TRADHETARET - Nga FRITZ RADOVANI

FRITZ RADOVANI

TRADHETARET
Enver Hoxha e Ramiz Alia na nxorën nga Europa...

Ua kushtoj të Parëve të mi, Ejëllorëve (ose Radovanëve) të vjetër, dhe Gurakuqëve po aq Atdhetarë, që menduen, punuen e u salvuen për Shqipninë Europjane të Gjergj Kastriotit - Skenderbeut!
Autori

Melbourne, Gusht 2010.
Redaktor: Daniel Gàzulli.

Dikur... ishte edhe kjo... Shtëpia e Luigj Gurakuqit..!


At Anton Harapi, tregon për Luigj Gurakuqin: “...U kuq, iu muer goja, shterngoi buzët e i dha vehtes: Padër Anton, tha, na kanë skreditue tepër keqas, na kanë deklarue komunista n’opinjonin publik t’ Europës! Për Zotin, nuk due të hiki, por po ndeja këtu, e dij se derdhet gjak e, derdhet kot...”

(Revista “Hylli i Dritës, Nr. 3, Mars 1944, fq. 69, Shkoder.)

HYMJE


Isha i vogël kur më tërhiqte vemendjen një kuadër pikture mbi një tabake porcelani me servirë kafe. Aty ishte një piramidë dikund ka Egjipti. Një deve, nga pozicioni i kambëve, kuptohej se ishte në ecje…Përpara i printe një harap, që dukej sikur e tërhiqte deven me një litarë…
Dukej sikur edhe dielli binte vetëm mbi atë mjedis, ku rana digjej e të jepte përshtypjen e një tymnaje që ngrihej nalt…
Më dukej një jetë e mënershme. Piramidat, tash sa mija vjet, asnjena nuk lëvizin. Nuk lëvizin as sfinksat, as gurtë, as tullat, madje as faraonët që janë aty ndër ato piramida.
Ndonjë termet shkapë ndonjë gur aty-këtu, që rrëshqet dhe bie poshtë, thërmohet e bahet pluhun.
Kur frynë erë, rana ngjitët e mbushë zgavrrat e gurëve, po edhe të sfinksave, që qëndrojnë me aq madhështi mbi piedestalet e tyne. Kur bie shi apo breshën, rrallë në ata vise, gjithë ai pluhun lahet e rreshqet me ujin poshtë…
Mbas pak orësh dielli i fortë i atij vendi e thanë tokën e nuk mbetë ma asgja mbas atij rrebeshi që mund t’ jenë kenë boll i fortë.
Asht e vërtetë se edhe aty jeta vazhdon…
Harapi e devja, të dy jetojnë…tjerët nuk jetojnë, nuk kanë jetë, por vazhdojnë me kenë aty, madje edhe kur as harapi as devja nuk do të jenë ma. …Për jeten e deves asht vështirë me folë. Thonë se asht mësue me vuejtë e me bajtë… Në lidhje me “arësyetimin” e kafshëve kam pyetë edhe njerëz me ide materialiste, që e mendojnë veten trashigimtarë të majmunit, por vërej se e kanë të vështirë me mendue ndryshej, jo pse kanë bindje, por u pelqen ashtu, pse nga pema majmuni hypë ma lehtë mbi shpinën e gungueme të deves, sesa me kenë njeri dhe me kërkue rahatinë tek devja.
Ndërsa për harapin e shkretë çka mundesh me thanë ma parë..?
Jeta e ban njeriun me pranue me kenë i gjallë ndër të vdekun. Kërkon gjithmonë i shkreti njeri me kenë i gjallë e, shpesh, thuhet se edhe “Shqiptarët janë kenë të vdekun ndër të gjallë…”
Jam i sigurtë se këtë mendim për shqiptarët e kanë “ata” që kanë jetue të hypun mbi shpinë të deves, se, po t’i takonte me jetue si devja , me u tha etjet si ajo, ose si harapi që i prinë zbathë, tue u djegë kambësh në ranën e nxehtë, tue vrapue me gjetë dy grushta uji me njomë gojën e shkrumueme, atëherë me andje të madhe do të çonte sytë kah qiella dhe, ashtu gjysë të verbuem nga lodhja, uja, etja, zharitja e frika e vetmisë, apo nga dajaku e shpata e mumjes së “faraonit”, do të fillonte me vrritë me gjithë forcën e zanit të shkyem, me sy të zgurdulluem, tue shikue drejt tek drita e fortë e diellit, derisa të fillojë me pa në rrethin e tij Kryqin…e, kur i marrakotun do të binte për tokë, ashtu, i shkrryem në ranë, do të thërriste:
“Zoti im, Zoti im…pse më lëshove dore..?”
Jo, nuk asht blasfemi kjo, vëllazen e motra! Këto janë fjalët e Krishtit! Shqiptarët kanë të drejtë me pyetë… Se vuejtën gati 50 vjet… si Krishti!


Melbourne, 2 Korrik 2010.

I. NA ISHTE DIKUR... NJË SHQIPNI..!


Kështu i fillonin përrallat dikur gjyshat tanë...
Na hapnim veshët me ndigjue, po nuk shkonte gjatë dhe kapakët e syve na mbylleshin tue na mbetë nder mend vetëm fjalët “na ishte...!”
Mundoheshin të shkretët pleq me na ngulë në tru fjalën “Shqipni”, që shpesh, kur zemroheshin, si nëpër dhambë përtypnin disa tinguj gati si të dëshpruem...”si e hangri dreqi kështu, këtë vend..?”
Ishim të vegjël dhe nuk mujtëm me kuptue se çka donte me thanë “me hangër dreqi një vend...”, krejt abstrakt për moshat tona 5 – 6 vjeçare...
Kishim fillue me këndue me shokë një kangë që na pelqente fort:
“Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit,
Po rreh Flamur’ i Shqipnisë...”

e, pa e dijtë mirë se kush e kishte ba ate, mësuem ndër shkolla se Ai ishte një nga “tradhëtarët” e Popullit Shqiptar, që nuk duhej me i zanë në gojë as emnin, as kangën e Tij...Mësuesja e klasës së parë në Dajç të Bregut të Bunës, në vitin 1945 ishte zoja e nderueme Viktore Kuka, të cilën e takova në vitin 1993, mbas 40 e sa vitesh, mbasi nga pranëvera ajo nuk e mbylli vitin shkollor, se u arrestue si “armik i popullit” dhe vuejti sa vite dënim...
Pak kohë, pra, mbasi kishin “hi këta”, kuptuem se edhe “kush ishin këta”, që një ditë në mengjes, prej tyne njeriu nuk ishte aty ku binte me fjetë në darkë. Sigurisht, edhe “kangën” e harruem prej frike.
Kur Zoti ua ndaloi me hangër “mollën” Adamit e Evës në Parrizin e Tokës, pikërisht, Ate që Zoti ua ndaloi, ate tinzisht një ditë e “hangrën”...
Ashtu edhe na, porsa filluem me kuptue e me zanë mend, filluem me kërkue ndër libra “mollën e ndalueme”...por këte herë jo nga Zoti, po nga “robi”, ose ma mirë me thanë nga “robnuesi” i Atdheut...
Ndër librat e vjetër, mu në qoshen e një rafti të vjetër të bibliotekës së dajës, ishte “Kanuni i Lek Dukagjinit”, me emnin e një frati sipër që e kishte mbledhë nga populli; quhej At Shtjefën Gjeçovi, OFM., që mësova se e kishin vra serbët...në Kosovë, ku ishte mësues, tue plotsue edhe idenë se edhe banorët e Kosovës ishin Shqiptarë, por mbas 1944 Ata ishin nën sundimin e “druzhe” Titos së Jugosllavisë, i cili na ka sjellë edhe ne si atyne “lirinë”, bashkë me Stalinin e “math” e gjeneral kolonel Enver Hoxhën, që ishte në qeverinë provizore të Tiranës, sigurisht, me trup aty se, me mend, me zemër e me vepra në Beograd...
E mora atë libër në dorë dhe mbasi e hapa, prap një tjetër emën i ndaluem...At Gjergj Fishta, prap një tjetër...Faik Konica...e kështu, u futa në “Parrizin e Tokës”, ku pothuej të gjitha “mollat” ishin të ndalueme..!
Ato dy parathanje, edhe pse kanë kalue 50 e sa vjet, nuk i harroj për mënyren e shkrimit të Tyne nga dy kolosët e Letërsisë Shqipe, por që ende vazhdojnë me kenë...a, në “Parrizin e Tokës” apo, në “Kopështin e Gjetsemanit”, nuk mund ta përcaktoj, mbasi “Juda” asht ende gjallë...sa sheh njenin i afrohet... e, sa do me e “puthë”, sheh tjetrin e shkon tek ai... po edhe xhullijtë...presin se “cilit” po i kacaviret në qafë, dhe ...me ba edhe ata punën e tyne që kanë ba tash 65 vjet...
Në historinë e Epokës mbas Krishtit, nuk besoj se ka një shtet tjetër në Europë, si Shqipnia, që tue kenë ndër ma të vogjlit e këtij kontinenti, me u përfshi në të gjitha ngjarjet kryesore të tij, madje edhe tue u “diskutue” edhe ekzistenca e kenjes së Saj...
Unë nuk dyshoj se Toka e Saj asht në kontinentin Europë...Po ka njerëz që nuk e dinë ende, jo nga injoranca, sa nga dëshira mos me kenë edhe sot Shqipnia aty. Historia e shteteve të Europës Perëndimore kurrë nuk mund të jetë e plotë pa emnin e Shtetit Shqiptar, edhe pse e kanë gri e coptue si mos ma keq, tue u mundue me i plotsue qefin dhe interesat e të gjitha shteteve rreth nesh, njenit ma dashakeq se tjetri.
A mundet Italia me thanë se Popullit Shqiptar na i kemi dhanë një dhuratë të çmueshme, e cila i ka sjellë qytetnim dhe zhvillim të madh njerëzor në të gjitha aspektet, deri tek “liritë dhe të drejtat e Njeriut, një nga bazat e qytetnimit modern”, e kjo dhuratë asht kenë Krishtënimi?
– Jo, po e përsëris: “Jo”! Na jemi të Krishtenë aq ditë para Italisë, sa Shën Pali ka vonue me mbërrijtë nga Durrësi me anije në tokën e tyne... e, mbas tyne janë kristjanizue vendet europjane...
Kush ma parë se Ilirët u ndodh mes zjarrit të Romës e Bizantit? Këte të shpjegojnë historianët, dhe atëherë Europa do të “mësojë” se me sa sakrifica Ilirikët e ruejtën prej asaj kohë, pra, që nga viti 67 mbas Krishtit, kur në Iliri fillon edhe përndjekja e katolikëve.
Prof. Zef Mirdita në librin e Tij, “Krishtënizmi ndër Shqiptarë” (1998), në fq. 159, shkruen: “Kisha e krishterë ndër Shqiptarë, përkundrejt vështirësive e vazhdon kontinuitetin e mëparshëm. Edhe në kohën e skizmës (1054), përkundrejt ndihmave dhe presioneve të përandorve bizantinë dhe të kryepeshkopëve të Ohrit, ajo shpirtërisht mbetët në bashkësi me Romën...”. A nuk asht ky një fakt tjetër i Shqiptarve, që nuk u shkëputen as atëherë nga Europa? E të vazhdojmë me rrjedhën e shekujve...
Kisha Katolike Shqiptare e ritit romak dhe lindor, në shek. XIV e XV, asht faktori kryesor në ruejtjen e identitetit etnik dhe të pavarësisë së Shqiptarëve. Kisha Katolike dhe i Madhi Gjergj Kastrioti - Skenderbeu, janë ”pararoja e qytetërimit të krishtenë europjan. Pushtimi otoman dhe përhapja e islamizmit bën që një pjesë e konsiderueshme e popullit shqiptar ta braktisë vendin dhe të strehohet në Itali e Greqi. Kjo kohë është edhe zanafilla e Kishës së Krishterë Arbëreshe...” (po aty fq. 166). Le t’i referohemi Imzot Fan S. Nolit, tek libri i Tij “Gjergj Kastrioti - Skenderbeu”, fq. 49, ku shkruen: “Në krye të shekullit të XV, Shqipëria ishte pothuaj plotërisht katholike, me nja tetëmbëdhjetë peshkopata të ritit latin. Në këto duhen shtuar disa peshkopata unite të ritit oriental orthodoks të lidhura me Papën. Sa për kapedanët e bajraktarët, këta ishin këthyer katholikë të gjithë njëri pas tjetrit, sikundër na tregojnë dokumentat e kohës”. Mbas kthimit në Krujë, Skenderbeu asht rikthye në fenë e të parve në mjedisin Shqiptar. Shqipnia ishte e krishtenë Katolike, gja që e dëshmojnë edhe bashkpunëtorët e Tij, ambasadorët dhe njerzit politikë e diplomatikë ma të shquem të të gjitha kohëve që kishte pranë: “Prelatët e Kishës Katolike, siç ishin Gjon Gàzulli, abati dhe protonatori apostolik Gjergj Pelinji, argjipeshkvi Pal Engjëll Dushi nga Kraja, abati e pastaj ipeshkvi i Ndërfandit Pali, argjipeshkvi i Durrësit Pal Engjëlli” (Po aty, Prof. Z.Mirdita, fq. 172).
Ma qartë se kushdo që asht mundue me tregue figurën e Gjergj Kastriotit - Skenderbeut flasin dokumentat e Vatikanit, të cilat Shqiptarët vazhdojnë me ba sikur nuk i njohin...ose, edhe kur i “njohin”, mundohen me i paraqitë aq të gjymtuem, sa edhe vetë Vatikani me dyshue në “pronën” e vet që ruen tash sa shekuj. Madhështia e Kastriotit gjendet e shkrueme nga vetë Papët, aty edhe nga anmiqtë e tyne. Skenderbeu në botë njihet si mbrojtës i qytetnimit Perëndimor, por edhe i vetë Kishës Katolike. Papa Kalisti III shkruen: “Nuk ka njeri që i ka të njohura veprat e tua e që nuk i ngritë në qiell me lavdatat më të larta dhe të mos flasë për trimërinë tënde si për një ushtar të vërtetë, për një mbrojtës të emrit të krishterë.” (Prof. Z.Mirdita po aty, fq. 173.). Po ai Papë vazhdon: “Me të vërtetë shohim se ai pothuajse i vetmi, i cili, i është kundërvenë invadimit të egër turk, e nuk e ka lejuar afrimin e tyre (sc. Evropës, ZM)”.
Papa Kalisti III shkruen: “Meritat e Tij janë më të mëdha se të të gjithë princërve të tjerë të krishterë!”.
Papa Piu II, shkruen: “Mbrojtësi më i rreptë i Krishtit”.
Plot 25 vjet ishte Gjergj Kastrioti - Skenderbeu që mbrojti Europën e përçame nga invazioni turk. Ishte ajo Europë që, po të mos kishte forcën e Papatit dhe autoritetin e Kishës Katolike, me kohë do të ishte shkatrrue.
Islamizmi ka provue në truellin Shqiptar se shuen traditat e vjetra kombëtare dhe shpartallon kulturën shpirtnore të popullit. Aty ku nuk ka veprue me forcën e shpatës apo të vendosjes në hu, aty ka përdorë formën e taksave dhe të nënvleftësimit të njeriut si kenje “e dytë”...kjo ishte edhe arësyeja e largimit të një sasije të konsiderueshme nga Shqipnia për në Itali dhe Raguzë (Dubrovnik), ku kanë lanë edhe shumë trashigimtarë deri sot.
Kisha Katolike asnjëherë nuk ka mohue identitetin dhe entitetin etnik të Popullit Shqiptar. Kjo vërtetohët edhe me veprat e klerikëve të asaj kohë, kur ata iu mbështetën dhe u inkuadruen në gjiun e kulturës dhe shkencës së Evropës së asaj kohë, tue mbetë të pandryshuem që nga gjaja ma elementare, alfabeti latin.
Një ndër kolosët e Kishës Katolike Shqiptare të asaj kohë asht edhe prifti Don Gjon Gàzulli, laurue në Padova, Itali me 1430. Ky ishte misionar diplomatik i Skenderbeut, shkencëtar në fushen e astronomisë e të matematikës.
Dokumenti ma i parë i Gjuhës Shqipe, me 1462, nga Imzot Pal Engjëlli, “Formula e Pagëzimit”, asht dëshmia e pakundërshtueshme e të gjithë Shqiptarëve në qëndresën e Tyne kundër pushtimit barbar turk.
Kisha Katolike Shqiptare, mbas vdekjes së Skenderbeut, strehohet ndër shpella e male, ndërsa arbëreshët e Italisë krijojnë Kishën e vet. Kjo asht koha ma e vështirë që kalon populli Shqiptar në mes indiferencës politike të shteteve të tjera ndaj nesh; islamizimit të dhunshem në masë; po edhe faktori i ortodoksisë skizmatike, vazhdues i luftës së vet antiosmane, së cilës, i afrohen shumë për kryemje ritesh besimtarët katolikë.
Mbas vitit 1622 fillon njëfarë “ringjallje” e Kishës Katolike, që në shek. XIX shpërthen në Shkoder, kohë në të cilën Turkia lejon edhe me u ndërtue Kisha e Madhe Katedrale (1858). Kjo periudhë, edhe pse asht Shqipnia e pushtueme ende nga turqit, dallohet për përpjekjet e Klerit Katolik Shqiptar në hapjen e disa shkollave në Gjuhën Shqipe, ku asht përdorë alfabeti latin, gja që vazhdon me tregue vijushmeninë pa asnjë ndërpremje të rrugës sonë kombëtare ndaj kulturës europjane. Jemi edhe para një fakti: “Asnjë krahinë e Shqipnisë nuk përdorë gjuhën turke!”
Në gjysën e dytë të shek. XIX, në Shkoder, kemi edhe shkolla të Mesme si dhe seminar për klerikë katolikë shqiptarë, ku që në fillore asht përdorë gjuha shqipe. Nuk do të përsëris karakterin dhe rolin e këtyne institucioneve arsimore e kulturore në zhvillimin e ngjarjeve të asaj kohë, por do të theksoj se roli që ka luejtë përgjithësisht Kleri Katolik Shqiptar në të gjitha aspektet për çeshtjen kombëtare dhe kryesisht të primjes së saj në të gjitha kohët me kahun e pandryshueshëm të vetin nga Europa, janë dhe do të mbetën monumente të pavdekëshme historike të lavdisë së Tij. Ai me të vërtetë u masakrue, u përndjek, u var, u vue në hujë, u muer zvarrë...dhe, u pështye si Thëmeluesi i Tij, por guximi dhe përpjekja me ruejtë në tiparet shpirtnore të besimtarëve binomin “Fe e Atdhe”, asht një meritë që na ende nuk e gjejmë të vlerësueme në masen që meriton. Vëreni me kujdes se sa asht e lidhun Historia e Shqipnisë me Historinë e Europës, përderisa vetë egzistenca e qytetnimit Europjan mvarej nga fati i luftave të Skenderbeut!
Vëreni me kujdes se me sa guxim e pjekuni vepron Kleri Katolik në momentet kyçe të historisë sonë, kur fatet e saj rrezikojnë edhe një zhdukje të përjetëshme, ose gabime të pakorrigjueshme nga vetë politika e ndërthurun e shteteve të tjera. Hapni arkivat e shihni letrat e dorëshkrimet e At Gjergj Fishtës drejtue sulltanëve dhe politikanëve të Europës, kur të gjithë papërjashtim janë para hartës së Ballkanit tue ba “pazarlleqet” e tyne për kufijtë tonë, për Trojet tona, dhe për caktimin e “sunduesit” të ri të Popullit Shqiptar! Mos u ndalni vetëm tek At Fishta, as tek i Madhi Luigj Gurakuqi, as tek Don Ndre Mjedja, por vazhdoni e shfletoni dosjet e “mykuna” të Londres, Parisit, Romës dhe New Yorkut, ku do të gjeni një tjetër kolos të Klerit Katolik Shqiptar, Imzot Luigj Bumçin, që di me folë me të gjithë përfaqsuesit e ndryshëm të Lidhjes së Kombëve “pa përkthyes” dhe me bindë edhe Papët e Vatikanit për të drejtat e Trojeve tona sidhe praninë etnike dhe të vetëdijes sonë kombëtare në Europë.
Kjo vetëdije e Shqiptarëve dhe karakteri kulturor i saj, ku vazhdojnë me qendrue edhe doket e zakonet tona të vjetra, u ruejt dhe u trashigue nga Kleri Katolik Shqiptar, ndonse sot “historianët” e mohojnë, tue shpërfillë flamurin e “marksizem – leninizmit” ndër shpifjet e falsifikimet e tyne të turpshme e të pa baza, e këto “vepra të tyne” janë që para Botës Përparimtare, kanë krijue idenë fallso se Shqipnia anon nga orjenti...

