At ANTON HARAPI

Nga Fritz RADOVANI:

“HESHTJE” E PAFALSHME…

65 vjetori I PUSHKATIMIT TË AT ANTON HARAPIT …

(5 Janar 1888 – 20 Shkurt 1946)

Janë mbushë 20 vjet që gjithë Europa ka ba ndryshimet e veta e shqiptarët në të gjitha çeshtjet mendojnë, gjykojnë dhe veprojnë pa ndryshue fare mentalitetin e vet komunist. Janë ba 65 vjet që gjithë Populli Shqiptar e di se At Anton Harapi OFM., Françeskani i vorfën i Asizit, asht pushkatue i pafaj…por “heshtja” ndaj Tij tregon se mentalisht pajtohemi me “një fajsi” që “bluejmë” në vetvete! Kjo asht e pafalshme! Faktet ndaj një jete të shkueme mes popullit të vet, aktiviteti fetar, kulturor, qytetar dhe deri tek dita e fundit që asht pushkatue brijë lumit Lana në Tiranë, janë shumë ma të sigurta, por edhe shumë ma të vërteta dhe të besueshme se “hamendjet, dyshimet dhe falsifikimet” e të paaftëve, të papastërve dhe dashakqijve, që me “heshtje” kërkojnë me njollosë Figurën e madhe të Atdhetarit, që u flijue për Popullin Shqiptar e Shqipninë e bashkueme, e Ky kje At Anton Harapi. Veprat dhe dokumentat që kanë mbetë në kujtesën e popullit, arkivat e shumta që shënojnë emnin e At Anton Harapit në të katër anët e Europës, flasin shumë ma tepër se “truni shterp” i “kujtdo”, që kërkon me vue në dyshim se At Anton Harapi “ka edhe fjalë që disa mendojnë ndryshej” kur bahet e diskutueshme mosprania e Tij në listë të Atyne Atdhetarëve dhe Fetarëve, që janë të Shejtë për veprat e Tyne të mëdha ndaj Fesë dhe Atdheut, deri në Flijimin e jetës së vet për Idealin e Madh të Françeskanit tonë.

At Anton Harapi pranoi zhgunin e Shën Françeskut në vitin 1907, atëherë kur Ai shkoi në Austri për studime të nalta dhe deri ditën që asht pushkatue, me datë 20 Shkurt 1946, e mbajti me nder dhe kje Figurë e Nderueme nga mbarë kleri, Malësia e fushat e Shqipnisë, tue përfshi Shkodrën e kudo ku vuni kambën e zbathun të Tij. Ai asht le në Shirokë, po asht i pranishëm në Grudë, Hot e Triepsh e deri ndër kathedrat Europiane, kur diskutohet coptimi i Tokave tona dhe humja e identitetit të tyne. I paisun prej Zotit me një oratori të rrallë, i përfshimë në pesë predikatarët ma të mëdhaj që ka pasë Kisha Katolike Shqiptare, mbet i paharrueshëm në Shkoder, Tiranë, Korçë, ku me ligjeratat e Tij u rendit në ajkën e kulturës sonë kombëtare. Në vitin 1940 asht anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Në vitin 1941 asht Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë, në atë Kuvend të Gjuhadolit të Shkodrës për të cilin ka sakrifikue gjithë jetën e vet. Po këte vit asht përkrah At Mati Prennushit kur shtrijnë aktivitetin françeskan edhe në Tiranë.

