Sindroma e Elefantit të kuq - nga Genc Korça

Sindroma e Elefantit të kuq, këmbëkryq në realitetin shqiptar

Nga Genc Korça

Shekulli i XX hyri i zjarrtë në optimizëm. Mendimtarët politikë në gjithë Europën panë radhët e punëtorëve industrialë, të grumbulloheshin rreth flamujve të socializmit në gjithë kontinentin. Kështu, ishte mjaft e qartë të konkludohej se asnjë nga punëtorët socialistë, qofshin ata në Francë, Gjermani apo diku gjetkë në radhët e kombeve të industrializuara, mund të ngrinte pushkën kundër socialistëve të tjerë, pavarësisht në cilën anë të kufirit ata mund të ishin. Por në këtë kohë, Duka Ferdinand i Austrisë u qëllua për vdekje në Sarajevë dhe Lufta e Parë Botërore e la mënjanë utopinë pacifiste.

Para përfundimit të luftës, sovjetikët mund të fillonin ndërtimin e parajsës së punëtorëve, duke mbytur në gjak regjimin carist, si dhe çdo kundërshtim ndaj marksizëm-leninizmit. Përveç kësaj, Gjermania mundi të flakë skamjen dhe trazirat e pasojave të Luftës së Parë Botërore dhe të zgjidhte Adolf Hitlerin si kancelar. Gjermania mundi të bashkojë ngushtë radhët nën flamurin e Partisë Nacional-Socialiste dhe të ngrihej në nivelin e një fuqie botërore, vetëm në gjashtë vjet. Bota duhej të paguante një çmim të lartë, për shkak të agresivitetit të dy regjimeve diktatoriale. Viktimat politike të këtyre diktaturave dhe dëmet e mëdha të shkaktuara nga lufta që pasoi, bënë që popullatat e disa vendeve të vogla, të bashkohen. Shekulli i XX, në vend që të sillte paqe, u kthye në shekullin më të përgjakshëm, që nga krijimi i botës. Sidoqoftë, errësira e luftës u ndriçua herë pas here, duke ngritur lart shembujt e trimërisë dhe dhembshurisë. Në fillim të Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri jetonin rreth 200 hebrenj. Përveç grupit të vogël të hebrenjve të lindur apo që tashmë jetonin në Shqipëri, numri i tyre u rrit kur Mbreti Zog urdhëroi autoritetet shqiptare, të nxirrnin viza hyrëse për hebrenjtë gjermanë, në një kohë kur vetëm pak vende të tjera u hapën rrugë refugjatëve hebrenj që vinin nga Gjermania. Gjatë luftës, 1800 hebrenj të tjerë të ardhur nga Europa Perëndimore dhe ish-Jugosllavia, kaluan nëpër kufijtë e saj. Që të gjithë mbijetuan, falë përpjekjeve të autoriteteve shqiptare dhe bujarisë të popullit shqiptar, të cilët u ofruan atyre strehë dhe përkrahje. Gjatë kohës kur kryeministër ishte Mustafa Merlika-Kruja, përfaqësuesit gjermanë e pajisën qeverinë shqiptare me emrat dhe adresat e hebrenjve që jetonin në Kosovë. Kryeministri Kruja urdhëroi zyrat e qeverisë, për t’u siguruar hebrenjve kartat shqiptare të identitetit dhe për t’i lejuar ata të lëviznin në vendbanime të tjera. Operacioni u krye brenda disa javëve dhe autoritetet gjermane u informuan se kërkimi i hebrenjve sipas adresave të mëparshme kishte dështuar dhe, për këtë arsye, quhej i përfunduar. Qeveritë që pasuan, ndoqën të njëjtin kurs, deri në fund të luftës. Në dijeni të kësaj, më 27 qershor 2006, senatorët Schumer i Nju Jorkut dhe McCain i Arizonës paraqitën rezolutën 521 IS për aprovim nga Senati, duke lavdëruar popullin shqiptar me rastin e 61-vjetorit të çlirimit të hebrenjve nga kampet e vdekjes së nazistëve. 11 vjet më parë, Yad Vashem, Muzeumi i Kujtimit të Martirëve dhe Herojve të Holokaustit në Jeruzalem, e paraqiti Shqipërinë si një nga “më të drejtët e gjithë kombeve”. Kohët e fundit, drejtori i tij, Dr.Mordechai Paldiel, përkujtoi heroizmin e shqiptarëve, se i kishin mbrojtur hebrenjtë, falë besës së tyre, kodi i nderit që kërkon që shqiptarët të mbrojnë jetën e cilitdo që kërkon strehim, edhe me jetën e tyre. Dr.Paldiel e gjeti këtë, si shumë të drejtë. Besa shqiptare është fjala shqiptare e nderit. Në Greqi, e cila nuk njihet për simpatitë e vet proshqiptare, një personi që ka një sens të fortë nderi i thuhet të “ketë besë, gjë që nuk kërkon shpjegime të mëtejshme. Në fakt, ka një kod të nderit shqiptar, një trup sistematik dhe të gjithanshëm ligjesh. Shqiptarët e veriut e zhvilluan kodin e Lekë Dukagjinit gjatë pushtimit otoman, ndërsa administrata shtetërore dështoi në sigurimin e ligjeve dhe rregullit në trevat veriore të vendit. Ishte ky sistem që realizoi siguri për udhëtarët që kërkonin strehë dhe ushqim, duke përfshirë edhe ata që kërkonin strehim nga qeveria turke. Kjo siguroi një parajsë për çdo individ, edhe pse azilkërkuesi ishte i përfshirë në gjakmarrje, direkt me pritësit e tij. Besa ishte fjala e nderit që vulosi marëveshjen gojore ndërmjet palëve. Nuk është nevoja të themi që regjimi komunist shqiptar e luftoi kodin dhe zbatuesit e tij, me egërsi, meqë ky nuk mund të toleronte besnikëri ndaj një burimi të një sistemi jashtë Partisë. Nëse nuk ka Zot, pse atëhere, Partia luftoi me gjithë forcat kundër tre besimeve fetare në Shqipëri? Pse ajo ekzekutoi pjesën më të madhe të katolikëve, gjatë pesë viteve të para të ardhjes së saj në pushtet? Pse ajo persekutoi dhe eliminoi shumë klerikë të besimeve katolike e muslimane? Pse partia nxori jashtë ligjit gjithë besimet fetare në vitin 1967 dhe pse ajo i ktheu vendet e adhurimit kristian e musliman, në palestra e salla vallëzimi? Për të njejtat arsye, ajo luftoi Kanunin e Lekë Dukagjinit. Partia Komuniste luftoi gjithë besimet, sepse ato ishin lidhur me një sistem parimesh morali e besimi mbi dhe, përtej shtigjeve tradhtare të politikës së kuqe. Ja një shembull se si Partia Komuniste ndoqi shkatërrimin fizik të klerit: një i mbijetuar i spastrimit fetar, at Shtjefën Kurti, ishte dënuar me 25 vjet burg. Menjëherë pas kryerjes së dënimit, një bujk i kërkoi at Kurtit, të pagëzonte birin e tij të posalindur. Prifti e pagëzoi fëmijën, por ai u arrestua përsëri dhe u pushkatua. Edhe sot e kësaj dite nuk është