II. URAT LIDHËSE TË KËSHTJELLAVE SHQIPTARE ME EUROPEN E QYTETNUEME NË SHEKULLIN XX.


Gjysa e dytë e shekullit XIX, atëherë kur perandorisë turke filluen me iu lëkundë themelet, solli për Shqiptarë ndryshime të mëdha në të gjitha fushat e jetës politike, fetare dhe kulturore, në mbarë trojet tona etnike.
Papa Piu IX asht ndër dashamirët e mëdhej të Shqipnisë. Kur Ai ktheu Ipeshkvinë e Shkodrës në Argjipeshkvi në vitin 1867, parashikoi se kjo qendër e ardhëshme e Klerit Katolik Shqiptar shumë shpejt do të ishte një ndër urat kryesore të lidhjes së Shqipnisë me Europën. Kështjella e Shkodres, “Rozafa”, mbas datës 8 gushtit 1886, do t’ishte e pavarun nga Tivari dhe do të lidhej me “Kështjellat” tjera shekullore të Durrësit, Shkupit, Lezhës dhe me Abacinë e Oroshit, e quejtun e Shën Lleshdrit...Shkollat fetare fillojnë me vue gurt’ e parë mbi rrenojat e vjetra, të asaj kulture aq shumë të dëshirueme, të kulturës Europjane. Filloi qarkullimi i revistave, librave letrarë dhe teksteve shkollorë në Gjuhën tonë, që përhapeshin në gjithë Shqipninë.
Ngjarjet vijuese të fillimit të shek. XX tregojnë vitalitetin e madh të kuadrit që u përgatit fillimisht ndër këto shkolla e që vazhduen studimet e nalta në vendet Perëndimore, kryesisht në Austri. Ai brez i shkolluem në Austri mund të quhet me plot gojë “Brezi i Artë” i kulturës Shqiptare, me pikpamje Europjane Përparimtare. Ipeshkvijtë dhe klerikët Shqiptarë janë teologë, dijetarë, letrarë, poetë, arkeologë, historianë, gjeografë, muzikantë e matematicienë e, pse jo, edhe rregjizorë e aktorë të përsosun të teatrit...
Detyrimisht kjo elitë do të ingranohej edhe në jetën politike.
Imzot Lazër Mjedja, Imzot Luigj Bumçi, Imzot Jak Serreqi, At Gjergj Fishta, At Mati Prennushi, Don Ndre Mjedja, Don Loro Caka, Don Zef Ashta, Imz.Vinçenc Prennushi, e vargu vazhdon pafund... deri nalt në maje të maleve të Mirditës, në selinë e Imz. Preng Doçit, thëmelues i shoqnisë “Bashkimi”, që vuni bazën e shkrimit shqip me shkroja latine. Shqipnia rindërton mbi thëmele të vitit 1462 strukturën bazë e kryesore që duhet për ecjen përpara të arësimit dhe kulturës kombëtare, tue kthye me dinjitet fëtyrën e Saj nga kultura Europjane Perëndimore...
Përgatitja dhe shpërthimi i kryengritjeve të Malësorëve të Veriut, që kunorzohen me shpalosjen e Flamurit të Kastriotit në Malet e Deçiqit në Prill të 1911 nga kreshniku Dedë Gjo’ Luli, ndezin flakën e parë të Lirisë në mbretninë e errësinës otomane.
Lajmëtarët e parë të lirisë kombëtare shprazin bataret e tyne...Pushkët e tyne i ndigjon Mirdita, brof në kambë Gjin Pjetër Pervizi e me bijtë e Shqipes së Kurbinit, me kmesën shekullore të tyne, shkroi në gur: “N’ maje të malit e n’ brigje t’ detit/ Të mos e lshojmë Flamurin kurr...”
Memorandumi i Gërçes asht “qefini” që Malësorët e Veriut i kanë dhurue përandorisë otomane, tue i tregue botnisht fundin e saj në Shqipni.
Asht një Europë mbarë që vështron një Popull Shqiptar të vuejtun, të shtypun, të robnuem, të nëpërmkambun, të dhunuem, të plaçkitun, me një Flamur “fele – fele”, të lidhun ny për shtizë, që vrapon me hov me e shpalosë në Vlonë... Dhe ia arrinë Ditës së Madhe të Pavarsisë me 28 Nandor 1912, me gjak e sakrifica, po ia mbërrinë me i tregue edhe njëherë Asaj Plakës Europë, se jam Bija Jote...Jam Shqipnia e Gjergj Kastriotit, Shpetimtarit Tand... A të kujtohet...? Si nëpër dhambë u ndigjue një “po”!
Aq donin Burrat e Shqipnisë, Ismail Qemali, Don Nikollë Kaçorri, Luigj Gurakuqi, Mustafa Kruja, Hoxhë Karbonara...e sa të tjerë, emnat e të cilëve i mësova kur u bana 50 e sa vjeç, se edhe këta i pat fshi E. Hoxha.
Filloi rrebeshi i Malit të Zi mbi Shkoder...Duhej prishë “ura” e parë e lidhjeve me Europën...Gjuhej në top një popull i pambrojtun, por i vendosun me u groposë e mos me ra në dorë të pushtuesit të ri “serb” të pabesë, anmik shekullor i Shqiptarëve të Veriut... Krajli i Malit të Zi, dredh mustakët e në dëshprim kërkon me hapë një vorr të ri “uje” në Shkodër, ku njerzit arritën me hanger kelkaza...
Duhej shembë Katedralia e Saj...Atëherë Shkodra bie... Përpjekjet për shkatrrimin e Shqipnisë vazhdojnë me lanjen jashtë “hujve” të kufinit që nga viti 1913 të pjesës ma të madhe të trojeve tona shekullore. Europa asht e “zanun” me ngatrresat e pafund franko – gjermane...Rusia bolshevike e Leninit kërkon zgjanim.
Ballkani zhytet në gjak...E bashkë me te edhe Shqipnia ...Greku u zgjue nga gjumi e do pjesën e vet...nuk asht i knaqun me Çamëri e Vorio – Epir, do edhe Korçë e Gjirokastër ... Maqedonia Shqiptare coptohet në kasaphanen e re...Kosova nuk i takon ma Shqipnisë, me arësyetimin se forcohet “islamizmi”... e sa përralla të tjera që qarkullonin në kanceleritë europjane...nga komshijtë tanë...që, përveç shovenizmit të tyne, në gjak tashti kanë edhe porosinë e atij...“shokut” Marks, që edhe na e kishte vlerësue “qytetnimin sllav” kundrejt “primjes grabitqare të Arnautëve” ... pa dijtë fare se ku binte Shqipnia.
Angazhimi i Klerit Katolik asht i pashembullt në Histori për me shpetue Tokën Shqiptare. Kontaktet e Tij në fushën politike e diplomatike tregojnë luftën e madhe që ai ka ba për Pavarësinë e Shqipnisë. Të gjitha forumet kombëtare e ndërkombëtare janë qendrat ku ai me guxim ka luftue për Shqipninë e Lirë dhe me primje Europjane. Nuk ka Ligë Popujsh, Lidhje Kombesh, Konferenca ndërkombëtare, Seli Mbretnore Europjane, Presidencë Amerikane, ky të mos ketë trokitë e hy, me dashjen e padashjen e tyne...një nga Prelatët e Klerit Katolik, deri ndër të pashkelunat shtroje shekullore të Papës së Romës, për çashtjen e madhe kombëtare të Korçës e Gjinokastres, nga Imz. Luigj Bumçi. Vetem Ai, mujti me shkëputë përjetësisht këto dy krahina nga pushtimi i tyne sllavo – grek oriental e i paskrupull... E, ende sot, ”Historia e Shqipnisë” nuk e shkruen emnin e Atij Atdhetari...
Në vitin 1922 Kisha Ortodokse Shqiptare shpallet e pavarun dhe në vitin 1937, mbas sa kohe kjo u njoh edhe nga Patriarkana e Konstantinopolit. Kjo ishte vepër e Fan S. Nolit, por si e tillë mbeti për pak kohë, mbasi asnjëherë nuk arriti me u ba “urë” lidhje me Europën, pse vetë F. S. Noli iku nga Shqipnia përgjithmonë, ndërsa pasuesit e tij u zhdukën shpejtë mbas vitit 1944.
Asht viti 1924, kur Luigj Gurakuqi, i mbështetun nga Kleri Katolik i Shqipnisë, predikon në Parlamentin Shqiptar për “Demokracinë” tonë të bazueme mbi parimet Europjane, tue i sjellë mbarë Europës, feudale apo diktatoriale bolshevike, fashiste, naziste apo monarkike, “leksionet e Tij” mbi “tolerancën fetare dhe krahinore në mes të Shqiptarëve”, model i ri dhe i panjohun fare ndër vendet e tyne...ku vlonte përgatitja për pushtime të reja e gjakderdhje të miljona njerëzve të pafaj, pre e diktatorëve të pashpirtë e kriminelë, të papërsëritshëm ndër njëzet shekujt e shkuem...Cila “Urë” në Europë mund t’ ishte ma e fortë dhe e çeliktë se vetë fjala dhe vepra “Demokraci”, që mund të na lidhte ne përjetësisht me Europën e qytetnueme dhe përparimtare...? – Asnjë tjetër përveç asaj “Ure” Gurakuqjane...që kishte projektue dhe donte me zbatue i Madhi Luigj Gurakuqi, deputeti i Shkodrës dhe Kryetar i Opozitës...në vitët 1923 – 24.
Ndërkohë rreth Shqipnisë ishin rreshtue ushtritë jugosllave dhe Ahmet Zogu rikthehet e merr pushtetin...
Në Mars 1925 vriten Luigj Gurakuqi, Bajram Curri; vazhdojnë vrasjet tjera me Hasan Prishtinën e derisa me 5 Mars 1927 varet në litar Don Gjon Gàzulli...Arratisen e amnistohen njerëz, por tiparet e fshehta të diktatorit tek Ahmet Zogu sa vinë e dalin në shesh...ndonse, siç shkruen Bernd J. Fischer në librin e tij “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipni” (1984), “Zogut i mungonin mjetet e tiranisë që të bëhej diktator i haptë dhe shtypës.” Ai arriti krijimin e një mjedisi për ndjenjat nacionale. Ai paraqitej se po respektonte opoziten dhe idealet e saj të demokracisë europjane, por vetëm për aq kohë sa atij nuk i rrezikohej pushteti përsonal. Ndonse perandoria osmane e kishte pengue Shqipninë me kenë europjane, dhe dihej tashma se Viena ishte e vetmja fuqi e madhe që kishte përkrahë forcimin dhe bashkimin e Shtetit Shqiptar, Ahmet Zogu asht përpjekë me mësue nga Viena kushtetushmeninë perëndimore, të cilën ai e kombinoi me despotizmin oriental të vetin. Ambjenti dhe rrethi i tij ishin tipik njerëz të mardhanjeve ekonomike mesjetare, që ruenin me fanatizëm paprekshmëninë e pronave të tyne bashkë me titujt feudalë. I vetmi që ka dëshmue vetvetën si liberal dhe asht përpjekë me dalë nga Mesjeta, ishte Mehdi Bej Frashëri, jurist me erudicion, i ndershëm, historian, shumë i përgatitun dhe mik i Klerit Katolik për pikëpamjet e tij të provueme Europjane.
Kur i pata tregue At Giaccomo Gardini-t për anëtarësimin e Shqipnisë në Konferencën Islamike me 2 Dhjetor 1992, atëherë Ai më shpjegoi se:
“Në vitin 1926 Ahmet Zogu kërkoi mendim nga Vatikani si me veprue, mbasi “Konferenca Islamike” aso kohe kishte kërkue anëtarësimin e Shqipnisë. Mbreti i Shqipnisë Ahmet Zogu pat thirrë Delegatin Apostolik, që atëherë ishte në Shkodër, dhe i ka pasë kërkue se shka mendon Vatikani për lidhjet me ne, në kjoftë se na mund të hyjmë në Konferencën Islamike, mbas një kërkese që i ishte ba nga ana e tyne ato ditë? Delegati, tue u ndodhë para një kërkese të papritun prej Mbretit, i kishte kërkue dy javë kohë, sa me shkue deri në Vatikan dhe me sjellë mendimin e tyne për këte punë. Mbreti asht kenë dakord. Delegati ka shkue tek Papa Piu XI, dhe i ka tregue kërkesën e Mbretit. Papa i asht përgjigjë Mbretit nëpërmjet Delegatit me këto fjalë: “Në kjoftë se doni me ruejtë edhe atë pak Shqipni që ka mbetë, ju nuk duhet të angazhoheni me vendët e Lindjës. Na gjithmonë kemi thanë se Shqipnia asht vend Europian. Ju, mund të veproni si të doni. Ky asht mendimi ynë!”. Delegati asht kthye në Shqipni dhe i ka tregue Mbretit përgjigjen e Papës. Zogu asht kenë i squet dhe nuk ka hy në asnjë lidhje me shtetët e Lindjës. Papa, tue pa nevojën e një rishikimi të mardhanjeve me Shqipni, ka thirrë Ministrin e Vatikanit që merrej me shtetet ballkanike dhe e ka ngarkue me detyrën e rishikimit të problemëve në këtë zonë. Ministri ka thirrë një grup klerikësh që do të vinin në Shqipni me pa dhe me veprue si duhej ma mirë, që shqiptarët të shtonin lidhjet me vendet e Europës. Në këtë grup jam thirrë edhe unë” (Dishmi gojore, 1992).
Në vitët 1933 – 34, në korrispondencën e Mbretit Zog me Hitlerin, shkëmbehen mendime rreth kërkesës së Hitlerit për vendosjen e disa çifutëve të pasun gjerman në Shqipni, me qellim që Shqipnia të forcohej ekonomikisht me bankat e hebrejve që do të instaloheshin këtu, tue sigurue edhe sovranitetin e Trojeve Shqiptare, të okupueme nga fqinjtë shovenistë sllavë...Po Mbreti nuk u pajtue me këtë propozim, i penguem nga rrethi fanatik musliman oriental me të cilët qeveriste vendin...
Në vitin 1932 Zogu fillon me mendue për një “reformë arësimore”, e cila u zbatue në prill të 1933, kur u emnue ministër arësimi Mirash Ivanaj, që ishte i njohun për përgatitje kulturore, por me primje antiklerikale katolike. Porsa filloi detyrën, me pelqimin e Mbretit, mbylli shkollat private, ndër të cilat numroheshin 17 shkolla katolike, që kishin 2560 nxanës, 12 prej të cilave ishin në Shkodër, të tjerat në Tiranë. Ndonse reagimi kje i menjëhershëm, ky veprim solli një ftohje të mardhanjeve të Italisë me Shqipninë. Sigurisht kjo ndikoi edhe me Europën e zhvillueme.
Reforma agrare dhe veprime tjera që mundohet me i ligjrue me Kushtetutë, nuk ia arrinë, po mbesin të parealizueme nga paralizimi anadollak i feudalëve analfabetë që nuk e lanë Shqipninë me shkue drejt Europës, tue i vue vetës barrikada në të gjitha rrugët e hapuna, sepse, siç thotë shkrimtari amerikan Fischer në librin e Tij për mbretin: “Zogu u përpoq me u ba monark Perëndimor, por mbeti me rranjë në Lindje.”
Dihet botnisht se, kur Luigj Gurakuqi u vra në Bari nga sherbëtorët e Ahmet Zogut, tue kenë Ministër i Financave në Shtetin Shqiptar me qeverinë e Fan S. Nolit...” iu gjeten 300 lira në xhep”... Sigurisht, një minister financash “budallë” me kaq pare në xhep nuk ka si përmendet as për nder, as për burrni e, aq ma pak si Demokrat, kur ministrat tonë sot...nuk dinë se në cilën bankë kanë kapitalet e tyne..!
Po dihet edhe se: “Zogu u largua nga Shqipëria me një qyp të madh me rubinë dhe smeraldë si edhe me një pjesë të rezervës së arit të Bankës së Shtetit Shqiptar, që kapte shumën prej 10 miljon dollarësh...Kur një prej njerëzve të Zogut, Sotir Martini, kërkoi të dinte nëse Foreign Office-i mund të krijonte mundësinë për transportimin në Kanada të shtatë arkave me parà, leja u refuzue. Sekretari i Zogut Qazim Kastrati nënvizonte se Zogu kishte mjaft kredi në pikëpamje të marëdhenjeve me qeverinë turke dhe në vendet e botës islamike, si i vetmi mbret musliman i një vendi europjan” (fq. 309), Ndërsa mbasardhësi i tij, Enver Hoxha, s’e pat at rrezik, se do të duheshin sa e sa vagona të trenit nga Tirana me u ngarkue me arkat e arit të 45 vjetëve të qeverisjes së tij, pa llogaritë vitet mbas vdekjes...Shumë studjues, krejtësisht të paanshëm, sot shkruejnë ..”Këte ose ate reformë mendoi ta bante edhe Ahmet Zogu, po mbet pa e ba derisa erdhi mbas tij në pushtet Enver Hoxha...”
Unë do të shkruej një rasë që asht thëmelore për një Udhëheqës të Shtetit Shqiptar. Ju vëreni ngjashmëninë e politikës së Zogut dhe Enver Hoxhës në lidhje me të njajten çashtje të madhe kombëtare, për Kosovën:
Fischer thekson se qeveria e Zogut kishte ma shumë jugorë se veriorë. “Njëkohësisht duhet vue në dukje se edhe në lidhje me politikën kosovare, jugorët i trembeshin dyndjes kosovare. Për ta çeshtja e Kosovës, duhej të shtyhej për një kohë tjetër, me shpresë që të harrohej terësisht.”
Një analogji e padiskutueshme me qendrimin tradhëtar të vitit 1944 – 45, kur Enver Hoxha shkapercente fjalën “Kosovë” nësa fliste në lidhje me marëdhanjet tona “vëllaznore” me popujt e Jugosllavisë dhe Titon.
Me 7 Prill 1939 Ahmet Zogu iku. Shqipnia u pushtue nga Italia. Të parët janë tregtarët që sjellin fëtyrën nga Italia fashiste.
Politika italiane filloi me rritjen e mirëkenjes ekonomike tek na, aqsa, Shqipnia ishte shumë ma mirë se vetë Italia. Shumë atdhetarë janë optimistë për ardhjen e fashizmit.
Ndër personalitetet ma të randësishme janë Mustafa Kruja dhe Ernest Koliqi, të cilët rivendosin “urat” e lidhjeve të reja me Europën. Riorganizohet shkolla dhe kultura Shqiptare merr një hov të ri zhvillimi. Në trojet shqiptare hapen 120 shkolla shqipe me mësues shqiptarë, shumica në Kosovë. Tekstet e asaj kohe, të botueme nga Ministria e Arësimit në Tiranë, edhe sot janë ma të saktat e ma të plotat për nga ana shkencore dhe pedagogjike. Formohet në Tiranë më 1942 Instituti i Studimeve Shqiptare me kryetar z. Mustafa Kruja, i cili fillon menjëherë punën për gjuhën e përbashkët letrare shqipe.
Kisha Ortodokse Shqiptare, e njohun që me datë 12 prill 1937 nga Patriarkana e Konstantinopolit, me Sinodin e ri, tashti ka kryeqendren në Tiranë, dhe Kryetar i Saj asht Imz. Kristofor Kissi, metropolit i Durrësit dhe i Tiranës. Anëtarë janë: Imz. Agathangjelo Çançe i Beratit, Imz. Eulogio Kurilas i Korçës dhe Pantheleimon Kotoku i Gjirokastres. Të gjithë përdorin liturgjinë kishtare në gjuhën shqipe. Mirëkuptimi me të gjitha besimet tjera nuk asht formal. Imzot Kissi hapë një faqe me të vërtetë të lavdishme për Kishën Ortodokse Shqiptare dhe marëdhanjet e saj me Kishën Katolike Shqiptare dhe besimet tjera.
Edhe Kisha Katolike Shqiptare fillon marëveshjet me Ortodoksët tue arrijtë në shumë çashtje mirëkuptim dhe lidhje vërtet të vlefëshme për problemet kombëtare e në dobi t’ Atdheut. Asht shumë me interes studimi i kësaj periudhë historike për të gjitha besimet, mbasi aspak mbrapa nuk kanë qendrue as Muslimanët Bektashijë dhe Sunit, të cilët arrijnë me pasë kontakte vëllaznore me të Krishtenët dhe lidhje që, ndoshta, janë edhe të papërsëritëshme në historinë e mavonëshme. Një rol me randësi ka luejtë edhe Kisha Katolike e Vlonës me Imz. Jul Bonattin, në atë kohë. Ndërsa në Durrës Imz. Irene Banushi asht i pakrahasueshëm me punën që ka ba për përafrimin e besimeve. Në Shkodër, shumë familje muslimane shtrojnë edhe dreka për priftnit katolikë, që aso kohe janë kenë profesorë të fëmijëve të tyne, madje edhe jezuitë. Hoxhallarët: Hafiz Sali Myftia, Hafiz Ali Kraja, Xhemal Najpi, Hafiz Derguti, etj., tregojnë formimin e shpirtin atdhetar, tue arrijtë deri në martirizim mbas vitit 1944.
Ja një pohim i Hafiz Dergutit në qelinë e sigurimit në vitin 1947. Kur një bashvuejtës e pyet se cila ishte arësyeja që e torturonin aq shumë, Ai i përgjigjet: “Më kërkojnë dëshmi për priftën, kërkojnë me na përça, e nesër me thanë se u pushkatuen priftnit me dëshmitë e rreme të hoxhallarëve. U kam thanë, bani çka të doni, se këte punë nuk e baj kurrë, pasha Allahun!”
Se cili asht objektivi i Tyne shpirtnuer e atdhetar e tregon në vitin 1946 Hafiz Ibrahim Dalliu publikisht në Tiranë, me moshë afër të 80-tave. Dënohët mbasi deklaron në “gjyqin e popullit”: “... Kam dëgjuar ndër stacionet e Amerikës dhe të Londrës lajmet anglisht, mbasi dëshiroja që ata të zbarkonin në Shqipëri ... Ne nuk kemi asnjë lidhje me Lindjën, as të afërme dhe as të largët. Nga turqit ne kemi marrë vetëm besimin. Për të tjera nuk ka çka na duhët Anadolli... Shqipëria është shtet që i përket vetëm Europës. Me Europën na lidhë pozita gjeografike, marëdhanjet shtetrore, ato kulturore e të gjitha të tjerat që vijnë pas, për një jetë më të mirë dhe të begatëshme të popullit tonë ...”
Ndërsa kryeministri Mustafa Kruja deklaron para Senatit të Romës më 1941, se: “Ajo ma e keqja asht se pushtimi turk na izoloi nga Europa..”
Për ditët e fundit të nandorit 1944 do t’i referohem një Anëtari të Regjencës Shqiptare:


