Nderim për At’ Klement Miraj / nga Lida Fabian Miraj


NDERIM PËR 
AT' KLEMENT MIRAJ

Nga Lida Fabian MIRAJ


At’ Klement Miraj lindi në një familje malësore të Malësisë së Madhe në vitin 1885. Sipas të dhënave rrënjët e kësaj familje kishin 2 degë: njera që në atë kohë ishte e njohur me mbiemrin Mirashaj dhe e transformuar më vonë në Miraj dhe tjetra e quajtur Radotinaj e transformuar më vonë në Tinaj. I ati At’ Klementit, Luc Prela, pati shumë femijë: Zefin, Pjetrin, Palin, Jakun, Ndrekën, Tomën, Franin, Miren dhe Shaqen. Frani, i cili më vonë do të quhej Klement, ishte femija i shtatë dhe më i vogli i djemve. Luc Prela bashkë me të shoqen, Roza, dhe me femijët gjatë dimrit zbritnin nga Malësia e Madhe e dimëronin në Ishull-Lezhë, për të veruar përsëri në bjeshkë gjatë stinës së nxehtë. Ne Malësi, sot e gjithe ditën, thuhet se të shtatë djemtë e Luc Prelës shquheshin për atdhetarë, njerëz të urtë dhe shumë inteligjentë. Mbi të gjithë ata spikaste Frani, dhe që në fëmijëri shfaqi një dëshirë të madhe për t’u shkolluar, por në ato kohë shkollimi ishte shumë i veshtirë, sidomos per një familje malesorësh, që në dimër zbriste në Lezhë dhe në verë ngjitej në Malësi.
Në fakt ishte qyteti i Lezhës ai që i krijoi Franit mundësine e shkollimit në Kolegjin e Françeskanëve. Aty, sipas kodit fetar, atij ju ndërrua emri nga Fran ne Klement. Emri i ri lidhej qartë me origjinën e tij nga Malësia e Kelmendit. Ne librin e tij “Rrno vetëm për me tregue” At’ Zef Pllumi e quan disa herë At’ Kelmend e disa herë të tjera At’ Klement. At’ Klementi ndryshoi edhe mbiemrin e familjes nga Mirashaj në Miraj. At Klementi mbaroi studimet me rezultate të shkëlqyera dhe në bazë të arritjeve të tij ai u dërgua në Shkodër për të vazhduar Shkollën e mesme. At’ Klementi ishte i etur për dije dhe duke patur rezultate të shkëlqyera të shkollës së mesme, ju krijua mundësia të shkonte për të studiuar Filozofi-Teologji në Universitetin në Graz të Austrisë. Atje edhe u diplomua si student honoris. Pas diplomimit, në vitin 1920, u kthye në Shkodër ku filloi apostolatën e vet. Duke qenë njeri i niveleve të larta kulturore, si edhe shumë i apasionuar në arkeologji, ai u emërua drejtor i Koleksionit Arkeologjik të Kolegjit të Franceskanëve, koleksion që At’ Shtjefen Gjeçovi, themeluesi i Arkeologjisë Shqiptare, kishte mbledhur me një dashuri e passion të veçantë. Aty punoi pak vite dhe më pas, me vendim të udhëheqjes së Kuvendit të Gjuhadolit, u dërgua që të shërbente në Kosovë si famullitar i Pejës. Atje ai ushtroi një veprimtari të madhe patriotike dhe fetare së bashku me At’ Shtjefën Gjeçovin. Si pasojë e kësaj veprimtarie, të dy bashkë u persekutuan, u burgosën dhe u torturuan nga serbët. Pasi dolën nga burgu, At’ Shtjefen Gjeçovi dhe At’ Klementi, u larguan nga Kosova. Pas kthimit nga Kosova, At’ Klementi, u emërua famullitar në Rubik, ku punoi për pak kohë dhe At’ Shtjefën Gjeçovi u rikthye në Kosovë, ku dhe e vranë në afërsi të Prizrenit, në vitin 1930.
Nё Arkivin Qёndror tё Shtetit në Tiranë ndërmjet shumё dokumentave gjёndet nje letёr, nё tё cilin thuhet se mё 13 Korrik 1927, zoti Ugo Sola, Ministёr pranё Ambasadёs Italiane nё Tiranё, disa kopje tё librit tё parё , “Albania Antica”, tё arkeologut Luigi M. Ugolini, ja dhuronte me dedikime personaliteteve shqiptare pёrfshirё Rektorin e Jesuitёve dhe At’ Gjergj Fishtёn nё Shkodёr, At’ Shtjefёn Gjeçovin, i cili nё atё kohё ishte nё Kosovё, e tё tjerё. Njё nga kopjet e kёtij libri i ishte dёrguar edhe At’ Klement Miraj, famullitarit tё Rubikut, qё ishte edhe kurator i koleksionit arkeologjik tё Gjeçovit. Nё Arkiv ruhet letra me konsideratat e mendimet personale qё At Klementi i drejtonte z. Ugo Sola, pasi kishte lexuar me kujdes librin “Albania Antica I” tё Ugolinit.