e qartë, nëse bujku ishte i pafajshëm apo ishte rekrutuar nga autoritetet, për ta shtënë priftin në kurth! Partia Komuniste Sovjetike dhe homologet e saj në vendet satelite, gjetën mënyra të tjera për të prishur komunitetet fetare, pa i shkatërruar ato. Kur është e volitshme, këto forca besimtare, gjithmonë mund të pastrohen nga pluhuri dhe mund të shfrytëzohen në kohë krizash, ashtu si u veprua në BRSS, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nuk ndodhi kështu në Shqipëri, ku ekstremizmi ideologjik dhe jotoleranca mundën të sundonin për rreth gjysëm shekulli. V. Molotov, ministri i Jashtëm i Bashkimit Sovjetik, dikur ka thënë së në shekullin e XX, të gjitha rrugët të çojnë në komunizëm. Shumë e ndoqën këtë rrugë në gjithë kontinentet, për shkak të joshjes së saj ideologjike, e cila, si sirenat e mitologjisë greke, i hipnotizonte udhëtarët, vetëm e vetëm për t’i shkatërruar ata, herët a vonë, mbi shkëmbinjtë e realitetit. Disa komunistë ishin idealistë që ushqenin premtimin e barazisë universale, në një shoqëri pa klasa, ku individi do të furnizohej sipas nevojave të tij, jo sipas kontributit. E çfarë mund të jetë më humane se kaq? Një nga këta individë ishte Lazër Fundo, një komunist shqiptar i orëve të para. Gjatë regjimit të Mbretit Zog, ai kishte mërguar jashtë vendit. Unë e takova në vitin 1939, në fshatin Dardhë, dhe isha i impresionuar nga ngrohtësia e miqësia e këtij shqiptari të gjatë, bjond dhe me sy të kaltër. Ajo që më çuditi edhe më shumë, ishte se im atë, një kundërshtar i fortë i komunizmit, e quante mikun e tij Zai Fundon. Kur forcat komuniste morën malet, ai u bashkua me ta, kundër pushtuesve. Enver Hoxha e dinte që më parë se Fundo ishte një idealist, i cili mund të kundërshtonte llojin e planit që Enveri kishte për shqiptarët. Fjala u hap se një natë, ndërsa Fundo ishte duke fjetur me shokët e tij të luftës pranë një zjarri të kampit, ai ishte goditur për vdekje, me urdhër nga shtabi. Një komunist tjetër me një stazh të gjatë
ishte rreshteri në detyrë i ruajtjes së burgut tonë në izolimin politik në Tiranë, në vitin 1945. Ai kishte një shtat mesatar, ishte i zeshkët, i thatë dhe i fortë. Ai gjithashtu fliste butë e nuk ishte nga ata që u krijonte të burgosurve shqetësime të veçanta. Një ditë, ne kishim rihyrë në burg, pas ecjes së mëngjesit. Kur rojet na kyçën, ai qëndroi brenda burgut. Ne e pamë me habi dhe menduam se ai mund të ishte aty për kontroll, si pjesë e rutinës së burgut. Por ai na tha se tashmë, ai ishte një i burgosur. “Shumë nga ju shpresojnë dhe luten se dita juaj do të vijë, kur ju të jeni të lirë. Ajo ditë mund të vijë. Po, dita ime erdhi dhe...unë e gjeta veten time në burg.” Brenda një ore ai u largua që andej dhe u zhduk, për të mos u parë më kurrë... Lufta e brendshme për pushtet brenda Partisë Komuniste të Shqipërisë, kishte filluar kohë më parë. Në vitin 1942, disa komunistë shqiptarë nga radhët më të larta të Partisë Komuniste, ishin tradhtuar tek forcat pushtuese italiane. Një nga viktimat e para ishte Qemal Stafa, i vrarë gjatë një përplasjeje me armë me forcat italiane. Kur vdiq, ai ishte lider i Rinisë Komuniste Shqiptare. Informacionet në lidhje me vdekjen e tij, të çonin tek Enver Hoxha, i cili e konsideronte atë, të aftë e karizmatik, që do të thotë: një rival i ardhshëm. Sfidues të tjerë potencialë të Hoxhës do të zhdukeshin në vitet në vazhdim. Jo gjithë ata që hynë në parti, në ditët e para të krijimit të saj, ishin idealistë. Disa prej tyre u regjistruan sepse, nën maskën e ideologjisë, ata mund të vinin në zbatim instiktet e tyre vrasëse dhe mund ta kthenin krimin, në karrierë. Individë të tillë formuan skuadrat vrasëse, që kishin për objektiv patriotët shqiptarë. Hysen Mushqeta ishte një biznesmen i suksesshëm, i cili i investoi fitimet e tij, për të mirën e vendit. Ai më ofroi mua tokë të lirë dhe një shtëpi në fshat që e dëshiroja, nëse unë do të studioja agrikulturë dhe do të isha i gatshëm për t’u mësuar bujqve metoda moderne të agrikulturës. Çdo vit, ai jepte prikë për dy vajza nga familje të varfra, që ato të mund të martoheshin. Një skuadër vrasësish e sulmoi atë në Durrës. I mbijetoi atentatit dhe u dërgua në një spital në Tiranë, ku filloi të shërohej. Vdiq në spital, pasi piu qumësht të helmuar, që iu dha nga infermieret komuniste. Sipas Napoleonit, ideologët konceptuan revolucionin, idealistët bënë luftën dhe maskarenjtë grabitën fitoren. Kur forcat gjermane u tërhoqën nga Shqipëria, ishte pikërisht koha e maskarenjve për të futur kthetrat e dhëmbët e tyre në frenat e pushtetit. Rrjedhja e gjakut filloi disa muaj pasi komunistët morën pushtetin. Kategoritë e para që u damkosën për shkatërrim, ishin lidershipi i kaluar politik dhe kleri, veçanërisht ai katolik. Liderët e besimeve të tjera do t’i pasonin shpejt. Koçi Xoxe u bë njeriu numër 2, pas Enver Hoxhës. Një teneqepunues nga Shqipëria jugore, ai shihej prej shumë njerëzve si favoriti i jugosllavëve, proletari pas fronit të borgjezit Enver. Në verën e vitit 1945, si kreu i Gjykatës Speciale, ai dha dënime të rrepta për ish-elitën politike shqiptare. Spastrimi i parë madhor i kolonave të Partisë së Kuqe erdhi në vitin 1948, vetëm katër vjet pasi Partia kishte ardhur në pushtet, kur Tito i Jugosllavisë u prish me Moskën. Deri në atë kohë, Tito kishte qenë “Vëllai i Madh i Shqipërisë” dhe lidhjet midis Shqipërisë e Jugosllavisë komuniste ishin përshkruar si “lidhje të përjetshme të miqësisë e vëllazërisë”, të farkëtuara gjatë luftës kundër fashizmit. Tani, emri i Titos u bë i urryer dhe Koçi Xoxe, gjoja njeriu i Beogradit në Tiranë, u ekzekutua, si viktima më e shquar e këtij “spastrimi” të radhëve të Partisë. Gjatë viteve u bënë spastrime të tjera, të shoqëruara me viktima. Viktimat e Enverit u bënë të shumta, nga kryeministri Mehmet Shehu, tek ministri i brendshëm Kadri Hazbiu, nga admirali Teme Sejko, tek gjeneral Beqir Balluku. Disa VIP-ë të kuq, si Shehu, u vetëvranë. Të tjerët u ekzekutuan si spiunë të huaj pas gjyqeve butaforikë, si ai i admiral Sejkos. Kështu, Enver Hoxha vendosi të fabrikonte një komplot çam për të lëshuar një valë tjetër terrori. Çamët ishin refugjatë të popullsisë shqiptare në Greqinë veriore. Thuhej se gjeneral Hilmi Seitit, një çam dhe shef i Sigurimit të Shtetit në Shkodër, i ishte kërkuar të pretendonte se kishte qenë anëtar