III.BURRI I FJALËS DHE I VEPRAVE CAFO BEG ULQINI


Kur veriu i ftohët i Stom Golemit përshkohej nëpër rrugën Rus, apo murrlani i Rrencit vinte e shkapetej tek Dugajtë e Reja të Shkodrës për gjoksin e Burrit të njohun Cafo Begut, gjithënjë kam pasë përshtypjen se të dy kthehëshin mbrapsht...
E njoha të moshuem, aty nga vitet 1961 – 62, kur çeli dyqanin e cigareshitësit. Ishte plotësisht i thijun, me krejt flokët të bardhë, që i jepnin një hijeshi Burri, por trupi i madh sportiv, gjithmonë i mbajtun dhe i kërpitun, i veshun me palldysy ngjyrë qumështi, apo kostume kafe e krem, të tërhiqte në çast vëmendjen. Ishte mjaft i pashëm, me sy shqipojë, gjithmonë vrojtues, nofulla të gjana, që ngërthehëshin kur nxirnin çdo tingull të ambël të fjalës së tij joshëse. Për pak kohë shihej se edhe klientët që hynin në dyqanin e Tij ishin të zgjedhun...
Cafo Begu kishte një histori interesante të jetës së tij. Ai jetonte tek disa miqë të tij, dikund kah stadiumi. Nuk kishte familje as të afërm, mbasi ishte detyrue me i lanë në anën e Jugosllavisë, që në ditët e para mbas luftës së Dytë Botnore, kur andej e këndej në pushtet erdhën komunistët. Në Shqipni kërkohej se kishte qenë Anëtar i katërshes së Regjencës në periudhën e pushtimit gjerman, me Maliq Beg Bushatin, At Anton Harapin dhe Lef Nosin. Ndërsa nga jugosllavët paguhej me napolona ar kryet e Tij, mbasi kishte deklarue botnisht se: “Trojet e mija janë Tokë Shqiptare!”.
Kjo deklaratë nuk ishte thjeshtë e një pronari apo çifligari tokash, po ishte: “Një shtytje ma andej e atyne piramidave të vume paderjtsisht në vitit 1913, në Tokën Shqiptare!”
Me largimin e trupave gjermane kishte shkue në trojet e veta dhe aty ishte strehue, madje, edhe ruajtë kryet ndër miqë e besnikë të vet. Kishte provue jetën e shpellave, gropave, të skamit dhe të vuajtjes për disa vite, deri me rastin e amnistisë së bame për faljen e jetës së atyne që dorëzohën në Shqipni, dhe që nuk do të dënoheshin me vdekje nga gjykatat komuniste. Kishte kalue hetuesitë speciale dhe ishte dënue me shumë vite burg, i përfshimë në nenët e “krimeve të luftës”. Mbasi u lirue, erdhi në Shkodër.
Në vitin 1968 u njoha ma afër me Té. Ai më tregoi se kishte njohë edhe babën tim dhe se kishte pasë edhe ky hobi për hipizëm. Kishte disa foto ndër plantacionët e veta me kuaj. Ruente si relike fotografi të grues së vet dhe të vajzave, të para vitit 1945.
Në dhjetorin e vitit 1968, hapi bisedën për At Anton Harapin: “Asht kenë një dhe nuk bahen dy si Ai!”. Në vitin 1944, kur At Antoni, aty nga fundi i nandorit, po këthehej nga Gjermania mbas një takimi me Hitlerin, ishte ndalue në Podgoricë, dhe në një hotel ai asht takue me komandantin e trupave gjermane që po largoheshin nga Shkodra, Komandanti gjerman e kishte njoftue At Antonin për largimin nga Shqipnia dhe e kishte ftue me ikë edhe ky me ata, tue i sigurue që do ta çonin ku do të dëshronte vetë At Antoni, për mos me ra në duert e komunistëve, të cilët, me 28 Nandor do të hynin në Shkodër.
At Antoni nuk ka pranue me u largue nga Shqipnia dhe, po t’ishte nevoja, do të pranonte edhe vdekjen, për të cilën ai vetë nuk dinte shkak. Por kishte kërkue nga gjenerali gjerman, largimin e trupave të fundit të ushtrisë gjermane me datën 29 Nandor 1944, dhe jo me 28, si kishin planifikue ata, mbasi i kishte shpjegue që, “nuk asht mirë me na njollosë Ditën e Flamurit dhe të Pavarsisë me ditën e pushtimit komunist të Atdheut!”. Komanda gjermane e ka pranue kërkesën e At Antonit dhe ushtarët e fundit gjermanë janë largue nga Shkodra në mengjesin e datës 29 Nandor. Për këtë veprim At Antoni kishte vue në dijeni atë natë edhe Cafo Begun. Të nesërmen ishte nisë për Shkodër, ndonse edhe Cafo Begu e kishte ftue me qendrue aty ku do të strehohej ky vetë, por as Cafo Begut Ai nuk i kishte pranue me qendrue andej mbasi “nesër kanë me thanë, paska shkue At Antoni me ruejtë kryet tek serbët...”.
Cafo Begu e përfundonte bisedën me një konkluzion:
“Shërbimi i At Antonit për mosnjollosjen e Ditës së Madhe të Flamurit, asht shërbimi ma i madh që një Atdhetar si At Anton Harapi mundej me i ba Atdheut të vet. Ka me ardhë një kohë që për këte vepër Ai do të zajë vendin që meriton!”.
Në vitin 1995, këtë fakt historik unë e kam bisedue me At Kondrad Gjolaj, kur ky po më tregonte sesi asht tradhëtue At Antoni nga një kushri i tij shirokas (L.B.), kur ai (L.B.) asht mbajtë në Sigurimin e Shkodrës dhe asht shtërngue nga frika dhe torturat me tregue se ku ishte strehue At Antoni, pse dyshohej që ky mund ta kishte nxjerrë nëpër liqe dhe ta kishte çue aty ku mund t’ishte edhe Cafo Begu, ndër trojet e veta. Atëherë forcat e Ndjekjes kanë shkue në Dukagjin dhe e kanë arrestue At Antonin. Mënyrat tjera At Kondradi nuk i pranonte, madje i quante trillime të Sigurimit.
Edhe At Kondradi e dinte ndryshimin e datës së largimit të trupave gjermane, me 29 Nandor 1944, mbasi ato ditë ky ishte kenë në Kuvendin Françeskan, ku kishte pak ushtarë gjermanë dhe mjaft nga njerëzit e politikës që po kalonin ditët e fundit aty n’atë vend derisa ikën.
Dhe ja si e shpjegon në librin “Çinarët”, faqe 70: “Gjermanët, për mos me njollosë festën e Flamurit me ditën e ardhjes së “çlirimtarëve” në Shkoder, lëshuene këtë qytet të fundit me datën 29 Nandor 1944. Partizanët “çlirimtarë” zbritën prej “malëve” të Bardhejve, Shtojt, Postrribës e përbrij Shkodres dhe hynë në qytet në orët e para të mengjesit. …Në drekë morëm vesht se një treçikël me tre gjermanë, rreth orës 11 paradite, kishte kalue nëpër Fushën e Qelës dhe kishte marrë drejtimin e rrugës së Koplikut. Kështu ikën edhe gjermanët e fundit
Në fjalorin enciklopedik të Akademisë së Shkencave të Tiranës, botue në vitin 1980, faqe 197, 262, 1019, 1049 etj. shkruhët: “Dita e çlirimit = 29 Nëntori....”Po ku ishin këta “shokët” akademikë, dr. profesorë e mashtrues të historisë që për gati 50 vjet, njohtën 29 nandorin 1944, ndërsa mbas vitit 1991, “heshtën” sëpse Kuvendi Popullor, tue ndryshue datën e tue e kthye me 28, Kuvendi Popullor po realizonte andrrën e komunistëve…
Sigurisht, tue pasë parashikue se shpejt Populli Shqiptar do të fshinte nga memoria e vet historike këte ditë robnije, i dolën punës para dhe u kthyen tek andrra e vjetër: “me përjetësue ditën e çlirimit” tue njollosë Festën e Flamurit, 28 Nandorin e 1912!...
Ky asht edhe një tjetër turp i pashembullt në fallsifikimin e Historisë së Lavdishme të Popullit Shqiptar.
Fallsifikatorët e historisë së Shqipnisë mbesin bijtë e pandreqshëm të baballarëve të vet! A nuk ju dalin boll miljonat e dollarëve që po mbushni xhepat, po doni me mbushë edhe faqet e historisë me gënjeshtra, shpifje e mashtrime? Deri kur kështu?
Më thonte i ndjeri Cafo Beg: “Kaq shumë kanë rrejtë komunistat, sa vërej tashti në 1974, se tue lexue dokumentat historike të botueme në këta 30 vjet, e tham sinqerisht, nuk gjej asnjë fakt historik të shkruem pa fallsifikime dhe shtrembnime, madje, as edhe vetë aktin e Pavarësisë në Vlonë me 28 Nandor 1912, até që kanë botue “këta’...!”.

IV. PARTIA KOMUNISTE SHQIPTARE ASHT TRADHËTARE E ATDHEUT DHE E POPULLIT SHQIPTAR


Rraja e komunizmit duhet kerkue në idetë e klasikëve të tij.
Një porosi tjetër e Marksit, drejtue Kongresit të Berlinit në 1878: "Arnautët (Shqiptarët)...përsa i njohim, janë pak të përgatitun për t'u qytetnue. Primja e tyne grabitqare duhet t’a detyrojë çdo qeveri fqinje t’i mbajë ata nën trysni të rreptë ushtarake, përderisa përparimi industrial në vendet fqinjë të mos u sigurojë punë atyne, si p.sh. dru-prerës dhe ujë-bartës.” Nuk mund të mohohet fakti se gadishullin e quejti "Turqi Europjane". “...Rivalë të sllavëve janë vetem barbarët arnautë dhe turqit, të cilët prej kohësh quheshin dendur si kundërshtarët ma të egjër të qytetnimit e përparimit...” (M.Mali, publicistikë, 2010. USA)
Ky mentalitet me të vertet racist i krijuesit të materializmit dialektik zuni vend në trunin e “shokut” Tito, i cili, tue u bazue në teori të Marksit, që Arnautët me kenë se janë me “primje grabitqare” duhen mbajtë nën trysni të rreptë “nga vendet fqinjë”, i vuni detyrë vetës ate që ishte prej kohësh me interes për shovenistët jugosllavë, me mbajtë Popullin Shqiptar “nën trysninë” e tyne. Se ku e kishte gjetë “shoku” Marks të shkrueme se Shqiptarët janë kundershtarë të qytetnimit dhe të përparimit nuk e di... Di vetëm një fakt, se mbi bazen e këtij citati Tito dërgoi emisarët e tij, që me 8 nandor 1941 themeluen Partinë Komuniste Shqiptare, me të gjitha tiparet bolshevike staliniste, tue ruejtë në themel porositë e Marksit. Për me kenë të saktë me parimin e Marksit, se gadishulli i Ballkanit asht edhe “Turqia Europjane”, ata zgjodhën edhe drejtuesin e kësaj partie një injorant anadollak, që do t’u shërbente atyne besnikrisht, Enver Hoxhën, që ishte edhe karrierist i pacipë, por edhe terrorist i njohun që në kabaretë e masonistëve francezë. Në formimin e tij ai plotsonte të gjitha kushtet e një drejtuesi të partisë komuniste, tue fillue tek prejardhja e tij, mungesa e kulturës, megalomania, pabesia, karrierizmi, lufta e pamëshirshme për kolltuk, tradhëtia e shokut, plaçkitja e pronës, paburrnia dhe tradhëtia e Atdheut, që për një komunist mbetet parim bazë qysh në organizimin e tij në atë parti. Ajo që një komunist e ban të “pranueshëm” në parti asht përkushtimi i tij në shërbim të sigurimit të shtetit bolshevik, ku jep provat e spijunllekut dhe të kriminalitetit të vet. Të gjitha këta kushte Enver Hoxha i plotësonte dhe mbas një kohe shumë të shkurtë shkon edhe mysafir tek Tito në Beograd e te Stalini në Kremlin. Me siguri, ndër këto vizita, si Tito, si Stalini, duhet të kenë konstatue ndonjë “cilësi” personale të Enver Hoxhës, e mbetun nga e kaluemja e tij “rinore”, mbasi në protokollin e pritjes së Nikita S. Hrushovit, më 1959 në Tiranë, Hrushovi, porsa zbriti nga avioni dhe u afrue tek podi i mikrofonit me përshëndetë popullin që kishte shkue në Rinas me i urue “mirëseardhjen”, i tha: “Nuk po e heqë kapelen, se këtu asht dielli i fortë, mandej tek ju flitet edhe me kapelë në kokë, se ju jeni popull musliman...”. Unë po shkruej ate që kam ndigjue me veshtë e mi se ba me shkrue se çfarë ka shkrue ai në kujtimet e tij...për udhëheqësit e partisë sonë, jam i sigurtë se edhe Marksit nuk i ka shkue mendja se në trupin e kujt do të zanë vend “tesera” e partisë komuniste “marksiste”...
Të gjitha veprimet e Enver Hoxhës përputhen me politikën e të gjitha vendeve komuniste që luftonin në Europë, por e veçanta e partisë komuniste shqiptare ishte se, mbas “fitores” mbi nazizmin, na ishim vendi i vetëm që nuk u quejtëm Shtet i pavarun “demokratik” etj., epitete të cilat ua vune “demokracive” popullore të vendeve të Lindjes komuniste, ndërsa nga pushtimi fashist e nazist Shqipnia kaloi nën pushtimin e ri komunist bolshevik të Jugosllavisë së Titos, tue ndrrue zgjedhën e robnisë me këte që i kishte mbetë pa provue ndër njëzet shekuj... Historikisht vet Tito e kishte gjetë formulën e pushtimit, mbasi askush nuk mund ta akuzonte se ai ka aneksue një tjetër “republikë të shtatë”, mbasi dihej prej të gjithëve ajo që nuk dihej vetem prej nesh: “Ishte Jalta e shkurtit 1945, ku Ruzvelti i dhuroi Titos, për hir të Stalinit, gjysën e Ballkanit...” Shqipnia e quejti vetën Republikë “demokratike” që ishte e kontrollueme nga Jugosllavia dhe si figurë “drejtuese” e qeverisë ishte Enver Hoxha, që i sherbente ma mire se me ardhë vetë Tito në Tiranë...
Shqipnia ishte ndër të paktat shtete që nuk u çlirue as nga forcat e Aleatëve dhe as nga Ushtria e Kuqe e Stalinit. Asnjë ushtar jugosllav apo grek nuk asht vra për çlirimin e një fshati në Shqipni. Vetë Ruzvelti ka deklarue se çlirimi i Ballkanit “nuk asht detyrë e jona”...Kur Ushtria e Kuqe çliroi edhe Jugosllavinë, forcat gjermane ishin largue nga vendi ynë atëherë, pse Shqipnia, i vetmi vend në Europë që po i themi se u “çlirue” nga vetë shqiptarët, mbas tërheqjes së forcave gjermane, nuk u la si shtet i pavarun, por iu aneksue Jugosllavisë komuniste bolshevike?
Edhe një sqarim i nevojshëm duhet theksue, se gjatë pushtimit italian dhe gjerman, asnjë ushtar shqiptar nuk asht kenë pushtues i huej.
Përkundrazi, ushtarët dhe “komandantët” partizanë shqiptarë që janë kenë në Kosovë, apo që kanë kalue në Veri nga Hoti në drejtim të Podgoricës dhe Tivarit, me brigadën e formueme në Shkodër me datën 29 nandor 1944, me qellim me çlirue Tokat Shqiptare e, që në të gjithë tekstet e “historisë” shkruhet: “Kalimi i divizioneve tona në Veri për çlirimin e ‘tokave’ të Jugosllavisë”, tregon qartë marëveshjen e fshehtë të asaj kohë mes Titos dhe Enver Hoxhës, që Tokat Shqiptare për të cilat bahet fjalë ndër tekste, ishin cilësue “toka të Jugosllavisë” pa u “çlirue” ende, kur të gjitha ishin shqiptare dhe të banueme edhe sot nga shqiptarët, dëshmi që e kam edhe nga daja im, Mikel Pjeter Prennushi, ish oficer akademist në Itali, që asht mobilizue nga forcat partizane me shumë oficerë të tjerë të kohës së pushtimit. Ndërsa për veprimtarinë tradhëtare të Ramiz Alisë, Haxhi Lleshit, Fadil Hoxhës, Shefqet Peçit, Rahman Perllakut etj. me forcat çlirimtare të Kosovës, tue i lanë pre në pabesi të forcave jugosllave, tashma dihen nga të gjithë, edhe pse në Kosovë ende kjo tradhëti që u asht ba kosovarve, nuk kërkohet me u shpallë botnisht, kur dihet se mija e mija prej djemëve të tyne u morën në Kukës e nuk mërrijti as gjysa e tyne në Tivar, ku edhe ajo pjesë e vogël kosovarësh që pat teprue rrugës, iu dorzuen “druzhe” Titos me u masakrue dhe me ushqye peshqit e Adriatikut në brigje të Tivarit.
Anglezi A. Glen, shkruen: “... Ato që i përcaktuan ngjarjet kanë qenë armët, të cilat iu dhanë Enver Hoxhës, e partizanëve...
Na bëmë shumë pak me u shpërblye besnikrinë miqve tanë (nacionalistëve e Abaz Kupit). Në vend të kësaj, pa qenë nevoja na lejuam që ata të mundëshin dhe disa të tradhëtoheshin.” (“Albania’s National Liberation Struggle” fq. 363).
Besoj se asht thanë e shkrue padoreza e vërteta e atyne viteve të zeza, me të cilat mburreshin “komandantët e brigadave tona partizane”, kur donin me tregue “burrërinë e tyre komuniste”.
Asht fatkeqësi e madhe për Popullin Shqiptar, i cili i ka besue dhe vazhdon me i besue tradhëtisë që aleatët i kanë ba jo, vetem gjatë luftës por, edhe mbas luftës. Këte fakt historik sot na e kemi të gjallë me qendrimin që ata mbajnë ndaj komunistëve dhe bijve të tyne, tue ua sigurue edhe “pushtetin” për t’ ardhmen..
Për mue ma i sinqerti asht Lokharti, i cili po aty shkruen: “Shqipëria është në fund të listës për prioritetët tona në Evropë”( fq 68). Aty asht e shkrueme edhe një porosi e dhanun prej tyne në vitin 1943:
“Shërbimi më i madh që mund t’i bëni armikut në vendin tuaj, është që të nisni ... një luftë civile “. Edhe këte e kemi ba! ..
Kjo tradhëti e Enver Hoxhës dhe e Ramiz Alisë, bashkë me të tjerë pasues “heroj të popullit”, ndaj forcave tona nacionaliste çlirimtare dhe lanja nën robninë komuniste e Trojeve tona në Kosovë, Hot, Grudë, Ulqin dhe Tivar, bashkë me të gjithë Popullin Shqiptar, këndej e andej kufinit, në dorën e neoshovinistëve komunistë jugosllavë të Titos, as kjo nuk asht tradhëti ndaj Atdheut dhe Popullit Shqiptar..?
Veprimet e komunistëve shqiptarë gjithnjë janë pasue me lufta, tradhëti, vrasje, plaçkitje, burgosje, internime ose e thanun ma shqip “me vllavrasje”...e, kjo, sot dëshmohet në të gjitha trojet shqiptare, ku ende sot nuk vendoset as drejtësia, as paqa...
As kjo nuk asht tradhëti e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë?