Nё librin e Ugolinit njё vend mjaft tё rёndёsishёm zinte edhe pёrshkrimi i Seksionit Arkeologjik pranё Muzeut Historiko-Gjeologjik tё Jezuitёve nё Shkodёr, i Koleksionit Arkeologjik tё familjes Vlora ekspozuar nё pallatin e tyre nё Vlorё, si edhe pershkrimi i Koleksionit Arkeologjik në Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, të mbledhur me kujdes nga At’ Shtjefёn Gjeçovi.
Më vonë At’ Klementi u transferua në Laç të Sebestes. Aty punoi dhe jetoi për shumë vite. Banorët e atjeshëm e donin dhe e respektonin famullitarin e tyre, sepse ai i qëndronte pranë dhe i donte të gjithë banorët e zonës dhe të fshatrave përreth: Laç, Zhej, Mamurras, etj. Ne Laç ai ndërtoi Kishën e re si edhe bëri riparime të shumta në Kishën e Shna-Ndout.
Gjatë kësaj kohe At’ Klementi, me një kapacitet të lartë, shkruante vazhdimisht në shtypin e kohës artikuj, që ruhen edhe sot e gjithë ditën, të botuara tek revista Hylli i Dritës, etj. Një nga këto artikuj është për të vërtetën e Kurbinit (1937). At’ Klementi ishte edhe mbledhës folklori, materiale të cilat ai gjithashtu i botoi në shtypin e kohës.
Në të pestin Provincial Shqiptar, me 17 Qershor 1938, At’ Klementi u zgjodh një nga 4 Definitorët e Provincës Françeskane, së bashku me Provincial At’ Çiprian Nika. Viti 1944 At’ Klementin e gjeti të emëruar famullitar në Bizë të Ishmit. Aty ai i qëndroi shumë afër banorëve, duke i ushqyer dashuri, paqe e vëllazërim, dashuri për njeri tjetrin, dhe kjo ide e tij ishte jo vetëm për të krishterët, por edhe për ata të besimit musliman.
Gjatë luftës, duke qenë gjermanisht folës, ai mundi të shpëtonte mbi njëzet burra të fshatit, të arrestuar dhe të dënuar me pushkatim nga pushtuesit gjermanë.
Veprimtaria e Fratit të mençur ishte e orientuar ne dy drejtime: per Fe dhe për Atdhe, që ishte parimi i të gjithë Françeskanëve në Shqipëri.
Biza, Laci, Shkodra e Kosova e kanë nderuar dhe e kanë respektuar At’ Klementin për shërbesën fetare, që ai ju bëri, për devotshmërinë e tij në detyrën misionare, për diturinë dhe për mirësinë e tij.
Por diktatura komuniste nuk mund ta linte të lirë Fratin e nderuar. Me vendim të Gjykatës Ushtarake, Durrës, nr. 62, date 24. 06. 1952, mbështetur në nenin 8 te ligjit nr. 372, At’ Klement Miraj u arrestua dhe dënua me 8 vjet burg për agjitacion e propagandë.
Çfarë veprimtarie armiqësore kishte bërë frati i nderuar, At’ Klement Miraj, për t’u dënuar?
Natyrisht asnjë veprimtari të tillë, përveçse kishte shërbyer me devotshmëri e atdhetari. Natyrisht regjimi komunist nuk i falte priftërinjte katolikë dhe At’ Klementi, si një nga priftërinjtë e shërbimit katolik, u arrestua me një vendim Arbitrar të Gjykatës Ushtarake të Durrësit, Gjykata nxorri vendimin për ta dënuar në mungesë për agjitacion e propaganda, kur ai ishte në moshën 67 vjeçare. Prangat ju vunë në Bizë te Ishmit nga ish punonjësi i sigurimit te shtetit ne Durrës, R. Domi. Gjykata ushtarake e dënoi me 8 vjet burg. Ndën pranga Frati i nderuar u dërgua në burgun e Tiranës dhe pak më vonë u transferua në burgun e Burrelit ku edhe vdiq. E tmerrshme është që deri më sot ende nuk i është gjendur as varri.
Gjon Vlashi, me profesion avokat, i ka dëshmuar, në Janar të vitit 1994, babës tim shumë të nderuar, Fabjanit, se e ka njohur At’ Klementin në burgun e Burrelit, gjatë kohës kur kanë qenë të bashkëburgosur dhe sipas dëshmisë së tij, të lënë me shkrim, At’ Klementi ka vdekur me 21 Nëntor 1956.
At’ Klementi vdiq ose më saktë e vdiqën, kur ishte 71 vjec, 4 vjet pasi ishte arrestuar. Vdiq duke mos perballuar dot kushtet e burgut ose nga ndonjë rrethanë tjetër. Natyrisht që janë fare të panjohura dhe nuk dihet asgjë për rrethanat e vdekjes së tij. Ai vetë vdiq pa e kuptuar kurrë se përse u dënua dhe përse duhet të vuante në ditë të pleqërisë, kur gjithë jetën e tij ja kishte dedikuar njerëzve, kur kishte punuar vetëm me dashuri, devotshmëri e patriotizëm, për Fe dhe për Atdhe.
