshnin sytë, që i vezullonin e, për ata që e njohtën, ata sy janë të paharrueshëm për ambëlsinë joshëse të Tyne, por, edhe për shkëndijat që nxirrnin kur e lypte rasa. Besoj i kujtojnë mirë Ata sy të gjithë atá që ishin të ulun në podin e Institutit Pedagogjik të Shkodrës e, besa edhe ata që folën prej auditorit, mbasi edhe na që ishim në rrugë, kurrë nuk mund të harrojmë Burrin e shkurtë mjedis oficerave e xhelatëve të Sigurimit, që e morën me mendimin se mosha e madhe do të bante të vetën e, populli i Shkodrës nuk do ta shihte kurrma....
Unë e njohta Padër Meshkallën për fëtyrë, mbasi doli prej burgut të parë aty nga vitët 1961-62, kur erdhi për vizitë në shtëpinë tonë, që, tashma nuk ishte as Don Koleci, por as nana Nine, e cila pak kohë maparë kishte vdekë, po ishin motrat e Don Kolecit, ose ma mirë me thanë edhe motrat e Tija, të cilat i deshti dhe i respektoi si një vëlla i mirë i tyne. Vinte shpesh sëpse gjente ngrohtësinë e të gjithëve, dashni e ngrohtësi të cilën Ai e gjeti në të gjitha votrat e Shkodrës, ose ma mirë me thanë në secilin prak dere ku i shkeli kamba.
Kujtoj njëditë, e pashë tek dera dhe simbas zakonit e ftova me hy mbrend për një kafe, por ai nuk erdhi, më diftoi se ishte nisë për vizita të largëta prej shtëpisë, po shkonte për festën e Bajramit ndër disa miqë Myslimanë. Të parën vizitë e bante tek Hafiz Ali Tari, mandej me radhë për tri ditë shkonte ndër shtëpijat e atyne Myslimanëve, për të cilët ruante kujtime të mira nga jeta e burgut që kishte kalue me tá. Edhe atá ia këthenin vizitën, por, ajo që do të vê në dukje asht tjetër gja, se, kur hyni të dytën herë në burg ata e kujtuan dhe e ndihmuan edhe materialisht deri ditën që doli prej burgut. Lutja e Tij ishte e barabartë e me fryt për të gjithë padallim Feje, fjala e Tij ishte mësim e dashni për të gjithë. Ai gjithmonë përsonifikonte të vërtetin dhe të pagabueshmin. Fjala e Tij nuk diskutohëj prej askujt.
Ja, çfarë shkruan për Té, i nderuemi Prof. Arshi Pipa: “ ...në kjoftë se kam shpetue nga burgu i Burrelit e jam sot i gjallë, i detyrohëm lutjeve të njerëzve si, Padër Meshkalla e të tjerëve, të cilët kujtoj se kanë kontribue në determinimin e fatit tem.” (Intervistë e dhanun për revistën “Kumbona e së Diellës” Shkodër,1993).
Tregojnë, se, kur bahëj ndonjë debat në diskutimet që zhvillonin të burgosunit mes besimëve të ndryshme, për problemët filozofike apo teologjike, Hafiz Ali Tari, ndër fetarët ma të kulturuem të Fesë Myslimane, u thonte të gjithve në mënyrë të preme: “...Kjo çeshtje qëndron kështu, sëpse, kështu, ka thanë edhe P. Meshkalla!”.
Po, në burg të Burrelit, njëherë i nderuemi Ibrahim Biçaku (ish kryeministër i Shqipnise në 1944), nuk binte dakord me të nderuemin Gjergj Kokoshi për një problem filozofik në fushen politike e, për me përcaktue përfundimin e bisedës vëndosën me e mbyllë bisedën ashtusi do të thonte P. Meshkalla.... Ai me të gjithë bisedonte për çdo problem papritesë, madje, me dashamirësi. Ai i kishte vue vedit detyrë që duhët të bajmë shka asht e mundun për unitetit e Atdheut dhe përparimin e tij.
Duhej “thérë” për me e ba me folë, atëherë, ata që e njohtën, besoj e kujtojnë portretin e Tij fisnik, të vëndosun e të pakëthyeshëm. Fliste me buzë të afrueme, nofullën paksa e shtërngonte, me zâ të lehtë e, mollzat e faqeve i kuqeshin si dy kokrra qerrshia, që e banin edhe ma të freskët fizionominë e Tij, merrte pamje me ngjyrën e bukur të një djalit të rinj si të një drandofillës, ashtusi kishte edhe forcën e Shpirtit.
Në rrethët “Shën Gjon Bosko” të thëmeluem në Shkodër, në vitin 1934, si, edhe atë të “Shën Pjetrit” në Tiranë, në vitin 1937, Ai bani një punë të madhe me të rinjtë, sidoemos kundër ideve komuniste, fashiste, ateiste e antiatdhetare që po përhapëshin aso kohe në Shqipni.
Në pranverën e vitit 1940, kur Shqipnia ishte e pushtueme nga Italia fashiste, e cila veç tjerash kishte dhunue edhe Flamurin tonë Kombëtar, P. Meshkalla bashkë me At Gjergj Fishtën (që ndodhej për vizitë në famullinë e Tij, në Tiranë), u folën nxanësve që ata mos me përshëndetë në mënyrën fashiste. Për këte Ai asht konsiderue “i padëshrueshëm” nga autoritetët fashiste. Kujtimet e nxanësve të Tij pasunojnë veprën atdhetare të periudhës së pushtimit fashist, nazist e ma vonë atij sllavo-komunist, për të cilat vepra kanë shkrue e do të shkruajnë, mbasi ata nuk e harrojnë asnjëherë mësuesin e tyne P. Meshkallën. Madje, ata në shênjë nderimi për veprat e Tija, me rastin e katër vjetorit të vdekjës i kanë ndertue edhe vorrin, ku sot prehën eshtnat e Tija.
Pikëpamjet e Tija politike janë kenë të shprehuna haptas prej Tij dhe të njohtuna prej të gjithëve.
Ai ishte kundër cilësdo lloj diktaturë. Ishte antifashist dhe, këte, përveç faktit sipërm, e vërteton edhe qëndrimi i Tij atdhetar dhe i premë kundër disa veprimeve në lidhje me ndonjë jezuit italian në Shkodër, gja për të cilën u transferue në Tiranë nga eprorët jezuit, në vitin 1937. Ai qëndroi në mendimet e Tija edhe në Tiranë, këte e vërteton letra që Ai i ka dergue Vatikanit për largimin e Delegatit Apostolik nga Shqipnia, për pikëpamjet e tija fashiste dhe antishqiptare. Ndoshta, për këte komunistët e quajtën “fashist”!...
Ai ishte kundër nazizmit dhe për këte flet fakti i strehimit të popullsisë së Tiranës, në refugjion pranë qelës së Tij, kur, ata po ndiqëshin nga forcat gjermane. Ishte P. Meshkalla, ashtusi shumë klerikë tjerë, tue perfshi këtu edhe misionarët Don Alfons Tracki e At Zef Maksen (të dy të pushkatuem nga komunistët si agjenta të nazistëve gjermanë), sëpse, u dolën me gjoks përpara ushtarëve nazistë, madje, edhe ndaluan reprezaljet e tyne kundër shqiptarëve.
Ai ishte kundër diktaturës komuniste dhe këte e vërteton gjithë jeta e Tij e martirizueme.
Në vitin 1945, Ai u takue në një shtëpi të Tiranës me Mehmet Shehun, që njihëj një ndër terroristët e grupeve vullnetare të Spanjës, që në vitin 1936 dhe ishte P. Meshkalla, Ai, që i tha troç ndër sy se çfarë do të bajnë komunistët në Shqipni, posa të forcojnë paksa pozitat shtetnore. Kur, P. Meshkalla, i tha: “Ju, do të kërkoni me zhdukë Fenë me dhunë, se, ky asht parimi i parë i komunistëve, aty ku ata marrin pushtetin dhe, Kishat e Xhamijat ju do ti këtheni në klube dhe kinema.” Mehmeti, iu përgjigjë: -“Kjo asht vetëm propagandë e atyne që nuk e donë pushtetin tonë popullor dhe, kërkojnë me na armiqësue me popullin, kjo nuk do të ndodhin kurrë në Shqipni!”...Më tregonte dhelpninë e Mehmetit për me mujtë me hjekë një ashkël në kokën e P. Meshkallës, në lidhje me shkëputjen e Klerit Katolik Shqiptar nga Vatikani dhe Papa. Përgjigja e P. Meshkallës merrët me mend cila ishte!...
Një prej nxanësve të Tij me tregonte njëherë, se një prej shokëve të shkollës tue luejt me top kishte thye një xham. P. Meshkalla, sa hyni në klasë, u thotë nxanësve: Të çohët në kambë ai që ka thye xhamin me top! Një prej nxanësve çohët dhe i thotë: -Xhamin e ka thye X-si. P. Meshkalla mbasi e nxori nxanësin që foli para klasës, e ndëshkoi me një shputë dhe i tha: Unë nuk të thashë me më tregue ti, se kush e ka thye xhamin, por kërkova me u çue në kambë ai vetë e me më tregue, mbasi kjo që ban ti asht që, ti me u ba spijuni i shokëve tuaj, prandej, të ndeshkova. Fajtori duhët të kenë guximin me diftue ai vetë fajin e vet!
Ai ndëshkonte vesët e sidoemos até të spijunit që në shfaqjet e para. Qé, pra, kjo ishte ajo edukata jezuite që P. Meshkalla, i jepte rinisë shqiptare! E cilin ves nuk luftoi Ai?!
Poezia “Hipokrizia” asht një dëshmi e gjallë që tregon, se me çfarë dufi Ai i luftonte vesët deri në zhdukjen e tyne:
...mos të jem’ unë ujk i veshun me lëkurë kingji
as varr i zbardhun jashtë, e mbrendë kufomë.
(Lutje, prej pjesës së VII.)
Me pat tregue njëherë sësi e kishte thirrë në Argjipeshkvi Imzot Ernesto Çoba, kohë në të cilën Ai kryente detyrën e Famullitarit të Shkodrës dhe, i kishte thanë P. Meshkallës: -A të pelqen me dijtë se çfarë ka shkrue profesori yt kujdestar në karakteristikën që ka sjellë prej Austrijet, kur ke mbarue studimet universitare? –Sigurisht që po, ishte përgjigjë ky. Imzot Çoba i kishte dhanë letrën origjinale që kishte shkrue me dorën e tij profesori austriak për P. Meshkallën dhe Don Kolecin dhe, që e kishte përcjellë këtu në Argjipeshkvinë e Shkodrës.
Për P. Meshkallën, kishte shkrue: “...Që, asht studioz, i prëgatitun në filozofi dhe teologji shumë mirë, por asht nervoz dhe kryefortë, prandej nuk ban me kenë në drejtim të Klerit. Ka aftësi dhe prirje të veçantë për organizimin dhe edukimin e rinisë.... Ndërsa, për Don Kolecin, shkruhëj që asht kenë student i shkelqyeshëm në mësime, shumë i pregatitun në filozofi dhe teologji, por asht natyrë shumë e mbyllun dhe e kemi pasë të pamuejtun me studjue në mbrendi karakterin e Tij, prandej asht e mira, që të kihet nën kujdes për me pa ma vonë natyrën e Tij.”. Mbasi më tregoi këte qeshte me atë të qeshunin e Tij karakteristik e pohonte: “...se, asgja nuk ka gabue profesori, unë nuk e kam dijtë deri tashti mbas 40 vjetësh, se, ai profesori që më donte aq shumë dhe më afronte tej mase, më paska ba atë karakteristikë pa gabue gja. Ta kishe dijtë – e thonte me të qeshun – makare, do ti ishe ruejt mos me më kuptue “kryefortësinë”, mandej, fliste gjatë për konsideraten që kishte për prëgatitjën e dajës Don Kolec, vullnetin e Tij të hekurt dhe për qendrimin konseguent ndaj dogmave të Kishës, gja, të cilën e ka tregue edhe në kohën e diskutimit të “Statutit të Kishës” në mbledhjet që janë ba nga Kleri, në Argjipeshkvinë e Shkodrës, para vitit 1950, parase Ai të vdiste. Kur fliste për kambnguljën e Don Kolecit për mos me nënshkrue Statutin dhe për ato çeshtje që edhe P. Meshkalla, ishte i pakënaqun ashtusi ka kenë Ai, nuk i zente në gojë kurrë ata, që, me vëprimët e tyne kanë punue për aprovimin e atij Statuti ndër ato mbledhje, por atypëraty vlerësonte pamasë qendrimin heroik të Don Dedë Malaj, i cili u pushkatue mbas një qendrimi shumë burrnor në gjyqin e Tij të famshëm dhe të paharrueshëm për popullin e Shkodrës, që u zhvillue në kinema “Republika”, në muajn prill të vitit 1959. Don Deda vdiq pa e firmue Statutin ndër të paktët klerikë. Unë ruaj kujtime të veçanta për Té dhe do ti shkruaj veçmas, mbasi meriton ma shumë se këto pak rreshta. P.Meshkalla, tregonte, se, kur ka marrë vesh vdekjën e Don Kolecit, kur ishte në Burrel, “...kam kja për të parën herë në jetën teme, kaq shumë jam pikllue. Ai ishte shoku dhe miku i vetëm i gjithë jetës seme!...”.
Prej P. Meshkallës pata marrë vesh se, kur jezuitët banin ushtrimet e shpirtit në Kolegjën “Saveriane” të Shkodrës, Don Koleci, asht kenë ndër të paktët ata priftën që u thirrnin me mbajtë konferenca filozofike para jezuitëve. Ai më ka tregue se Don Kolec Prennushin, jezuitët e kanë vlerësue aq shumë, sa vetë P. Zef Valentini S.J., e kishte cilësue: “Futuro Cardinale d’Albania”.
Mekenëse, ra fjala për ushtrimet e shpirtit, njëherë një prift i rinj i shuguruem mësheftas në vitin 1962, nga Imzot Çoba, meqë do të hynte përherë të parë në ushtrimët e shpirtit i tregon P. Meshkallës, sësi Imzot Çoba, i kishte mësue priftit të rinj “gjashtë arësyet që njeriu duhët me heshtë!...” P. Meshkalla, i thotë atij: -“Shko e thuej Imzot Çobës, me të mësue gjashtë arësyet që duhet me folë, se, s’asht koha me heshtë ma!”...
Kuptohët, se në jetën e P.Meshkallës, nuk ka asnjë çast vend për heshtje, sëpse Ai nuk e njihte frikën, madje, jo vetëm se nuk e njihte frikën, por e luftonte edhe tek të tjerët.
Kur e kishin çue në burgun e Burrelit Imzot Irené Banushin, Ipeshkëv orthodoks, që u dënue bashkë me P. Meshkallën, në herën e parë, disa të burgosun e kishin pyet Imzot Irenéun, se, pse ishin dënue aq shumë vite?.... Ai u ishte përgjigjë: “Mund të dënoheshim ma pak vite, po, nuk mujt me ndejë pa folë ashtusi e ka zakon P. Meshkalla!....”.
E pra, flisni, flisni edhe ju bashkvuajtësit e Tij... Flisni, se kjo asht ajo kohë që paralajmëronte P. Meshkalla... Harroni edhe ju gjashtë kushtet që duhët me heshtë!
Flisni ju, o nxanësit e Tij, flisni, mos heshtni... Flisni nëse, në gjakun tuaj ruani Idealin me të cilin ju mësoi dhe edukoi Mësuesi i Juaj i pavdekshëm, flisni, se koha kalon!...
Flisni ju, o bashkqytetarët e Tij, flisni, flisni, se duhët me folë ashtusi fliste Ai!... Kurrë mos harroni porositë e Tija!...
Ai foli e vazhdon me folë përditë, po, ju, kur doni me folë?!...
Bisedat e rrjedhëshme të Tija gjithmonë kishin një qellim, prandej, koha që kalonte njeriu me Té për të gjithë ishte një shkollë. Çdo fjalë e Tija të mësonte dishka të mangët në atë që mujshe me ditë ti. Ai nuk pritonte me u rikëthye në bisedë për me të mbushë mendjën.
Kur rikëthehëj për me dhanë ndonjë mendim për Imzot Ernesto Çobën, e përfundonte bisedën me respekt për Té, kryesisht për mostolerancën e Tij në çeshtjet dogmatike dhe e myllte bisedën me mendimin se; vetëm Imzot Çoba, asht fakt, që asht kenë adapt për këte kohë, mbasi asnjë tjetër nuk do të kishte ditë as mujtë me veprue si Ai, për kushtet që janë kenë në Shqipni. E, me të vërtetë edhe Imzot Ernesto Çoba, vdiq Martir i Fesë në labirintet e Sigurimit në vitin 1981.
Në burgun e Burrelit me vite të tana kishin ruajt me kujdes dhe i kishin qarkullue dorë në dorë fletorët me mësimet e P. Meshkallës. Ato janë kenë gjaja ma e shtrenjtë për të gjithë ata që i kanë lexue e mësue me ta. Bashvuejtësi Frano Prendi, me tregonte për kujdesin e madh me i mëshef ato, kur bahëj kontrolli i plaçkave të burgosunve që hapeshin në oborrin e burgut në kohë shiu e dielli përvlues. Ato ruheshin si rrelike.
Rinia ndër ato fletore lexonte të vërtetën, shihte realitetin, merrte gurtë e parë të thëmelëve të kulturës evropiane me të cilën P. Meshkalla, kishte edukue brezni të tana. E cilës fushë nuk i përkisnin ato?
Për shkathtësinë apo dinamizmin e Tij asht zori me shkrue, për mos me thanë, që asht gjaja ma e vështirë, mbasi guximi dhe inteligjenca në përsonin e Tij ndërthureshin në një mënyrë krejt origjinale. Njëherë, e pyeta: “ Si e shpjegoni Ju, Padër, që Kleri Katolik asht i pashembullt për qëndrimin e Tij si në birucat e Sigurimit, si ndër burgje e kampe pune, ashtu edhe ndër gjyqe, që pa asnjë mëdyshje janë kenë të gjitha montazhe, për këte unë nuk kam asnjë dyshim, se kjo asht diçka e njoftun dhe e provueme, atëherë, pse ndodhi ashtu me Don Ejëll Kovaçin? (Don Ejëlli asht pushkatue me akuza false në vitin 1958. Edhe Ai nuk ka nënshkrue Statutin e Kishës Katolike të përpiluem nga Qeveria Komuniste, në vitin 1951 dhe të nënshkruem nga pjesa ma e madhe e klerit që ishte i lirë). P. Meshkalla, më dha këte përgjigje: -“Kleri Katolik Shqiptar asht kleri ma heroik që ka me cilësue historia në rrugën dymijë vjeçare të Krishtit, sëpse, mbas pesëqind vjetë robnije nën Turqi, po të merrët historikisht prej vitit 1912, kur Shqipnia u formue si shtet e deri me 1944, që këtu erdhën në fuqi komunistët, tue lanë në njëanë okupacionin fashist italian (me të cilin nuk jam pajtue kurrsesi), janë vetëm 30 vjet mundësi për me formue një Kler Shqiptar e, për 30 vjet me nxjerrë aq Heronjë sa kemi nxjerrë na, nuk ka asnjë kler në Botë. Përsa i përket qëndrimit të ndonjenit që e kanë ligështue në tortura të pashembullta, si Don Engjullin e ndonjë tjetër, nuk duhët me harrue fjalët e Kardinalit Minzenti, në Revolucionin Hungarez të vitit 1956, që pat thanë, se, po rashë në duart e komunistëve, mos merrni asgja për bazë se çka mund të flas mbas arrëstimit, mbasi torturat mund të me bajnë mos me kenë ma ky që jam sot; e, sigurisht, torturat e Sigurimit Hungarez as nuk mund të krahasohën asnjëherë me torturat e Sigurimit Shqiptar. Dikush nuk ka gjetë forca për me përballue, dikush po. Unë për vedi po të diftoj çfarë me ka ndodhë kur jam arrëstue në fillim. Kur hetuesi po më pyeste, unë i kundërshtova...Ai më ra një shputë dhe unë rashë përtokë... mu duk se mu hap qiella dhe i kërkova ndihmë Zojës së Papërlyeme: O Zojë, më ndihmo me bajtë këto tortura, më forco mos të ligështohëm, me ruej nën dorën Tande!... Ndoshta, askush nuk e beson, por asht fakt që gjatë gjithë hetuesisë mue vetëm një shputë më kanë ra e, ç’prej asaj ditë që Ju mbështeta Zojës, nuk më ka prekë ma kush prej tyne me dorë!”.
Njëditë, kur po më bisedonte për një ngjarje burgu në Burrel, aty rreth vitit 1956, e pyeta nëse asht e vërtetë apo jo, që kishte shkue me pa të burgosunit në atë burg Mehmet Shehu, mbasi ndonjëherë kriminelët kishin ândje me pa me sytë e tyne, sësi po realizohej komunizmi, kështu që Mehmeti me të vërtetë kishte kenë në Burrel dhe, kur e kishte pa aty P. Meshkallën , e kishte pyet: “Hë, a ke zënë mend apo jo P. Meshkalla?” – P. Meshkalla, ishte përgjigjë: “Zotni Kryeministër, me xanë mend xanë fëmija, unë e ti, nuk kemi çka xamë mend të tjera.”. Ndërsa, njëherë tjetër kur Mehmeti ishte atje bashkë me gjeneral Gjin Markun, e ngucën P. Meshkallën, për me pa a ia ka dobësue guximin vuejtja dhe, Ky iu tha: “Na jemi nën dhé e, ju mbi dhé, por na jemi ma të fortë se ju!”.
Më tregonte Z. Xhemal Alimëhmeti, bashkvuajtës i Tij në Burrel: “Drejtori i burgut të Burrelit, njëfarë krimineli i regjun Njazi Tunxhi, po iu fliste të burgosunve për disa rregulla në lidhje me rininë... P. Meshkalla nga rreshti i kërkon me hapë shkolla në burg për të rinjtë, por drejtori e ndërpret: -Të qanë zemra ty për rininë, ke për ta parë sonte shkollën atje poshtë në birucë! P. Meshkalla qeshët; ai nervozohët dhe i thotë: - Ç’e ke atë buzëqeshje, or jezuit i poshtër?....P. Meshkalla i thotë: -Unë, po qeshi me ty! Ende nuk e keni kuptue, se unë do të ishe i lumtun me vdekë i kryqëzuem si Zoti i em, Jezu Krishti! Ende, nuk e keni kuptue? E, çka ke me më ba ti mashumëse aq sa i kanë ba shokët tuej Krishtit?”...
Kështu, qëndronte P. Meshkalla, para bishave të tërbueme me dhambët e tyne shkyes e të gjakosun të Sigurimit komunist!
Në një mbramje vonë, natën e Sh’Tomës P. Meshkalla, bashkë me një shok të vetin mërrijnë tek një derë e vogël ku banonte Tom Leci. Toma aso kohe ishte i paralizuem dhe jetonte me nanën e vet plakë, e cila me shpirt ndër dhambë mërrijti me pritë këte djalë derisa doli prej burgut. Posa, hapi derën P. Meshkalla, pau Tomën që me njenën dorë që mund ta lëvizte, po fërkonte drrasat me tel, ndërsa, nana i mbushte ujë dhe i shpërlante ato. Prej derës, P. Meshkalla menjëherë me zâ pak të naltë i tha: “Mjaft, Tomë, mos vazhdo, ndërsa, ti nanë ulu aty!”. Nana u ul në një karrigë aty afër, ndërsa në tjetren urdhnoi me u ulë Toma. Ai vetë u ul tek një stol i vogël dhe hoqi këpucët, çveshi çorapët, shpërvjeli pantallonat, mori telin dhe ia dha shokut të vet që ishte ma i ri në moshë, ndërsa, Ai vetë mori rragun dhe me té fshinte drrasat që lanin, mbasi thithte ujin delte në krye të sokakut dhe shtrydhte rragun... Aty nga mesnata shtëpia e Tomës, ishte e gatëshme me pritë vizitat e ditës së emnit... Ky, pra, ishte P. Meshkalla ndër shtëpijat e të sëmurëve!...
Më tregonte një grue që njëditë ndodhi tek dera e oborrit e shtëpisë së saj në Gjuhadol. Ishte tue kalue rrugës Dava. Një murgeshë që ka shkue ndër dyert e të gjitha burgjëve e kampëve të shfarosjes së komunizmit, mbasi ndër të gjitha e gjithnjë kishte priftën. Ajo lypte ndihma nga të vorfnit për me ushqye të uritunit... Në këthesë të rrugës ajo takon P. Meshkallën dhe, i tregon se, mbas pak ditësh donte me shkue në një kamp pune, mbasi kishte grumbullue paksa të holla e ndonjë plaçkë... P. Meshkalla, menjëherë i thotë Davës, më e pritë një minut aty dhe drejtohet nga plaka që ishte në derë të oborrit... Ajo habitët për një çast, kur Ky hyn mbas kapakut të derës që nuk hapej, i jep asaj xhaketën me ia mbajtë, çveshë një xhup që kishte të veshun dhe mbi këmishe veshë xhaketën e, ashtu në atë natë të ftohtë vjeshte del dhe drejtohët nga Dava, tue i thanë: “Sa mirë që të takova para se me ikë ti atje, na këte xhup dhe nepja X, se ai nuk ka shka me veshë e, po afrohet dimni!....”.
Bamirësia ishte hija e Tij... që nuk Ju nda për asnjë çast, ashtsi vorfnia... një lëkurë e vërtetë e Tija, që lindi me Té e nuk iu çvesh kurrë, asnjëherë, deri ditën që Ai i la të gjitha!...
Ai, me vedi mori vetëm një brilant...Shpirtin!
Njëditë, kur po bisedonim e ishim zhytë në një diskutim plot pasion e, kjo gja asht krejt e kuptueshme prej vetë mënyrës si fliste e natyrës tërheqëse të P. Meshkallës, kur, papritë, Ai ndërpreu bisedën, shikoi orën dhe, më tha: “Duhët me më falë, mbasi më duhët me shkue në shtëpi...”, unë, mendova për ndonjë çeshtje ore të caktueme të shërbesave fetare që kryente..., por, jo! Ai më tregoi, se do të ndiqte në radio turneun çiklistik të Francës (Le tour de France)... Unë u qesha, por, edhe e vështrova me habi...po, jo! Ai ma përforcoi mendimin që kishte tue me shpjegue, se gjithmonë e kishte ndjekë me radio tue e shoqnue me hartë rrugën çiklistike. Në kohën e rinisë së Tij, në Austri, ishte marrë edhe Ai vetë me këte sport aq të dashtun për Té...
E tham të drejtën, për mue kjo ishte dishka e papritun!... Ai Padër Meshkalla, -Ai Meshtari i Madh!...ishte edhe sportist! Ma vonë me kanë tregue, sësi lonte futboll në oborrin e jezuitëve me nxanësit e vet. Nuk pritonte në çdo kohë me albitrue ndeshjet e studentave. Fushat sportive për jezuitët kanë kenë gjithmonë terrene grumbullimi për edukimin fizik e moral të rinisë. Ata punonin për një rini të ditun e të shëndetëshme.
Ai merrte pjesë në të gjitha fushat e jetës dhe me kompetencë fliste për ato. Horizonti i dijes së Tij ishte i pakufi.
Me datën 15 korrik 1966, rreth orës 18.00 erdhi në shtëpinë tonë P. Pjetri. Posa hyni mbrendë më tha: “E gëzofsh emnin!”, unë për një çast u habita dhe e vështrova...megjithatë e ftova: “Urdhno e ulu!” në drejtim të një karrigës ku Ai ulej zakonisht. Ai qëndroi në kambë tek dera e dhomës dhe më tha: “Mos u habit që kam ardhë sot për emnin tand, unë e dij se, ti e ke me datën 18, se nuk më len Ungjilli me gabue, po kam ardhë sot, se vitin që po kalon nuk kam ardhë me të ba vizitën e, ba mos me ardhë edhe sonte, nesër asht pragu i emnit që po vjen sivjet e kështu, ti ke me ma quejt “mungesë”!... U qeshëm...dhe u ul me krye viziten... Kishte humor të hollë. Ai kishte ardhë si gjithmonë për një vizitë në shtëpinë e Mikut të Tij, mbasi dajën tonë, Ai nuk e harroi kurrë!....
Gjatë bisedës më foli për përshtypjën e mirë që kishte krijue në ekspozitën e pikturës që pak ditë para kisha hapë unë dhe Ai e kishte vizitue, madje, në librin e përshtypjeve kishte shkrue konsideratën e Tij, ashtusi, Don Nikoll Mazrreku, Don Pashko Muzhani, At Gegë Lumaj, At Aleks Baqli, etj. Unë i tregova një grafikë të paekspozueme në të cilën kisha punue Krishtin e vdekun, në vitin 1961. (Asht ajo vepër që u vue në kopertinën e librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare”, dhurue Papës Gjon Pali II, me rastin e vizitës së Tij, në Shqipni, me 23 Prill 1993). Ai u kënaq tue e pa dhe menjëherë të nesërmen më solli një album të jetës së Krishtit, të punuem me akuarel nga një piktor anglez, që kishte shkue me e punue në Palestinë shumë vite maparë. Bashkë me këte album më solli edhe një fletore me disa poezi të shkrueme prej vetë Meshkallës, që menjëherë unë fillova ilustrimet e tyne.
Vinte pak ma shpesh ato ditë mbasi kishte shumë pretendime në fushen artistike, të cilën e njihte shumë mirë; si në letersi, pikturë, muzikë. Nuk kënaqej me pak! Prej Tij unë ruaj këshillen: “Me kenë kërkues i së bukres deri në fund!”, - kambngulja - ishte tipari veçues i Tij. Më diftonte sësi poezinë “Sant’ Elena” e kishte punue tri herë...e, me të vërtetë, ajo poezi asht shumë e bukur për mos me thanë që asht ndër ma të bukrat ose, ma mirë me thanë ndër kryeveprat e Tij.
Për me mërrijtë sado pak e me kuptue se kush ishte P. Meshkalla në art mjafton me lexue artikullin e Tij: “Art e moralitet”, botue në gazetën e përdyjavëshme “Tomorri i vogël”, në Tiranë, me 15 gusht 1942. Artikullin e përfundon kështu: “Kush mbjellë erë, korrë stuhi, thotë një proverb i huej!”. Ai që e lexon tashti atë artikull asht zor me e kuptue se P. Meshkalla, artikullin nuk e ka shkrue sot. Nuk fliste kurrë gjatë për kohën e shkueme. Piksynimi ishte tek e ardhmja. Parashikimi i saktë për kohën që vjen asht veti e figurave të mëdha, pikërisht, ajo, që sot na e quajmë aktualitet e që gjithmonë asht thirrë: “Pavdeksi”.
P. Meshkalla shkruan atëherë: “....Nuk ka art të vërtetë që të jetë në kundërshtim me ligjin e natyrës dhe pa një përmbajtje (mbrendësi) morale.”....
“Kur vepra artistike merr gjallni prej frymës së idealeve ma të larta njerëzore, jo vetëm shumfishohet ndikimi i saj mbi lexuesa apo shikuesa, (prej shkrirjës së idealeve të larta morale me ato thjeshtë estetike), por edhe artisti vetë fuqizohet në cilsitë artistike që ka prej natyre.” “...Shtrembënimi (prishja, turbullimi) i ndjesive dhe i karakterit të turmave, i frynë vetë zjarrit që ka ndezun në to propaganda e pandërgjegjëshme. Të gjitha klasat shoqnore edhe ma të pazhvilluemet i kërkojnë sot artit sorogate të lehta.”
“Çka mund të mendohet ma e terbueme ose e bastardhueme, ma kriminele ose gjaksore, pranohët, shfaqët e përhapët prej këtij pseudo-arti, tue ndezë dëshira të pafrenueshme, sidomos ndër zemra që posa kanë nisë me bulue, tue polarizue vëmendjen e tyne kah objektet seksuale...”. Këta artikuj sot janë një bazë studimi për artin dhe gjuhën e njësueme.
Ndokush mund të pyesin: “A dinte me këndue P. Meshkalla?” dhe, unë, po ju përgjigjëm se “PO!...” Në fundin e ferrit ku ishte Ai, ndoshta, ndokush nuk e beson, por asht ma vështirë me ba të tjerët me këndue, se me këndue ai vetë, pra, me 24 dhetor 1952, natën e Krishtlindjëve, janë dëshmitarë djelmoçat e rinjë të asaj kohe, bashkvuejtës në kampin e të burgosunve nr. 1, tek Ura vojgurore në Berat, që bashkë me mësuesin e tyne kënduan me zâ të lehtë “Schtille Nacht”, madje, shumë lehtë, se me zâ ma të lartë mund ti “prishej” qetësia policve që aq iu donte e, kush e din se çfarë mund të vinte prej drite!...
Fatkeqësisht nuk e kujtoj emnin e një djalit të rinj për të cilin më ka tregue i nderuemi Pjetër Gjini, (kur pat dalë nga burgu i Burrelit në 1957), aq e kishin rrah e torturue në mënyrë çnjerëzore, sa për kush e din sa ditë nuk mund të çohej i shkreti në kambët e veta. E, pse? -Dikush e kishte paditë se ai djali kishte thanë: “P. Meshkalla asht njeriu ma i madh që kam njohtë në jetën teme!”... E pabesueshme!... por, ai u ndeshkue aq rrebtë vetëm se guxoi e vuni figurën e P.Meshkallës, mbi Enver Hoxhen e Stalinin e “madh” ...Për kësi lloj faji nuk ishte aspak çudi edhe me të pushkatue në ato kohë. I ka këto gjana “demokracia proletare”, thonte, i madhi Pjetër Gjini, “lum kush e provon!...”.
P. Meshkalla mbasi doli nga burgu i Burrelit, aty nga fundi i vitit 1961, pak vite prej jetës së Tij i kaloi bashkë me nanën, në shtëpinë e kushrinës së vet Ganxhës, në rrugën e njohtun Ballabane që shumë shpejt u ba qendër pelegrinazhi për të gjitha moshat dhe për të gjithë shkodranët pa dallim Feje. Vepra e paharrueshme e Tij, asht puna e palodhun me rininë me të cilën Ai ishte i pakursyem, i patrembun, korrekt, i dashtun, i papritueshëm, i përvujtë, gjithmonë buzagaz, Meshtar e Pishtar i vertetë i dijes dhe i atdhetarizmës deri në fundin e jetës së Tij. Në Shkodër, kush nuk e kishte ndigjue emnin e këtij Meshtari që nuk shihej asnjëherë as ndër Kisha, madje, as tue thanë meshë, se, jo, ma tue predikue?
Pak vite maparë mësova një të fshehtë për P. Meshkallën...
Isha me një gazetar anglez në varrezat e Rëmajit, pak ditë mbas hapjës së Kishave, kur, papritmas, afrohët një vajzë e re dhe më kërkon me folë me gazetarin. Fol, i thashë, se nuk të ndalon kush ma me folë me té, po, a din ti me folë anglisht? –Po, mu përgjigj ajo, dhe, menjëherë, filloi me i folë rrjellshëm gazetarit. Ajo i tregoi atij kënaqësinë që ndiente për hapjen e Kishave në Shqipni, edhe pse ajo kishte lind mbas mbylljes së tyne, në vitin 1970. Ajo i foli për bindjen e plotë që kishte prej kohësh, se do të vine kjo ditë, sëpse, kur e pyeti gazetari sësi të asht krijue kjo bindje? Vajza, me krenari iu përgjigj: “Unë, e dijsha se do të hapën prap Kishat në Shqipni, madje, edhe shpejtë, se këte ma ka thanë Mësuesi i em, Padër Meshkalla. Unë jam kenë nxanëse e Tij, Ai më ka mësue fshehtas uratët e para, katekizmin, Ai më ka kungue sëpari, madje, Ai më ka mësue edhe anglishtën tue më nxitë se ka me tu dashtë njëditë dhe, qé, sot po flas me ju! Unë jam krenare sëpse kam kenë nxanësja e fundit e Tij. Prej Tij kam mësue moralin fetar katolik, prej Tij kam mësue çdo gja të mirë, se vetëm mirë dinte me mësue Padër Pjetër Meshkalla!”.
Vëreni me kujdes artikujt, programet, metodat e punës së Tij me RININË dhe keni me pa se sot bota moderne dhe e përparueme, që mbështetët dhe ecën drejtë në shina të sigurta mbi parimet e shëndoshta të edukatës dhe moralit, përdorë ata metoda edukative e kulturore që përdori Meshkalla i Madh, pra, jo pak, por 60 apo 70 vjetë maparë në Shqipninë e atëherëshme dhe të “mbrapambetun”!
Të dalin si burrat një njeri dhe të thonë të kundërtën e kësaj që jam tue thanë unë, të dalin një njeri dhe të më kundërshtojnë një prej vëprimeve të Meshkallës, mbasi jeta e Tij nuk ishte aq e shkurtë sa mos me pasë edhe ndonjë gabim, por, ajo ishte mjaftë e gjatë dhe me shumë prova të vështira, shumë ma tragjike se mund ta mendojmë na sot e me dallgë të pakuptueshme, për brezat që do të vijnë ma vonë. Kjo vepër aq e vlefshme kje e përditëshme dhe e pandërpreme deri në fund të jetës.
Vepra e Tij si Bari i Mirë mbeti kudo ku Ai vuni kambën edhe pse ujqit komunistë ishin gjithnjë tue pré delet e qingjat ma të mirë. Ndonse, i survejuem, kudo e gjithmonë me Sigurimin e mnershëm mbas shpine, tue e vrojtue se, ku po hin, sa po rrin, shka po ban, me ke po rrin, shka po flet, prej kah erdhi, ke takoi rrugës, kush e ndaloi, a i dha gja dhe, a lanë takim prap për nesër e, në mënyrë të posaçme, kush i shkon në shtëpi? Ai nuk u përkul, Ai nuk e njohti frikën, po vazhdoi me punue pa u lodhë si Misionar i vërtetë që ishte, gjithmonë i vorfën për nga ana materiale, por gjithmonë i pasun me virtytet e Shpirtit. I lindun, i edukuem dhe i brumosun për me ndihmue të tjerët me moralin Kristjan, me edukatën humane e kulturën evropiane, me rregullat njerëzore, normat e mënyrën MESHKALLJANE, një rrugë krejt origjinale, gjithmonë e pashkelun, e pastër për nga ana morale e shpirtnore në sherbim të shoqnisë njerëzore në të gjitha pikëpamjet, ashtusi ishte edhe Ai vetë. Ajo edukatë ka kenë, asht e do të mbetët e pavdekëshme për të gjithë Popullin Shqiptar e Rininë e tij, që me vepra Ai provoi se e deshti e sakrifikoi për té aq shumë!

