Mbi krimet e komunizmit në Shkodër e Malësi - nga FRITZ RADOVANI

FRITZ RADOVAN
KËSHTJELLA E FUNDIT ASHT VETËM
“FLAMURI I POPULLIT SHQIPTAR”!

Valvitja e Flamurit tonë Shqiptar …
Le të sjellin flladin e Lirisë ,Drejtësisë e Paqës
Përmbi të gjithë Ata Atdhetarë ..,
Viktima të genocidit komunist,,
Që dhane Jetën e Tyne, në të gjitha Trojet Shqiptare për Shqipninë e Shqiptarve,,.
Për Lirinë e Shqipnisë së robnuemeEvropjane
Dhe , për një Shqipni Demokratike .

Melbourne Korrik 2010. Autori.

HYMJE


I. SHQIPNIA E SHQIPTARËT E SHEKULLIT XX.

Jo, vetëm, nuk jam historian po, edhe kam neveri për këte titull akademik, mbasi nuk asht e largët ajo kohë kur njerzit që janë sot në Shqipni, apo të shpërndamë nga universitetet shqiptare me këte “gradë shkencore”, do të konsiderohen me veprat e veta, falsifikatorë mashtrues të historisë, kopjues ordinerë të psaltit bolshevik të Enver Hoxhës, e bashkë me te ata të gjithë do të quhen përjetsisht demagogë e trathtarë të Atdheut, shkatrrues të Shtetit Shqiptar, përçarës dhe nxitës pandërpremje të luftës vëllavrasëse komuniste të Popullit Shqiptar në të gjitha Trojet tona!
Kam lexue disa libra rreth Historisë së Shqipnisë, Popullit Shqiptar dhe Flamurit tonë Kombëtar, pra, Flamurit të Gjergj Kastriotit Skenderbeut…Mendimin e mësuesve të parë të mij për Flamurin Kombëtar, të profesorve Gasper Ugashi, Simon Rrota dhe Gaspër Jakova, e kam përforcue me një bisedë ma vonë me profesor Koli Xoxe, kur ishte në Institutin Pedagogjik të Shkodres. Atë mendim kishin edhe klerikët Don Nikoll Mazrreku, At Pjetër Mëshkalla dhe At Konrrad Gjolaj, se “dy kokat e Shqipës janë vështrimi Përendimor e Lindor i Shqipnisë…etj.”.
Asnjëherë Shqiptarët nuk kanë ba as nuk mendoj se do të arrijnë me ba lufta fetare jo, vetëm, mbrenda Trojeve të veta, po, as kundër vendeve të tjera me besime të ndryshme fetare. Kjo cilësi asht e lindun bashkë me Atdhedashuninë e pakufi që ky Popull e trashigon në shekuj. Skenderbeu luftoi kundër Turqve Otoman, sepse, ato ishin zaptuesit e Atdheut të Tij Shqiptar. Ishte e natyrshme që Bizantinët deri atëherë edhe ata zaptuesit tonë nuk do ta përkrahnin kurr një Udhëheqës Ilir që po luftonte për Liri të Shtetit Shqiptar, krejt i “panjohtun” prej tyne, kështu, Ai u detyrue me sjellë fëtyren e vet dhe me kerkue mbështetje nga Papati, Napoli, Venecia dhe nga Përendimi, të cilit, natyrshem Shqipnia i ka përkitë gjithmonë. Shqipnia asht ndër vendet e para në Evropë që njohti Krishtënimin që në vitin 65 - 67 mbas Krishtit, me ardhjen e Shën Palit në qytetin e Durrësit. Ajo edhe pse kaloi salvime të mëdha, edhe pse u pushtue, edhe pse u përsekutue si e tillë, duhet pasë gjithmonë parasyshë thanja e Imz. Fan S. Nolit, se: “Malësorët e Veriut mbetën të Krishterë me armë në dorë..” Pra, kur Shqipnia ishte me Skenderbeun edhe Bizanti u pushtue 10 vjet mbas vdekjes së Tij, ndersa, pa Skenderbeun edhe Evropa do të kishte pasë të njajtin fat si Bizanti, por, me siguri para tij…e, kjo histori, sikur, …asht “harrue” edhe nga vetë Evropa!
Qellimi i këtij shkrimi nuk asht aspak ky. Kur turqit pushtuen Shqipninë dihet se qellimi kryesor ishte kalimi në Evropën Përendimore nëpërmjet “urës” Shqipni. Atëherë, kur një Evropë mërriti me kuptue domethanjen e fjalve të Papëve, se: “Gjergj Kastrioti Skenderbeu asht Atlet i Krishtenimit!”, Ajo pranoi se me të vërtetë shpëtimtari i saj kje një Shqiptar, të cilit, mbas vitit 1900 i ngriti disa monumente ndër qendrat e qytetnimit të shpëtuem prej Tij tue, fillue nga Roma, Brukseli etj..
Asaj kohë të lavdishme që Shqiptarët e njohtën “Koha e Skenderbeut”, Asaj dhe vetëm Asaj i përket formimi i Shtetit Shqiptar, Flamuri i Saj me Shqipën Dykrenare dhe Gjuha Shqipe e shkrueme në Formulen e Pagëzimit nga Imzot Pal Engjulli në vitin 1462. E, Ky Shtet kishte edhe “Kanunin” e vet…të cilin, At Shtjefen Gjeçovi ia la Popullit Shqiptar, tue e ruejtë në zemer dhe tue e shkrue me Gjakun e vet, i vramë trathtisht nga serbët, trashigim i madh për brezat e ri të Shqipnisë Evropjane. E, mos harroni, se të gjithë këta dokumenta janë të shkrueme në gjuhën shqipe me shkronja latine! Ky “Alfabet” u përpunue dhe u aprovue në vitin 1908 në Kongresin e Manastirit, po, vetëm se, Autori i Tij At Gjergj Fishta, me te ka lanë të shkrueme kryevepren e vet “Lahuta e Malësisë”, me të cilën Bota e njohti “Poeti Kombëtar Shqiptar”, që ende vazhdon me kenë i “dëbuem” nga komunistët “demokrat”…prej të gjitha fushave ku la krijimtarinë e Tij.
Prof. Namik Ressuli, tek “Shkrimtarët Shqiptarë”,fq. 12-13, shkruen: “Shkrimtarët kryesorë të këtyne shkrimëve janë: Buzuku, Budi, Frangu i Bardhë, Bogdani e Kazazi... a) lënda është gati krejt fetare pse u shkrua me qellim kryesor që të mbajë të gjallë e të forcojë në katholiket e Veriut fenë katholike, e cila nën pushtimin otoman kish nisur të shkatërrohej e të çdukej;...Padyshim ky prodhim Verior është më i rëndësishmi i prodhimëve të pjesës se parë të leteraturës shqipe, si nga pikëpamja e sasisë dhe e gjerësisë si dhe nga pikëpamja e lendës dhe e mbrendisë. Këta shkrimtarë të vjetër të Veriut nuk janë vetëm të parët që filluan njëfarë lëvizje kulturore në vendin tonë, nuk janë vetëm të parët që i dhanë shqipës një alfabet – alfabetin latin – po janë edhe të parët që mendojnë e punojnë për Atdhenë e gjuhën e tyre, për Shqipën e Shqipërinë. Madje, nga kjo pikëpamje kombëtare ky prodhim munt të lidhej drejtë për drejtë me atë që erdhi pas Lidhjës së Prizrenit,”… Dhe, vazhdon: “Shkrimtarët më të përmendur të prodhimit toskë orthodoksë janë: Theodor Kavalloti, “Dhaskal” Dhanili, Kostë Beratasi, G. Gjirokastriti, .... Po shkrimtarët e vjetër të jugut në veprat shqipe që na kanë lenë nuk dëftejnë as doktrinën, as vlerën dhe as ato pakë ndjenja atdhetare që dallojnë vëllezërit e tyre gegë. Ata janë vërtetë të parët toskë që shkruajnë gjuhën tonë, po nuk e përdorin këtë si qellim në vetvehte po si mjet, me anë të së cilës donin të përhapnin njohuritë e fesë orthodokse.”.
Shkollat e para shqipe fillojnë me dokumentat e shkrueme që nga viti 1638, shënon në studimet e Tija, (të cilave, unë do ti mbështetëm për saktësinë e tyne) dijetari At Donat Kurti O.F.M., shkollën shqipe të Pëllanës me 25 nxanës.
Nga viti 1555 e deri në vitin 1690, njohim 9 autorë të Veriut, me 12 vepra, që janë themeli i historisë së gjuhës së sotme shqipe të shkrueme, nga: Buzuku, Bardhi, Budi, Bogdani, Tivarasi, Kazazi. Në vitin 1493 përmendet ndër të parat shtypshkronja ajo e Obotit...
Nga viti 1700 e deri në vitin 1900 njiheshin 43 autorë, me 92 vepra të shkrueme dhe 10 dorëshkrime, që ruheshin bashkë me thesarët tjera të kulturës shqiptare në bibliotekat e muzeumet e Françeskanëve dhe të Jezuitve të Shkodrës, por, që mjerisht, ata u plaçkitën e zhduken bashkë me nomizmatikën dhe grumbullimet arkeologjike të At Shtjefën Gjeçovit, në vitin 1945 nga shovenistët sllav me dorën e komunistëve shqiptarë si gjithnjë, sherbëtorë e hajdut fanatikë anadollakë shkatrrues të kulturës shqiptare.
Në vitin 1800 e deri në vitin 1861, ka disa shkolla fillore në këte qytet, ku, njihen edhe emnat e mësuesve, ndërsa, në Kosovë asht e ditun shkolla e Gjakovës, Pejës dhe Prizrenit.
Në vitin 1859, Jezuitët hapin edhe Seminarin për shkollimin e priftënve shqiptarë që zotnonin, latinisht, italisht dhe greqishtën e vjetër. Gjuha shqipe ishte që në fillore.
Në vitin 1861, Françeskanët hapin shkollën e tyne fillestare. Në vitin 1902, asht drejtor i kësaj shkolle At Gjergj Fishta, i cili vuni gjuhë të detyrueshme mësimi në të gjitha landët Gjuhën Shqipe. Njëkohësisht me 24 Dhetor 1880, Leonardo de Martino shfaqë në Kishën e Fretënve një dramë baritore që pasohet me shfaqje tjera teatrale, në një lokal të vogël pranë shkollës, lokal teatri që asht edhe sot pranë asaj fidanishte Atdhetarësh për gjithë Shqiptarët.
Në vitin 1921 janë Motrat Stigmatine që hapin dyert e shkollës së tyne dykapakësh për vajzat e të gjitha besimeve nga gjithë vendi, tue ndertue edhe një konvikt me 72 vende fjetje.
Krejt pranë Kishës së Shirokës, në shtëpinë e Kol Radovanit, në një dhomë të vogël, asht hapë shkolla e parë në gjuhë shqipe, simbas dokumentit të arkivit të Argjipeshkvisë Shkodër, (Rregjistri i Famullisë së Shirokës, fq. 22) ku, shënohet viti i hapjes: 1874 dhe, famullitari Don Zef Ashta, që ju mësonte fëmijve gjuhën shqipe dhe aritmetikë...
Në vitin 1922, me vendim të Ministrisë së Arësimit hapet edhe Gjimnazi shtetnor, me studentë nga gjithë Shqipnia, në ndihmë të të cilit ka funksjonue edhe konvikti “Malet tona”. Drejtorë pat profesorët: Luigj Shala, Xhevat Korça, Mirash Ivanaj, Anton Deda dhe S. Luarasi.
Pra, para vitit 1900 në Shkoder, u hapën përveç shkollave të para fillore Shqipe edhe dy të mesme, ajo e Jezuitve dhe e Françeskanve, ku, flitej e shkruhej Shqip. Por, aty pat edhe disa profesorë e mësues Atdhetar…emnat e të cilve, sot pseudohistorianët nuk i zanë me gojë…pra, aty flitej e mësohej Gjuha Shqipe dhe Historia e Popullit e Shtetit Shqiptar, madje, jo, vetëm, nga pjesa katolike e qytetit po, dyert e atyne shkollave ishin të hapuna edhe për musliman dhe orthodoks nga të gjitha trojet tona, gja, të cilën, ma mirë se kushdo e shpjegon Faik Konica, Arshi Pipa, Osman Kazazi dhe sa të tjerë që kanë mësue ndër ato banka, prania e mësuesve laikë Et’hem Kadaifi, Lluka Karafili etj. Pa hy me folë për alfabetin shqip, librat e historisë dhe bibliotekat e muzeumet e Tyne, ku, At Shtjefën Gjeçovi ka lanë gurren e vet të vërtetësisë sonë të vjetër Ilire, që formuen idenë e pakundërshtueshme se Ky Shtet i Popullit të quejtun Shqiptar, ishte i vendosun pikërisht, Aty, në gadishullin ballkanik dhe, se, në të gjitha shenimet historike, harta e skica, Shqipnia ndodhej në kontinentin Evropë, aty ku “thonë” se asht edhe sot!
Më 13 qershor 1878, Lordi Beakonsfielld, në memorandumin e shkruem prej tij për me ia dergue Kongresit të Berlinit, në pikën e parë thotë: “Indipendenca e Shqipnisë, përveçse, asht në interesin e shqiptarëvet, por edhe ekujlibri i Evropës e kërkon që kjo të jetë një shtet i pavarun, për me forcue murin mbrojtës të Evropës Përëndimore, kundrejt invazionit Sllav.” (Xhafer Belegu. Libri “Lidhja e Prizrenit”, faqe 24, Tiranë 1939.)
Rreshti i fundit që kam nënvizue mjafton me tregue fillimin e tragjedisë së pafund për ne. Asht fakt historik i pakundërshtueshëm që shpesh murët mbrojtëse, përfundojnë në gërmadha... E, më duket, këtë “fat” ka pasë edhe Shqipnia, me çka po shohim me sy tash 65 vjet!
Në vitin 1911 kur Dedë Gjo’ Luli, i tregoi mbarë Evropës se “Shqipnia asht”, por edhe në vitin 1912 kur Ismail Qemali, u tregoi të gjithve bashkë tue përfshi edhe komshijtë dashakqinjë, se: “Na vazhdojmë me kenë!” edhe Turqisë iu desht me pranue Pavarsinë tonë kombëtare. Pjesës ma të vogël që mbet nga grabitjet e zaptimet e dhunshme të 1913 e prap ma vonë, u quejt Mbretni Shqiptare, ndonse, edhe kjo ishte ma e vogël se Shqipnia e dhetorit 1924, pa Shën Naunin …ishte Ajo Shqipni, që pushtoi në 7 Prill 1939 Italia fashiste. Viti 1943 – 44, kur Shqipnia u pushtue nga nazistët gjerman, ajo periudhë u shpërdorue nga të gjithë politikanët e kohës së Luftës dhe të mbasluftës së Dytë Botnore, në damtim dhe me pasoja të Popullit Shqiptar.
Mbështetje e këtij shpërdorimi u ba edhe gjithë “Historia” e shtrembnueme nga pseudohistorianët të dalun të gjithë nga “gjiu” i luftës për “çlirim”, që përfunduen kurset e analfabetizmit në Beograd…
Tokat e Trojeve Shqiptare iu shpërndanë edhe njëherë “fqinjve” sllav, tue u pranue nga Enver Hoxha edhe pushtimi i krejt Shqipnisë prej tyne, të cilët, ate e lanë kukull në krye të qeverisë së përkohshme…