V. 65 VJETË MA PARË...ATËHERË, “KUR PATEN HY KËTA...!”


Edhe pse të veshuna me borë e akull si çmos asnjë vjet, tymnaja e zezë e komunizmit pushtoi edhe majat ma të nalta të Alpeve tona, të pashkeluna kurrë nga pushtuesit shekullorë...
Ra Hoti e Gruda, ra Kelmendi e Dukagjini, ra Dibra, Mirdita e Puka, ra Kosova e Shkupi, ra Korça e Gjinokastra, ra Çamëria, ra Jugu e ra Veriu...Ulqini e Tivari u banë gropa vorrimi për vëllaznit tonë Shqiptarë të Kosovës, të premë në besë... nga “herojt e popullit” Enver Hoxha, Ramiz Alia, Omer Nishani e sa tradhëtarë të tjerë…
Në sfondin e zymtë të tallazit t’ Adriatikut të çuem peshë, Flamuri i Skenderbeut përdhoset me yllin e kuq...
Malësori nuk do të përshëndesë ma “tungjatjeta!”, por do të shkapesë përballë grushtin partizan. Kryet e vendit në sofer do ta zanë serbët, malazezët e sherbëtorët e tyne, bolshevikët tanë, tue ngritë dollitë e tue urue jetë të gjatë Titos e Stalinit. Besa, bujaria e burrnia do t’u lëshojnë vendin tradhëtisë, turpit dhe frikës, që nuk do t’i ndahën Shqiptarit për sa e sa vjet...Portaria e shtëpisë nuk do të mbyllet ma, cilido anmik hyn e del si në shtëpinë e vet.
Lahuta nuk do t’u këndojë ma armëve të lirisë...por do t’i ulërijnë ariut të Gjeorgjisë...Ja, edhe një popullore nga Jugu: “Enver, Koçi ka parë ëndërr, Shqipërinë nuse, Titon dhëndërr...” - dhe vazhdonte kori partizan eeeeeeeee...Asht ajo kangë që fëmijtë e tyne e këndojnë edhe sot..!
Edhe për një grusht katolikë që mbetën ndër ata Troje, do të vërriste tradhëtari i Atdheut, pikërisht udhëheqësi i Partisë Komuniste Shqiptare, katili gjakatar Enver Hoxha, ai që kurrë s’asht kenë udhëheqës i asaj pjese Katolike të Popullit Shqiptar, por edhe do ta linte të shkrueme: “...meqenëse, katoliçizmi shqiptar, dhe në veçanti kleri, ishin pengesa më e madhe për triumfin e komunizmit në Shqipëri, qeveria nuk do të kursente asnjë përpjekje për t’i shpartalluar ata.” (E.H, V.I, fq. 438, 1974.).
Porosia e Leninit, e lanun që në vitin 1922, ishte: “Duhet të angazhohemi në luftë përfundimtare kundër klerit reaksionarë, të asgjësojmë qëndresën e priftërinjve dhe të murgeshave me një mizori të tillë, që ta mbajnë mend me dekada të tëra.”
Terrori në masë, si mjet qeverisje, kishte fillue që në vitin 1944 në Jug të Shqipnisë dhe, me largimin e trupave të hueja, kjo luftë vëllavrasëse shpartalloi edhe Veriun, tue fillue nga Kryengritja e Prenkë Calit në vitin 1945, rezistenca e “Besëlidhjes së Veriut”, rezistenca e Berdicës dhe Anës së Malit, luftëtarët e shpellave të Dukagjinit, me Heroin Gjergj Vata etj., në Pukë me Mirakajt dhe të pathyeshmit e Mirditës, Mark e Llesh Gjomarkaj. Alush Leshaku do të shkruente me germa t’arta Epopenë e qendresës në Shqipninë e Mesme, me çetën e Sulë Selimes...
Në muejt janar e shkurt të 1945, tradhëtarët Enver Hoxha e Ramiz Alia kishin “vistue” garancitë e tyne tek “shoku” Tito me vrasjen dhe humbjen e ma shumë se 12.000 vëllazënve shqiptarë të Kosovës, vepër për të cilën krimineli i Luftës Ramiz Alia e ka vendin në dhomen e mbetun “bosh” të mikut të tij Millosheviç.
Shqipnia kishte hy në vathën “bolshevike” të Jugosllavisë Titiste e, bashkë me te, nën sundimin stalinist të Rusisë, qysh me 29 nandor 1944…
Enver Hoxha tashti i paisun me “mburojen” e trathtisë së Atdheut dhe i deklaruem zyrtarisht “vasal” i Jugosllavisë, fillon veprimet e tij në drejtim të prishjes së “urave lidhëse” të Shqipnisë me Europën Perëndimore.
Pa përfundue Lufta e Dytë Botnore, ashtu si pat veprue për lanjen e Kosovës dhe Trojeve Shqiptare nën sundimin e Jugosllavisë, në Mukje, me atë model të instruktuem nga padroni Tito, me 21 Prill 1945, kur delegati apostolik i Vatikanit në Shqipni Imz. Leone G.B. de Nigris, do të shkonte në Romë për konsultime të veta si zakonisht ndër ato situata të krijueme nga Lufta, qeveria provizore “kukull” e Tiranës, i premton Atij: “Liri të plotë të Kishës Katolike dhe marrëdhanje të mira me Vatikanin” (po aty, Prof. Z.Mirdita, fq. 212).

Porsa delegati Nigris kthehet në Tiranë, në ditët e para të majit 1945, Ai nuk lejohet me shkue në selinë e Tij në Shkodër, mbasi cilësohet se asht “persona non grata”, gja e cila e detyron me thirrë Argjipeshkvin e Shkodrës, Imz. Gaspër Thaçin, për me i lanë porositë për t’ ardhmen. Për arësye shëndetësore Argjipeshkvi nuk mundet me shkue në Tiranë, por dergon Famullitarin Don Tomë Laca dhe sekretarin e vet Don Mark Hasi, të cilët shkojnë dhe marrin porositë e Tij. Zv. Delegat të Vatikanit Ai len porosi me kenë Imz. Frano Gjini, deri atëherë Abat i Mirditës. Ky do të vazhdonte derisa Vatikani do të sillte dokumentin e emnimit me shkrim. Përsa i përket marëdhanjeve me shtetin komunist, ishte gjithshka e qartë për të dy palët, mbasi “moslejimi i delegatit L. Nigris me qendrue këtu, tregonte edhe këputjen e marëdhanjeve të qeverisë shqiptare me Shtetin e Vatikanit, ndonse ky veprim binte në kundershtim me vendimin e vet, që qeveria shqiptare i kishte komunikue me datën 21 prill 1945, para se po Ky delegat do të nisej për Vatikan”. Gati mbas 20 ditësh, kur L. Nigris nuk ishte ma në Shqipni, me datën 24 maji 1945, qeveria shqiptare lëshon edhe vendimin me shkrim që i dergohet Vatikanit.
Por E. Hoxha nuk mjaftohet vetëm me premjen e marëdhanjeve diplomatike…Duhej shembë “Ura lidhëse” e Shqipnisë me Europën.
E kjo “urë” shekullore…kishte themele, “Gurtë’” e të cilit ishin të pathyeshëm, të palëvizëshëm, të qëndrueshëm, të vendosuna mbi Gjakun e Martirëve të Kishës Katolike Shqiptare, Besnike e Përjetëshme e Porosisë së Imz. Pal Engjëllit, që la me shkrim në vitin 1462 e që vazhdonte me kenë e daltueme mbi “Vorrin” e Gjergj Kastriotit - Skenderbeut, Aty, ku asht sot e që Ky Kler, vazhdonte me u betue.., Me u betue mbi Elterin e Shejtë të Atdheut..!
Në Janarin e 1945, asht i pari At Mati Prennushi, Provinçial i Françeskanve të Shqipnisë në Kuvendin e Gjuhadolit në Shkodër, që me rastin e vizitës në atë kuvend të kriminelit Shefqet Peçi, e pak ditë mbas tij të terroristit Mehmet Shehu, ua përplasë ndër sy të dyve, se: “Lidhjet me Papën dhe Vatikanin nuk mund të shkëputën kurrë e për asnjë arësye.” Ky ishte sinjali i parë gjoja i një “Kishe Katolike Kombëtare” për të cilën nuk u shuen përpjekjet asnjëherë edhe pse Enver Hoxha e Ramiz Alia përdorën Genocidin komunist bolshevik për zhdukjen jo vetëm të Saj, por edhe të të gjithë Atyne Shqiptarëve që ishin të Pagëzuem Katolikë.
Mbas largimit të Delegatit Apostolik nga Shqipnia, shteti komunist fillon haptas masat e veta, tue i kombinue me ato ekonomike, të shfaquna direkt me shtetëzimin e tokave të Kishës dhe marrjen e pronave të tjera të saj.
Reforma tjetër kundër Fesë vazhdon po në Maji të vitit 1945, kur mbyllen shkollat fetare. Asnjë qeveritar nuk pranon në takim Prelatët e Klerit për sqarim problemi. Fillojnë presionet kundër Argjipeshkvit të Durrësit dhe Tiranës, Imz. Vinçenc Prennushit, po në lidhje me shkëputjen nga Vatikani si dhe represionet që i bahen elementit katolik në Shqipni. Vazhdojnë përpjekjet e qeverisë me Imz. Luigj Bumçin, i cili edhe vdes ato ditë, dhe pasojnë me Zv. Delegatin Apostolik, Imz. Frano Gjinin, i cili jo vetëm që nuk pajtohet, por edhe proteston për reprezaljet që komunistët ushtrojnë haptas kundër intelektualëve shqiptarë të Veriut, të cilët përbuzen dhe denigrohen si miq të pjesës së popullsisë katolike, që tashma asht e cilësueme haptas “e padëshrueshme” nga pushteti bolshevik i komunistëve.
Në këte kasaphanë përshkohen edhe shumë intelektualë muslimanë e ortodoksë, të cilët nuk pajtohen me veprimet e hapta anadollake e fanatike të udhëheqësit të shtetit bolshevik E. Hoxha me pasuesit e tij.
Në gjyqin e Prof. Filip Fishtës, avokati Kol Dhimitri deklaron: “Filip Fishta ka pasuruar kulturën shqiptare me shkrimet e tij, të cilat janë aq të vlefëshme dhe të çmueshme, sa është e madhe vobegsia jonë letrare. Nga ana tjetër, si mund të bëhët vëgël informator një shkencëtar, që gjithë jetën e tij e ka dedikuar në librat e kulturës, në mbrojtje të idealeve kombëtare. Kërkoj që të merrën si shkaqe lehtësuese veprimet kombëtare.” (Dosja 7842, Arkivi M.Mbrendshme Tiranë 1998.)
Ndersa turma e oficerëve të sigurimit që ka mbushë lozhat e sallës së kinemasë së Tiranës, thërret: “Avokati është tradhëtarë, duhet varur në litar..” E mbas një viti po e njajta ngjarje përsëritet në sallën e kinema “Rozafat” në Shkoder kundrejt avokat Myzafer Pipës, vetëm se asht tue mbrojtë një Klerik antifashist, të cilit Enver Hoxha, me porosi të spijunëve jugosllavë, jo vetëm i jep “plumbin ballit”, por edhe masakron në mënyrë shnjerzore edhe avokatin e tij mbrojtes, i cili vdes tue u torturue ndër duert e kryetarit të degës së mbrendëshme të Shkodrës, Zoji Themeli, poaq kriminel sa prokurori i çashtjes, famëkeqi Aranit Çela.
Në fund të vitit 1945, kur sigurimi i shtetit zbulon Organizatën e Parë Antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” të formueme nga Mark Çuni, Organizatë me parime të vërteta demokratike, mbasi mendon dhe punon për zgjedhje të lira dhe me parime europjane Perëndimore, por e padëshrueshme nga terroristi E. Hoxha, i cili punonte që më 1941 për terrorizmin shovenist bolshevik stalinjan dhe jo për Shqipni Demokratike, përfundon me shkatrrimin e plotë të organizatës dhe pushkatimin e të gjithë organizatorëve të saj, tue përshi edhe tre Klerikë të pafajshëm, vetëm për përmbushjen e qellimeve të terroristëve jugosllavë kundër Klerit Katolik, që me komunistët bolshevikë, ata me kambngulje kërkojnë shkëputjen e Shqipnisë së robnueme nga Europa.
Dështimi i Lëvizjes së Postribës me 9 Shtator 1946, do të sjelli atë tragjedi, që rrallë herë ka mujtë me pa Populli i Veriut me qendër Shkodrën, ku kishte 26 burgje të mbushuna plot me atdhetarë nga të gjitha shtresat, tue fillue nga fshatarë analfabetë e deri tek studenta e deputetë të Kuvendit Popullor. Pikërisht në këte valë arrestimesh, torturash e vorfnije, pushkatimesh e internimesh, zhdukjesh pa gjyq e me gjyq, dhe përndjekjesh të panumurta në masë, Sigurimi i Shtetit, nën udhëzimet e padronëve jugosllavë, organizon ngjarjën ma të shëmtueme kundër Klerit Katolik Shqiptar, ashtu si kishin veprue “specialistët” e KGB-së sovjetike në Rusi, Poloni, Kroaci, Mal të Zi, dhe tashti në Shqipni, në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, në Shkoder, me 16 Nandor 1946; në mengjes herët, pa dalë drita e datës 17, fusin arsenale armësh nën Elterët e Kishës dhe akuzojnë Françeskanët si organizatorë të “një kryengritjes së armatosur kundër Pushtetit Popullor...”. Kuvendi u këthye në burg....dhe, thirrej “Burgu i Kishës së Fretënve”. Për masakrat e torturat çnjerëzore të bame mbi ata të mjerë që vuejten në këte hetuesi, vite ma vonë do të dëshmojnë bashvuejtësit e asaj kohë: Adem Bazhdari, Drita Kosturi, Ragip Meta, Elez Troshani, Hafiz Derguti, Hoxhë Xhemal Najpi, Terezina Pali, Viktore Kuka, Ana Daja, etj., që janë një libër në vedi.
Mija e mija faqe procesh fallse, mija e mija shpifje e trillime, mija e mija orë dite e nate me hetime, tortura, masakra të pashembullta, shpifës e spijunë hetuesë, që errën e çohën tue plotësue dosje të përgatituna nga ky skenar makabër, tue xhirue mija metra film për me kënaqë “druzhe Titon e baba Stalinin...” me dhunimin që po i bahej Kerit Katolik Shqiptar. Ky ishte roli që luenin komunistët shqiptarë, në forcimin e simpatisë prej jugosllavëve, ky ishte qendrimi i paturp antikatolik, ky ishte kurbani që komunistët e tradhëtarët shqiptarë i dhuronin anmikut shekullor serb, vetëm e vetëm që Enver Hoxha me pasues me sigurue karrigat e veta në pushtetin gjakatar.
Seksioni Katolik i Degës së Punëve të Mbrendëshme në Shkodër, nuk i shuente dritat as ditën as natën, ku kriminelat terroristë të Sigurimit të Shtetit ishin lëshue si bishat me shkye njerëzit e veshun me zhgun e veladon e, këta kafshë t’egra ishin vetëm pjellë e shkollës së krimit të partisë komuniste bolshevike dhe që punonin për sigurimin e kolltukut: Hulusi Hako, Dilaver Sadiku, Zoji Themeli, Spiro Pano, Mestan Ujaniku, Aranit Çela, Misto Bllaci, Dali Ndreu, Qamil Gavoçi, Hysni Ndoja, Lilo Zeneli, Fadil Kapisyzi, Bastri Beqiri, Anastas Koroveshi, Pjerin Kçira, Ali Xhunga, Dul Rrjolli, Nesti Kopali, Zoji Shkurti, Kasem Troshani, Nexhat Hysejni, Mustafa Iljazi, Thoma Rino, Xhevdet Miloti, Ali Çorri, Nevzat Haznedari, Cuf Lohja, Ndrekë Nallbani, Jonuz Dini, Hamdi Ulqinaku, Namik Qemali, Dulaq Lekiçi, Elez Mesi, etj. etj., që edhe sot rrashtat e tyne vrrasin si qentë e terbuem nga vorret e mermerit: “Plumbin ballit Priftërinjëve Katolikë Shqiptarë dhe inteligjencës përparimtare!...”.
Mbas 16 muej përpjekje për me provue akuzat fallse, tue mos mujtë me realizue asnjë nga “gjyqet e popullit” ashtu si donin padronët jugosllavë e sovjetikë, ndër skutat e errta të bodrumeve të hetuesive, pa dije të asnjë vezhguesi apo avokati, u zhvilluen “gjyqet” e mëshefta, dhe u mbyllën dosjet pa i pa njeri fare me sy Ata Herojë, as ditën e egzekutimit.
Hetuesit katilë, edhe pse bajnë njëmijë të zezat mbi trupat e Klerikëve të pafaj, përgjigja asht vetëm një: “Na nuk kemi futë armë në Kishë, as nuk dimë kush i ka vue ato nën Elterë!..” U arrestuen: Imzot Frano Gjini, Imzot Gjergj Volaj, Imz. Nikollë Deda, At Mati Prennushi, At Çiperian Nika, At Donat Kurti, At Pal Dodaj, At Frano Kiri, At Bernardin Palaj, At Buon Gjeçaj, At Aleks Baqli, At Gjon Karma, At Mëhill Miraj, At Çiril Cani, At Leon Kabashi, At Rrok Gurashi, Don Mark Xhani, Don Tom Laca, Don Anton Muzaj, Don Mark Hasi, Don Nikollë Shelqeti, Fra Ndue Vila, Fra Zef Pëllumbi, etj.
Me datë 11 Mars 1948, në orën 05.00 të mëngjesit, në Zallin e Kirit, pranë Rrëmajt, (në tokën e Zef Sylës) u pushkatuan këta Prelatë të Klerit Katolik Shqiptar: Imzot FRANO PJETER GJINI, Regjent i Delegacionit të Vatikanit në Shqipni, Imzot GJERGJ VOLAJ, Ipeshkëv i Sapës, Imzot NIKOLLË DEDA, Ipeshkëv, At MATI PRENNUSHI OFM, Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë. At ÇIPRIAN NIKA, OFM, Rektor i Françeskanëve të Shkodrës.
Fjala e Tyne e fundit ishte: “Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa! Po vdesim në krye të detyrës të pafajshem! Rrofshin Katolikët! Rroftë Shqipnia! Ua bajmë hallall gjyqit dhe atyne që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!” (Dosja 1302/2A. Arkivi M.M.Tiranë.)
Me Këta Martirë u pushkatuen edhe Atdhetarët: CIN SERREQI; Ing. FAHRI RUSI, DULO KALI; GULJELM SUMA; MURAT HYSEN HAXHIJA, BILBIL HAJMI, Mësuesi PJETER P. PALI, GASPER SIMON GASPRI, XHELAL HARDOLLI, ABDULLAH KAZAZI, CAF DRAGUSHA dhe ZEF KOL PRELA.
Ndërsa arrestimet vazhdojnë, projekte të reja vijnë nga Moska stalinjane për vazhdimsi terrori deri në shkëputjen e plotë nga Vatikani.
Stalini dhe Enver Hoxha ma në fund përqafohen dhe puthen tue i shtërngue dorën fort njeni tjetrit në premtimin e ruejtjes së kolltukut të Enver Hoxhës, mbas prishjes formale me Titon, tue i sigurue njenitjetrit “besnikni” komuniste, mbrenda blokut komunist ku tashti janë të gjitha shtetet e “demokracive” popullore e socialiste, satelite të B. S.
Enver Hoxha i siguron se Shqipnia do të vazhdojë luftën për të forcue lidhjet me Lindjen komuniste, simbas porosisë së diktatorit Stalin, mësuesit dhe udhëheqësit shpirtnor të tij, i cili asht i knaqun me të gjitha veprimet që tradhëtari i Popullit shqiptar asht tue ba në favor të padronit të kampit socialist, Stalinit “math”, “shpëtimtarit” të njerëzimit…
Po qendrimi i injorantit Enver Hoxha kundrejt inteligjencës sonë cili ishte? Për këte do të ju paraqes pak rreshta nga procesi kundër një avokati të njohtun në Shqipni në vitin 1946 – 47, kundër av. Paulin Palit:
“Në 1942-43 isha në Kosovë. Mbas 1944 erdha në Shkodër. Për çlirimin e Shqipnisë pa Kosovën, e kam konsiderue nji gja të mangët, se Kosova asht Shqiptare dhe asht marrë padrejtësisht nga shovenistët serb. Me forcë nuk mund ta marrim, por me drejtësi internacionale dhe simbas Bllokut Antifashist do të pyetej populli, dhe kjo mund të zgjidhesh në mënyrë miqësore. Korça dhe Gjinokastra janë shqiptare dhe i kërkon Greku. Mendimi i em për Kosovë ka kenë arësyeja ekonomike, politike, kombësia. Unë nuk dij nëse populli kosovar rron i lirë apo jo, por minoritetet në vendin tonë rrojnë njësoj, edhe popujt e Maqedonisë e Kosovar rrojnë si këtu, thoni ju, unë s’e dij! Populli shqiptar vllaznohet me shqiptarin. Idetë e mia kanë kenë këto dhe, me ke kam njoftë kam bisedue dy-tre herë, kur më asht paraqitë rasti. Andrra ime ishte nji Kosovë e lirë! Por në konfërenca nuk kam bisedue me popull, se atë liri nuk e kishim mbas shlirimit, por me shokët e mij si: Galip Juka, Adem Bazhdari, Muzafer Pipa, Ragip Meta etj. kam folë. Jam fajtor vetëm për politikën që kam ndjekë kundër gjykatave ushtarake, për Kosovën, dhe politikën kundrejt Bllokut antifashist ndaj vendit tonë, mbasi i konsideroj të padrejta”.
Gjykata e Naltë mblodhi Këshillin e saj me datën 23 mars 1948 dhe me vendimin nr.108, e përbame nga : Kryetar, major Niko Çeta, antarë, kap. I Nexhat Hysejni dhe kap II Mustafa Iljazi, asistent, aspirant Thoma Rino, prokuror ushtarak i Ushtrisë K. Shqiptare, kap. I Nevzat Haznedari, vendosi: “Refuzimin e kërkesës së të pandehurve për falje jete, të dënuar nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës 1. PAULIN PALI 2. KOL PRELA. Mbetet në fuqi edhe shtetizimi i pasurisë.”(dosja 1333).
Kështu u mbyllë edhe një dosje, po “fjala e fundit” e tyne nuk u dijt kurrë, as vendi ku u egzekutuen këta Burra, as kush ua dha atë të shkretë “plumb mbas koke”...sepse donin “Shqipninë Demokratike”, donin Shqipninë të bashkueme me Kosovën...
Ky “faj” i Tyne nuk falej!
Fillojnë përpjekjet e dyta për shkëputje nga Vatikani nga qeveria shqiptare, mënjëherë mbas pushkatimit të Prelatëve të Kishës Katolike, por edhe këto pa sukses si të parat. Hartohet nga shteti komunist, me porosi si gjithnjë të Moskës, “Projekti i Statutit të Kishës Katolike Shqiptare”, ku Enver Hoxha nuk do të kursente asgja për aprovimin e tij, me të gjitha mjetet e terrorit dhe të pabesisë karakteristike të tij.
Nga Kleri Katolik ngarkohet Don Kolec Prennushi, i porsa liruem nga hetuesia mbas 11 muej torturash, për shqyrtimin e Projektit të Statutit. Ja konkluzioni i Tij i shpjeguem nga At Kondrad Gjolaj (1995): “Kisha Katolike nuk mund të jetë kurr nacionale, ndonse, Ajo nuk asht kundër nacionalizmit. Ajo nuk pranon asnjëherë identifikimin e Fesë me Kombin. Në pamjen e tyne kristjane dhe teologjike ky identifikim asht i papranueshem dhe jashta kohe, sepse Feja do të shndrrohej në ideologji, që nuk asht tjetër veçse tjetërsim i Dogmave të Vërteta të Kishës sonë Katolike dhe Apostolike, Dogma, të cilat asnjëherë nuk janë kundër dashnisë që besimtarët shqiptarë kanë tregue për nacionalen e tyne.” Dhe, në shpjegimin e atyne ngjarjeve, At Kondrad Gjolaj, i pranishëm vetëm ndër dy mbledhjet e para të bame në Argjipeshkvinë e Shkodrës, shkruen: “Don Koleci tha: Këta do të na kërcënojnë se do të mbyllim Kishat tueja, në kjoftë se nuk e aprovoni këte Projekt Statut, kështu si asht këtu. Ky Projekt nuk duhet aprovue prej nesh, se edhe mbas aprovimit të tij këta kanë me i mbyllë Kishat prapseprap. Jam i sigurtë se do t’ na thonë që do t’ ju vrasim, por asht ma mirë me e ba shka kanë ndër mend sot, se ma vonë. Le të na vrasin ma mirë sot me faqe të bardhë, se me firmue dhe, nesër, prap kanë me na mbytë, por na do të vdesim me faqe të zezë. E nuk duhet me harrue se me këta, na jemi hupë se hupë. Komunistat kështu kanë ba ku kanë marrë pushtetin, në Rusi, Spanjë e kudo. Na nuk jemi të parët që po i njohim se kush janë. Këta janë gjithkund njësoj..!” (fq. 125).
Don Kolec Prennushi me 2 korrik 1950 vdiq si pasojë e torturave dhe mbas një viti, me 30 korrik 1951, Statuti i Kishës Katolike u firmue nga Kleri Katolik, me përjashtim të Don Dedë Malaj, Don Ejëll Kovaçit dhe At Kondrad Gjolaj, fundin e të cilëve e shohim në vitet 1958 – 59.
Ndërsa, Kisha Ortodokse Shqiptare e thëmelueme nga Imz. Noli, e që drejtohej nga Imz. Kristofor Kissi, me seli në Tiranë, vetëm nga idea e shprehun nga At Shtjefen Gjeçovi, se: “Imz. Kissi, Kryeipeshkëv i Beratit asht ma tepër Katolik se Ortodoks” (Prof. Z.M. fq. 209, po aty.), pëson përndjekje nga bolsheviku E. Hoxha, i cili kërkon të kundërten e asaj që i kërkon Kishës Katolike, pra, që të shkombëtarizohet dhe të bashkohet me Patriarkën e Moskës, si mbas një “Projekt Statuti të Kishës Ortodokse” të hartuem “gjoja” në Tiranë, njëherit me Kishën Katolike. Ky Projekt Statut u kundërshtue nga Imz. K. Kissi, i cili në gusht të vitit 1949 shkarkohet dhe egzekutohet nga komunistët. Ja pra, me fakte, Ajo Kishë që ishte ba kombëtare, dhe mund të bahej “urë lidhje” me Europën, duhej shkatrrue!
Me 5 prill 1950 goditja tjetër i bahet Bektashijëve dhe Sunitëve, të cilët, nuk paraqisnin problemet e Katolikëve e Ortodoksëve, mbasi edhe në “veprat” e veta E. Hoxha mundohet me justifikue qendrimin e qeverisë së tij anadollake, se: “Kleri musulman është i pangritur nga ana kulturore dhe nuk paraqet rrezikshmërinë e klerit katolik…”. Ky ishte vlersimi që i bante injoranti që drejtonte shtetin, E. Hoxha, Klerit Musliman Shqiptar.
Në vitin 1952, diktatori Hoxha organizon në Tiranë “Konferencën e Paqës” me të gjitha besimet në Shqipni. Asht një libër i botuem me të gjitha fjalimet dhe shamjet e paskrupull që “klerikët”, po i themi, por ma shumë spijunët e sigurimit të shtetit, kanë shpreh aty kundër Papës së Romës e Vatikanit. Ajo “konferencë” asht dëshmia e “hedhjes në erë” të urës sonë shekullore me Europën…Edhe pse mbas vitit 1991 kishte ende gjallë nga “ata klerikë” që kanë shpifë në atë “konferencë”, asnjeni nuk ka pasë guximin me tregue të vërtetën sesi u përgatitën fjalimet e tyne, dhe ua dhanë me i lexue “këtyne” papagalave të mjeranë. Shqipnia komuniste bolshevike tashma ishte e “lumtur” se mbrohej nga Stalini i “math” dhe, sigurisht ishte edhe pjesë e “pandarë” e kampit socialist, që “me hapa vigane” marrshonte nga “fitorja në fitorje”, drejt së ardhmës komuniste …bolshevike.