Burgu e vdekja e ndanë nga njerëzit, por ata asnjëherë nuk e harruan famullitarin e ndershëm, njeriun e mire dhe të kulturuar.
Më kujtohet, kur isha e vogël, në shtëpinë tonë vinin jo rrallë fshatarë nga Biza dhe zona përreth, për të takuar babën tim, e për t’i sjellë atij, si nipi i At’ Klementit, natyrisht me zë të ulët, përshëndetjet e bashkëfshatarëve në mirënjohje të priftit të tyre, të cilin ata nuk e harruan asnjëherë.
Nga familja e At’ Klementit kanë dale 4 Fretën Françeskane, 3 nga të cilët nuk janë më, dhe i katërti, At’ Gazmend Tinaj, është sot e gjithë ditën në Provincën Françeskane të Zojës Nunziatë, në Shqipëri.
At’ Mhill Miraj, ose Rrok Pjetri siç ishte quajtur në fëmijëri, Mjeshtër në Klerikat, në vitet 1938-1939, professor i matematikës në Liceun e Shkodrës, njeri i kulturës e dijes, u dënua me 10 vjet burg nga Gjykata Ushtarake, në 13 Janar të vitit 1948 bashkë me 10 Klerikë të tjerë dhe u torturua me mënyrat më çnjerëzore në burgjet e asaj kohe. At Zef Pllumbi në librin e tij “Rrno vetëm për me tregue”, dëshmon për torturat e rezistencën e At’ Mhill Mirajt, në ato burgje të ferrit komunist.
Baba im, i ndjeri e shumë i nderuari, Fabian Miraj ose Tomë Zefi, siç ishte quajtur në fëmijëri, njeri shumë i kulturuar, specialist i shkëlqyer në fushën e ndërtimit e restaurimit të monumenteve të kulturës, ishte gjithnjë i palodhur në punë. Ai në fakt pasi kishte mbaruar Kolegjin e Françeskanëve në Shkodër kishte shkuar për studime në Itali. Ai ishte diplomuar për Teologji në Universitetin Antoniana në Romë. Në fund të vitit 1945, menjëhere pas diplomimit, u kthye në Shqipëri, kur ishte vetem 25 vjeç. Kthimi i tij lidhej jo vetëm me çlirimin e Shqipërise, por edhe me faktin që kishte mbaruar Lufta e Dytë Botërore. Sa herë e pyetnim na thoshte se u kthye nga dashuria e madhe për vendin, për prindërit e për të afërmit. Shqipërinë e gjeti ndryshe nga ç’e kishte menduar. Që në fillim u përball me kurthe, presione e kërcënime dhe, pasi u burgos për disa muaj, u detyrua që në vitin 1948 të ndërpriste veprimtarinë e shërbesës fetare dhe të largohej nga rrethi i Shkodrës, ku ai njihej si frat ose si njeri i shërbimit katolik. I ri dhe me vitalitet vendosi të regjistrohej vullnetar në ndërtimin e hekurudhës. Në kohën e punës në hekurudhë jeta e tij mori drejtim tjetër. Vendosi të mos ketë miq të afërt dhe të mos flasi me askënd për mendimet e tij ideologjike dhe politike. Nuk foli as me ne deri kur ndodhën ndryshimet demokratike, sepse mendonte se vetëm duke heshtur do të mbronte vehten, familjen dhe gjithë të afërmit.
Këtë vit mbushen 67 vjet nga vdekja ose martirizimi i At’ Klement Miraj dhe, me këtë rast, dëshiroj të nderoj edhe të ndjerët At’ Mhill Miraj, Fabian Miraj si edhe gjithë fisin tim të nderuar, jo vetëm ata malësore që jetojnë edhe sot në Kelmend, por edhe ata që kanë zbritur e jetojnë në Shkodër e Lezhë, Laç, Mamurras e kudo qofshin.
Një nderim shumë të veçantë për të gjithë Fretenit e Provincës Françeskane të Zojës Nunziatë në Shqipëri, të cilët me përkushtim vazhdojnë rrugën e At’ Gjergj Fishtës, At’ Shtjefën Gjeçovit, At’ Klement Miraj, At’ Zef Pllumit dhe të gjithë Fretënve të martirizuar në forma e mënyra të ndryshme nga ai regjim aq i egër, që për fat të keq zotëroi Shqipërinë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.
I përjetshëm qoftë kujtimi i At’ Klement Miraj. I përjetshëm qofte kujtimi i Fabian Miraj dhe At’ Mhill Miraj. I përjetshëm qoftë kujtimi i të gjithë Fretënve Françeskanë, që ja kushtuan jetën parimit të rëndësishëm: ‘Për Fe dhe për Atdhe’.