Ai shkruan: “....Na jemi gurët (të mëdhaj o të vogjel) të hjedhun në fillim, të cilët zhduken e nuk shifen ma, por janë në thëmel të parë!
Qé, ambicioni i thëmelit. M’u zhdukë e mos me u pa ma!...”.
Gurët e Atij thëmeli asht e vërtetë se komunistëve iu dukën të vogjël. Ata menduan se Ata gurë me të vërtetë do të zhduken e, nuk do të shihen ma në truell të Kastriotit. Ndoshta, mendohej se dallgët e “Revolucionit”, do të rrafshojnë bashkë me gurët “që kishin fillue me nxjerrë krye” e, pikërisht, me Ata gurë, që ishin vue mbi thëmelet e kulturës evropiane edhe Heronjtë, që kishin la me gjakun e Tyne Ata thëmele, por koha tregoi se gurët e parë nuk kishin luajtë, nuk ishin thye, as nuk ishin ciflosë e plasë, nuk ishin shkatrrue as rrokullisë, jo, kurrë, ATA GURË të vendosun në thëmel të tokës Shqiptare që në Shekullin e Parë të Epokës së Ré nga Sh’Pali, dhe, sot Ata gurë po mbroheshin nga Pjetri, që tha: “Ju, Kishat rranoni, por Toka nuk lot! Ju, prishni Kisha e Xhamija, por Ata do të ndërtohen prap njëditë!....”
Kishin “harrue” me lexue:“...por janë në thëmel të parë !.... ” Meshkalla me shokë...

Në njëditë të bukur vjeshte jo e zakonëshme në Shkodër, mbasi ky qytet veçohët për shinat e shumta që bijnë. Pikërisht në një ndër ditët ma të shënueme të historisë së lashtë të këtij qyteti, me datën 11 Nandor 1990, njerëzit tuba-tuba prej të katër anëve po vërshenin si lumi e po grumbulloheshin në një skutë të periferisë, që thirret Rëmaji. Aty, në një rrenojë, në atë kapelë të vogël të varrezave mbas sa e sa vitësh do të thohej Mesha e Parë, prej Don Simon Jubanit...
Gra, burra, plaka, pleqë, sakata e të gjymtuem me patërica, të rinjë e të reja të të gjitha moshave, foshnje me faqe të kuqe nga të ftohtit ndër karroca; fëmijë të vogjel të kapun për Kryqa mermeri, që dukeshin sikur po i rrokun për mos me i lëshue kurrma;... mijra vetësh pranë të Parëve të tyne që u kanë ba Kryq në ballë; mijra vetësh që vênë një Kryq mbi gurë të ndonjë vorri mbetë shkrèt; mijra vetësh pa gja te kryet mbas atij muri nën ata çinarë, múrë që ndanë paqën e përjetëshme të këndejme, me atë të kobëshmen vdekje të dhunëshme nën plumbat komuniste e, që, sot mbi Ata vorre të përbashkëta Heronjësh janë prapseprap vagonat e mbushun me ushtarë të forcave speciale të Sigurimit, në ballin e të cilëve asht ende simboli i varrmihësve të Tyne, që me ata pesë cepat e tij të ngulun në zemrat e Nanave e Motrave Shqiptare, gjithmonë ndër mote ata pesë cepa do të na kujtojnë Zojen e Shkodrës me shtatë hanxharë...
Pikërisht, këte ditë po më ripërtrihej në mend ajo ngjarje, që para 23 vjetësh ndodhi në shtëpinë e njenës prej këtyne Burrneshave, një grues shkodrane me brandavekë e me bohçe të bardhë që nuk iu hoq gjithë jetën bashkë me at’ shami si futa mbi kryet e saj...
Ishte njena prej Atyne Nanave që rrëkaja e lotve ende të pathame kishte lá gurtë e Zallit të Kirit!...
Njëditë, Sigurimi i Shtetit i kontrolloi edhe shtëpinë përdhese dhe mbasi i dogj edhe një figure që i kishte mbetë e fshehun nën kllef të jestekut, figurën e Zojës së Shkodrës, me të cilën ngushllohej e flente, njeni prej mizorve u suell dhe e pyeti: “Hë, plaké...fol, a ke më ndonjë gjë tjatër të fshehur?”, Padër Meshkalla, pat tregue sësi iu përgjigj plaka:
-“Po, kam edhe një gjâ që ju nuk keni si me ma marrë dhe, vuni dorën në ballë e, iu tha: -“Kam edhe këté: Në Emën të Atit e, të Birit e, të Shpirtit Shenjtë e, Ashtu kjoftë!”.
E, ashtu, ndodhi, në mes të Atyne Kryqave, prap na e pamë me sytë tonë edhe njëherë Até....që na mësoi dhe predikoi gjithë jetën e Tij, . PADËR PJETËR MESHKALLA S. J. :
“CRISTUS VINCIT !”.


PJESA E DYTË

Prej Padër Meshkallës:

1. KANGA E ISAISË

Isaija profetë, shumë shekuj para Krishtit shkruan me pamje profetike, mbi ardhjen, jetën, veprat, mbrekullitë, mësimet, vuajtjet e vdekjën e Krishtit, sa, që, libri i tij kje quajtë një “Ungjillë”.
Në këte vjershë flitët vetëm për pritjen me padurim të ardhjes së Shpetimtarit (Mesisë, Krishtit) e, për të mirat qe do të bijë me vete simbas librit të Isaisë.
Rorate caeli desuper et nabus pluant
Justum, aperiatur terra, et germinet Salvatorem. (Is. 45)
Rigoni o qielle nga sipër e rêtë të qesin si shi
të Drejtin. Të hapet toka e të mugullojë Shpetimtarin.

I. Zgjoju, zgjoju, o fisi i Jakobit,
harpën tande ban sot që të tingëllojë;
ngrehnju të gjitha , o ju bija të Sionit,
kanga juej deri në qiell le të ushtojë!
Nga një Virgjin e trollit të Davidit
një Fëmi do t’u lindka në këte dhé,
emni i tij: “Engjull këshilli e misteri”,
emni i tij : “Përëndia me né!”.
I përfoluni, i pritun ndër shekuj
qé po vjen, si ma i miri ndër bijë,
ka mbi supat fuqinë e sundimin,
drejtësia edhe paqa i kanë prijë.
Rrufé s’ka, s’asht i rrebtë si duhija,
por, â’ i kandshëm si vesa në agime,
urdhni i tij: Sillni shpatat në parmenda,
ktheni shtizat për kosa, në punime!
Nen gjurmë të tij burojnë ujnat në shkretina,
në freski, me lulëzim shpërthen jeta,
Ky asht Bariu, kullotë delet në bar të njomë,
të vogël Kingjin e mbâ ndër duer të veta.
Nga njaj Fëmi pa ka dritën i verbti,
ndigjon shurdhi, po flitka mêmêci,
si kaprolli sakati vrapueka,
që der’ dje me tërfurca veç eci!


II. Mali i Shenjtë, përmbi malët ma të naltat
ngrehu sot! Qé, vegoi drita jote,
vegoi rrezja mbi bijët e premtimit:
Eni të ecim në këte dritë gazmêndplote!
Ti Lajmëtar, që bje “Lajmin e mirë”
lësho, pa frikë, me fuqi zânin Tând,
thuej: “Një Bir’Shpetimtar na kje falun”,
-dhe jehona të marrë dhénë anëkand!
Popujt mbarë vrapojnë e thërrasin:
të vemi “Malit të Shênjtë së bashku përpjetë,
të ecim, të ecim në shkelqimin prarues
Lajmi i mirë né sot na dha fletë!”.
Mos t’i ndahemi dritës, të vrapojmë,
qé, po çfaqet e Zotit Lavdia!
Rruga e Tij asht mëshira e sherimi,
Ligji i Ri: Vllazërimi e dashnia.

Shkodër, (1927), 1982.

Shenimi em: Autori në disa poezi ka shenue dy vite, mbasi sigurisht viti i parë asht viti në të cilin Ai e ka shkrue poezinë, ndërsa, viti i dytë asht viti në të cilin Ai ka ba ndryshimet që ka mendue. Këtu asht marrë versioni i dytë për arësye të përmirësimit të poezisë, si, edhe të gjuhës prej vetë autorit në origjinal, ku nuk kam ba asnjë ndryshim.
Në mjaft poezi asht shenue sigla BB pranë vitit kur asht shkrue poezia. Këto sigla korespondojnë me vitët e kenjës së P.Meshkallës në Burgun e Burrelit, ku, autori ka shkrue disa nga këto poezi. Nr. para titullit të poezisë asht nr. rendor i saj në fletorën origjinale.
Origjinali i këtyne shkrimeve me asht dhanë për botim nga i Ndjeri Zef Buka (Mirdita), të cilit ia ka dhanë vetë P.Meshkalla para se të vdiste, bashkë me disa shenime autobiografike.
Unë kam botue ata materiale që më asht dukë se, i përgjigjën mbrendisë së librit tem. Origjinali ruhet në familjen e Zefit.



2. KRISHTLINDJE NË SHKODËR 1909

Mbas vitit 1909 qeveria Turke, në Shkodër, për shkak të lëvizjeve shqiptare për liri, (pushka vlonte, shpesh deri në afërsi të qytetit), i ndaloi disa shfaqje tradicionale “Të Natës së Këshndellave”, tue i hjekë diçka poezisë së bukur të Festës.


Dha lajmin kumbona
me tinguj argjandi,
theu muzgun jehona,
gjithë zemrat i trandi:
Vinë festat e lume,
Krishtlindje e bekueme,
me shndet e me gëzim!
Kumbonat e randa,
kumbonat e lehta,
këndojnë me t’pasë ânda
me notat e veta:
Ushtojnë kumbonarët!
Larg zani përdarët
tue ra pa pushim...
Sa kandshëm dikohet
kjo valë e harmonisë,
krejt shpirti naltohet
ndër sfera të hyjnisë:
Kah shpresa e ngushllimit,
kah rrezja e shpetimit,
drejt paqës që vjen!
Në atë kupën qiellore
o hyjë xhixhilloni,
o male, prej bore
në dritë të hanës zbardhoni,
që zemrat e dlira
të gëzojne, vullnet-mira
me atë fé që na ushqen.
.......
Tarabat kërcasin,
po mbyllën dyqanët,
gra e burra hitasin,
vrapojnë përgjith-an’ët:
Përshëndetje e përgëzime,
ma të bukrat urime
gjatë rrugës ndigjon.
Tash hargjet e mbrame
s’ka mbetë kush pa i krye,
gjithkush do n’këte mbrame,
n’shtëpi ngutshëm me u kthye:
Shegêrti e tregtari,
ngarkue, prej Pazari
ma thekshëm vrapon.
Plot dritë janë shtëpijat
plot zjarmi te oxhaku,
pelcasin dëllinjat,
luejn fëmia té praku,
e gratë nuk pushojnë,
pa dá vinë e shkojnë,
vëlon puna gjithkund...
Në familje krye-pare
ka sonte gjithë të mirat,
në ato mesatare
plotësohen dëshirat;
po edhe unë fukaraja
në këto festa të mdhaja,
do të gëzoj edhe unë!
Pak baba fitimet,
pak qiti edhe nana,
e shkreta, kursimet
me blemun do gjana;
por, ...erdhi té dera
dikush e, si era,
la’i shportë edhe shkoi.
Vetë bana “Betlemin”,
sa i bukur që më doli!
S’e ka kush si t’emin
Në mahall’n “Gjuhadol”:
me drrasa e pelhura,
me letra e piktura
ka kohë që unë punoj.
E tash, q’e mbarova
unë punën të tanë,
té baba flut’rova
me nanën vëllanë,
njërendi tue shkue
gjithë sëbashku me u vu
té votra “n’gjuj të mdhaj”.
Dhe ngrihet em atë
qirin ndezë atëherë,
premton ndonjë uratë
dhe ulët me t’tjerë,
n’sa na me ngadalë
e flasim pa u ndalë,
uraten si ai...
Por, mue nuk më zë vêndi,
lëshoj zanin e hollë,
-më rrah zemra prej shêndi-,
tham vjershat si n’shkollë,
nga “shpêlla”- tue ba,
nga Prindët –temena-
-andej- edhe këtej.
E, këthehëm të rrokë prindën...
por, baba ka ulë kryet,
e nana merr kînden
e shpejt i fshinë sytë...
Nuk dij çka u ndinë zêmra,
por, mue më dridhet thêmra,
më vlon gjaku ndër dêj...
A thue janë lot gëzimi?
A por janë lot malli?
O ndoshta pikëllimi,
pse mblue na ka halli
në ket të shkretë jërevije,
përdhese vorfnije,
si Krishti në Stan?!
Por, çka! Jezun kemi
ndër zemra të vajtueshme;
të ngrohun na jemi
me hire të hyjnueshme:
I drejti në këte jetë
ka paq’n e vërtetë,
që të tjerët nuk e kan.
Me Jezun na kjajmë,
e gëzimet ma të thêllat
me Jezun i ndajmë:
E, i lusim Këshndellat
me aqë të mira që Zoti
na i fali në ditë soti,
me Jezun e Lumë!
Oh, sa ambël sahati
rrjedh sonte në strèh’ tonë!
Kaq ambël!... por s’gjati
ra’i tingull...kumbonë...
Mesnatë!...-Krisë batarja,
jehon Kumbonarja,
vlon pushka ma shumë...
Në këto vala festuese
gjithë zemrat na qeshën,
si rryma vërshuese
njerëzia rrugës ndeshën,
kumbon’t ajrin çajnë,
e, pushkët nuk ia ndajnë
për festën që na erdh’.
Na pret Kisha e Madhe
Krejt mbushë me kandile,
Vinë rradha mbas rradhe
me tuba familje,
e, në Kishë, prej pesë portash,
çdo moshe e gjithë ortash,
mbrendë populli u dêrdh.
Sa dritat, si ylberi!
sa jone të mallngjyshme!
Sa priftën te Elteri
me petka të shkelqyeshme!
Timjani me shtille,
naltohët drejt qielle,
fjollë-fjollëza plot!
Shkon lart si timjani, urata e lirë,
-i kangës ushton zani, me Engjujt e mirë:
-“Ka lindun Mesia, vjen paqa e dashnia!
L u m n i të N a l t i t Z O T !”

BB 1950.










5. NANË KTHEJU !

Si shkambi n’për rrymë të shekujve,
muret qendrojnë jetike
ngulun për rranzë thëmeleve,
të Rozafës sonë Kreshnike.
Dhe sot, që, féja nipave
shpresët e të Parëve ndritoi,
lè të shkruhet mbi ballë të mureve:
“Nanës, që na vorfnoi!”.
Njâsaj, që’i ditë prej sulmeve
të Kulçedrës me shtatë krena,
na u bâ mburojë e, të nêmuna
s’duroi t’i shohë këto dhena.
Njasajë... por vaj, na fajeve
në verbim s’u vume cak
e Nanës iu randue zemra,
iku edh’e la këte prak!
O ju, që parzme hekuri
luftuet për bésë e fé,
idhtë tue valvitun Flamurin,
shenjtnue me gjak e bé,
zgjonju nën rrasa të heshtuna,
ngrihnju me pa mjerim!
Ndihma e Arbënisë, e Pamposhtuna
ç’u ba?... Si drita u shkim!!...
Po a kurrë, thue, ma kurrë Virgjina
-me gjâmë kah thrret Shqipënia,-
s’do të ndrisë, si ndriti moteve
përbrinjë Rozafës...M A R I A ?!
Tepër lënguem këso shtigjeve
si fëmija mbetë pa nanë,
për né ma dritë nuk lëshuene
as hyj, as diell, as hanë!

Po a kurrë, ma kurrë, s’do të ngrohemi?
pa shpresë do të rrijmë e të presim?
Po a heshtun gjithmonë vallëja
do të ngeli, në terr kah dënesim?!
Jo, jo! Pse qiellëve të epëra
Zoti me dorë të vet
ka shkrue: “E Zojës asht Shkodra,
e, Zoja e Shkodrës së vet !”.
Qé, ké ato mure të ndrituna,
-zemra m’a ndiën, -qé’i zani
Një populli në hov të galdimave,
tue brohoritë: “O ngâni!...
Ktheu, N A N A !” O, ditë ma e bukra
që Arbënia prét, ago!
Nanë ktheju, e, në mburoje të hireve
në fé shënjte na vëllazno!
Shkodër, 1927.


10. JETË E RÉ

Në këthesën e një djali të ri:
“Kaq i vogël fëmi e, kaq i madh mëkatarë!”
Sh’Augustini
Në zemrën teme lindi jeta,
shpirti asht mbushun me dëshirë,
me ndriti mendjën e vërteta,
vuejtjet më duken gurrë me hirë.
Lindi Krishti në zemrën téme,
më pruni paqë e dashuni,
më rreshi forcë e ngushëllime,
zhduku errësinën e burgut të zi.
Unë dikur me mburrje shkojshe
për pusina, kurtha e léqe;
krime n’têrr unë farkëtojshe:
holla vrapin për rrugë të kéqe...

Epshi e faji janë veriga
që, tue lëmue, të skllavënojnë;
shpirti s’ka qetësi në punë të liga,
që, veç rrathët ma fort shterngojnë.
Mallkue kjoftë për jetë mbrapshtia,
rruga e turpit sot kjoftë pré!
U thyen prangat, ktheu liria ,
shtegu u hap për J E T Ë TË R É !

BB 1954.



11. SANT’ ELENA

Në 100 vjetorin e vdekjës së Napoleon Bonapartit (1821 - 1921) në Sant’ Elena. Për këte vjerrshë përshkrimin në prozë poetike në italisht, ma dhá At J. Pasinetti.
Shkodër, 1921.

Larg, e në vetmi trishtuese krejt’i mbshtjellun
nën të tjera klimë, të zjarrta e mjegullore,
gjendët një i vogel ishull mes valësh déti,
Atje, e thepisun, kryet zbulon e hovet,
drejtë qiellit një buzë shkambi çveshë blerimi,
si të donte shoqëni me lypë ndër diella.
I lodhun syni përmbi dét të pamatun
kërkon, por kot, përrreth bregore të tjera
sa grima të mund pushojë, pse, kah të sillesh
mbi horizont, veç ndanë rrafshinë qiellngjye.
Prej së drejte, mëni të Amëshuemit i vérbtun
dukët ai shkamb atjé, dhe valët shkumbuese
njêna mbas tjetrës, rrebtas tue gjimue,
turren mbi té, por ato sulme të kota
shkambi krenisht përbuzë, kè porsi sógje
a monument të përjetëshem ma se bronxi,
Zoti i fitores mbi njâtë vend e ruejti.
Shkâmbit jetik përbri e për nën gêmba
të njâj shelqnâje vajtuese, një varr gjendët;
landë e ngâllënjimit, lari i rri mbi krye:
Ky’i ditë vigan mbi rê na’e hidhte shtatin,
por sot, rruféja djegun zhari, varet
e shkyeme degësh; por, zjarri që prej së nalti
mbi té u plandos, s’ia kish’ pasë sosun jetën,
se, gêmbat e cunguem, stolí e begatëshme
i mblon prej gjethësh të blerueshëm e, shkulmet
(ké të furisë së tyne në dorë kjo landë kjé lëshue)
m’e shkulë pa kurrë dobi rropatën: të forta
e të thélla rranjë kish’ngulun në atë bregore.

Kështu, deshti Qielli të largëtave breznina,
kujtim tue u lanë të pashlyeshëm, me u tregue
kryenalta si mbaron mbi tokë m a d h ë s h t i a !




14. H I P O K R I Z I A

. Hipokriti kërkon të duket ndryshe nga ç’është. . Shtihët si i mirë për të gënjyer të tjerët. . (Nga Fjalori).
Mos iu afro Perendisë me zemër dy faqesh...
Mos ban hipokrizi para njerëzve! (Ecili. 1. 36-37).

E kundërta: I çiltër, flet e vepron pa u shtirë, është i
pastër nga zemra, i sinqertë. (nga Fjalori).

I. DEFINICIONE

Një maskë e zbukurueme
që hollë mbulon fytyrën e shemtueme.
Sa vojna lyrë-ngjyrë
që mëshefin rrudhat e një plakës mënxyrë.
Një pare kallpe e zbehtë
që në treg na del porsi flori i vërtetë.
Thesi që në grykë ka molla
e poshtë der’në fund, ka veç gjarpinjë e bolla.
Një monument mermeri
mbi kryma, mbi skeleta e kafka tméri,
por zemra ndinë si’ i akull në ty, që ngrinë,
por shpirti i drejtë... nuk di... nuk di, nuk di sesi...
por, ndinë....
se jé h i p o k r i z i !

II. KUADRA

Jé Judë, që fjalën ké si shpirt – njeri,
e për trathti ndaj Mësuesit psherëtitë,
në sa me një të puthun Mësuesin jé tue shitë,
hipokrizi
për treqind pare argjënd!
Joab jé, që pret në besë e vé pusi:
hasmin e falun përqafon miqësisht,
kur të msheftën thikë atij ia ngulë tinzisht
hipokrizi
fillë në zemër, si gand...!
Ti Sirenë magjepsore, shtrigë unjî:
tërhjek e detarët e i thithë në pasqyrë të qétë
dhe, ia përplasë anijën té’ i shkamb nën détë
hipokrizi
me knaqun synin tand!
Të njoh mirë, hipokrizi...
ti jé trathti, lubi!
Gënjen synin pa sherri,
por, zemra ndinë një erë gjaku në ty, që ngrinë,
por, shpirti i drejtë nuk di... nuk di sesi,
por, ndinë....
se jé h i p o k r i z i !



III. TË KAM GJETË !

Të kam gjetë, hipokrizi, në çerdhët që ké:
Labirintët tueja janë pa krye,
por me çka pashë e ndjeva unë mbi këte dhé,
mjaft mësova e mjaft mu çilën këta dy sy.
Në shoqninë njerëzore isht’ kenë një gja për bé:
Sinqeriteti kapun në luftë me ty,
e ti, kolonë e pestë, me dinakri,
të sinqeritetit në kështjellin barkas shtri...
Të kam gjetë nën doreza të buta humanitare,
me çapojt e përgjakun të njaj skyftéri...
Në çajë të ngrohta të pashë “bamirëse-kërcimtare”,
me’i zemër si natë dimni kur frynë véri:
Mbi borë përjashta dridhet një lypcarë,
ndërsa...për té (!) gjithë natën krisë Valcëri!
P’aj, të kishte veç një kokë kjo botë e tanë,
për t’ia këputun ma shpejtë, mundim pa i dhanë!!
Nën maskë të kam gjetun Aristokracije,
me lule e lajle dhe “virtyte Oborri”...
Po, u zbè me’i herë çdo rreze qytetnije,
kur ia zbulova petët këtij laknori....