VI. HIDHEN NË ERË URAT EUROPJANE… SHQIPNIA PËRFSHIHET NË “CIKLONIN” KINEZ.


“Vetëm në vitin 1945, 80 katolikë, intelektualë të shquar, prej 500 të zgjedhunve nga lista e pajtimtarëve të ‘Hyllit të Dritës’ ekzekutohen.”, shkruen në librin e Tij Prof. Zef Mirdita (fq. 212).
Arkitektët, mendimtarët, dijetarët, shkencëtarët, profesorët, mjekët, ingjenjerët, avokatët, ekonimistët, intelektualët apo klerikët dhe kushdo që ka projektue ose punue për ndërtimin e urave lidhëse me Europën e Përparueme Perëndimore, që nga viti 1944, në çastin e të deklaruemit “pushtues” i asaj ide, nga komunistët asht shpallë “armik i popullit”!
Nuk ishte e pa studjueme vrasja e Ndok Gjeloshit apo e Ludovik Zojzit ndër trotuarët e Tiranës nga njësitet guerrile të komunistëve…
Dikujt nuk i ban përshtypje fare…Po, Ata, që as nuk i ka shkue ndër mend se puna e tyne i vlenë atij qellimi, dhe përkrahën edhe levizjen nacional – çlirimtare tue e konsiderue veten në blokun e Aleatve të Luftës dhe, një ditë heret në mengjes, vetëm, kur e pane vetën… të rreshtuem në Zallin e Kirit para brigadave të pushkatimit…të lidhun përdore me shumë prej atyne që në mëngjes përshëndetnin me grusht në ballë “vdekje fashizmi e liri populli...!”? – As kjo nuk u ban përshtypje atyne që përdornin një nga shprehjet e vjetra shkodrane: “I ka ba hysmetin e, t’i ndijnë lezetin..!” Andrrat e rinisë së dikurshme ndër kabaretë e Parisit Enver Hoxha dita me ditë i shihte tashti “me sy të çelur”…
Europa, Papa, Vatikani dhe “veglat e tyre”, dita ditës po zhduken!
Ishte ndër ditët e para të “çlirimit”. Një burrë i njohtun, edhe pse shumë i vobektë, i quejtun Gjon Radoja, porsa del nga shtëpija e tij në rrugën e vjetër Vaso Pasha, ndeshet me një nga partizanët e njohtun në Shkoder, i quejtun Gjovalin Luka. Ishte mjaft heret. Përshëndetën dhe rruga i ban me ecë bashkë. Gjoni, me një strajcë nën sqetull, po dilte në Pazarin e vjetër me hapë dyqanin e vet… teneqexhi.
Gjovalini e pyet nëse e kishte takue apo jo komshinë që kishte gati karrshi deret Gjoni, a e ke pa këto ditë Ndoc Muzhanin? – Jo, i thotë Gjoni, – ka disa ditë që nuk e kam pa…Gjovalini ndalon për një moment dhe i thotë: Gjon, i kam thanë Ndoc Muzhanit, pa të ba si Gjon Radojen, nuk kam çajre as derman…a more vesh, edhe do t’ ia baj atë punë!?
Gjoni e shikon Gjovalinin në sy e aty për aty i përgjigjet: “Heee… mor Gjovalin, çka të paska shkue mendja…Me ba Ndocin si Gjoni, këte e ban për një ditë…Po ku je me ba Gjon Radojen si Ndoc Muzhani, se për me ba zotnitë horra, asht kollaj, po ku jeni me ba horrat zotni…këte a po mund ta bani…?
Ishte ngulë në tru “shokve” komunistë se duhen ba të gjithë horra!
A e kishin prej Marksit këte ide apo prej Enverit…nuk e di!
Prishën Pazarin e vjetër të Shkodrës, me i marrë frymën qytetit tue i shkatrrue gjendjen ekonomike…mbyllen shkollat fetare për mos me pasë ma intelektualë të kulturës europjane…vunë piramidat tek Ura e Bunës për me vra njerzit që mendojnë me shkue kah “Perëndon” dielli…hapen 26 burgje e hetuesi për me rrah e me torturue Rininë Shkodrane…vranë e prenë Llesha e Pjetra ku mujtën me i xanë ndër male (se, kjo ishte porosia e komandantit!)…vranë kosovarët, se ashtu desht Ramizi…e Omer Nishani … zhduken oficerat akademikë, se sollen nga Jugu edhe ma trima e të përgatitun për me vra e me pre…kështu, thonte Koçi …mbushën burgjet edhe me vajza të reja se kështu…i donte Nexhmija…vranë e zhduken klerikët, se kështu thonte Partia …fshatarët i banë me tokën e tyne ndër të gjitha kooperativat e vendit…deri maje malit…”zotërinjtë” i dërguen në ferma e internime bashkë me “zonjat e tyre”…se, kështu e donte “Lufta e kllasave” …A doni ma…? – Nuk besoj se ka mbetë kush i pakënaqun..?
“Të gjitha rrugët të çojnë në socializem…”, thonte Molotovi.
Na nuk e patem besue, por edhe ate e provuem…
Vdiq Stalini. Erdhi Malenkovi, mbas tij Hrushovi…Njeni kishte mustakë e bolshevik, tjetri si hije, ndërsa tullaci erdh edhe tek na…
Enveri ishte ngulë…nuk e zhgulte as dreqi… as Zoti!
Shqipnia tashma…po i thonte përgjithmonë “lamtumirë” Qytetnimit Evropjan Perëndimor…edhe kuadrot e “larta” tashti po përgatiteshin në vendin e sovjetëve bolshevikë…edhe shoku Ramiz Alia…”përfundoi” studimet në Bashkimin Sovjetik…edhe “ay” erdhi “maksist – leninist i sprovuar…” ashtu si të gjithë spijunët tjerë të KGB – së sovjetike, bijtë e Stalinit…
U kujtuen xhelatët bolshevikë të Tiranës, aty nga 1958, se tre priftën nuk kanë firmue Statutin e Kishës më 1951…e, dy prej Tyne i pushkatoi, Don Ejëll Kovaçin më 1958 e Don Dedë Malaj më 1959, ndërsa, At Kondrad Gjolaj…u kalb burgjesh e kampesh shfarosjeje…E pse..? – Aty i rrinte mendja Enver Hoxhës, tek Vatikani …Ate që nuk e bani as Stalini, as Hrushovi në B.S. me kishën atje, ate mendonin me e ba “këta” në Shqipni…ndonse, Ramiz Alia në një bisedë “miqësore” ka pasë deklarue se, “nxjerrja e fesë jashta ligjit, na asht imponue nga Kina..!”
Po, “Revolucioni ideollogjik e kulturor”, Ramiz efendia, nga kush t’u imponue? Fjete e u zgjove me netë e ditë të tana në shtëpinë e Mihajl Priftit në Shkodër, tue mendue se kujt me i vue prangat e kujt me i dhanë plumbin ballit? Shfletove rregjistrat e 1945 për me pa se kush ju ka mbetë pa pushkatue…? Nuk u ngope me arrestimet e At Gegë Lumës, At Pjetër Mëshkallës, Don Mark Hasit…e sa të tjerëve, derisa i vune hekurat edhe Imz. Ernesto Çobës…e, tue mos pasë të ngime me Ta, pushkatove Don Marin Shkurtin, që të sollen “axhat tuej” nga Mali i Zi, e mbas tij Don Shtjefen Kurtin, pse Pagëzoi një fëmijë…Urdhnove në Shkodër, me 10 korrik 1968, me u hapë ekspozita “Mbi rolin reaksionar të fesë” dhe, me 3 qershor 1973, hape edhe “muzeun ateist” faqen e zezë tanden…E prap nuk u ngope…po lëshove demat e sigurimit Shyqyri Qokët me shokë për me shkye së gjalli Don Mikel Beltojën…vetëm se ishte Prift Katolik…E prap nuk u ngope.. Po gjete një anadollak tjetër, kopjen tande ndër zallishtat e Vaut të Dejës, njëfarë Fadil Ymeri, e hodhe në erë edhe Kishën e Vaut të Dejës, pse aty mendohej se asht kunorzue Skenderbeu …! Shkatrrove Urën ma të vjetër të Shqipnisë së shekullit XIII, vetëm mos me kenë vendi i kunorzimit të Atij Burrë që lidhi Shqipninë përjetësisht me Europën, por edhe me u hakmarrë ndaj Atij që shpëtoi po atë Europë, nga pushtuesit barbar, vëllaznit tuej të një gjaku…e të një mishi, po edhe të një vesi… E nuk u ngope me kaq, po më 1972...organizove edhe kongresin e “gjuhës së njësuar” …vetëm me zhdukë nga faqet e letersisë shqipe 70 % të shkrimtarve veriore…arrestove prof. Nikollë Dakaj e Mark Demen…vetëm se vazhdonin me përkthye nga ajo letërsi që ishte urë lidhje e jona me Europën…vazhduet me plaçkitë libra e me burgosë intelektualë…E prap nuk u ngope…por bane ate që nanës sate i paten lanë amanet Malazezët…prishe edhe Katedralen 100 e sa vjeçare të Shkodrës … e ktheve në “pallat sporti”…prishe kishën e Tiranës, prishe kishën françeskane të Shkodrës…bane sallë gjyqesh për Klerikë kishën e motrave Stigmatine…Prishe Xhaminë e Durrësit dhe i vune dinamitin Xhamisë me dy minare në Shkodër…Vetëm rrenove dhe hodhe në erë gjithshka fliste për kulturën, artin e traditat tona shekullore, që ishin ura lidhje të Shqipnisë Europjane me kontinentin plak.
Ti, Ramiz Alia, je ai tradhëtar që me veprat tuaja kërkove me i hy në bark, “se zemer nuk kishte”, Enver Hoxhës, tue rrenue e mbyllë 2169 kisha, xhami e teçe, nga të cilat 268 ishin kisha e kapela katolike…
Unë në lidhje me vepren tuej barbare dhe antieuropjane nuk do t’i referohem asnjë kleriku të asnjë besimi, madje, do të citoj pikërisht atë shkrimtar që bota sot diskuton ma shumë se kedo tjetër për atë kohë:
Ismail Kadare në librin e tij “Nga një dhjetor në tjetrin” shkruen: “Si mos të mjaftonte kjo, pas shkëputjes nga kampi socialist, Enver Hoxha vendosi të ndërtonte një ledh të ri ndarjeje midis vendit të tij dhe Europës. Më 1967 ai vendosi ndalimin e fesë dhe e shpalli Shqipërinë vendin e parë ateist në botë… Qellimi ishte tjetërkund: të krijohej një ledh i ri ndarjeje midis Shqipërisë dhe Europës. Një ledh më i qëndrueshëm ndoshta se ndarja politike. (S’ishte e rastit që goditja më e egër iu bë katolicizmit, si fesë më europiane.) (Paris 1991).
Ndërsa Prof. Arshi Pipa, në përkufizimin shkencor që i ban vepres antiatdhetare në lidhje me gjuhën, shkruen: “Si mund t’i shkojë mendja njeriut me mend se na qenka gjuhë e ‘njësuar’ një gjuhë tek e cila 80% elementesh të një idiome u shtohen 20% elementesh të idiomës tjetër? Termi i drejtë për këte dukuri nuk është ‘njësim’ por thjeshtë: pushtim ose nënshtrim.” (Dy letra të Prof. A.Pipës Prof. L.Omarit. Tiranë 1993.)
Nëse as mendimet këtyne nuk vlejnë me arritë për me pranue se Enver Hoxha dhe Ramiz Alia janë dy bishat e Urave Europjane, atëherë, jemi para një katastrofe të madhe historike, e cila shpejtë do të rroposin shtetin shqiptar!
Por, aprovimi i kësaj katastrofë historike nuk duhet pranue me heshtje, por Shqiptarët Atdhetarë e të gjithë ata që e kuptojnë rrezikun që i kanoset Atdheut, nga veprimet e këtyne tradhëtarëve duhet të ngrihen në kambë dhe, të dënojnë pamëshirë veprat dhe pasojat e tyne historike, damin që i kanë sjellë ata dhe vazhdimin e rrezikshëm të rrugës së tyne tradhëtare nga pasardhësit e sotëm.
Duhet thanë padoreza: ju jeni shpartalluesit e kulturës, artit dhe arësimit kombëtar Shqiptar, ju jeni plaçkitës e dhunues i të gjitha veprave të artit që kishin këto Kisha… e prap nuk ngopeni…por edhe rrenuet afreske e daltime guri e druni që ruheshin në shekuj ndër kishat katolike e bizantine…
E nëse doni filloni nga fundi i shkatrrimit të tyne…
Se çka u ba me 7 miliardë dollarët të treguem nga shtypi shqiptar që ishin përvetsue prej firmave piramidale?
Po me dosjen e florinit të grabitun simbas raportit të paraqitun prej ministrit të kontrollit të shtetit, Blerim Çela, në vitin 1993 në parlamentin shqiptar, ku thohej për 279 ton ar të zhdukun pa adresë…Unë po flas me gazeten tuaj, gazeta RD denoncoi më 1991 prap një grabitje rishtas të arit në Shqipni me urdhën të R. Alisë. U dhanë edhe hollësi lidhun me përmasat e arkave ku ishin vendosun lingotat e florinit që fluturoi me avion dhe emri i “sipërmarrësit të mallit” – zvicerani Xh. Megou. Ku përfundoi gjithë ky flori i grabitur prej këtyne tradhëtarëve?
Ky flori asht vetëm me shembë e me hjedhë në erë urat tona të lidhjes me Europën Perëndimore…së cilës i përkasin të gjithë Shqiptarët…po e përsëris, të gjithë Shqiptarët pa përjashtim, përveç tradhëtarëve të shitun të Atdheut, që kanë punue e punojnë me nxjerrë Shqipninë nga Europa…e ata që kanë krye këte vepër tradhëtije, e që vazhdojnë edhe sot, jeni ju të dy: Tradhëtari Enver Hoxha e pasuesi i tij Ramiz Alia…