i një komploti të tillë. Do të kalonte nëpër një gjyq të montuar e më pas do të lihej i lirë. Ai nuk pranoi dhe vdiq, pasi piu një filxhan me kafe të helmuar. Admiral Teme Sejko, gjithashtu një çam, e pranoi propozimin dhe, menjëherë u arrestua. Gjatë procedurave, ai u akuzua se kishte qenë në kontakt me flotën e gjashtë amerikane në Mesdhe, nëpërmjet Haki Rushitit. Rushiti ishte një refugjat çam, me të cilin unë isha miqësuar në Greqi dhe i cili, në kohën e gjyqit, jetonte në Nju Jork. Qëlloi të isha në Nju Jork për punët e mia dhe vendosa ta vizitoj. Kur i dhashë shoferit të taksisë adresën e tij, ai më pa e më tha: “A je i sigurt se kjo është adresa e saktë?! Ky vendbanim është në një lagje shumë të keqe.” Ai kishte të drejtë. Kur u futëm aty, i kërkova të vinte të më merrte pas dy orësh, që të mos kisha mundësinë për të qëndruar në ndonjë qoshe rruge, duke pritur për taksi. Godina në të cilën jetonte miku im ishte pothuaj e rrënuar dhe nuk kishte ashensor. Ngjita shkallët në katin e katërt. Apartamenti i mikut tim ishte si i shtypur nga pjesa tjetër e ndërtesës. E gjeta Hakiun, me shëndet shumë të dobët. Ai kishte shqetësime me frymëmarrjen dhe vuante nga zemra, që ia bënte të pamundur ta linte apartamentin, për shkak të ngjitjes së shumë shkallëve. I paaftë për të punuar, duhej të jetonte vetëm me të ardhurat e gruas së tij, e cila qepte rroba në rrobaqepësinë e distriktit. Sipas prokurorit të Tiranës, ky njeri - në gjendje të rëndë shëndetësore dhe i paaftë për të lëvizur, - kishte qenë ndërlidhësi mes admiral Sejkos dhe flotës së gjashtë amerikane. A nuk është e vështirë për t’u besuar?! Pas një gjyqi të shkurtër, Teme Sejko u dënua me vdekje dhe u ekzekutua. Gruaja e tij vrau veten, duke u hedhur nga dritarja e një kati të lartë. I biri u arrestua. Spastrimet periodike donin t’i mbanin anëtarët e Partisë dhe pjesën tjetër të popullsisë, nën kontroll. Këto spastrime goditën një numër të madh viktimash, nga VIP-ët e Partisë, deri tek komunistët e thjeshtë, nga mësuesit, deri tek kamerierët dhe punëtorët. Shumica e tyre nuk ishin anëtarë partie. Përveç vuajtjeve dhe kostos në jetën e njerëzve, këto valë terrori mbytën edhe mendimin e lirë e iniciativat e individit. Propozimet e projekteve tipike të regjimit komunist kërkonin afate të gjata për t’u përmbushur, sasi të mëdha fondesh dhe fuqi mjaft të madhe punëtore, kështu që, pas mungesave të pashmangshme, suksesi i projektit - dhe ajo që është më e rëndësishmja - mbijetesa e atyre që ishin përfshirë, të ishte i sigurtë. Dyshohet se terrori sistematik psikologjik, përgjatë 47 viteve, paralizoi kombin. Tani, 15 vjet pas rënies nominale të komunizmit, është bërë e qartë se sulmet e zgjatura ndaj integritetit moral të kombit kanë rezultuar të jenë më të mallkuara se vdekja dhe shkatërrimi që iu bë atij. Gjatë viteve të gjata të sundimit komunist, siguria dhe mbijetesa ishin, mbi të gjitha, në mendjen e popullit. Partia ofroi strehë, por kurrë imunitet. Ajo nxiti karrierën individuale dhe u dha pinjollëve të saj, shansin për të ndjekur studimet, gjithmonë një privilegj dhe kurrë një e drejtë. Ajo bëri që këta të rinj, të studionin ligjet, shkencat politike dhe fusha të tjera, të rezervuara për të përkëdhelurit e saj. Këto përkatësi për klasën e lartë në këtë “shoqëri pa klasa”, lejoheshin madje, të studionin jashtë shtetit. Këta studentë, pavarësisht nga shkalla e lartë në shoqëri, duhej të gjunjëzoheshin, sapo të ktheheshin në vendin e tyre. Të gjithë duhej të shpallnin superioritetin e Shqipërisë mbi Perëndimin, në çdo drejtim, pavarësisht nga liritë dhe komoditeti që studentët kishin gëzuar gjatë viteve të tyre në kolegj. Aty nga fundi i viteve 80, erërat gjallëruese të ndryshimit politik filluan të fryjnë në gjithë Bashkimin Sovjetik dhe satelitët e tyre europianë. Bota e lirë dëshmoi se kishte paraprirë për një kohë të gjatë dhe se satelitët ishin lutur për të. Sistemi politik sovjetik filloi të shpërbëhet, jo për shkak të disfatës ushtarake, por sepse popujt e tij dhe ekonomia e centralizuar nuk mund të konkurronin me forcën ekonomike, elasticitetin dhe krijimtarinë e popujve që jetonin e punonin në liri. Kështu, një mëngjes, ëndrra e miliona njerëzve të shtypur pas perdes së hekurt, u bë realitet. Muri i Berlinit, simboli i ndarjes dhe tiranisë, u rrëzua. Gjermania perëndimore dhe lindore u bënë një. Satelitët sovjetikë, një nga një, flakën tej prangat e tyre. Dukej se liria triumfoi. Radhë të gjata të burgosurish filluan të dalin nga burgjet e errët dhe të lagësht, plot me tmerrin e torturave të së
kaluarës, po ktheheshin në shtëpitë e tyre e po merrnin frymë lirisht. Për fat të keq, gjithsesi, shumë prej tyre nuk e arritën këtë. Megjithatë, me kalimin e viteve, kambanat e fitores filluan të binin kumbueshëm... Çausheskët, burrë dhe grua, u ekzekutuan që në fillim dhe mizoritë e pothuajse gjysëm shekulli të komunizmit rumun, u deklaruan të shpaguara plotësisht. Kur Gjermania perëndimore dhe ajo lindore u ribashkuan, nuk u morën hapa të rëndësishëm dënimi ndaj anëtarëve të elitës së kuqe, në shumë raste, “për shkak të moshës së tyre të thyer”(!) Ndaj udhëheqësve të kuq u kërkua dhembshuri, sikur ata të kishin vepruar në të njejtën mënyrë me kundërshtarët e tyre(!) Herë pas here, u kërkua nevoja për unitet kombëtar dhe falje, për të shmangur rëndimin e plagëve të shkaktuara nga regjimi i kuq. Në lidhje me këtë, vlen për t’u përmendur se, pas një vizite jashtë shtetit, Presidenti Berisha theksoi se Gjermania kishte ofruar asistencë materiale dhe financiare, me kusht që Shqipëria të shmangte zhvillimin e gjyqeve politike, që mund të acaronin tensionet e brendshme. Sot, zërat brenda Bashkimit Europian po vënë në dyshim dobinë e një arritjeje të tillë. Ndodhitë e mësipërme treguan një paralelizëm të sigurt, në mos identitet të ngjarjeve që u zhvilluan pas rënies së komunizmit, në disa ish-vende satelite. Ja ç’ndodhi në Shqipëri: Në tetor të vitit 1989, me rënien e Murit të Berlinit dhe plot dy vjet para heqjes dorë nga frenat