Të kam gjetë nën xhamadan burri Malsije,
( kujtim i largtë herojsh’ që koha i mori),
hèu, gardh Kanuni thyemun njëqind herë,
për me i lanë burrit shteg “me dalë me ndérë”...
Të kam gjetë nën frakun e njaj Liberali,
që të ngopë me “tolerancë” – “liri-mendimi”,
por, furinë fanatike s’di ta ndali,
kur gjenë përballë një idé të vendosun trimi.
Të kam gjetë mbas syzash të Markës “ideali”,
në dy gropa syshë të thella e të êrrta shqîmi
që botës, dritë s’i dhanë m’sa ‘i natë varri,
sido që të ndrisin syzat me rrathë ari.
Të kam gjetë në xhep të Nacionalistit vlershëm
me dhjetra flamuj tubë të shtrênjtë e të lirë,
mbishkrue me shirit etiketë “ i ndérshëm”,
p’r inat të atij që asht veç Shqiptar i mirë!
Në çantë të kam gjetun të Demagogut të tmérshëm
(anmik intrigash, qytetar i dëlirë).
Ndër disa fletë të mshefta, si po i thona:
“ Ndani e përçani...me çdo kusht e jona!”.
Të kam gjetun nën petkun e Fétarit tonë,
brumë Farizeu, që pjesën rri tue luejtë:
Tartuf buzë-rrudhë e vetull-vrênjtë gjithmonë,
e mbas perdje asht laksist-gaudent i prunjtë.
Ai e di mirë se dy shelqinjë - si’i thone –
në një dorë, bèsa, me i mbajtë askush s’ka mujtë:
Detyra e shénjtë në “Sherbim të Perendisë”,
nuk i lè kohë të shikojë plagët e njerzisë...
Të kam gjetë ndër thonjtë e gishtave të Tregtarit,
sa me shkathtësi tespi e rruzare hjedhin,
si të ishin bash verdhukët e bukur t’arit,
që, pikë prej gjakut të fukarasë, i vjédhin...
S’do mend, nga fryti i shtrydhun n’djersë të mendqarit
barkthatë e lakuriq, do fije drédhin,
e ndezë ndo’j dritë në faltore, si “mëkatnorë”,
e, për “me shkelë” Zotin me’i bakshish nën dorë!!...
Të kam gjetë atje ku e ka selinë Drejtësia,
në lagênin e Pilatit, plot gjak të vjetër,
rrjedhun me baltë të Mamonës duerve të tija
dhe, gjak në duer të lame, gatshëm për gjak tjetër!
Të kam gjetun té kamxhiku Flakë e shkëndija,
të apostullit të kulluet të moralit... në letër,
që shkallët e poshtërsive hypë, me rrëzue
monstrat prej froni dhe, ...aty vétë me u shtrue!
Ku nuk të kam gjetë hipokrizi, të dalët fara!
Plaka botën kafshon e, puthë figure...
Moralin së bijës ia mësueka lara-lara...
Djalin me renë ngatrrueka... lesh tue lënurë...

Miqtë s’po shikohen në sy ma si përpara
pse, mbas shpine i diktuen sho’ shojt’ kusure...
sé, ma, pallavrat e paundyrë të servilit!!
Se, ma, sadizmi në puthjet e katilit!!!
Të njoh mirë hipokrizi!
Jé dhunë e poshtërsi!
Gënjen synin e pasherri,
por, zemra ndinë jarg ferri në ty, q’e ngrinë,
por, shpirti i drejtë... nuk di... nuk di sesi,
por, ndinë...
se jé h i p o k r i z i !




V. ANATHEMA !

Toka me qiellin -valën e mallkimeve,
të shkrepi mbi kokën -e gjithë hipokritëve!
Breshni i shigjetave -të dyndi, e rebéshi,
kudo që të ndeshi hipokrizinë!

Asht lëkundun bésa -e miqve dhe e vëllazënve,
mbrenda brenë ténja -ndër votra të familjeve;
e pranë blerimëve -të njâj gêmi ullini,
shpallë shkrûmi e hini hipokrizinë!

Era helmuese -prej gropës së errësinave,
po u prishë pranverën -rinisë edhe luleve!
Kudo që të dredhuna -rranjët të kétë ngulë,
bini me e zhgulë hipokrizinë!

Karikaturë -e fésë dhe e shenjtënve,
që ban të përbuzet -era e virtyteve!...
Por, jo, se luleve -u përgjegjë fryti,
nuk lidhë virtyti hipokrizinë!

Farizé i kalbun, -lësho puthje figureve,
zhyt në ujë të békuem -tier lamshin e lutjeve
e të filaktérëve -s’rrêhët njerëzia,
as Perendia me hipokrizinë!

Toka me qiellin -valën e mallkimeve,
të shkrepi mbi kokën -e gjithë hipokritëve!
Breshni i shigjetave -të dyndi, e rëbéshi,
kudo që të ndeshi hipokrizinë!


Anathema – dëbim, mallkim.


CONFITEOR

O Zot, hipokrizisë unë ia vervita
shigjetat e mallkimet pa u kursye;
por, trupin me trup vrava, pse në sy të Tú
jam vétë, përlye me hipokrizi!
Mbi mue randojnë e më shtypin ato “Vaje”,
që lëshove Ti njëditë mbi Farizéj...
Mos jam unë Farizé i tipit të ri ?!
Pastroj përjashta ênën me kujdes,
e mbrenda asht mbushun plot me kalbësinë,
mizen pështyj’e dévën kapërdijë...
Shikoj qymen në sy të tjerëve e, vetë kam tranë...
Për të fitue ‘i shpirt kërkoj unë tok’e détë
e, kur ta gjejë, e baj ma të zi se vehtën...
Me kyçin që më besove, o Zot, unë derën
vedit ia mbylla, e të tjerë nuk lashë të hyjnë mbrêndë
e, me të verbtit prijës i vérbët, të dy në gropë ramë...
Emnin Tand në gojë e, zemrën larg prej Téje,
vegël tue të ba e kapak ndër të zeza të mija,
Tý, që, jé veç Drejtësi, Tý, që, për hir’
Të së Vërtetës Shênjte, çove vehtën në Kryq!...
Mallkime dhe shigjeta unë meritoj,
që, lëshova gurë mbi të tjerë, si t’ishëm vetë
i dlirtë... Confiteor!... Po, mos vállë ky rrëfim,
asht prap hipokrizia e hipokrizisë ?!!...

Confiteor: Rrëfej fajin (shih: Matt.H. 23, 1-33 etj.)


VI. L U T J E !

O Zoti em, ma fal sinqeritetin,
ma jep instinktin me e njohun n’erë
hipokrizinë; Ti më jep edhe guximin,
të vërtetën vehtës me ia thanë pa frikë,
si kirurgu m’ia vue thikën gangrenës;
hydren me e shtypë, sa herë kërkon t’ çojë krye,
mos të jém’ unë ujk i veshun me lëkurë kingji,
as varr i zbardhun jashtë e, mbrêndë kufomë!...
O Zoti em, ma jep sinqeritetin
e fëmijës së pafajshëm, të thjeshtë e pa mashtrim!
O Zoti em, ma jep sinqeritetin
e njerëzve vullnet-mirë, që, paqë lypin,
me vehtën e me shoqin e, me Tý!

Oh, kjo lutje nuk asht,
nuk asht h i p o k r i z i !


24. KANGA E ARISTOTELIT

Filozofia nuk ndahët nga jeta, as arësyeja nuk ndahët nga natyra.
Zhénia e filozofit thellohët e etëshme ndër misteret e jetës, me fuqinë e mendjës mishnon në vehte të Vërtetën dhe të Mirën, që natyra i mban në gji. Até të Vërtete dhe, até të Mirë, që, çdo njeri i ndien në shpirtë, por, që, vetëm zhéniu di të na zgjojë e të na e bajë të vetëdishme. Por, kur, zhénia e filozofit, në vrullin e spekulimeve të mistereve të natyrës dhe të ligjëve të saj, prek tèk e paarritëshmja, atëherë, ai ndien gjithë Madhninë e Universit dhe, vogëlinë e tij të pamasë, por, nuk epët...
Ku mbaron filozofia, fillon poezia.
Zhéniu me fletët e intuicionit e të sentimentit zhytet në Dritën e “të mëdhajave psehe”. Në këte Dritë, ajo nuk sheh ma, ajo ushqehët me shkelqimin e së Vërtetës e të së Mirës dhe, i këndon Gjithësisë dhe Hartuesit të saj. Nga metafizika e thatë shpërthen Lirika si burim i gjallë.

VERSIONI I DYTË

Në mes të dy skâjeve ekstreme:
Materia e parë,
abstraksion absolut,
pa formë qénësore
pa akt, as çka, as çfarë, as sa,
dhe, Ent Suprem,
akt i pastër
i parë,
qendron Natyra:
krej një botë në lëvizje,
me shkallë hjerarkike,
ku, kénja e ultë pushon
në gji të kénjes ma të naltë.
Natyra kërkon shkakun e kénjes së vet,
kërkon principin e jetës
që, i jep gjallëni Gjithësisë;
kërkon qellimin e sendëve,
shumën e proçeseve rilindëse,
kushtin inherent të rritjes,
dhe, të përsosmënisë së parreshtun.
Natyra kërkon Dritën
që, të çon té Shkaku i Parë:
I pashkaktuem
imaterial,
Universal
infinit,
etérn!...
që, të çon té Kénja e Parë;
që, asht ajo vetë Kénja dhe Kénsia,
ajo vétë Mendje e Mendim.


Mendim pa fillim,
pa mbarim,
pa ndryshim;
Mendim vetë-krijues, në Amëshim,
Mendim jashtë-veprues, në kohësim;
“Mendimi i mendimit”,
mendimi i tashit etérn!
Pa’ té asht veç hiçi;
nëpër té, Gjithësia,
pa té, asgja nuk qëndron!
E ndien Natyra théllë
tërheqjën drejt Hartuesit,
Bota përshkohët e etëshme, e dashunueme për Té!
Diçka Hyjnore
lëvizë anëmbanë
në Univers:
Lëvizë mbrendia kénsore e sendeve,
që, burimin
ték Ai e ka e, tek Ai priret.
Këtu, thehët copë-copë;
nën peshën e Orakullit të Natyrës,
nën peshën e të mëdhajave “Pséhe”
pena e Zhéniut;
gjuha e Zhénisë
belbëzon....
nuk shpreh dot çka shijon....
Vetëm, mbi-Natyra
me zanin e Revelacionit e të Mistikës
mund të na bijë,
një “Fjalë të Ré”!...

BB, Shkodër, 1982.





“ 28 N A N D O R “
Kujtime…


Kur u ngrit Flamuri ynë në token tonë, nuk di se çfarë do të kénë mendue shumica e Shqiptarëve!?... Përgjithësisht , pesimizëm: Jo, pse nuk donin Shqipninë e Lirë, por, pse nuk e besonin.
Kur u ngrit Flamuri ynë në token tonë, gjaku i nxehun që vlonte nder déj (damar) të njomë, u trumbhas: Një nervozizëm i egër na pushtoi; Kénka pra, një Shqipni!
Nervozizmi kishte ngritë krye edhe përpara ndër fëmijët, kur, Shqiptarët ishin, por, Shqipnia ende nuk ishte. Të mdhajët na thonin se, njêllim zi... na u gjuenim me gurë përditë e përnatë... kërkonim në vedi antagonizëm edhe, ku nuk kishte...
Shkolla, mësimet, librat, ...kokordat (shenjat dalluese) kuq e zi, flamurthit me një gjylpanë për shtizë, kangët e lirisë... jerm, kllapi...!
Paj, vjerrshën “O moj Shqipni, e mjera Shqipni”, e lexova sëpari ndër banka të së dytës fillore, kah kalonte tue u strukë prej një libri në tjetrin..... Kot mësuesi i ngratë shkyente zanin tue na britë: “Pandigjesë (disiplinë) e studim, ku, do të përfundoni ju e Shqipnia me gjithë kangë e kokorda!?”... Kujt i flet?... Por, edhe na, nuk kishim faj: Ishte tharmi që përzinte brumin, tharmi që shkatrron... e, pertrinë...
Binim me fjetë… Ndër “ boka” (kodra) kriste pushka pa pushim, si të kishte kenë një shprazje e vetme mitralozi… Malësoret, Turku, Mali i Zi, !?… Në fund të fundit, qé, e vërteta: Ishte një popull, që, kërkonte-ndoshta, pa e ditë mirë se si të rrnojë; por, kërkonte me rrnue si popull.
Sot njëzet e sa vjetë, u mbajshin andrrues ata pak “poet”, që, pohonin, se, ka Shqipni. Sado, me i pas mpref sytë, sado, me e pas ngreh dylbinë... nuk u dukte kurrkund!...
E, pra, ishte shumë ma afër se u mendonte! Ndër zemrat e shumë Shqiptarëve qëndronte ende gjallë flaka e Atdheut, trashigue prej të Parëvet, por, e mësheftë; ma fort se flakë, mund të quhej prush nën hi, gati me nxjerrë shkëndija...
Sot, ka Shqipni e, ka edhe ndërgjegje Shqiptare!
Gacat (thëngjijtë) kanë nxjerrë shkëndia, shkëndijat edhe janë bâ flakë... Askujt nuk ia ep ma ndërgjegja me na e pré rrugën; kurrnjë Shqiptarit me u këthye dalë (mbrapa)!
Kemi ende shumë të meta; e dijmë... Kemi ba shumë gabime; Kush nuk gabon? Por, tue zhdukë dalëngadalë të metat, tue njohtë e, tue ndreqë gabimet, a thue, do të jetë kush me na thanë, se, po zmbrapsemi mbi gjurmët e shkeluna?!... Jo, kurrë!... Kjo, nuk asht zmbrapje, kjo, asht Përparim!
Zhvillimet e reja bijnë me vehte kurdoherë guxim, guximet të fusin shpesh në mjegull, nëpër mjegull lindin mosmarrveshjet. Dalngadalë shpërndahët mjegulla; po të jenë vullneti i mirë, marrveshja lind rrugës e, mbas saj, edhe bashkëveprimi.
“Përparimi nuk asht tjetër përveçse, tradita në ecje”, thotë një shkrimtar francez. Por, tradita në çdo popull i ka disa baza themelore, të palëkundëshme, sepse, janë të vendosuna mbi shkamb të të drejtave të natyrshme të njeriut. Përballë këtyne të drejtave, vullneti i mirë përkulet; vetëm kështu asht e mundun marrveshja e bashkëveprimi.
Trinomi i lumtunise: Vullneti i mirë, marrveshja, bashkëveprimi.
Binomi i shkatrrimit: Dy kuaj të një qerrje që tërheqin, por, që nuk tërheqin. Por, na nuk duam shkatrrim! Duam Përparim e Shqipni të lumtun!
Përparimi asht shkalla e lumtunisë.
Përparimi asht fryti i veprimit simbas parimeve të shëndoshta.
Prej Përparimit njihët parimi, si landa (druni) prej frytit: Po nuk kjenë të shndoshta parimet, tue përparue ose, tue ecë përpara, rruga të nxjerrë në kaos. Përderisa, natyra e njeriut asht e arsyeshme, herët o vonë e vërteta nxjerrë krye, mbetët parimi, që, bazohet mbi të vërtetën, i forcuem tashti, të thuesh: me provë e, kundër-provë.
Ari nxirrët i përziem me baltë e gurë... mandej, dlirët (pastrohët).
Latini thotë, sé, mendja e lehtë i përngjet flamurit (banderolës). Tham, se e ka gabim. Flamuri përfaqëson përnjëheri e ma së miri, Parim e Përparim: Shtiza e ngulun asht Parimi, pelhura që valvitët asht Përparimi, megjithatë forfuri të pandalun ngjyrash e refleksësh, me atë fantazmagori dredhimesh, hollimesh, zhvillimesh e kjeshë tue thanë, gadi edhe filmash.
Kur shtiza asht e ngulun në shkamb, qëndron e patundëshme.
Shkambi asht besimi. Besimi në Perendinë po se po, sepse, pa këte themel nuk ka mbështetje asnjësend; por, edhe besimi në vetvehte, mbështetët në forcat tona, në ideal.
Jemi tue u ngjitë nje mali thik, me pyll të dendun, virgjin, të panjohtun: një copë shteg i mirë asht çilë, shumë ma tepër mbetët me u çilë, por, kemi besim të ngultë, se, dikur do ti kapemi majës, Idealit. Ky besim do të na bajë me vlue gjakun ndër déj, do tu japi fuqi gjymtyrëve të lodhuna prej përpjetës, do ti kthéjë entuzjazëm për me fluturue zemrës së lëshueme...
Na, Shqiptarët, deri tash vonë e kemi pasë një të métë fatale: kemi pasë shumë pak besim në fuqitë tona. E, atëherë, rri të rrimë!!... Tue ushtue nëpër krepa e ferra, na ka pikue gjaku... na ka zanë nata... jemi kthye mbrapësht, secili në punë të vet... rri të rrimë!!...
PËRPARA!... Shteg më shteg, derisa të dalim rishtas në drejtim.
PËRPARA!... Çdo hutim paguhet shtrenjtë!
PËRPARA!... Nëpër ferra, gëmusha, krepa e tërthore!
PËRPARA!... Edhe kur drejtimi të na ketë humbë!...
PËRPARA!... Edhe kur balli, thêmbra e zêmra të pikojnë gjak pikë-pikë!...
Disiplinë e Vullnet e, ... Optimizëm!
Pesimizmi kjoftë zhdukë!
Kriza materiale na ka lodhë. Ka lodhë gjithë Botën...
Kriza shpirtnore kishte me na mbytë!
Pesimizmi thotë: “Më lëshoj zemra... Ka mbarue... Nuk ngrihët ma gja në kambë!..”
Optimizmi thotë: “Zemër...Të gjitha shpresat nuk kanë humbë ende... diçka kemi ngritë në kambë... Zemër!...”.
Por, nuk asht optimizëm i shëndoshtë ai që thotë symbylltas: Padyshim, gjithshka asht mbarë... ma mirë nuk ka si bahët!...”.
Ky, do të ishte ma i rrezikshëm se pesimizmi vétë. Përkundrazi, nuk asht pesimizëm ai që çilë sytë me pa, si të mirën, si të keqën. Po! Do tu dalim përballë fakteve me i shikue në fëtyrë, ashtu siç janë; me të mira e, me të këqija që, zbulojnë e mshefin. Por, ky realizëm e objektivitet, nuk do të ketë fuqi me shue flakën e Idealit, nuk do të na bajnë as pesimistë as indiferentë: Përndryshej kishte me na ardhë fundi, sigurisht!
Me vapën entuziastike të optimizmit ndoshta,... sigurisht do të dalim në breg!...
Egoizëm e abnegacion... edhe këto janë fjalë të hueja... por, që, kuptohën lehtë në rrethe shoqnore të kulturueme e, të mesme.
Për me kalue ndonjë ujë, hidhën mbrendë në té gurë të mdhaj e të vogjel: Të parët, të dytët, të tretët... zhdukën e, nuk shihën ma...hidh e hidh e, tèk e fundit nisin me nxjerrë krye disa aty-këtu; rrëshqasin, prap hidhën të tjerë... derisa bahët i mujtun kalimi, keq o mirë, po... bahët; ka me ardhë koha, që, do të bahët ma mirë! Na jemi gurtë (të mdhaj o të vogjel), të hjedhun në fillim, të cilët zhdukën e, nuk shihën ma, por, janë në themel të parë!
Qé, ambicioni i themelit: Me u zhdukë e, mos me u pa ma!...
Egoizëm... Abnegacion!...
Utopi, me mendue, sé, të gjithë sa janë Shqiptarët, do të kërkojnë njëditë të mirën e Atdheut e, Ndérën e Flamurit, pakurrfarë interesi egoistik... Padyshim, të gjithë e kanë për detyre; por, për me i ra shkurt, secili, lè t’ia nisin... ma i pari...
Utopi, me mendue, sé, të gjithë sa janë Shqiptarët, njëditë do të puthen në ballë!... Po nuk kje një antagonizëm, nxjerrë krye një tjetër; po kërkuam me zhgulë një rranjë, marrin frymë e ushqim njëqind të tjera të helmueme. A nuk asht ma mirë me shndrrue antagonizmin brutal, në emulacion të natyrshëm e veprues?...
STAFETA: Të Parët tonë na e dorzuan të ndezun flugun (zéllin) e Atdhedashunisë lidhë me Flamurë; në vrap na e dorzuan e, të bamë féle-féle (copa-copa)...
Çka kishte me thanë brezi i ri, që, po na rritët ndër sy, po nuk ia dorzuam atij, gjithnjë në vrap, Visarin e Shénjtë?!...

Prej të Parëve, pritëm një Shqipni të Lirë!...
Nipat presin prej nésh një Shqipni të lumtun!...
Psim

Psim – Asht pseudonimi i At Pjetër Meshkallës S.J.
Artikulli asht marrë nga revista “Leka” 1933, nr. XI, XII, fq. 337-340.



FISNIKRIA E KRISHTENË

6. Udhë të gabueme

Fanatizmi.
Organizata e “Veprimit Katolik” synon kryesisht me përtri jetën e krishtenë ndër katolike, gadi kjeshë tue thanë: Me i ba katolikët (me emën), të krishtenë të vërtetë.
Edhe fushata e jonë për bujarinë e madhninë e të krishtenit, këte objektiv ka: Me zgjue, përballë shterpësisë e vobegsisë shpirtnore, një mburrje shenjtë në zbatimin e jetës fetare. Porse, mburrja e zelli për Fé, si çdo gja tjetër e mirë, mundët, me u largue prej qellimit të shénjtë, tue u teprue. Atëherë, bahët fanatizëm.
Edhe emni fanatik në burimin e parë (prej lat. Fanum – tempull), kishte një kuptim të pelqyeshëm që d.m.th. sherbyes në tempull, por, kur, fetarët e besimeve pagane filluan me përzi në sherbimet fetare disa sjellje të trénta, kërcimesh, hallakatjesh e përgjakjesh, emni fanatik mori kuptimin e mnishëm të furisë e të verbimit.
Katoliku duhët me kenë fanatik, ose, besnik në sherbim të Zotit, Të Fésë dhe të Kishës. Ky lloj fanatizmi asht një ndérë për até, pse tregon karakterin e burrit që, shpallë haptas mendje-mbushjën e vet, pa marré ase turp, pa tregtime e, me zbatim në jetë.
Kur përkundra, mburrja, kalon në teprime të marra, në furina e sulme të verbëta, në besime të shkjepta e në bestytni, -fryte të padijes fetare- atëherë, krijohët fanatizmi i tréntë e i mnishëm, i cili, për faj të tonë e ban të mnishme, në sy të botës edhe Fénë e vërtetë.
Verbimi fanatik nuk asht Fisnikri e krishtenë: Asht udhë e gabueme!
Një shembull:
Po, një shembull praktik: Me sha e me qestisë fetë tjera, duhët çansue, padyshim fanatizëm i verbët, si kundra edukate e kundra shpirtit të krishtenë.
Thotë njeni: “Unë, e due dhe e çmoj Féne teme!”, thotë tjetri: “Unë due me kenë apostull i përhapjës së Fésë...”, thotë prap një tjetër: “Unë i dal zot Fésë seme pse, ma shajnë e ma përbuzin”...
Nuk asht shenjë se e duam dhe e çmojmë Fénë tonë, kur, shajmë e qestisim Fénë e të tjerve. Ndjesia fetare asht shumë delikate, asht çeshtje ndërgjegje... A e njeh ti ndërgjegjën e shokut tand?!... Ti mundësh me iu falëndérës Perendisë e, me iu lutun, që, me të ndihmue, me të ruajtë në Shpirtë të gjallë e të pastër Fénë e Shenjtë, mundësh, me iu lutë që, me i shndritë mendjen edhe atyne që, ende nuk e njohin; mundësh, me ia zbardhun faqën me jetën tande shembullore, tue ecë mbas mësimeve të Sajë. Fénë Shenjte ti studjoje, orvatu me e kuptue mirë, sa me kenë në gjendje edhe me e mbrojtë e me ndriçue, jo, me të shame, por, me arsye. Veçse, kërko gjithëherë thelbin e pandrrueshëm të mësimit të krishtenë, tue e dallue mirë prej shtojcave e rrethanave që ndrrojnë. Mos u lavdro për Fé, pa e ditë se në çka përmbahët; mos shit madhështi për ndodhina të rastit dhe dukje të jashtme, të cilat kjenë apo nuk kjenë, Fénë nuk e ndrrojnë, (bie fjala, një funksion, një proçesion, një predk i shkelqyeshëm). Të jeshë i drejtë! Mos i moho të metat ose fajet e sakta që kane muejtun me u ba edhe prej të krishtenve, edhe prej përsonave të hjerarkisë kishtare (edhe të krishtenve Krijuesi u ka lanë lirinë e vullnetit e, mundën me gabue, por, ndërsa Féja mbetët Ajo që asht). Prandej, as ndër besime të tjera mos me kërkue me mohue çka gjenë të mirë e të drejtë. Kurrë, nuk do t’iu ngarkosh atyne faje që nuk i kanë! Gjithashtu, nuk asht aspak burrëni me prekë pa nevojë: ndër besime fetare, disa varrë (plagë) delikate; e, në rast nevoje (si, p.sh. kur jemi të detyruem me mbrojtë një të drejtë të cenueme), kjo punë duhët ba me Fisnikri të krishtenë, pa pezmatue, pa fye e, me prova të sigurta.
2. Nuk tregon se kemi zêll apostullimi kur shajmë e qestisim Fénë e të tjerëve. Me siguri askush nuk ka të drejtë me të ndalue, që, tu dishrojsh të tjerëve një të mirë, që ti vetë e gëzon. Por, me përbuzje e qestisje, nuk mundesh kurrfarë dobije me i sjellë Fése sate, madje, e damton, tue i krijue anmiq, për shkak të një shfrimi të pasionit tand personal. Çfardo urdhni (detyrimi) në besim, jo vetëm me anë të forcës, por edhe me anë të shtërngimit moral, asht në kundërshtim të flaktë me shpirtin katolik.
Shkruan i famëshmi Imz. G. Bonomelli: “E di mirë se ndër disa kohna, ndër disa vende, prej anës së disa njerëzve, u përdor disa herë forca, për me i detyrue të tjerët me ndie e me pranue mësimin katolik, si, edhe disa herë iu diktue Féja e Pagëzimi. Por, mos të përzijmë veprën e keqndritun të disa privatve, me até të Kishës Katolike! Kjo, nuk ka shtërngue kurrë, asnjënjeri të vetëm me rrokun Fénë, o me ia pranue mësimin.” (Ministeri cristiani, II, 82.).
Kisha kërkon vetëm të drejtën me shpallë lirisht e pa pengime mësimet e Ungjillit e, me theksue detyrën e ndërgjegjës me rrokë Fénë e Krishtit.
3. Nuk tregon sé duam me i dalë zot Fésë sonë, kur, me shpagim kërkojmë me u hakmarrë. Fjala e urdhnit për të krishtenin asht vétëm fjala e Krishtit:
“Duani armiqtë tuej!” (Math. 5, 44.) dhe, ajo e Shën Palit:
“Munde të keqën me të mirë!” (Rom. 12, 21.). Kur e kërkon ndërgjegja dhe detyra, së drejtës duhët me i dalë zot deri në vdekje, me çdo flijë: Porse, a nuk janë bash ata që rrijnë me pushkë në faqe, për me i dalë zot Fésë, të cilët, mandej, janë ma të parët që e turpnojnë me vepra e, ndoshta edhe me të shame, Zotin, Krishtin, Fénë!?...

VËLLAZEN ME TË GJITHË!
Kësodore kemi me provue me fakte, se, asht e mundun bashkëjetesa ma paqësore e, ma e frytëshme, me besime të tjera: Pa kenë nevoja me e mënjanue Fénë tonë, madje, ma shumë, tue e ndjékë besnikrisht.

Marrë nga revista “Kumbona e së Diellës”
Viti 1942, nr. 6, fq. 69-70.
