VII. “ATO MAJA RRIPA…RRIPA…!”


Besoj ju kujtohet kanga e vjetër partizane…”Ato maja rripa, rripa”? Malësori e këndonte me dialektin e tij për me kombinue rrima, po unë nuk kam sesi me e shkrue ashtu si e këndonte ai…
Në ndërmarrjen e etiketave në Tiranë punonte një shkodran i vjetër Luigj Filipi, i cili ishte edhe përgjegjës i atij reparti. E pata njohë aty nga viti 1975 kur më ndihmonte për etiketat e prodhimëve të fabrikës së Pëlhurave...E takova mbas sa vitesh tek Pazari i Ri i Tiranës, aty nga vera e vitit 1999 dhe u pëshëndetëm me té. Mbas një bisede të shkurtë për At Mëshkallën, më tregoi sesi në vitin 1945, nga fundi i muejt mars, kur asht pushkatue Don Ndre Zadeja, një natë Luigji, tue bisedue me Tuk Jakovën, me të cilin njihëj që më 1936 në grupin e komunistave të kryesuem nga Zef Mala në Shkodër, i kishte thanë Tukut, se asht e mira me bisedue ai me Enver Hoxhën që mos të vazhdohën pushkatimët e priftënve të Veriut, por të zgjidhën rreth 50 vetë prej tyne, ma të prëgatitunit me shkolla të nalta në disa fusha dhe të shpërndahën në tre apo katër qytete të Shqipnisë tue përfshi edhe Jugun, nga Korça, Gjinokastra dhe Vlona e, sigurisht, me qendër në Tiranë, të hapën universitete me këta profesora dijetarë që ka Kleri Katolik Shqiptar, dhe të japin mësim simbas programeve të parapërgatituna prej nesh, mbasi po të realizohet kjo, me siguri do të prëgatitët një brez i ri i kulturuem, që do të na e kishte lakmi gjithë Ballkani. Tuku e kishte pritë mirë mendimin e Luigjit, por do t’i tregonte pak ditë ma vonë edhe mendimin e Enverit mbasi ta bisedonte me té. Kishin kalue gati 10 ditë pa u takue Luigji me Tukun. Luigji ishte thirrë një natë në një mbledhje urgjente të partisë komuniste dhe mbasi asht kritikue për disa “pikëpamje” të vjetra dhe krahinore, gati ishte edhe përjashtue prej partie, tue u shkarkue nga posti i drejtuesit të atij grupi organizate të partisë komuniste...
Luigji vërtet që nuk kishte shkollë të naltë, por dëshira me pasë kulturë ai vetë dhe rinia shqiptare, si dhe shkolla të nalta në të ardhmen, atij nuk i mungonte. Kjo lidhej edhe me një fakt tjetër, se Luigji njihte përgatitjen, aftësinë dhe mundësinë që kishte Kleri Katolik Shqiptar për me formue tek na një inteligjencë të mirëfilltë Europjane Perëndimore, gja për të cilën kishte dhe ka edhe sot nëvojë Shteti Shqiptar. Kleri Katolik kishte krye shkollat e nalta në rreth 24 Universitete të Europës, tue mos e llogaritë fare se të gjitha fakultetët ishin të njohuna prej tyne, sepse ishin të paisun me kulturë universale, tue fillue nga historia, letërsia, matematika, juridiku, muzika, piktura, skulptura, sportet etj., pa zanë me gojë fare filozofinë apo degët tjera që kishin karakter fetar.
Në mbyllje të bisedës unë, për me e ngacmue, i thash atij: “Po a kishe harrue ti, Luigj, se kuadri i përgatitun në këta universitete do t’i bahej havale “shokut” Enver?”
– Jo jo, – m’u përgjegj Luigji, – havale do t’i baheshin Titos, se Enverit vetëm do t’i kishe nxjerrë “pak punë” sa me pushkatue edhe nja 500 vetë ma shumë se ka vra, nga intelektualët që do t’ishin prëgatitë ndër ata universitete!...
Unë nuk kam pasë fatin me kenë nxanës i shkollave të Jezuitëve apo Françeskanëve të Shkodrës, por kam njohë pak e aspak nga Ata dijetarë për të cilët bisedonte Luigji...
Komunizmi, që në vetkuptimin e tij, asht një mbretni errësine, nuk kishte sesi me pranue me u shartue me kulturën europjane të klerit. Kjo errësinë e mënershme përhapet kudo aty ku çdo dritë apo shkëndi e saj kulturore dhe përparimtare, nga komunistët shuhet me dhunë!
Shkëlqen fort deri në marramandje vetëm një pallat, “pallati i diktatorit”. “Drita” që shpërndan ai, mprehtësija e tij, dija, kultura, elokuenca, madhështia, forca e depërtimit të mendimit dhe fjalës së tij janë absolute, të pagabueshme, të sakta dhe të pandryshueshme, deri tek veprat terroriste, pra, nënkuptohet, të padiskutueshme nga askush, “as nga djali i tij”...Ai asht “dija e pafund”!... Edhe njerëzit që kanë pasë rast me i dhanë dorën, janë ba të dijshëm, të mendshëm, të mprehtë, mbasi janë takue me té. Kur fliste ai duhej ndigjue, por duhej nxjerrë edhe mësim ashtu si e “donte” ai, mbasi kuptimi i shtrembët nga ana e yte mund të të kushtonte “me kokë”...Duhej lexue një fjalim i tij në kolektiv, pra në shkolla, fabrika e kooperativa, minjera e zyra shtetnore, por duhej ripërsëritë në shtëpi, shpesh edhe duhej konspektue tue nxjerrë edhe detyrat për të ardhmen, mbasi vetëm ata ishin “udhërrëfyese” për secilin shtetas. Fotografia e tij ishte në krye të vendit!..Kudo, në zyre, rrugë kryesore, shkolla e deri edhe në mjaft shtëpija...jo vetëm komunistësh, por edhe njerëzish të thjeshtë...
Bustet e shtatoret e tij mbizotnonin qytetet e mbarë vendit!
Ai ishte “atdhetar”, tradhëtar, komunist, fanar ndriçues, bishtuk, pishë, kandil, korrent elektrik, elektroshok e gjithshka tjetër …veç, njeri jo!
Shqipnia, paraqitej nga fqinjtë me tre besime “kontradiktore” që, edhe mbështetëshin nga ana e tyne për të sigurue sundimin e vet ...me orthodoksët nga sllavët dhe me myslimanët nga lindorët, për me arritë me zhdukë çdo element europjan, që simbas parimit të komunistëve ishte çdo atdhetar shqiptar Katolik ose mik i tyne!
Pra, përveç kenjes “pakicë”, popullsia Katolike ishte përballë një “bishës së përgjumun” anadollake, shumë e egërsueme dhe terroriste, që përkonte dhe përputhej me cilësitë komuniste sllave në të gjitha mendimet dhe vëprimet e përbashkëta të tyne, për shkombëtarizimin total. Ajo që përdorej si argument “sulmi” ishte lufta kundër inteligjencës me pikëpamje të shëndoshta europjane Perëndimore, që pjesa Katolike kishte marrë nga universitetet dhe shkollat kur ishte përgatitë e formue nga Kleri Katolik Shqiptar, që i hapi, i formoi dhe i konsolidoi në Shqipni, por edhe universitetet Perëndimore, që ishin shkollat e kulturës europjane. Kjo bahej vetëm nga zilia apo smira dhe kenja inferior ndaj këtyne shkollave si nga ana e shumë Myslimanëve, si nga ana e mjaft Ortodoksëve, që mbizotnonin pjesën jugore të vendit tonë si dhe Kryeqytetin e tij, ndonse i ndodhun në Veri formalisht...që asht qendra politike, sociale dhe ekonomiko kulturore e vendit.

Komunizmi, terrorizmi dhe krimi i organizuem nga shteti mbi popullin e pambrojtun dhe të mbyllun mbrenda “perdes së hekurt” arrijnë me kthye të gjithë njerëzit në një kope të lidhun kambësh e duersh, me një leckë të kuqe të zhublosun në gojë, që vetëm shohin një dorë nalt, të gjakosun me thikë të shtërngueme fort, që asht dora e diktatorit që mbjell frikë, terror, pasiguri, dhe kërcënim tue shpërba edhe pamjen e njeriut.
Kjo farë e keqe zhvillohet në vëndet ma të pazhvillueme, sepse aty gjen terrenin e vet me mashtrue me parullën ma të njohun, por edhe ma të pelqyeme nga turmat, “barazi për të gjithë pa dallim feje, krahine dhe ideje!”, ndërsa, fshatarët analfabetë i siguron me hy në vathën e tij me “reformën agrare”, që asht praku i kapërcyellit për në kooperativën apo “kolkozin” e fshatarit rus. Kështu përgatitë terrenin me zhdukë me vrasje, burgime, tortura, pushkatime, interrnime dhe gjyqe fallse të “popullit” krejt kastën shtetnore, të ashtuquejtun borgjeze, tue shfarosë krejt aparatin e vjetër të kulturuem dhe përparimtar dhe tue e zëvendsue ate me kastën e “re”, të paditun dhe pa kurrfarë tradite për me organizue shtet të zhvilluem.
Komunistët luftojnë nën kauzën e tyne të internacionalizmit bolshevik proletar dhe vrasin kedo që mbas çlirimit “do t’u sillnin telashe” për me realizue pajtimin e tyne me parimet e neoshovenistëve komunistë.
Prej piktorit dhe mësuesit tim fort të dashtun dhe të paharrueshëm Simon Rrota, kam njohë vëllanë e Tij, shkencëtarin e madh të Gjuhës Shqipe, At Justin Rrota OFM, një nga Françeskanët ma të dijtun që ka pasë Kleri Katolik Shqiptar. Në vitin 1951 e kujtoj në mesin e Elterit të madh të Kishës Françeskane të Gjuhadolit, të mbajtun për parmakët e mermerit, tue predikue, mbasi nuk kishte mundësi me hypë në predikatore, se ishte me një paralizë të fortë, që i kishte pushtue gjysën e trupit. Kisha ishte aq e mbushun me njerëz, sa një pjesë ishin jashtë tri dyerëve të hymjes. Ishin ditët e adhurimit të Sakramendit dhe, ishim pikërisht në ata vite kur endè ishin të pathame plagët e të pushkatuemve nga tragjedia e organizueme prej komunistëve me sigurimin e shtetit, ku pak vite ma parë kishin futë armë e municione nën Elterët e Kishës ku po predikonte At Justini...
Kujtoj mirë temën për të cilën foli: “Krishti në Kopshtin e Gjetsemanit rrëthohet nga xhullinjtë dhe, Juda, afrohet dhe e puthë...”. Sa domethanse ishte kjo ngjarje atëherë!... Pra, isha fëmijë, por fjala e Dijetarit dalton edhe gurin... Në mbrendësinë e zemrës së Tij ishte hapë edhe një plagë e re, se ato ditë ishte arrestue një Dijetar tjetër i madh, At Marin Sirdani OFM., vëlla, mik dhe bashpunëtor i At Justinit në të gjitha vëprimet e tyne. At Marini asht kenë vëlla me një tjetër shkencëtar, Don Aleksandër Sirdanin, që edhe Ate e mbytën në gropat e zeza, në hetuesinë e Koplikut, në vitin 1947. At Marin Sirdani ishte nga kolosët e studimeve historike dhe një nga analistët ma të mëdhej të Historisë së Shqipnisë. Veprat e Tij janë të shumta, por botimi i vitit 1941 “Shqipnia e Shqiptarët”, e them pa frikë, edhe pse nuk jam kompetent, asht libri që për çdo të panjohun i jam referue dhe kam gjetë rrugën e vërtetë në të. Nëse do të nisemi nga gryka e lumit Buna në drejtim të Tivarit dhe të ecim në të gjitha fshatrat për të gjatë kufinit, ashtu si i rreshton emnat e tyne At Marin Sirdani, pa ma të voglim dyshim them se do të mërrijmë në pikën e fundit të kufinit në fshatrat e Jugut dhe do të ndalojmë në Kepin e Padanës, ku me siguri gjatë kësaj rruge të gjatë dhe të panjohun do të mësojmë edhe ngjarjet historike të atyne fshatrave, që jam i bindun se nuk i kemi ndigjue as lexue askund që nga viti 1941, kur At Marini i ka botue në Shkoder. Kalimi ndër ata pika kufini që ka përcaktue At Marini asht Kufini i vërtetë i Shtetit Shqiptar. E ky Kufi kalon në cakun e saktë të tokave tona të plaçkituna nga shovenistët serb, maqedonas e grek. Prandej At Marin Sirdani asht i përjashtuem nga Historia e Shqipnisë së shkrueme nga komunistët. Pa At Marin Sirdanin asnjëherë nuk ka me u shkrue Historia e vertëtë e Shqipnisë, ashtu si nuk asht ende e shkrueme pothuej asgja nga veprat e Tij, tue përjashtue “Hylli i Dritës” para vitit 1944, kur At Marini zinte fletët ma të rendësishme të asaj Reviste.
Në gjuhësi vazhdonte punën shkencore pa ndërpremje At Justini, i cili ka plot 46 vjet që ka vdekë, tek Kuvendi i Arrës së Madhe, me 21 Dhetor 1964, në pragun e shkatrrimit të atij Kuvendi në 1967 nga “Revolucioni Kulturor”. Ka punue shumë për me përcaktue saktësisht se cila duhet me kenë Gjuha e Njësueme Shqipe. Edhe punimet e Tij mbetën ata të para vitit 1944, ndonse ka punue deri në fundin e jetës pa u lodhë asnjëherë... Por, fatkeqësisht, mbas vitit 1951, punimet e At Justinit u vodhën nga “vagabondi”, spijun i Sigurimit shtetit komunist, mik dhe veprimtar “besnik” i Ramiz Alisë, “maturanti i natës”, “dr... prof...Jup Kastrati”, që me mundin e djersën rrëkajë të At Justin Rrotës, u shpërblye nga PKSH dhe Sigurimi i shtetit, të cilit i ka shërbye deri sa ka ngordhë, me “titujt” e sa e sa privilegje të pameritueme për hajninë ndaj vepres shkencore të At Justinit.
Ja një fakt. Librat që ka marrë tek At Justin Rrota kishin stampën J.R. Jupi fshinte me brisk shkronjën R nalt dhe, ajo bahej K, kështu, libri J. R. këthehej J. K. Shihni me kujdes “Bibliotekën përsonale” të J.K. dhe do të bindeni se sa vepra ka vjedhë Jupi!
Po a vetëm At Justini e vëllaznit Sirdani u vodhën e plaçkitën nga pseudo dr.. prof... e Enver Hoxhës e Ramiz Alisë? Jo, e kam shkrue disa herë dhe po e përsërisë prap, se: Biblioteka Kombëtare e Tiranës në vitin 1998, kishte në podrumet e saj mbi Njëmijë tituj e vepra shkencore të Klerit Katolik Shqiptar, të plaçkituna nga sigurimi i shtetit komunist që nga viti 1945, në Bibliotekën Françeskane, të Jezuitve dhe tek Kisha Kathedrale në 1967. Po, veprat e Don Nikollë Gazullit, ku janë..?
Jo jo, dhe Jo, duhet të ngulitët në trunin e çdo Atdhetari Shqiptar: Jo heshtje! Shkenca dhe Kultura Shqiptare duhet të vihët në shinat e së vërtetës! E kjo asht e domosdoshme e duhet të fillohet nga të gjitha shkollat Fetare, për me u pasue nga ato shtetnore, që vazhdojnë me kenë të prangosuna nga ideologjia marksiste – leniniste, tue përfshi edhe të gjitha botimet shkollore në të gjitha Trojet Shqiptare, e kryesisht në Kosovë. Janë pikërisht ata libra e tekste shkollore që shpërndahën në gjithë Botën tue helmatisë Rininë Shqiptare nga SHBA e deri këtu në Australinë e pastër e të qytetnueme...demokratike.
Kulturës Shqiptare i mungojnë themelet ndër librat që botohen edhe sot, gati mbas 20 vjetësh të ramjes së Murit Berlinit, i cili “nuk pranon” me u rrëzue në koken e komunistëve në Shqipni!
Ku asht ndër libra të shkollave At Fishta, Don Ndre Zadeja, Don Lazër Shantoja, Don Nikollë Gazulli, At Shtjefën Gjeçovi, At Gjon Shllaku, Don Ndoc Nikaj, At Bernardin Palaj, At Donat Kurti, Don Aleksandër e At Marin Sirdani, Imzot Vinçenc Prennushi, At Pjetër Mëshkalla, At Zef Saraçi, At Zef Valentini, At Anton e At Mark Harapi, e sa të tjerë që janë ende me “epitetet” e komunistëve kriminelë në Historinë e Shqipnisë, bazat e së cilës i vune Vetë Ata, dhe i çimentuen Ata Themelët e Saj me Gjakun e Shejtë të Tyne!
Cili universitet i Botës së Qytetnueme përjashton nga Katedrat e Tij Përparimtare At Shtjefën Gjeçovin apo At Gjergj Fishtën ? Kush mund të flasi për publiçistikën tonë pa zanë me gojë Faik Konicën e Don Lazër Shantojën ?! Cili nga Shqiptarët e Jugut mundet me folë për Çerçiz Topullin e Mustafa Qullin pa zanë me gojë At Anton Harapin? Kush di sot me kja mbi vorrin e Avni Rustemit si kjau Don Lazër Shantoja ?... Kush asht Ai Shkodran apo Vlonjat e Korçar që do me vue një “Rubë” pa lexue Don Ndre Zadejën e, me i këndue Asaj pa ndigjue melodinë e pavdekshme të Don Mikel Koliqit ? Kush mundet me mohue sot Themelet e muzikës Shqiptare të vume nga duert e At Martin Gjokës... Kush mund të flasi për etnografinë tonë sot pa njohë veprat e Prof. Simon Rrotës ? Botanisti i madh At Mark Harapi SJ. ka zbulimet e veta në florën shqiptare, që as nuk i ze kush me gojë. Vetëm në pikturë kishte dy akademista që jetuen deri vonë 1980 – 2003, At Gegë Luma dhe At Leon Kabashi, pa mujtë me dhanë asnjëherë kontributin e tyne në atë art.
Asnjëherë nuk duhet harrue se kryeveprat e Kolë Idromenos janë krijue dhe ruejtë në Kishën Katedrale të Shkodrës, dhe se, nga bankat e shkollës françeskane dhe asaj jezuite dolën artistët ma me vlerë të letërsisë dhe artit shqiptar në shekullin e XX-të, Poeti Kombëtar At Gjergj Fishta, kompozitori i madh Prenkë Jakova, aktori Zef Jubani, kangëtari Lukë Kaçaj, piktori Lin Delia dhe futbollisti i pahurrueshëm Loro Boriçi etj. etj... Kush mund të quejnë vetën Shqiptar e stërnip i Gjergj Kastriotit Skenderbeut, pa pranue se “lotoret” e At Shtjefën Gjeçovit janë të stërgjyshëve tanë, që i kënduen Lirisë dhe i vajtuen robnisë ndër shekuj të shekujve? Jo, Shqiptarë, kështu, jo! Shqipnia asht prej nalt në Grudë e deri poshtë ku shkruen At Marin Sirdani...po, mësoni historinë se mund të jeni shumë të pasun me dollarë e Euro, po jeni shumë të “vorfën” në gëdhenje kulturore të trunit dhe të shpirtit!
Shqipnia ka pasë dhe ka edhe sot Dijetarë e Njerëz Përparimtarë!
Shqipnia ka pasë e ka me pasë nëvojë për Dijetarë, por, po përsërisë, për Dijetarë që e kanë dashtë dhe duen edhe sot me shpirt e me gjithë zemër: Një Shqipni Europjane!
Populli Shqiptar sundohej nga Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, dy tradhëtarë, që nëpërmjet dhunës që ushtronin me institucionin e tyne të paligjshëm, Sigurimin komunist, kishin vetëm një parim terrorist: frikësimin, kërcënimin dhe shtypjen e pashoqe, pse secili Shqiptar ishte i lidhun “për kafshatën e bukës”, siç ka thanë At Pjetër Mëshkalla, kur u arrestue në “Revolucionin Ideologjik e Kulturor” të vitit 1967 në qytetin e Shkodrës.
Kjo ishte reforma me të cilën krenohën shokët e Partisë komuniste: “Arësimimi i gjerë i masave dhe revolucionarizimi i shkollës sonë...” Qendrat ku Shqiptari humbi tiparet e Tij shekullore, Burrni, Besë e Bujari. Ja vendi ku u shemb Ideali “Atdhé e Fé”, ja çerdhja ku Shqipja Dykrenare çili zogjët e vet: Malësia tue ikë rrugëve të mërgimit dhe tue harrue zakon e traditë mijavjeçare. Ja “shkolla” ku formohej breznia e “re socialiste” pa korajo civile, servile dhe hipokrite, opurtuniste pa pikë burrnije, me parime marksiste – leniniste dhe ateiste bolshevike, parime të cilat synojnë me shpartallue Atdhetarizmin dhe Familjen Shqiptare.
E kush ia imponoi Shqiptarit europjan këto vese të flligta?
Tradhëtarët, pikërisht ata që për me sigurue kolltukun e tyne dhe me pasunue edhe trashigimtarët e vet me pasuni përrallore, shitën Atdheun.
Një nga vendet ma të vjetra dhe me tradita europjane shpartallohet nga dy komunistë tradhëtarë aq keq, sa kalojnë dekada njenambastjetres, tue ngushllue vetën: “Po, jemi dishka ma mirë se vjet...!” E deri kur kështu?
Nëse Populli Shqiptar nuk do të çveshi tradhëtarët e Atdheut nga rrobat tradhëtisë dhe nuk do t’i thejë përtokë piedestalët që i kanë vue me duert e tyne terroristët komunistë, ashtu si Populli mori zvarrë statujen e diktatorit Enver Hoxha gjatë rrugëve të Shkodrës dhe Tiranës, poashtu duhet të shkrryhen ndër balta edhe dekorata e meritat e pameritueme të tyne ose, përndryshe, në vendin e tyne, mu në atë llom ku kanë zhytë për njëgjysë shekulli Popullin, Populli aty të vazhdojë me qëndrue!
Jo, asnjëherë Shqiptari nuk i ka puthë prangat e robnisë!