e pushtetit, Ramiz Alia, sekretari i parë i Partisë së Punës (Komuniste) të Shqipërisë, iu drejtua byrosë politike, trupa qeverisëse e Partisë. Këtu po mundohemi të japim pikat më të rëndësishme të fjalës së tij. Ai u tha kolegëve se, dy vjet më parë, disa krerë komunistë të shtetit ishin takuar me shokun Gorbaçov në Poloni. Shqipëria nuk e kishte ndjekur këtë, por kishte marrë komunikatë me shkrim nga shoku Mihail Gorbaçov. Sipas këtij mesazhi, sistemi komunist kishte dështuar në luftën kundër kapitalizmit dhe komunistët duhej të përfshiheshin në klasën e re kapitaliste, nëse ata donin të mbijetonin dhe të mbanin supremacinë e tyre politike. Para së gjithash, duhet të tregonin respekt për të drejtat e njeriut. E dyta, duhet të krijonin një sistem shumëpartish, gjithmonë duke u siguruar se gjithë partitë kishin rënë nën kontrollin dhe lidershipin komunist. Ish-të përndjekurit duhej të merrnin disa kompensime, por nga ata nuk duhej patur frikë. Ata ishin shumë të vjetër për të shkaktuar dëme. Fëmijëve të tyre duhej t’u ofroheshin pasaporta dhe të inkurajoheshin të fillonin tjetër jetë, jashtë vendit. Përveç mbështetjes nga aleatët e tyre ideologjikë në gjithë botën, komunistët gjithashtu, duhej të gëzonin mbështetjen e demokracive perëndimore, me të cilat, Enver Hoxha dhe Ramiz Alia kishin mbajtur lidhje sekrete dhe efektive, për shkak të interesave të rëndësishme (të përbashkëta). Shoku Enver Hoxha dhe ai, Ramiz Alia, i kishin kultivuar këto lidhje të domosdoshme e vitale që, në fund të fundit, kishin garantuar mbijetesën e Republikës Popullore të Shqipërisë. (e çuditshme!) Ju lutem, kini parasysh se në vitin 1991, shoku Gorbaçov morin çmimin “Nobël” për Paqe, për përpjekjet e tij në emër të paqes, perestrojka (rikonstruksioni ekonomik dhe politik), dhe glasnosti (hapja)! Në vitin 1989, shumë veta mund të kenë menduar se fjalimi i Ramiz Alisë kumbonte më tepër si një mendim i dëshiruar, sesa si plan realist veprimi. Në retrospektivë rezultoi se ai ishte një parashikim i saktë i ngjarjeve që u zhvilluan në Shqipëri dhe vendet satelite të Bashkimit Sovjetik. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, disa anëtarë partie i kuptuan mëkatet e Partisë, por shumë pak prej tyre i pranuan ato. Shumë komunistë nuk e mohonin se ishin bërë gabime, por nxitonin të shtonin se këto ishin të një rëndësie të vogël. Praktikisht, gjithë eksponentët madhorë të regjimit të djeshëm gjakpirës, si Adil Çarçani, kaluan pa u dënuar dhe bënë një jetë normale e të rehatshme në Tiranë. Si një person i rëndësishëm komunist, Çarçani kishte punuar në formulimin dhe zbatimin e disa prej iniciativave më të këqija të regjimit. Ai kishte qëndruar në majat e pushtetit për vite me radhë, duke u endur si një molë rreth flakës së qiririt, edhe pse digjej prej saj. Qëndrimi i sotëm i tij vjen se ai nuk ka pse të ndjejë keqardhje, sepse vetëm ka zbatuar ligjet e kohës(!) Sipas zotit Çarçani, arrestimet në masë, torturat dhe terrori në gjithë vendin, ishin të ligjshme e si rrjedhojë, të justifikuara. Sipas arsyetimit të tij, krimet monstruoze të Stalinit dhe ato të Gjermanisë naziste ishin njëlloj të justifikuara, për shkak të legjitimitetit të tyre, edhe pse dhunuan çdo aspekt të drejtësisë dhe të drejtat e njeriut. Megjithatë, sipas zotit Çarçani dhe atyre që ndajnë të njëjtat pikëpamje, ajo që është legale është gjithashtu e justifikuar, pavarësisht sa të pandershme, barbare e të urryera janë aksionet e ndërmarra në emër të ligjit. Ja disa viktima të torturës që kam takuar në Spitalin Ushtarak të Tiranës, gjatë viteve 1945-1948. Gjatë dimrit 1944-‘45, rojet tërhoqën zvarrë një të burgosur në qelinë tonë, meqë nuk ishte në gjendje të ecte. E njoha menjëherë. Ishte at Lazër Shantoja, prift jezuit, te të pesëdhjetat, mik i familjes sime.
At Shantoja ishte trupmadh, burrë me njohuri të gjera dhe shkrimtar i shquar. Ai ishte gjithashtu i fortë në besimin e tij dhe kishte qenë armik i hapur i ateizmit komunist. Tani, ai shtrihej mbi dysheme, zbathur. Shkova të shihja në mund ta ndihmoja. Këmba e djathtë i ishte dëmtuar, por i dukej mirë. Këmba e majtë ishte në gjendje të keqe, zbathur, me gishtin e vogël të thyer dhe që i varej nga lëkura. Ia preva gishtin dhe i fashova plagën. Ndërsa po punoja me këmbën e tij, at Lazri më tregoi ç’kishte ndodhur. Ai ishte arrestuar në Shkodër. Ndërsa po qëndronte në një dhomë të vogël, një burrë, pa shenja dalluese në uniformën e tij, por padyshim një autoritet, kishte hyrë dhe at Lazri kishte qëndruar. “A e di se kush jam?”, e kishte pyetur burri. “Jo, nuk e di,” ishte përgjigjur prifti. “Unë jam Mehmet Shehu.” “Jam i kënaqur që të takoj. “Do ta shohim nëse ti je i kënaqur!” Duke thënë këto fjalë ogurzeza, burri ishte larguar nga dhoma. Shumë shpejt pas kësaj, rojet e burgut kishin nisur ta torturonin të burgosurin. At Shantoja qëndroi me ne, më pak se një orë. Doli, se e kishin sjellë jo në burgun e duhur. Rojet e tërhoqën zvarrë. Pastaj dëgjuam një makinë që u largua. At Lazrin e pushkatuan, pak kohë pasi ai ishte larguar, më 5 mars 1945. Ishte prifti i parë katolik që nisi rrugën e kalvarit, në gjurmët e mësuesit të tij. Në muajt dhe vitet që pasuan, shumë priftërinj të tjerë mundën ta ngjisin Rrugën e Dhimbjes (Via Dolorosa). Në verën e vitit 1945, unë kalova 42 ditë në izolim, bashkë me babain tim e dhjetë burra të tjerë, në Burgun e Ri në Tiranë. Kur hymë në qelinë e izolimit, pamë padër Anton Harapin që qëndronte në shtratin e tij të marinarit e na shikonte. E njoha nga fotografitë dhe ato që babai më kishte treguar për të. Ishte nga mesi i të pesëdhjetave, i shkurtër, i thatë, me veshë të mëdhenj. Dy pala të mëdha të lëkurës i binin nga hunda, në mjekër. Ndërsa po e shikoja, ajo që më goditi më shumë ishin sytë e tij penetrues. Shumicën e kohës ata ishin të qetë, sytë e njeriut në paqe me veten e tij dhe botën. Si pjesë e rutinës së përditshme, Padër Harapi zakonisht e festonte meshën ditore, me bukën dhe verën që i sillnin motrat (vera vinte nga sallata e frutave).