Në vitin 1943, asht z.Lef Nosi që kërkon praninë e At Antonit në organin e Naltë të Rregjencës Shqiptare. Asnjë veprim, dhe po e përsëris, “asnjë veprim” At Anton Harapi nuk e ka ba në kundershtim me Vatikanin, Qendrën e Urdhnin e Françeskanëve të Asizit, Argjipeshkvinë e Shkodrës, Provincën e Shkodrës, Provinçialin e Shqipnisë dhe Rektorin e Kuvendit të Shkodrës, tue mos përjashtue dhe vullnetin e të gjithë Popullit Shqiptar, nga data 13 Shtator 1943 që shkoi në detyren e Rregjentit e deri me 20 Shkurt 1946, kur At Antoni u pushkatue nga gjykata komuniste e Tiranës, me udhzimet e qeverisë kukull të Enver Hoxhës, që zbatonte vendimet e komunistëve shovenistë të Beogradit, anmikut të përjetshëm të zhgunit të Françeskanëve Shqiptarë. Mjetet e komunikimit atëherë nuk ishin të sotmet, tue shtue se ishte edhe koha e Luftës së Dytë Botnore. Vatikani ka vonue disa javë me sjellë shkresën zyrtare në Shqipni, ndonse gojarisht Papa Piu XII e kishte dhanë mendimin e vet, me të cilin aprovonte shkumjen e At Antonit në Rregjencë, tue i dhanë të gjitha kompetencat për këtë veprim Argjipeshkvit Metropolitan të Shkodres, Imzot Gaspër Thaçit, i cili do të bante edhe komunikimin zyrtar mbas aprovimit nga ana e Tij. Ato ditë Imzot Thaçi, ishte i sëmurë dhe vonon me ba mbledhjen e Kryesisë në Shkodër. Sekretari i tij Don Mark Hasi shkon dhe bisedon me zëvendsin e At Antonit, që ishte caktue At Mati Prennushi, i cili kërkon “Urgjentisht që leja e dhanun nga Papa Piu XII për pjesmarrjen e At Antonit në Rregjencë, e transmetueme gojarisht nga Imz. Leone G.B. Nigris, delegat Apostolik i Vatikanit në Shqipni, me seli në Shkodër, tek zyra e Argjipeshkvit të Shkodres Imz. Thaçit, i cili edhe ky do të japin pelqimin e vet, duhet të bahet publike, mbasi ka shtremnime faktesh nga njerëz që janë kundër këtij vendimi”. Don Marku i transmeton këte kërkesë të At Matisë tek Imz. Thaçi, tue ba me dijtë se “po u vonue vendimi i Argjipeshkvit, At Matia nuk do të lejonte At Antonin me thanë Meshë në Kishen Françeskane, kur Ai vinte në Shkodër.” Imz. Thaçi, tue njohtë At Matinë, atë ditë lëshon dokumentin me shkrim për At Antonin, të cilin e shoqnon me shpjegimin që Imz. Nigris ka sjellë nga Vatikani për këte çeshtje. Kur Imz. Thaçi ka bisedue me At Matinë, prezent ka kenë Don Mark Hasi, dhe Don Mikel Koliqi. Imz. Thaçi ka shpjegue se në këte rast Papa ka ba përjashtim të vendimit të vet të lëshuem ma parë, që kleri mos me u përzi në politikë. Ky përjashtim bahej nga Papa Piu XII, se në Shqipni okupacioni nazist nuk ka ngjyrat e vendeve të tjera të pushtueme prej tij, dhe se Gjermania nuk ushtron terror në Tokat Shqiptare, mbasi ajo asht përkrahëse e “Bashkimit të Tokave Shqiptare, që gjithnjë janë lakmue dhe zaptue nga fqinjtë”, tue shtue se edhe komandat ushtarake gjermane kanë deklarue se: “Në Shqipni na nuk kemi ardhë si në vendet tjera me forcën e armëve, por vetëm për siguri kalimi të ushtrive tona gjermane në jugun e Ballkanit.”

Aq asht e vertetë kjo, sa po me datë 13 Shtator 1943, Baba im Kolë Radovani, asht emnue Drejtor i Policisë Shqiptare, dhe në zyrë ka pasë portretin e Gjergj Kastriotit, uniformën shqiptare të policisë, varësinë nga Ministria e Mbrendëshme Shqiptare, asnjë lidhje direkte as indirekte me gestapon e as me këshilltarë apo mbikqyrës ushtarakë apo civilë të Gjermanisë, sa kur asht bisedue çeshtja e Flamurit tonë kombëtar, Komanda e Përgjithshme Gjermane nuk asht përzi fare në atë çeshtje, po e ka lanë në kompetenca të Rregjencës Shqiptare. (Dëshmi gojore e ishoficerit z. Prekë Mirija, viti 1995). Kur Baba asht vra në bombardimin e Tiranës me 13 Tetor 1943, Ai asht vorrosë në Rrëmaji në Shkoder, i mbuluem arkivoli me Flamurin Shqiptar pa asnjë shenjë apo stemë të huej; Ai asht konsiderue viktimë lufte dhe për një vit, deri në 1 nandorin e vitit 1944, pensioni i Tij i asht pague familjes sonë nga Rregjenca Shqiptare, direkt nga At Anton Harapi.