II. LUFTA E DYTË BOTNORE DHE KATASTROFA SHQIPTARE.

Shqipnia asht edhe SOT, i vetmi Shtet në Botë, që kufini shtetnor i saj asht vëndosë gjithkund përreth në tokat e saja dhe të banueme me popullsi autoktone, me zakone e doke shqiptare që kanë pasë gjithënjë gjuhë amëtare Gjuhën Shqipe dhe asnjëtjetër!
Në një artikull të z. Marash Mali, në Florida USA, “Shqipnia Etnike nga e vërteta në andërr”, kam lexue një citat të K. Marksit, i cili me 1878, i shkruen Kongresit Berlinit, si vijon:
"Arnautet (Shqiptarë) janë pjesërisht të krishtërë të ritit orthodoks-grek dhe, pjesërisht muslimanë, ku duke gjykuar përsa i njohim janë pak të përgatitur për t'u qytetruar. Prirja e tyne grabitqare duhet t’a detyrojë çdo qeveri fqinjë ti mbajë ata nën trysni të rrebtë ushtarake, përderisa përparimi industrial në vendët fqinjë të mos u sigurojë punë atyre, si p.sh. dru-prerës dhe ujë-bartës.” Nuk mund të mohohet fakti se gadishullin e quajti "Turki Europjane". “Është pasuri natyrore e trashiguar nga stërgjyshrit e rracës sllave të jugut. Rivalë të sllavëve janë vetem barbarët arnaut dhe turqit, të cilët prej kohësh quheshin dendur si kundërshtarë më të egër të qytetrimit e përparimit, përkundrazi sllavët janë të vetmit bartës të qytetrimit”.
Tham të vërtetën se deri sot, nuk kam lexue citat për Shqipninë dhe Shqiptarët ma antinjerzor dhe barbar, ashtu siç ka kenë edhe teoria e tij regresive në Shek. XX, e rrjedhun nga “Kapitali” e, kjo, jo vetëm, për Shqipninë, por pikërisht, për vetë sllavët, “bartës të qytetnimit” simbas Marksit, të cilët, teoria e tij nga kjo botë e qytetnueme evropjane mujti me i ba kopshti zoologjik i komunizmit në Evropë
Shumë çudi: Marksi nuk dinte se kufini shqiptar i vëndosun padrejtësisht në Jug me Greqinë, nuk bije në Vermosh as në Hot apo në Grudë e, se, Popullsia Shqiptare në ato krahina asht tash dy mijë vjet Katolike...Shqiptare!“Shoku” Marks paska dashtë me pa Popullin Shqiptar tue trokitë në dyert e Serbisë dhe, tue vrritë “A keni dru me pre?...”. Na edhe e kemi pasë mbajtë për të mendshëm këte “zotni”!
Sigurisht, nga ky citat asht nisë edhe “maksist – leninisti” Enver Hoxha, që mendoi si me veprue me të gjithë ata që ishin intelektual e dijetarë dhe me i këthye në drue – prerës dhe në ujë – bartës, tue punue gjithë jetën në kanalet ujitëse dhe në tharjet e kënetave të mbarë vendit nga Taravica deri në Sarandë apo minjera të Spaçit etj. Pikërisht këtij citati i përket edhe thanja filozofike e Prof. Kolë Alimhillit: “Në sistemin komunist, profesorët e vërtetë përfundojnë në burg, kur dalin nga burgu, po dolën, shkojnë hamaj e fshesaxhijë, ndërsa hamajt e fshesaxhijtë e vërtetë drejtojnë shtetin!...”.
Na kemi kujtue se kështu vepronte koka e “ditun” E. Hoxha, po në fakt ky paska kenë parim i vjetër i Marksit, që u vue në jetë nga Ruzvelti me Stalinin tue i sherbye ksaj çeshtje trathtari Enver Hoxha, i cili, në vitin 1941 bashkë me të gjithë trathtarët komunistë bolshevikë të Ballkanit, të Rusisë e ma vonë të Kinës, tue lanë shtetin në dorë të hamajve dhe të paditunve mendonin me sjellë “qytetnimin” tek na!
Lufta e Dytë Botnore hapi një kapitull të ri, aq sa dramatik edhe të turpshëm për të gjithë ata që me të gjitha mjetët e tyne po, edhe të tonat (për fatin e keq) kanë punue për shfarosje të Trojeve shqiptare dhe shkombtarizimin e pandërpremë të Popullit dhe Shtetit Shqiptar Evropjan. I vetmi shtet që nuk kishte pretendime të zhdukjes sonë nga harta e Evropës, ishte Gjermania. Edhe kur ajo ishte në falimentim të Luftës, autorizon Rregjencën Shqiptare nëpërmjet At Anton Harapit, me u lidhë me Aleatët, për me mujtë me shpëtue nga bolshevizmi stalinist dhe neoshovenizmi ruso – sllav i pashmangshëm që po pushtonte ushtarakisht Ballkanin. “Një administrim ushtarak në kuptimin e mirëfilltë në Shqipëri, nuk ekzistoi... “Politika e Gjermanisë pati si parim prijës rëspektimin e Shqipërisë si Shtet neutral dhe i pavarur.”, thohet në relacionin e Militarbefehlshaber Sudost të Vermahtit Gjerman. (Historia e Shqipërisë, vol III, fq. 553. Tiranë) Populli Shqiptar sigurisht pushtimin fashist nuk e priti mirë e kryesisht, nacionalistët e kanë shfaqë këte gja;... ma kjartë e shkruen Konti Çiano në kujtimet e tija. (“Diario” 1937-43, fq. 283, Milano 1980. Itali.)
Grupeve komuniste shqiptare të Shkodres dhe Korçës, as që u binte ndër mend se duhej organizue rrezistencë e armatosun kundër Italisë fashiste, sepse, vetë Italia fashiste ishte në aleancë me Gjermaninë Nacional – Socialiste të Hitlerit, që ishte në marrveshje të plotë me Rusinë Nacional – Komuniste, pra, me Rusinë Bolshevike – Sovjetike të Stalinit, me qendren internacionale të komunizmit botnor. Si rrjedhim, përderisa, Stalini nënshkroi Traktatin Molotov – Ribentrop në vitin 1939, me aleatin e Duçes, Hitlerin, që ky Duçe na kishte pushtue edhe ne, komunistët bolshevikë të Shqipnisë i shihnin fashistët italian si aleat dhe miq të bolshevikve sovjetik dhe të udhëheqsit të tyne Stalinit të “math”, të cilët, së bashku mendonin dhe punonin për krijimin dhe ndarjen e një Evrope të “Re”, me dy gjysma “mike” njena me tjetrën: Nacional – Nazistat dhe Nacional – Bolshevikët.
Traktati mes tyne nuk kje formal. Rusët deri në momentin që gjermanët i sulmuen ata kanë vazhdue me dergue mallnat e tyne për Gjermani. Ndonse, pakti u mendonte si i “sigurt” në mes të tyne, divergjencat e mëshefta dhe të pabesa sollën pasojë luftën mes tyne.
Sa, po, Hitleri në befasi sulmoi mikun e vet Stalin, komunistët u zgjuen nga gjumi në krejt Lindjen dhe, me shpejtësi u vune në lëvizje kundër okupatorit, jo për atdheun e tyne, kuptohet, po për “atdheun” e “proletariatit” me Stalinin në krye…(pikërisht, ironia qendron se vetë komunizmi predikon se proletarët nuk kanë atdhe, përderisa, s’kanë pronë). Misionarët e Titos në Shqipni Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç-i u lidhën me një pjesë të komunistëve shqiptar që mund të komunikonin ma mirë se me pjesën tjetër që mund t’iu delte nga kontrolli dhe, me datën 8 nandor 1941, formojnë Partinë Komuniste të Shqipërisë mu në qendren e grupimeve antishqiptare në Tiranë, ku, këto rryma politike të dituna që në vitin 1925 punonin vetëm për kolltuk dhe asnjëherë për unitetin e Shtetit Shqiptar. Kolltuko-mania u shfaq randshëm qyshë në vitin 1924 atëherë kur, Veriu kërkonte me kambëngulje që për interesat kombëtare të të gjithë Trojeve tona Shqiptare, Kryeqyteti duhet me kenë Shkodra. Lidhjet e mëshefta me Beogradin nuk kishin si të lejonin një gja të tillë. Kryqyteti i Shqipnisë për interesat shoveniste të fqinjve mbet Tirana. Aty u formue ajo parti që u përfaqsonte me pjesën jugore të Shqipnisë, ndonjë nga Shqipnia e mesme dhe nga veriu me një përfaqsues të komunistëve orthodoks Vasil Shanto, kur Shkodra kishte “vetëm 99 vetë” të atij besimi e kurr 100, siç flitej nga “historia” e fshatit Vrakë, dhe, jo, nga ajo e Shkodres, që erdh tue u përforcua nga lakmia bolshevike e komunistëve për pushtet absolut me çdo kusht. Lakmia bolshevike e PKSh kryesisht me jugorët korçarë shkaktoi një perçarje të papame mes tyne. Elementi komunist i grupit Zef Malës u konsiderue i pavlefshëm për lëvizjen nacional çlirimtare edhe pse ishte ma i vjetri, aqsa bashpunëtorët jokatolikë të grupit të tij verior përfshi edhe Vasil Shanton e Qemal Stafen, që kishte studjue në Shkoder, u trathtuen dhe u vranë mbrenda dy vjetësh…ndonse, edhe kjo nuk i ka ra në sy ende “studjuesve” të historisë së partisë komuniste, që vazhdojnë rrugën e tyne tradicionale me falsifikue faktet historike. Një anësi ektremisht armiqësore dhe të papranushme kunder popullsisë katolike të Shkodres, përshkon gjithë veprimet e klikës bolshevike anadollake të Enver Hoxhës, që nga “8 nëndori i Zi, që na e solli, deri te 11 prilli Gazmor, që na e mori!” shkruen z. Vedat Shehu. Ja, një dokument: Si mund të formohej një parti komuniste pa prani të njenit prej kryetarve ma të vjeter të një grupi kryesor komunist që ishte që në 1936 në qytetin ma të randsishëm të Shqipnisë Veriore, në Shkoder komunisti Zef Mala..? Ja, edhe një fakt antishkodranë: Në vitin 1942, në shtëpinë e komunistit Jordan Misja në Shkoder, u zhvillue lufta kundër fashistave. Aty u rrethuen tre komunistë Jordani, Branko Kadija e Perlat Rexhepi. Branko Kadija dhe Perlati u shpallën heronjë, ndëra, Jordani, të cilit iu dogj shtëpia dhe u var në litar, u shpallë dëshmor, madje, as në fjalorin enciklopedik nuk ka fare jetëshkrim…Pse? – Këte duhet ta thonte “biri i denjë i kllasës puntore ‘shoku’ Tuk Jakova!”, po, siduket, s’ arriti tek “veprat”!
“Historia” e Shqipnisë dhe e luftës partizane, asnjëherë nuk ka shkrue asgja në libra për luftën nacinal – çlirimtare ndër krahinat nga Kosova, Hoti, Gruda, Tivari, Maqedonia, Çamëria edhe pse brigadat tona partizane kaluen në Veri për çlirimin e tokave tona, si ndodhi lanja “përjetsisht” nën zgjedhën sllave të Popullit Shqiptar në ato krahina prej Enver Hoxhës, i cili, me 1 korrik 1946 u dekorue në Beograd nga vetë “shoku” Tito, “Hero i Popujve të Jugosllavisë”…Mos ishte kjo dekoratë për “heroizmin” e tij në trathti..?
Në Konferencën e Pezës komunistët iu nënshtruen plotësisht çeshtjes së çlirimit nga okupatori dhe me hipokrizi u bashkuen me Myslim Pezen dhe Abaz Kupin, etj. dhe firmosen parimin bazë tue u përbetue për Flamurin: “Pa dallim feje krahine dhe ideje”. Mbi këte bazë u ba edhe marrëveshja e Mukjes. Sikur, komunistët t’u qendronin besnikë parimeve të Pezës dhe të Mukjes, domethanë, sikur, të mos e kishin uzurpue udhëheqjen e përbashkët, Fronti Nacional-Çlirimtar, i përbamë nga tri parti politike: Komunistët, Nacinalistët e Ballit dhe Nacionalistët e Legalitetit, fitorja e tyne me të vertetë do të ishte kombëtare, pluralizmi dhe demokracia do të ishte vendosë që gjatë Luftës, humbjet në njerëz dhe material do të ishin fare të vogla, dhe mbas çlirimit do të ishte vendosë një demokraci me na e pasë zili edhe fqinjët dhe shumë shtete tjera, poashtu, dhe progresi i gjithëanshëm i vendit do të kishte avancue në mënyrë të pandalshme. Në këta kushte Enver Hoxha me bolshevikët e vet nuk do të mundnin të trathtonin çeshtjen tonë kombëtare tue i shitë Trojet tona, vetëm, për me sigurue kolltukët e tyne të pushtetit.
Ishte shansi i parë në Histori kur fati i Tokave tona Shqiptare do të ishte në dorën e vetë Shqiptarve, mbasi në Trojet Shqiptare filloi administrimi nacional kur ata ishin okupue nga fashistët dhe nazistët tue lanë në një anë administratat e tyne në të gjitha zyret shtetnore po me nëpunës Shqiptar dhe, pothuej, në të gjitha fshatrat kryesore u hapën edhe shkollat Shqipe me mësues nga Shqipnia, por, interesat e komunistëve tonë të cilët komandoheshin nga Moska, u përputhën me ata të komunistëve jugosllav, bullgar dhe të shovenistve grek, se, ata gjetën strehën e trathtisë tek antishqiptarët, bolshevikët komunistë, që, ishin të lidhun me interesat e Aleatve dhe, katastrofa e jonë kombëtare kje e paevitueshme kështu, komunistët shqiptarë tue shpallë luftën vëllavrasëse civile në Jug kundër Ballit Kombëtar, Legalitetit dhe inteligjencës përparimtare Atdhetare si, dhe “Beslidhjes së Veriut” formue në 1943 nga kapiten Gjelosh Luli, zhytën Shqipninë në gjakderdhje dhe nga mundësia me kenë një Shtet Evropjan i Lirë, zgjodhën rrugën e robnisë sllavo-bolshevike, nën kontrollin shtetnor të Jugosllavisë titiste dhe, mbas saj Rusisë bolshevike…nën thundren e diktatorit përbindsh komunist Stalin. Trathtari Enver Hoxha i shkruen këta fakte tue dashtë me tregue “ dinakrinë apo dhelpninë e vet”, po “lexuesit” e veprave të tij ende nuk guxojnë me shkrue të vërtetën, gjoja me “naivitet” kujtojnë se po të mohojnë Enver Hoxhën, mohojnë “veprat” e tyne të maparshme ku, mizotnon demagogjia. Gjatë luftës “nacional – çlirimtare” të fillueme nga Jugu, mbasi andej gjermanët kanë fillue largimin e trupave të tyne, kur partizanët u shkonin “pas” e trumbetonin se po e “çlirojnë” Shqipninë, në zonat e pushtueme nga komunistët, filloi po ajo që ka ngja në territoret ruse nga ushtria e kuqe stalinjane, që, shfaroste pamëshirë popullsinë civile se, gjoja, ka bashpunue me okupatorët, tue ngjallë “terror e frikë” ndaj Popullit të vet. Kjo vazhdoi deri në hymjen e tyne në Shkoder, ku, Populli pau me sy të vet vrasjen e Atdhetarve tek Bashkia e qytetit kur turma po “brohoriste për fitorën”. Sigurisht këte fakt terrorist duhet të kenë shkrue komunistët Arif Gjyli dhe Qamil Gavoçi, në “historinë” e grupit të tyne të Shkodres, mbasi aty u tregue fëtyra e vertetë e tyne..! Porosia e diktatorit Enver Hoxha ishte: “Kudo terror e vrasje me yllin e kuq në ballë..!”

III. “TRATHTARËT NA LANË PA ATDHE..!”

Nuk ishte gjamë dishprimi kjo thirrje në kupë të qiellit e At Fishtës, jo, jo, por ishte dufi i një realiteti të idhtë i parandimë, që me “drapen e çekanin” bolshevik po shpartallonte qytetnimin Evropjan, ishte fara e keqe e shpërndame nga masonistët francez ndër kabaret e Francës, që shpejtë lëshoi rranjë në gjiun e Popullit Shqiptar nga sherbëtori i tyne anadollaku terrorist trathtari Enver Hoxha.
“Flamuri përfaqson përnjëheri e masëmiri, Parim e Përparim. Shtiza e ngulun asht Parimi dhe, Pelhura që valvitet asht Përparimi”, thonte, At Pjetër Mëshkala në vitin 1933 në revistën “Leka”.
Po, a do ta kuptonte këte thanje injoranti Enver Hoxha, që nuk njihte fare as Parimet tona Kombëtare dhe as Përparimin Evropjan, sepse, ishte zhytë në ideologjinë komuniste bolshevike!?
Nuk kishte si të mendonte për Flamurin e Skenderbeut një katil anadollak bolshevik si ai!
Me 29 nandor 1944, në kompanjelin e Kishës Françeskane u vendos “Flamuri i kuq me yllin komunist”, që tregonte kjartë zëvendsimin e okupacionit vjetër me atë të ri komunist të shovenistve sllav, të cilët, ndodheshin kudo si “çlirimtarë” dhe, që pavonesë filluen me na tregue fëtyren e tyne të vërtetë të okupatorve pushtues. Kur trathtarët “çlirimtarë” u ndodhën përballë nacionalistëve Abaz Ermeni e Jup Kazazi në rrethina të Shkodres, në Berdicë dhe Anë të Malit, forcat komuniste kush i mbështeti, Populli i atyne krahinave apo forcat ushtarake jugosllave të rreshtueme mbas malit të Taraboshit? Ndërsa, në luftën e shpallun kundër Malësorve të Veriut në fillimin e Janarit 1945, me betejën kundër Popullit të Kelmendit, ku, ndodhej Prekë Cali dhe pranë Tyne, krenët e “Beslidhjes së Veriut” që kerkonin lirinë e Trojeve Shqiptare nga sllavët, të gjithë u shpallën “trathtarë” dhe, si pasojë, krimineli Mehmet Shehu, me urdhën të komandantit të përgjithshëm gjeneral kolonel Enver Hoxhës, jo vetëm që theri dhe vrau 118 Burra të Maleve, të cilët, i hodhi në proskë, por iu dogj edhe kullat, shfarosi dhe u plaçkiti gjanë e gjallë, vetëm me dhanë proven e “besnikërisë” komuniste ndaj armikut shekullor të Atyne Maleve!
Pra, përveç, partizanve në këte betejë u angazhuen edhe forcat ushtarake jugosllave, të cilat, bashkë me disa trathtarë shqiptarë të shitun tek sllavët e malazezët dhe të mobilizuem me brigadat partizane, nën drejtimin e Mehmet Shehut, u ranë mbas shpine Malësorve tonë, dhe shitën interesat kombëtare tue u ba vegla të sllavëve (ndonse, shumë shpejtë ata i dhanë shpërblim plumbin ashtu si e meritonin, madje, i quejtën edhe trathtarë!). Të gjithë nën drejtimin e komunistëve tue këndue kangë për “druzhe” Titon dhe kundër Veriut, u versulën menjëherë edhe kundër Klerit Katolik Shqiptar, që ishte frymzuesi shpirtnor i Atdhetarizmit në ata Male..me binomin e njohtun “Fe e Atdhe”! Kështu, Tokat Shqiptare deri maje Vermoshit, u okupuen nga ushtria shoveniste jugosllave “me yllin e kuq komunist” në ballë nën “maskën” e tyne, që ishte partia komuniste shqiptare, e drejtueme nga trathtari Enver Hoxha. Burimi i të gjitha fitoreve ishte “shoku” Tito dhe Stalini i “math”, prej nga buronte “drita e kuqe” bolshevike…e, që, u shpërndante anë e kand vendit tonë deri në skutat ma t’errta të birucave të sigurimit në Trojet Shqiptare…
Historiani dhe luftëtari Abaz Ermenji, shkruan: “Në të vërtetë, edhe sikur të gjithë shqiptarët të shkriheshin në luftën kundër gjermanëve, nuk mund ta shpejtonin as për njëditë tërheqjën e këtyre nga Shqipëria, derisa këta të mos thyheshin prej fuqive të mëdha...” Pra, kur, forcat gjermane po tërhiqëshin prej Shqipnisë, zonat e lanuna të lira prej tyne zëvendsoheshin me ushtri partizane me “yllin e kuq” bolshevik në ballë, të vetquejtun “çlirimtarë”...
Se, kush e mori drejtimin e partisë komuniste në Shqipni, në vitin 1941, do ti referohëm dy Shqiptarve të njohtun, që, përcaktojnë saktësisht “udhëheqësin” dhe qellimin e asaj parti që ai po e drejtonte: I ndjeri Muntaz Kokalari, qytetar i Nderuem nga Gjinokastra shkruan më 9 Nandor 1944: “...Fatkëqësia e kombit tonë dhe e Shqipërisë së gjorë është se ka rënë në dorë të një njeriu përbindsh, tinzar, hakmarrës, inatçi, dinak, megaloman, egoist, që i do njerëzit nën vete, kumarxhi, gënjeshtar e kur qe jashtë për studime nuk dha asnjë provim, mbeti pas kabareve, kazinove, etj. Fëlliqi botën me borxhe. Ne intelektualët e Gjirokastrës ia dimë të gjitha dhe sa i vlen lëkura, prandaj, kërkon te na asgjësojë. Po, kam besim se këtij batakçiu bashkë me djajtë e kuq, shpejt ka për t’i dalë boja.” (Gazeta RD, 29 Prill 1995, Tiranë).
“Tregonte i nderuemi prof. Petro Fundo...: Ishim duke ngrenë në një trapez, kur ishim studenta në Francë, unë dhe Foto Bala nga Himara. Erdhi aty edhe Enver Hoxha, ky ishte i regjistruar në universitet, por nuk di mese merrej. Provime nuk jepte...Pak mbasi u ulë pyeti Foton, çfarë do të dëshroje të bëje kur të mbaroni shkollën? ...Më pyeti edhe mua, po, ti, Petro? – Unë, i përgjigja, profesorë. Mbas pak u kujtova t’a pyes edhe unë atë, po, ti Enver, çfarë do bëhesh? – Ai u përgjigj: “TERRORIST”!” (At K.Gjolaj, “Çinarët”, fq. 216, v. 1996)
Ky, pra, ishte “Enveri ynë”, për të cilin ka shkrue dyshepulli i tij Ramiz Alia, ky ishte ai që shokët e tij lindin njëherë në shekull, madje, zor se i gjindet monstra ndër njëzet shekuj; ky ishte “komandanti lëgjendar” i luftës nacional-çlirimtare që “pritej” se do të sillte “Lirinë”.
Të dy këta përsonalitete që tregojnë surratin e Enver Hoxhës, janë nga Jugu, mbasi po të citojshe çka shkruen Zef Mala apo ndonjë tjetër nga Veriu, jam i sigurt se do të keqpërdorej...