Një ditë, Padër Harapi e pyeti Shuk Gurakuqin, një katolik nga Shkodra se, pse nuk e ndiqte meshën dhe Shuku iu përgjigj se ai nuk mund të rrinte shpatull më shpatull me dy ish-nënoficerë të xhandarmërisë, të cilët ishin spiunë të drejtorit të burgut. Atë ditë, unë pashë që sytë e Padër Antonit shkreptinë, ndërsa qortonte dy nënoficerët e pafat para tij. Padri nuk u përpoq ta ulte zërin. Për sa kohë ata kishin shërbyer si spiunë, ai i ndalonte absolutisht të ndiqnin meshën. Ndërsa koha kalonte vura re se, dy herë në ditë, ai përpiqej të taposte veshët e vet. I thashë të mos e bënte këtë punë, derisa një ditë, ndërsa po i tërhiqja një nga veshët e tij, për t’i drejtuar kanalin e dëgjimit, çiltërsisht e pyeta: “Padër, a kishe menduar ndonjëherë se do të vinte dita që unë të të tërhiqja dy herë në ditë nga veshët?” Ai nuk qeshi kur u përgjigj: “Pse nuk më pyet, pse më duhen këto tapa?!” Vazhdoi të më shpjegonte se torturuesit i kishin futur një tel në daullen e veshit dhe kishin mbështjellë një tjetër tel rreth organeve të tij gjenitale. Që të dy telat ishin lidhur me një burim elektrik. Kur ata lëshonin korrentin, elektriciteti kalonte nëpër trupin e priftit, nga një tel në tjetrin. Kur daullja e veshit u shkatërrua, ata futën telin e sipërm në veshin tjetër, derisa daullja e veshit, gjithashtu shpërtheu. Padër Harapi ishte i njohur si një prej njerëzve më të mësuar dhe më të poshtëruar mes bashkohësve të vet. Pas disa muajsh, ai u ekzekutua nga një skuadër pushkatimi. Ndërsa punoja si ndihmëskirurg në Spitalin Ushtarak të Tiranës, grupi ynë thirrej herë pas here të kujdesej për të burgosurit. Një ditë, ata sollën në dhomën e operacionit një të burgosur me kyçet e duarve, të prera. E njoha menjëherë. Ai ishte doktor Ahmed Sadedini, mik i babait tim, i cili ishte kujdesur për mua. Për njëfarë kohe, kishte drejtuar Kryqin e Kuq Shqiptar.
Doktor Sadedini ishte i gjatë, i shëndetshëm; një njeri që gëzonte jetën, ushqimin dhe pijen; një njeri që jetonte mirë. Por kur erdhi aty, ishte kockë e lëkurë. I arrestuar dhe i torturuar, kishte tentuar vetëvrasjen duke prerë kyçet e duarve me një lugë të vogël, që zakonisht e përdorte për të pastruar llullën. Kur ishim nga fundi i fashosjes së plagëve, major Augi, kryekirurgi ynë, më kërkoi të përdornim pluhur sulfuri mbi plagët. Doktor Sadedini foli për herë të parë. “Pse përpiqeni të më shpëtoni jetën?! Që ata të më torturojnë përsëri?” Në një tjetër rast, ekipi ynë u thirr në burgun e spitalit për të trajtuar major Neshat Hashon. E kisha njohur majorin kur drejtonte garnizonin ushtarak në Pejë. Ai ishte i gjatë, i thatë dhe i fortë, me një profil të mprehtë, i kontrolluar në fjalët dhe lëvizjet e tij. Një ushtarak i vërtetë. Herën e dytë, rrugët tona u takuan në burg, në Tiranë. Ai ishte liruar pas disa muajsh, sepse ishte oficer artilerie dhe komunistëve u duhej për të stërvitur kuadrot e ardhshëm. Kur e sollën në spital pas tre vjetësh, që të dyja këmbët ia kishin thyer në mes, ndërmjet gjunjëve dhe kyçeve. Plaga ishte lënë pas dore dhe ishte mbushur me krimba. Kur hyra në qeli, ai shtrihej në shpinë, me duart të lidhura anëve të shtratit. Ndërsa ia pastruam dhe i bëmë ndërhyrjet me medikamente në plagë e ia futëm këmbët në kllapa, - me rreshterin që e ruante, - ai shkëmbente fjalë gjithë inat. Kur u larguam, rojet filluan ta rrahin dhe ndaluan vetëm kur oficerët nga pavioni aty pranë, u ankuan për thirrjet me zë të lartë të të burgosurit. Nga mënyra se si ishte lidhur në shpinën e tij, dhe me të dy këmbët në kllapa, ishte për t’u çuditur se ku po e godisnin! Pas një ore, një oficer i Sigurimit erdhi në zyrën tonë dhe pyeti doktor Augin, sa kohë duhej që pacienti të shërohej. “Gjashtë muaj që t’i mbyllen komplikacionet”, ishte përgjigja e kirurgut. Të nesërmen, unë vajta për të trajtuar të burgosurin. Shtrati ishte bosh.
Rreshteri i burgut më tha se pasditen e djeshme, ata e kishin çuar të burgosurin në oborr, për ta ekzekutuar. Ishin përpjekur ta ngrinin mbi këmbët e tij të thyera, por, sipas rreshterit, “i burgosuri nuk kishte qenë aq burrë sa të rrinte mbi këmbët e veta dhe të vdiste si burrë.”
Kështu, ata e kishin kthyer përsëri në shtrat, e kishin ngritur shtratin në gjysëm lartësi dhe e kishin qëlluar nga pas. I burgosuri i përfshirë në rastin e pestë që do tregoj, ishte i panjohur për mua. Dukej se ishte në të pesëdhjetat dhe e kishin përplasur në shtrat. Kishte një plagë saktësisht të rrumbullakët, mes shpatullave. Plaga kishte diametrin 4-5 inç dhe ishte e thellë rreth një inç. Ishte e pastër, por kishte një erë të qelbur të tmerrshme. Doktor Augi, në fillim ndezi një cigare dhe pastaj u largua nga dhoma, duke më thënë mua që t’ia fashoja plagën. Para se ta bëja, ata i sollën të burgosurit drekën, një tas me supë fasulesh. Atë mbrëmje, para se të shkoja në shtëpi, hyra në qeli për t’ia fashuar edhe një herë plagën. E gjeta të vdekur, me fytyrën e zhytur në tasin e fasuleve. Episodet e mëposhtme kanë të bëjnë me babain tim. Ai ishte arrestuar më 17 nëntor 1944 dhe dënuar me vdekje nga Gjyqi Special, pas disa muajsh. E njëjta gjykatë e kaloi denimin e tij,
në burgim të përjetshëm. Gjatë muajve të verës, të burgosurit dërgoheshin në kampet e punës, ku bënin punë të rënda fizike. Ne e dinim kur vinte kjo kohë, sepse babai gjithmonë kërkonte medikamente që ta bënin kaps, meqë rojet nuk i lejonin të burgosurit të zbrisnin nga makina, për ditë të tëra, madje as të shkonin në banjë. Një ditë, babai kishte ethe, prandaj ishte përjashtuar nga puna. Kur të burgosurit e tjerë u çuan në punë, dëgjuam se babain e kishin lidhur tek rulat e telave me gjemba që rrethonin kampin dhe se e kishin lënë aty, derisa u kthyen punëtorët, në darkë. Nuk u besova fjalëve, kur i dëgjova për herë të parë. Sidoqoftë, kur ai dërgoi rrobat për t’i larë, ato kishin njolla gjaku që tregonin qartë formën e telit me gjemba. Tani, ne e mësuam se... Pas disa vitesh, babai u sëmur nga TB pulmonare.