Fatkeqsisht, e vërteta nuk thohet nga askush për veprat e mira të At Antonit!

Po t’ ishte ndryshej çeshtja e shkuemjes së At Antonit në Rregjencë, ajo nuk mund të mbulohej nga askush, sëpse tue fillue nga i nderuemi Lef Nosi, “pyetja rreth shkuemjes së Tij në Rregjencë Shqiptare u asht ba të gjithë politikanëve dhe klerikëve katolikë që janë arrestue mbas vitit 1944 nga komunistët..” dhe përgjegja asht ndër të gjitha dosjet e tyne të Arkivit të Ministrisë së Mbrendshme në Tiranë, ku “asnjeni nuk dënon shkuemjen e At Antonit në Rregjencë”, po tregojnë se ka shkue tue u përputhë me të gjitha ligjët dhe normat, madje edhe shtojnë: “Se aq sa ka mujtë me ba për mos me u ba gjakderdhje dhe mos me u vra Shqiptarët ndërmjet vedit, At Antoni e ka ba, dhe se na ishim dakord që Ai të shkonte në Rregjencë; edhe kjo asht e vërtetë se ishim të bindun se me punën e Tij, i njohun si Atdhetar, vetëm mirë do t’i bahej prej Tij Shqipnisë e Shqiptarëve!” Kjo përgjegje asht në dosjet e Imz. Frano Gjinit, At Mati Prennushit, At Çiprian Nikës, At Pal Dodaj, Don Tomë Lacës, Don Mikel Koliqit, Don Mark Hasit etj.

Nëse këta ishin klerikë dhe “nuk flasin” ndryshej...i referohemi një Burri tjetër...

Atij që më ka thanë mue me gojën e vet për At Anton Harapin, në vitin 1968, ishanëtari i asaj kohë në Rregjencën Shqiptare, z. Cafo Beg Ulqinaku!

Zotni Cafo Begu hapi bisedën për At Anton Harapin tue kujtue kohën kur kanë kenë në Rregjencë në vitet 1943 - 44: “Asht kenë një dhe nuk bahen dy si ai!”. Në vitin 1944, kur At Antoni aty nga fundi i nandorit po këthehej nga Gjermania mbas një takimi me Hitlerin, ishte ndalue në Podgoricë, dhe në një hotel ai asht takue me komandantin e trupave gjermane, që po u largoheshin nga Shkodra. Komandanti gjerman e kishte njoftue At Antonin për largimin nga Shqipnia dhe e kishte ftue me ikë edhe ky me ata, tue i sigurue që do ta çonin jashta Shqipnisë ku do të dishronte At Antoni, për mos me ra në duert e komunistave, të cilët, me 28 Nandor do të hynin në Shkodër.

At Antoni nuk ka pranue me u largue nga Shqipnia dhe po të ishte nevoja do të pranonte edhe vdekjen, për të cilën ai vetë nuk dinte shkak. Por kishte kërkue nga gjenerali gjerman, largimin e trupave të fundit të ushtrisë gjermane me datën 29 Nandor 1944 dhe, jo me 28 që kishin planifikue ata, mbasi i kishte shpjegue atij që “nuk asht mirë me na njollosë Ditën e Flamurit, me ditën e okupacionit komunist të Atdheut!”. Komanda gjermane e ka pranue kërkesën e At Antonit dhe ushtarët e fundit gjermanë janë largue nga Shkodra në mengjezin e datës 29 Nandor. Për këte veprim At Antoni kishte vue në dijeni atë natë edhe Cafo Begun. Të nesërmen ishte nisë për Shkodër, ndonse edhe Cafo Begu e kishte ftue me qendrue aty ku do të strehohej ky vetë, por as Cafo Begut ai nuk i kishte pranue me qendrue andej mbasi “nesër kanë me thanë, paska shkue At Antoni me ruejtë kokën tek serbët...”.