E, të vërtetën e saktë të kësaj trathtije kombëtare të partisë komuniste “shqiptare” dhe udhëheqësit të saj terroristit E. Hoxha, edhe pse vonë, po, e gjejmë ma në fund aty, ku, ende Bota mundohet “me e zanë diellin me shoshë”…tek Jalta..! Vazhdojmë me dokumenta:
Henry Kissinger, në librin “Diplomacia”, Tiranë 1999, shkruen:
Në Jalta, Shkurt 1945: “Britania e Madhe duhet të mbronte Evropën pa asnjë ndihmë nga Amerika. Ruzvelti nuk pranoi asnjë përgjegjësi të Amerikës për rimëkembjen ekonomike të Evropës: ‘Unë nuk dua që Shtetet e Bashkuara të kenë barrën e rindërtimit të Francës, Italisë dhe Ballkanit. Kjo s’ është detyrë e natyrshme për ne’… Ai vuri në lojë qëllimin e Çërçillit” (fq 396).
“Ruzvelti e pranonte një pjesë të mirë të strategjisë së Çërçillit, por nuk mund të pranonte zbarkimin në Ballkan.” (fq. 404).
“Ai (Ruzvelti, nga FR) parapelqente të shihte te Stalini më mirë një mik si xhaxha, sesa një diktator totalitar.” (fq. 412).
“Lëshimi i Stalinit ndaj aleatve të tij ishte një Deklaratë e Përbashkët për Evropën e Çliruar, e cila, premtonte zgjedhje të lira dhe krijimin e qeverive demokratike në Evropën Lindore.” (fq. 415).
Xhorxh Kenan tha: “Proçedura demokratike gjethe fiku mbi lakuriqësinë e diktaturës staliniste”. (fq. 437). “Stalini e kishte shtyrë kufinin sovjetik 600 milje në Përëndim deri në Elba.”…“Dy vitët e para pas luftës, vetëm Jugosllavia dhe Shqipëria vendosën diktatura komuniste. Pesë vende tjera, që më vonë u bënë satelitë sovjetikë – Bullgaria, Çekosllovakia, Hungaria, Polonia, Rumania, patën qeveri kualicioni.” (fq. 426)
“Zhdanov quajti ‘demokraci të reja’ Jugosllavi, Poloni, Çekosllovaki dhe Shqipëri.” “Bashkimi Sovjetik pat mundësi ta kthente pushtimin ushtarak në një rrjet rregjimesh satelite.” (fq. 443). Vetëm këta pak rreshta dëshmojnë kjartë dhe saktësisht se ky Traktat famkeq i Jaltës, solli në të gjitha vendet e Evropës Lindore tue përfshi edhe Shqipninë, okupacionin komunist të Rusisë bolshevike sovjetike që shumë shpejtë i këthei në rregjime satelite të saj.
Duhet theksue fakti se në të gjithë dokumentat e Jaltës, të botuem kohët e fundit kur bahet fjalë për “zonat e influencës” mes Ruzveltit, Çërçillit dhe Stalinit, nuk zehet me gojë fare emni i Shqipnisë. Kjo verteton se Shteti Shqiptar u ishte “aneksue” sllavëve okupues jugosllav. Kjo ngjet edhe në korespondencën e Ruzveltit.
Kujtoni pak ngjarjet e vitit 1945 në Shkoder dhe, shihni, sesi veprimet e Ruzveltit tue i besue me dashje apo “naivitet” dinakrisë dhe hipokrizisë së Stalinit për “liri, zgjedhje të lira dhe krijimin e qeverive demokratike”, arriti e zhyti në gjak të gjitha shtetët e Evropës Lindore dhe në marrveshje me Stalinin, i jep të drejtën atij me pushtue të gjithë këta popuj Evropjan për me vendosë diktaturën komuniste, sepse ishte vendosë në mes tyne marrveshja mos me zbarkue në asnjë nga shtetët ballkanike. Kjo, ngjet në Shkurt të vitit 1945, pra, tre muej para se me kapitulue Gjermania! Kuptohet kjartë se po të ballafaqojmë mbi këta fakte nacionalistët me komunistët bolshevik, Aleatve nuk do ti pelqente një përkrahje e nacionalistëve në Shqipni. Ja, pse stalinistët e titistët e Shqipnisë u sulën me vrull për asgjesimin e nacionalistëve tue i quejtë kundershtarë e bashpuntorë me okupatorin të gjithë Ata, që me armë në dorë po luftonin anmikun në Alpet tona si: Gjelosh Luli, Dodë Nikolli, Pashuk Mirakaj, Mark Gjomarkagjoni e mijra të tjerë të premë në besë. Mandej, tërhoqen Hamid Matjanin e Alush Leshanakun, që trathtisht e vranë në shpellat e maleve tona. – As, kjo, nuk ishte trathti..? Nuk po flasim fare për Hotin, Gruden apo Kosovën, me të cilët Aleatët edhe sot mbajnë ekujlibrin e filluem atëherë mes tyne. Me nxitjen e fitores së komunizmit mbi nacionalizmin u asgjesue edhe rezistenca e fundit e Burrave të vërtetë tue fillue nga Prekë Cali, Gjelosh Luli, Llesh Marashi, Gjergj Vata, Pal Thani, Muharrem Bajraktari, Prof. Ymer Berisha, Marije Shllaku, Gjergj Martini, Kol Parubi e mijra Luftarë të Lirisë, tue pritë ndër shpella premtimet e gënjeshtarve! Po, akti i dorëzimit të rreth 13.000 kosovarve në duert e pista të komunistve të shitun tek jugosllavët në Kukës, që u sollën me u masakrue në brigjet e Tivarit dhe Adriatikut, nuk quhet trathti..e Enver Hoxhes dhe klikës së tij Ramiz Alisë e Omer Nishanit me shokë?
Brajan Capmën në librin e tij “Dimensioni i katërt i luftimit” botue në vitin 1967, ka shkrue: “Enver Hoxha shkatrroi aparatin politik dhe intelektualët e shtetit shqiptar, duke i konsideruar aparat armik.” Pikërisht, ky asht fillimi i pafund i trathtisë komuniste, sepse, duhej zhdukë çdo gjurmë e qytetnimit Evropjan e bartun nga ai aparat shtetnor, i kulturuem dhe i formuem në shkollat Përendimore, por edhe duhej eleminue prania e një opozite që mund të vazhdonte me kenë në Shqipni. E, kjo opozitë do t’ishte aparati i vjetër që u pushkatue deri në 1946, me grupet “armiqësore” false të formueme në Tiranë dhe anë e kand Shqipnisë.
Drejtuesit e Pushtetit “popullor” komunistët “shqiptarë” të shitun tek Jugosllavia, që nga Enver Hoxha e deri tek i fundit Ramiz Alia me pasuesit e tij, u treguen edhe ma të zellshëm dhe shembullorë në trathti dhe poshtërsi se “mësuesit” bolshevik. Aleatët tue na lanë kështu në dorën e këtyne katilave bolshevikë, lejuen që edhe na me u trajtue si Kroatët Katolikë prej Titos, Vendët Baltike, Polonia, Hungaria, Çekia etj. prej Stalinit, apo krahinat e Rusisë e Ukrainës deri në skajët e largëta e të akullta të Siberisë, që kanë guxue me trimini me kundërshtue dhunën bolshevike dhe kolektivizimin ndër kolkoze, që nga stalinizmi u zhbinë me rrajë. Enver Hoxha me akrobacitë e tij, për të mbulue poshtërsitë në kurriz të popullit dhe luftën për pushtetin e vet personal, improvizoi “armiq” në një mënyrë të pashembullt. Filloi e vrau patriotë demokratë, të cilësuem nacionalistë borgjez e tradhëtarë, mbasi likujdoi edhe mikun e vet Bahri Omarin, që i ruejti kokën gjatë luftës, filloi me shokët e vet një nga një, vriste majtas e djathtas këdo që i dukej se i asht afrue kolltukut të tij. Edhe në politikën e jashtme ai miqësohej deri në gjunjëzim, dhe me servilizem oriental kerkonte lidhje vetëm për interesat e veta, mandej, kur shihte se ka fillue me i dalë tymi dhe me u kuptue nga të huejt për mangësitë e theksueme kulturore e drejtuese, largohej tue paraqitë gjithnjë shkaqe ideologjike në “mbrojtje të flaktë” të marksizem – leninizmit.
Nga “mik” me komunistët jugosllavë kaloi tek bolshevikët e “lavdishëm” të Bashkimit Sovjetik, të Stalinit e deri tek Hrushovi. Vazhdoi mandej tek ata Kinez të Mao Ce Dunit dhe në fund tek të ashtuquejtunat “grupe” marksiste-leniniste (aventurierë nga gjithë bota) të vetmit “miq” të komunistëve shqiptarë që u vetquejtën “udhëheqës të proletariatit botëror” apo, “fanari ndriçues i socializmit në botë”, nga Zhak Gripa e deri tek pyjet e denduna të Brazilit. Të gjitha këta grupe i financonte vetë Enver Hoxha me kliken e aventurierve terrorist që ishin shpërnda në katër anët të lidhun dhe të survejuem nga sigurimi i shtetit, i cili krijoi një situatë mbrenda dhe jashta vendit tek sejcili tue përfshi mbarë popullin shqiptar, që asnjeri nuk e ndjente veten të sigurtë prej shpifjeve të sigurimsave apo njerëzve të ligj, që gjenin mbështetje tek udhëheqja kriminale, se, pikërisht udhëheqja kërkonte të realizohej terrori dhe frika tue zbatue me plan të komitetit qendror të PPSh edhe arrestimet e njerzve me faj e pafaj, tue mbushë kampet e shfarosjes. Për këte Enver Hoxha hodhi parrullat: “Kudo vigjilencë..!” apo, ”Të punojmë, të jetojmë dhe të mendojmë si në rrethim” etj...
Mbas Luftës së Dytë Botnore, Enver Hoxha e izoloi Shqipninë nga vendet demokratike, mandej edhe nga vendet socialiste. Ajo që u ba në Shqipni nga vetë komunistët asht shembull i provës së saktë të shkatrrimit të vendit në mënyrë shnjerzore, të pakrahasueshme antiatdhetare ndaj vetvedit. Po, dikush mund të thotë që komunizmi i Pol Potit në Kamboxhë e ka tejkalue atë të Enver Hoxhës! Kjo nuk di sa asht e saktë, mbasi na ende vazhdojmë me mëshef shifrat e krimeve të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, përderisa, nuk shpallën shifrat e sakta të njerzve të pushkatuem, të mbytun në hetuesi, kampe pune e shfarosje, reparte ushtarake apo qindra e mijra të vdekun ndër kampet e interrnimit që nga Kukësi në Tepelenë, apo të vramit nga burgu i Burrelit, Spaçit, Qafëbarit deri në kodrat e Sarandës, që deri në vitin 1974 i kalonin 45.000 vetë. Kush nga ne mundët me folë me siguri për shifren e të vramve në piramidat kufitare mbas 1988 apo, gjoja të “vetvramve” ndër reparte ushtarake gjatë sherbimit ushtarak..? Pol Poti ishte vërtetë edhe një tjetër monstër komuniste ultrabolshevike por, mbas vdekjes së tij, nuk besoj se la një kulsheder me emnin Nexhmije, e cila, për fat të zi të Popullit Shqiptar vazhdon me komunistët e flaktë me e mbajtë Shqipninë plaçkë fitimi e eksperimentimi të ideologjive ma regresive edhe të fillimit të Shekullit të XXI- të, me metodat mesjetare bizantino-otomane të paraqituna si “moderne” të komunizmit bolshevik, të ushtrueme barbarisht mbi Popullin Shqiptar tue fillue prej metodave sadiste stalinjane e deri tek sajesat e “komunizmit enverian” e maocedunjan, që mbetën modele të pashembullt në historinë e diktaturave të të gjithë shekujve.
E, si mund të ndodhte ndryshej përderisa Shteti drejtohej nga katili amoral Enver Hoxha me pasues veglen e vet Ramiz Alinë, që mbasi likujduen inteligjencen dhe patriotët filluen të hanë të dy së bashku kokat e shokëve të tyne me të cilët kryenin krimet. Ja një rast i një “heroit të heshtur” që punoi me gjithë forcat e veta për diktaturën komuniste të Enver Hoxhës: Posa kishte përfundue mbledhja e byrosë politike, hyni në sallë “shoku” Sulo Gradeci, dhe i kerkoi mendim se kujt duhet dhanë një mercedesbenz jashta serie që ishte sjellë nga Gjermania, për një anëtar të byrosë politike...Enver Hoxha mbasi i shikoi në fëtyrë të gjithë që po pritnin kujt ky po i ve gisht me ia dhanë veturen, foli për një nga ma të vjetrit dhe ma puntorët e partisë dhe, mbasi vuni në dukje dhe “meritat e mëdha” të tija, tha: “Mendoj se vetura i takon shokut Kadri...” dhe, të gjithë papërjashtim vazhduen me një “poooooo...” të zgjatun, që aprovuen mendimin e pagabueshëm...
Ditën e hane, Kadriu doli në zyre me makinen e re...sigurisht, edhe atje i bane urimet. Mbas një jave, po ditën e hane, kur Kadriu po priste shoqnuesin me dalë në zyre, hyni një tjetër oficer dhe, i tha: “Sot nuk do të shkoni në Ministri, mbasi me vendim të byrosë politike, ju jeni i arrestuar në shtëpi, si armik i partisë..!”. Sigurisht, edhe në krye të javës të gjithë duhet të kenë thanë njëzani “poooooooooooooo”, por këte herë ma të zgjatun... Ky ishte Enver Hoxha!
Kjo sjellje hipokrite dhe trathtare e Enver Hoxhës, ndaj sherbëtorve të tij bolshevikë zbulon saktësisht portretin e një pinjolli komunist me të gjitha veset e një bolsheviku të pabesë, ashtu siç ishte edhe vetë koka e komunizmit gjakatar Stalini i “math”... Edhe ai hante kokat e të gjithë bashpuntorve të vet, tue i quejtë “trathtarë”, po, ironia e madhe qendron tek Enveri “ynë”, i cili, edhe pse u mundue me u tregue se po “distancohej” nga krimet e Stalinit, në vitët 1956 – 58, posa Hrushovi, u mundue me maskue politikën e tij komuniste me ndryshime në udhëheqjet e “demokracive” popullore, asht ky Enver Hoxhë, që tue mos u pajtue me largimin nga kolltuku i lartë i partisë, shpalli të gjitha partitë komuniste të botës “revizioniste” e trathtare të marksizëm – leninizmit, deri atëherë, “triumfuese” të socializmit në gjithë botën. Pikërisht, kur Enver Hoxha në vitin 1960, në mbledhjen e Moskës pat dashtë me i tregue atyne se “vetëm unë jam komunist”, ishte shoqja e tij Dolores Ibaruri që i zbulon aty fëtyren e vërtetë: “Diskutimi i Hoxhës ngjanë me qenin të cilit i japin bukë, kurse, ai kafshon dorën e atij që e ushqen!” Me këte qendrim Enver Hoxha kaloi në politikën e vetizolimit tue u rikëthye në politikën skllavruese të Popullit, ashtu si kishte veprue Lenini dhe Stalini para tij, kryesisht me pjesen dominuese e popullsisë shqiptare që asht fshatarsia, e cila vërtetë ka kalue faza shumë tragjike nga një mbrapambetje shekullore në një vorfni të paimagjinueshme. Posa Enver Hoxha mori drejtimin e partisë, filloi demagogjinë me fshatarsinë dhe pjesen e varfën të popullit, tue i premtue se “toka i takon atij që e punon” dhe, se, “pasuria e barkmëdhejve” do ti shpërndahet të gjitha shtresave të varfra, mbasi kështu ka veprue edhe Lenini, në 1917 posa triumfoi Revolucioni socialist bolshevik në Rusi. Pjesa ma e madhe u mashtrue mbasi në vitin 1946 u zbatue “reforma agrare” në gjithë vendin. Po, asnjeni nuk arriti me kuptue se mbrenda vitit 1946 filloi me iu ndigjue era e kolektivizimit dhe, se, në Krutje u formue edhe kooperativa e parë bujqësore. Pa kalue as tri vjet pjesa fushore e Shqipnisë u gjet në pragun e kolektivizimit të padiskutueshëm e të dhunshëm, aqsa shumë fshatarë u shpallën “kulakë”…e, mjaft të tjerë u burgosën. Jemi rreth vitit 1950, kur tek telat me ferra të një kampi një fshatarë i burgosun që nga 1946, pyet gruen që i ka shkue me u takue: “…mora vesht se keni hy në kooperativë, a keni hy vetë apo ju bane me hy vullnetarë..?” Dhe, grueja i përgjigjet – “Po, si po hyjmë vetë bre, na çuen vullnetarë, se kush shkon vetë aty!” Kjo ngjason me nenshkrimin e proces – verbaleve në hetuesi, ku i pandehuri mbasi asht ba mos me u njohtë cili asht nga torturat, në mbyllje të procesit shenon: “..mbasi e lexova procesin, po nënshkruej pa më të voglin shterngim…firma.” E, ky rresht asht i shkruem edhe në proceset e të gjithë atyne të masakruemve që ndoshta edhe mbas firmosjes janë mbytë nga hetuesi në tortura.
Megjithate, edhe pse fshatari arriti mos me sigurue as për tre muej në vit buken e vet, po, edhe pse gjendja ekonomike e tyne mbas çdo shpjegimi që mund të bahet asht e pabesueshme nga lexuesi i sotëm, kjoftë ky edhe mbasardhës i asaj shtrese shoqnore, prap në “librat” shkollore do të vazhdonte me kenë foto e gjeneral kol. Enver Hoxhës, tue “nda tapitë e tokës” fshatarve kur u ba reforma agrare edhe pse asnjeni fshatar nuk ishte ma pronar i saj, po, një kooperativist ma i vorfni në botë i rreshtuem në skam, vuejtje e fukarallek të pashoq.
Rivendosia e “racionit” ushqimor, deri tek qumështi i fëmijve, djathi apo kilja e patateve ishte “një luks”...për fashatarin e raskapitun nga kooperativa e, jo, ma pak për qytetarin. Ngushtimi i “oborrit” tek fshatari solli tragjedinë me të cilën E Hoxha, arriti me zbatue plotësisht idenë “revolucionare” të Leninit, që fëmijët e lindun në një sistem socialit bolshevik mos me njohtë as pulën si shpend “shtëpijak”...
Të gjithë papërjashtim duhet të mendonin, të punonin dhe të jetonin vetëm për “sigurimin e jetës së diktatorit” nga rreziku i kanosjes së “revizionistëve, kapitalistëve e imperialistëve”, që e kishin “rrethue” dhe punonin për “likujdimin” e socializmit në Shqipni, pikërisht, kur askujt në botë nuk i shkonte mendja tek masakrimi i Populli Shqiptar prej Enver Hoxhës, që me paturpësi vazhdonte me rrezervue kapitalin e vjedhun nga Populli në bankat e tyne Përendimore.
Gjithshka veprohej si në “rrethim”, aqsa, mbrenda një kohe rekord Shqipnia zuni vendin e parë në botë me ndertimin e 700.000 bunkereve, kur sipërfaqja e saj asht 28.000 km. katror...
Askush në botë nuk arrinë me kuptue se sa mund të kenë kushtue kjo çmendi e Enver Hoxhës, kur një popull i tanë i uritun ishte mobilizue në zboret ushtarake, për “mbrojtjen e Atdheut” po, se, nga kush...ende sot, nuk dihet, ndonse, edhe “akademia” ushtarake apo ajo e shkencave edhe sot, vazhdojnë botimet e veta...tue, lanë në njëanë veprat e pafund të hajdutit Enver Hoxha e “kujtimet” e trathtisë madhe kombëtare të pasuesit tij, Ramiz Alisë,... E cili, nga këta trathtarë mund të quhet “shqiptar”, që gjithë jetën i kanë sherbye rusit, sllavit, kinezit e kujtdo vetëm me sigurue kolltukun e diktatorit Enver Hoxha dhe, t’ ardhmen përrallore të mbasardhësve të tij e të vet, përveç, Shqipnisë, që nuk i kanë sherbye kurr, si, Ramiz Alia, Haxhi Lleshi, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Koçi Xoxe, Adil Çarçani, Sheuqet Peçi, Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Xhelil Gjoni, Simon Stefani, Fadil Paçrami, Aranit Çela e qindra mijra të tjerë hetues katil, oficerë torturues, kriminelë të brigadave të pushkatimit, gjykatës e prokuror terroristë, trafikantë armësh e duhani që bashkë me të gjithë trashigimtarët e tyne, janë pinjollë anemik trathtarë pa asnjë pikë gjak shqiptari.
E deri kur Populli Shqiptar, do të thërrasin:
“Trathtarët na lanë pa Atdhe..!”..?!