ART’ E MORALITET

Arti nuk bazohet (identifikohët) me moralitet, as, nuk mjafton me kenë njeri i ndershëm, për me kenë artist.
Nuk mund të gjykohët vlera e bukurisë me kritere të një rendi tjetër, as nuk mund ti rëzervohët nënshtetësia, vetëm atij frymëzimi, që, vehët në sherbim të një ideali jashta artit.
Nuk mjafton për shembull, që, romani, drama, vjerrsha, të kenë një përmbajtje patriotike, për me u quejtun vepra arti. Një atdhetar i mirë, mundët me kenë një shkrimtar i keq: si, dhe, një moralist i mirë, mundët me kenë një stilist i keq.
Arti për me kenë art, duhët me kenë ma sëpari, shprehje e gjallë e bukurisë. Në këte vështrim (pozitiv dhe jo eskluziv), mund të pranohët teoria “art për art”. Megjithkëte, arti, simbas natyrës së vet, nuk gëzon një pavarësi absolute prej çdo ligje jashtë-artistike, nuk asht amoral.
Po të ishte prodhimi artistik vetëm një tubë shkëndijash të lëshueme prej zhenive të vetmuem, në hapsinat e vetmueme, ndoshta, nuk do të kishte pasë nevojë për termometrin e ligjit moral. Por, në fakt, arti jep e merr gjithshka prej shoqnisë njerëzore, e cila, natyrisht mbështetët mbi bazat e këtij ligji moral, prandej, nuk ka art të vërtetë që me kenë në kundërshtim me ligjin e natyrës dhe, pa një përmbajtje (mbrendsi) morale.
I famëshmi profesor i letërsisë në Universitetin e Napolit, Fr. D. Ovidio, edhe pse pranon teorinë “art për art”, e shpjegon teorinë e vet pa rezerva, kur, shkruante: “Nuk do me thanë se gjykimi mbi një vepër arti do të jetë ekskluzivisht estetik. Nuk duhët përzi elementi i thjeshtë estetik me elementët tjerë, por, as nuk do të qendrohët indiferent ose kryelartë, përballë këtyne elementëve të tjerë. Arti nuk zhvillohët (JETON) jashtë botës, por, asht i lidhun me të gjitha lëvizjet tjera njerëzore, me të gjitha manifestimet (shfaqjet) e tjera të jetës shoqnore, madje, edhe me një njeri të vetëm. Aftësia artistike nuk asht një cilësi krejtë e veçueme, por, asht e gërshetueme me cilësi të tjera të shpirtit”.
B.Croce, teoricien italian i estetikës në ditët tona shkruan: “Moralisti, me plot të drejtë kritikon disa vepra që esteti kërkon ti miratojë. Porse, arti në kulm, sikurse i afrohët përkryemjës (përsosjes), ashtu edhe i afrohet së mirës; dhe, përçamja ndërmjet moralit e estetikës, vërtetohët vetëm në veprat që rradhitën ndër shkallët ma të ulta në hjerarkinë e bukurisë”. Dhe, prap në një vend tjetër thotë: “Në kjoftëse, arti gjindët përtej kufinit të moralit, artisti , <> nuk asht as përtej, as këndej, por, nën sundimin e tij dhe, nuk mund ti shmangët detyrave si njeri”.
Kur vepra artistike merr gjallni prej frymës së idealeve ma të larta njerëzore, jo vetëm shumëfishohët ndikimi i saj mbi lexuesa apo shikuesa, (prej shkrimjes së idealeve të larta morale, me ata thjeshtë estetike), por, edhe artisti vetë fuqizohët në cilësitë artistike, që, ka prej natyre.
Në kundërshtim të haptë me këta parime, asht ajo rrymë, gati e përgjithëshme, e cila mbron teorinë e emancipimit të plotë të aktivitetit artistik, prej moralit. Kjo rrymë, prej lartësive të kthjellta, pak nga pak e ka ulë artin me i sherbye spekulimeve tregtare, mbi andjet e turmave, me prodhime të ashtuquejtuna “artistike”. Prej shkëputjes nga ligjët morale, sot, triumfon gjanë e gjatë dhe e patrazueme, ndër të gjitha degët e lamit artistik, paraqitja sistematike pornografike-seksuale.
Bukë e përditëshme asht ngallnjimi (triumfi) i shkeljes së kunorës, mbështetun mbi evolucionizmin dhe determinizmin fatal Ibseman e Zolian. Shija e shndoshtë e bukurisë mbetët shumë e shtypun nën peshën e épshit dhe, kërkohët me u zëvendsue me drogat e impresionizmave të errta të sensacioneve violente, të grushtave mahnitës.
Shtrembnimi (prishja, turbullimi) i ndjesive dhe i karakterit të turmave, i frynë vetë zjarrit që ka ndezun në to propaganda e pandërgjegjëshme. Të gjitha klasat shoqnore, edhe ma të pazhvilluemet, i kërkojnë sot artit sorogate (mjete fitimi falso) të lehta. Ndër shfaqjët e filmave, të dinamizueme (fuqizueme) prej sonoritetit, në vërshimin e romaneve, revistave të ilustrueme, etj. turmat gjejnë një mjet dëfrimi shumë ekonomik e të përdorshëm.
Çka mund të mendohët ma e tërbueme ose, e bastardhueme, ma kriminele ose ma gjaksore, pranohët, shfaqët e përhapët prej këtij pseudo-arti, tue nxitë e ndezë dëshira të shfrenueme, sidomos, ndër zemra që, porsa kanë fillue me bulue, tue polarizue vëmendjen e tyne kah objektët seksuale. Kjo ndodhë sepse, mosha e ré asht ajo që, e ndjen shumë ma të fuqishme tërheqjen dhe shijen kah bukuria, ajo, asht préja ma e afërta e këtyne pusive.
Bukuria dhe dashnia janë dhe kanë me kenë gjithmonë, gurra e pashterrshme e frymzimit artistik. Por, frymzimi mundët me kenë bujar ose shtazor; i njajti objekt mundët me kenë edukues për një mendje të pjekun dhe, shkrumues apo shpartallues, për një zemër të njomë, për një mendje të pandritun ende.
Kjo, asht afër mendësh. Dhe, për me e prue edhe ma afër mendësh këte të vërtetë, unë pyes përgjegjësit (prodhuesa, lejuesa ose reklamuesa) e propagandës së artit amoral (e imoral): A kishit me pranue ju, që, fëmijët tuej e mbarë familja e juej me zbatue parimet që proklamohen e, poshtersitë që përshkruhën e zhvillohën para syve të tyne, ditë për ditë, ndër libra, revista, ilustrime, piktura, filma, etj.?!...
Porse, ta pranoni, o mos ta pranoni, ata, kur, ta kenë mësue rrugën njëherë, kurrë kurrgja ma nuk i ndalë!
Frytet shihën, por, asht kot me kja!...
Kush mbjellë érë, korrë stuhi thotë një proverb i huaj!

Marrë nga gazeta e përdyjavëshme “TOMORRI I VOGËL”
Tiranë, 15 gusht 1942.

















PJESA E TRETË


AT PJETËR MESHKALLA S.J.
(Biografi e shkurtë)

At Pjetër Meshkalla S.J. ka lé në Shkodër, me 25 shtator 1901, prej prindve Hil’e Age Meshkalla, familje bujare mjaft e vorfën qytetare, që banonte në një jerevijë në fund të rrugës së Daulles, gati përballë rrugës së murgeshave Stigmatine, në lagjën e Gjuhadolit.
Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa, ata të naltat teologjike i përfundoi në Linz të Austrisë. Prej vitit 1924, ka vazhdue në Goricie të Sllovenisë studime për letërsi, i shtymë nga pasioni që kishte për atë degë. Mbasi kishte vëndosë me iu kushtue Urdhnit Jezuit të “Shoqnisë Jezu” (S.J.), ishte i detyruem (simbas rregullave të Urdhnit) me plotësue moshën 32 vjeçare, tue vazhdue studime të tjera mbasuniversitare, kështu, që, vazhdoi pregatitjën në filozofi e teologji në Poloni, në Torino dhe në Napoli të Italisë, ku, spikati si student dhe si përvetësues i gjuhëve ndër këta vende. Ishte një poliglot i vërtetë, edhe pse ishte në moshë, në burgun e Burrelit mësoi rusishtën, ndonse, ndihmohëj nga polonishtja. Në vitin 1931, u kthye në Shkodër, ku, u shugurue meshtar pranë Jezuitve. Po në seminarin e tyne dha mësim që nga shkolla fillore e deri tek kurset e nalta, në gjuhë shqipe, letërsi, filozofi, teologji etj.
Në vitin 1934, thëmeloi rrethin “Shën Gjon Bosko”, i shtymë nga dëshira që kishte me punue për edukimin e rinisë. Në vitin 1937, trasferohët në Tiranë dhe menjëherë atje formoi rrethin e “Shën Pjetrit”, me fëmijët e kryeqytetit. Në vitin 1938, asht aty kur inaugurohet Kisha e Jezuitëve, ajo e “Zemrës së Krishtit”, që ishte edhe si qendër e famullisë. Viti 1939 e gjenë në Tiranë. Okupacionin fashist e priti keq, ashtusi, shumica e krejt Klerit Katolik Shqiptar. At Meshkalla, kishte kohë që pikëpamjet e tija Atdhetare i kishte shpreh botnisht nëpërmjet të predikimeve publike, revistave dhe debatëve me jezuitët italianë të cilët punonin në Shqipni. Në pranverën e vitit 1940, kur At Gjergj Fishta, vizitoi shkollën dhe kuvendin e Jezuitëve e njëkohësisht edhe rrethin e “Shën Pjetrit”, At Meshkalla, u flet të rinjve që mos me pershëndetë në mënyrën fashiste, madje, bashkë me At Fishtën, shprehin tek eprorët jezuit paknaqësinë e tyne kundër dhunimit të Flamurit Shqipnisë nga Italia fashiste. Gjatë kohës së pushtimit nazist bashkë me Don Shtjefën Kurtin, kanë ndihmue dhe strehue popullatën e Tiranës, gjatë reprezaljeve dhe bombardimeve. Të dy nga komunistet u konsideruan “fashistë” e “armiqë të popullit”, madje, Don Shtjefën Kurti, në vitin 1971, edhe u pushkatue me akuza false.
Okupacioni komunist i vitit 1944, për At Meshkallën, asht një okupacion diktatorial si dy të parët, por me fëtyrë nga Lindja. Në vitin 1942, shprehët haptas se partizanët që kanë dalë në mal dhe luftojnë nën drejtimin e komunistëve jugosllav dhe shqiptarë, nuk janë tjetër veç ushtarët e Titos dhe të Stalinit. Ata nuk do të sjellin as lirinë e vendit dhe, as Pushtetin demokratik mbas luftës.
Në vitin 1945, në predkun me rastin e vdekjes së Imz.Bumçit, flet haptas kundër shkeljës së të drejtave të katolikëve dhe, e mbyllë fjalën e përmortëshme kështu: “Imzot Bumçi, Ti nuk vdiqe, por, plase!...”. Në vitin 1946, bashkë me Prelatët e Klerit Katolik të gjithë Shqipnisë banë një “promemorje” për Kryetarin e shtetit komunist, Gjeneral Kol.Enver Hoxhën, teksti i së ciles u pregatitë nga At Meshkalla dhe At Frano Kiri. Në takimet që bani me disa nga udhëheqësit komunistë shpreh haptë përsekutimin që i bahët popullsisë katolike, intelektualëve dhe klerit, tue e theksue edhe në shtypin e kohës, në organet shtetnore, se, Kleri Katolik Shqiptar nuk shkëputet nga Vatikani dhe Papa. Sigurisht, kjo ishte një deklaratë e të gjithë Klerit dhe jo përsonale, mbasi gjamët e këtij qendrimi do të ndigjohën shumë shpejtë...
Arrëstohët në vitin 1946 dhe bashkë me Don Shtjefën Kurtin, Imz. Irené Banushin dhe Rrok Obotin, dënohën me shumë vite burg, të cilat i kaluan ndër kampe pune dhe pjesën ma të madhe në burgun famkeq të Burrelit. At Meshkalla u lirue plot mbas 15 vjetësh mbasi plotësoi ditë në ditë dënimin e dhanun.
Në fund të vitit 1961, kur lirohët nga burgu vjen në Shkodër, por pa të drejtë me sherbye si meshtar, detyrë e cila i ndalohëj nga shteti komunist, por që At Meshkalla, e ushtroi pa lejën e tij me guxim dhe pa pikë frike kudo që e lypte nevoja. Ai nuk ishte pajtue me “Statutin e Kishës Katolike Shqiptare”, ndonse aso kohe ishte në burgun e Burrelit, por qendrimi i Tij, i At Donat Kurtit dhe At Frano Kirit, në vitin 1951, përballë terroristit Hilmi Seiti (aso kohe, Kryetar i Degës së Punëve të Mbrendshme të Shkodrës, që kishte shkue për atë qellim atje), dihej botnisht. Edhe pse nga hjerarkia e vjetër e Kishës nuk kishte mbetë pothuaj asnjë, At Meshkalla respektonte me përvujtni të gjithë drejtuesit e klerit dhe, kur ndokush vente në dukje ndonjë të metë të ndonjenit, Ai menjëherë do të gjente anët pozitive që peshonin mashumëse të metat. Jetoi pak vite me nanën dhe kushrinën e Tij Ganxhën, në një shtëpi përdhese në Ballabane. Gjysma e dhomës, besoj i kujtohët vizitorëve të shumtë që shkonin aty, ishte me drrasa, ndërsa pjesa tjetër ishte kalbë dyshemja e ishte me dhé. Aty punoi, aty thontë Meshë, aty rregullonte “Betlemin” për vizitorët e vogjël, aty u mësonte katekizmin e gjuhët e hueja rinisë, aty i mësonte normat e moralit, aty rrëfente, aty vehej kunora Shenjtë, aty....kjahej halli i të shkretës Shqipni dhe, ATY, profetizohej e ardhmja...DRITA E PËRPARIMI.. që, ishte mendja, fjala dhe vepra e At Pjetër Meshkallës.
Në vitin 1967, arrëstohet prap me të ashtuquejtunin “Revolucion Kultural” dhe mbas një gjyqi që u zhvillue në gjykatën e rrethit të Shkodrës (tek shtëpia e Dr. Kadukut), pa e ndigjue njeri, u dënue 10 vjet burg, kryesisht i akuzuem për veprimtari fetare të ndalueme, por e vërteta ishte ajo që do të shtjelloj ma poshtë. Në moshën 77 vjeçare doli nga burgu dhe erdhi prap në çerdhën e vjetër, në Shkodër. Jetoi në vorfninë e zakonëshme me të cilën tashma ishte mësue. Pa dallim Feje, mund të thomi iu gjetën njerëz në kohën ma të vështirë kur ishte mjaft i shtymë në moshë dhe në kushte të randa shëndetësore. Një vajze shkodrane, e quajtun Luigjina Leka, nuk i la asgja mangut kushrinjve shumë të dashtun që i mbyllën sytë. Atëditë ka kja Shkodra mbarë!
Me datën 28 korrik 1988, populli i Shkodrës, padallim Feje, përcolli për në banesën e fundit AT PJETËR MESHKALLËN, Atdhetarin e flaktë dhe të vendosun në Idealin e Tij. Dijetarin mendjendritun e punëtorin e palodhun për unitetin e Atdheut. Misionarin e vërtetë, Ushtarin e zdathun të Krishtit, Luftarin e paepun të Demokracisë dhe të të Drejtave Njerëzore në Shqipni, Mësuesin e pavdekshëm të rinisë dhe, kundërshtarin e papërkulun e të pathyeshëm përballë diktaturës komuniste.
Shqipja me kthetrat e Saja ka skalitë në një shkamb:
“Edhe një Hero ma pak!”...


PJESA E KATËRT



AI NUK PËRKULEJ !

Një studim ma i plotë që kanë me ba studiuesit kjoftë shqiptarë apo të huej, në lidhje me diktaturën komuniste dhe luftën e saj kundër Fesë e besimeve në Shqipni, ka me nxjerrë në dukje aq shumë gjana sa, më të vërtetë do të çuditët bota (edhe pse kujton se i di), si ka mujtë me u ba ky tmer GENOCIDI mu në zemër të Evropës, ndaj një populli me pak mashumëse njëmiljon banorë?
Materialet arkivore të plota (gja, që unë nuk kam pasë mundësi asnjëherë me i pa), do të flasin aq shumë, sa, vetëm paraqitja origjinale e tyne në shtyp pa asnjë koment do të tregojë, se Shqipnia dhe Shqiptarët e saj të masakruem e të shkapërndamë, kishin vue thëmelët e një Shteti në një kohë aq të shkurtë nga Shpallja e Pavarësisë, saqë, vendët e vogla të Evropës me përmasa afërsisht me të tonat do të na e kishin zili, sikur na mos të përfshiheshim në blokun komunist të mbas Luftes së Dytë Botnore. Kalimi i Shqipnisë së cungueme nën kontrollin e plotë kulturor, ekonomik dhe shtetnor të Jugosllavisë së Titos dhe Rusisë së Stalinit, janë kenë për né katastrofa ma e madhe historike e shekullit të XX-të, që vështirë se do te riparohët ma.
Ardhja e komunistëve në pushtet nuk solli asgja të papritun për të gjithë ata që e kanë njohtë me kohë komunizmin. Intelektualët, kleri dhe shtresat e popullit që patne kontakte me botën e zhvillueme sidomos atë tregtare, u ndodhën para asaj që thotë populli: “O, me puthë Kryqin ose, me kapërcye handekun!”.... Handekun e kapërcyen pak vetë e gati aspak. Ndërsa, martirizimi i përfshiu të gjithë të tjerët, përveç, atyne që u përkulën! Ata që u përkulën e provuan të fundit martirizimin, atëherë, kur kishte mbarue gjithshka bashkë me ta.
Atdhetarët e vërtetë, politikanët, ushtarakët dhe intelektualët u shfarosën të parët, ky ishte edhe pikësynimi i shovenistëve jugosllavë.
Të gjitha besimet, besimtarët dhe klerikët e tyne, për komunistët ishin armiq! Edhe sikur të kishte rrugë marrëveshje nuk pajtohej në asnjë pikë ideologjia prandej, lufta në mes tyne ishte e paevituëshme dhe e pashmangëshme. Kjo, dhe vetëm kjo, ishte arsyeja që Kleriket Katolik, Begtashinjë, Orthodoks dhe Myslimanë, përkatësisht simbas rënditjes, u pushkatuan dhe vuajtën pafund ndër hetuesitë, kampët e burgjët e shfarosjes komuniste. Për secilin besim kjo luftë marksiste-leniniste, ka pasë ngritjet dhe zbritjet e veta deri në pikën e “shkrimjës” së plotë, që mund të thirrët dhe ishte “Revolucioni Kultural”. Lufta me Orthodoksët, mbas pushkatimit të shtatë klerikëve ma të njohtun dhe të pregatitun me në krye Imz. Kissin, që konsiderohëj ndër kryesorët e klerit për bashkimin e Kishave me katolikët, pëson një zbritje për vetë faktin e lidhjeve dhe varësisë sonë nga shtetët Sllave. Bektashinjtë e paguan ma shtrenjtë se Myslimanët sunitë, mbasi jo vetëm nuk u pajtuan me komunistët gjatë luftës po edhe e kundërshtuan politiken e tyne të egër, fanatike, anadollake, antikombëtare e antifetare.
Klerikët Myslimanë që kishin pikëpamje evropjane u pushkatuan ndër të parët, ndërsa, pjesa tjetër që përfaqësonte shumicën e popullsisë nga xhelati Enver Hoxha, u quajtë e pakulturë kështu, që, nuk i prishte shumë punë “kulturës së madhe” që kishte ai vetë.
Me Klerin Katolik lufta ka kenë e vazhduëshme, e pandërpreme, e njëtrajtëshme, shumë e përgjakëshme dhe pakompromis. Pushkatimët dhe vrasjët fillojnë me 5 mars 1945, me Don Lazër Shantojën, pak ditë mbrapa me Don Ndre Zadêjën e Don Nikoll Gazullin dhe, vazhdojnë deri me vdekjën në burg të Don Pjetër Grudës, me 13 janar 1989, pak ditë para daljës nga burgu, mbas 15 vjetësh i dënuem përherë të dytë. Ndër klerikët e parë që asht arrestue në vitin 1945, asht At Gjergj Vata, i cili u lirue në vitin 1987. Nga 200 e pak klerikë që kishte Shqipnia në vitin 1944, u pushkatuan, vdiqën në hetuesi, ndër tortura e kampe shfarosjet, mashumëse 65 priftën, ndërsa, burgosë janë 121 klerikë, që sëbashku kanë vuajtë mashumëse 881 vite burg, pra, gati 9 shekuj. Vetëm klerikët e pushkatuem kanë pasë moshën mesatare 47 vjeç.
Menjëherë mbas vitit 1944, shteti komunist kërkon nga Kleri Katolik, shkëputjen nga Vatikani. Largimi i Delegatit Apostolik, Imz. Leone Nigris, nga Shqipnia, me 5 maji 1945, shpallë zyrtarisht luftën e Qeverisë komuniste kundër Klerit Katolik Shqiptar.
Në fillim të vitit 1946, mbyllën shkollat fetare dhe seminarët e nalta. Kjo ishte shuemja e vatrave të shkëndijave të para të kulturës.
Në vitin 1946, mbas pushkatimeve të bame gjoja për pjesmarrje në Organizatën “Bashkimi Shqiptar”, jezuitët u dëbuan nga Shqipnia. Njëkohësisht me Lëvizjën e Postribës, organizohët po në Shkodër, nga Sigurimi i Shtetit komunist, futja e armëve në Kishën Françeskane të Gjuhadolit dhe Kuvendi kthehët në burgun e mnershëm të Kishës së Fretënve, me 15 nandor 1946. Ky vit zbuloi me vepra fëtyrën e vërtetë të të gjithë komunistëve në krejtë Evropën, Lindore e Përendimore.
Përpjekjet e Qeverive komuniste për shkëputje të Klerit Katolik nga Vatikani, u banë në një kohë në të gjitha vendet e Lindjës, ashtusi futjet e armëve nga Sigurimi i këtyne shtetëve ndër Kisha. Kjo gja dokumentohët prap ma vonë me statutët e konkordatët e përpilueme ndër pothuej të gjitha të ashtuquejtunat “Demokraci Popullore” dhe, vërteton në mënyrë të pakundërshtueshme se organizimi i luftës kundër besimeve qendrën e kishte në Moskën stalinjane. Fatkeqësisht, vendët me disa besime u kthyen në kasaphane të verteta, sëpse, nën maskën e komunizmit ngritën krye edhe fanatikët fondamentalistë e separatistë. Për shqiptarët kjo vërtetohët masëmiri me proçesin e bamë në Kosovë, në Prizren, po në mes të vitit 1946, ku, At Bernardin Llupi, Maria Shllaku, Kol Parubi e Gjergj Martini, me 15 nandor 1946 pushkatohën, ndërsa, 23 shqiptarë të tjerë dënohën randë se gjoja kanë formue një “Katoliçeskaja Banda”.... Në Shqipni, në Mal të Zi, Kroaci, Poloni, Çeki etj. mijra e mijra faqe proçese false, me të njajtën përmbajtje... “Të gjithë klerikët katolikë të këtyne vendeve kanë dashtë me përmbysë pushtetin “popullor” me dhunë tue pregatitë kryengritje të armatosuna... tue mbajtë armë e municione ndër Kisha etj. etj...”.
Në vitin 1951, “Statuti i Kishës Katolike” dhe, menjëherë mbas tij organizimi i të famëshmës “Konferenca e Paqës” me të gjitha besimet në vitin 1952, në Tiranë, nga Shteti komunist janë kenë faza e dytë e rendësishme e luftës, ku Sigurimi i Shtetit bani verifikimin e qendrimit të secilit klerik kundrejt Pushtetit komunist dhe projektoi planët për të ardhmën. Përpjekja e Imz. Bernardin Shllakut, për me mujtë “me shpetue” shka kishte mbetë, shkoi kot. Në këte kohë nga komunistët u përcaktue në mënyrë përfundimtare rruga: “Me né, ose, kundër nésh!”. Kundërshtarët e hapun me Don Dedë Malaj, në krye u pushkatuan, shumë u burgosën dhe pjesa tjetër kundërshtare që ishin shumica, dalëngadalë me kohë u shfarosën tue vuajtë dënimët tejet të randa ndër kampët e punës së detyrueshme edhe pse kishin nënshkrue “Statutin”.
Atyne që u përkulën, nuk iu shkoi gjatë dhe u doli kllapia mbas vitit 1967, kur “papritmas” për ta, u ndodhën përballë plutoneve të pushkatimit, si “spijunë”, por, të kujt?!!.... nuk e mori vesh asnjëri e, “ndoshta”, as edhe ata vetë!!... Ishin pikërisht ata që kishin “harrue” fjalët e Don Kolec Prennushit, në mbledhjët për “Statutin” në vitin 1950: “...na me këta jemi hupë se hupë, prandej, ma mirë të vdesim sot me faqe të bardhë sësa nesër e me faqe të zezë”. Pjesa tjetër e tyne, një pakicë që menduan se shpëtuan, shkoi e bani “Punën e Pendimit” ndër kampët e shfarosjes...ku, kanë lanë edhe kockat.... Këta ishin aq pak sa numroheshin me gishta e me thanë të vërtetën as nuk ia vlenë me u marrë me ta. Ndër dosjét e tyne gjenë vetëm projektët e Sigurimit.
E vërteta asht se shumica nuk u përkul po vazhdonte me guxim e durim të pashoq deri në vetëflijim Kalvarin!..

Ndër ata që, nuk u përkulën kurrë e që nuk janë kenë pak ishte edhe At Pjetër Meshkalla.
Do të paraqes vetëm disa pjesë të shkurta të shtypit të kohës, ku, spikatë guximi me të cilin Ky vigan nxjerrë PENËN, dhe lufton...si burrat përballë shpatës së gjakosun dhe të pathame kurrë të diktatorit:

Marrë nga gazeta “Bashkimi”, organ i Frontit Nacional-Çlirimtar, botue me datën 8 mars 1945, ditë e enjtë:
“Përshpirtje për Imzot Luigj Bumçin:
Dje në mëngjez, në kishën famullitare katolike, u bë një përshpirtje për ditën e shtatë të vdekjës së Imz. Luigj Bumçit, Ipeshkvit të Lezhës.
Mirrnin pjesë: Gjeneral Major Spiro Mojsiu, Kolonel Ramadan Çitaku, Ministër i Financave, Manol Konomi, Ministër i Drejtësisë, Kolonel Petar Killër i Misionit Ushtarak Jugosllav, Major Wisdorff, Shef i Misionit Ushtarak Francez, Ing. Lazër Treska, Kryetar i Këshillit të Qarkut, Ali Bakiu, Kryetar i Këshillit të Qytetit, Përfaqësia e Kishës Orthodhokse dhe Përsonalitete e miqë të familjës së Imz.Bumçit.
Foli Padër Pjetër Meshkalla, për jetën e ndritur të këtij apostulli të kishës. Përmendi, me një theksim me të vërtetë të ndieshëm, përpjekjët e këtij patrioti në ditët e zeza të jetës sonë rilindëse. Fjala e Padër Meshkallës lidhi veprën e Imz. Luigj Bumçit me historinë tonë.”

E martë, 21 gusht 1945 (Po nga gazeta “Bashkimi”)
“Në një kishë katolike të kryeqytetit është shkruar ky program për të luturat: “Të lutemi, që popujt e Lindjës, që, u shkëputën nga kisha e jonë, të bashkohën prap, siç kanë qenë më parë.”
Gjithënjë lutjët e besnikve në çdo kishë jane drejtuar për problemët e ditës, për hallët, për rreziqet e për aspiratat e popullit... Gjynahët dhe krimët e fashistave, që dikur bëhëshin “më Papë se Papa”, e shkatrruan njerëzimin dhe Evropën dhe na hodhën në një katastrofë, që kurrë s’e ka parë historia. Dhe, tani, besnikët tanë, në vent që të lutën ashtu siç lutët populli që të çfarosën këta fashista, që të çfarosët politika e tyre dhe, të vijë lumturia e paqa në botë. Në vent që të shohin me sy gjendjën tonë dhe rrugën që kemi zenë, të bekojnë ata që prunë këte paqë e liri dhe, që, përpiqën ti mbajnë këto, hidhën në disa lutje si ajo “për bashkimin e popujve të Lindjës me Kishën tonë.”
Ku është qellimi e ç’duan të thonë këto lutje?
...Por, Përëndia nuk i do luftrat, prandaj, nuk besojmë t’ua dëgjojë lutjën besnikëve të Kishës Katolike të kryeqytetit.”

E ënjte, 13 shtator 1945, (gazeta “Bashkimi”).
“...Është e vërtetë se trafiletisti ka bërë gabime datash...po nuk mund të rrimë pa thenë, se pikën e shtatë të shpjegimëve Z. Pjetër Meshkalla, e ka kuptuar keq dhe, se, në pikën gjashtë ka fshehur një pjesë të së vërtetës, që del në shesh, po të kujtohët lufta kundër Abisinisë dhe fushata e sotme kundër politikës antifashiste të Bashkimit Sovjetik. Ajo që dëshrojmë është që të gjithë pjestarët e klerit katolik, të bashkohën me përpjekjët e gjithë popullit shqiptar.....

Po botojmë këtu poshtë disa shpjegime që jep Z. Pjetër Meshkalla:
Në datën 21 gusht, të k.v. në gazetën “Bashkimi” u duk një trafilet, që u-akuzohej “një kishë katolike e kryeqytetit...” Nuk mungojnë në këte trafilet insinuacione të pavend dhe pohime historike të gjymta.
Prandaj, e ndjejmë detyrën me dhanë disa shpjegime...
1. Kisha Katolike e Kryeqytetit për të cilën bahët aluzion, asht Kisha e re e “Zemrës së Krishtit”, në rrugën e Kavajës.
2. Ai program të lutunash nuk kje shpikun në Tiranë. Janë programe për tanë botën që formulohën njëherë në vjetë, prej Drejtorisë së Përgjithshme të Apostullimit të Uratës, për sejcilin muej të vjetit dhe, i paraqitën Papës për aprovim.
3. Të njejtin program e kemi botue në fletëzën mujore të Apostullimit të Uratës, për muejn gusht, tue pasue me një koment plot simpati e lavdi, për Kishat e Lindjës. Fletëza u botue me aprovimin e Ministrisë së Shtypit e Prop. K.P.
4. Dhe, ta dijë trafiletisti, se, na nuk pushojmë tue u lutë edhe, grishim besimtarët me u lutë, për problemët dhe hallet e ditës...
5. Nuk besojmë t’u vijë keq popujve e Kishave të Lindjës, pse na lutemi për bashkim, kurse, ata vetë në Liturgjinë e tyne, lutën përherë për bashkimin e Kishave, simbas dëshirit të Krishtit, i cili, don që të bahët një grigjë e vetme me një Bari të vetëm. Tek e mbramja, gjithkush ka të drejtë me u dishrue të tjerëve një të mirë që e beson se e ka ai vetë.
6. Nuk e kuptojmë “ku asht qellimi e ç’duan me thanë: “...insinuacionet për gjynahët e krimet e fashistave, që dikur bëhëshin “më Papë se Papa”. Gabime janë ba shumë, në të kaluemën e largët e të afërt, edhe në lamën Kishtare. Këto gabime të gjithë njerëzit e drejtë i kanë vajtue e dënue. Por, duhët kërkue e vërteta në shpirtin e së vërtetës. Na nuk njohim kush asht “ma Papë se Papa”. Na njohim Papën ! Gjithkush e din shka ka ba Papa Piu i XII, për me largue prej Botës rrezikun e luftës, për me shpejtue paqën, o, së paku, për me lehtësue mjerimet e saja materiale e morale. Ndër çastët ma delikate e kritike, me guximin ma heroik. Ai ka demaskue e dënue trathtitë, mizoritë, krimet barbare kundër popullsive të pafajshme, kundra çifutënve, mizoritë ndër fushat e përqendrimit të Gjermanisë...
7. Sa për insinuacione politike fashiste e për nostalgji për Përandorinë e Romës, ta dijë trafiletisti, se, ka gabue destinacion. Por, ka shkrue ndoshta, pa dijtë mirë, se me ke po flet!...
8. Ai ban mandej një konfuzion të madh, kur, shkruan: “Siç dihët, në Sinodhin e 1050-ës, që u bë në Konstantinopol, në kohën e Patrikut Foti, Kisha e Romës, u nda vetë, siç u nda edhe Përandoria e Romës...” . Përandoria Romane kje nda definitivisht në vj. 395. Ndërsa, Kisha mbeti e bashkueme për 500 vjet të tjera... Në kohën e Patrikut Foti u ba të ndamit e parë zyrtar i Kishës së Konstantinopolit prej Kishës së Romës. Por, Foti vdiq kah 891, prandej, asht e pamundun, që Sinodhi i vj. 1054 (jo, 1050), të jetë bamun në kohën e tij. Ky Sinodh u ba në kohën e Patrikut Mihajl Cerularit, kur u ndanë definitivisht të dy Kishat. Me insistue se cila u nda prej tjetrës, asht lojë fjalësh sofistike. Edhe arësyenat e ndamjës janë të shumta e komplekse.
9. As aluzioni i Luftës 30 vjeçare nuk tregon seriozitet e kompetencë. Na besojmë se nuk asht kjo rruga për bashkimin e zemrave.
10. Sa për Përëndinë, ai, që beson në Té ka të drejtë me e lutë si të duan. Mjaft që të ketë qellimin e mirë e, t’u bindet urdhnave të Tija. Përëndia din vetë sësi me ia ndigjue lutjen, pa kenë nevoja me ba presion mbi Té e, me e sugjestionue!
Pjetër Meshkalla S.J.