VIII. PERËNDIA I DREJTËSISË
APO, KANDARI I TREGËTISË..?

Edhe pse ishim në Europë, na ishte mbushë mendja që shumë nga fjalët e mbetuna prej pushtimeve shekullore, me vazhdue me i përdorë ashtu si i kanë përdorë gjyshat tonë...Edhe pse ishin importue shumë nga peshoret moderne dhe mjaft praktike, ndër fushat e gjana të tregut fshatarë vazhdohej me u peshue malli me kandarin me shkop...kështu, thirrej ai... jo pse na dukej ma i saktë, po ishte ma praktik për atë që peshonte.
Mbi botkuptimin e formuem tek njeriu në lidhje me peshoren, që nga të gjithë njerëzit nënkuptohej saktësia apo pesha e saktë e një objekti material, ashtu edhe në veprime të njeriut kërkohej veprimi i saktë, pa lakime, por gjithmonë i drejtë. Kjo kërkesë themelore e veprave të njeriut ka vue themelin e asaj që na e quejmë drejtësi. E mbi këte koncept njerëzor ze vend edhe drejtësia me të cilën shteti peshon njeriun për veprat e tij.
Shqiptari prej kohësh, e pothuej ndër të parët në Evropë, ka njohtë ligjet e drejtësisë, që i ka trashigue nëpërmjet Kanunit të vet. Peshoren e asaj drejtësie e mbante në dorë ma plaku, i njohun si ma i drejti. Sigurisht, me kalimin e kohës, filloi edhe ndryshimi i gjykimit të njeriut, ndonse “peshorja” ishte në duertë e pushtuesit të huej, kështu, b.fj. ndryshoi dënimi i një Kleriku katolik shqiptar, që turqit e vinin në hu, ose e merrnin zvarrë me e çue për me e mbytë, e që shumica mërrinin të vdekun tek vendi ku do të egzekutohej, pra, në vend të “kandarit” turqit përdorën armë e zjarrit...
Kur krimet kalonin masën e peshores së drejtësisë dhe nuk kontrolloheshin ma me shifrat e njohuna të saja, atëherë mbet në gjithë Europën dënimi me varje në litar. Edhe egzekutorët e këtij lloj dënimi zgjidheshin nga shteti, mbasi ishte e vështirë me pranue kush me shkue tek trekandshi i vumë për me i hjekë stolin njeriut që do t’jepte shpirt i varun në konop. Nëse do të këputej konopi, njeriut që do të varej, do ti falej jeta.
Në vitin 1913, porsa malazezët kapën At Mati Prennushin, veprues me Dedë Gjo’ Lulin në Deçiq në 1911, kur gjykatsi i njoftoi “varjen në litar”, i tha: “E sheh litarin që ke në brez, në atë litar do të varim...”, dhe At Matia, me humor, iu përgjigj: “Jua di për nder me më varë në konopin tim, mbasi me siguri litari im ka me ma falë jetën...!”, mbasi At Matia kishte besim që pesha e randë e trupit të tij të shndetshem kishte me e këputë konopin...
Në vitin 1927 Ahmet Zogu vari në litar Don Gjon Gazullin... tek tregu i Shkodres. Ai u varros në vorret e Rrëmajit. Ishim fëmijë, kur tek vorri i Don Gjonit, shiheshin njerëz të ulun ndër gjujë, me rruzare në dorë, tue ndezë qira e tue lypë nder prej Tij. Kandari i Ahmet Zogut bani efekt të kundërt në popull, kur ai zbatoi vendimin e tij barbar, varjen e një prifti të pafajshëm.
Njëheresh Ai mendoi me aplikue edhe të tjera dënime të tilla.
Tek libri i amerikanit Fischer, gjejmë të shkrueme:
“Mbas ngjarjeve të nandorit 1926, ku në atë revoltë të Veriut mori pjesë edhe Kleri Katolik, kur ambasadori anglez nderhyni tek mbreti për falje të dy klerikëve, Zogu shpërtheu me duf: “Ah, sa shumë do të dëshroja t’i varja ashtu siç e meritojnë!”...
Mbas këtij rasti ambasadori amerikan, lidhun me këte, tha:
“Ndrysh nga personifikimi i Drejtësisë Perëndimore, e cila është një Perëndi me sy të lidhur që mban në dorë peshoren e paanshme të fajeve të të gjithë atyre që gjykohen prej Saj, Drejtësia shqiptare është një zonjë muhamedane, e cila herë pas here vështron vjedhurazi përmes perçes së saj se cili, apo çfarë ndodhët mbi pjatë, përpara se të rregullojë gurin e peshores.” (fq. 125) Sigurisht, varja në litar e një Prifti do të sillte pasoja.
Po, mbas vitit 1944 si u përdor “kandari i drejtësisë”..?
Aranit Çela ka deklarue se “ka zbatuar vetëm ligjin..!”
Kjo përgjigje përputhet saktësisht me citatin e Fischer, mbasi nga “Përendi e Drejtësisë Perëndimore” na ndrrueme prap “peshoren e saj” dhe u këthyeme tek “kandari” me ligjet e shteteve orjentale e bizantine... të Lindjes komuniste bolshevike, kështu, nuk bame kushedi se shka, veç shkyeme dhe dogjëm dy apo tri fletore zyrtare të vjetra...dhe, i thame edhe Europës se “nuk duam as drejtësinë tënde!”. Aty për aty nuk na u duk një veper kushediça, mbasi Europa vetë kje ajo që pranoi “idenë e madhe” të Ruzveltit për pushtimin e aneksimin tonë nga Jugosllavia bolshevike e Titos... ndonse, intelektualët dhe juristët që u masakruen me ligjet e komunistëve, ngritën zanin e tyne, e disa edhe kanë pranue me ndërgjegje të paster edhe pushkatimin, si av. Muzafer Pipa, av. Paulin Pali etj., që si mbas ligjit që ka zbatue Aranit Çela, ende nuk kanë as vorr, tue u pasë “vorrosë me ligjë”.. Jam tue folë për atë kohë kur “shoku” Enver kërkonte me ditë për secilin njeri që pushkatohet edhe “vullnetin e tij të fundit para plutonit të egzekutimit...”. Po vendin ku vorrosej ai, a e dinte Enver Hoxha e mbas tij, Ramiz Alia?
Për me vërtetue sesa me urrejtje asht veprue ndaj njerëzve që ishin pranë qendrave apo urave të lidhjes me Europën, unë do t’ ju paraqes vetëm një fakt, që tregon edhe zbatimin e përpiktë të porosive të qeverisë jugosllave për këtë qellim, gja që u zbatue me përpikmëni nga tradhëtari anadollak Enver Hoxha, me të gjithë kriminelët e “kandarit të drejtësisë”:
Me datën 15 nandor 1946, ora 12.00, në mensën e Kuvendit të Françeskanëve, arrestohet Provinçiali At Mati Prennushi. Mbasi i vihen prangat Atij, Françeskanët tjerë njoftohen se “janë në gjendje arresti..”
Kuvendi i Françeskanëve në Gjuhadol u kthye në burg dhe thirrej Burgu i Kishës së Fretënve, burgu ma i mnershëm i komunizmit në Shqipni, e pse jo, i krejt Lindjës komuniste. Porosia jugosllave ishte: “... të shkatrroni kulm e thëmel çerdhën e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye FRANÇESKANËT!” ... dhe, porosia e mësuesëve neoshovenistë jugosllavë po realizohej nga Enver Hoxha.
Pa hy fare ndër shifrat e Klerit Katolik apo intelektualëve e njerëzve të thjeshtë që janë pushkatue, mbytë në hetuesi, në kufi, piramida apo shetitë ndër kamjona të lidhun me tela me ferra, pa kërkue me dijtë sa djelm të ri që po kryenin shërbimin ushtarak janë vra dhe therë me bajoneta, apo sa vetë u groposen kur filloi revolta antikomuniste më 1990 e 91...unë do t’i referohem një shpjegimi të saktë që kam publikue:
Tregon ish shefi i arrestuem i një kasaforte...në kampin e Spaçit..
...“Jo, asnjëri nuk dinte se çka kishte të dyllosur kasaforta ime...! Kurrë, asnjëri, nuk e ka çelur ate përveç atij që ka punuar para meje në atë zyrë...Edhe ay është zhdukur...e, ndoshta, fatin e tij do kem dhe unë...ti, je i ri dhe një ditë do dalësh...si shkodran do të besoj...deri ditën që jam arrestuar, në shkurt të këtij viti (1974) numuri i të pushkatuarëve, të vrarëve me gjyq e pagjyq, të të mbeturve në hetuesi në tortura, të vdekurëve në kampe pune dhe çfarosje, në kampe internimi dhe ferma pune, në spitale psikiatrike dhe çmendira, të vrarë në kufinjë dhe reparte pune e ushtarake, se gjoja janë “vetvrarë”...pa shifrën e atyre që Sigurimi ka zhdukur në botën e jashtme, ata nuk ishin në kasafortën time, shifrat janë:
45.000 Shqiptarë pa varr...në tokën e tyre shqiptare..! Dhe, mbi 450.000 Shqiptarë të tjerë, të burgosur, ose të riburgosur dy ose tre herë, të internuar, të dëbuar, të zhdukur... dhe, që të gjithë vazhdojnë të vuajnë “luftën e kllasave” të diktaturës së terroristit Enver Hoxha, lakejve spijunë të tij dhe pasuesve komunistë bolshevikë të partisë që lufton e punon për të siguruar kolltukun e tij, me pasuesit, po kurrë, të Popullit Shqiptar dhe Shqipërisë..!
Mallkuar qoftë ai që i shërben këtij shteti terrorist!”
Sikur këto shifra të derdheshin në bronz dhe mbi një pllakë prej mermeri të vendoseshin para ministrisë së “drejtësisë” bashkë me një shtatore të “Aranit Çelës me sy të lidhun”, apo para Kuvendit Popullor të “Nexhmije Hoxhës, me perçe e me kandar”, apo para kryeministrisë të “Mehmet Shehut me thikë në dorë”, apo tek piramida “Enver Hoxhën me Stalinin tue ...hangër bar”, apo në Tivar “Ramiz Alinë me drapen e çekan tue korrë kosovarë...” atëherë, Shqiptarët do të kujtonin një thanje:
Amerikani Harold Uajzberg shkruen: “Vrasesi tipik e shikon veten si ndonje hero.” Kjo thanje përputhet me portretet e dy diktatorëve që pat rrezik me provue Populli Shqiptar në rregjimin komunist. Askujt nuk ka me i shkue mendja mbas pak vitesh se vrasjet në Shqipni planifikoheshin dhe organizoheshin me detaje të caktueme nga komiteti qendror i PPSh, dhe se, me “buletine sekrete” sigurimi i shtetit vepronte në mënyrën ma të djallzueme me realizue planet e diktatorit. Sigurisht, në terrorin shtetnor sadizmi i sigurimit të shtetit asht i përhapun ndër metastazat e tij anë e kand vendit në forma të institucionalizueme, ku veprohet si e si me prishë dhe me shpartallue njeriun e pafajshem deri aty sa ai me pranue me gojen e vet “fajsinë” vetëm me shpëtue nga duart e atyne torturuesve katil, që nuk u ngopnin pa e pa viktimën të tejdepersonalizuem, tue nënshkrue me dorën e vet procesin që sot na e quejmë “vetvrasje”. Këto vepra terrorit janë tipike për sistemin komunist, ku hetuesit mobilizohen me të gjitha mjetet e tyne të torturës me realizue planet skllavnuese të diktatorit, për friksimin dhe pasigurinë e secilit, që kurdoherë duhet të mendojnë se neser “unë mund të ndodhem në duertë e një katili për me plotsue numurin e viktimave që kerkon PPSh.”
Qenjet ma të pamëshirshme në këte institucion ishin hetuesit dhe torturuesit e mija njerëzve të pafajshëm, që punonin me andje me vra e pre njerëzit e pranguem ndër hekura, shumica e të cilve nuk dinte pse ndodhej aty..? E kjo vepër e shemtueme, e brumosun me një urrejtje aq të madhe e të pashoqe, nuk kje e një periudhe të shkurtë, por vazhdoi gjysë shekulli, e fatkeqsisht, ma parë u harruen kriminelët përbindsha se viktimat e tyne.
Shumë e vështirë ka me kenë ma vonë me u kuptue sesi një hetues torturonte një njeri për vdekje vetëm se ai ishte “klerik” …apo, e “shkynë për gjymtyrësh” pse ai ishte me veladon, apo “i futën hekurin e skuqun në muskujt e krahëve”, pse mbron një njeri të pafajshem, apo “i ngjeshën për gjoks xhamadanin metalik” për me vra një dijetarë, apo “e shtynë me cfurk deri sa të mbytet në xhiriz” një njeri “të pafajshëm”, por i urryem prej teje…E ndoshta, shumë herë ka me u diskutue edhe saktësia e fjalës së atij që e ka shkrue, mbasi do të bahet edhe pyetja: Mirë se të gjitha këto i bani Enver Hoxha e Ramiz Alia, po çfarë qendrimi ndaj këtyne njerëzve u mbajt tash njëzet vjet mbas tyne, prej presidentëve “demokratë”, që ishin të çveshun nga “teserat” komuniste..?
– Presidentët shqiptarë sjellin fletët e kalendarit…dhe, presin që të “harrohet” në kujtesën e Popullit kriminaliteti i terroristëve të vjetër, tue “dekorue” ndonjë viktimë “nderi i kombit”, që shpesh, edhe ai vetë, tue dashtë me “harrue”, kërkon me risjellë në zyret e “kandarit të drejtësisë” nga ata “profesionistë” që i rikujton në darkat e drekat presidenciale kur ngrejnë dollitë, tradhëtari gjakatar Ramiz Alia e shokë e tij…
Secila viktimë e terrorit ka një firmë të projektuesit të akuzës, ka firmën e një hetuesi, ka një torturues, ka një polic që e dhunonte, ka një prokuror që e akuzonte, ka një gjykatës që e dënonte pa faj, ka një grup të tanë të gjykatës së naltë që shqyrtonte fajsinë e të pafajshmit, ka një grup tjeter deputetësh të kuvendit popullor, që ishin prap ma nalt e që, me një “kandar special”, ia venin mbi tavolinë viktimën ma të naltit, “presidentit” të Republikës, për shqyrtimin e fajit dhe miratimin e dënimit me vdekje. Dhe, mbasi “mendonin e peshonin viktimën se kush ishte dhe kush e kishte sjellë në kandar, ulnin perçen dhe “lëviznin gurin e peshores”…tue, mos harrue me njoftue edhe “shokun” “komandant” për “vullnetin e fundit të tij…”
Të gjithë këto bisha janë ushqye me gjak dhe, “harresa” e tyne prap gjak njell…nëse do të lejohen me iu afrue Tempullit të Perëndisë së Drejtësisë, prandej, Populli Shqiptar duhet të luftojë për Drejtësi të Vertetë, të mbështetun mbi moralin njerëzor dhe me përgatitje të mirë profesionale për përdorimin e peshores me sy të mbyllun…
Drejtësia asht faktori kryesor i vendosjes së Demokracisë!
Nëse Koka drejtuese e Shtetit Shqiptar do të vazhdojë me ngritë “dolli” me tradhëtarët e Atdheut dhe të Popullit, nuk asht e largët mungesa e Paqës dhe e Lirisë, Demokracia e brishtë do të venitet...
Dënimi i tradhëtarve t’ Atdheut asht garanci për Paqen dhe Drejtësinë, mjete të Shejta që sigurojnë Demokracinë në Shqipni!