IV. KOMUNIZMI PËRDORI TERRORIN NË MASË
SI SISTEM QEVERISJE..!

Në vitin 1944, që nga Kongresi i Përmetit, data e të cilit u tipos në stemen komuniste të shtetit bolshevik shqiptar e deri me 29 nandor, me pushtimin komunist sllavo-aziatik ndryshoi edhe kahu i drejtimit i të gjitha përpjekjeve të bame nga të gjithë Atdhetarët Shqiptarë që nga Lidhja e Prizrenit në vitet 1887, e cila, në Shkoder kishte fillue pak ma përpara nga kryengritjet e Malësorve të Veriut, që u mundonin me ruejt e me trashigue traditat shqiptare të Gjergj Kastriotit.
Shqipnia evropjane pësoi frakturën gangrenizuese tue iu aneksue shteteve sllave e aziatike për njëgjysëm shekulli në drejtimin shtetnor, ekonomik, politik, ushtarak e kulturor etj. të tyne.
Posa komunistët bolshevik nën kujdesin “atnor” të Titos, morën në dorë qeverisjen e të gjithë vendit, filluen metodat stalinjane të shpartallimit të sistemit të vjetër ekonomik, ashtu si pat fillue edhe Lenini në Rusinë bolshevike. Parulla “Barazi për të gjithë…” joshi dukshem shegertat e pazarit të cilët, menjëherë filluen shpronsimin e plaçkitjen e atyne tregtarve që deri dje e kishin ndihmue lëvizjen nacional – çlirimtare bolshevike. Filloi kyçja e dyqaneve nga tatimet e larta. Filloi edhe shtetizimi i mallit nga shteti, mbasi nevojat e Jugosllavisë e padronit bolshevik Rus, duheshin me u përballue nga vasalët e tyne. Ata që nuk u përgjigjën me dëshirën e vet e që guxuen edhe me i groposë kapitalet e çmueshme dhe monedhat e arit, shumë shpejt u gjetën ndër hetuesi…ku, vetë shegertat e tyne kriminel që i kishin stivue napolonat në teneqet e vajit të gurit, filluen me i torturue derisa ti nxirrnin o paret ose shpirtin! Shumë shtëpi të tyne nevojiteshin për hetuesi, burgje dhe shkolla kështu edhe ato u shtetizuen.
Ata që kishin marrë malet u shpallën “tradhëtarë”, prandej iu shtetizuen të gjitha pronat deri tek dyshekët e fjetjes… tue ua interrnue edhe pjestarët e familjes kah Tepelena e gjithkah ku ishte mundësia e zhdukjes nga të ftohtit apo vapa, nga mundi e lodhja dhe epidemitë shoqnue me parazitët që sillnin sëmundje dhe vdekje të mjerueshme në mijra familje shqiptare. Elementi i pakënaqun nga pushteti komunist ishte i pari që filloi hetimet nga kriminelët që kerkonin të siguronin “qetësinë” e mbrendshme me dajak e terror anë e kand vendit. Vetëm Shkodra kishte 26 burgje, hetuesi, gjykata, podrume torturash, qendra masakrash e zhdukjesh të popullatës së krahinës së saj…Po, në gjithë Shqipninë sa qendra të tilla kishin krijue bolshevikët e Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes, për me ushtrue terrorin në masë..? – As, kjo, shifer nuk dihet!! Brigadat e ndjekes vazhdonin pa pushim “gjuetinë” e tyne ndër qytete, fshatra e male… nuk kishte nevojë asnjë pjestar i tyne me “vuajtë” se, pushteti lokal i atyne zonave ku kryenin krime mendonte për ushqimin, veshjen apo fjetjen e tyne. Të gjitha ua merreshin malësorve me dhunë këta kriminel, që mbasi i plaçkitnin mallin edhe i vritshin e trupat i hidhnin ndër proska, mbasi kështu, tha Koçi Xoxe, në gjyqin e tij, se, e kishte porositë vetë komandanti Enver Hoxha…
Familjet e të arratisunve as nuk diskutohen se ku përfunduen …aqsa, shumë prej tyne kur vdiqen në interrnime nuk kishin të drejtën me pasë as “vorr”…ashtu, si të pushkatuemit apo të mbytunit ndër hetuesi nga kriminelët bolshevik të graduem “gjenerala, majora,...” katil që nuk njohin asnjë parim moral njerzor, përveç, “vrasjes”, krim mbas të cilit, dekorohen “heronj”…Vetem nga fshati Kuç’i Vlonës Enver Hoxha, solli në Tiranë 30 gjenerala…që, “besoj” se as Berlini nuk i ka nxjerrë aq…Gradat tregojnë vlersimin dhe “nderimin” e Enver Hoxhës për krimet e tyne që vazhdojnë me i pasë edhe në “demokraci”.
Shoqnia shqiptare u nda në dy grupe: Përsekutor dhe të përsekutuem, ku, përfshihën masat e gjana të Popullit, i cili, dalngadalë shkoi drejtë rendit skllavo pronar të tipit të ri, që na e quejtëm socialist bolshevik. Por, shoqnia nuk arriti me kuptue se rrokullisja e saj mori me vete edhe brezat e ri, që u shedukuen dhe përfunduen nën diktaturën famkeqe të sadistit Enver Hoxha, ashtu si, edhe bota tjetër me miljona e miljona njerëz në shtetet komuniste të Evropës, kjoftë Lindore apo Përendimore, nën qeverisjet komuniste apo socialiste të lidhuna për “kerthizën” bolshevike Moskovite, që subvencionoi me miljona dollarë për “shpartallimin” e tyne me ideologjinë marksiste.
Në vitin 1945, Shqipnia “demokratike” ashtu, si, Jugosllavia titiste, do të prëgatitën për zgjedhje të reja “të lira” ku, përveç, “frontit demokratik”, nën petkun bolshevik mëshefej partia komuniste e tipit stalinist dhe, nuk kishte asnjë parti tjetër rivale apo opozitare.
Në Shkoder, i riu Mark Çuni, formoi organizatën “Bashkimi Shqiptar” si mjet me të cilin mendonte me arritë në zgjedhje të reja me kerkesa demokratike Evropjano Përendimore, por që, Ai, jo, vetëm, u shue po edhe u pushkatue bashkë me disa nga shokët që e përkrahën këte ide, tue u vue para plutonit ekzekutimit si “trathtar dhe armiq” të Popullit Shqiptar, vetëm, se ishin të parët Demokrat në të gjitha vendet e okupueme nga komunistët, kur Lufta e Dytë Botnore vazhdonte me korrë miljona djelmë të rij në të katër anët e globit, deri tek Japonia e largët nën bombet atomike…
“Fëtyra terroriste” e Enver Hoxhës, mori tiparet e theksueme bolshevike, tue u ekspozue haptas si agjent i Jugosllavisë, mbasi menjëherë posa pushkatoi pafaj At Gjon Shllakun, njoftoi qeverinë jugosllave për grupin e “krijuem” si një sukses i arritun në terrorin ndaj popullit, i cili, tashma ishte nënshtrue diktaturës “pa kushte”. Qeveria titiste e Jugosllavisë shoveniste kishte pushtue fronin e qeverisjes shqiptare në të gjitha skutat e vendit. Pranë hetuesit komunist shqiptar qendronte hetuesi bolshevik jugosllav edhe në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit në Shkoder, ku, sigurimi i shtetit, mbasi futi armët në kishë, Kuvendin e këthei në hetuesi dhe, ndër qelitë ku zhvilloheshin torturat dhe hetimet, u vendos fotografia e Titos dhe e Stalinit. Sigurisht, kjo ishte pregatitja e trathtisë së agjentit Enver Hoxha, i cili, mbas pak ditësh të këtij njoftimi, u ba “hero i popujve të Jugosllavisë” nga vetë Tito, dekoratë që e ka me vete edhe sot në vorr.
Me 11 Janar 1946 Kushtetuta dhe e ashtuquejtuna “Republikë Demokratike” e Shqipnisë ishte pjesë e pandame e Jugosllavisë komuniste në blokun politik, ekonomik e ushtarak të vendeve komuniste Lindore të kryesueme nga Rusia staliniste. Ky ishte dhunimi ma i turpshëm që hipokriti Enver Hoxha, i ka ba fjalës “demokraci” që Shqiptarët patne fatin me e njohtë që në vitin 1924.
Kryet e vendit e zuni okupatori i ri sllavo komunist bolshevik dhe sherbëtori i tyne i pacipë Enver Hoxha, që i ka sherbye bolshevizmit aziatik anadollak deri ditën e ngordhjes së tij.
Gjyqet e Tiranës, grupet e “armiqve” të Popullit Shqiptar dhe pushkatimet e vazhdueshme që nga grupi i Deputetëve, Prelatët e Klerit Katolik, Bektashijtë, Ortodoksët, Sunitët; ndihma ndaj Jugosllavisë për skllavrimin e Kosovës; interrnimet, vrasjet në kufi, “armiq të jashtem apo të mbrendshëm” e, çka përfshinë “lufta e kllasave”, ishin veprime antinjerzore të Enver Hoxhës, veprime me të gjitha tiparet komuniste të dhunës, sëpse, intelektualët dhe kuadrot e prëgatituna në Evropë, që drejtonin shtetin, ekonominë dhe kulturën e vendit u pushkatuan, u burgosën, u internuan dhe u zhduken me dhunën ma mizore ndër kampët e punës dhe të shfarosjes komuniste. Vendin e tyne e zunë trathtarët dhe shitësit e Atdheut tek sllavët, pseudointelektualët dhe vasalët e pakulturë dhe të pa edukatë qytetare, fshatarët rob të padijes dhe të armës së brigadave të ndjekjes dhe të sigurimit komunist, vëllavrasësit e luftës civile të Jugut, që siguronin të gjitha privilegjet e tyne me mjetet ma të ndyta e të dobta me “yllin partizan” në ballë, tue i sherbye diktatorit E.Hoxha, derisa vet ky, filloi tek të vetët, që mendoi se mund ti krijonin probleme me kolltukun e tij, që nga grupet e Koçi Xoxes, Liri Gegës, Dali Ndreut, Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut, “komplotistët” Teme Sejko apo gjeneralët e therun si desht njeni mbas tjetrit Beqir Balluku e Petrit Dume, agjentët e Hrushovit Liri Belishova e Zoji Themeli apo, “spijunët” e regjun Kadri Hazbiu e Feqorr Shehu, pasues të “poliagjentit” Mehmet Shehu…etj. por, që edhe këto vepra terroriste, neokomunistët e sotëm bashkë me “dr. profesorët” po i interpretojnë krejt ndryshej nga e vërteta e zhdukjes së tyne, tue krijue idenë se këta “spastrime” Enver Hoxha i bante për me shpëtue vendin nga rreziku i “huej”e, jo, për me sigurue kolltukun e tij përsonal.
Ky asht një falsifikim i pafalshëm, mbasi Tito, në “Kujtimet në Krime” të vitit 1956 rrëfen: “Kur Hrushovi e pyeti pse nuk e bane ti në 1945 Shqipninë republikë të shtatë të Jugosllavisë? Ky, i pëgjigjet se, mendova për të ardhmen e Jugosllavisë, e cila, sot ka prap ma shumë shqiptarë se vetë Shqipnia. E, një ditë kur shqiptarët, mund të kërkonin me dalë në vete, po t’ishin republikë e shtatë, merrnin me vete edhe ato Toka që unë i kam edhe sot…kështu, le të rrijë në vete ajo që asht!” Por, edhe Enver Hoxha, nuk donte me pasë telashe me krahinat katolike të Hotit e Grudës, ndersa Kosova ishte e padiskutueshme për Titon, për vetë pasuninë e madhe të nëntokës kosovare dhe lidhjes me Maqedoni.
Njëkohësisht, ashtu ishte edhe premtimi i themeluesve të PKSh në vitin 1941, kur i siguruen Enver Hoxhës, postin drejtues të partisë, por, që pajtoheshin me qellimin e Titos, ndonse, edhe Rankoviç e shpjegon po të njajtin fakt, mbasi kur ishte në Moskë, tregon se, edhe Stalini e donte aneksimin e Shqipnisë nga Jugosllavia para vitit 1948.
Të gjitha janë fakte që në Histori mbesin vepra të terroristit bolshevik Enver Hoxhës, i cili, jo vetëm se ka shitë Atdheun dhe ka masakrue Popullin Shqiptar, po, ka vertetue në mënyrë shkencore, se: “Komunizmi përdori terrorin në masë si sistem qeverisje!”