Cafo Begu e përfundonte bisedën me një konkluzion:

“Shërbimi i At Antonit për mosnjollosjen e Ditës së Madhe të Flamurit, asht shërbimi ma i madh që një Atdhetar si At Anton Harapi mundet me i ba Atdheut të vet. Ka me ardhë një kohë që për këte vepër Ai do të zanë vendin që meriton!”.

Në vitin 1995 këte fakt historik unë e kam bisedue me At Konrrad Gjolaj, kur ky po më tregonte sesi asht tradhtue At Antoni nga një kushri i veti, shirokas (L.B.) (të cilin nuk jam i autorizuem me e shkrue), kur (L.B) asht mbajtë në Sigurimin e Shkodrës dhe asht shtërngue nga frika e torturave për me tregue se ku asht strehue At Antoni, sepse dyshohej se ky kushri mos e ka nxjerrë nëpër liqe dhe e ka çue aty ku mund t’ishte edhe Cafo Begu i mshefun. Atëherë forcat e Ndjekjes kanë shkue në Dukagjin të sigurt dhe e kanë arrestue At Antonin. Tjerat mënyra At Konrradi nuk i pranonte, madje i quente trillime të Sigurimit komunist. Edhe At Konrradi e dinte ndryshimin e datës së largimit të trupave gjermane me 29 Nandor 1944, mbasi ato ditë vetë At Konrradi ishte kenë në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit në Shkoder, ku kishte pak ushtar gjermanë dhe mjaftë nga njerëzit e politikës që po kalonin ditët e fundit aty n’atë vend. Në librin “Çinarët”, At Gjolaj shkruen gjatë për këte temë në faqe 70.

Pa hy me shkrue për rolin e At Anton Harapit në skenen politike të vitit 1943 – 44, kur Shqipnia po lahej në gjak nga lufta vëllavrasëse “nacional – çlirimtare” e partizanëve, apo nga gjakderdhja e hakmarrjeve e borxheve të vjetra në luftën për pushtet dhe veprat kriminale të komunistëve shqiptarë në sherbim të shovenizmit serbosllav, apo finalja e të gjitha mashtrimeve e krimeve për kolltukët përsonal të avanturirëve Enver Hoxha me shokë të tij, duhet theksue se cili ishte roli i At Anton Harapit për evitimin e gjakderdhjes dhe epiteti me të cilin i quejti këta kriminelë të pa Atdhe e Fe vetë Ai:

“Jo kështu, mohni bre burra...jo gjak se edhe ata janë vllaznit tonë..!”

E cila Nanë Shqiptare asht ajo që ia mësyni dyerve të Kuvendeve e të qelave të klerikëve katolik për me shpetue djelmët e vajzat e veta apo nipat e mbesat komuniste...e nuk gjeti shpëtim nga ndërhymja e tyne ndër komandat italiane, gjermane e shqiptare?

Kujt i ka mbyllë derën e zyrës së Tij të naltë At Anton Harapi?

Cili kje veprimi i Atij Burrë me datën 4 shkurt 1944, kur komunistët provokuen gjakderdhjen në Tiranë, tue vra pa pikë faji tri ditë para nipin e Xhafer Devës?

Po komunistët, ashtu si At Anton Harapit, ua shpërblyen të gjithëve papërjashtim, deri tek misionarët e huej që i vranë të pafajshem mbasi i kishin shpëtue kokat!

Zakonisht profetët e një kohës së ardhshme gjithmonë janë përndjekë...

Edhe At Anton Harapi pat këte fat.

I burgosuni At A.Harapi. Veper e piktorit P.Sheldija.

Ja dhe çfarë ka parashikue në vitin 1946 para gjyqit komunist At Anton Harapi: “Shqipnia u fitue me gjak, me gjak edhe po mbahet e robnueme. Do të vij dita e me Paqë dhe Drejtsi do të fitohet!

E kush guxon me njollosë Figuren e Martirit të Madh At Anton Harapit...?!

Jeta e Tij asht vetem model salvimi e vetflijimi për Atdhe e Fe !

Melbourne Mars 2011.