V.O. Në tekst nuk janë përsëritë vetëm fjalët e gazetës “Bashkimi”, mbasi ato janë në tekstin e gazetës së masipërme të pandryshueme. (shen. em).
Dy artikuj të tjerë të P.Meshkallës, që i dergoi asaj gazetë nuk u botuan asnjëherë me gjithë kambnguljën e P.Meshkallës, për me i botue. Arësyeja asht e kuptueshme nga cilido lexues.
Kjo del në dosjën nr. 1303 (Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme Tiranë), dokumenta të cilat i kam pa mbas botimit të librit parë. Sigurisht, materiali asht i gjymtë, i cunguem dhe tregon shumë pak nga realiteti por, megjithatë nga ata pak rreshta shihët qendrimi burrnorë i Këtij Tribuni. Nga shpjegimi i Z. Pjetër Topallit, që në vitin 1946 ndodhej në Tiranë, dijse At Meshkalla asht arrëstue me 21 nandor 1946, mbasi atëditë që ishte festa fetare e Krishtit Mbret, P. Meshkalla, kishte predikue për të fundit herë në Kishën Famullitare të “Zemrës së Krishtit”, para dreke në një meshë solemne ku merrnin pjesë shumë vetë. Në fund të fjalës së Tij, Z. Pjetër Topalli, edhe pse kishin kalue shumë vite (në 1994) kujtonte saktësisht mbylljen:
“Sot, asht dita e Krishtit Mbret! Ka prej atyne që mendojnë se mundën me ia hjekë Krishtit Kunorën e Mbretnisë së qiellës e të tokës, por, gabojnë, gabojnë, gabojnë!...”.
Dhe, me të vërtetë me datën 22 nandor 1946, ora 08.00, në mëngjez P. Meshkalla, fillon hetimet në Degën e Mbrendshme të Tiranës. Mbas një përshkrimi të shkurtë të biografisë dhe vendeve ku ka punue, dukët se pyetja ka fillue nga predikimët që ky ka ba, mbasi Padër Meshkalla, fillon e përgjigjët kështu:
“...Pushtetin komunist e kam luftue në të gjitha predikimët e mija. Me rastin e vdekjës së Imzot Bumçit, i kam ba thirrje nanave të dëshmorëve që mos me kerkue gjak, mbasi kjo ngjallë vëllavrasje...Me Luftën Nacional-Çlirimtare u bashkuan edhe komunistët e më që këta nuk njofin dhe nuk respektojnë Fenë, unë nuk jam pajtue me komunistët... Aktivitetin propagandistik kundër Partisë Komuniste Shqiptare e kam fillue në vitin 1943. Kjo parti atëherë drejtonte Luftën N.Çl. por unë tue kenë kundër komunizmit kam luftue edhe punën e tyne. Këte propagandë e kam ba edhe ndër familjet ku kam shkue për vizita e raste tjera...At Troshani asht kenë eprori em. Ai nuk merrëj me politikë, edhe ai si unë, nuk e donte fashizmin...Unë kam dërgue një letër në Misionin Francez, ia kam dorëzue në dorë Briotit për me e dërgue në Vatikan. Këte letër e kam shkrue bashkë me At Frano Kirin, ku kam tregue ndalimin e lirisë së Fesë, fjalës dhe shtypit... Një letër ia shkrova edhe Komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxhës, por nuk mora përgjigje... Për lirinë e shtypit tonë unë kam kërkue me u takue me Nako Spiron, por ky më ka çue njeri tjetër... Për votime nuk kam kenë dakord që mos me pasë secili mendimin e vet për partinë që don... Mendimi em ishte se, në Shqipni, Pushtetin nuk duhët ta marrin komunistët, mbasi nuk do të na ndihmojnë shtetët e Evropës, mbasi atje ka vetëm Parti Demokristjane, gja, që, do të ishte e mirë me e pasë edhe na....Imzot Frano Gjini me ka ngarkue me shkrue një letër për Enver Hoxhën, ku bahëj fjalë për përkrahjen që duhët me na dhanë shteti né dhe për padrejtësitë që na baheshin... Jam kënaqë, kur një i ri nuk ka marrë tesëren e BRASH-it, se kjo organizatë udhëhiqet nga komunistët dhe i kam thanë: “brravo të kjoftë” dhe i kam shtërngue dorën...Raste të tilla si ky janë kenë të shumta...Mbas çlirimit e rihapa Rrethin e “Shën Pjetrit”, se mu lutën të rijtë dhe unë e pashë të nevojshme me e rihapë mbasi rinia kishte fillue me u implikue me komunista...”.

Hetimët vazhdojnë nga nandori i 1946 e deri në gjysmën e prillit 1947. Përpjekjët e hetuesisë për me mujtë me krijue lidhje të veprimtarisë së P. Meshkallës, me Don Shtjefën Kurtin, i cili asht i arrëstuem në njënatë me té, deshtojnë për vetë faktin se P. Meshkalla, në fillim të proçesit deponon se: “...Me Don Shtjefën Kurtin kam pasë mosmarrveshje, mbasi kam dënue miqësinë e tij me Musa Jukën e Jakomonin....” (Dosja 1303. AMMT).
Kjo shkëputje e ndihmon P. Meshkallën, ashtusi edhe Don Shtjefnin, tue mos i dhanë mundësi hetuesisë me krijue grup. Në lidhje me Imz. F. Gjinin, Imz. Vinçenc Prennushin, At Mati Prennushin, At Frano Kirin etj. deponimët e P. Meshkallës, nuk çojnë asnjë peshë për vetë faktin se proçesët e tyne kanë probleme të tjera, që për këte rasë hetuesisë nuk i intereson me u shtri në Tiranë, gja, që, do të kishte zbeh makinacionët dhe trillimet e thuruna nga Sigurimi i Shtetit në Shkodër. Një fakt: Në vitin 1968, gjyqi kundër klerikëve të Tiranës, aktiviteti i të cilëve “lidhej” me ambasadat e Francës dhe të Italisë që ishin në Tiranë, u ba në Shkodër. Pse, gjyqi u zhvillue në Shkodër, kur aktiviteti i tyne nuk shtrihëj fare në këte qytet? Shkodra nuk kishte asnjë konsullatë, atëherë, pse duhëj zhvillue gjyqi aty ku nuk ndigjohëj edhe nga “bashpunëtorët” e huaj të këtyne klerikëve, që po jepnin llogari për veprat e tyne në “shërbim” të atyne ambasadave?!.. Kjo praktikë pune nga komunistët asht ndjekë gjithmonë kur Shteti, nuk donte që të “përshpëritej” nga të huajtë për shpifjet e trillimet që baheshin në drejtim të tyne. Kjo ishte vetëm njena anë e medaljës mbasi ata i merrnin vesh të gjitha makinacionet e gjyqeve tona në lidhje me ta dhe, “atyne” iu kishin “shurdhue” veshtë!! E, pse?!... - Se, “heshtja” e tyne (që ishte ana tjetër e medaljës), kishte fillue që në vitin 1945-46, kur gjyqet e “Popullit” mu në qendër të Tiranës, pushkatonin deputetë, intelektualë, politikanë e njerëz të thjeshtë, me akuza false e shpifje si “spijunë në shërbim të agjenturave të huaja”. E, këto ishin të vazhdueshme, të përjaveshme dhe, jo rastësi!(Shif fletorët zyrtare!...).

Këto akuza u përdorën edhe në drejtim të P. Meshkallës, por nuk u besuan as nga vetë komunistët që e njihnin Ate. Ndoshta, atëherë, iu fluturonte kaptina me shpreh një gja të tillë, por erdhi koha që pat edhe nga “ata” që i shprehën mendimët e tyne, madje, edhe në shtyp. Vonë, vonë... por, e patne guximin me thanë të vërtetën ashtusi e njohtën. Kishe me thanë atë që thotë populli: “Ma mirë vonë se kurrë!...”. Mandej, duhët me pasë parasyshë se veprimtaria shumë e madhe e P. Meshkallës, ishte e ditun nga të gjithë sëpse vëprimet janë publikue edhe ndër gazeta. Tue u nisë edhe nga pamundësia me e ngarkue Atë edhe me gjana të tjera të pakenuna për vetë faktin e njohjës së Tij, nga populli i Tiranës për aktivitetin e Tij fetar, kulturor dhe atdhetar në muajn prill 1947, shoqnue me një relacion shumë të ashpër dhe të rrezikshëm për jetën, P. Meshkalla, i përcillet Gjykatës Ushtarake të Garnizonit të Tiranës, për dënim. Poshtë po jap materialin që u botue atëherë në organët e kohës:

Marrë nga gazeta “Bashkimi”, me datën 18 prill 1947, Tiranë ATSH:
“Dje, Gjykata Ushtarake e Garnizonit të Tiranës dha vendimin e saj, kundra një grupi klerikësh, armiqë të Popullit Shqiptar, që të veshur me petkun fetarë, kanë punuar për rrëzimin e Pushtetit Popullor, duke qenë në lidhje me agjentë të huaj, prej të cilëve kanë marrë të holla e udhëzime....
Në këte grup bëjnë pjesë: Dom Shtjefën Kurti, Pjetër Meshkalla, Rrok Oboti dhe Peshkopi Irené Banushi.
Në bazë të këtij vëndimi, i pandehuri Dom Shtjefën Kurti u dënua me 20 vjet privim lirie e punë të detyruar dhe, me humbjën e të drejtave për 5 vjet.
Pjetër Mëhill Meshkalla u dënua me 15 vjet privim lirie e punë të detyruar dhe, me humbjën e të drejtave për 5 vjet.
I pandehuri Rrok Oboti u dënua me 8 vjet privim lirie e punë të detyruar dhe, me humbjën e të drejtave për 5 vjet.
Peshkopi Irené Banushi u dënua me 5 vjet privim lirie e punë të detyruar dhe, humbjen e të drejtave për 3 vjet.
Vëndimi i kësaj gjykatë është i formës së prerë.
....Pjetër Meshkalla pohon se, në Kallnor të vitit 1945, me nisiativën e tij bëri një mbledhje me klerin jezuit të Tiranës, ku, merrnin pjesë: At Troshani, Padër Fausti, Gjadri, etj. Në këtë mbledhje ai përpiloi një relacion që fliste kundër Pushtetit Popullor... Në këtë relacion jezuiti Meshkalla e cilësonte Pushtetin tonë si “terrorist” dhe si “përsekutonjës i fesë katolike”....

Z. Pjetër Ded Deda (datlindja 1910), bashkohës dhe banues në Tiranë, shkruan:
“At Meshkalla ka qenë predikues i mirë që i magjepste dëgjuesit e vet. Në predikimët e bisedimët e Tija, sidomos me të rinjtë, kritikonte me guxim intolerancën, përsekutimin fetar dhe mungesën e plotë të lirisë së mendimit e të fjalës në shtetin komunist.
Për këtë gjë, organët e Sigurimit të Shtetit e arrëstuan në vitin 1946. Mbas një kohe të gjatë paraburgimi dhe hëtuesie në birucat e burgut të Tiranës, e nxuarën në gjyq, të akuzuar si një nga thëmeluesit e organizatës “Bashkimi Kombëtar” dhe për agjitacion e propagandë.
Në këtë gjyq, Ai nga i akuzuar u këthye në akuzues dhe, mundë të themi në kuptimin e plotë të fjalës, e mbërtheu me shpatulla për muri trupun gjykues. Ai nuk pranoi akuzën që i bëhëj si organizues dhe pjesmarrës i ndonjë organizatë të “Bashkimit Kombëtar”, por pranoi se kishte kritikuar në disa raste mungesën e plotë të lirisë së fesë dhe të mendimit, që ishte në kundërshtim të hapët edhe me vetë Kushtetutën ekzistuese. Kryetari i gjyqit e pyeti se, pse, këto kritika nuk i kishte shprehur në ndonjë organ të shtypit, si “Bashkimi” etj. por, i kish përshpëritur andej e këndej?... At Meshkalla u përgjigj se dy artikuj i kishte dërguar në gazetën “Bashkimi” për këtë çeshtje, por asnjëri nuk ishte botuar.
“Pse nuk e ke ngritur zërin me lart?” – e pyeti Kryetari i gjyqit, duke u përpjekur ta zinte ngushtë të akuzuarin. At Meshkalla u përgjigj, se dy letra i kishte dërguar Enver Hoxhës, duke ia venë në dukje këto shkelje të lirisë së fesë e të mendimit, por asnjë përgjigje nuk kishte marrë as nga ai...Unë, nuk dij kujt me i shkruar më lartë, tha Ai...
Atëherë, ndërhyri prokurori, duke iu drejtuar trupit gjykues, tha: “Shokë gjykatës, të pandehurit nuk i pëlqen demokracia proletare, por, atij i pëlqen që edhe në Shqipëri të kemi një demokraci borgjeze si në Greqi!”...
At Meshkalla, me qetësinë dhe gjakftohtësinë karakteristike të Tij u përgjigj: “Nuk kam qenë asnjëherë në Greqi dhe nuk dij çfarë demokracie ka atje, por tue lexue artikujt e lajmët e botueme në gazetën “Bashkimi”, kam marrë vesht se atje veprojnë lirisht parti të ndryshme politike, tue përfshi edhe partinë komuniste Greke. Madje, partia komuniste Greke, ka organin e saj të shtypit “Risospastis” e cila, qarkullon lirisht si gazetat tjera. Kurse, këtu në Shqipni, jo vetëm që nuk lejohët asnjë parti politike opozitare dhe asnjë shtyp opozitar, por, për një fjalë të vetme në kundërshtim me vijën e partisë komuniste, arrëstohësh dhe të sjellin para gjyqit, siç keni veprue me mue.”.
Për këto fjalë që konsiderohëshin “faje” të rënda, At Meshkalla, u dënua 15 vjet burg, dënim të cilin e vuajti pjesën më të madhe në burgun e tmershëm të Burrelit.”.
Kjo dëshmi e Z. Pjetër Dedës, kishe me thanë se plotëson ma sëmiri mendimin e cilitdo, që do të donte me ditë se pse u dënue 15 vjet burg P. Meshkalla. Madje, për një qendrim të tillë Ai edhe mund të pushkatohej...

Kush guxonte atëherë me shpreh në gazetë këta mendime:
Pika 2, Programi asht përpilue nga Drejtoria e Përgjithëshme dhe aprovue nga Papa.
Pika 3. Programin e kemi pasue me një koment plot simpati e lavdi për Kishat e Lindjës dhe, e keni aprovue ju vetë në Ministrinë e Shtypit e Propagandës K.P.
Pika 6. Na njohim Papën!... dhe pikërisht flet për Papën Piu XII dhe veprat e Tij, në favor të paqës, demaskimin që Ai i ka ba Luftës së Dytë Botnore, “ndër çastët ma delikate e kritike, me guximin ma heroik. Ai ka demaskue e dënue trathtitë, mizoritë, krimet barbare kundër popullsive të pafajshme, kundra çifutëve, mizoritë ndër fushat e përqendrimit të Gjermanisë....”. Pikërisht Meshkalla mbron Papën, për të cilin komunistët e të gjitha vendëve të Lindjës dhe të Përëndimit, nuk lenin gja pa thanë e shpifë kundër Tij. Mos harroni se ishte ajo kohë kur, vetë komunistët italian nuk i lenin gja mangut blokut komunist të Lindjës, në lidhje me këte çeshtje! Për këte flasin faktët dhe dokumentët e botueme sot e atëherë në Itali.
Pika 7. Sa për insinuacione politike fashiste e nostalgji për Përandorinë e Romës, ta dijë trafiletisti se ka gabue destinacion. Por, ka shkrue ndoshta padijtë mirë se me ké po flet.” E, si do të botonte gazeta “Bashkimi” edhe dy artikujt tjerë të P. Meshkallës?...
Si do ti përgjigjej Shteti komunist P. Meshkallës, për shkeljën e të Drejtave të Njeriut, lirisë mendimit, Fesë dhe të ndërgjegjës, kur, ky veprim kryhëj çdo minut?
Kurrë mos harroni se Kleri Katolik Shqiptar, këte veprim e bante në vitët 1945 – 46, prandej edhe asht Opozita e vetme antikomuniste!
Kjo asht arësyja që dënimet e randa jepëshin me qellim eleminimi të mavonshëm ndër kampët e burgjet e Maliqit, Bedenit, Burrelit, Burgut të mnershëm të Kalasë së Gjinokastrës etj. Aso kohe në Tiranë, u banë pak pushkatime të klerikëve mbasi nuk i pëlqente Enver Hoxhës, që ti telefonohëj nga ndonjë “ambasadë”, për vëprimët që ai po kryente me akuza false kundrejt klerit të të gjitha besimeve dhe atdhetarëve, që kishin mbushë burgjet e gjithë Shqipnisë. Lufta e ashpër vazhdonte në Shkodër, atëherë, pse të hapte fronte të tjera, përderisa për atë që po bante në Veri nuk i ndihej zani askujt?!... E, gati edhe mue më shkoj goja me thanë: “Pse të prishte marrveshjët me ta ?”....
“Ti vazhdo... e, na bajmë se nuk dijmë gja!...” Formula 50 vjeçare e Evropës. Ajo e pastë faqën e zezë!...

Z. Agim Musta, bashvuajtës i Padër Meshkallës, shkruan: “Padër Meshkalla ishte këthyer në një mësues shpirtëror i të gjithë bashvuajtësve të çdo Feje. Atë e respektonin të rinjtë, pleqtë dhe e adhuronin të gjithë për forcën e Tij shpirtërore”.

Z. Leka Toto, shkruan: “Ai të tëra gjërat që kishte, i ndante me të burgosurit e varfër pa bërë asnjë dallim, Ai i ndante ato, siç do ti ndante vetë Jezusi!”.

Z. Riza Kuçi, shkruan: “Në vitin 1972, ra një epidemi e rendë gripi në kampin e Ballshit. Në një moment tek shtrati ku lëngoja unë, u afrua P. Meshkalla, dhe më dha një gotë çajë të ngrohtë, të pregatitur nga Ai vetë. Mund të merrët me mendë, se çfarë emocionesh shkaktoi në përsonin tim, vëprimi njerëzor i Padër Meshkallës...”.

Prof. Arshi Pipa, shkruan këto fjalë me rastin e vdekjës së At Pjetër Meshkallës, në “BULETINI KATOLIK SHQIPTAR” Vol. 10, viti 1989, SAN FRANCISKO U.S.A. :
“Çka i ndriste syni ja shkrepte gjuha...”.



PJESA E PESTË

AI NUK THEHËJ !…


Në Muzeun Shtetnor të Vjenës, në një vetrinë të sektorit historik asht e vendosun një Përkrenare dhe një Shpatë shekullore. Asnjëna nuk flasin!... Vizitorët kalojnë andej pari edhe ata, pa e folë një fjalë... Prej vitit 1468, Përkrenaria dhe Shpata, kanë ra në “Paqën e Përjetëshme”...
Çfarë fatit!... Me të vërtetë një fat i madh, ma mirë me thanë një mbrekulli, që, në pragun e 500 vjetorit të ramjës në Paqë, pra, në vitin 1967, ata asnjena mos me kenë në Atdhe!...
Të dyja do të ishin “kapakë” të ndonjë pusete rruge, ashtusi kumbonët e Kathedralës 100 e sa vjeçare, apo të Kishës Françeskane të Shkodrës e të asaj të Laçit të Vaut të Dêjës, që rrahnin në “një anë” ndër shekuj për vdekjën e Prijsit dhe Mbrojtësit të tyne.
Një copë Shqipni e pak shqiptarë kishin mbetë në një qoshe!...
Rrokullisej historia sikur të ishte një rrotë e vjetër qerrje mjedis një brrake, që me vish-vishët e saj të dukët sikur të ka ngulë mu në zemër thonjët e, rrinë tue të shkye nga një copë çdo ditë... Ecë, ecë, e rrotullohët nëpër rrugët e posa daluna nga përmbytja shekullore, tue marrë me vedi lym, llaç e llom, baltë dhe ferra e jarg pislleku, që rrjedhin rrëkajë mbi gërmadhat e thëmeleve të qytetnimit të Ilirisë së vjetër, mu në zemër të coptueme të Ballkanit plak, të shkrumuem, të djegun, të zharitun e të përluem me gjak.
Janë vetëm TRI GOZHDA, që, e mbajnë, e forcojnë, i japin drejtim, e bajnë me ecë përpara e, nuk e lanë me ikë rrugë parrugë e, që, në fund të fundit Ajo me siguri do të binte e do të zhytej në ndonjë greminë, golle apo shpellë, sikur mos t’ishte kenë!
Janë vetëm TRI GOZHDA, që i kanë dhanë drejtim historisë!
Janë vetëm TRI GOZHDA, që kane ba një EPOKË të RE e, pra, janë vetëm TRI dhe asnjë ma shumë!
Janë vetëm TRI GOZHDA, që Ruajti dhe Mbrojti me nderë e lavdi ndër shekuj i Madhi Kastrioti yni- Skënderbé!...
Janë vetëm TRI GOZHDA, që, “i harruam” na....edhe “ata!”...
Kishte edhe prej nesh, që nuk i harruan...madje, edhe thirrën: “Eni e më merrni, qé, ku jam, po deshët edhe më gozhdoni...ashtu si keni gozhdue Mësuesin Tém! Ma shumë nuk keni çka më bani!”....Po, po, kishte! Na, e besojmë se kishte sëpse e kemi pa me sy!
Ai ishte At Pjetër Meshkalla S.J.!...
Në dukjen e parë, ke përshtypjen se mbas vitit 1951, pra, mbas nënshkrimit të “Statutit të Kishës Katolike Shqiptare” nga kleri, Qeveria komuniste e Tiranës kishte “ra në paqë” me té, por, arkivat flasin për fakte të tjera. Fillojnë interrnimet e tyne me Don Mikel Koliqin, At Gjon Karma, Don Pjetër Tusha, At Leonard Shajaku, At Marian Prela etj, ...dhe vazhdojnë me vdekjët ndër burgje e kampe shfarosjet, tue fillue me Imz. Vinçenc Prennushin, Imz. Jul Bonatti, Imz. Gjergj Haberi, At Pal Dodaj, At Gaspër Suma, Don Rrok Frisku, At Karlo Serreqi, Don Anton Doçi, etj. Për mos me shtue numrin e klerikëve të vdekun nga torturat në hetuesi, ashtusi vdiqën Don Dedë Plani e Don Jak Bushati etj, disa lirohën dhe vdesin pak muej mbrapa si: Don Anton Muzaj, Don Kolec Prennushi, At Florian Berisha, Don Mark Shllaku etj. Pra, ndrron mënyra e veprimit të Shtetit për zhdukjen e klerit, nuk bahën gjyqe publike ndër salla të zbukurueme me flamuj të kuq e brohoritje histerike, por klerikët vdesin nga mundi, lodhja, uria, sëmundjet e kënetave e të moçaleve, të ftohtit e birucave, të hetusive e burgjëve dhe, shumë vetë nga mënyra çnjerëzore e trajtimit në ata vende e nga pasojat e torturave, pra, me njëfjalë; një eleminim fizik në dukjën e parë krejt në “heshtje”.
Kjo metodë nuk vazhdoi shumë gjatë, mbasi duhëj turbullue “qetësia”. Në vitin 1958, pushkatohët Don Ejëll Kovaçi dhe një vit mbas Tij Don Dedë Malaj, të dy nuk kishin pranue me firmue “Statutin e Kishës Katolike Shqiptare” të përpiluem nga Shteti komunist.
Një pjesë që mendohëj se mund të vdesin nga kjo metodë e “heshtun” dhe që vuante dënime të randa ç’prej 1946, filloi me plotësue vitët e privimit të lirisë, kështu, një nga një filluan me u dukë ndër rrugicat e qytetit të Shkodrës. U lirue P. Meshkalla, At Gegë Luma, Don Tom Laca, Don Ndre Lufi, Don Injac Gjoka, At Bon Gjeçaj, At Frano Kiri, At Aleks Baqli, Don Mark Hasi, At Marjan Prela etj.
Pjesa ma e madhe e tyne nuk lejohëj me krye asnjë shërbim fetar publik, sëpse, nuk ishin dakord me nënshkrimin e “Statutit të Kishës Katolike”. Shumë pak fretën jetuan në Kuvendin e Arrës së Madhe, ndërsa priftnit jetuan pranë të afërmëve ndër familjët e tyne. Jetesa e tyne asht kenë shumë e vështirë, mbasi jetonin për një kafshatë bukë “për sevapë”, siç thotë populli. Në ndonjë skutë punishte apo fabrike, familjarve që i kishin ndër shtëpia të tyne, përgjegjësit komunistë apo brigadjerët spijunë të punishtave e të fabrikave, u thonin në vesh: “....ju keni një prift në shtëpi, eeee...”. Kjo ishte sa me ia kujtue se,... njëditë...
Duhët thanë e vërteta se; shumë shpejt njerëzit edhe pse jetonin në mjerim e fukarallëk të tejskajshëm, filluan të ndajnë kafshatën e tyne përgjysëm për me i ndihmue këta klerikë fatzezë, që ishin në Shkodër e përrreth. Shërbimet fetare ata i kryenin dhe nuk i ndërprenë kurrë ndër ato shtëpi ku banonin kështu, kush kishte mundësi i jepte të holla për ndonjë meshë drite, apo lutje për shëndet. Shumë të rinjë filluan me mësue gjuhë të huaja prej tyne. Një pjesë tjetër filloi me plotësue mangësitë e shkollës që kishte krye. Kështu, këta mësues e profesorë të heshtun, filluan me formue një “brezni” të kulturueme dhe të paisun me ndjesi fetare, por gjithmonë pa asnjë përfitim material. Në shtëpijat ku shkonin për një vizitë të shkurtë filloi me ndriçue kultura evropiane, aq shumë e dishrueme për vite të tana të robnisë komuniste.
Filloi me u ndie shumë fryma dashamirësisë ndërmjet besimeve. Vizitat reciproke prej klerikëve dhe hymjet e daljët ndër familje u shpeshtuan. Hoxhallarët e vjetër që njihnin mirë qendrimin e këtyne klerikëve në burg, filluan ti presin e ti qesin ndër shtëpijat e tyne.
Viti 1961 ka kenë vit i shpresave të mëdha. Në Shkoder vritët nga vetë Sigurimi, kryexhelati, gjeneral Hilmi Seiti. Pragu i vitit 1962, kur, ndër shtyllat e elektrikut të shetitoreve të qyteteve nuk u varën ma flamujt e kuq të “Bashkimit lavdishëm Sovjetik” dhe, shpallja “nën za” e prishjës së mardhanjeve me té, ngjallën shpresën e lirisë “së vdekun” për aq shumë vite ndër zemrat e Popullit Shqiptar. Takimi historik i Presidentit amerikan Xhon Kenedi me Nikita S. Hrushovin, dhe fjala e Kenedit, në Paris, ku, tha : “Mund të ketë turbullira prapa perdës së hekurt, për shkak të lidhjeve të dobta që ekzistojnë, në një gjendje në të cilën Shqipëria është radhitur përkrah Kinës komuniste në grindjën ideologjike me Bashkimin Sovjetik...Kjo është arsyeja, -tha Kenedi,- që rrota e historisë po rrotullohet në favor të botës së lirë, dhe jo të komunistëve.” (“Përgjigje zotit Kenedi” marrë nga gazeta “Zëri i Popullit”, 9 qershor 1961, Nr. 139 (3982), fq. 4.).
Kjo për né nuk ishte ma andërr e dishrueme, po një realitet. Kenedi filloi me rrotullue me shpejtësinë e tij Globin e përgjumun!..
Papa Gjoni XXIII-të përshëndeti për herë të parë nga Vatikani, në gjuhën shqipe Popullin Shqiptar: “Për shumë mot Pashkët!”...Filloi agimi i Lirisë! Haxhubej me “Isvestia” në dorë gjujzohët para Papës...
1963 - 9 Tetor – vdes Papa Gjoni XXIII-të.
Me 23 nandor 1963, në mëngjez herët u hap si rrëfeja lajmi i vrasjës së Kenedit e, bashkë me Té, u vra edhe shpresa e Lirisë ndër gjithë zemrat e shqiptarëve e pse jo, në krejt Evropën Lindore!...
Nikita S. Hrushovi, i rrethuem me tanke në Kremlin, jep “dorheqjën”! Lajmët vijnë: “I pari udhëheqës sovjetik që u largue nga posti ma i larte i Partisë dhe Shtetit, pa u pushkatue!..”. Një “çudi”!!
Në krye të Bashkimit Sovjetik vjen Brezhnjevi, një maskë e keqe e Stalinit “pa mustakë”! Në gusht 1968, në Pragë “vyshkët pranvera”...
Shqipnia “humbë” rrugë me sy në ballë!...
Dashnia dhe pasioni shumë i madh për “kolltukun përsonal”, i mbështjellun me pelhurën e kuqe të leckosun të “marksizëm-leninizmit fitimtarë”, shtyjnë udhëheqësit aventurierë të Shqipnisë “Socialiste”, me marrë drejtimin e largët nga Lindja e Kuqe e Mao Ce Dunit. Jo vetëm në Kinë, por edhe në Shqipni ka ënde komuniste, që filluan me besue në “mbrekullitë e citateve” të tij. Hidrocentrali “K. Marks” e “Lenin”, filluan me shue dritën e tyne!... “Ndriçonte” gjithë Shqipnia nga “Drita e Mao Ce Dunit” në Vaun e Dêjës. Kombinati “Stalin” dukej si zhele-punuës, kundrejt madhështisë së Kombinatit “Mao Ce Dun”, në Berat... Filluan me u ba “kodrat”...fusha! Vetëm duhëj kujdes: “Kursim, kursim, persëri kursim” e, gjithkund: “Vigjilencë!...” Flitëj, por, nuk e di sa asht e vërtetë se ndër tre vetë, “njeni” duhëj me kenë spijun. Kjo ishte një ndër detyrat e para që Enver Hoxha, i vuni veglës se tij “shumë të dashtun e besnike” të të gjithe jetës, Sigurimit të Shtetit.
Aty nga mesi i vitit 1966, në Shqipni fillon me ardhë era rùb! Diçka kishte fillue me u djegë!....Por, flaka nuk i kishte dalë ënde... Kina e Madhe po realizonte me sukses njëfarë “Revolucioni Kultural”, që vetëm me kujtue thirrjët e virrmat e mijra “gardistëve të kuq” me librat e “citatëve” në dorë para pallatit të Çu En Lait, nuk të merr gjumi tue mendue, kur këtij kërkojnë me i heq kaptinën, po shka asht tue u ba me qindra e mijra studentë apo me profesorët e tyne që dinin gjuhë të hueja, me shkrimtarë e artistë, me ingjënjerë e doktorë që kanë kenë për ekspëriencë ndër vendët përëndimore?.... -Ja një fakt:
Një kinez i shtrimë përtokë priste vdekjën, -tregonte një ishoficer Sigurimi, aty nga viti 1993. Në vitin 1966, ky, ishte kenë për me marrë eksperiencë në Kinë, e mandej me ardhë në Shqipni dhe me i zbatue ato tortura që shihnin në hetuesitë e Lindjës së kuqe-. Hetuesi kinez kishte mërrijtë me “sukses” me bërë “të pandehurin”, me pranuar “fajin” për të cilin ishte torturuar 28 ditë rresht, në prani të oficerëve shqiptarë. “I pandehuri”, shpjegon hetusi kinez, nuk ka patur dijeni fare për grupin që né e akuzojmë, por Partisë i duhët ky deponim....prandaj, unë veprova kështu dhe, ia arrijta qellimit... Nesër, do të jap një kinez tjetër të pafajshëm ty shoku Nevzat Haznedari e, ju, do ta detyroni për të pranuar këta faje që keni të shkruara këtu!...-Siurdhëron, shoku hetues! -I është përgjigjë Nevzati. Të nesërmën në mëngjez Nevzati filloi detyrën. Vazhdoi në mënyrën e njohur të tij nga eksperienca që kishte dhe, nga përvoja e madhe e torturave në labirintët e Ministrisë së Mbrendshme në Tiranë e gjetkë,...dhe....mbas tri ditësh hetuesi kinez zgurdullon sytë, kur sheh Nevzatin, që i kishte ngulë thonjtë në fyt kinezit të shkretë që po i merrëj fryma e, kokordhokët e syve i kishin dalur jashtë nga tmerri, koka i ishte nxi, veshët i kishin shpërthyer gjak..e, duke parë vetën dy pëllembë të shkëputur nga toka, të mbërthyer në çaponjtë e gjakosur të kriminelit shqiptar.... mbasi e lagën me ujë...e ulën në një karrigë dhe,...nënshkroi “me qejfë” vdekjën!..”. Hetuesi kinez, që jepte instruksione ishte drejtue nga ekipi shqiptar dhe iu kishte thanë me buzë në gaz, ashtusi flasin kinezët: “Gabim që iu kanë sjellur juve këtu,...shumë shpejtë do të vi unë në Tiranë për të marrë eksperiencë tek ju!...”. Me të vërtetë në vitin 1967, ai kishte ardhë në Tiranë. E, pse mos të vinte kinezi këtu, pak laboratore me shokët e Nevzatit kishte aso kohe Shqipnia? Mungonin “kafshët e fjetura” të Pranvera E. Hoxhës, për eksperimentim!?... “Armiqtë duhën mbytë si qentë e rrugëve” ka pas thanë Vishinski. Na dhe kinezët e vazhdonim porosinë e tij, kur vetë sovjetikët gati i patën harrue edhe emnin atij krimineli...
Viti 1967, asht viti ma fatzi për historinë e Shqipnisë, ai solli me vedi fortunën ma shkatrrimtare të kulturës, të ndërgjegjës dhe të ekonomisë së shpartallueme të Popullit Shqiptar.
Fjalimi “programatik” i Enver Hoxhës, me 6 shkurt 1967, hapë në historinë e Shqipnisë etapën ma të turpëshme e ma të egrën që njeh historia e Shekullit XX-të. Populli Shqiptar priste vendimin e Pilatit!
Atdheu i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe i Nanë Terezës, Nanës së gjithë Botës, shpallët: “PA FÉ”.
Si ujk në kohë nate në portarën e grigjës pa bari, ulërinte Enver Hoxha: “Të djegim me zjarr!...” e, kopetë e kafshve të egra të Sigurimit, të urituna për gjak u lëshuan mbi popullin e ngratë të lidhun e të pambrojtun...“Fletë – rrufetë” mbuluan dyert e Kishave e të Xhamive. Organizatat e Frontit “Demokratik”, ato profesionalet, të rinisë e deri tek pionierët, ishin të gjitha të gatëshme me zbatue porositë e Partisë së Punës, nën “kujdesin” e Sigurimit të Shtetit. Vlonin komitetët, vlonin shkollat e mesme, vlonin ndërmarrjët, vlonin makinat e Sigurimit, vlonin spijunët në të katër anët e vendit me kasketa e pa kasketa e, mbas orës 8 të darkës nuk shihëj asnjëri në rrugë përveç, punëtorëve që ndrronin turnët e punës...Frikë, heshtje, tmer , terror e fukarallek i pashoq në çdo votër!... Edhe fëmijët u banë spijunë të prindve të vet. Deri këtu mërrijti halli ynë... Ky ishte me pak fjalë pikësynimi i këtij “Revolucioni Kultural”!... Shkatrrimi përfundimtar edhe i familjës...
Ato ditë binte në sy angazhimi i madh i oficerëve pensionistë të Sigurimit dhe, i disa kuadrove të cilët Partia i kishte lanë në njëanë. Sigurisht, ishin ata që i duheshin në kohë fushatash. Këta ishin njerëz pakurrfarë përsonaliteti dhe të gatëshem me ba keq. Qendra e varësisë së tyne mendore dhe materiale prej kohësh ishte Sigurimi i Shtetit. U rrinin afër kryetarëve të lagjëve dhe zyrave të kuadrit ku, kryenin dy punë, jepnin informacione nga rradhët e pafund të dyqaneve dhe njëkohësisht përgjonin aktivitetin e këtyne zyrave, tue iu sugjerue edhe “mendime” nga eksperienca e vjetër e tyne. Ky angazhim i këtyne përsonave u shoqnue me një “qarkullim kuadri” nga sferat e larta të Partisë dhe të Shtetit. U krijue përshtypja se tirani Enver Hoxha, po spastronte njerëzit që kishte pranë, por, jo, ai me këte rasë provoi “besnikërinë” e tyne ndaj tij dhe, aftësinë me ba keq e ma keq në momente të caktueme si “dikur”, kur ia lypte nevoja atij. Këto prova i bani tue fillue nga Hysni Kapo e, deri tek spijunët ma të lanun që kishte të angazhuem në Sigurim të Shtetit. Ato ditë ai me djallëzi si gjithnjë i kërkoi mendim Hysniut dhe Ramizit, “si me veprue” me fenë!?... Përgjigja e tyne ishte vetëm provë “besnikrije” per té, në rast të kundërt i niste tek shokët e “armëve”...
Në mëngjez herët të gjithë njerëzve që ke muejt me takue tue shkue në punë, “iu hapej goja” vetëm nga pagjumsia...Shumicën nuk e zënte gjumi nga frika se po vijnë me më marrë e, priste, kur po i troket dera...ndërsa, pjesa tjetër punonte si me lanë pagjumë të gjithë ata që mund të mendonin ndryshej nga Partia, për “Revolucionin”....
Kurrë, kurrë, asnjëherë ata që nuk e kanë jetue atë kohë nuk kanë me e besue sësi mundët me ndodhë, që një popull i tanë me ra me fjetë në një kohë, me u zgjue në një kohë, me hangër njëlloj, me u veshë njëlloj, me folë njëlloj, me mendue njëlloj, me jetue me frikë njëlloj, me vdekë njëlloj dhe, me u varrosë përsëgjalli njëlloj...
Depërsonalizimi i njeriut dhe këthimi i një populli në një kopé, janë pikësynimet e sistemeve socialiste e komuniste totalitare, në të gjithë botën. Ky eksperiment po bahej me Popullin e ngratë Shqiptar! Thëmelët e këtyne sistemëve janë te vendosuna mbi gjak, notojnë përsa dekada në gjak dhe kanë nevojë të vazhdueshme me u forcue me gjak. Pa gjak, terror dhe vuajtje sistematike ata nuk qendrojnë! Rrëzohën!
Ndër ato ditë që ky tmer “Revolucioni Kultural”, po zhvillohej në Shkodër, nën drejtimin e skiles së vjetër të Enver Hoxhes, dhe veglës besnike të tij, Ramiz Alisë, me qendër në Institutin Pedagogjik dyvjeçar, nana eme takon në rrugë P. Meshkallën, i cili, e thirri në shtëpi dhe i dha me vedi disa skica që kisha fillue me ilustrue vjershat e Tija tue i thanë: “...Merri me vedi mbasi unë nuk do ti mbajë ma, sëpse mund të më arrëstojnë e nuk due me mi gjetë kush skicat e Fritzit këtu!..”. Kur nana e pyet; nëse, kishte ndigjue gja në lidhje me arrëstimin Ai, i tha: “Jo!..por, kjo do të ndodhin, mbasi para pak ditësh jam ulë në gjunjë para statujës së Zojës (aty, ku Ai thonte meshën çdo ditë në dhomën e Tij) dhe i kërkova Asaj, me më mësue se shka me ba në këte kohë kaq të vështirë? Zoja ma shndriti mendjën dhe unë i shkrova një letër Mehmet Shehut, kështu kjo letër do të bahët shkak me më arrëstue, njëkohësisht, këta do të më dënojnë për përmbajtjën e letrës që i kam shkrue atij dhe nuk kanë me më pyet se shka kam bisedue sa në një shtëpi e, sa në një tjetër, mbasi unë ashtu do të marr në qafë gjithë dyrnjanë, sëpse unë kam hi e dalë në të gjitha shtëpijat e Shkodrës. Mbasandej, ajo që ka randësi asht se edhe ndonjë meshtar që ka pas kenë në burg ka vdekë e, asht e nëvojshme me hi dikush prej nesh mbrendë, se aty ka shumë nevojë për meshtar, mbasi ndër burgje janë shumë të rinjë dhe njerzë që janë disprue nga mërzia dhe vuejtjet e randa që janë tue kalue tash sa vite. Asht e nëvojshme prania e jonë aty...” Mandej, i kishte lexue letrën që i kishte dergue xhelatit dhe, i kishte tregue edhe vendin se ku kishte mëshef kopjën e saj, mbas një kornizës së vjetër të një fotografije të varun në dhomën e tij.
Nana, posa erdhi në shtëpi e tronditun për atë që do të ndodhte, me tregoi ngjarjën dhe përmbajtjën e letrës. Në botimin e parë, unë kam shkrue shka kam mujtë me mbajtë ndër mend po, mekenëse, në vitin 1998, mu ba e mujtun prej një mikut tem (Z.T.M.), me gjetë origjinalin e saj të ruajtun në arkivë, unë po botoj tekstin e plotë të saj:

Letër e At Pjetër Meshkallës S.J.

Kryetarit të Këshillit të Ministrave
Mehmet Shehu
Tiranë
Shkëlqesë,
Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendët sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjës dhe të fjetjës, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhët ti këthehën; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë sherbim fetar, as edhe privatisht: Këte e ka vendosë populli.
Mendova të drejtohem me këte letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut.
Sa për libra të mij, gjana kishtare etj. le të vinë e ti marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe.
Por, unë dëshroj të çfaqë disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.
Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrënija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohët rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditën.
Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vajë, si përfaqësuesin e fesë së vet.
Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonarët e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë përsonat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit.
Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetët e propagandës. Si përgjigje, populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh?
Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohët me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahët synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kane frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! –Flitët shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këte të Shek. XX-të?
Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té.
Unë tham se, me këte luftë kundra fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur, në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë, u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishëm ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.
Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit.
Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.
Krytarit të Kësh. të Ministrave Me nderime
Mehmet Shehu Pjetër Meshkalla
në Kryeministri – Tiranë meshtar katolik i Shoqënisë Jezu.
5 Prillë 1967.

__________________________

Vetëm dy faqe.....
Vetëm dy faqe janë ato, të një fletorës me kuadrate, ku çdo fjalë asht: 1 edhe 1 bajnë 2.
Vetëm dy faqe janë përmbajtja e një libri të pashkruem...
Vetëm dy faqe janë historia e jonë e mjerueshme!...
Vetëm ato dy faqe do të flasin për vite të tana...e, jo ma pak, po do të tregojnë gjithmonë në mënyrë të saktë ku kishim vojtë!...
Po, po, ato dy faqe të shkrueme me dorën e Tij, do ti tregojnë botës nëpërmjet mendjës së ndritun të P. Meshkallës, se kush kje dhe si qëndroi në Shqipni gjithë Kleri Katolik, përballë diktaturës dhe terrorit të mnershëm komunist gjakatarë gjysëmshekullor !
Letra i drejtohët Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Mehmet Shehut, mbasi edhe thirrja e klerikëve katolikë që asht ba me datën 3 prill 1967, asht ba nga Komiteti Ekzekutiv i Rrethit të Shkodrës, pra, nga organi shtetnor dhe jo, nga organët e Partisë. Partia “vështronte” popullin, por gjoja nuk përzihej në “dëshirat” e tij.
Kush ishte ky Mehmet Shehu? Mbas kriminelit Koçi Xoxe, kje Ministër i Mbrendshëm e mbas pak kohe Kryeministër. Ky ishte shoku, miku, bashpunëtori dhe sherbëtori ma besnik i Enver Hoxhës, në të gjitha krimet që kanë ba. Të dy bashkë këta katilë ishin si një mollë e kuqe me zemër të keqe, të kalbun, të krymbosun e të pandame. Fjala “Shkëlqesë”, asht përdorë si shenjë respekti për postin e Kryeministrit. P. Meshkalla nuk i drejtohët me fjalët “Shok ose Zotni...”.
Në pesë rreshtat e para, tregohet qellimi i thirrjës nga ana e Komitetit dhe ndër tjera shkruan: “...pse të tjerat ishin të popullit, dhe popullit duhët ti këthehën.” Aty, Meshkalla, ka marrë vesh se populli kërkon prej Tij “gjithshka”, përveç ndrresave përsonale, mbasi vëndimi asht i “Popullit”!!.. Madje, “...nuk do të ushtrojnë asnjë shërbim fetar as edhe privatisht”....Pra, për shka asht njoftue kleri aty atë ditë asht kenë me “siguri” vëndim i “Popullit”!!..
Udhëheqësi i Popullit sëpari duhët me kenë njeri. Për këte edhe P. Meshkalla, i shpjegon arësyen pse po i drejtohët atij, veç si “njeriu njeriut” dhe, gjithmonë tue ia kujtue se, “jo ndryshej”...
“Nuk asht e para herë, që unë dal në rrugë të madhe”, pra nuk asht e para herë që, JU, më qitni në rrugë të madhe!....mbasi nuk ka njeri që del vetë për qejfë në rrugë të madhe pa asnjë arësye!... Kuptohët, kur një përsonit që nuk ka asgja mbas shpirtit, shteti shkon me i marrë librat, gjanat kishtare etj. ai asht ma i kënaqun me dalë në rrugë të madhe sësa me i sjellë edhe të tjera pasoja e telashe përsonave të shtëpisë ku banon, gjithmonë tue i kujtue se “nuk asht e para herë”. Shumë klerikë vepruan kështu si: At Mark Harapi, Don Injac Gjoka, At Donat Kurti etj.
“Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit..”. Vetëm kjo fjali asht ma e papranueshmja mbasi që nga 1944, vetëm tue plaçkitë e grabitë bibliotekat e sirtarët e klerikëve kanë ndejë “intelektualët” komunistë e, bashkë me ta edhe agjentët e Sigurimit të Shtetit. Vetëm zyrtarisht dihën mbi njëmijë tituj punimesh shkencore (që janë në inventar të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë), që i janë marrë klerit e intelektualëve përdhunisht nga Shteti, janë shtetizue, përdorë nga spijunët, që me paturpësi në kopertinat e librave që kanë botue kanë vue emnat e vet, tue përfitue tituj e grada shkencore deri në dekanë e rektorë universitetësh. Thesarët e veprave të artit apo ata muzeale të Gjeçovit e Fishtës që ishin ndër Kisha e biblioteka ku janë? Ku janë dorëshkrimet e priftënve Nikoll Gazulli, Aleksandër Sirdani, Mark Harapi, Pjetër Çuni e sa e sa të tjerëve që nuk ju ndigjohët zani?
“...në mos i dorëzoftë ai vetë, e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.”, kështu mbyllet fraza në lidhje me dorëshkrimet. Pra, në kjoftë se nuk i dorëzon autori vetë, çdo mënyrë marrje apo përvetësimi nga Shteti, asht e dhunëshme, asht plaçkitje, asht grabitje, asht vjedhje, se asnjëherë klerikët nuk kanë pasë dorëshkrime kundër Sigurimit të Shtetit. Kjo dihët se asnjë prej tyne nuk ishte budalla. Pra, marrja e tyne nga Shteti, asht shkelje ligji nga vetë Shteti. Vetëm ky asht Shteti komunist, që ban ligjë dhe gjithmonë i shkelë vetë i pari.
“Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrënija e popullit, as ligji natural ma elementar, nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohët rishtas prej dhuruesit si gja e tija.” Populli nuk ka si me marrë vëndime të tilla se nuk e lejon as bujaria e as burrnia. Janë dy cilësi që P. Meshkalla, i ka provue té Populli i vet. Ndryshej Populli Shqiptar do të ishte i paburrni e jo bujar, përderisa, ai shkelë ligjin natural ma elementar: “Me kërkue gjanë e falun.”. Sigurisht, që kjo nuk mundët me ndodhë, atëherë kush asht ai ent që ban vëprime të kësaj natyre kundër çdo rregulle? Prandej, fraza mbyllët me një kujtesë: “Spekullimet e shpërdorimet goditën”. Nga kush goditën? Asht vetëm P. Meshkalla që ka atë guxim me ia kujtue të gjithë atyne që po spekullojnë e shpërdorojnë në kurriz të popullit, se, njëditë ata do të goditën për të gjitha shka janë tue ba. Përdorimi i fjalës goditën asht i qellimshëm, sëpse fjala goditën asht gjithmonë ma e ashpër se fjalët tjera që mund të përdorën nga gegënishtja dhe, në këte rasë edhe ma me vend dhe e “kuptueshme” për gjuhën e Kryeministrit.
“Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vajë, si përfaqësuesin e fesë së vet.” Kjo, pra, asht e vërteta! Populli asht fakti mbi të cilin mbështetët e vërteta! Vepra e popullit tregon faktin sësi e ka përcjellë ai përfaqësuesin e fesë së vet, të mire o të dobtë. Krejt e kuptueshme mbasi për popullin nuk ka prift apo hoxhë të keq, ai mund të jenë i dobtë, por, kurrë i keq. Largimi i priftit me vajë asht shprehja e keqardhjës së popullit, atëherë, vëndimet të kujt janë ?
“Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonaret e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë përsonat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit”. Kur mbi një popull bie hija e zezë, ai popull asht në pragun e një shuemjës, të një shkatrrimi të plotë, të një mjerimi të pafund, të një vuejtjës shpirtnore e materiale të papërshkrueshme, të një fundi pa asnjë shpresë shpëtimi dhe, me të vërtetë aty kishte mërrijtë shkalla e pesimizmit dhe e disprimit. Mbyllja e Kishave e Xhamijave, rrëzimi i kumbonarëve e minarëve prej popullit besimtar as nuk mendohëj, madje, një andërr asisoji do të ishte një trishtim, një mnerë, një zgjumje e llahtarshme, por ata me të vërtetë po shkatrroheshin e shka asht ma e keqja, ajo që shpartallon shpirtin e çdo njeriut asht -tallja-, vuemja në lojë, përqeshja, që u bahëj nëpërmjet grupëve të estradave të “artistëve” komikë e bastardhë, që bredhnin sa andej këndej tue u toç në raki për veprat e turpshme që shkruanin e recitonin këta papagalë të Partisë dhe të Sigurimit. Kjo ishte mënyra me të cilën Partia, Sigurimi dhe Shteti, fyenin thellë në zemër ndjenjat shumë të Shenjta dhe të shtrenjta të besimit të mbarë një Populli, që kurrë nuk ka vue gojë në Zotin, por kur asht kenë rasa me diftue forcën e besimit ndaj Tij ka dhanë edhe jetën. Ja, si fillonin kangët e kreshnikëve të vjetër:
“Lum për Ty o i madhi Zot....”
Ja, si e fillon Hymnin e Flamurit At Gjergj Fishta:
“Porsi fleta e Engj’llit t’Zotit
Po rreh Flamuri Shqypnisë…..”
A mund të pranohët se një popull që i këndon Zotit ndër njëzet shekuj, çmendët e prishë veprat e Tij?!... Atëherë!?.... – Kjo, pra asht arësyeja që ka ra hija e zezë mbi Popullin dhe Tokën Shqiptare!
Shteti ateist shqiptar organizoi fushata të shfrenueme në gjithë vendin dhe vuni në shërbim të këtyne fushatave të gjitha mjetët e propagandës, tue fillue nga artistët, estradat, kinemat, theatrin, sallat e konferencave prej auditorëve e deri tek stallat e kooperativave, si e si me shpartallue ndërgjegjën e besimtarëve të Zotit. Fëmijët në kopështe e shkolla pyetëshin nga mësuesit nëse dinë me ba Kryq, apo me thanë uratë. Ajo që i interesonte kryesisht shtetit ishte me ditë kush ia ka mësue dhe a kishin kryqa e figure ndër shtëpia. Në këte mënyrë fëmijët edukohëshin me u ba spijunët e familjeve të tyne, ose të shtëpijave që vizitonin tek shokët apo të afërmit e tyne. Kjo ishte një pjesë e edukatës revolucionare të “ shkollës së re”, mbasi ma vonë organizatat e pionierit dhe ato të rinisë punonin dhe edukonin shumë nga spijunët e vërtetë.
Po, përgjigja e popullit cila ishte? Ja çfarë shkruan P. Meshkalla: “Si përgjigje, populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne.” A mund të mohohet fakti i mbylljës se Kishës së Zojës tek Kalaja, kur spijunët e Sigurimit prisnin me përfundue meshën Don Mark Hasi, për me i marrë çelsat, ndërsa populli puthte Elterët dhe prakun e derës me lot për faqe... A mund të mohojë kush faktin se për vite të tana rreth thëmelëve të asaj Kishë, njerëzit silleshin me rruzare në dorë tue u lutë mbi gurë e ferra me shpresë për të ardhmën ?
“Çë vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të friksueme me lloj lloj presionesh?” Meshkalla kujt ia drejton pyetjën? Për ke flet?– Pikërisht atyne përfaqësuesve të asaj pakice të pandërgjëgjeshme që po kryenin këto vëprime të turpëshme e, bashkë me këte pakicë ishte edhe ajo pjesë e frikësueme me lloj lloj presionësh, tue fillue nga frika e pushimit nga puna, transfërimet, përjashtimet nga Partia, humbja e privilegjëve dhe, në fund edhe dera e burgut për ata që nuk iu bindëshin urdhnit. Shumica e kësaj turme ishte nën diktat të frikës. Kjo “pjesë e frikësueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse, e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue më gojë até që beson.”... Një popull i tanë i frikësuem, një popull i tanë i kërcnuem, një popull i tanë i gënjyem që pëson “torturën ma të madhën”, e cila asht kjo torturë ? - Ai, “me mohue me gojë até që beson!” (pra, jo me zemër!), sëpse: “ASHT I LIDHUN PËR KAFSHATËN E BUKËS”. Dhe, si pasojë, “fushata që po bahët, synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, oportuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut”. Ky, pra, ishte “Revolucioni Kultural”! Ky, pra, ishte “njeriu ynë i ri”! Ky, pra, ishte “socializmi që ndërtonin masat e gjëra të popullit”! Kjo, pra, ishte “jeta e lumtur e popullit tonë”! Ky, pra, ishte “fanari ndriçues i socializmit në botë”! Kjo, pra, ishte parulla: “Se çka don populli bën Partia dhe, ç’thotë Partia bën populli”! E, të gjitha këto i kanë sherbye vetëm një së vërtetës: “VIGJILENCËS” e, kjo sigurohëj prej asaj brezni që nuk ka kurajo civile, asht e paburrni, asht oportuniste dhe sërvile, sëpse, vetëm me “vigjilencë e spijunë” sigurohej kolltuku përsonal i diktatorit. Për këte arësye njerëzit kanë frikë hijën e vet, ecin pa u takue edhe me miqë, nuk përshëndetën rrugës, mbasi nuk dihëj ma as kush asht në sy, as kush asht “i prekun”, sëpse dita që vinte nuk dihëj shka mund të sillte me vedi. Ajo që frikësonte çdo njeri ishte përndjekja. Kush dinte ke ka mbas shpine ose kush asht mbas shpinës së atij që përshëndet ti!? -Asnjëri në botë!... Dihej vetëm një gja: “Kudo vigjilencë!”... Kudo frika e Sigurimit të Shtetit... kudo spijunët e tij.
E, kush punon me vetëdije në dam të Atdheut?! Nuk ka sësi të thohët e shkruhët ma troç: Vetëm ju, trathtarët komunistë!
At Meshkalla shpjegon kjartë se: “jeni tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut!”, shpjegim që ban të ditun publikisht se tue lanë në një anë Fenë të cilën nuk e ndanë nga Atdheu, po nuk e përzinë me Té, mbasi çeshtjët që i përkasin Fesë nuk janë çeshtje që duhën identifikue me çeshtjët e Atdheut. Kleri, intelektualët dhe katolikët shqiptar, këto dy çeshtje nuk i kanë përzi kurrë, derisa asnjë katolik nuk ka quajt joshqiptar, kjoftë edhe një bashatdhetar të një besimi tjetër. Kjo do të ishte një fatkeqësi e madhe sikur të ndodhte, se Ideali i Shenjtë – Feja – do të luante rolin e kundërt, rolin e ideologjisë, po të identifikohëj Feja me nacionalitetin. Nuk asht e thanun se ateistët janë atdhetarë ose jo, por ata që janë: “pa kurajo civile, pa burrëni, oportunistë, servilë,...”, prishin gjithmonë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Ateistët mundën mos me kenë komunistë dhe, janë Atdhetarë, por kur janë edhe ateistë edhe komunistë, atypëraty ata janë antiatdhetarë, sëpse ata i drejton në kokë ideologjia materialiste drejt internacionalizmit proletar, parim bazë i komunizmit materialist ateist. Meshkalla lufton për dinjitetin njerëzor prandej nuk ka frikë asnjëri.
“Flitët shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po, për këte të Shek. XX-te ?” Sigurisht, “duhëj” të flitëj për Inkuizicionin e para 500 vjetëve, mbasi gjithmonë komunistët kur fillojnë me folë për Krishtënimin, maparë ata shpjegojnë periudhën e Inkuizicionit, ndërsa ecjën përpara të qytetnimit të Evropës paralel me Krishtënimin, atë nuk dinë kurrë me e “shpjegue”, sëpse kjo asht në kundërshtim me ideologjinë e tyne marksiste-leniniste. Nuk besoj se ka shqiptar që beson së Galileo Galilei asht i varrosun në Kishë, as unë nuk e kam besue se mund të ishte aty vorri i Tij, edhe pse e shihja me sy!
Fjalia mbyllët me pyetjen: “Po, për këte të Shek. XX-të ?”, pra, asht fjala për këte Inkuizicion që jeni tue ba ju, pse nuk flitni Shkëlqesë? P. Meshkalla pyet, po Ai e di mirë se këtu nuk asht vendi që kapitulli i historisë do të mbyllët vetëm me “fjalën” Inkuzicion i Shek.XX-të, që po zhvillohej nëpërmjet të “Revolucionit Kultural”. Ai ka bindjën e plotë se shqiptarët janë para një genocidi të vërtetë dhe këte e tregojnë rreshtat e fundit të letrës, ku shënon: “Vi tash tek unë.” Deri këtu pata punë me ju, tashti, merrni vesh se kush jam unë: “Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë”. A merrni vesh se vijën e jetës Ai nuk e ndryshon, pra, rrugën së cilës i ka kushtue jetën Ai nuk ka ndërmend me e lanë dhe kjo rrugë do të vazhdohët prej Tij, derisa të kenë frymën. Vendimi: Ju bani çka të doni, se unë do të vazhdoj derisa të keme frymën, derisa të më leni gjallë, derisa të jetoj! Pra, nuk thehët, se jetën e Tij Ai e di mirë se nuk e kanë në dorë komunistët...dhe as veglat qorre të tyne. Madje, edhe vazhdon se: “Pengesa e jashtme e forcës madhore, do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit.” Efekti i forcës madhore apo i diktaturës së Partisë, Shtetit dhe Sigurimit komunist tek Meshkalla, asht i barabartë me zero. Para forcës së Shpirtit heroik të Meshkallës nuk qëndron asnjë pengesë!
Gurt e balta nuk kanë asnjë forcë para furisë Meshkallës!
Ai i thotë haptas Enver Hoxhës: Veprat tueja do ti marrë lumi!
“Populli më njeh; dhe e din mirë si kam shkri jetën për té.” Këtu nuk asht fjala për popullin e Shkodrës. At Pjetër Meshkallën tashti e njihte gjithë Populli Shqiptar, sëpse Ai, ia kushtoi gjithë veprën e Tij edukimit dhe përparimit të të gjithë shqiptarëve pa dallim Feje. Ai ishte Ati i të gjithëve! Këtu qendron madhështia e Tij, se Ai, ka shkri jetën me vepra për unitetin e Popullin Shqiptar!... Dhe, vazhdon: “Unë tham se me këte luftë kundër fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni.” Asnjëherë nuk ka me kuptue bota se ku kishin mërrijtë me e çue të shkretin Popullin Shqiptar komunistët. Premtimët, deklaratat solemne, propaganda e rreme dhe mbi të gjitha “liritë dhe të drejtat e garantueme me Kushtetutë”, janë dokumentët ma të sakta që vërtetojnë paturpësine e pakufi të komunistëve, që kishin mbushë mbarë Shqipninë me hetuesi, burgje, kampe shfarosje, kampe intërrnimi, ferma, miniera, vepra kanalizimësh, ndërtime fabrikash e kombinatësh, aeroportësh, me të burgosun dhe të interrnuem, që shërbenin për kalbëzimin e jetës së rinisë në ata vende të mnershme e, që, të gjitha sëbashku thirrëshin: “Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë”. Shteti i parë në Botë: “Pa Fé”!... Madje, tue kenë edhe anëtare e O.K.B.-së... me 9 qershor 1973, në Shkodër, hapët “Muzeun Ateist” edhe ky turp i vetmi në Botë. . R.P.S.SH. - NJË BURG - SHTET- i rrethuem çdo pëllambë në tela me ferra, mitraloza e zagar të Sigurimit komunist !
P.Meshkalla i kujton Mehmet Shehut se: “Kur në vj. 1945 në Tiranë, me 8 mars, unë u ankova Juve, Shkëlqesë, se kishëm ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët: “Këjo asht propagandë anmiqësore!”.
Përgjigjën që P. Meshkalla, i ka dhanë atëherë në atë takim nuk ia ka shkrue në letër sëpse, ka ruejt rasën me i thanë ma shumë tashti. P. Meshkalla, atëherë, i ka thanë: “...Në kjoftë se keni me e pasë të gjatë sundimin kanë me dalë fjalët e mija, se, ju, nuk mund të delni jashta parimëve tueja e, ato parime ti i njeh mirë se i ke pa në Spanjë...” etj.
Ndërsa, tashti i shkruan: “Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit.”
Ky ishte At Pjetër Meshkalla, që burrnisht ua përplasë në surrat tiranëve e katilëve të pashoq komunistë!
Ka shumë mundësi, që sa herë i ka kujtue këta dy rreshta të kësaj letre Enver Hoxha, “e kanë shtye” me vra shokët e vet që i kanë ba 22 vjetë atë propagandë, sëpse, ata ishin “armiqtë e tërbuem të Partisë e të Pushteit të tij përsonal”!... Ai zgjohëj somnambul dhe shihte çdo natë një njeri në kolltukun e tij e vërriste si kafshë e tërbueme: “... Ishte pikërisht ... ki... armiku i Partisë, ishte pikërisht ki,...armiku i kllasës, po, po, ... ki ishte, për ideal.... e kam parë,... nuk më gënjen mua njeri.... ki ishte..., hiqjani kokën ju them!...se kështu na mëson Partia!”....
Në rreshtin e fundit P. Meshkalla, shkruan: “Nuk me ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi por, vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.” Asht e vështirë me pranue se lexuesi të cilit i drejtohët letra ka mujtë me kuptue se P. Meshkalla, me këto pak fjalë ka thanë një të vërtetë të madhe që nuk mund të kuptohët nga diktatorët, tiranët apo terroristët, të cilëve iu drejtohëj letra. Ata lloj diktatorësh që kishte mbi kokë Populli Shqiptar, nuk dinë me kuptue asnjëherë se çdo vërejtje që bahët nga një njeri nuk ka qellim urrejtje, ambicioni apo interesi kundrejt tyne e, sidomos nga një kundërshtar i tyne, sëpse, të gjitha këto kushte janë idea, mendimi e vepra e tyne, që gjithmonë tek ata janë te lidhuna me krimin e organizuem, sëpse, vetëm ashtu ata mendojnë se sigurojnë pushtetin përsonal të “plotfuqishëm e të përjetshëm” dhe pa asnjë kufizim moral e njerzorë, ashtu siç ishte sistemi totalitar komunist në Shqipni, që kërkonte me çdo mënyrë përjashtimin e Zotit nga historia. Pikërisht, aty ku asht urrejtja, ambicioni, interesi, asht egoizmi. Ku asht egoizmi asht kriza shpirtnore. Kriza shpirtnore asht pjesë e pandame e jetës dhe veprës së diktatorëve, tiranëve dhe terroristëve të popullit, si dhe sherbëtorëve të tyne.
Për ata, fjalët e Meshkallës: “...vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.”, as nuk ekzistojnë, janë jashta botkuptimit të tyne dhe, jo, vetëm nuk dinë me i shpjegue, po as nuk dinë me i kuptue. Ata nuk veprojnë me ndërgjegje asnjëherë, sëpse vetë ky “Revolucion Kultural”, zhvillohet nga “një pakicë e pandërgjegjeshme”. E vërteta dhe e mira janë prap dy cilësi që nuk mund të bashjetojnë me gënjeshtrën dhe të keqën, me hipokrizinë dhe servilizmin, me torturën dhe vrasjën e kundërshtarit ose ma keq, me inferioritetin moral dhe kulturor të një klase pseudointelektuale e terroriste të pashpirt, kundrejt dijetarëve që kanë vue themelët e kulturës së një shteti përparimtar e, që nuk mundën me kenë kurrë trathtarë të Atdheut, sëpse pabesia dhe trathtia ndaj Popullit dhe Atdheut, janë thëmelët mbi të cilat asht i ndërtuem sistemi totalitar komunist. Të trija këto cilesi: Ndërgjegja, e vërteta dhe e mira, shkatrrohën dhe shpartallohën në mënyren ma mizore kur “Një popull asht i lidhun për kafshatën e bukës.” Pra, kur, një popull jeton në kushtet e një kafshës së lidhun tek huni grazhdit barit të thatë e, do të pijë ujë vetëm kur “kujtohët” diktatori, ndryshej, po kërkoj me zgjidhë litarin e pret plumbi. Kjo ishte jeta “e lumtur” e Popullit tonë!...
“Ndërgjegja, e vërteta dhe e mira”, janë e drejta, pikërisht, ajo që mungon gjithmonë aty ku mungon Zoti e, në sistemin komunist asht e padiskutueshme mungesa e Zotit. Anasjelltas, ku mungon Zoti mungon e drejta. Kjo asht edhe një ndër arësyet që ky sistem nuk pranon të drejtën e kritikës ndaj së keqës, që asht pjesë e të drejtave të njeriut. P.Meshkalla asht i vetdijshëm se tek komunistet mungon e drejta , po aty mungon edhe dashnia e vllaznimi e tue mungue të gjitha këto, shpejt do të mungojne edhe uniteti kombëtar që asht përfundimi ose shkatrrimi i pashmangshëm i Atdheut.
Në sistemin komunist “kafshata e bukës”, asht si stoli nën kambët e të lidhunit për fyt me konop. I hoqe stolin....litari ban punën e vet. Kështu, me këte ankth, tmer e frikë, gjithnjë i survejuem nga spijunët e Sigurimit, ka mbijetue për 50 vjet Populli Shqiptar!..jo, pak!
Po, kush guxoi me e thanë këte? –Vetëm një Burrë!...
- E, Ky Burrë, ka guximin me iu kujtue bishave të tërbueme komuniste se jam unë që nuk me tutët syni nga ju e, qé ku më keni:
-Jam Pjetër Meshkalla, meshtar katolik i Shoqënise Jezu.... e, nuk keni shka më bani!...
-Jam Ai,... Padër Meshkalla i vitit 1945 e, qé, jam prap sot në 1967!... “E, do të jem prap edhe mbas jush!... se s’keni shka më bani!”
Nënshkrimi: “Me nderime, Pjetër Meshkalla, meshtar katolik i Shoqënisë Jezu.”
Letra mbyllët në këte mënyrë që përnjëherësh Kryeministri tue lexue fjalën e fundit “Jezu”, me vue shënimin e tij që merrët me mend nga kushdo: “demaskojeni dhe veni prangat!”.
Kush e fitoi betejën?