V. “FEJA E SHQIPTARIT ASHT… SHQIPTARIA !”

Koha e pushtimit komunist provoi se Shqiptarët e vërtetë, pasuesit e të Madhit Skenderbe janë besnikë të pathyeshëm në Besimin e vet tek Zoti i Vërtetë. Shpjegimet ma të sakta për Shqiptarët që ndër shekuj me sakrifica shumë të mëdha e ruejtën dhe e trashiguen Besimin tek Zoti, tue ardhë deri në gjysmen e shekullit XX, deri që u gjet para GENOCIDIT anadollak komunist bolshevik të terroristit Enver Hoxha, e kemi të saktë e me detaje në librin “Krishtenizmi ndër Shqiptarë” të Prof. Zef Mirditës, botue në Prizren – Zagreb në vitin 1998, në pragun e mileniumit të tretë.
Tue ardhë ngadalë e gati tue u shue edhe si Komb, Shqipnia nga pushtuesit bizantin e otoman në një ditë me diell të muejt Prill 1911, në Majen e Bratilës, nën drejtimin e Kreshnikut të Maleve të Pathyeshmit Hero Dedë Gjo’ Luli, Shqiptarët e Saj, mujtën me i tregue mbarë Evropës se: “Shqipnia asht” dhe, se ka edhe një Flamur me Shqipen Dykrenare, të hapun dykrahësh mbi një pellg Gjaku të shkuem rrëkajë të Bijve të Saj ndër shekuj mbi truellin Arbnor për Liri, Atdhe dhe Fe.
Shqiptarët ndër shekuj luftuen për mbrojtjen e Tokës së vet të shenjtë dhe, në arritjen e asaj Dite të Madhe të Pavarsisë, me 28 Nandor 1912, Ata i treguen Botës mbarë me fakte se “Shqipnia” jo, vetëm vazhdon me kenë, por edhe se Shqiptarët në harmoni njeni me tjetrin do të luftojnë, punojnë dhe mbrojnë Trojet e veta, për një Perparim Evropjan Përendimor. Faktikisht Qeveria e Vlonës e kryesueme nga Ismail Qemali, Don Nikoll Kaçorri, Luigj Gurakuqi, Mustafa Kruja dhe sa e sa Atdhetarë tjerë, emnat e të cilve Enver Hoxha u mundue me i fshi nga Historia e Shqipnisë, i kanë tregue jo vetëm Perandorisë Turke, por edhe pasuesve të tyne anadollakë se me të vertetë për Atdhe secili nga Shqiptarët asht kenë në gjendje me mbrekullue njerzimin në respektin reciprok të besimeve po edhe të një tolerance model për vendet tjera. Në lidhje me këte ja si shprehët Papa Gjon Pali II, me 25 Prill 1993, në Sheshin Skenderbe, kur vizitoi Shqipnin:
“…kështu, ju mund të ndërtoni një bashkim kombëtar të urtë dhe të qëndrueshëm!” (Buletini Katolik Shqiptar. N.XIV, USA)
Asht puna e madhe e Atdhetarve tonë që kanë ba në harmoni me njeni tjetrin, për me ia mërrijtë atij qellimi fisnik që Françeskanët Shqiptar e kanë fillue 800…. vjet ma parë, tue ngulitë në zemren e çdo Shqiptari formulën “Fe e Atdhe”, binom i njohtun i Tyne nga të gjitha besimet e shqiptarve dhe, i shpallun haptas nga Vaso Pasha me mendimin filozofik e dashamirës për të gjithë Shqiptarët se:
“Feja e Shqiptarit asht Shqiptaria!”
Kur Vaso Pasha ka shkrue vjerrshen, nuk kishte vetëm pak Shqiptarë, edhe Ata ishin shumica ndër male, pikërisht, atje ku turqit nuk mujten me vue ligjin e tyne, siç, thotë edhe historiani Fan S. Noli tek Historia e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, botue në vitin 1966. Këta, Shqiptar katolik turqit i quajten “kaurr”. Pjesa e islamizueme thonte “na jemi turq”, pjesa tjetër e Jugut gati deri në Elbasan, thonte “na jemi grek”, sepse ishin Orthodoks. Dokumentacionet tregojnë se kishte ndikue pushtuesi aq shumë në çeshtjen tonë kombëtare, sa njerëzit kur donin me tregue besimin, thonin kombësinë prej nga kishte ardhë ai besim në të cilin ishin detyrue me u ndrrue. Kështu ka vazhdue deri vonë për mos me thanë se edhe sot ka shumë Muslimanë që thonë se jemi turq p. sh në Kosovë apo Maqedoni, dhe ka shumë Orthodoks në Jug që e quajnë vetën grekë, edhe pse të dy palët janë Shqiptarë të trojeve tona ndër shekuj.
Pikërisht, këtu, ven theksin Vaso Pasha, se “Feja e Shqiptarit asht Shqiptaria”, pra Shqiptaria asht Kombi i Myslimanëve, Orthodoksve dhe Katolikve Shqiptarë. Kur flisni për Shqiptarinë leni në një anë Kishat e Xhamijat, ose ma mirë me thanë tash që ka ardhë koha për me tregue se “cili komb jeni?”, mos u ngatrroni me kisha e xhamija, e këtu, asht fjala e thanun kjartë për otodoksët që ngatrronin kishën greke me kombësinë e vet shqiptare, apo muslimanet që nuk hiqnin dorë nga turqia, tue kujtue se po mohojnë fenë otomane. Këtu jemi edhe para një intërpretimi të shtrembët me vetëdashje nga ateistët, të cilët, mundohen me paraqitë Shqiptarët si komb pafe. Asnjëherë Shqiptarët e Malëve nuk kanë ba bé “Pasha Shqipninë apo pasha Kishën”...por Pasha Zotin, kjoftë levdue...ose kur kanë çue gotën e rakisë apo të venës: “Kjoftë levdue Jezu Krishti”, pra, Ata Shqiptarë për të cilët flet Fan S.Noli, asht kenë e kjartë Kombësia dhe Feja. Pjesa që mohoi këte fe, tue mos u pajtue shpirtnisht me zaptuesin, mohonte kombësinë por nuk mohonte fenë, mbasi feja për ta ishte e shenjtë, ndërsa, kombësia shqiptar, turk apo serb e grek nuk i prishte punë dhe, kjo asht aq e vërtetë sa shumë malësorë kishin emnat musliman, ndërsa, në të vërtetë ata ishin katolik e katolik të vëndosun aqsa rreshtoheshin në shpella e male edhe në luftë kundër turqve. Këte fakt e gjejmë në besimtarët katolik deri në ditët tona ndër ato krahina, si Mehmet Shpendi, Tring Smajlja, Qerim Sadiku, etj. Në Kosovë ka edhe sot meshtar me emna musliman. Pra, shpesh emni ishte mjet mbrojtjet nga pushtuesit turq, ashtu si ndër relacione të klerit që tregohet se meshtarët qarkullonin nga një vend në tjetrin të veshun fshatar, për mos me ra në sy të zaptuesit turk. Nga fundi i shekullit XIX kur Përandoria turke filloi me pasë ramjen e vet, ajo shtoi mjaft kontrollin në zonat katolike të Shqipnisë dhe sidomos mbas krijimit të Lidhjes së Prizrenit, kur filluen me plasë atje edhe kryengritjet. Për këte arësye klerikët katolik filluen me mbajtë edhe alltije në brez kur qarkullonin, gjoja për tu sigurue nga plaçkitësit e rrugave...Në të vërtetë shumica e sidomos Françeskanët kanë luftue me ato armë kundër pushtuesit. Këto armë fillimisht erdhën nga zonat sllave dhe nga Venediku nëpërmjet Kin Duçes ose Kin Nikaj, vëllau i Don Ndoc Nikaj, Rrok Gjonej vëlla i Ndrek Gjonej, Zef Shantoja (plaku) etj. figura krejt të “harrueme” të cilët, kanë furnizue Malët e Veriut për luftat që u zhvilluen në prag të ngjarjeve të mëdha të udhëhequna nga Heroi i Atyne Bjeshkve Dedë Gjo’Luli. Këto kryengritje dhe beteja të përgjakshme me turqit janë ba edhe me pjesmarrjen e klerit katolik shqiptar. Për këte dishmon organizimi i Memorandumit të Gerçës dhe pregatitja e të gjithë rrugës së vështirë të Pavarësisë së Vlonës me 28 Nandor 1912, të cilat janë vepra heroike historike të Malësorve trima të Veriut, Jugut dhe të Kosovës me praninë e vetë Isa Boletinit në Sheshin e Flamurit.
Komunistët sllavo bolshevik të Shqipnisë, i shpërdorojnë këto vepra dhe, pikërisht, posa marrin pushtetin në vitin 1946, arrestojnë Don Ndoc Nikaj dhe, me kenë se ishte vëllau i Kinit, që kishte furnizue Malësinë me armë, me të cilat Ata luftuen kundër turqve dhe kundër sllavëve, me urdhën të Enver Hoxhës, e marrin Atdhetarin Don Ndoc Nikaj mbi 75 vjeç, të veshun prift, e hypin mbi një gomar dhe në krah i venë disa armë...për me i tregue padronve jugosllav se, kështu do t’ ia bajmë na Klerit Katolik që ka organizue luftën dhe ka luftue kundër jush me mbrojtë me gjak Trojet e veta Shqiptare. E, pa kalue pak muej vrasin edhe Don Nikoll Gazullin që ka shkrue dhe punue për me nxjerrë në dritë historinë e vertetë të Alpeve tona Shqiptare. Këta fakte nuk i “njeh” ende historia dhe as letersia e jonë, ndonse Don Ndoc Nikaj asht romancieri i parë shqiptar.
Për pasojë edhe shkolla, kultura dhe jeta shoqnore mori kahun e drejtimit politik. Hapja e shkollave mbas vitit 1945 me programet e reja, ku shihet kjartë ndryshimi i shkrimit në skript, heqja e krejtë letersisë përparimtare me karakter Atdhetar, ndryshimi i historisë së lashtë dhe i asaj të kohës së re, zëvendsimi i tyne me programët e ardhuna komuniste të “shkollës së re” të vendëve zaptuese me ideologji socialiste dhe internacionaliste, sollen si pasojë shkatrrimin e plotë të bazave të kulturës e shkollës evropjano Përendimore gati shekullore, me një ndryshim rranjsor të dhunshem drejtë Lindjes komuniste të drejtueme nga Rusia stalinjane bolshevike.
Rreziku i këtij pushtimi ishte parashikue nga Kleri Katolik Shqiptar, që në vitët e para të shek. XX, kur, At Gjergj Fishta flet haptas për prëtendimet e Serbisë dhe të Malit të Zi, që u mbështetën që në atë kohë nga Rusia cariste e ma vonë ajo bolshevike në dam të Shqiptarve. Kur në Shqipni lindën masonët e parë, e menjëherë me ta edhe tendencat socialiste të bartuna nga disa studenta filosllav që u infektuen në shkollat evropjane, Kleri çoi zanin e vet kundër këtyne shfaqjeve antikombëtare dhe parashikoi me saktësi ate shka po sillnin grupet e para komuniste të posalinduna në Shkoder. Asht Don Lazër Shantoja që jep sinjalet e para në vitin 1923 në gazetën “Ora e Maleve” dhe, mbas Tij Don Kolec Prennushi, me librin e Tij “Rrimë shtrembët e flasim ndrejtë” në vitin 1931, ku, shkruen: “E kështu shofim na në ditët t’ona kah shpërthen si duhi revolucioni. ...Gjaku i pafaj i atyne qi guxojnë t’ushqejnë tjera ide shkon rrkajë nëpër rruga të qytetit. E në ket gjak ai njynë dorën e vet trueshkyese e shkruen mbi flamur të ri:
L i b e r t é, é g a l i t é, f r a t e r n i t é.
Vetë me duer të veta i kanë vue kazmën kulturës mijvjeçare me e dërmue deri në temel”
. Në të gjitha institucionet shtetnore e kulturore u hoq portreti i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, i cili u zëvendsue me Stalinin, Titon dhe Enverin dhe, për pasojë Flamuri Kombëtar i vitit 1912, u zhigat me “yllin partizan”.
Lufta kunder Fesë filloi njëherësh me luftën e “armikut të klasës”. Pra, lufta kundër Fesë, si tipar themelor i materializmit dialektik, tek na merr me vete edhe fanatizmin e mësheftë anadollak
oriental që ishin strukë e mëshefë bashkë me te nën pelerinën komuniste të ortodoksisë neoshoveniste sllave, gjithmonë antishqiptare dhe bolshevike staliniste, të dy bashkë tek “njeriu ynë i ri” me frymën proletare dhe të “demokracisë socialiste enveriane”, i sherbyen fanatizmit dhe përçarjes fetare kombëtare, mjet okupacioni i njohtun nga të gjitha regjimet diktatoriale e totalitare botnore.
Duhet theksue se në luftën gjakatare kundër fesë, mbas Klerit Katolik Shqiptar me terror u masakrue Kleri Musliman i Bektashijve, ai Orthodoks dhe Sunit tue theksue se Ajo inteligjencë që, u konsiderue e pregatitun nga shkollat fetare të Shkodres apo, që në mendimet e tyne kanë mujtë me shpreh vetëm “një fjalë” vlersuese të punës Atdhetare të Klerit Katolik, kanë pësue po atë përsekucion deri në zhdukjen e Tyne, nga GENOCIDI komunist i Enver Hoxhës.
Komunizmi bolshevik i Enver Hoxhës, e ka mbështetjen e tij mbi fanatizmin, rranjtë e të cilit, lindin, rritën, zhvillohen me gjak dhe i sherbejnë diktatorit në organin terrorist të sigurimit të shtetit, me spijun e sampistë kriminel të mbledhun nga gjithë Shqipnia në këte organ plotsisht i jashtligjshëm, i cili ka krye GENOCIDIN në Shqipni.
Deri në vitin 1944, kultura e shkolla shqiptare në pak vite mërrijti me marrë të gjitha tiparet e cilësitë e kulturës përparimtare evropjane Përëndimore. Programet dhe vetitë e tyne flasin ma kjartë se çdo leksion që mund të pregatitët për këte qellim. Studimet e larta dhe ata mbasuniversitare plotsojnë përkufizimin e pakundërshtueshëm se: Shqipnia kishte ba hapat e para të sigurta drejtë kulturës Evropjane Përëndimore. Kuadro të larta shtetnore dhe private pothuej kishin perfundue shkollat në Përëndim. Një studim i plotë i shkollave të mesme në Shqipni, tue fillue nga ata të Shkodres, me gjimnazet e jezuitve dhe të françeskanve e ma vonë me gjimnazet shtetnore në Korçë, Tiranë, Shkoder etj. do të plotësonte kuadrin e plotë të lexuesit dhe të historisë së kulturës sonë në prirjen e sajë drejtë Evropës.
Asht aksiomë: O kulturë Atdhetare, o bolshevizëm... Të dyja bashkë nuk qendrojnë !
Kjo aksiomë solli si pasojë atë fakt historik se e vetmja opozitë antikomuniste në Shqipni mbeti Kleri Katolik Shqiptar, i cili, tue i qendrue haptas traditave të veta shekullore, lidhjeve të tija shpirtnore, kulturore, edukative me pikëpamje Evropjane Përendimore, pranoi me heroizëm të pashoq në krejt Lindjen komuniste salvimin, torturen, burgosjen, interrnimin, shfarosjen, urinë e vorfninë, tue u ndjekë e survejue derisa, në 1967 antikatoliku anadollak Enver Hoxha, me sherbtorin e tij “besnik” Ramiz Alia, realizoi “revolucionin ideologjik e kultural” tue arrijtë deri aty, sa, me “Kushtetuten e RPSSh” në vitin1976 me ndalue me ligjë “një nga të drejtat thëmelore të njeriut, besimin në Zotin!” dhe, me një terror të papamë në asnjë nga vendet komuniste bolshevike, me shpallë “Shtetin Shqiptar pafe”, vepër e cila, vërtetoi botnisht se bolshevizmi komunist i Enver Hoxhës, u realizue me një GENOCID të panjohtun në histori kundër Klerit Katolik dhe besimtarve Shqiptarë, të cilët, edhe pse u pushkatuen e u shfarosën ndër hetuesi, burgje e kampe pune të detyrueshme, Ata nuk u pajtuen kurr me politiken sllavo komuniste – bolshevike të qeverisë së E. Hoxhës e klikës së tij pasuese trathtare.
Enver Hoxha me veglen kriminale të tij, sigurimin e shtetit tue shfarosë inteligjencën e mirfilltë Atdhetare Shqiptare në krejtë Veriun e Shqipnisë, ka krye sherbimin antikombëtar ma të madhin që i asht ba në Shqipni trathtisë kombëtare nga komunistët e të gjitha ngjyrave, dhe rrugës tradicionale të Shqiptarve “Fè e Atdhé”, me të cilën për shekuj me radhë ata ruajtën ashtu si ditën dhe mujtën tolerancen, gjuhën shqipe, zakonët, traditat e mira dhe veçuese nga të gjitha vendët ballkanike, tue depertue në tokat, shpellat, strofullen dhe çerdhën e Shqipes Dykrenare. Ajo ishte rruga e zgjedhun ndër shekuj dhe e trashigueme në gjakun e Shqiptarit, të të gjitha Trojeve tona, deri në Himarë e Sarandë që bante “vdekjen si me lé për Fé e Atdhé”.
Detyra e parë e shkollës komuniste bolshevike në Shqipni asht kenë gjymtimi mendor!
Ma parë do të baj një shpjegim të fjalës “gjymtoj” nga vetë fjalori i Gjuhës Sotme Shqipe 1980, faqe 632: “I pres ose i dëmtoj rëndë një gjymtyrë, e bëj të gjymtë...
3. fig. I cenoj rëndë vetitë e mira shpirtërore e morale. E kanë gjymtuar shpirtërisht.
4. fig. I heq një a disa pjesë të rëndësishme, një vepre, një teorie, një ideje etj.
I gjymtonin veprat përparimtare, kur i botonin. E gjymtoi mendimin (teorinë).”
Në sistemin komunist stalinist dhe enverist bolshevik, gjithshka asht e gjymtueme tue fillue nga mendja e njeriut! Krahas mendjes e para vepër asht gjuha, e cila dihet si ka vojtë, mandej veprat e tij ato të përditëshmet si bije fjala arti, kultura ose edhe një gja e thjeshtë, një vizitë në një repart të historisë sonë para 100 vjetësh në një muze. Posa i afrohesh një vitrinës me pa një dokument të fillimit të Shekullit XX, je nën vrojtimin e dyshimtë të mendimit që përmban çdo dokument aty. Historia e mësueme në tekstet shkollore mbas 1944 asht kenë e gjymtueme. Shih aktin e Pavarësisë sonë të nënshkruem nga disa vetë Atdhetarë t’Asaj vepre aq të madhe dhe ke me gjetë “mangut”, të gjymtuem shumë emna që janë fshi... E, pse? – Kjo ka ngja nga dora e “historianve dhe akademikve shkectarë” të universitetit Tiranës, që kishte deri dje emnin e terroristit të “gjymtuem” në mend dhe në zemer, bolshevikut, ose siç e quen në “fjalorin” e Tij Don Lazer Shantoja, “boleviçit” Enver Hoxha...(Vepra, L. Shantoja, fq. 407. Tiranë 2005)
Edhe pse klika komuniste mbas vitit 1974, me daljen e ditarit të Enver Hoxhës “Shenime për Kinën” u mundue të maskohej se gjoja këte lloj sistemi komunist ndryshe nga bota e bante sëpse zbatonte marksizem-leninizmin “original” e në mënyrë krijuese për kushtet e Shqipnisë si, të thuesh në një formë “nacionale” të një tipi të “ri”, ai mbeti po ai, i pandryshueshëm me veprat bolshevike terroriste e kriminale, mbasi edhe “spastrimet” që Enver Hoxha bani me kuadrin e vet të prëgatitun në B.S. e vendet “demokratike” Lindore, deri në sferat ma të Larta në byronë politike të komitetit qendror të PPSh, nuk ndryshuen asgja në mentalitetin e tij anadollak oriental. Shpata terroriste e tij binte gjithënjë e ma fortë nga Veriu, me “revolucionin ideologjik e kultural” dhe, që, pasoi me kongresin e gjuhës “njësueme” në 1972, tue i “shpërfëtyrue” gjuhën me qellim shkombëtarizimi, vepër, e cila përjashtoi “përjetsisht” Gegënishtën nga letersia e jonë kombëtare dhe Atdhetare, bashkë me shkrimtarët e vet. Pikërisht se Kleri Katolik me vprat e veta letrare shkencore në gjuhën shqipe, nuk i ngjante fare atij Bizantino-Ortodoks që, vriste e asgjesonte mësuesit e gjuhës Shqipe, ndonse, Enver Hoxha as nuk krahasohet me te, mbasi ky i ka persekutue dhe zhdukë ma keq dhe ma mizorisht.
Ateizmi, lufta kundër pikëpamjeve përparimtare evropjane dhe shpallja e PPSh, “fanar ndriçues” i socializmit…nuk mujtën me depertue as në vendin ma të deklaruem antiamerikan të botës arabe tek Komeini, i cili, nuk pranoi as ai mardhanje me ne, si të “pa fe”!