IX. B U B R R E C A T…


Bubrrecat, ose milingonat, përcaktohen kështu në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe: “Milingona – zool. Kandërr e vogël me ngjyrë të zezë që rron me shumicë nëpër drurë, në fole të bëra në dhe etj.; mizë dheu, mizë përdhese, thnegël...” (fq. 1138).
Kishe me thanë se asht ndër insektet ma të njohuna dhe të përhapuna. Porsa njeriu fillon me kenë i pavarun në jetë me lojnat e tij të fëminisë, mbas mizave, njihet me bubrrecat e vogla, që shpesh sulmojnë raftet e bukës dhe të ushqimeve në shtëpijat tona. Në dukje të parë nuk janë aspak të frikëshme, madje shpesh i largon me frymë ose i shkundë për mos me i mbytë, mbasi ke njëfarë dhimbje kur i sheh aq të vogla, gjithënjë tue punue. Grumbullohen shumë mbas sheqerit dhe produkteve të tjera të ambla. Kur ishim të vegjël, u hidhnim një dramcë bukë me pak sheqer në tokë dhe i vrojtonim me kënaqësi sesi mblidheshin, e rrethonin, po dhe organizonin mënyren si me e bajtë dhe me e çue në folenë e tyne. Janë shumë të ndjeshme ndaj ndryshimëve të motit. Ka raste që bubrrecat të tregojnë se koha do të ndryshojë, moti do të keqësohet....
Ato rreshtohen në një mënyrë aq të çuditëshme, sa të duket sikur vargu i njenës palë, që ecin me ushqim në gojë tue e bajtë me e çue në fole, dhe në kahun e kundërt pala tjetër, tue vrapue me shkue tek grumbulli me marrë edhe ate çka ka mbetë aty; mënyra sesi vehen përdy pa prishë rendin asnjena palë, të ban me mendue se ai veprim nuk asht instinkt, se ata e bajnë me aq kujdes, sa gati-gati me t’u dukë se edhe ruhën mos me hasë për shoqet e veta të ngarkueme.
Mënyra sesi ato rreshtohen në një varg të pafund... më ka ba me mendue krejt ndryshe nga njohja e parë si fëmijë me to...
Mund të them pa ngurrim, se bubrreca asht insekti ma i urryem prej meje…Ajo më kujton rradhët e pafund të njerëzëve në të gjitha sheshet, qoshet e skutat e jetës në krejt vendet komuniste ... Ato rradhë njerëzish “të pranguem”, që fillonin nga Shqipnia deri në Vendet Baltike dhe nga Berlini deri në kampet e t’internuemve në Vladivostok...
Ajo më kujton tribunat e nalta të diktatorëve me gjokse të mbylluna hermetikisht nga dekoratat, tue shikue me perçmim miljona njerëz si milingonat, që brohorasin në gjithë kampin socialist ditën e 1 Majit...nën valvitjet e flamujve të kuq...të proletariatit para hotel “Dajti”, apo në “Sheshin e kuq” të Moskës, tue vrojtue fëtyrat e perçudnueme të dy diktatorve në tribunën e naltë të “kampit” të hekurt bolshevik…
Ajo më kujton rradhët e gjata të fëtyrave të verdha e anemike të bukës kollomoqe si tullë deri në vitet 1953 – 54.
Ajo më kujton “triskat”, rracionet, sasinë minimale për jetesë, deklaratat e kryetarëve të lagjeve për me i përfitiue këto “triska”, pra, nënshkrimet e atyne fudullëve spijunë për me tërhjekë një copë letër, që ishte “privilegji” i pushtetit “popullor demokratik”, për katerqind gram bukë kollomoqi, e që duhej edhe ajo me u pague me pare...
Ajo më kujton njerëzit e depersonalizuem dhe të pacipë ndër rradha, tue veshtrue kush “fshanë”?...
Ajo më kujton pleq e plaka të mbështjellun me zhele, gra të shpupurishuna flokësh dhe fëmijë të zbathun në pikën e acarit të dimnit, tue iu rrah fëtyren, mollzat e faqeve e duert e ngrime si akulli tue iu ra përthonjësh, nga të ftohtit e veriut apo murrlani i pashpirtë i Shkodrës....
Ajo më kujton rradhët e pafund të rracioneve të druve e të qymyrit, në borën e madhe të njerëzve me shkarpa e të çveshun.
Ajo më kujton rradhët e vume me gurë e rrasa mbas mesnate, për një shishe qumësht...
Ajo më kujton rradhët e pafund për një gjysë kile djathë në javë për çdo familje...
Ajo më kujton vrapimin e Nanave Shqiptare, para se me shkue në punë, tue ble 100 gr. burro në javë për 5 – 6 fëmijë...
Ajo më kujton rradhët e një kileje mishit për familje në javë...
Ajo më kujton rradhët për një kile domate, një kile patate, fasule apo spinak...
Ajo më kujton gëzimin se muejta me marrë një kile gjuca pa u mbarue koshi...
Ajo më kujton ankthin e njerëzve dhe krizmat e bidonave të vojgurit, kur shkapeteshin...se u mbarue...
Ajo më kujton mija të internuem, rreshtue për një kafshatë bukë ndër ferma...
Ajo më kujton kilen e mollave e të portokaleve që gëzonte fëmijët për natën e vitit të ri...
Ajo më kujton rradhët e njerëzve fatzezë me sofratasa tek dyert e Sigurimit të Shtetit...me ngopë zagart e policisë…
Ajo më kujton rradhët e njerëzve të përlotun tue pritë “takimin” tek Burgu i Madh...
Ajo më kujton “apelet” ndër ngrica, n’oborr të burgut të Burrelit...
Ajo më kujton policët katilë, tue na thanë: “Mos sillni më, është i ngordhur në Zallin e Kirit...shko po deshe, sa nuk është qelbur!...”.
Ajo më kujton Nanat tona si shkambi, tue iu dridhë buza e tue na tregue: “E kanë pushkatue sot!”
Ajo më kujton gjyshën... tue pritë përditë në dritare: “Kur po i vjen djali!?...”
E, çka nuk më kujton ti...o bubrrecë e zezë si futa e Malësisë!...
Ti më kujton shpellat, ti më kujton Shqipet... ti më kujton orlat që kanë ndi erë gjaku!
Ti më kujton rreshtat e pafund të Atyne Burrave, që mbyllen jetën ndër galeritë tueja të Spaçit, Qafë Barit, Rrubikut, ndër këneta të Maliqit, Bedenit, Levan Fierit... ndër kryporet e Vlonës apo brigjet e Sarandës, ndër Kodrat e Tepelenës apo barakat e akullta të Vloçishtit e të Ballshit, ndër aeroportet e Tiranës apo kanalët e Torovicës...e ku nuk e kishe ti një fole të errtë e të zezë si nata?...
E pra, ti o bubrrecë, jé krejtë e pafaj...e di...
Por, edhe mue, më asht ba instinkt me i mendue të gjitha këto... kur, të shoh ty! …Edhe këtu, në Melbourne....

Malbourne, 29 Nandor 2004.


X. NA ISHTE NJË...KALA !


Tue kalue nëpërmend këto data me ngjarjet që i pasojnë do të bindeni se tradhëtarët Enver Hoxha e Ramiz Alia na nxoren nga Europa...
Me 8 nandor 1941...tradhëtari Enver Hoxha bahet shërbëtor e vasal i partisë komuniste jugosllave, me kusht me braktisë Europën... dhe, njëherit në 1943 fillon edhe lufta civile kundër Atdhetarëve.
29 nandor 1944... dita ma e zezë e robnisë së Shqipnisë.
4 – 11 shkurt 1945, në Jalta...Nga Ruzvelti Shqipnia lihet nën robninë e shovenistëve komunistë jugosllavë të Titos. Amerika dhe Anglia përkrahin Rusinë bolshevike për shkëputjen e Shqipnisë nga Europa. Në Shqipni vendoset diktatura robnuese komuniste.
Janar 1945 - Malësorët e Veriut kundërshtojnë pushtimin sllav.
25 Mars 1945 - pushkatohet Prekë Cali me grupin e Malësorëve që luftojnë për Liri e me ta edhe Kleriku katolik Don Ndre Zadeja.
24 Prill 1945 - nxirret jashtë nga qeveria shqiptare delegati Apostolik i Vatikanit Imz. Leone G.B. Nigris. Shqipnia këputë edhe marëdhanjet diplomatike me Vatikanin përfundimisht.
29 Prill 1945 - pra, mbas 5 ditësh, Jugosllavia njeh Qeverinë e Tiranës komuniste me kryetar Enver Hoxhën.
Në fillim të Majit 1945 formohet Organizata e Parë Antikomuniste në Shqipni me emnin “Bashkimi Shqiptar”, nga Mark Çuni.
27 nandor 1945 - sigurimi i shtetit zbulon organizatën antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”. Arrestohet edhe Kryetari i saj.
2 dhetor 1945 - bahen zgjedhjet e para antidemokratike.
2 dhetor 1945 - BRSS me Stalinin në krye vendosë marrdhanje diplomatike me Tiranën bolshevike.
4 Mars 1946 - pushkatohen drejtuesit e organizatës “Bashkimi Shqiptar” e bashkë me ta edhe tre klerikë katolikë të pafajshëm.
Me 20 shkurt 1946 - pushkatohet At Anton Harapi, Lef Nosi dhe Maliq Bushati, anëtarë të Rregjencës Shqiptare.
Me 1945 – 46 pushkatohen ish deputetë e qeveritarë të shtetit shqiptar.
1 korrik 1946, në Beograd, Tito dekoron E. Hoxhen “hero i popujve të Jugosllavisë”, dekoratë që e ka edhe sot.
9 Shtator 1946 - dështon Lëvizja Antikomuniste e Postribës.
15 nandor 1946 - në Prizren pushkatohen shqiptarët e akuzuem nga UDB për organizatën “Katoliçeskaja Banda” në Kosovë.
15 nandor 1946 - Kuvendi Françeskan kthehet në burg.
Natën në mes 16 e 17 nandor 1946, sigurimi i shtetit futë armët në Kishën Françeskane në Shkodër dhe në Kishën e Oroshit Mirditë.
19 maji 1947 - arrestohet Argjipeshkvi Metropolit i Tiranës Imz. Vinçenc Prennushi, i cili vdes në burg me 19 mars 1949.
11 mars 1948 - pushkatohen në Shkoder prelatët e Klerit Katolik.
11 maji 1949 - fillon gjyqi kundër tradhëtarit Koçi Xoxe.
Në vitin 1949 - pushkatohet Imz. K.Kissi, kryetar i Kishës Ortodokse.
11 tetor 1950 - Jugosllavia ndërpret marrdhanjet diplomatike me qeverinë e Tiranës, po UDB vazhdon lidhjet me sigurimin e shtetit.
31 korrik 1951 - Kleri katolik nënshkruen “Statutin e Kishës”.
Në vitin 1952 - në Tiranë organizohet nga shteti “Konferenca e Paqes” me besimet në Shqipni.
5 mars 1953 - vdes Stalini dhe me 22 dhetor 1953, qeveria e Tiranës rilidhë marëdhanjet diplomatike me qeverinë e Beogradit.
14 Maji 1955 - Shqipnia bahet anëtare e “Paktit të Varshavës”.
14 dhetor 1955 - Shqipnia anëtarsohet në OKB.
Shtator 1956 - Revolucioni antikomunist Hungarez.
Në vitin 1957 – 58 - dënohet kulti i Stalinit në kampin komunist.
Në vitet 1958 – 59 - pushkatohen klerikët që nuk kanë firmue Statutin e Kishës Katolike.
Në maji 1959 - Hrushovi viziton Shqipninë.
16 nandor 1960 - bahet konferenca e 81 partive komuniste ku, E. Hoxha, dënon politikën sovjetike për mos me lëshue kolltukun.
2 shkurt 1961 - lidhen marëdhanjet me Kinën komuniste.
Me 2 prill 1961 - vdes në Paris Ahmet Zogu.
Në vitin 1961 - E.Hoxha nuk lejon Nanë Terezen me hy në Shqipni.
3 dhetor 1961- priten marëdhanjet diplomatike me BS.
10 janar 1964 - viziton Shqipninë kryeministri kinez Çu En Lai.
Me 6 shkurt 1967 - E. Hoxha shpallë “luftën kundër besimeve” në Shqipni. Fillon fushata për realizimin e “Revolucionit Ideologjik”
Në vitin 1967 - fillon prishja e 2169 objekteve të kultit fetar.
13 shtator 1968 - Shqipnia largohet nga Traktati i Varshavës.
Në 1968 - tanket sovjetike pushtojnë Pragen...
Maji 1971 - Shqipnia lidhë marëdhanje diplomatike me Greqinë.
20 – 25 nandor 1972 - në Tiranë mbahet kongresi i “njësimit” të gjuhës, ku përjashtohet nga “gjuha shqipe” Gegënishtja.
Në 1974 - në Shkoder, në Kishën Kathedrale të kthyeme “pallat sporti” zhvillohet kongresi i grues, ku merr pjesë edhe E. Hoxha.
Dhetor 1976 - shpallet kushtetuta e RSSH. Shteti i parë ateist në botë, Shqipnia nxjerr jashta ligji Fenë.
18 dhetor 1981 - Mehmet Shehu ndjeh i vdekun...
Në gusht 1984 - Kryetari i Bavarisë, F.J. Straus viziton Shqipninë.
Përsëriten vizitat e Tij edhe në vitet 1986, 1987.
11 Prill 1985 - ma në fund vdes edhe Enver Hoxha. Me 13 prill në vendin e tij vjen Ramiz Alia.
2 tetor 1987 - lidhen marrdhanjet diplomatike me RF Gjermane.
Në gusht 1989 - pranohet në Shqipni për vizitë Nanë Tereza.
Me 9 Nandor 1989 bie Muri i Berlinit.
14 janar 1990 - në Shkodër, bahet demonstrata e heshtun për heqjen e bustit të Stalinit. Në kufi fillojnë vrasjet e të rijve..
Maji 1990 - Kuvendi Popullor i RPS të Shqipnisë heqë nenin 35 të kodit penal kundër “propagandës fetare”. Mbyllet në qytetin e Shkodrës “Muzeu ateist” i inauguruem nga Ramiz Alia.
Me 13 qershor 1990 - populli shkon në gërmadhat e Shejtores së Shën Ndout në Laç të Kurbinit.
Korrik 1990 - bahet protesta në Shkodër për vrasjen e djaloshit P. Pllumaj në kufi. Rreth Shqipnisë vriten të rijë e nuk vorrosen!
2 – 3 korrik 1990 - shqiptarët dynden ndër ambasada të hueja.
Shqiptarët i trokasin dyerëve të Europës Perëndimore.
Me 4 dhe 11 Nandor 1990 - ora 11.00 në Vorrezat e Rrëmajit në Shkodër, Don Simon Jubani, në prani të 50.000 shkodranëve pa leje të tradhëtarit Ramiz Alia, shpallë: “Vëllazen e Motra, Le të kujtojmë për një minut në heshtje të gjithë Këta të vdekun që kemi ndër këto vorreza dhe të gjithë Ata vëllazen e motra, që kanë ra për një Shqipni Europjane gjatë këtyne 46 vjetve të shkueme...”
Deri këte ditë ishim “Në mes të Europës”... por, jashta Saj!..
Ky ishte Populli Shqiptar i njohun në Europë e në gjithë Botën me Dy nga Simbolët e Paqës dhe të Lirisë së të Drejtave njerëzore : Të Madhin Gjergj Kastriotin - Skenderbeun e Nanë Terezën e Shqipnisë...

Shkodra shpartallon rrethimin komunist bolshevik… të Kalasë “Razafat”…Në ballë të saj qendron:

B.S.P.SH. SHKODËR


Vëllazen e motra sindikalistë të qytetit të Shkodrës,
Miqë të nderuem, Zonja dhe Zotni !
Asht tepër e pasun fjala vorfni për me dashtë me tregue fukarallekun e pashoq të popullit të Shkodrës dhe mbarë popullit Shqiptar, që përjetoi dhe po përjeton në këta momente shumë të trishtueshme në vuejtje, mjerim e skamje; i rrahun, i survejuem, i përdhunuem dhe i gjakosun tue lypë në trojet e veta, me sy të përlotun plot shpresë tek gjaku i Dëshmorëve të Demokracisë së 2 Prillit, pikërisht, në këte grevë mbarëkombëtare historike të pikëlluem të gjithë si jemi: T’i nderojmë këta Martirë me një minut heshtje !
I përjetëshem kjoftë kujtimi i Gjakut të Tyne, që u derdh për Paqen, Lirinë dhe Demokracinë e këtij Populli të salvuem të Kësaj Shqipnije Europjane!
Vëllazën e Motra, e dymbëdhjeta ditë që Rozafa plakë, e thinjun prej hallëve të pafund, vështron oxhakët e fikun pa tym e, të duket sikur po flet me vete kah sheh rreth Saj mbasardhësit e Teutës dhe Gencit, Lekës e Ded Gjo’Lulit, Norës së Kelmendit e Oso Kukës, Dasho Shkrelit e Hamz Kazazit, At Gjergj Fishtës, Gurakuqit e Don Ndre Mjedjës që, thërrasin: “Lirinë e keni ju, na hekra kemi!...”
Po po, Ajo Zojë e randë, Rozafa, sot vështron Hotin e Grudën, Kelmendin, Zadrimën, Mirditën e Kosovën la në gjak dhe aty po, Lekë Dukagjinin me “Kanu” në dorë tue na shikue dhe predikue Drejtësi dhe Paqë, por me gisht drejtue kah “vilat” thotë:
”Aty i keni kriminelët!”....
Uja vërtetë të errëson pamjen, por budallejë nuk na bani; mos u ngatrroni “zotërinjë”, se, sot në Shkodër nuk ka ma të ndamë katolikë e muslimanë, sot në Shqipni s’ka ma të ndamë Toskë e Gegë, sot në Shqipni ka vetëm Shqiptarë, apo perdja e “vetizolimit” që ka ra bashkë me perdën e randë të bolshevizmit nuk ju len me pa me ata sy të qorruem prej dogmatizmit komunist, s, Punëtorët e Shqipnisë janë lidhë me besa-besën e burrave të Mbishkodrës e të Nënshkodrës e kudo në Shqipni janë gati me vdekë uje, të ngujuem si në nëntokën e Valiasit, por mos me u shndrrue e mos me u shnderue.
Rrofshi Ju punëtorë, të pakëthyeshem në rrugën Tuej, nderi e forca ma e madhe e Atdheut tonë të vuejtun!
Ti Rini Shkodrane, që po na nderon e para në sakrificat për Liri, e para për Fé e Atdhé, e para për Demokraci e Drejtësi, i gëzofsh ditët e lumtuna që po vijnë, për të cilat po sakrifikon një Popull e mos e harro Migjenin se, “Bota asht e jote!”....
Dikur....në këtë vend ku jemi mbledhë sot, pikërisht këtu ishin vorre, ishin vorrezat e të Parëve Tanë, pra Vëllazen e Motra të Betohemi mbi këte Tokë të Bekueme, ku prehën Ata që na dhuruen Gjakun e Tyne, Atdhedashninë, Fenë, Besën, Nderën, Emnin Shkodranë....Të Betohemi!
Të Betohemi se Shkodra grevën do ta vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të Bashkimit të Sindikatave të Pavaruna të Shqipnisë, pa dhunë e gjak e me mirëkuptim me të gjithë, ashtu si duhet për Demokracinë e vërtetë e Shqipninë Europjane!
Rroftë Sindikata e Shkodrës!
Rroftë Shqipnia e Lirë!

Fjala e hapjes së Mitingut të BSPSH së Shkodres me 25 Maji 1991, në stadiumin “Loro Boriçi”, me pjesëmarrje të 30 000 qytetarëve, nga: F.Radovani

----------------------------------------------------------------------
XI. MOS HARRO !..

I nderuem lexues!
Kujto, po përsëris, kujto... se, Shkodra ime, në fillim të shek. XX, ndër ato shtëpija... që na lidhnin me Europën, kishte 28 pianoforta...
Ndërsa mbas 40 vjetësh...nga komunistët bolshevikë e orientalë, tradhëtarët Enver Hoxha e Ramiz Alia,
Në vitin 1946 Ajo, kishte 26 burgje...Kështu...pra, harroi me këndue e me qeshë Shkodrani!
....
Autori
Melbourne, Gusht 2010.


Bibliografia:

Prof. Zef Mirdita “Krishtenizmi ndër Shqiptarë” 1998, Zagreb.
Bernd J. Fischer në librin e tij “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipni” (1984),
Harold Uajzberg “E verteta mbi raportin e komisionit Worren”
USA. New York 1966.
Fan S. Noli, Historia e Skenderbeut, 1966, Tiranë.
Prof. Arshi Pipa, publicistikë, 1992.
Ismail Kadare, “Nga një dhjetor në tjetrin” Paris 1991.
Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme Tiranë, 1998.
Arkivi i Shtetit Tiranë, 1998.
At Donat Kurti OFM., “Vepra kulturale e elementit katolik në Shqipni”, 1944. (Dorëshkrim).
At Konrrad Gjolaj OFM. Libri “Çinarët” Shkoder,1996.
Prof. Gj. Sinishta, Buletini Katolik N.XV, San Francisco USA
Don Lazer Shantoja, (Y), publicistikë, gazeta “Ora e Maleve” 1924, Shkoder.
Prof. Dr. Ingj. Vedat Shehu, publicistikë, 2010.
Marash Mali USA, Publicistikë.
Brajan Capmën Libri “Dimensioni i katërt i luftimit”, botim i vitit 1967. Londer.
Henry Kissinger, Libri “Diplomacia”, Tiranë 1999.
Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 1985.
Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe 1980.
Gazeta “RD” 1993.
E. Hoxha, V.I, fq. 438, 1974. Tiranë
F. Radovani, Libri “At Pjeter Meshkalla SJ.” Zagreb, 2007, Botim i II. Kroaci.
F. Radovani, Libri “Një Monument nën dhe”, Zagreb, 2004.
F. Radovani, Libri “Publicistikë” (Dorshkrim). 2010.
F.Radovani, Kumtesë: “Kleri Katolik Shqiptar përballë genodit komunist” Detroit 2007.