PJESA E GJASHTË

AI FITOI !

Shkodër, 29 Prill 1967, ora 17.00.
Ditë e paharrueshme në historine e qytetit të Rozafës së thinjun.
Ashtu ndodhi, si kishte parashikue Padër Meshkalla. Atëditë u organizue një mbledhje e organizatës së Frontit të Lagjës “Tre Heronjë”, në Institutin Pedagogjik, për “demaskimin” e veprimtarisë fetare të klerikut At Pjetër Meshkalla. Kishte tri a katër ditë që binte në sy një grup rojesh që silleshin rreth shtëpisë së Tij. Mbasdite Ai doli nga shtëpia rreth orës 16.45’, me mërrijtë në mbledhje në orën e caktueme qyshë në mëngjez. Dy civilë të Sigurimit e pyesin: “Në mbledhje je nisur?” dhe, Ai i përgjigjët –“po!”-. Bashkë me disa të tjerë Ai hyni në Institut, ku përgjithësisht të gjithë ishin me ftesa. Në sallë nuk hyhej lirisht, aty zakonisht hynin të zgjedhunit dhe të porositunit që do të flisnin dhe duartrokitësit e njohtun ndër këto mbledhje. Në fund kur meshtarëve iu venin hekrat për “krimët” e bame, nuk mungonte ndonjë servil që do ti pështynte klerikët për veprën e Tyne fisnike e, këta njerzë të dalluem me gisht në Shkodër, nuk kanë mungue që nga viti 1944.
Hymja e P. Meshkallës në sallë u kuptue nga heshtja që ra aty, po edhe nga ata që ishin jashtë në rrugë mbasi në altoparlant u ndigjuen fjalët: “Qetësi, shokë, ...qetësi!”. Foli drejtuesi formal i asaj mbledhje Luigj Shala, sigurisht i zgjedhun nga Partia dhe mbas tij vazhduan diskutantët e përzgjedhun në të gjithë Shkodrën, me lexue diskutimët e fyemjet e pregatituna nga mendjët e “ndrituna” të pseudointelektualve, që punonin me ditë të tana për këto mbledhje. Mbledhja drejtohëj nga një presidium i përbamë nga Luigji, Vat Deda, Arif Gashi dhe Palok Kraja, që mbajti edhe referatin e hymjes. Filluan mbas tij diskutimët e zjarrta kundër Zotit, Fesë, klerit dhe në veçansi kundër jezuitëve, mbasi atij Urdhni i përkiste edhe P. Meshkalla. Dufin ma të madh kundër jezuitëve e shfreu Jup Kastrati. Ky ishte i posazgjedhuni “Kryetar i Komisionit të Përzgjedhjës së Leteraturës Fetare (Kishtare)”. Ai foli për rolin reaksionar që kanë luajtë jezuitët në Shqipni tue përfshi këtu krejt klerin katolik, madje, edhe ata prej të cilëve kishte vjedhë e përvetësue edhe librat e artikujt që ka kopjue e botue në emnin e vet. Mbas tij e mori fjalën mjeku Ramiz Hafizi, i cili u mundue me shpjegue disa “pakjartësi” të Biblës, por P. Meshkalla i tha: “Shko e lexoi mirë, se nuk janë të shkrueme kërkund tek Bibla këto që thue ti!..”. Foli edhe “shoqja” Angjelina Uli, së cilës në fund të diskutimit i shtërngoi dorën dhe e përgëzoi Shefik Osmani, për fjalët e “bukra” që shprehi në drejtim të Padër Meshkallës. U “duartrokitën” edhe diskutimet e Luçije Gerës, Dedë Kullës, Prenda Dodës, Jolanda Batalakut, Lazër Sekuj, Mandica Jovani etj. Nga salla u ndigjue edhe zani i Vasil Kafesë dhe i Xhemal Dinit që pyeti At Meshkallën: “Ti i ke shkrue Kryeministrit për Inkuizicionin, çka ke dashtë me thanë?” - P. Meshkalla me qetësinë e Tij iu përgjigj: “Shif fjalorin se ka shumë kuptime, ti merr cilin të duesh!”.... Asht kërkue me folë aty edhe mjeku Kol Pepa dhe mësuesi Mark Temali, të cilët nuk kane pranue. Mark Temali, kur asht kërkue me i dorëzue diskutimin Halit Isufi (atëherë drejtor i Gjimnazit), ai nuk e ka marrë se: “E kam pasë mësues P. Meshkallën dhe nuk mund të flas kundër Tij, sëpse nuk nderoj figurën e mësuesit me folë në këte moshë kundër mësuesit tem”. Për të dy Xhemal Dini, sekretar i Komitetit te Partisë ka njoftue Degën e Mbrendshme, “Me pasë në kujdes qendrimin e tyre....”. Xhemal Dini në mbledhjën me sekretarët e organizatave bazë mbajti edhe një referat me temë: “Puna e organizatave bazë të Partisë kundër paragjykimeve fetare, si aspekt i luftës së klasave dhe detyrat që dalin në këtë fushë.” (Referat i përmbledhur i shokut Xhemal Dini, në gazetën “Jeta e Re”, organ i komitetit te Partisë së rrethit Shkodër, me dt. 9 gusht 1967) ku, thotë: “Duke përfituar nga dobësitë e punës politike, ideologjike të disa organizatave të partisë, disa klerikë u përpoqën të ngrenë besimtarët kundër zhvillimit të kësaj lëvizjëje me përmbajtje të thellë revolucionare. Kështu p.sh. Dom Mark Hasi e Dom Pjetër Meshkalla hodhën parudha kundër Partisë dhe Pushtetit tonë....” (Pa fjalën Dom, nuk i dukëj prift At Meshkalla, “shokut” Xhemal!!....).
Për me formulue akuzën ndër këto mbledhje u jepëj fjala edhe klerikëve që nesër me thanë: “E dëgjuat se çfarë tha kundër Pushtetit? Ne nuk arrëstojmë njeri pa fakte!” dhe, kështu, u veprue edhe aty me P. Meshkallën. Kryetari i dha të drejtën e fjalës. Ai doli para auditorit dhe posa iu afrue podit të konferencierit, tha këto fjalë:
“Ah, sa mirë që po më nepët rasa me folë njëherë para popullit me altoparlanta!
Unë jam Katolik dhe besoj në Zotin! Po më vjen mirë, që, po flas prej një vendi, ku, kam mundësi me iu drejtue popullit tem, që më ka nderue, me ka respektue, me ka ndigjue fjalën teme dhe, më ka pritë e përcjellë në shtëpijat e veta, me dashni të madhe. Qellimi i em ka kenë gjithmonë i mirë...me predikue fjalën e Krishtit dhe dashninë ndërmjet të të gjithë njerëzve, të të gjithë njerëzve pa dallim Feje!... Këte kam folë në të gjitha shtëpijat ku kam shkue, ndër Katolikë e Myslimanë, mbasi jemi vëllazën dhe besojmë në një ZOT, jemi të një gjaku, sëpse, jemi të gjithë Shqiptarë... Ka shumë njerzë që kërkojnë me na shkatrrue, me na përça e nda, me zhdukë traditën, me prishë besimin, me mohue Krijuesin tonë, me rritë një rini sërvile e hipokrite, që nesër nuk do të iu durojnë ma as ju, do të ju shporrin qafët e, njëditë ka me ju hangër kryet... Ka këtu në sallë që nuk lanë gja pa shpifë kundër nesh edhe pse me të gjitha forcat kemi punue për Shqipni... Unë e kuptoj mirë që, ata, sot ashtu do të flasin mbasi ba mos me folë ashtu si ua kanë dhanë të shkrueme në letër, nesër pushohën nga puna e në darkë nuk kanë shka me u vue fëmijëve para me hangër, sëpse, të gjithë njerëzit janë të lidhun për kafshatën e gojës... Kjo, asht arësyeja për të cilën i kam shkrue udhëheqësit të Shtetit...kjo, më ka detyrue mbasi Populli Shqiptar asht popull besimtar dhe nuk asht vullneti i tij me prishë atë që ka ndërtue ai vetë me ndërgjegjën e tij... Kurrë, nuk asht Populli shkatrrues i Kishës e i Xhamisë, kurrë, nuk ka nxjerrë jashtë populli priftin e hoxhën nga katundi... Ju, i përgjithsoni vëprimët, ju flitni për Inkuizicionin e Shek. XV, por, ju harroni se shka jeni tue ba në Shek.XX....Njerëzit i dinë të gjitha, por nuk guxojnë me folë se nuk ka liri fjale e tashti nuk ka as liri feje e ndërgjegje....Unë, po ju tham këtu se Populli, nuk asht dakord me shka jeni tue ba ju, ai ka besue dhe do të vazhdojnë me besue në Zotin edhe pa Kisha e Xhamija... Ky vëprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi i juej para gjithë vendëve të Evropës, mbasi kjo që bani ju sot këtu bahët në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit! Vetëm këte mendoni, shka ka me thanë Evropa për ju! Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe, e di se ka 2000 vjet që Populli ka ndjekë e do ta ruej në zemër Fenë e Krishtit!” (Teksti asht marrë nga Z.N.M.).
U ndigjue një za nga salla, ishte “shoku” Xhemal Dini:“Që sonte populli do të djegin Ungjillin!” –Meshkalla iu përgjigj: “Digjeni edhe ju që sonte, se ka dymijë vjet që thërrasin shokët tuej me djegë Ungjillin e Feja e Krishtit veç sa vjen e forcohët! Shqiptarët nuk e djegin Ungjillin, këte e tham si Shqiptar që jam, mbasi kur kam lindë kam pasë vetëm një emën, ky ishte emni SHQIPTAR, se, linda nga prind shqiptarë. Mbasi u pagëzova me emnin Pjetër, më quajtën edhe Katolik, pra, ma parë jam kenë Shqiptar mandej kam marrë Sakramendët tjera dhe u bana Ushtar i Krishtit dhe i Papës, Mëkambësit të Krishtit në tokë. Emni i parë që kam marrë në këte tokë dhe e kam mbajtë me nderë, asht kenë emni Shqiptar dhe derisa të vdes do të jem SHQIPTAR! Unë i përkas Popullin tem se, ai me njeh mirë dhe e din sa kam ba unë për té, por ai mos harroni se ju njeh mirë edhe ju!”.....
Nga vendët e para u çue në kambë xhelati i njohtun i Sigurimit Xheudet Miloti (që ishte edhe Shef i Seksionit Katolik në Degën e P. Mbrendshme të Shkodrës) e, tue u ngërdheshë i vuni prangat. Parase të hynte P. Meshkalla në gjips të Sigurimit, krimineli e shtyni me shqelm...
Mbas Gjetsemanit, përsëri Kalvar,.... Kalvar i pafund ishte për Klerin Katolik Shqiptar rregjimi komunist! Çohëj e rrëzohej, gjakosej, dërmishej e pështyhej, rrahej e torturohej, varrosej për sëgjalli, mbytej e pushkatohej, tretëj nëpër zallishta e shkurre me coftina. Fluturonin në qiellin e zymtë korba e sorra me copa mishi, zhguni e veladoni në skjep e, askush në Botë nuk mori një “leckë” me Ua fshi fëtyrën e pastër këtyne Martirëve kaq të mëdhaj, të këtij Populli kaq të “vogël”!
Shikonte Evropa... e bante sehirë! Ndokush... edhe zgërdhihej!...
Pak ditë para se të arrëstohej Meshkalla, shkoi në një familje dhe posa hyni në atë shtëpi, plaka që po mbante një nip të vogël (L.K.L.) në dhomë i tha: “Qyqja, mor Padër, nuk di si flet kështu kundër këtyne, sa mire nuk ke frikë... Sa trim je !?...” – Ai, iu përgjigj: “Unë nuk jam trim, po unë po të pyes dishka, ba me ardhë dikush e me të thye shtëpinë dhe me kërkue me të marrë djalin e vogël, shka ban ti?” –“Prite Zot!...”-tha plaka- “as unë nuk e di shka baj për këte djalë!...” –“E, pra, kështu asht edhe puna eme, komunistët donë me më marrë Krishtin që unë e kam në shpirtë e në zemër, unë nuk do të ia lëshoj për sëgjalli!”.
Kësaj fjalë Ai i qëndroi deri në fund. Ja si u zhvilluan ngjarjët:


Padër Pjetër Meshkalla(Dosja 4191|1 Arkivi M.M.Tiranë,1998)
Hetimët fillojnë me 30 prill 1967, ora 08.00. Oficeri pyetës asht Llambi Jegeni, asistues Skënder Myftafaraj. Në kontrollin që u ba në shtëpinë e tij asistoi oficeri kriminel Dhimitër Shkodrani. Arrëstimi dhe kontrolli i shtëpisë u ba me urdhën të prokuror Faik Minarollit. Hetimët u banë në disa seanca gjatë muajt qershor, me dt. 10, 15, 20, 24, 26.
Pyetjet fillojnë nga materiali i mbledhjës së zhvillueme në Institut. Aty përsëriten thanjët e P. Meshkallës, të intërpretueme si vepra kundër Partisë dhe Shtetit, gja, të cilën P. Meshkalla nuk e pranon, mbasi: “Kur një përson i drejtohët Kryeministrit për probleme të cilat i shpreh ashtusi i mendon ai dhe ia shfaqë atij, ai nuk kryen asnjë faj dhe krim kundër Partisë as Shtetit, mbasi me iu drejtue Kryeministrit nuk asht aspak agjitacion, as propagandë!” Rreth letrës që P. Meshkalla i ka shkrue Kryeministrit, hetuesi mundohët me u largue si çeshtje, por kot se Meshkalla qëndron në mendimet e shfaquna aty. Përsa i përket veprimeve të Shtetit në drejtim të Fesë, ata për P. Meshkallën janë të papranueshme, janë shkelje e të drejtave të njeriut, për të cilat vetë Qeveria Shqiptare asht angazhue se do ti ruajnë të paprekuna. Madje, kundërshtimet e Tij ndaj veprimeve antikushtetuese të Shtetit, pranon se i ka vue në dukje që në vitin 1945, në takimin që ka ba në një shtëpi në Tiranë, me vetë Mehmet Shehun. Gjithashtu pranon se i ka shkrue një letër edhe Enver Hoxhës, për shkeljën e të drejtave të katolikve që në atë kohë, bashkë me At Frano Kirin, simbas vullnetit Imzot Frano Gjinit që kryente detyrën e Delegatit Apostolik të Vatikanit në Shqipni.
Hetuesi ngulë kambë se Padër Meshkalla, nuk asht riabilitue për kohën që ka vuajtë 15 vjet në burg herën e parë dhe, se, ka përhapë mendime që shumica e popullit nuk i mbështetë veprimët e Pushtetit. Njëkohësisht, kërkon të mbjellë tek rinia mendime që janë kundër vijës së Partisë. Përsa i përket “Revolucionit Kultural”, që po zhvillojnë masat e gjëra të popullit, Meshkalla e krahason me Inkuizicionin. Për me vërtetue se Meshkalla, ka propagandue kundër Pushtetit, hetuesi ka prëgatitë edhe një ballafaqim me spijunin Dedë Martin Kulla, me datën 28 qershor. P. Meshkalla nuk pranon asnjë nga shpifjet që i ban Deda.
Edhe pse hetuesit ndrrohen, metoda mbetët e njajta. Nuk ka njerzë shpifës që guxojnë me shkelë drrasat e hetuesisë për me i dalë përballë Padër Meshkallës, këte e tregon dosja. Të vetmin njeri që P. Meshkalla, tregon se i ka diftue ai vetë për letrën që i ka shkrue Mehmet Shehut, asht kushrini i tij Luigj Meshkalla, i cili atypëraty, i ka thanë: “Po, a ke luejt mendsh?” dhe P. Meshkalla, tregon si i asht përgjigjë: “Ka dy a tri vjet që mendoj me ia shkrue këte letër, por e gjeta kohën tashti...”. Përmbajtjën e letrës deklaron se nuk ia ka tregue as Luigjit, ndërsa, njerzë të tjerë nuk zehën në gojë, gja e cila vërteton se parashikimi i P. Meshkallës, që hetuesia mos me u interesue për të gjitha qoshët e skutat Shkodrës ku Ai kishte ba vizita e shërbime fetare, u realizue.
Mbas datës 28 qershor dosja ka vetëm shkresën përcjellëse për gjykatën me po atë datë të nënshkrueme nga prokurori Faik Minarolli, që i rekomandon gjykatës ndaj të pandehurit nenin 73/I-rë për dënim. Në dosjen përcjellëse janë futë edhe disa nga fletët e proçes-vërbalëve të hetuesisë së parë, të bame në vitin 1946-47, ku, nënvizohën nga thanjët e P. Meshkallës: “Pushtetin e kam luftue në të gjitha predikimët e mija....Pushtetin në Shqipni nuk duhët ta marrin komunistat, mbasi nuk do të na ndihmojnë shtetët e Evropës... Mbas çlirimit e rihapa rrethin e “Shën Pjetrit” se, mu lutën të rinjtë dhe unë e pashë të nëvojshme, mbasi kishin fillue me u implikue me komunista...”. Prokurori i përmbledhë të gjitha me një fjali dhe shënon: “I pandehuri ka vazhduar të vëprojë gjithënjë kundër Pushtetit Popullor.....”.
Kisha e Motrave Stigmatine (klubi i rinisë) ishte këthye në sallë gjyqi për klerikët që çdo javë po mbushnin birucat e Sigurimit. Pritej vëndosja e ndonjë parulle me karakter ateist në faqatën e saj dhe nuk vononte zhvillimi i gjyqeve, ku, edhe këtu pjesmarrja zakonisht bahëj me ftesa. Vehëj ndonjë altoparlant jashtë nga oborri i shkollës dhe aty kishe mundësi me ndigjue pjesët që nuk ndërpriteshin nga zhurmat e duertrokitjeve ose “difekteve” teknike të transmetimit, që nuk ishin të pakta kur përgjigjët nuk iu shkonin për shtat gjykatësve.
19 korrik 1967. Ditë e nxehtë si ditët e tjera të gjysmës së dytë të korrikut në Shkodër, që me gojën e popullit thirrëshin “djegagurë” pra, me plasë edhe guri nga nxehtësia. Bie në sy zharitja e lulishtave dhe e parqeve të qytetit. Njerëzit qarkullojnë shumë pak në rrugët e çveshuna nga pemët. Secili kalimtar kërkon një skutë me hije sa me futë kokën. Asfaltët e shkrime nga dielli përvlues dukën sikur janë shtrue në atë çast. Ndër rruga shihën vetëm nëvojtarët që kanë të domosdoshme daljën në këte pisk vape. Aty – këtu sheh ndonjë të njohtun në dyqan apo kafe, por tjetër kund nuk shihët asnjëri.
Kjo ditë asht gjetë që aty nga ora 14.00, në pishën e zhegut një xhips i Sigurimit të Shtetit me u ndalue para Gjykatës së Rrethit (tek shtëpia e Dr. Kadukut), dhe në mes të një grupi policësh të mbërthyem me armë në dorë rrethohët një Burrë, që shihët me vështirësi i lidhun duersh me hekra, imcak, i shkurtë, me ecje të shpejtë e hapa të vegjël, i kapun për krahësh nga këta bisha të çapërdisuna si zakonisht edhe pse gjahu asht i lidhun në pranga dhe, gati pa i takue kambët për trotuarin e rrugës e fusin në godinën trekatëshe të Gjykatës, shkapesin derën me forcë dhe...vetëm ndihën shulat e mbrendshëm që ndalojnë hymjen e cilitdo kalimtar. Këte herë gjyqi nuk u zhvillue tek Kisha!!..
Nga një proçes-verbal rreth dy faqësh, i mbajtun po ateditë me 19 korrik, në orën 14.00, shenohët: “Mbas hetimëve të bëra ndaj armikut të popullit Padër Pjetër Meshkalla, Gjykata e Rrethit të Shkodrës e përberë nga: Kryetar: Muhamet Tyli, anëtarë: Ferit Halluni e Gjovalin Jaku, prokuror Kostaq Shandro dhe kryesekretari Ibrahim Stankaj, me vëndimin nr. 44, dënoi të pandehurin Pjetër Meshkalla me 10 (dhjetë) vjet heqje lirie dhe me KONFISKIMIN E PASURISË (së tundëshme dhe të patundëshme). Ai u dënua me masën maksimale se edhe në gjyq deklaroi: -Se po të shprehin lirisht mendimët e tyre (njerëzit) ky Pushtet nuk ka për të zgjatur shumë.”(Marrë nga proçes-verbali i Gjykatës së Rrethit të Shkodrës). Dukët se ajo copë letër nuk tregon asgja, por, jo!...
Njenit prej njerëzve ma të vorfën të Shkodrës, i jepët vendimi i “konfiskimit të pasurisë” e, shka do ti konfiskohëj P. Meshkallës?
Në vitin 1988, pak ditë mbas vdekjës së P. Meshkallës, tek dera e shtëpisë seme me ndaloi fotografi Augustin Kiçi, i cili në botimin e parë nuk donte që të shkruaj emnin e tij dhe, më tha: “Do të tregoj një sekret, që nuk e di askush. Unë po ta diftoj ty mbasi kushedi si vjen puna... Njëditë, me 19 korrik 1967, aty nga ora 13.00, ka ardhë në shtëpinë teme një makinë e Sigurimit dhe një oficer më tha: -Merré aparatin fotografik me vedi, futi një film brënda dhe eja me né se kemi një punë! Më çuan në gjykatë dhe mbasi më futën në sallë, më thanë: -Fotografoje këte!... Të tham të drejtën, njëherë, mu dridhën duartë, po e mora vedin kur pashë që u çue para mikrofonit dhe para se me fillue me folë rregulloi koletin e këmishës, jakat e xhaketës, tërhoqi pak xhaketën e zhubulosun nga mbrapa, tue u mundue me u rregullue për mos me dalë i çkujdesun në fotografi. Ishte P. Meshkalla. Kryetari i gjyqit Muhamet Tyli, i tha: -Fol, shka ke me thanë fjalën e fundit!.. Ra një heshtje...
P. Meshkalla, iu afrue mikrofonit dhe, tha këto fjalë: “JU MË DËNONI SA TË DUENI, MBASI MUE NUK KENI SHKA MË BANI, UNË, PRAP SE PRAP DO TË DAL, SEPSE, JU, SHPEJTË KENI ME MBARUE, MBASI SHOSHOJNË KENI ME HANGËR E, ATY ASHT FUNDI I JUEJ! FEJA E KRISHTIT NUK MBARON KURRË!”
Më tregonte Augustini se i kishte ba disa fotografi dhe në fund të gjyqit ia kishin marrë filmin pra, nuk kishte asnjë. Në sallë nuk kishte njerzë me përjashtim të radhëve të para ku ishin vetëm pak vetë prej aktorëve të teatrit “Migjeni”. Kam pyet disa prej “tyne” për me ditë rreth zhvillimit të gjyqit, por të gjithë më kanë mohue praninë e vet aty.
Padër Meshkalla gjithnjë doli fitues mbi kundërshtarët, Ai gjithmonë e kudo i mposhti ata. Ai gjunjëzoi diktatorët ma të mnershëm e të pashoq që mund të kenë pasë historia e Shqipnisë. Ata para figurës së Tij ishin të pafuqishëm edhe për mjeshtrinë e flligtë të tyne, terrorin, torturën, gënjeshtrën, shpifjën e, sidomos kur para tyne ndodhëj i lidhun për karrigë e me duer mbrapa ndër pranga ndonjë Atdhetar apo Klerik, që përsonifikonte virtytin e burrninë e Shqiptarit, siç ishte At Pjetër Meshkalla. Qendrimi i këtyne burrave zbulon misterin... Ja një rasë:
Mbas dënimit mënjëherë e dërguan në kampin e kryporës së Vlonës. Posa kishte mërrijtë, i kishte tregue një mikut: “Jam kenë shumë i lumtun gjatë hetuesisë, se qyshë ditën e parë kuptova që gjatë kontrollit të shtëpisë seme, Sigurimi nuk kishte mujtë me e gjetë të Shejtnueshmin Sakramend që e kam pasë të mëshehun!”. Atje, Ai do të punonte ndër këneta për me realizue qellimin e komunistëve për të cilin ishin angazhue ata, –zhdukjën e Tij fizike-... Filloi punën me grupin e shokëve që ishte caktue. Shkonte rreth një ore në kambë larg kampit për me u gjetë në vendin e punës dhe me lopatë do të realizonte normën e caktueme. Mos realizimi i sajë sillte pasoja të randa për të burgosunit. Posa mori lopatën në dorë me fillue punën, çfarë ndodhi? Grupi i djelmëve të rinjë që ishin “bashfajtorë” me té, që ishin gjetë të gjithë prej Toskënije, të zgjedhun me qellim për mos me ditë kush asht “meshtari plak” prej Shkodre. Ata i kërkuan një nderë Pjetrit, mbasi ata nuk dinin në atë çast emnin me të cilin do të njihëj ma vonë shoku i punës i tyne. Ata kërkuan prej Pjetrit që ky të shkonte jo fort larg me mbushë ujë për me pi ata gjatë kohës së punës, atë rrugë ky do ta bante dy-tri herë në ditë. Kohën tjetër do ta kalonte nën hijën e një pemës aty afër, ndërsa normën e punës së Tij do ta kryenin djelmtë e rinjë.
He, pra, gjeni si ndodhi kjo punë!?... -Ata nuk e dinin fare kush asht Ky “plak” 66 vjeçar... nga Shkodra.
Ata dinin vetëm një gja; të dërmoheshin e të shkallmoheshin ndër moçale, kanale e këneta për me mujtë me nxjerrë të paktën kockat nga ai vend, mbasi gjithshka humbte në llomin e baltën që përzihej me gjakun e djersën e Tyne e, që, sa vinte dhe i thithte përmbrenda për me i kalbëzue, me i tretë, me i zhdukë, për mos me u pa ma në faqe të dheut, përveç karakterit të Tyne që sa vinte e brumosej me idealin për të cilin kishin hi në atë vend: Antikomunizmin. E, këta djelmë nuk ishin vetëm prej Tiranët apo prej Shkodrët, ku kishte punue e jetue Padër Meshkalla me rininë, por Ata ishin prej krejt Shqipnisë. Kjo ishte arësyeja që ata e respektonin sëpse, edhe Ai i përkiste rinisë së mbarë Atdheut.
Kaluan pak muej pranë asaj peme ku rrinte P. Meshkalla dhe, njëditë papritmas aty pranë ndalohët një xhips. Zbresin dy xhelatë dhe drejtohën nga oficeri i rojës për me ditë se cili asht P. Meshkalla, i flasin dishka në një anë dhe drejtohën nga Patri (mbasi kështu e thirrnin policët) dhe, e marrin me vedi... Ku e çuan? Çfarë kishte ndodhë? -Askush nuk mori gja vesht deri në darkë kur u këthyen të burgosunit nga puna... Kishin hy në zyrën e drejtorit te kampit dhe kanë kërkue nga Padër Meshkalla mos me shkue ma në punë tek kryporia, por me u angazhue me përkthime në një dhomë të veçante, sigurisht mbrenda kampit. Materiali që do të përkthente Ai aty ishte në gjuhën gjërmane dhe do ti sillej nga Tirana. Bahëj fjalë për veprat origjinale të matërializmit... Por, P. Meshkalla, i fortë, i palëkundun dhe trim si gjithmonë, nuk i len me vazhdue bisedën tue ia ndërpre fjalën: “Nuk pranoj me u marrë me këte punë mbasi nuk i jap as rinisë, as pleqve, të përkthyem me dorën teme helmin e marksizëm – leninizmit, atë helm kundër të cilit jam kenë gjithë jetën teme!”. Atëherë, ata e pyesin: “Çfarë punët tjetër din me ba ti?” –Ai, iu përgjigjët: “Vetëm Meshtar!”. Ata prap ngulin kambë: “Po tjetër punë shka din?” – P. Meshkalla iu përgjigjët: “Vetëm me thanë Meshë!”. –Po, mirë, mbas meshët me shka je marrë në shtëpine tande? –Vazhdojnë ta pyesin ata. “Jam marrë me lule” –iu pergjigjët Meshkalla. He, pra, sa mirë !...- i thonë ata, - Këtu para kampit ke me ba një lulishtë, punët e randa do ti bajnë tjerët, ti vetëm ke me u kujdesë për lulët, ndërsa, në kohën e drekës dhe të darkës ke me shpërnda në tavolinat e mencës rriskat e bukës për të burgosunit...një punë e lehtë, por, që, P. Meshkallën e kalonte pothuaj puntorë pranë mencës së kampit. Qé misteri! Sigurisht...ishte Zoja që po vepronte e, që, Ai kishte aq devocion në Té. Tashti edhe Ganxhia kushrina e Tij nuk mund ta ndiqte ma, ishte shumë plakë e shkreta dhe nuk mund të merrte ma rrugët e gjata, të largëta, të vështira, me shpenzime e plot strapaca që mund ti përshkruante vetëm nana eme. Ajo, i ka provue të gjitha tue shkue ndër kampe anë e kand Shqipnisë, prej derës së burgut të Kuvendit të Fretënve në 1946 e deri në të famëshmin Spaç, në 1977. Kur erdhi nga kampi i Vlonës, nana ishte e gëzueme se kishte pa P. Meshkallën tek lulishta para kampit, e kishte përshëndetë dhe ishte dukë mirë me shëndet. Ai i kishte tregue mbas telave me gjëma se merrëj me lule....dhe, nuk shkon ma ndër kanale e punë të randa... Polici e kishte lejue me folë këto pak fjalë....mbasi Atij nuk kishte kush ti shkonte ma atje me e pa, sëpse tashti nuk guxonte ma asnjëri me iu afrue atij vend....
Njëditë, kur P. Meshkalla, po merrëj me lule kishte shkue në Vlonë drejtori i burgjëve të Shqipnisë, ishte afrue tek Meshkalla dhe, e kishte pyet: “Pse punon kaq bukur pra, ti edhe nuk na don aspak né?!” – P. Meshkalla, iu përgjigj: “Asht e vërtetë që unë nuk iu due ju aspak por, më pëlqen me iu ba ju, që me gojën tuej me levdue punën e armiqve tuej!” Cila kulshedër komuniste mund të priste këto fjalë?
Ai mbështetëj mbi atë parim për të cilin edhe kujtohëj prej shumë qytetarëve të cilët dikur e kishin ndigjue zanin e fuqishëm të Tij, tue ushtue prej predikatorës së jezuitëve: “....e, dyert e ferrit nuk kanë me fitue,... nuk kanë me fitue e,... pra,... nuk kanë me fitue!...”
Kushedi, sa herë e përsëriste këte shprehje Gjovalin Prendi, i cili ndër shumë kujtime të tijat imitonte zanin e fortë dhe mimikën e Tij, ashtusi e kishte pa e ndigjue në predikatorën e Kishës së Jezuitëve, kur, ky ishte kenë student në gjimnazin e tyne.