Kjo politikë e ashtuquejtun “nacionale” ishte vetëm një vetë-izolim, që Shqipnia u rikthye në politikën bolshevike të mbasluftës, së vitëve 1945 kur, Stalini vetë-izoloi BS dhe të gjitha vendet Lindore nga Evropa Përëndimore dhe Amerika, me “luftën e ftohët”. Përëndimi e kishte formue plotsisht idenë e vet për “ndryshimet” që gjoja ban sistemi komunist që, në vitët 1956 me Revolucionin hungarez dhe hymjen e tankeve sovjetike në Budapest në 1968 në Pragë, kështu, ishte vërtetue se “ujku ndërronte qymen por, jo, vesin”, prandej “ujqit e vjetër” për hirë të kolltukut kurr nuk kanë mendue me ndryshue as sistemin as metodat barbare të qeverisjes së tyne komuniste, ashtu, sikur edhe mbas vitit 1989, mbas ramjes së Murit Berlinit.
“Njeriu ynë i ri”, një përbindsh i vërtetë, i formuem nga edukata marksiste leniniste e enveriste pa asnjë tipar atdhetar, fetar e njerëzor ishte “portreti” i t’ashtuquejtunit “vepra më e shkelqyer e Partisë komuniste”. Kjo frymë vdekjepruese e cilësive njerëzore e Atdhetare mbisundoi për 50 vjetë në Shqipninë “Socialiste”. Pasojat Shqipnia i pësoi edhe ma keq se vendet tjera komuniste për vetë faktin gjeografik të siperfaqes së saj të vogel, por edhe të mbetjes jashtë kufinjve shtetnor të pjesës ma të madhe të Tokave të saja, ndër të cilat, për 50 vjetë asht punue në mënyrë sistematike, politike dhe diplomatike me i çkombëtarizue, tue i mbyllë shkollat kombëtare, tue i çpronsue gjoja me “lirinë e të drejtën” me jetue kudo në botë: “Veç jo në Atdhé”, tue i zhgulë nga zemra çdo ndjenjë Atdhédashnije dhe tue i shpartallue doket dhe zakonet kombëtare me të cilat jetonte e vdiste Shqiptari! Edhe ndonjë shkollë e lanun e “lirë” në ndonjë skutë serbe apo arbreshe në Itali, punonte e punon edhe sot me programet e shkollave marksiste leniniste të Shqipnisë së “re” komuniste që ma shumë shedukojnë se edukojnë rininë shqiptare të atyne vendeve.
Lufta shpartalluese kundër Veriut, shkatrrimi i qendrave kulturore, zhdukja e 70% e letersisë shkrimtarve Verior, genocidi ndaj Gegnishtes dhe ndalimi zyrtar i përdorimit të saj, mosnjohja e figurave të shqueme Atdhetare Veriore dhe shlymja e Tyne nga faqet e historisë së lavdishme të Popullit Shqiptar, sollën me vete Atë Shqipni të gjymtueme nga ana kulturore që, ndoshta, ndoshta, për shumë dekada nuk do të mundet me u sherue!
Janë të gjithë intelektualët shqiptarë që nuk kanë pasë ku me mësue Historinë e Vertetë e të Lavdishme të Popullit të Martirizuem.
Janë të gjithë ata që na mësojnë me shkrue dhe me këndue, që nuk njohin fare asnjë kolos të Letersisë dhe të Kulturës Kombëtare.
Janë të gjitha institucionet kulturore e mësimore (perfshi edhe ata fetare) që vazhdojnë me punue me ata programe e metoda të mendsive komuniste, që u sollen me imponim në shkollat Shqiptare nga shovenistët sllav e veglat e tyne anti Evropjane Përendimore Enver Hoxha e Ramiz Alia dhe, që, vazhdojnë me shumë djallëzi edukimin e rinisë me ndjenja të thella fanatizmi dhe perçarje.
Janë të gjithë ata që predikojnë për një Shqipni, paditë ku janë kufinjtë e Saj të vërtetë!
Edhe atëherë, kur shanset për ndryshime demokratike mund ta nxirnin nga balta ku ishte zhytë Populli Shqiptar, nga ndërhymjet e gjermanopërendimorit Shtraus, ishte krimineli Ramiz Alia, që nuk i pranoi dhe la Shqipninë të fundit me hy në botën e lirë…tue mos ba asnjë lëshim “demokratik”, por tue punue atëherë edhe sot për ruejtjen e sistemit komunist me kapitalistët e “rinjë”, trashigimtarët e ujqve të “thinjun” në krime e terrorizem…Këte fakt e dokumenton Prof. Arshi Pipa me artikullin e Tij: “Xhonturqit e Shqipnisë së re”, botue në 1992.
Për me ju vërtetue sesa i poshter ishte bolsheviku Enver Hoxha dhe pasuesi i tij fanatiku Ramiz Alia me gjithë pasuesit, të cilët, kurr nuk kanë pasë as parime as tipare burrnije, sepse i kanë humbë që në rini të tyne…mjafton fakti që, pikërisht, këta “ateist” të deklaruem në botë, janë të gatshem për hirë të kolltukut me u “veshë” edhe priftën e hoxhallarë, vetëm me vazhdue me sundue në fronin komunist shqiptar dhe, kur komunizmit në botë i erdhi fundi, në vitin 1986, i derguem prej komunistve shqiptarë shkon në Katovicë, spijuni i regjun Sofokli Lazri me marrë udhëzime si me veprue: “Të krijohen parti politike të së majtes, qendres dhe të djathta por, ato të kontrollohen nga komunistët.
Partia që do të marrë pushtetin politik do të shajë komunizmin me thëmel e çati, që të fitojmë simpatinë e Perëndimit.
Të dënuarit dhe të përndjekurit të afrohën që të na përkrahin, por pushtet nuk do t’u japim, sepse ata do të hakmerren.”
Po, me 2 dhetor 1992, mbas kërkesës së bame nga anadollaku Ramiz Alia, Shqipnia kuadrohet në “Konferencen Islamike”, kur gjithë Populli Shqiptar brohoriste: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!” dhe, e tham me siguri të plotë se, as fanatikët e mbetun ndër skutat e lanuna të Shqipnisë, s’kanë thanë ndonjëherë: “E duam Shqipërinë si Lindja!”
Ja dhe thirrjet onukut të “pallatit të kongreseve”, trashigimtarit të kolltukut R. Alia: “Edhe bar do hajmë, edhe gjak do derdhim, këtu, e më tej nuk shkojmë”, po, ku, n’…do me shkue o qose… “më tej”…që, nuk ke lanë piramidë kufitare pa la me gjakun e Rinisë Shqiptare, nuk ke lanë podrum të ministrisë së mbrendshme pa gjak të demostruesve shkodranë të 14 Janarit të vitit 1990 dhe, bashkë me katilët Fatos Nano, Gramoz Ruçi e sa pasues tjerë, vrave edhe Lulet e Rinisë Demokratike Arben Brocin me shokë, me 2 Prill 1991, prapseprap, në Shkodren Martire…pa hy me rreshtue qindra Djelm Shqiptarë të vramë në qytetet tjera të Shqipnisë, me djallëzi nga sigurimi i yt i shtetit!
Dhe, ja porosia e pasuesit të Enver Hoxhës, fanatikut Ramiz Alia në mbledhjen e byrosë politike mbajtë me 14 korrik 1990, në Tiranë, mbas ngjarjeve n’ambasada dhe në qytetin Kavajë:
“Nuk ka qytet tjetër ku vepron më tepër agjentura e armikut se sa Shkodra. Në Shkoder agjentura vepron shumë e organizuar, e ndërthurur. Atje ka agjenturë serbe, italiane, gjermano – perëndimore e franceze. Vatikani ka hedhur agjenturën e vet, prandaj, duhet ndenjur gjithmonë në tension dhe të rritet vigjilenca….Pra, duhet perdorur diktatura madje, fort dhe të mos i trembemi. Po, ama të dimë ku të godasim.” Lexoni me kujdes këte citat të marrun nga origjinali pa asnjë ndryshim dhe shikoni porosinë e një pasuesi anadollak të Enver Hoxhës, që përcakton kahun e “vigjilencës”, tue tregue se “duhet rritë terrori” nga sigurimi, me “diktaturë të fortë e pa u trembë” kundrejt agjenturave perëndimore dhe të Vatikanit që simbas tij, ndodheshin në Shkoder. E njajta porosi si në muej e “gëzuar” të prillit 1985, në komitetin e partisë së Shkodres: “… Shoku Enver na la... duhet të jemi më vigjilentë se kurrë, mbasi armiqtë e Partisë do punojnë që të prishin unitetin tonë. Ata në këtë kohe, si gjithënjë, do kërkojnë për të gjetur mundësinë që të realizojnë qëllimet e tyre të këqija ndaj Partisë... Prandaj, të jemi shumë vigjilentë sidomos, me pjesën katolike, e cila nuk e ka dashur kurrë Partinë. Ata në këtë situatë kanë për të kërkuar që të përfitojnë të përçajnë këtë unitet të Partisë sonë ... por, kudo që të vëreni një çfaqje të vogël, mos prisni por sinjalizoni Partinë, veni prangat dhe jepni plumbin ballit!... ” (Prill 1985).
Kjo ishte porosia e djalit “krajlit malazez” Ramiz Alia, që, si paraardhësit e vet të 1913, vazhdonte me gjuejtë me top Shkodren e “rrethueme”...derisa, ia arriti qellimit të tyne në 1967, që Kathedralen e Saj me e këthye në “pallat sporti”.
“Me gjak e kanë fituar baballarët tanë, me gjak do fitojmë dhe ne!”, thërrasin “bijtë tuaj” të paligjshëm, të pangopun me Gjakun e Vëllaut të vet… Me gjak po, vazhdojnë me “fitue” miljona euro këta trashigimtarë vrasës dhe trathtarë, të cilët, asht fat i madh që s’ e njohin veten trashigimtarë të Skenderbeut dhe, madje, as Shqiptarë, ndonse, tashma, po mbushën 65 vjet që po i shërbejnë fiset e fara e tyne bastardhe dhe e ndytë brez mbas brezi fqinjve shovenist sllav!
Po, po, edhe sot, po vazhdojnë me pi ndër “sofrat” e Evropës “Gjakun e Shqiptarve Atdhetarë” kufomat somnabul të “Makbethve komunist” Ramiz, Nexhmije e të sa e sa gjaksorve të tjerë, tue ngritë “kupat” me Gjakun e djersen e Popullit, që vazhdon me la Tokën Shqiptare me metodat komuniste dhe terroriste enveriste, dhe me rrezervue fitimet e ruejtuna në bankat ndërkombëtare, të “sigurueme” nga vetë “kurva e motit” e, quejtun nga At Fishta, e që për dy pare të ndyta Ajo vetë asht tue njollosë qytetnimin, drejtësinë dhe kulturën Evropjane Përparimtare shekullore!
Asht vetë ajo Evropë që pranon talljen dhe sjelljen e pacipë të neokomunistëve tonë që sorollasin Popullin Shqiptar të nëpërkamun tue fillue nga të përndjekunit politik dhe pronarët – trashigimtarë të ligjshëm të tokës apo të truellit, që komunistët jo, vetëm, i morën jeten por edhe i plaçkitën pasuninë, atë pasuni që sot me të drejtë e kerkojnë.
Ata me vërtetë nuk e fitojnë ate që u takon, po, fitojnë një gja shumë të madhe: Moralisht nuk do vazhdojnë me mbetë të përbuzun nga shteti i tyne, kështu, edhe bahen trashëgimtarë të denjë të pronës së tyne. Përfundimisht fitojnë dinjitetin e të kenunit pronar n’Atdheun e vet.
Kështu vendoset qetësia, ndalohen shkeljet e ndertimeve pa leje si, dhe grabitjet e pakontrollueme ose edhe të kontrollueme të pronës shtenore e jo shtetnore. Respekti ndaj pronës së tjetrit vendosë stabilitetin politik mbasi ai asht që detyrimisht shmangë përfundimisht korupsionin. Por, nuk duhet injorue vlera që sjellë në ecjen përpara të ekonomisë, mbasi shmangia e korupsionit hapë dyert e diasporës dhe investitorve të huej me ndertue të sigurt në Shqipni. Ky investim a do të sillte ma kryesoren hopin e shkallzuem ekonomik që asht bazë e të gjitha ecjeve përpara? – As kjo nuk ju intereson..?
Dhe, ja, sa me vend e shtron z. Vedat Shehu këte çeshtje:
“Secili trashëgimtar i pronës së humbur apo të grabitur me zbatimin e kësaj formule duhët të kuptoje se, nuk do të vazhdojë të trajtohet më tej nga shteti i tij më keq se sa shqiptarët e Çamërisë të dëbuar nga shteti shovinist grek.”
Qendrimi i sotëm asht ai i pasuesve të Enver Hoxhës, të cilët, vazhdojnë me quejtë pronarët “ish” që domethanë mos me kenë “kurrë” mbasi komunistët edhe sot, ata e ndiejnë veten pronar të “ligjshëm”, sëpse, janë me parimin komunist bolshevik, që: “Prona e eme asht e emja dhe prona e yte asht prap e emja…” se, kështu, e shkruen Enver Hoxha e, kështu e thotë edhe sot Ramiz Alia… Kjo ngjet se ndaj kriminelve të tillë nuk u ba asnjë akt drejtësie. Ata nuk u dënuen as pse morën jetën e gjysëmiljoni njerzish, as edhe pse trashigimtarve të tyne iu plaçkiten edhe pronat!
Pa drejtësi nuk vendoset as Paqa as Demokracia!
Rruga që ka ndjekë shteti shqiptar tash 65 vjet, asht rruga e një shteti primitiv që gjithnjë e ma fort vazhdon rrugën e “gaforres”, siç, e ka quejt i madhi At Fishta, rrugën e “krahut majtë” apo të “dorës së keqe” që shqiptarët vazhdojnë edhe sot…me hangër me dorën e keqe…
Ndeshkimi i krimit dhe i kriminelve asht një e drejtë thëmelore njerzore që nuk ka pse parashkruhet, o zotrrote, president Topi! Këte tregoi “Brukselit”..! Mos rri tue dekorue kufoma!
Nëse, do me u marrë me “kufoma” hiqi dekoratat Enver Hoxhës, ajo asht detyra e yte! Pastro llomin e balten me të cilën keni mbulue Historinë e Lavdishme të Popullit tonë!
Pastrimi i Historisë sjellë optimizmin e së ardhmes Shqiptare!
E ardhmja e Popullit Shqiptar nuk pranon kthesa, rrugica, vende t’errta, shpella, gremina të “paprituna”, apo tunele e bunkere të Enver Hoxhës, siç, jemi “mësue” me pa vazhdimisht tash një shekull prej sunduesve të pashpirtë e diktator të paskrupull…
Nuk mundeni zotrrote, me kenë asnjëherë President i Shqipnisë Demokratike në kjoftë se, do të vazhdoni rrugën e parardhësve të tuej, duhet me çdo kusht me u shkëputë nga e kaluemja e tyne komuniste bolshevike, me hipokrizi të maskës nacionaliste nuk mund të vazhdoni.
Asht e papranueshme me mendue që komunistët internacionalist ndryshojnë e bahën nacionalistë, me dashtë me shpirtë Atdheun dhe Popullin e vet. Ata vetëm shkatrrojnë me fitue vetë dhe trashigimtarët e tyne, për këte qellim shesin nderën, fëtyren, familjen, Atdheun, gjuhën, traditat dhe të gjitha zakonet e mira të ruejtuna ndër shekuj. Vetem diktatorët e pasardhësit e tyne, nuk mund të ndryshojnë fëtyren e vet...
Nëse, do të merrni në dorë librin e Historisë së Skenderbeut, ndaloni për një çast aty,... ku, shkruhet kjo thanje e Gjergj Kastriotit:
“Madhështia e Udheqësit të një Shteti, asht lumtunia e Popullit Tij!”
E mos harro, se Shqiptare ishte edhe Nanë Tereza..!