Autoritetet e burgut në Burrel refuzuan ta shtronin në spital. Ne i dërguam shishe të vogla me streptomicina, që i kishim marrë nga Italia. Autoritetet e burgut refuzuan antibiotikun, sepse duhej dhënë me injeksion. Ata na kthyen të njëjtën sasi të shisheve e vogla me streptomicinë. Por shishet që morëm nga ta, nuk ishin ato që i kishim dërguar babait. Shisheve që morëm u kishte skaduar afati, shumë kohë më parë. Cila është ajo qeveri që mund të mohojë kujdesin shëndetësor për një të burgosur dhe, në këtë proces, të vjedhë disa shishe streptomicine?! Më në fund, duke protestuar, babai kaloi në grevë urie. Pas disa javësh, Kadri Hazbiu, ministri i Brendshëm, erdhi për ta parë babain e për ta bindur të fillonte të hante përsëri. Kur babai refuzoi, Hazbiu filloi të bërtiste me të madhe. Babai i tha se ishte ai që po vdiste dhe se Enver Hoxha, kreu i Partisë Komuniste, nuk ishte asgjë për të. Dhe ai, Kadri Hazbiu, do bënte mirë të ruhej, sepse, herët a vonë, Enveri do ta ekzekutonte edhe vetë atë! Babai vdiq si rezultat i grevës së tij të urisë. Nuk dihet nëse Hazbiu i kujtoi fjalët e tij, pas disa vjetësh, kur Enveri e arrestoi dhe e pushkatoi... Episodi që pason, nuk vjen nga eksperienca ime personale. E kam marrë nga libri me titull “Një Monument i Nëndheshëm” i Fritz Radovanit (faqe 160-1961). Asllan Lici dhe pal melyshi ishin dy oficerë të Sigurimit të Shtetit, në qytetin e Shkodrës. Atë ditë kishin shkuar herët në zyrë. Kishin nxituar dhe kishin urdhëruar që at Aleksandër Sirdani dhe at Pjeter Çuni të prangoseshin dhe te silleshin nga burgu i tyre, në një vend pas godinës së Sigurimit. Priftërinjtë u sollën me pranga në duar, përmes një dere anësore. Rojet i nxisnin, ndërsa të burgosurit lëviznin me vështirësi, për shkak të torturave që kishin vuajtur. Pastaj, dy oficerët e Sigurimit i pyetën për dy sfurqe të fortë, sjellë nga stallat e kuajve. Asllan Lici u hodh para tyre, duke çaluar, ndërsa Pal Mëlyshi u kamaros pas tij.
“Përpiquni të lëvizni ju, qenër të Papës, tani do të kujdesemi ne për ju!
Ju kujtoni se mund të na bëni budallenj me shkarravinat tuaja?! Pse nuk pohoni se bashkëpunoni me kriminelët që i keni ushqyer fshehtas, në shpellat e tyre të fshehura në male?” Pa pritur përgjigje, ata ecën drejt një grope të hapur të ujërave të zeza. Priftërinjtë po qëndronin buzë gropës së ujërave të zeza kur, papritmas, Asllani i vuri duart në gjoks at Pjetrit dhe Pali kapi at Aleksandrin për krahësh. Duke i sharë, i shtynë prifërinjtë në gropën e ndotur. Kur priftërinjtë u përpoqën të ngrinin kokat mbi gropë, dy kriminelët i shtynë poshtë, me sfurqet e tyre. “Fol, ku është Krishti yt…fol…kjo është mënyra si gjithë priftërinjtë do të përfundojnë… A po e shihni gjëkundi Krishtin tuaj, ju, plehra të tokës?” At Aleksandri, i cili ishte hedhur në gropë i pari, qëndronte poshtë saj. At Pjetri shtyu kokën e tij mbi masën e fekales dhe, me gjithë forcën e vet, bërtiti: “Rroftë Krishti! Unë jam në rrugën time!...” Të dhënat e mëposhtme, të nxjerra nga burimet zyrtare
komuniste pasqyrojnë shtrirjen e luftës së zhvilluar nga regjimi komunist kundër qytetarëve të vet, mes viteve 1944-1990, fillimi dhe fundi i regjimit komunist e sundimi i terrorit në Shqipëri. Këto shifra përfshijnë burra dhe gra, megjithëse shumica e viktimave janë burra.

- Ekzekutuar, me ose pa gjyq: 6.027

- Të burgosur politikë: 17.500

- Vdekur në burg: 1.065

- Humbën mendjen: 408

- Në kampet e përqendrimit politik: 50.000 familje

- Vdekur në kampet e përqendrimit: 7.022

Këto janë rezultatet e ligjeve të Adil Çarçanit e kompani, të fshehura deri tani. Për fat të keq, politikanët e regjur nuk janë të vetmit që gjejnë rehati në gjysmëshekullin e vuajtjeve të pandërprera të Shqipërisë. Dritëro Agolli ishte shkrimtari dhe poeti i parë i epokës komuniste. Për shkak të talentit të padyshimtë dhe duke qenë fshatar, ai u dërgua për studime në Leningrad (Shën Petërburg), xhevahirin e kurorës artistike dhe kulturore të Rusisë. Pas kthimit, kaloi dekada të tëra si anëtar i parlamentit komunist dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Ai fitoi reputacion si humanist, i cili, sipas Ismail Kadaresë, u bë çmagjepsës i komunizmit, gjatë viteve 60. Para disa vjetësh, ai ishte i ftuar nderi në Ditën e Flamurit në Detroit dhe unë duhej të isha me të, në tavolinën kryesore. Meqë e njihja vetëm nga reputacioni, fola me miqtë që e njihnin apo që dinin diçka rreth tij. Vendosa ta takoj në shtëpinë e një miku të përbashkët e t’i shprehja mendimin tim.
Gjatë bisedës sonë e pyeta se, si një komunist i ndershëm i shikonte vitet e sundimit të kuq në Shqipëri. Ai u përgjigj: “Ndërsa disa ngjarje të atyre viteve ishin të papëlqyera, ato nuk ishin të tilla sa të ndryshonin pikepamjet e mia politike.” Prisja më shumë nga një shkrimtar i cili, nga natyra e tij duhej të ishte i ndjeshëm ndaj popullit e ngjarjeve rreth tij dhe i cili, për shkak të pozicionit, duhej të ishte në dijeni të plotë të krimeve dhe vuajtjeve të kryera ndaj popullit shqiptar. Sigurisht që unë nuk mund të isha dakord që, 47 vitet e sundimit komunist në Shqipëri, ishin prishur vetëm nga disa “ngjarje të papëlqyeshme”. Duke patur këtë përgjigje ndaj bindjeve personale të Dritëro Agollit, unë nuk e ndoqa atë festim të veçantë të Ditës së Flamurit dhe u tërhoqa nga një bord drejtorësh, në të cilin që të dy ishim anëtarë.
E së fundi, ç’mund të thuash për varret masive që nuk dihet se ku janë, shpërndarë në gjithë Shqipërinë?! Po me varrin masiv në Burrel, ku komunistët rrafshuan gjithë zonën dhe ngritën godina në majë? Gjatë regjimit komunist, autoritetet zhvarrosën mbetjet e poetit dhe patriotit të madh, at Gjergj Fishta e i hodhën në lumë. Nëse transferimi i trupit të Josif Pashkos, nga një varrezë në tjetrën, ishte makabër, atëherë, si mund ta quajmë vandalizimin e trupit të Fishtës? Edhe sot e kësaj dite, Shqipëria nuk ka një monument për t’i nderuar ato mijëra viktima të ekzekutuara nga komunizmi dhe asnjë obelisk ku të shënohen emrat e tyre. Përderisa vendndodhja e shumë varreve masive nuk dihet dhe të tjerët janë të paarritshëm, a nuk ka mundësi që familjet e këtyre viktimave të kenë monumente publike, ku ata të vendosin lule dhe të mbajnë zi për të vdekurit?! Si mund të shërohen plagët, nëse kombi nuk i sjell viktimat e komunizmit, nga varret e tyre të panjohura, në dritën e diellit dhe ndërgjegjen e shtetit? A nuk është kjo më e pakta që një komb mund të bëjë për të mbijetuarit e këtyre viktimave? Gjenerali Francisko Franko, i akuzuar nga komunistët si një diktator fashist, i kushtoi një bazilikatë në faqen e malit dhe një varrezë madhështore pranë Madridit, nderimit të atyre që dhanë jetën gjatë luftës civile të Spanjës, si nacionalistëve, edhe komunistëve. Si mund të krahasohen sunduesit e djeshëm dhe trashëgimtarët e sotëm të Shqipërisë, me Francisko Frankon?! Në Shqipëri, komunistët dhe trashëgimtarët e tyre shpirtërorë po ngjiten në pushtet, sipas kredos së tyre “diktaturë pa gjak”. Përveç kësaj, shumë prej tyre kanë fituar pasuri të padrejta dhe asnjë organ i shtetit nuk ka guxuar t’i sfidojë, deri tani. Ata e kanë mbytur kombin në korrupsionin e nxitur nga shteti. Ata kanë njollosur emrin dhe reputacionin e Shqipërisë në mbarë botën. Bashkimi Europian, në mënyrë të vazhdueshme ka tërhequr vëmendjen në lidhje me këtë plagë të rëndë dhe ka deklaruar se Shqipëria nuk anëtarësohet, derisa qeveria të marrë përgjegjësitë e saj dhe të çrrënjosë korrupsionin. Gjyshërit dhe baballarët tanë luftuan për të krijuar një Shqipëri të pavarur.