Në vitin 1977, P. Meshkalla u lirue nga burgu.
Mbas lirimit erdhi përsëri në Shkodër, në çerdhën e vjetër.
Nuk shihëj shumë si përpara. Njëditë, u ndeshëm ballë për ballë, u ndalova dhe u përqafuam. Me tha, se, më kishte pa edhe njëherë tjetër, por kishte kujtue se kam frikë me u ndalue me Té. Unë, nuk e kisha pa. E pyeta, se, a del për vizita e më dha atë përgjigje që i kishte dhanë edhe nanës seme pak ditë maparë: “...Tashti shoh se jam plakë, nuk mundëm me durue ma ato vështirësi që kam kalue në hetuesina e burgje e, do të ruhëm mos me u arrëstue ma, se kam frikë se më torturojnë e me lodhin dhe, nga mosha e madhe tashti mund të turpnohëm për gjithë jetën!...”.
Kur vdiq Nana, në vitin 1984 dhe, tezja Rozë, në vitin 1987, Pader Meshkalla, ka ardhë, ka thanë urate tek kambët e Tyne dhe ka bekue trupat e vdekun të tyne. Ai ka ardhë si vinte dikur, kur Ata ishin gjallë. Ai bashkë me né në ato ditë ndiente dhimbjën e madhe të vdekjës së motrave të Tija, Ai gjithmonë kjé një vëlla i mirë i tyne...
Padër Meshkalla ia mërrijti asaj ditë që pat profetizue maparë. Ai pau me sy shka paralajmëroi, diktatorët me të vërtetë hangrën kokat e njeni tjetrit dhe këtij nuk patën shka me i ba. Ai dhe Ideali i Tij, FITOI!
E takova edhe njëherë përkrahu me Zef Mirditën (Bukën), pak pa mërrijtë tek dera eme dhe shkëmbyem pak fjalë rreth shëndetit, për të cilin mu ankue dhe para se të ndahëshim e përqafova si zakonisht...
Nuk më shkoj mendja aspak në ato ditë se ai ishte kenë takimi i fundit me Té!... Ai nuk kaloi kurrma andejpari….
Edhe pse kanë kalue shumë vite, shpesh e kujtoj dhe prap,…me vedi mendoj e, më dukët se, ….njëditë.... unë.... prap do ta takoj !….
Ai, bashkë me veprën e Tij, nuk vdes kurrë në kujtesën e atyne që e njohtën ose i kanë ndigjue vetëm emnin!
Unë kam besim tek Kisha….dhe, besoj se njëditë….jo larg…. Martiri At Pjetër Meshkalla do të jetë në vendin që meriton…. Ajo ka prova të mëdha prej Tij!…

Prof. Arshi Pipa, shkruan për Padër Meshkallën: “...Por, 25 vjet burg ndër burgjët staliniste, peshojnë ndoshta edhe ma randë në kandarin e martirizimit, se pushkatimi”.

Në muajn qershor të vitit 1992, me rastin e vizitës së Prof. Arshi Pipës, në Shkodër, një grup qytetarësh organizuam një peticion për dekorimin e At Pjetër Meshkallës. Firmën e parë e mora nga Prof. Pipa, në muzeun e Shkodrës dhe tue nënshkrue, Ai më tha këto fjalë: “Asht kënaqësi e madhe për mue me nënshkrue këte peticion, për një Burrë të Madh të Kombit tonë si ishte Padër Pjetër Meshkalla. Sigurisht, Ai ka me u dekorue me Titullin ma të naltë shtetnor, por për artistët ka për të qenë e vështirë me ngritë atë monument, në të cilin mund të shprehët Shpirti i Madh i Këtij Meshtari Katolik! U lumtë, për këte mendim që keni dhe Ju falëmnderës që më keni nderue me vue firmën e parë, për një njeri të madh siç ishte Padër Meshkalla!”.
Të nesërmën shkova tek Don Mikel Koliqi, i cili u gëzue shumë dhe mbasi firmoi peticionin më tha: “Ai e meriton, mbasi Ai nuk asht arrëstue kur i ka ra ndër mend atyne, por me punën e palodhun të Tijën në drejtim të Fesë dhe të Atdheut, ua ka shti Ai ndër mend atyne arrëstimin, gja të cilën na të tjerët nuk e kemi ba.”
Më datën 25 shtator 1992, ora 12.00, kam dhanë këte intervistë në Radio “Shkodra”, me rastin e dekorimit të At Pjetër Meshkallës S.J. prej Presidentit të Republikës,
“Me Medaljën e Artë PISHTAR I DEMOKRACISË”.
Kjo ishte medalja e parë që, i jepëj një Kleriku Katolik Shqiptar, prej një forumi të lartë të Shtetit Shqiptar, që nga thëmelimi i Tij.
Drejtor’i Radio “Shkodrës” atëherë ishte Z. Anton Çefa ndërsa, intervistuesi ishte Z. Albert Kurti. Për të dy ruej kujtime të mira!
Pyetje: Asht ba një peticion nga një grup qytetarësh për dekorimin e të Nderuemit Padër Pjetër Meshkalla, mëqë, në këte grup keni ba pjesë edhe ju çfarë mund të na thoni ?
Përgjigje: Peticioni që kemi ba në bashpunim me zotnijtë: Anton Benussi, Kolec Çefa, Refik Bushati dhe Sandër Kaçinari nga Tirana, gjeti përkrahjën e të gjithë nënshkruesve si në qytetin e Shkodrës, si edhe në Kryeqytet. Na ndihmuan në mënyrë të veçantë: Shoqata e të burgosunve politik të Shkodrës si edhe Kryetari i Bashkisë së qytetit tonë, Z. Filip Guraziu. Pranimi për shqyrtim dhe aprovimi i kërkesës sonë nga ana e Presidentit Sali Berisha, tregon se me të vërtetë ka ardhë koha e vëndosjës në piedestalin e merituem të demokracisë, së figurës së P. Pjetër Meshkallës....Këtij “Biri të rrebtë, të një Nanës së ashpër”, që, gjithë jetën punoi për Lirinë, Unitetin e Përparimin e Atdheut.
Pyetje: Ku konsiston vepra atdhetare e Këtij Patrioti?
Përgjigje: P. Pjetër Meshkalla asht ndër figurat ma të mëdha të Atdheut dhe Klerit katolik të salvuem nga diktatura komuniste. Për qytetin e Shkodrës asht nderë e madhe që nxori një Burrë si Ky. Ai ishte atdhetar i flaktë, se, primare për Té ishte kenja Shqiptar!
Që në moshë të re rreth vitëve 1925-30, prej vjershave të para e deri tek artikujt e Tij të rëndësishëm, në të cilët dallohët “Udhë e gabueme”, Ai lufton fanatizmin. Ai thotë: “Vëllazën me të gjithë, këso dore kemi me provue me fakte, se, asht e mundun bashkjetesa ma paqësore dhe ma e frutëshme me besimët tjera.”
Ai luftoi me gjithë shpirtë ndasitë fetare në gjithë Shqipninë. Libri që do të botoj për këte figurë të ndritun ka me i vlejtë rinisë me njohtë edhe ma mirë figurën e Tij.
Pyetje: ....mëqë materiali vlenë per rininë, a ka lidhje kjo me ceremoninë që do të zhvillohët në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës?
Përgjigje: Sigurisht, që po! 25 vjet maparë, në “Revolucionin Kultural”, dijetarët dhe klerikët mendjendritun thirrëshin po në këte auditor dhe, aty iu vehëshin hekrat. Pikërisht aty me 29 prill 1967, u arrëstue edhe P. Meshkalla, Ai Burrë që edhe i pranguem gjujzoi para Tij bishat komuniste, bashkë me ata pseudointelektualë sherbëtorë besnikë të marksizëm-leninizmit, shkatërrues të artit, kulturës dhe arësimit tonë kombëtar.
Për të gjithë qytetarët e Shkodrës dhe mbarë Popullin Shqiptar, jeta dhe vepra e P. Meshkallës, mbetët simbol i atdhetarizmit, besës, burrnisë, fesë, trimnisë, bujarisë, fisnikisë Shqiptare dhe Nderës ndaj Flamurit tonë Kombëtar! Ju falëmnderës!

Në Universitetin “Luigj Gurakuqi” ditën e shtunë,
me 26 Shtator 1993,
në orën 18.00, Populli i Shkodrës me gëzim priti lajmin që:


PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË SHQIPNISË

Dekoron:

PADËR PJETËR MESHKALLËN S.J.
Me medaljën e artë
“P I S H T A R I D E M O K R A C I S Ë “







Kaq kam dijtë e, kaq mujta për Ju,


PADËR MESHKALLA !

Lutu per né,
E, për Shqipninë Tande!
Autori



MBYLLJE:


ALBANIAN CATHOLIC BULLETIN
BULETINI KATOLIK SHQIPTAR
(1993 – VOL. XIV, fq. 231)

Radovani, Fritz: At Pjetër Meshkalla, S.J.
Shtypshkroja “At Gjergj Fishta”, Tiranë 1993.

Me sa dij, ky asht libri i parë kushtue jetës e veprës së nji kleriku katolik qi botohët në Shqipni mbas përmbysjes së komunizmit. Me shkrue për At Pjetër Meshkallën, e në të vërtetë për secilin meshtar katolik të mbytun mizorisht nga plumbat ose torturat, puna e detyrueshme në kampët e vdekjës ose helmimi prej dorës së komunistave, do të duheshin volume të tana. Fritz Radovani, auktor i këtij punimi të shkurtë por të ndieshëm e plot inspirim human e fetar, e ka vue rruzën e parë në kollanën e artë t’atyne fatosave që ranë flijë për fé e atdhé. Tjerë auktor si Fritzi të marrin tash shembull e të vazhdojnë me ia shtue këto rruza kollanës me shkrime e vepra tjera për martirët tonë.
Libri At Pjetër Meshkalla S.J., ndahët në tri pjesë. Në pjesën e parë auktori përmbledhtas e me një gjuhë të thjeshtë e të afërme me lexuesin, si i thjeshtë e i afërm ka qenë vetë At Meshkalla, paraqet jetën e tij si atdhetar, meshtar e jezuit me bindjet e tija të forta filozofike, fetare e humane. Radovani përshkruen këtu argumentat e të vërtetat të shqiptueme në rasa të ndryshme prej meshtarit jezuit, që janë ba tashma si lëgjendë e thesar shpirtnuer jo vetëm për katolikët, por për tanë shqiptarët e ndershëm e liridashës. Qé disa shembuj nga libri:

Prej melodise së lehtë të zanit të tij ruhën prap këta tinguj... “Vëllazën me të gjithë, pa dallim feje!” Asht Ati i madh, Ati i të gjithëve, myslimanë e të krishtenë, me fé e pa fé, që hapte krahët e u thontë... “Eni, eni djelmët e mij, durim, të lutemi për ta dhe ti falim!” dhe, sëbashku me të gjithë vazhdonte vuejtjën e mjerimin e pakufi, gjithmonë si Féja e pat mësue, tue pritë delën e humbun... E kur tirani me sy të ngërthyem si mordja, na dukëj n’ate skëterrë, e plot lakmi shifte rininë shqiptare, kah gjak në vetull vëllau vëllaut po i merrte si t’ishte i huej që kombin po i shklet; i Madhi Meshkalla, veç brofte në kambë e zani, si prej vorrit naltohëj deri në qiell: “Na nën dhé e, ju, mbi dhé, por na jemi ma të fortë se ju!”....
Kur britën me djegë Ungjillin – nji za u ndigjue – inkuizicion...! E Ati u tha: “Digjeni po deshët, se as ju nuk keni për t’ia dalë, si paraardhësit tuej, që tash 2000 vjet veç djegin Ungjijtë, por féne e Krishtit nuk kanë mujtë me e zhdukë!” Mizorët terbohën ma zi kur Burri dy pëllambë i shkurtë u thotë: “Unë në Zotin besoj e, do të fitoj... Ju më dënoni sa të dueni, se unë prap se prap do të dal, ju, shoshojnë keni me hangër e, aty asht fundi i juej! Feja e Krishtit nuk mbaron kurrë!”.

Kjo pjesë e librit përshkruen episode tjera të fuqishme nga jeta e këtij martiri në pritje me u shpallë shpejt Shenjt.
Episode me rendësi e tronditëse që sjell libri i Radovanit asht ajo e mbledhjës së përgjithëshme të arësimtarëve me 1967, në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës, gjatë fushatës se turpëshme të “Revolucionit Kultural”.

“Unë jam katolik e besoj në Zotin!”, ishte deklarata e Meshkallës, “...Se po të shprehin lirisht mendimet e tyne (njerzit), ky pushtet nuk ka për të zgjate shumë!”, kjo deklaratë i tërboi pjesmarrësit e shumë prej tyne bërtitën “Pusho, fashist reakcjonar!”. Ndër ata që folën dhe e shanë Meshkallën me përkushtim e zell partiak ishte edhe Jup Kastrati, që sot mban ligjerata i ftuem nga diaspora e New Yorkut!!!

Pjesa e dytë e librit përmban poezi e shkrime me thema të ndryshme shkrue prej At Pjetër Meshkallës. Qé nji poezi të cilën auktori e ka shkrue gjatë burgimit të tij në Burrel e, asht në themën e Shën Augustinit:

JETË E RÉ
Në zemrën time lindi jeta
...................................................
BB(Burgu i Burrelit)1954 (shif tek Pjesa e II-të, faqe 32.)

Pjesa e fundit e librit të Fritz Radovanit për At Meshkallën, riprodhon shkrime zyrtare nga “Bashkimi” e fletore tjera komuniste kundër këtij tribuni të pamposhtun për fé, liri e drejtësi. Po ashtu botohën disa intervista si, dhe nji biografi e shkurtë e martirit.
Në fund njoftohët për dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipnisë, Dr. Sali Berisha, me të cilin At Pjetër Meshkalla S.J. dekorohët me Medaljën e Artë “PISHTAR I DEMOKRACISË”.
Libri i Fritz Radovanit asht për t’u lexue nga çdo shqiptar që mban për zemër parimët e shenjta të atdheut, fesë e lirisë.
Palokë PLAKU
(Pseudonimi i Prof. Gjon Sinishtës)



I dashtun Fritz!
Palok Plaku, Lul’ash Dajçi si dhe, Agim Kosova janë pseudonime të mija.
Të falëmnderës për materialin “11 Mars 1948”, të cilin do ta botoj në numur XV (viti 1994), qi do të jetë i fundit nga shkaku i smundjës së randë që kam.
Tue t’urue shndet e çdo të mirë shpirtnore e trupore:
Të perqafoj,
Gjon Sinishta (firma)

Shenim: Vuna artikullin dhe letrën e të Ndjerit Prof. Gjon Sinishta, në shenjë mirnjohje dhe respekti të përjetëshem, për vlerësimin që i ka ba punës seme modeste.
Ky asht i vetmi artikull që u botue për librin tem mbrenda e jashtë Shqipnisë!

Me nderim të veçantë,
Melbourne 2004. Autori


A L B A N I C A
A Quarterly of Albanological Research and Criticism
Editor: Arshi PIPA

27 - nandor - 1993
I dashtun Fric,

....Devocioni i juej ndaj At Meshkallës asht shembullor. Edhe shkrimi asht në rregull, i rrjedhshëm dhe shprehës. Ka të meta në pikëzim, por ti shkruej, shkruej...se ka me dalë ndonji ... si unë e ka me i rregullue pikat e presat....prap, po përsëris ti vetëm shkruej!...
Ju lumtë ju për guximin me i kujtue klerikët katholikë se ata që pranojnë me shkrue në gjuhën e ndysuar, tue pasë trashigue gjuhën e Bogdanit, të Fishtës e të sa tjerë klerikëve shkodranë e Gegë, ata veçse turpnojnë vetën.
Më vjen shumë mirë me ndigjue se Patër Meshkalla asht nderue me nji ceremoni e cila qenka incizue prej jush. Me At Meshkallën kam pasë miqësi, tue çmue fort karakterin e tij e, të cilit i përshtatët si pak kujt binomi i Fishtës për “Atmë e Fé”.

Tue ju urue çka ju don zemra,

Arshi Pipa

Bashkë me këte letër të Prof. A.Pipës, kam marrë edhe një letër tjetër nga Z. Juljan Çefa, po nga Amerika dhe, po kaq të ngrohtë sa letra e të nderuemit Profesor. Mbetëm mirënjohës!
Melbourne, 2002. Autori.


P Ë R M B A J T J A :


1. AI ISHTE faqe 5
2. PJESA E PARË 8
3. PJESA E DYTË: Nga Padër Meshkalla: Poezi e Kujtime 24
4. PJESA E TRETË: At Pjetër Meshkalla S.J. (Biografi e shkurtë) 53
5. PJESA E KATËRT: AI NUK PËRKULEJ 56
6. PJESA E PESTË: AI NUK THEHËJ 69
7. PJESA E GJASHTË: AI FITOI 87
8. MBYLLJE 101
9. Indeksi i emnave 105






















INDEKSI I EMNAVE

Shenim: Numri pranë emnit asht nr. i fq. librit ku ndodhet emni.

ALBANIAN CATHOLIC BULLETIN –
V. 1993, fq. 100
ALBANICA –1993, 103.
A.M.M.T. (Arkivi i Ministrisë së
Mbrendshme Tiranë), 61
Alia Ramiz, 73, 74
Alimëhmeti Xhemal, 16
Alimhilli Zef, 7
Aristoteli, 39

Baqli At Aleks, 18, 69
Bakiu Ali, 58
Banushi Imz. Irené, 13, 53, 64
Batalaku Jolanda, 87
Benussi Anton, 97
Berisha At Florian, 69
Berisha Sali, 97, 102
Biçaku Ibrahim, 10
Bonaparti Napoleon, 32
Bonatti Imz. Jul, 4, 69
Brezhnjev Leonid, 71
Brioti, 62
Buka (Mirdita) Zef, 25, 96
Bumçi Imz. Luigj, 53, 58, 62
Burgu Burrel (B.B.), 4, 10, 41,
Bushati Don Jak, 69
Bushati Refik, 97

Croce B. 49

Çefa Anton, 97
Çefa Juljan, 103
Çefa Kolec, 97
Çitaku Ramadan, 58
Çoba Imz. Ernesto, 12, 13, 14
Çuni Don Pjetër, 78

Dajani At Danjel, 4
Deda Pjetër Ded, 65, 66
Deda Vat, 86
Dega e Punëve të Mbrendshme, 62
Dini Xhemal, 87, 88, 89
Doda Prenda, 87
Dodaj At Pal, 69
Doçi Don Anton, 69
Dun Mao Ce, 71

Fausti At Giovani, 4, 64
Fishta At Gjergj, 6, 10, 52, 78, 80, 100
Frisku Don Rrok, 69

Galilei Galileo, 82
Gashi Arif, 86
Gazeta “Tomori i Vogël”, 51
Gazeta “Bashkimi”, 59
Gazeta “Zëri i Popullit”, 71
Gazulli Don Nikoll, 56, 78,
Gera Luçia, 87
Gruda Don Pjetër, 56
Gurakuqi Luigj, 5, 98
Guraziu Filip, 97

Gjadri At, 64
Gjeçaj At Buon, 69
Gjeçov At Shtjefën, 78
Gjini Imz. Frano, 4, 62, 63, 90
Gjini Pjetër, 90
Gjoka Don Injac, 69, 78
Gjuhadol Rruga, 16, 27, 57

Haberi Imz. Gjergj, 69
Hafizi Ramiz, 87
Halluni Ferit, 92
Harapi At Mark, 78
Hasi Don Mark, 69, 80, 87
Haxhubej, 71
Haznedari Nevzat, 72
Hoxha Enver, 19, 53, 56, 62, 65, 67, 71,82
Hoxha Pranvera Enver, 72
Hrushov Nikita S. 70, 71

I.N.R.I. 6
Isaia Profet, 23

Jakomoni, 63
Jaku Gjovalin, 92
Jegeni Llambi, 90
Jovani Mandica, 87
Jubani Don Simon, 21
Juka Musa, 63

Kaçinari Sandër, 97
Kafeja Vasil, 87
Kaduku Dr. H. 54, 92
Kalaja “Rozafat” 80,
Kallmeti Dava, 16, 17
Kapo Hysni, 73
Kardinal Mikel Koliqi, 69, 97
Kardinal J. Minzenti, 15
Karma At Gjon, 69
Kastrati Jup, 87
Kastrioti-Skëndërbé Gjergj, 5, 21, 69, 73, 88
Kenedi Xhon, 70, 71
Kiçi Augustin, 92, 93
Killer Petar 58
Kiri At Frano, 53, 54, 62, 63, 69, 90
Kisi Imzot, 56
Kisha e Madhe, Kathedrale, 29
Kleri Katolik Shqiptar, 11
Kulla Dedë, 87, 90
Kokoshi Gjergj, 10
Kolegji “Saverian” i Jezuitëve, 12
Konomi Manol, 58
Kovaçi Don Ejëll, 14, 69
Kraja Palok, 86
Kuçi Riza, 67
Kurti Albert, 97
Kurti At Donat, 54, 78
Kurti Don Shtjefën, 53, 63, 64

Laca Don Tome, 69
Lai Çu En, 71
Leci Tome, 16
Leka Luigjina, 54
Lenin Vladimir I. 71
Linz, Austri, 7
Lufi Don Ndré, 69
Lumaj At Gegë, 18, 69

Llupi At Bernardin, 4, 57


Malaj Don Dedë, 4, 13, 57, 69.
Maksen At Zef, 11
Marks Karl 71,
Marksizëm – Leninizmi,
Marku Gjin, 15
Martini Gjergj, 57
Mazrreku Don Nikoll, 18
Melbourne, 3
Meshkalla Age, 8, 52
Meshkalla At Pjetër, 2-103
Meshkalla Hilë, 52
Meshkalla Luigj, 91
Miloti Xheudet, 89
Minarolli Faik, 90, 91
Mojsiu Spiro, 58
Musta Agim, 67
Muzaj Don Anton, 69
Muzhani Don Pashko, 18
Myftafaraj Skënder, 90

NANË Tereza Bojaxhiu, 73
Nigris Imz. Leone, 11, 56
Nika At Çiprian, 4

Oboti Rrok, 53, 64
O.K.B. (“Organizata e Kombëve
të Bashkueme”), 83
Osmani Shefik, 87
Ovidio Fr. D. 49

Papa Piu XII, (1939-1958), 11, 53, 60, 66
Papa Gjoni XXIII, (1958-1963), 71
Papa Pali VI, (1963-1978)
Papa Gjon Pali I, (1978-1978).
Papa Gjon Pali II, (1978-....., fq.18
Parubi Kol, 57
Patriku M. Cerulari, 61
Patriku Foti, 60, 61
Pepa Dr. Kol, 87
Pilati Ponsi, 73
Pipa Arshi, 9, 67, 96, 103.
Plani Don Dedë, 69
Prela At Marian, 69
Prendi Frano, 14
Prendi Gjovalin Sh. 95
Prennushi At Mati, 4, 8, 63
Prennushi Don Kolec, 7, 9, 12, 13, 58, 69,
Prennushi Imz. Vinçenc, 63, 69
Prennushi Nine, 9
Prennushi Pjetër, (ose Tukja K. Dedës) 8
Prennushi Roza, 96
Psim (Pseudonimi), 46

Radovani (De Angeliis) Fritz, 3, 74, 100, 103
Rozafa, 87
Rëmaji, 20, 21
R.P.S.Sh. Republika Popullore
Socialiste e Shqipnisë, 83
Revista “Leka”,
Revista “Kumbona e së Diellës”
“Risospastis” në Greqi, 65

“Sant Elena”, 18, 32
Seiti Hilmi, 53, 70
Sekuj Lazër, 87
Serreqi At Karlo, 69
Sigurimi i Shtetit, 7,....
Sinishta Gjon, 102
Sirdani Don Aleksandër, 78
S.J. “Shoqnia Jezu”, 2, 6, 7, 8
Spiro Nako, 62
Stalin Josif V. 53
Stankaj Ibrahim, 92
“Statuti i Kishës Katolike Shqiptare”,53
Suma At Gaspër, 69

Shajaku At Leonard, 69
Shala Luigj, 86
Shandro Kostaq, 92
Shantoja Don Lazër, 56
Shehu Mehmet, 11, 15, 75, 83, 90, 91,
“Shën Pali”, 21
“Shën Gjon Bosko”, 10
“Shën Pjetri”, 10,
Shkodrani Dhimitër, 90
Shllaku At Gjon, 4
Shllaku Don Mark, 69
Shllaku Imz. Bernardin, 57
Shllaku Maria, 57

Tari (Kraja) Hafiz Ali, 9, 10,
Temali Mark, 87
Tito Josif B. 53
Topalli Pjetër 61,
Toto Leka, 67
Tracki Don Alfons, 4, 11
Treska Lazër, 58
Troshani At... , 62, 64,
Tunxhi Njazi, 16
Tusha Don Pjetër, 69
Tyli Muhamet, 92

Uli Angjelina, 87

Valentini At Zef, 13
Vata At Gjergj, 56
Veronika, 5
Viena, 8
Vishinski, 72
Wisdorf Major, 58
Xoxe Koçi, 77
Zadêja Don Ndré, 4, 56

Fundi i librit.