VI. CIRKUS “SHQIPTAR” DHE…GLADIATORËT..!

Në vitin 1931, një dijetar shqiptar shkruen: “Romakët kanë pasë një cirkus. E cirkus kemi edhe na. E aty, shkon populli i etshëm me u kënaqë e me soditë me dishirë, e brohoritë kur me një grusht në zemer gladiatori “modern” e, me mizori mase pagane len shokun e vet shakull mbi ranë. Panem et circenses kje britma e mbrame e perandorisë romake para se të shembej.
Sot asht e jona.” (K. Prennushi, “Rrimë shtremtë e flasim ndrejtë”, fq 5. 1931. Shkoder).
Veprat e artit dhe ma vonë filmat për gladiatorët ishin me të vërtetë një kënaqësi për ne si fëmijë me i pa, me i mendue, po shpesh, fantazia e jonë mbetëj deri tek pamja e synit që na sillte dishka krejt të pabesueshme sesi, njeriu “gladiator”, mundet me kenë ma i fortë se “hekuri”…Kur filluem me kuptue ma shumë me moshën, kurioziteti i ynë filloi me u ngulitë tek një pikë tjetër veshtrimi, ishte aftësia e rregjizorit të filmit dhe e artistave që lonin në cirkus, ajo që nga ne kërkohej me kurreshtje: Si asht realizue ky kuader filmi apo kjo skenë aq e mënershme..?
Kujtoj disa filma për Romën…që janë shfaqë edhe në Shqipni! Mbushej salla e kinemas me të gjitha moshat për me pa ata filma, kur në Shqipni mbizotnonte kinematografia sovjetike…
Në një bisedë me mikun tem Don Mark Hasin, aty nga viti 1963, po bisedonim për një kuader pikture që pata gjetë në librari të Akilit, tue marrë rrëshanë mbas një karroce Hektorin… Don Marku, ishte i pregatitun mirë në letersi dhe fliste me kompetenca për te. Po, në atë çast mu duk sikur as nuk donte me e ndigjue bisedën se, jo ma, me e vazhdue e, si pa të keq…Ai më tha: “A e di se, unë, e kam provue “cirkus –in”…?” Për pak sekonda mendova qendrimin e Tij në Romë, kur ishte student i universitetit teologjik dhe, menjëherë, tue vrojtue fëtyrën e Tij, aq sa ishte e rrebtë e pozante, me nofulla pak të daluna, me sy pak të thellë, mbi ballin e madh flokët e drejta të thinjuna qyshë i ri, e gojën shpatë ndër predikime, u kujtova se “cirkus” për të cilin, Ai donte të më fliste, ishte pikërisht “cirkus shqiptar”, të cilin, Ai e kishte provue në vitin 1946…
Ishte ai vit kur në Shkoder kishte 26 “cirkus” të njohtun me ligjë…në një qytet të lashtë, ku, në gjiun e një popullsie prej 28.000 banorësh katolik e musliman, kishte fillue me zanë vend qetetnimi evropjan Përendimor, ku, katër gjimnaze dhe disa shkolla ma të ulta, përveç, edhe dy seminareve fetare të larta, theatri, kinemaja, muzeu, bibliotekat e terrenet sportive ishin anë e kand qytetit për edukimin moral e fizik të Rinisë Shkodrane. Muzika dhe artet zenin vendin e vet me Ata përsonalitete që jo vetëm kanë lanë përjetësisht, një trashigimi të padekshme, por edhe me brezat që Ata ua trashiguen dijen dhe thesarin e vet, mbesin “perlat” e artit kombëtar edhe sot.
Një nga trashigimtarët e oratorve të njohtun të Kishës ishte edhe Don Mark Hasi…Zani i fortë dhe i plotë, kumbues e aq sa i lartë e i kandshëm kur këndonte, aq i padurueshëm për terroristët që në 1944 kishin ardhë në pushtet e, që, në ditët e para të dhetorit, në Malin Kolaj ku, kishte shtëpinë e Tij, ata i kishin pushkatue axhën Kir Dulin, pa gjyq mbas mullarve të sanës. Disa herë tue këndue i kishe pa një shenjë si “vizë” horizontale në gjuhë rreth 3 – 4 cm. por, asnjëherë nuk më shkonte ndër mend sesi ishte krijue ajo “vizë” tek gjuha e një njeriu…
Kur ishte arrestue herën e parë në 1946, ishte i ri 26 vjeç. Akuzohej si të gjithë klerikët… Ishte i fortë fizikisht, volibolist i seminarit, por edhe aktor i theatrit jezutve, ku, me shokët tjerë kishte luejt një rol në dramën “Juda Makabe” dhe, kujtohej zani i Tij tue thirrë në kupë të qiellit: “Trathtarët na lanë pa Atdhe..!”…Hetuesi Nesti Kopali, kërkonte me ditë se, kush ishin ata që ju i queni trathtarë e që ju lanë ju shkodranve pa Atdhe..? – Don Marku, ngulte kambë se drama asht shkrue shumë vite para 1944…dhe, nuk ka të bajnë me ju… Hetuesi kriminel nuk bindet!
Një ditë katili Nesti Kopali, kishte thirrë edhe dy torturues tjerë, kishte sjellë një tavolinë në mes të dhomës e, sipër saj urdhnon Don Markun me u shtri përmbys… i lidhë duertë anash tavolinës dhe ndër kambë i ngarkon një kovë të randë të mbushun me gurë, për mos me lëvizë…Ai vetë qendron tek koka dhe, mbasi e pyet të fundit herë e Ky nuk përgjigjet, katili i njohtun me një thikë në dorë po, i pangopun me krime urdhnon Don Markun, me nxjerrë gjuhën “me të cilën, ke thirrur ‘trathtarët na lanë pa Atdhe…”, dhe posa Don Marku nxjerrë gjuhën, ai ia terhjekë me gishtat e tij, dhe me dorën e djathtë i ngulë thikën në gjuhë dhe e mbërthen për tavolinë, tue i thanë, “po guxove me folë, përjetësisht do mbetësh pa gjuhë…prandaj…kur të mbushet mendja për të firmuar procesin më jep shenjë me sy…ndryshej, ashtu ke për të ngordhur…!” Mbas këtyne fjalve, Don Marku ka pa tavolinën e mbulueme me gjak që filloi me rrjedhë poshtë në dysheme dhe atëherë, ka humbë ndjenjat…Nuk dinte fare se kur hetuesi kriminel e ka dergue në spitalin e burgut, ku aty e kanë mbajtë shumë ditë, sëpse, nga t’ajtunit e gjuhës nuk kapërdinte as ujë…E, në fund shtoi: “Cilit gladiator i shkon mendja dishka të tillë?”
Kishe ndigjue se ndër torturat e mënershme që u janë ba njerzve asht ajo e “jelekut”, po, asnjëherë, nuk më kishte ra rasa me ditë se, ku, qendron “e padurueshmja” e tij nga njeriu…?
Një Burrit nga Malësia sigurimi i shtetit komunist i kërkonte me vra Priftin e fshatit… Kjo vepër terroriste në vitin 1946 asht kenë e panjohtun për fshatarin tonë që në kohën e turqisë. Nuk pranonte i shkreti malësuer me thy rregullat morale të kanunit të vet. Mbas sa torturash një ditë hetuesi Xhemal Selimi, në Koplik, i veshë “jelekun” malësorit shkretë dhe, i thotë: “Ke për të provuar çka nuk të shkon mendja…do ta vrasësh Don Nikoll Gazullin apo t’a mora shpirtin?” Malësori nuk e pranon kurrsesi këte akt të ultë..! Xhemali, mbasi i kishte veshë jelekun metalik për gjoks, e lidhë me sixhir për një tra druni dhe e vendosë mbi dy mbajtëse si vendoset kafsha me u pjekë për ferrlik…Poshtë trupit njeriut të vendosun orizontal ndezë një zjarr që posa merr flakë, tymi fillon me të marrë frymën e, dalngadalë flaka, zjarri dhe ngritja e temperaturës tue u bashkue me pamundësinë e frymëmarrjes nga shterngesa e jelekut metalik, të bajnë me pranue vdekjen si t’ ishte një “rilindje” e dhurueme nga Zoti… Nuk di a jeton njeri që e ka provue..!
Po, avokat Muzafer Pipën si e ka mbytë në torturë Zoi Themeli e Vaskë Koleci? Mbasi e kanë lidhë për karrigë të palëvizëshme me duer mbrapa, tue dashtë me i futë ndër muskujt e krahve një hekur të skuqun, i kanë prekë me hekur shtyllën kurrizore, tue i shkaktue vdekjen në çast. Mandej, kanë çue Elez Mesin me ble një pulë, e kanë therë pulën dhe kanë shpërnda gjakun e saj nëpër oborr. Kanë fillue me shtij me armë, gjoja se u vra Muzaferi tue dashtë me ikë nga hetuesia. Ma sakt e din Aranit Çela që i premtoi Muzaferit “gjysmën e lekut”, kur u takuen tek dera e Bar “Impero” (Kafja e Hardallit), kohë në të cilën Muzaferi, mbronte At Gjon Shllakun në gjyq....
A mund të mendohet se mbytet një avokat se mbron një klerik?
Ja, pra, edhe kjo ka ndodhë në Shqipni...E, si reagoi E. Hoxha?
Me siguri dekoroi vrasësit “hero i popullit” si vetveten...
Hetuesi Nevzat Haznedari asht ndër të njohtunit kriminel që shkonte me pushkatue me andje njerzit e dënuem me vdekje… kështu tregojnë, po, sa vetë ky katil ka mbytë pa shkue fare tek vendi i caktuem për vrasje as nuk ka me u ditë kurr! Ku, qendronte kjo kënaqësi e këtij që ka ende emnin “njeri” në Shtetin “demokratik” shqiptar..? Posa njeriu i dënuem nxirrej nga makina tek vendi i vrasjes, ky ecte një hap mbrapa dhe, mbasi i binte me një levë hekuri mbas koke, aty qendronte kënaqësia e këtij përbindshi…tue pa njeriun tue u shkapetë si pula kur i pret kokën…
Po, krimineli anadollak Shyqyri Qoku, ju kujton ndonjë “heroizem” të kryem në 1974… kundrejt Martirit 39 vjeçar Don Mikel Beltoja..? Mbasi e torturon për disa muej asht i pangopun me gjakun e Tij! Me datën 10 Shkurt 1974, Shyqyriu e mbajti premtimin që i kishte dhanë kohë ma parë partisë së tij…Në orët e para të atij mëngjezi, hyni në qelinë ku ishte Don Mikeli dhe, kur pau se Ai po lutej tue u pregatitë për pushkatim…u rikthye në origjinën e tij të para 1912… Ishte me shokun e vjetër të “armëve” të sigurimit Alush Bakallin…dhe, ashtu si ishte i lidhun djali i Beltojës, tue krye lutjen e Tij, e kapin dy xhullinjtë “modern” dhe e shkyejnë gjymtyrësh.
Këtu mendoni se mbyllet historia e “cirkus – it shqiptar” të nderuem lexues..?! – Jo, jo!
Në vitin 1998 mora vesht atë, që as nuk mund ta mendojnë njeri për dr. farmacist Alfred Ashikun. Mbasi kishte dalë nga puna në darkë forcat e sigurimit të shtetit në Vlonë e kanë marrë, e kanë masakrue në degën e punëve të mbrendshme, dhe vdekja i ka ardhë si pasojë e një sasie açidi që ata i kanë derdhë në organët genitale.
Mendo lexues i nderuem, se çfarë vdekjesh ka provue Shqiptari!
Ashtu të vdekun e kanë çue në dhomën e tij tue plotësue një “akt-vdekje” fals. Përsoni që më tregonte këtë histori nuk e kishte njohtë. Ai e kishte lexue materialin në arkiv dhe e shpjegonte këtë masakër tue e lidhë me pashinë e Alfredit, egoizmin e spijunve vlonjat ndaj tij, po, edhe kenjën shkodranë intelektual dhe katolik, njëkohësisht edhe qëndrimi burrnor në burg ka formue kuadrin e plotë për mbytjen makabre të tij, nga xhelatët e sigurimt të shtetit komunist.
Me, siguri, Enver Hoxha, priste me ditë “vullnetin e fundit të Tij”, ashtu si priste për të gjithë të tjerët, kur urdhnonte vrasjen e tyne!

Unë jam i paditun për ate shka asht ba në qelitë e sigurimit të shtetit…unë jam shumë e shumë larg nga realiteti i atyne veprave terroriste me të cilat katilët e pashpirtë u rritën dhe u banë “të besuarit” e Enver Hoxhes dhe pasuesit të tij, Ramiz Alisë… Unë, nuk i kam pa kur këta kafshë të egra u dekoronin me medalje “trimnie” dhe, u përqafonin e rrokeshin me Haxhi Lleshin e Nexhmije Hoxhën…Unë, nuk di pothuej asgja nga “bëmat e tyre” me të cilat këta bisha të përgjakuna kalonin të “gëzuar netët e festave” të tyne, tue i tregue pasardhësve të “vogjël” rreth sofres së vet, sësi masakronin e vrisnin “vëllaun shqiptar”…tue e konsiderue të huej… e shpesh “kaurr..”!!
“Askush nuk mund të marrin me mend vuejtjet e mija vetëm, se kishe mësue ndër bankat e shkollës Françeskane e, për këte hetuesi më thonte se, shkove atje për t’u bërë kaurr…!”, më ka thanë me gojën e vet i Ndjeri Osman Kazazi në vitin 1996, në shtëpinë e Tij…dhe, shtonte se: “Kur ishe në hetuesi në Tiranë, nën një shkallë çimentoje të ultë dhe të rrethueme me hekura si një kafaz u mbante At Anton Harapi, ku, asnjëherë Ai Burrë aq i gjatë nuk kishte mundësi me u ngritë në kambë ose me drejtue trupin…dhe, kurr, nuk kam ndigjue një ofshamje apo fjalë fyese prej gojës së Tij, që masakrohej ma shumë se të tjerët, veç lutje dhe kurajo për të tjerët…”.
Ka shumë klerikë që kanë “ngushllue” vetën, tue thanë: “Fali o Zot, se nuk dinë shka bajnë..!” Ndoshta, kjo ishte rruga e zgjedhun prej Tyne!... Por, tue analizue thanjen e hetuesit kur, ai po torturonte Dedë Gjomarkagjonin, i cili po e vrojtonte Dedën e lidhun për karrigë, mbasi e kishte masakrue si një kafshë, i tha: “E di mirë se çfarë je duke menduar, sigurisht, të shkon mendja se një ditë ka për t’ardhur dita yte…por, as mos kujto se ndonjëherë do të mund të bësh tek unë, ate çfarë jam duke bërë unë tek ti, sëpse, edhe po të vijë dita yte o Dedë, “ligjët e shtetin tuaj”, nuk do t’ ju lejojnë kurr të bëni ate çfarë jemi duke bërë ne mbi juve..!”
A nuk asht kjo një thanje e “vetdishme” e një gladiatori të prëgatitun shpirtnisht nga “ajo shkollë” ku, njeriu, nuk ruente ma asgja nga ndjesitë e njeriut për njeriun..? E si, munden të na “gënjejnë” sot, “mjekët” e veshun deri dje me “bluzat e bardha” për qindra vetë që sigurimi i ka marrë dhe i ka dergue ndër manikomjo të Shqipnisë, e aty, hetuesit kriminelë edhe ata, si mjekët “me bluza të bardha” po, me shpirtin ma të zi se qymyri…vrojtonin ashtu si kanë vrojtue në çmendi Imz. Jul Bonatin, ku, “të çmendurit e pavetdijshëm” ishin tue e shkye “viktimen” e pafajshme…
Mendoni, vëllazën e motra shqiptarë, për një moment një nga njerzit tuej të dashtun, të nderuem, të pafajshëm, të ditun dhe të kulturuem, të vendosun në Atdhedashuni…e marrin, janë “gladiatorët modern” të shtetit tand shqiptarë…dhe, kënaqën kur e shohin tue e shkye për së gjalli, derisa i del shpirti ndër duertë e atyne katilave të “pavetdishem”…vetëm, për me u argëtue, me e shijue vdekjen e vëllaut shqiptar …tue u përdhosë nga “ylli i kuq” i bolshevizmit komunist…
Mendoni o Nana Shqiptare, Motren Tuej të Nderueme, Çile Shantoja e kapun për hekra tek dera e qelisë në Tiranë, kur sheh djalin e vet të cunguem dy kambësh me sharrë druevari, i zhytun në pisllekun e një biruce sigurimi, ku, nuk depertonte as drita e diellit, ku era e qelbun e një “kufome të gjallë” nuk e lejonte këte grue me dallue as fëtyren e qeshun të djalit të vet, që në atë mjerim po, ndigjonte Bijen e Rozafës, tue i thanë katilave: “Ju lutem, ma vritni djalin, banje këte mirësi, mos ma leni kështu…” e, ata, të pangopun, të pashpirtë zgerdhiheshin…si, atëherë, kur e terhiqnin zvarrë me e çue për me e pushkatue…
E, “gladiatori” bolshevik vazhdonte me grushtue ndër tribunat e 1 Majit, kur turmat e sa mijra Shqiptarve, parakalonin…t’uritun, të çveshun, të dhunuem, të nëperkambun, të survejuem, të poshtnuem, të shnderuem, të përgojuem, të shpërfëtyruem, të rrahun, të përçudnuem, të bamë skllav të shekullit përparimit…ku, ky përbindsh i parodë e soj shqiptari Enver Hoxha, i nxirte me thonjë gërmazin…i këpuste kokën me spatë “vëllaut” në mes të pyllit, i zhyste sëgjalli “dijetarin” në baltat e kënetës së Maliqit…lidhte fëtyrë në fëtyrë të gjallin me të vdekunin, bante njeriun me hanger “nevojën” e vet nga uria, i vriste të fejuemit që kerkonin lirinë në piramida, vriste e vetem, vriste…për me qendrue edhe “kufomë” në kolltukun e vet! Ky ishte Enver Hoxha që dhunoi barbarisht Liritë dhe të drejtat e Njeriut në mënyren ma mizore, rranuese, zharitse, me një stuhi vëllavrasëse të një katili sadist dhe të pashpirtë, që edhe sot, ajo egersinë përbindshe e atij shekulli asht edhe dy herë “hero i popullit”…