Ata e luftuan Perandorinë Otomane, me armët e mendjet e tyre, duke vendosur në standard gjuhën e shkruar shqipe, të ndaluar për 500 vjet nga sunduesit turq. Ata e ngritën kauzën shqiptare në rangun e diplomacisë ndërkombëtare. Këta patriotë rrezikuan gjithçka patën për kauzën e tyre të shenjtë. Pas vitesh lufte e vuajtjesh, liderët e tyre firmosën Deklaratën e Pavarësisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Në atë kohë dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria nuk kishte institucione të arsimit të lartë. Mes atyre që studiuan në universitetet jashtë vendit, nuk kishte dyshim se, pas diplomimit, do të ktheheshin në vendlindje, për ta vënë veten dhe njohuritë e tyre, në shërbim të kombit. Pavarësisht nga fakti se ata sollën në Shqipëri njohuri dhe eksperiencë jete të fituar në vendet e zhvilluara, u bënë objektivat e parë të persekutimit komunist, duke shkatërruar gjithë lidhjet e tyre me të kaluarën, që Partia Komuniste të mund “të krijonte njeriun e ri”. Kjo krijesë e re do të kërkonte pak ushqim e pije, me rrënjët e saj thellë në propagandën komuniste. Ajo nuk do të kishte, as dëshirë, as kujtesë, as karakter, as vlera morale. Ajo do të vepronte sipas urdhrave dhe do të duronte mjaft vuajtje e padrejtësi për të siguruar mbijetesën e Partisë e, nganjëherë, edhe të vetën. Në deklaratën e tij të mesazhit të Unionit, në vitin 1941, Presidenti Franklin D. Ruzvelt shpalli katër liritë: lirinë e fjalës, lirinë e besimit, lirinë nga frika dhe lirinë nga skamja. Regjimet komuniste, që nga Kuba në Bashkimin Sovjetik, nga Vietnami në Kinë, i dhunuan të katër këto liri. Në Shqipëri, për një gjysëm shekulli, vlerat e moralit, dinjiteti njerëzor dhe liritë e individit u kthyen në të kundërtën e tyre, me urdhër dhe shembull “nga lart”. Tradhtia zëvendësoi besnikërinë në familje, atë ndaj miqve dhe besimit fetar. Korrupsioni zuri vendin e integritetit, dinjitetit dhe nderit. Respekti njerëzor dhe sjellja e mirë u shkelën, duke u zëvendësuar nga frika që vinte nga terrori. Tollonat u bënë arma e preferuar e regjimit, për të arritur nënshtrimin në gjithë vendin. Aktualisht, korrupsioni në shkallë kombëtare po praktikohet nga elita e Shqipërisë. Për fat të keq, arsyeja që korrupsioni po lulëzon është shkak i apatisë së një mazhorance të ngathët. Kohët e fundit, pyeta një ish-viktimë të komunizmit, nëse mund t’i falte persekutorët e tij. Ai më pa drejt e në sy dhe më tha: “Unë do t’i konsideroj ata të falur, kur të kërkojnë ndjesë për krimet e tyre. Jo më përpara!” Psikologët kanë krijuar shprehjen “elefanti në dhomën e ndenjes” për të përshkruar gjendjen kur dikush bën një faj dhe familja e gjen të vështirë ta diskutojë këtë, në praninë e fajtorit. A ka elefant në dhomën e ndenjes të Shqipërisë? Nëse ka, atëherë, cili është ky? Po, ka një të tillë, dhe ky është shumë i madh.
Ai përfaqëson shumën e përgjithshme të krimeve të kryera nga Partia Komuniste ndaj viktimave të saj, nëpërmjet dhunimit të të drejtave të njeriut dhe persekutimeve, nëpërmjet torturave dhe masakrave përgjatë një gjysëm shekulli. Kjo është më shumë se tragjike, sepse kriminelët nuk u sollën kurrë para drejtësisë. Sikur të gjitha këto të mos mjaftonin, shumë nga sunduesit e djeshëm dhe pinjollët e tyre vazhdojnë ta mbajnë monopolin ndaj kombit, duke shtuar pasuritë e fituara padrejtësisht, nëpërmjet pushtetit të tyre politik. A ka gjasa që, shumë shpejt, të ketë një hetim gjyqësor në lidhje me aktivitetin e kaluar dhe të tanishëm të klasës sunduese, të vetëpërjetësuar të Shqipërisë? Shanset që kjo të ndodhë, janë të pakta. Nën regjimin komunist, Shqipëria funksiononte pa një sistem gjyqësor të pavarur. Në fakt, për shumë vite, Shqipëria nuk e ka patur Departamentin e Drejtësisë, sepse, sipas Partisë, “në një demokraci të popullit, drejtësia ishte e garantuar, meqë populli ishte në drejtim dhe nuk kishte nevojë për një departament të veçantë për të siguruar drejtësinë.” Për çudinë e gjithkujt, edhe pas rënies së komunizmit, qeveritë e Tiranës, kurrë nuk kanë ndjerë nevojën e kësaj dhe në fakt, kanë kundërshtuar krijimin e një sistemi gjyqësor të pavarur. Përkundrazi, këto qeveri e kanë paraqitur vendin, me një fasadë demokratike. Partitë politike politike vazhdojnë t’i mbrojnë aktivisht personat me të kaluar komuniste, në vend që ata të japin llogari për krimet e tyre. Komunistët e djeshëm përpiqen të fshihen pas pretekstit të “fajit kolektiv”, duke e futur veten e tyre në një radhë me ish-viktimat e veta, të cilët, duke mos qenë në gjendje të duronin torturat e tmerrshme, u thyen dhe firmosën një copë letër, duke treguar dorëzimin e tyre tek Sigurimi i tmerrshëm. Gjithmonë besnikë ndaj kauzës, socialistët e sotëm, me krenari botojnë të përditshmen “Zëri i Popullit”, zëri i Partisë Komuniste nën drejtimin e Enver Hoxhës, duke vazhduar numrat serialë kronologjikë, që filluan ditën e parë kur gazeta u shfaq. Regjimet, që nga koha e rënies së komunizmit në vitin 1992, kanë ngritur pengesë pas pengese për t’i parandaluar viktimat e komunizmit që të rifitojnë pasuritë e konfiskuara apo të paguhen për vitet e padrejta në burg dhe punën e detyruar vdekjeprurëse. Ato vazhdojnë të nxisin të rinjtë më të mirë dhe të shkëlqyer nga ish-familjet e persekutuara, që të shkojnë jashtë shtetit dhe u ofrojnë stimul të vogël për rikthimin e tyre. Realisht, ka pak gjasa që kushtet, shpejt, të ndryshojnë për mirë.