VI. NA JEMI “BREZI...” I ATIJ FUNDSHEKULLI..!

PO, PO...Na jemi brezi i atij fundshekulli..!
Na jemi që kemi pa gjysëm shekulli Flamurin Kombëtar Shqiptar të dhunuem...
Na jemi brezi i asaj lufte pafund bolshevike... kundër Lirisë dhe të Drejtave të Njeriut...luftën kunder Zotit...
Na jemi ata që lindëm nën gërmadhat e luftës dhe nën shpërthimet e bombave që vranë baballarët, nanat, vëllaznit e motrat tona...
Na jemi ata që ndigjuem brohoritjet e robnisë sllavo komuniste bolshevike!
Na jemi ata që pame tue zdrypë nga Elteri Atdheut figura e Gjergj Kastriotit Skenderbeut dhe, në vendin e Tij...tue u vendosë terroristët Enver Hoxha, Tito, Stalin, e fara e keqe kriminale ... që, sollën idetë e revolucionit bolshevik me idealet komuniste staliniste në Evropë.
Na jemi bashkohës me gulag-et dhe ....lager-et...e të gjitha kohve të shek. XX- të...
Na jemi një popull i vogël me vorreza “kolektive”...
Na jemi që për qejfin e komunistit jugosllav, rus apo kinez... vramë vëllaun tonë...
Na jemi që “derrit shovenist sllavo komunist bolshevik me ‘yll në ballë’ i thirrëm dajë”!
Na jemi që vëllaut tonë të një truelli i thonim “tavarish”...
Na jemi që zgjoheshim shumë heret nga krizmat e automatikve në Zallin e Kirit...
Na jemi që kemi pa komunistët tue u tallë me kufomat e Atdhetarve të pushkatuem...
Na jemi që kem pa me sy tue pështy të pafajshmit e lidhun me pranga ndër rruga...
Na jemi që kemi ndigjue me veshë tue thirrë “plumbin ballit” dijetarve e Atdhetarve...
Na jemi që ndigjuem me veshë zanin e xhelatit tue i thanë Nanës: “Ta kemi vra djalin!..”
Na jemi që kemi pa me sy “njeriun” tue ra nga dritaria me shpëtue nga torturat e sigurimit
Na jemi që nuk dimë ende sot vorret e Atdhetarve të vramë apo të mbytun në hetuesi...
Na jemi që kemi pa komunistët tue shnderue Atdhetarët për me sigurue privilegje...
Na jemi që viktimat e terrorit komunist i kemi pa vorr e shenjë tek koka...
Na jemi që kemi pa tue u “zhburrnue” burri i Malësisë nga masakrat e sigurimit...
Na jemi që kemi pa si krenohej komunisti bolshevik, kur vritej një djalë tek piramida...
Na jemi që kemi pa tue u depersonalizue Rinia Shqiptare...
Na jemi që kemi pa “kumbaren” tue dishmue për “mikun e vet” në gjyqet komuniste!
Na jemi që në orën 3 e 4 të mengjezit venim shishen e qumshtit në rradhë...
Na jemi që “gëzoheshim” kur eksportohej edhe purrini...se, i shtohej kapitali diktatorit...
Na jemi që kemi pa tue u perqafue kur shtohej edhe një spijun... “anëtar i PPSh”
Na jemi që spijunoheshim nga “shoku i shkollës” se, ashtu, ai përfitonte bursë studimi...
Na jemi që kemi pa me sy tue u djegë thesarët e bibliotekave dhe muzeumeve tona...
Na jemi që blenim me pare të bukës “veprat” e Enver Hoxhës...
Na jemi që kemi pa dijetarët tue kërkue bukë ndër grumbujt e plehit të lagjes...
Na jemi që kemi pa dijetarët tue marrë kafshata ndër lugjet e derrave...
Na jemi që kemi pa dijetarë tue pi ujë e urinë ndër pllakat e nevojtoreve të hetuesisë...
Na jemi që kemi pa Burra tue i shkye për gjymtyrësh...
Na jemi që kemi ndigjue virrmat e të torturuemve kur me hekur të skuqun i merrej jeta.
Na jemi që kemi pa njerëz pa dritën e syve të qorruem me cigare...
Na jemi që kemi pa njerëz pa dhambë në gojë të zhgulun nga hetuesit...
Na jemi që kemi pa edhe Burra të shpartalluem ndër organet gjenitale nga hetuesit “me bluza të bardha”...
Na jemi që kemi ndigjue nga goja e tyne...sesi shnderohej femna shqiptare në hetuesi...
Na jemi që pame me sy tue u rranue Kishat e Xhamijat...tue u ra kumbonaret e minaret...
Na jemi që pame me sy tue u shpronsue njerzit...për me i plaçkitë pronen bolsheviku...
Na jemi që kemi pa me sy tue u dekorue nga Kuvendi Popullor, vëllavrasësit...
Na jemi që kemi pa me sy komunistët tonë tue i dorëzue Titos mijra kosovarë me i vra...
Na jemi që kemi pa tue u derdhë në brox diktatorët e shekullit...
Na jemi që kemi pa monumentët e terroristve tue u ngritë sa metra lartë në Shqipni...
Na jemi që kemi pa diktatorët anadollakë Enver Hoxha e Ramiz Alia, tue dalë nga Kathedralia e bame “pallat sporti” në Shkodren e masakrueme prej komunizmit...
Na jami që kemi ndertue hidrocentralet e rrinim në errsinë, për me fitue dollarë diktatori.
Na jemi që kemi jetue gjithë jetën të interrnuem, tue punue ndër ferma për pasunimin e bolshevikve.
Na jemi që kemi pa emnin e rranuesit kulturës kombëtare tue u vue në qendren e arësimit kombëtar, në Universitetin e kryeqytetit Shqipnisë, në Tiranë...
Na jemi që kemi pa Enver Hoxhën me dekoraten e Titos “Hero i Popujve të Jugosllavisë”
Na jemi që kemi pa Enver Hoxhën tue u puthë me Stalinin, Hrushovin, Mao Ce Dunin e tue i quejtë ky ata, trathtarë të “marksizëm – leninizmit”...
Na jemi që kemi pa trathtarin terrorist t’ Atdheut, që shiti Trojet tona tek shovenistët, tue u dekorue dy herë “hero i popullit”...edhe, pse miku i tij...nxori një popull kosovar nga Kosova!
Na jemi që po shohim çdo ditë, pasuesit e Enver Hoxhës që po vërtetojnë thanjen e Atij Burri V. Havel, mu në qender të Tiranës, para Kryeministrisë, në vitin 1999 se:
“Rreziku ma i madh për demokracinë janë komunistët e konvertuem në demokrat.”

E, si, sot, më duket, sikur,... më ushton ndër vesh zani i një Djali 23 vjeçar nga Shkodra...Mbas krizmave të automatikve që shprazeshin pranë shtëpisë seme në rrugen Badra...më delte gjumi trembshëm si fëmijë, kur, në Zallin e Kirit, pranë murit të Vorreve të Rëmajit...në Shkoder...
Mbyllej edhe një...jetë e, bashkë me te edhe një...
“Dosje nr.1108 Arkivi i Min. Mbrendshme Tiranë:
“ V.F.L.P.
Proçes- verbal

I mbajtur mbi vullnetin e mbramë të të dënuarve me vdekje,
Ndue Mirash Pali dhe Caf Meti, nga Shkodra.
Sot më 15 gusht 1945, ditën e mërkure, ora 5.00 para drekë, unë prokuror i Gjykatës Ushtarake, kapiten i II Aranit Çela, shkova në vendin ku do të ekzekutoheshin kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit, Ndue Pali dhe Caf Meti nga Shkodra, për të marrë fjalën e fundit të tyre, në të cilën thanë këto:
Ndue Pali: Nuk më vjen keq, që unë sot pushkatohem prej vllazënve të mij. Jam i lumtun që unë po vdes në tokën shqiptare pas pesë vjet vuejtjesh, që pata nga fashistët dhe nazistët.
Shqipnia rron edhe pa Ndue Palin!
Një fjalë dua t’ja drejtoj rinisë nacionaliste:
Punoni deri në vdekje për një Shqipni të lirë, indipëndente, me baza shoqnore moderne demokratike!
Rrnoftë Shqipnia e Shqiptarëve!
Të fala familjes. Prokurori (Aranit Çela) d.v.”

Na jemi Brezi i Atij fundshekulli që kemi të ruejtuna në Histori të Popullit Shqiptar mbi 45.000 dosje të tilla, me firmen e katilit Enver Hoxha... që Brezat e ardhëshme do ti kujtojnë për shekuj të shekujve...!

VII. PËRFUNDIM:

Shumë pak rreshta janë këta për Shqipninë e masakrueme …E aq ma pak për viktimat e komunistit bolshevik anadollakut Enver Hoxha! Mos harroni se deri në vitin 1974, Populli Shqiptar kishte 500.000 Shqiptarë, të masakruem nga komunizmi gjakatarë, në “cirkus shqiptar”e, jo, 5.000 apo 6.000 të vramë…Por, mbi 45. 000 të pushkatuem, të humbun dhe të vdekun ndër hetuesi, burgje e kampe pune e shfarosje të sistemit komunist…Atij sistemi që sot, po trashigohet nga bijtë e tyne të pashpirtë, kriminela, terrorista, katila… antinjerzor e antishqiptarë..!
Njëheresh, u dhunue Shteti, Flamuri, Shqipnia, Populli, Trojet e Atdheut dhe çdo simbol që na përfaqsonte ndër shekuj, deri tek emni i Heroit Kombëtar të Gjergj Kastriotit Skenderbeut.

Këta “gladiatorë” sot tallen edhe vazhdojnë e bajnë “sehirë”…!
Thirrja përfundimtare e Popullit Shqiptar sot asht vetëm një:
Drejtësi, Drejtësi, vetëm Drejtësia, sjellë mospërsëritjen e terrorit dhe PAQEN!
E vetmja fitore e Shqiptarve mbas vitit 1991, ishte spastrimi i Flamurit Kombëtar nga të gjitha simbolet sllavo bolshevike dhe komuniste...dëshirë e shprehun në Revoltën e Spaçit në 1974... dhe, e të gjithë Shqiptarve në Botë.
Komunistët e vjetër i shitën të gjitha “Kështjellat e Atdheut”, tashti presim nga të rinjtë... Duhet të bindeni, ju demokratë të Presidencës, Kuvendit Popullor dhe të Qeverisë Shqiptare, bashkë me partitë politike se, nuk keni ba asgja për të zhgulë mentalitetet bolshevike të Enver Hoxhës, që duket, se, nga shartimi me ju po nxjerrë filiza përditë, filiza vdekjepruese për Atdheun tonë SHQIPNI.
Përgjegjsia kolektive “të gjithë bashfajtorë e bashvuejtes” parullë e “intelektualve” tonë neokomunist me justifikue fajet e krimet e pafalshme të bolshevizmit ndaj Popullit Shqiptar, asht një “heshtje” e pafalshme tjetër nga ju, që sjellë “harresen” e një “Nurenbergu” tjetër për të gjithë komunistët e bolshevikët e fundit të shekullit XX, tue fillue nga Enver Hoxha.

Po, kurr mos harroni, se, edhe për ju një ditë…do të shkruhet në histori, se: Ju, nuk jeni demokratët e parë të Shqipnisë “demokratike”, po, jeni dhe keni me kenë në histori: diktatorët e fundit të Shqipnisë komuniste, trashigimtarë të diktatorve stalinistë dhe enveristë që me fakte e dokumenta Historia e Shqipnisë, nëse vazhdoni, kështu, mbi vorret tueja do të daltojë përjetësisht emnin:
“Trathtarë të Popullit dhe të Shtetit Shqiptar”.

Kështjella e fundit që i ka mbetë sot Shqipnisë e Shqiptarve,.. asht:
“Flamuri i Skenderbeut”...
“Flamuri i Popullit dhe i Shtetit Shqiptar”..!

Vëllazen e Motra Shqiptarë!

Derisa kokat dhe autoritetet e Shtetit Shqiptar nuk do të zhvlersojnë plotësisht të ashtuquajtunat vepra dhe mësime të trathtarit Atdheut dhe Popullit Enver Hoxha, pa denoncue dhe dënue publikisht krimet e atij terroristi, që “vazhdon” me qeverisë e me sundue edhe për së vdekuni, pa e dënue me vdekje mbas vdekjes bolshevikun Enver Hoxha, Liria, Demokracia dhe Drejtësia në Shqipni do të mungoj edhe për dhjetra vite të tjera!..

I nderuem z. NIGEL CAWTHORNE!
Në librin Tuaj “TIRANËT”, Historitë e 100 Despotëve dhe Diktatorëve, me titull: “TYRANTS”, botue në vitin 2004, for Lifetime Distributors Pty Ltd Building G, 2 Hudson Avenue Castle Hill, 2154 Australia,
Kam gjetë të vërtetën e pashkrueme deri tashti për né Shqiptarët:
“TYRANTS”
“BOTA MODERNE
ENVER HOXHA
1908 - 1985
Udhëheqës i Shqipnisë

Ka lindë nga një familje me fé myslimane në jug të Shqipnisë.
Enver Hoxha fitoi të drejtën e bursës për me studjue në Francë, ku u ba një komunist.
Ai u këthye në Shqipni në vitin 1939 si një pararojë e rezistencës, kur vendi i tij ishte pushtue nga italianët dhe hapi një dyqan cigareshitës në kryeqytetin Tirana. Në vitin 1941 kur ishte thëmelue Partia Komuniste e Shqipnisë....

Libri fillon nga viti 1353 para Krishtit dhe vazhdon deri tashti në vitin 2004.”
Ju falemnderës z. CAWTHORNE!

Se kush ishin Shqiptarët këte nuk e vërtetojnë një, dy, apo dhjetra libra, po, për Shqipninë e Bekueme flasin shtyllat e Butrintit, flasin shkallat e gurit të sheshëve të Pagëzimit, veprat e pavdekshme të Apolonisë, flasin Kishat bizantine të Jugut, flasin gurët e mbytun ndër ujnat e Drinit dhe të Vjosës, flasin themelët e Kishave të harrueme ndër majët e malëve ku Shqipja çilte zogjtë e sajë, flasin gurt e Zallit të Kirit, zallishtat e fushat e përgjakuna ndër shekuj për mbrojtjen e Lirisë Atdheut e të Fesë...

Melbourne, 18 Korrik 2010. F. RADOVANI.

----------------------------------------------------------

Bibliografia:

Prof. Namik Ressuli, Antologji Shkrimtarët Shqiptarë, Pj. I, 1941, Tiranë.
Fan S. Noli, Historia e Skenderbeut, 1966, Tiranë.
Xhafer Belegu, “Lidhja e Prizrenit”, botim i vitit 1939.
Prof. Arshi Pipa, publicistikë, 1992.
Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme Tiranë, 1998.
Arkivi i Shtetit Tiranë, 1998.
At Donat Kurti, “Vepra kulturale e elementit katolik në Shqipni”, 1944. (Dorëshkrim).
Don Kolec Prennushi, Libri “Rrimë shtremt e flasim ndrejtë” 1931, Shkoder.
At Konrrad Gjolaj OFM. Libri “Çinarët” Shkoder, 1996. Bot. I.
Prof. Gj. Sinishta, Buletini Katolik N.XIV, San Francisco USA
Lazer Shantoja Vepra, Shkoder, 2005.
Don Lazer Shantoja, (Y), publicistikë, gazeta “Ora e Maleve” 1924, Shkoder.
Prof. Dr. Ingj. Vedat Shehu, publicistikë, 2010.
Marash Mali USA, Publicistikë.
Brajan Capmën Libri “Dimensioni i katërt i luftimit”, botim i vitit 1967. Londer.
Henry Kissinger, Libri “Diplomacia”, Tiranë 1999.
Nigel CAWTHORNE, “TYRANTS”, Australia, 2004.
Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 1985.
Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe 1980.
Gazeta “RD” 1993.
F. Radovani, Libri “At Pjeter Meshkalla SJ.” Zagreb, 2007, Botim i II. Kroaci.
F. Radovani, Libri “Një Monument nën dhe”, Zagreb, 2004.
F. Radovani, Libri “Publicistikë” (Dorshkrim). 2010.
F.Radovani, Kumtesë: “Kleri Katolik Shqiptar përballë genodit komunist” Detroid 2007.