Në këtë situatë, a do të zhduket ndonjëherë elefanti nga dhoma e ndenjes së Shqipërisë? Unë besoj që përgjigja është “Po”, por kjo do të kërkojë kohë. Flluska me qelb duhet shpuar dhe kanceri duhet prerë, që trupi të shpëtojë. Qeveritë e deritanishme nuk kanë bërë gjë për të filluar procesin e shërimit. Sidoqoftë, koha është në anën e popullit. Kriminelët e komunizmit janë të vjetër dhe do të zhduken nga një proces normal. Trashëgimtarët e tyre ideologjikë do të ndryshojnë, për të mbajtur fitimet e tyre të jashtëligjshme, por më në fund do të mund të përballen me një sistem të vërtetë drejtësie. Për fat të keq, koha është një shërues i ngadaltë, shumë i ngadaltë... Aleatët nuk hezituan të veprojnë menjëherë dhe në mënyrë të vendosur kundër nazizmit, në fund të Luftës së Dytë Botërore. Në zonën amerikane në Gjermani, aty nga viti 1947, ish-anëtarët e partisë së Hitlerit ishin në kampet e përqendrimit dhe shumë prej tyre u dënuan me punë krahu të detyrueshme. Në zonën sovjetike, shumë të tjerë u ekzekutuan menjëherë. Të dhëna jozyrtare thonë se 120.000 u futën në kampe përqendrimi dhe rreth 40.000 apo një e treta e tyre vdiqën në këto kampe; një përqindje shokuese. Disa zëra po ngrihen tani në Bruksel, për të kujtuar dhe për t’u bërë homazhe milionave të martirizuar nga komunizmi. A do të ngrihet bota e lirë ndaj këtyre sfidave apo do të tërhiqet? Historia e ditëve tona mund të jetë tregues i asaj që ne shpresojmë. Zhivkovi, kreu komunist i Bullgarisë, u arrestua menjëherë pas rënies së murit të Berlinit. Ai nuk u akuzua për krimet e kryera nga regjimi i tij, por për shpërdorimin e 24 milionë dollarëve dhe u dënua me shtatë vjet arrest shtëpie. Në Rumani, ndërsa regjimi komunist po humbte pushtetin, një gjyq i mbledhur me nxitim dënoi Nikolae dhe Elena Çausheskun me vdekje. Trazirat që pasuan ekzekutimin e tyre çuan në përfshirjen e ushtrisë, që kurdisi mbështetjen e mbijetesës së shokëve komunistë.
Këto janë vetëm dy shembuj të ish-vendeve satelite sovjetike që janë pranuar në Bashkimin Europian. Le të pyesim veten tonë: cili është reaksioni i botës së sotme ndaj mizorive komuniste në gjithë globin? Qartësisht, bota e lirë po i lejon partitë komuniste të ekzistojnë, të veprojnë dhe të kërkojnë pushtet jashtë respektit të botës për “lirinë e mendimit, të shprehjes dhe mbledhjes politike”. Po në lidhje me respektin për miliona viktima të komunizmit?! Shumë viktima të marksizëm-leninizmit, ende po vuajnë dhe po vdesin, ndërsa bota kthen mënjanë kokën e saj kolektive. Kjo tragjedi shkon tej mohimit të lirisë së mendimit, të shprehjes e të mbledhjes politike. Ajo është vazhdim i dhunës programatike të të drejtave themelore të njeriut për të jetuar i lirë dhe me dinjitet. Korrupsioni i sponsorizuar nga shteti në ish-satelitët sovjetikë, është mbizotërues. Vende si Polonia dhe Hungaria, që kanë patur identitete dhe qeveri të forta kombëtare para Luftës, tani po ecin më mirë. Ndërsa, përsa i përket Shqipërisë, Transparency International e ka kategorizuar në krye të listës së vendeve ku rryshfeti është lubrifikanti i infrastrukturës social-politike të vendit. Nexhmije Hoxha, e veja e Enver Hoxhës, u arrestua dhe u dënua me burgim, për akuza qesharake. Në burg, ajo kërkoi që dritarja e qelisë së saj të zmadhohej dhe që parukierja të lejohej ta vizitonte më shumë se një herë në javë. Në Tiranë flitej gjerësisht se të dy kërkesat e saj u plotësuan. Fatos Nano, para së të bëhej kryeministër, kaloi njëfarë kohe në burg, derisa u lirua nga Presidenti Berisha. Ai pati një gjyq ku deklaroi se ishte dënuar padrejtësisht dhe iu paguan 50 dollarë për çdo ditë të kaluar në burg. Krahasojeni këtë më pagesën ditore prej 5 dollarësh që u ishte premtuar të burgosurve nga komunizmi. Disa viktimave u është rikthyer pasuria. Të tjerët janë mashtruar për paratë e tyre dhe kanë pak apo aspak për të thënë në lidhje me këtë.
Që Shqipëria të dalë nga makthi aktual do të duhet më shumë se “gjak, mund, lotë dhe djersë” që Çurçilli ua premtoi britanikëve në fillim të luftës së Britanisë. Britania e Madhe ishte një vend i lirë, një perandori, së cilës, Çurçilli i bëri thirrje të ishte ledh mbrojtës kundër një agresori të fuqishëm. Ndërsa Shqipëria është një vend i vogël, që e ka vuajtur shtypjen për shekuj me radhë. Ajo gëzoi një dritare të pavarësisë vetëm për 27 vjet, duke përfshirë edhe vitet e pushtimit të huaj, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia në vitin 1939, gjatë dy viteve të luftës civile në 1943-‘44, komunistët morën frenat e pushtetit dhe vendi përjetoi shtypjen më të keqe që kishte parë ndonjëherë. Terrori i kuq shënoi një rritje që zgjati gjysëm shekulli. Perandoria Otomane u përpoq për rreth 500 vjet të çrrënjoste krenarinë kombëtare shqiptare dhe mendimin e pavarur. Partia Komuniste e Shqipërisë lëshoi gjithë furinë e saj, me të njëjtin qëllim, duke përdorur mjete dhe metoda që nuk kanë asnjë ndryshim nga ato djallëzoret. Që të shërohet, Shqipëria duhet të hedhë tej letargjinë dhe paranojën e frikës paralizuese, të imponuar për dekada të tëra. Ajo duhet të qëndrojë vigjilente dhe të marrë fatet e veta, në duart e saj. Ajo duhet të spastrojë politikanët e korruptuar dhe mbeturinat e kalbura, ashtu si Herkuli bëri me grupin e Augeanit. Kjo mund të kërkojë ndihmën e miqve të saj në bashkësinë ndërkombëtare, por dhimbja dhe sakrificat e kësaj rilindjeje duhet të durohen nga vetë kombi shqiptar. Unë kam besim të plotë se Shqipëria, herët a vonë, do të dalë nga makthi në të cilin gjendet sot. Kur ajo ditë të agojë, edhe një herë, shqiptarët do të jenë si paraardhësit e tyre dhe atëhere, vetëm atëhere, paqja dhe dinjiteti do të kthehen në këtë vend të torturuar...

Kush eshte Genc Korça....?

Lindi në Shkodër, në vitin 1924, u rrit në Austri dhe Itali e u kthye në Shqipëri, gjatë verës së vitit 1943. U arrestua pas ardhjes në pushtet të komunistëve. Pas lirimit, punoi në spitale dhe shërbime shëndetësore publike, për disa vjet me radhë. Në vitin 1951, u caktua të bënte punë krahu. Në vitin 1952, la Shkodrën dhe u arratis, në fillim në Jugosllavi e, pas disa muajsh, në Austri. Kaloi dy vjet në Greqi dhe është në Shtetet e Bashkuara, që nga fundi i vitit 1955. Fitoi një diplomë universitare (BA) në kimi dhe një master (MS) për higjienën industriale në Wayne State University. Ai u bashkua me “General Motors Corp”. Në vitin 1960 dhe përfundoi karrierën e tij në vitin 1989, ku 13 vitet e fundit, ishte drejtor i higjienës industriale. Ka shërbyer si president i American Industrial Hygiene Association dhe American Academy of Industrial Hygene. Është anëtar nderi i disa shoqatave shkencore dhe profesor special në Alma Mater. Zoti Korça dhe gruaja e tij, Margaret, kanë 49 vjet të martuar. Ata kanë tre fëmijë dhe tetë nipër dhe mbesa.